Freitag, 25. August 2017

Ilir Mborja: SË BASHKU (TOGETHER)

Një grup krijuesish: Iliriana Sulkuqi, poete dhe publiciste, Myslym Maska, poet dhe prozator, Ilir Mborja, skulptor dhe publicist, Luan Xhuli, poet, Grigor Jovani poet, publicist dhe botues, Arqile Gjata, poet dhe studiues i letërsisë, bënë sot realitet një nismë, të cilën mendojnë se ua dikton koha dhe e kërkojnë nevojat imediate krijuese të shkrimtarëve dhe artistëve emigrantë, larg shablloneve të së kaluarës, që më shumë i kanë përçarë se i kanë bashkuar dhe frymëzuar në krijimtarinë e tyre. Vendosën të nismojnë një bashkësi të re letrare dhe artistike të krijuesve emigrantë, me qendër në Athinë, pa kufizime idesh dhe pa u kushtëzuar nga e kaluara. Synimi ynë është që, ne krijuesit që jetojnë larg atdheut, me kohë të bashkohemi të gjithë në një vatër krijuese, ku nëpërmjet një ballaqafimi artistik të krijimeve tona të shkëmbejmë mendime duke ruajtur dhe respektuar idividualitetin e gjithësecilit. Pikërisht për këtë dhe vetëm për këtë, nismën tonë të re letrare dhe artistike, vendosëm ta quajmë “SË BASHKU”. Gjithashtu, meqenëse jemi në mërgim si edhe për të dhënë simbolikën e një shoqërie të hapur dhe pa paragjykime kufizuese edhe ndaj krijuesve me kombësi jo shqiptare, u shfaq dhe u pranua edhe propozomi, që krahas kësaj fjale, të përdoret edhe varianti anglisht “TOGETHER”. Grupi i mësipërm nismëtar me mendime të lira dhe miqësore diskutoi një projekt-status të Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”) dhe ngarkoi Këshillin Drejtues - i cili do të rigjenerohet me persona të tjerë rigorozisht pas çdo viti - ta sanksionojë atë, për t’u miratuar përfundimisht nga bashkësia e krijuesve të kësaj nisme në mbledhjen më të parë. Grupi nismëtar mori dhe shpall publikisht vendimet themeltare të Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”): 1. Revista Letraro-Artistike “Pegasi”, e themeluar dhe e drejtuar nga Grigor Jovani, qysh sot bëhet organ i Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”) me redaksi të re, e cila do të shprehë vullnetin krijues të anëtarëve. Redaksia e re e Revistës “Pegasi”: A. Grigor Jovani mbetet drejtor i Revistës dhe përgjigjet për mbarëvajtjen e saj përpara Këshillit Drejtues të Klubit. B. Iliriana Sulkuqi ngarkohet me detyrën e Kryeredaktores së Revistës. C. Ilir Mborja ngarkohet me detyrën e redaktorit dhe përpunuesit grafik. 2. Zëdhënës Zyrtar i Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”) ngarkohet publicisti Ilir Mborja. 3. Kryetar i parë ( për një vit) i Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”) zgjidhet unanimisht Grigor Jovani. Atij i ngarkohet njëkohësisht edhe detyra e menaxhimit të faqes elektronike. Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”), duke dëshiruar të jemi më së fundi të gjithë tok, fton pa dallim krijuesit emigrantë të ecim së bashku në rrugën e krijimtarisë dhe të promovimit të vlerave të vërteta artistike. Të gjithë atyre që duan të na bashkohen, ne u themi: Mirë se vini! Së bashku, veç miqësisë e diskutimeve të sinqerta, nuk kemi gjë për të ndarë. Sidomos këtu në emigracion... Madje ne ju ftojmë: Ejani të ndajmë bashkë mendimet tona modeste për krijimet e njëri tjetrit! Ejani të bëhemi së bashku për çdo gëzim, apo (Qoftë larg!) hidhërim!.. Ejani pra! Së bashku do të jemi më mirë...
Zëdhënësi i Klubit Letraro-Artistik “SË BASHKU” (“TOGETHER”) Ilir Mborja. Athinë, më 25 gusht, 2017

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen