Viron Kona |
Këpucë me numër të vogël blini!
Njeriu, dihet ka shumë halle,
dalin befas e radhë s`mbajnë,
rreth e rreth si një gjeratore,
na e sjellin mendjen vërdallë.
Duam, s`duam janë tonat,
na takon neve t`i zgjidhim,
si drurin q`e gërryen mola,
na marrin ngadalë shpirtin.
Por në jetë ka edhe përvoja,
nuk do të ishte keq t`i dini,
kur t`ju zërë një hall i madh,
këpucë me numër t`vogël blini.
Atëherë mendjen s` do ta keni,
te halli që po ju merr shpirtin,
po te këpuca me numër t`vogël,
që ju vret e ju cingëris gishtin.
Eureka!1).
-Ti the se në një dhomë jetoni dhjetë vetë,
dhe pranë keni kasollen me dhenë e dhi.
Që t`ju shpëtojë nga ky hall që ju ka zënë,
një zgjidhje praktike po ju këshillojë tani:
Merri dhëntë e dhitë që i ke në kasollen pranë,
futi në dhomën me burra, gra, pleq dhe fëmijë,
pas një jave, kur t`takohemi e t`flasim përsëri,
do t`shihni se hallin do t`jua zgjidhë me magji.
Fshatari bëri siç e këshilloi kryetari,
n`dhomë me familjen futi dhënë e dhi,
njerëz e kafshë bashkë u ngatërruan,
si në komunitetin primitiv, jet` lemeri`.
Pamja e dhomës dot nuk përshkruhej,
bagëtitë blegërinin, fëmijët sytë me lot,
gratë, burrat,pleqtë s`dinin ku të flinin,
çdo përpjekje për zgjidhje, ishte e kot!
Ditët zvarriteshin sikur të ishin vite,
pritja s`durohej, eh sa t`vijë kryetari,
ai kishte çelësin e zgjidhjes magjike,
që ata të gjorë do t`i nxirrte nga halli.
Ditën e caktuar kryetari u duk mes tyre,
dhe sa i takoi:“Eureka!”thirri me krenari:
sakrificës suaj t`madhe sot i erdhi fundi,
tashmë të keqen po jua kthej n`kënaqësi:
Hiqni nga dhoma juaj dhentë e dhitë,
i çoni n`kasollen ku lirshëm blegërinin,
tani lëvizni, gjallërohuni, merrni frymë,
ku ishit, ku jeni, e ndjeni ndryshimin?
Kur familjarët mbetën t`vetëm në dhomë,
nisën të përqafoheshin me gaz e lumturi,
shpëtuam! - i thoshin me qejf njëri-tjetrit,
jetë të vërtetë e moderne,do t`bëjmë tani!
Lajmi i rrallë kaloj gojë më gojë, mor dhenë,
u komentua gjatë zgjidhja që dha kryetari,
t`mos e harrojmë, o njerëz zgjedhjet q`vijnë,
e gjetëm kryetarin që na nxjerrë nga halli.
1).“Eureka”(evrika) ka kuptimin “E gjeta!” një britmë e Arkimedit(pas zbulimit të parimit të dendësisë dhe të pluskimit, i njohur edhe si “Parimi i Arkimedit”. Sipas gojëdhënës ai e zbuloi atë kur po lahej në vaskë dhe doli jashtë duke bërtitur “Eureka”. Arkimedi(287 p.e.s-212 p.e.s) shkencëtar dhe matematikan i madh i lashtësisë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen