Donnerstag, 13. Oktober 2016

Dr.Hysen Kobellari - Mësuesi me nur martiri



Mumin Kastrati, mësues me nur martiri 

Njeri si gjithë njerëzit edhe ai qe, 
Por të tërin asnjë shekull s’e nxë. 
Mat e çmat, hija edhe më e gjatë . 
                               Adem ISTREFI 

1
 
Të shkruash diçka të veçantë për një mësues sot është e vështirë. Qoftë ai edhe mësues i shekullit të kaluar. Me dhjetra e qindra emra e jetë mësuesish kanë kaluar përpara historisë, madje edhe përpara syve tanë, për vite e vite me radhë... 
Por, janë disa prej tyre, të cilët kalojnë përtej së vaçantës, përtej së përditshmes. Janë ata të cilët përtej të zakonshmes kanë bërë sakrifica të mëdha; kanë sakrifikuar duke vënë gjakun e tyre në shërbim të nxënësve, në shërbim të interesave të kombit. 
Një ndër ta është edhe mësuesi atdhetar, veterani i arsimit shqip Mumin Kastrati, për nder e respekt të të cilit u shkrua ky libër disi i veçantë. Jeta dhe veprimtaria e këtij mësuesi misionar ndrin me një nur martiri. Ndrin me shembullin e tij, ndrin me porositë e mëdha për brezat që vijnë. Këtë e mësojmë nga biografia e tij heroike, ku vitet e burgut dhe torturave na trishtojnë dhe na revoltojnë ndaj shkaktarëve, ketë e mësojmë nga dashuria dhe respekti që kanë bashkëkohës dhe pasardhës. 
Ndërsa mësuesit e zakonshëm të shqipes e kanë shndërruar jetën e tyre në qirinj që digjen pa pushuar tërë jetën, siç thotë poeti ynë i madh Naim Frashëri, mësuesi martir Mumin Kastrati e shndërroi jetën dhe veprën e vet në një pishtar të madh, në një flakadan, i cili do të ndriçojë udhën e njerëzve tanë për tërë jetën. Mësues Mumini ishte njeriu i sakrificave të mëdha, njeriu i paisur me durim të madh dhe guxim të rrallë, me zgjuarësi natyrale e mirësi misionari; mbi të gjitha është shembull i njeriut të papërkulur ndaj vështirësive, pengesave dhe dallgëve të egra të jetës. 


Të jesh mësues don të thotë të jesh misionar. Misionar që futet me guxim, vetmohim, durim e vendosmëri në detin e madh e të pafund të diturisë, për të mësuar fillimisht vetë si të notosh, pastaj për të mësuar të tjerët si të notojnë. Përgjithësisht mësuesit janë njerëzit më positiva në shoqëri. Tek ta simbolizohen tiparet më të mira moralo-qytetare… 
Mësuesi është njeriu i vaçantë në jetën tonë. I vaçantë dhe veçanërisht i dashur, ashtu si janë prindërit për fëmijët. 
Mësuesi vepron në nxënësit në dy drejtime : Nëse nxënësi është i ngutur, i nxituar, i shpejtuar, e frenon atë, sepse nga ngutja mund të thyejë kokën; mësuesi i vë mbi shpinë barrën e dashurisë për dritën e dijes, një barrë aq të rëndë e aq të çmuar. 
Nëse nxënësi është i ndalur, i shtangët, mësuesi e nxit atë të ecë më shpejt, me hapin e shokëve dhe të kohës, duke i treguar se ku është rrezja e dritës së diturisë, të cilën njeriu gjatë gjithë jetës duhet të rendë, të vrapojë me dëshirë e gëzim për ta fituar këtë Bukurane të Dheut… 


I nderuar lexues! 

Vjershat që janë shkruar në përkushtim të mësuesit të shquar Mumin Kastrati janë shkruar me shumë dashuri e respekt nga autorët e tyre. Vargjet kanë dalë drejt për së drejti nga zemrat e atyre që i kanë shkruar. Pjesa më e madhe e vargjeshkruesve nuk janë poetë, por poetë i ka bërë zjarri i dashurisë për njeriun dhe veprën e tij të ndritur. Kështu që në vargjet e tyre ne duhet të kërkojmë këtë frymë dashurie e jo nivelin artistik të tyre. 
Le të jetë ky libër i thjeshtë e i vaçantë edhe si një homazh, si një mirënjohje, falenderim e kujtim për të gjithë ata mësuese e mësues, misionarë të arsimit shqip, fjalës së lirë dhe ardhmërisë plot dritë. Mirënjohje dhe falenderim pa fund për nismëtarin e kësaj pune fisnike, mësuesin e përkushtuar e të devotshëm Nehat Jahiu, shkrimtarin dhe poetin që e shkriu jetën e tij si pishtar drite në shërbim të arsimit, edukimit dhe përparimit të kombit.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen