Dienstag, 21. November 2017

Pse ia kanë frikën hoxhallarët flamurit kuq e zi?

Nga: Gani MEHMETAJ

1.

Para festës së flamurit një pjesë e xhamive në Kosovë, në Shqipëri e në Maqedoni ziejnë nga tërbimi i hoxhallarëve të cilët shkumëzojnë kundër shpalljes së shtetit shqiptar, duke mos e thënë asnjë fjalë të keqe për pushtimin e territoreve etnike nga Serbia e Mali i Zi. Vajtojnë me përulësinë e pjata lëpirësit pse u dëbua Turqia, ndërsa nuk u del asnjë ofshamë  a psherëtimë pse nuk u bë shteti shqiptar ashtu si duhej të bëhej, në tërë hapësirën shqiptare. Një hoxhë agresiv i Shkodrës e vë në ballë të xhamisë vulën e sulltanit gjakatar që vrau mijëra arbëror. S'ka zog shqiptari a pushtetari që mund t'ia heq këtë shëmti. Apo nuk duan, sepse dikush ua ka shkel bishtin më këmbë? Ajo që bëri hoxha me mentalitet anadollaku, është njëjtë sikur në xhami të Kosovës të vihej fotografia e Millosheviçit, vrasësit tjetër të shqiptarëve. Hoxhës së  Shkodrës feja e tij ia ndalon të vë portrete të Sulltanit gjakatar, ndryshe do ta bënte.

Po në Shkodër dy-tre ditë para përvjetorit të pavarësisë dikush hodhi koka "kurbanesh" në rrugën e këmbësorëve, mbase për t'i paralajmëruar shkodranët se Turqia do të kthehet një ditë më gjak e koka të hequra. Dikur po këta shpirt shitur për të nxitur vëllavrasje shqiptarësh, hidhnin koka derrash nëpër xhami. Shkodra po përdhoset nga islamikët muajve të fundit si asnjë qytet tjetër, pikërisht pse dikur ishte simbol i veriut shqiptar nga Prishtina deri në Shkup e Tetovë. Kërcënimet islamike e detyruan organizatorin ta bartë ndeshjen në Elbasan.



2.

Kreu i BIK-ut në xhaminë kryesore të Prishtinës e ka vënë dhe e ve në spikamë flamurin turk,  ndërsa kurrë nuk e ka vënë flamuri shqiptar. Po në këtë xhami e në xhami të tjera ka qëndruar dikur për festa shtetërore flamuri serbë e jugosllavë. Kreu i Bashkësisë Islame të Kosovës  e lavdëroi Sulltan Muratin vrasësin e mijëra arbërorëve. Po ky hoxhë servil një herë e lavdëroi Gulenin, duke e krahasuar më shenjtorin e myslimanëve, pastaj e kafshoi gjuhën dhe e  lavdëroi Erdoganin, duke u përpjekur të përmirësonte gabimin e parë, meqë Erdogani e bëri armik, Gulenin, ish-pejgamerin e kreut të BIK-ut. Servilizma të tilla nuk ndodhin askund tjetër në botë. Dhe ai qëndron në krye të organizatës së vet në mënyrë të paligjshme, falë qëndrimit puthadorë e mbështetjes së hapur turke.  Pushtetarët tonë nuk duan ta prishin më Ankaranë. Hoxhallarët që mendojnë e veprojnë ndryshe janë margjinalizuar, ose ndiqen. 

3.

Nga simbolet kombëtare pjesë e konsiderueshme e hoxhallarëve e urrejnë flamurin kombëtar, por kurrë nuk kanë folur më urrejtje apo më përbuzje për flamurin serb, në emër të  të cilit Serbia  vrau mijëra shqiptarë. Hoxhallarët u thonë besimtarëve të festojnë, ose të kujtojnë luftërat e përgjakshme okupuese arabe e turke, por kurrë nuk u thonë, festojeni 28-nëntorin, ditën e shpalljes së pavarësisë, apo nuk u thonë festojeni ditën e kthimit të Gjergj Kastriotit në Krujë. Nuk ka klerikë fetar në faqe të dheut, sikurse hoxhallarët tonë që punojnë kundër kombit e shtetit të tyre. Dhe askush nuk i pengon. 

Është e habitshme se si pjesës jo e pakët të hoxhallarëve  nuk u del kurrë nga goja asnjë fjalë e keqe apo ndonjë mallkim kundër Serbisë që masakroi aq shumë shqiptarë të pafajshëm, nuk u shkon as nëpër mend të paraqesin në predikimet e tyre  krimet turke ndaj shqiptarëve, por nuk u shpëton pa i mallkuar heronjtë shqiptarë që kontribuuan në luftën kundër perandorisë turke, nuk u shpëton pa gënjyer për historinë e shqiptarëve, duke e propaganduar versionin serb të historisë sonë. Kur predikojnë nëpër xhami, ata nuk e përçojnë fjalën e Zotit, ata bëjnë politikë kundër interesave tona kombëtare, na turpërojnë e dëmtojnë rëndë, duke mobilizuar të rinjtë që të luftojnë për islamin, por asnjëherë nuk kanë predikuar që ta luftojmë pushtuesin serbë. Ata e përçojnë fjalën e djallit që i cyt të denigrojnë heronjtë, të fyejnë flamurin kombëtar, duke e lartësuar ish pushtuesin. 

Në fëmijërinë time pjesë e  madhe e  hoxhallarëve pa fije turpi e lavdëronin Jugosllavinë. Sipas tyre Jugosllavia po na jep bukë, liri e të drejta më të mëdha në botë. E madhëronin Titon, të cilin herë e venin para Zotit, herë pas Zotit, apo e barazonin me Zotin. "Tita dhe Zoti na e fali jetën", çirreshin shumë prej tyre, duke harruar se mijëra shqiptarë të Kosovës e të Maqedonisë nuk mund ta dëgjonin këtë lavd, sepse ushtria serbo-malazeze e Titos i vrau mizorisht.

Dikur hoxhallarët e shitur, ngurronin ta shanin më aq pafytyrësi flamurin kuq e zi, sikurse e shajnë sot, megjithëse ishim nën okupim. Atëbotë kishin frikë nga të rinjtë që do t'ua bënin kokën me xhunga në terrin e natës larg nga sytë e UDB-së që i mbronte hoxhët. Është e habitshme që askush nuk u reagon, as nuk ua tharton turinjtë atyre që flasin kundër Ditës së pavarësisë, kundër flamurit shqiptar dhe kundër Gjergj Kastriotit. Kush i mbështet aq fuqishëm sa të bëhen të pafytyrë e trima kundër shqiptarëve, kur dihet që historikisht pjesë e madhe e hoxhallarëve janë treguar burracak.

Pse ia ka frikën një pjesë e konsiderueshme e hoxhallarëve flamurit kuq e zi mu si djalli që ia ka frikën kryqit? Druajnë se do të mbeten pa fonde? Nuk janë shqiptarë as nga nëna, as nga babai? Janë mendërisht të sëmur? Por një gjë dihet një pjesë e tyre janë më fytyra të vrerosura nga tehuajësimi e çnjerëzimi që kanë përjetuar.
__________
Huazuar nga gazeta botasot.info

Freitag, 10. November 2017

Besnik Mustafaj: “ZOOPARKU” I ZIJA ÇELËS

Romani i gabimeve të njeriut shqiptar? Në “Ora e Zooparkut”, Zija Çela ka shndërruar në lëndë romaneske perceptimin e vet individual për kakofoninë e madhe të historisë së postkomunizmit. (Gazeta Panorama, 9 nëntor.)
Posaçërisht me romanin “Ora e Zooparkut”, botim i Toena 2017, Zija Çela shfaqet si pjesëtar i racës së shkrimtarëve të mirëfilltë, të cilët janë të aftë ta shndërrojnë vetminë e tyre në gjenerator të fuqishëm për imagjinatën, duke arritur kështu ta kuptojnë kohën që jetojnë, kam parasysh këtu dramën e njeriut të kësaj kohe dhe ta shprehin këtë dramë.
“Ora e Zooparkut” nuk është një roman me kode, që i drejtohet një kategorie të caktuar lexuesish. Nuk e teproj po të them se çdo lloj lexuesi do të gjejë në kë libër atë që kërkon nga nga letërsia dhe madje do të kënaqet, mjaft që secili të ruajë qasjen e vet ndaj tekstit. Për një lexues intelektual, Zija Çela ka dhënë kësaj here një roman postmodern të fuqishëm, me një strukturë narrative shumë komplekse, ku autori është pjesë e tekstit, madje duke lënë peng në subjekt për një çast edhe njeriun e tij më të afërt, vetë Zonjën Çela me dhimbjen e saj të rrënjosur siç është e rrënjosur vija e horizontit, përtej të cilit nuk ka më botë për vështrimin e saj. Për një lexues nismëtar, ky është lirisht një roman aventurash, ku ngjarjet mbështillen e shpështillen duke ruajtur me masë suspansin, pa u bërë kurrë të mërzitshme. Ka aty personazhe të udhëhequr nga drejtësia, ka personazhe me karakter të dobët, ka personazhe të ashpër, mirëfilli me shpirt kriminal, siç ka edhe personazhe plot humanizëm, me vullnet të fortë e të zgjuar. Por asnjëri nga këto personazhe nuk mishëron vetëm një cilësi. Secili ka pak nga të gjitha, duke nxjerrë më në pah njërën, çka i bën protagonistët të vihen lehtësisht në marrëdhënie me njëri-tjetrin edhe kur në themel të kësaj marrëdhënieje është dashuria, edhe atëherë kur është urrejtja apo qoftë edhe interesi. Për një lexues tjetër, ky është kryesisht një roman dashurie, plot me enigma të seksit e të pasionit, me përshkrime të bukura të jetës së trupit të femrës e të mashkullit, qoftë kur kjo jetë trupore udhëhiqet nga impulse e qoftë kur ajo udhëhiqet nga logjika. Ka në këtë roman dhe realizëm të drejtpërdrejtë për lexuesit, që kërkojnë në tekst përshkrime dhe tablo sociologjike, siç ka edhe realizëm magjik, për të kënaqur ata që në prozën romaneske kërkojnë një hiper-realitet. Rudolf Marku thotë: “Një rrëfim në vetën e parë, ashpërsisht realist, me trajektore gjithë zigzake kohore e hapësinore, por ku retrospektivat duken iluzionisht si vazhdim linear i rrëfimit”. Më pas, ai shkruan: “Romani ‘Ora e Zooparkut’ është thellësisht modern, pa synuar që të jetë i tillë.”
Më duket veçanërisht e rëndësishme të ndalem pak te vlerësimi i Rudolfit se ky roman është modern, pa synuar që të jetë i tillë. Si mund të jesh modern, pa synuar që të jesh i tillë? Rudolfi ka formuluar kështu një koncept thelbësor që e dallon shkrimtarin moderrn në kuptimin gjenetik të fjalës, nga ai i shtiruri, i cili beson te spekulimi dhe shkrimin e shndërron fund e krye në artific. Zija Çela në këtë rast nuk rreket ta manipulojë lexuesin, duke bërë me mjetet e tij gjuhësore atë që bëjnë shumë femra sot me operacionet plastike. Stili, thotë Aristoteli, është vetë autori. Prej nga mund të shtojmë se teknikat e shkrimit, sado të rëndësishme që janë, mbeten vetëm një aspekt i stilit. Për të folur konkretisht, do të thosha se në “Ora e Zooparkut”, Zija Çela ka shndërruar në lëndë romaneske perceptimin e vet individual për kakofoninë e madhe të historisë shqiptare të postkomunizmit.
Një ndërmarrje e tillë ka kërkuar po ashtu nga autori një sy të mprehtë për të qëmtuar çfarë ishte rrënjësore dhe çfarë rastësore në fatin e personazheve të kësaj kakofonie historike, për të cilët, në mënyrë të përmbledhur, mund të thuhet se nuk ishin të përgatitur kulturalisht dhe as psikologjikisht për ta jetuar natyrshëm lirinë. Një tëharrje e tillë paraprake për të ruajtur vetëm çfarë ishte rrënjësore në përmbajtjen e këtyre personazheve, ishte e nevojshme për jetën që ata do të kishin më pas, tashmë si protagonistë të romanit. Një moralist, por jo autori, kurrsesi jo autori, do të gjykonte se ky është romani i gabimeve të njeriut shqiptar të çerekshekullit të fundit, kur edhe në botën tonë të vogël, ashtu si në mbarë botën e madhe, vdiqën më në fund ideologjitë. Pikërisht ky perceptim përbën themelin realist, mbi të cilin lartohet ngrehina letrare e këtij romani, ngrehinë kjo brenda së cilës termi ‘realizëm’ fiton një përmbajtje tjetër nga ajo që ka në të folurën tonë të përditshme.
Një ndërmarrje e tillë ka kërkuar nga autori një vetëkontroll të fortë për të mos iu dorëzuar joshjeve nga episode veç e veç, të cilat në vetvete mund të ngjanin të bukura e me tharmet për t’u zhvilluar gjatë, por që do ta zhbalanconin ngrehinën romaneske. Një fjalë goje kjo, por në fakt është në llojin e asaj vetëpërmbajtjeje që i nevojitej Uliksit për të mos ndjekur sirenat. Sado improvizues e spontan që është Zija Çela gjatë shkrimit, tipar ky që zbulon poetin brenda tij, ai e ka megjithatë të qartë Itakën ku do të mbërrijë dhe nuk hutohet gjatë rrugës, gjë që i jep rrëfimit të tij një qartësi, një dinamikë dhe një ritëm të lartë. Një ndërmarrje e tillë kërkonte medoemos dhe një zotërim shumë të mirë të gjuhës, për t’u shprehur jo në mënyrë aproksimative, siç presupozohet se e mbart ndonjëherë qasja hiper-realiste apo realizmi magjik. Jo. Gjuha e Zija Çelës ka në përgjithësi saktësinë dhe harmoninë e zemberekut të orës. Kështu, Zija Çela ka arritur me këtë roman atë, që Mehmet Kraja e quan “sintezë autoriale”.
Ato, që një moralist do t’i quante zgjedhje të gabuara të njeriut shqiptar, për romancierin Zija Çela janë në të vërtetë shfaqje të nepsit, të cilin njeriu shqiptar, i pushtuar nga vrulli për të thyer tabutë, nuk e mbante më dot nën kontroll. Nepsi për paranë, nepsi për seksin dhe plot të tjera më pak rrënuese. Sipas mësimeve ungjillore, nepsi është një nga shtatë mëkatet kapitale. Në këtë kuptim, “Ora e Zooparkut” është kryesisht një roman mbi nepsin dhe pasojat e tij shkatërrimtare. Vetë titulli i romanit e orienton lexuesin drejt prapamendimit të autorit. Për më tepër, kjo parabolë përforcohet drejtpërdrejt në tekst, me skenat ku qytetarë të Tiranës shkojnë vullnetarisht të veshin gëzofët e kafshëve të zooparkut, por jo për t’argëtuar, siç do të shkonin për të marrë pjesë në një karnaval pranveror. Diçka krejt tjetër, subkoshiente, i shtyn të luajnë plot ankth një copë herë ca role, për të cilat nuk kanë lindur, por janë bërë fatkeqësisht gjatë rrugës.
Do të nënvizoja si një vlerë të shtuar e që buron pikërisht prej perceptimit zanafillor faktin se autori, në gjithë këtë përshkrim kompleks, i ka shpëtuar për mrekulli kurthit të cinizmit. Ai nuk tregohet cinik ndaj personazheve të veta, edhe kur i sheh ata të kenë rënë vërtet shumë poshtë në batak, siç edhe nuk i mëshiron. Në këtë përballje prej të mundurish me nepsin, personazhet e këtij romani nuk bëhen thuajse asnjëherë groteskë, pra, i shmangen edhe karikaturës, sepse ata i shoqëron individualisht edhe një dilemë herë e vetëdijshme e më shpesh e pavetëdijshme. Është dilema mes fajësisë me pafajësinë, e cila do të thosha, i bën ata dashje pa dashje simpatikë, domethënë njerëzorë.

Sonntag, 5. November 2017

Ramiz Kuqi: Cikël Poetik


BIE SHI...


(Një mikut...)

S’u lidhe kurrë
Në asnjë fjalë
Heshtjen
E ke mik të vargut

Në cilën stinë
Ai zog i grishmë
Bukurinē e nxjerr
Me këngë?
S’u lidhe kurrë!

NË IKEA

(Restoran)

Përtej xhamave shtrihen
Kodra të blerta
Dielli me dhëmbë
Njerëzit
Me bagazh malli
Ngarkuar nëpër udhë
Vargu im
Mbushur me shi!


SI NUK U BË

Njëherë
Një grush e fjalë
Të flas shqip
Në kullën e shekujve
Gur i ftohtë
Vjeshta ik pa zë
Veç shiun e lë pas
Gjethe të zvedhura rrugëve
Refrenin e lypësit
Me një strajcë në supe
Që i bie
Skaj më skaj atdheut
Që s'i falë asgjë
Si nuk u bë
Të qeshim një herë
Më zë
Deri në qiell
Të na dëgjojë Zoti
Toka
E çarë nga brenda
Si nuk u bë....


NJERIU

Është prej gurit
E lotit
Edhe kur zbraz
Një kupë me verë
E zbraz
Të vras dhimbjen
Është njeri
Edhe kur bie në gjunj
Për një varg lirik
Kur ëndrrat e përplasin
Deteve kodeve të pafund
Numrave rreshtorë
Njeriu...

FUND TETORI

Shtrij duart ta marr në dorë
Një zog vjeshtë
Lodhur nëpër qiellin gri
T'ia lëmoj puplat
Sqepin
E kanë lagur të gjitha erërat
Me shi !


FËMIJËT

(Pesë ëndrrave të vargut)

Janë si lulet në shpërthim
Botës i falin të virgjër dashuri
Po kur prindërit i shpien për lojra
Sytë u shkëlqejnë në si rreze dielli në liri

Kështu e do babin e mamin Lenti lazdran
Valltarja shtathedhur Melina që do gjyshen shumë
Kur iku dje Vanesa te qyteti me pulëbardha deti
U tund e shkund e tëra në lot si dallgët mbi lum

Dioni si burrë mban qëndrim serioz
Lentin e ka vëlla të dashur mik e shok
Me te ndanë edhe një grimcë cokollade
Në bebëza sysh nuk do t’ia shoh asnjë pikë lot

Kur vjen Lioni trup rrumbullak
Me flokë të gjata lëshuar mbi supe
Merr një cumpare i bie me dorë
E puth në faqe ika i thotë në mëngjes në shkollë

Mos ua vrani ëndrrat fëmijëve
Edhe kur qajnë për ndonjë lodër
Ata kanë ëndrra kur bien në gjumë
Sa lulet e gjethet që mbulojnë një kodër


STINËS

I kanë rënë thinjat
Si gjethet
Në duar të plasaritura
Kanë mbetur puplat
Zogjtë
Janë strehuar foleve
Me det
Sa rëndë qenka nata pa cicërimë !

Nata është ngrirë
Mbi qepalla të syve
Lodhur janë
Të gjitha ëndrrat !


KUR TAKOHEN

Ëndrrat
Erërat frengjive
Kullave
Do të ulen zotrat
Galuc mbi fjalë?

Stinët
U mërdhinë udhëve
U përflakën
Qenka zgjuar dita sot
Midis erërave !


Freitag, 3. November 2017

Sinan Kërpaçi: Cikël poetik

QËNDIS ME FILIGRAN

Dëshirat e përbashkëta
i kemi përmbushur me zjarr,
e kemi pjekur shoshoqin
në pika takimi
dhe s`jemi përshëndetur
me dorë nga larg.

Të nesërmeve tona
ti nuk u habite fare
kur zjarrin e takimeve
e gjete në vargje,
dhe më ndeze mua
për ditët e reja:

qëndisje me filigran
në gjergjef të dashurisë.

ÇEL GJETHI

Një puthje dorë e dytë, e tretë nuk e kërkoj,
as si dhuratë të bujshme nga një e bukur s`e dua:
parapëlqej shumë të djersitem një jetë
e vetëm të ngjitem degëve të tua,
puthjen marramendëse ta veshësh me fletë
si në stinën kur çel gjethi, o Femër.


Pyllin ta mbaj zgjuar me atë jetë-pemë
pa e reshtur shushurimën që krijon një e puthur.
Do kërcej hop-hop me akrobaci degë më degë
si majmunët që pashë te parku në Pekin
për puthjen me krahë, dorë e parë, vetë i dytë:
në hotel “Gongsjao” ne e ngritëm lart
si degë më degë dhe kat më kat.

Ta sjell puthjen mbresëlënëse, të gjallë
si krijesë me shushurimë shumë të vjetër
nga i largëti, i skajshmi, i pandari – kontinenti tjetër,
o Kokrra e Majës me një puthje majë,
o Femër në pesë kontinente me jetë
pa e numëruar dhe një të ngrirë.




NGA RRUGË QORRE

Vlerësimi i bregut për bukurinë – vlerësimi ynë
nuk është më pak se: “E mrekullueshme!”
e thënë njëzëri
për lozonjaren nazemadhe që kërceu
dhe u zhyt në Jon që nga shkëmbi.


Nuk gjej fjalë të them si e çan tani dallgën,
nuk di çfarë vlerësimi t`i jap
për mënyrën si noton:
largohet e largohet nga bregu dhe unë
e pas e fluturuara prej shkëmbit lë vetëm shkumë
dhe statuja në breg.

Si të dal nga një qorre t`i zë udhën në det?!
Kjo nuk është bukuri e shekullit njëzetenjë,
nuk është as e shekullit njëzet,
por jashtë kohe!
Si të shndërrohem nga statujë bregu në njeri
dhe t`i shfaqem bukurisë nga një rrugë qorre?!


DETI NA BËN VEND

Më qëndro afër, dua të mbahem fort
për detit jonian të Borshit dhe për ty,
duke lënë bregzallin pa “ti dhe unë” të shkretë,
duke u dhënë valëve çfarë kemi ne të dy.


Të ndodhë jo larg nga një tendë,
tendë-çergë,
ku merr gjumi arratinë dhe s`e di psenë.

Dita borshjane do ikë e bukur, o grua yll,
nata, po e Borshit, më e bukur do vijë,
me çlodhjen e pritur të kurmeve në shtrat.

Në s`i shtruam valët joniane si çarçafët
e bashkëshortorit që i nder ti në tela
harroje e dashur se bëjmë rehat pa këto vela.




KREHËRI I DIELLIT

Sot dielli në Malin e Gjerë nuk më lindi
si tridhjetepesë vjet më parë,
s`e kish në dorë një krehër
për balluken time dhe të asaj.


E pa një krehër për kaçurela
pse del në majë ky diell e kërkon vlera?!
Pse nuk fshihet gjakftohtë në re
të ruajë imazhin e asaj që pa dje –
ballukeve tona.
Vërtet nuk di të krehë më ai,
vërtet me rreze harroi të krehë?!

Nuk e mbaj mend si të puthja dje
pa mend e dashur, s`e mbaj.
Dimër qe, vjeshtë qe apo si tani behar?!
Vetëm se kur gjuante në Mal të Gjerë
nga flokët gjer në thua të kthente në ar.




HURMA NË BREG

E mbolli në tokë dhe në kujtimet e mia,
e rriti, e bëri tri bojë sa unë
nëna po me dorën e vet,
dhe sa u bë pemë për kokrra
“e braktisi”: deshi djemtë.

Në udhëtimet me det kokrrat e hurmës
më duken si far i ndezur në breg,
në udhëtimet me ajër më ndizen si yje
me një çelës nga nëna ime.

Më shfaqen të pjekura kokrrat e saj
herë si yje dhe herë si far
te tavolina ku shkruaj vjersha,
që i ka ngulur fort të katër këmbët
tek e rritura e nënës.




DO RRINË NË DET

Sot jam në bregun që më mungoi dje
me dëshirën të boshatisem disi
nga emrat e njerëzve
dhe të mbushem me emrat e peshqve.


Nuk më kërkojnë gjë, lahen në ujë,
dalin të padjallëzuar në sipërfaqe
dhe vështrojnë gojëhapur nga unë.

Te shezlongu e jetës mua di e pret
përhumbur në ca emra që e kanë lodhur
me një lodhje pesëdhjetë vjet.

Eja, e dashur, bëj si bëj unë, janë peshq
e nuk na ngjiten pas, do rrinë në det.
Eja, o e velave t`u mësojmë emrat.

Emrat e bukur, emrat e peshqve,
të harrojmë të lodhshmit, kallpët,
stresantët e njerëzve
në kohët jashtë kohe me justifikimin “moderne”.

Nuk vijnë nga fshati, nuk zbresin një qafë...
Eja, e dashur t`i takojmë bashkë,
eja, e dashur t`u mësojmë emrat
që i mbajnë në det prej shekujsh.

OKSIGJEN I RRALLUAR

Jam “Te Selvia”
në katin e trembëdhjetë
pa mundësi për më lart,
me të vetmen dëshirë:
të hidhem
dhe ta pres Mungesën
në Parajsë.


Mos të rri më vetëm
i vrarë përditë
nga dashuria
në lartësi
me oksigjen të rrallua.


MUGUÇALI

Muguçali nuk e ka një burim që t`i japë ujë,
përroi im e merr ujin që i duhet nga rrëketë,
rrëketë që i lëshohen me rrëmbim
nga Buzat e Kërpaçe
dhe ikën drejt Çullunarit me bujë.


Hajduti i Buzave, hergjeleu pa fre
e përplas dallgën deri te shtëpia ime
duke marrë me vete edhe gardhin e nënës.
Përroi im, zhurmëmadhi im
u vjedh buzave rrëketë dhe më shkon te këmbët!

Në Muguçal e putha poshtë qiririt të hënës
atë që desha ahere djalë:
ha e ha ai pritat e babait tim,
ik e ik ai për Çullunar,
binte në katarakte, ngrihej e përsëri po tutje.
Ajo hidh e unë prit ato puthje
përmbi valë të hergjeleut, përmbi valë.

Dienstag, 10. Oktober 2017

Dhjetë poezi nga Jahe Fida

Jahe Fida

N’troje shqipe, shqip lind dielli!

N’troje shqipe, shqip lind dielli
shqip ndriçon dhe në të rënë
shqip na mbullon edhe  qielli
shqip ndriçon dhe e bukura hënë!

Shqip qanë,shqip qesh dhe toka
shqip lotohet, shqip gëzohet
shqip këng’tari këng’s ia thoka
n’tokat shqipe shqip jetohet!

Shqip përsh’ndesin t’bukurat kreshpa
shqip rrjedh uji në shtrat të tij
shqip  lul’zojnë dhe zonjat bjeshka
shqip blegëron edhe bagëti!

Shqip ia thot fyellit çobani
shqip mbillet dhe fara n’arë
shqip krismën pushka bani
kur lind djal, sinjal shqiptar!!

Shqip respekt për mikun n’votër
plumbin n’ballë shqip mbi armikun
n’tokat shqipe, shqiptart zotër
turi vrarur nuk e pret mikun!

N’troje shqipe, shqip është folur
Shqip do flitet sa t’ketë jetë
shqip dhe retë lotët falur
Një flamur shqipja do ketë!



Për dy drinat…!

Ulur diku në breg të lumit
aty ku gurgullima me nota luan
ku notat e hedhura i ngjajn pentagramit
ca melodi brilante me këmbuan!

Më erdh një notë nga Drini i zi
këndohej fuqishëm trimëria dibrane
oh çu mahnita, s’doja gjë të pëpti
Të dëgjoja mrekullit e asaj ane!

Më vinte dhe një zë nga Drini i Bardhë
ku takoheshin të dy isha ulur shtruar
këngë nga Kosova, aty më kanë ardhë
mes lotësh këngët kam dëgjuar!

Dëgjoja këngët dhe meditoja
më ngacmoj një ide mbase e kot
emrat e degëve të Drinit do t’ ndroja
s’e di pse më duken, nuk u shkojnë sot!

Qelibar Drini i Zi nuri i ndritë
dhe pse një nënë  të zie emetoj
në atë  lum janë të gjitha historitë
krenaritë e zonave ku Drini kaloj!

As Drini i bardhë, nuk rrjedh si dikur
në fillesat e rrjedhës së tij
skuqur vjen Drini, sikur dhe flamur
me gjakun dëshmorësh uji është ngji!

Bashkohen të dy në Kuksin e vjetër
aty takohen vitalet krahina
mbi basen liqeni duken të fjetur
por jooo, dy drinat nuk flejnë mbi dafina!

Dëgjoja muzikën nga drinat  kënduar
këndohej pë luftrat me krajla e mbret
por dhe për sërbet keqas turpëruar
për trimat që mbrojtën vendin e vet!

Dëgjoja këngët mes lotësh mendoja
një emër, për drinat, një emër ti ri
një emër ma të mirin për ta doja
për dy drinat me t’madhe histori!

Kukës, më 28.09.2017



Mahnitëse!

Mahnitëse  më erdhe sonte
më the mos them asnjë fjalë
se zemra më ndjente , më donte
për ty kish qenë dashuri e parë

Më lerë të të dua në heshtje
dhe loti në faqe të rrodhi
të dridhej trupi, buza qeshte
djersa mbi shtatin hynor brodhi!

Nuk fola vërtet asnjë fjalë
heshta, siç m’a kërkove Ti
në hështjen tënde ndjesia e rrall
kish fjetur e ëmbla, e bukura dashuri!

Mos fol asnjë fjalë të lutem
ëmbëlsisht mbështetu tek unë
e di viganë do të të dukem
por para dashurisë i vogël shumë!

Mos folë asnjë fjalë, s’ka nevojë
buzët flakëruese do tët’ puth
zjarrin përvëlues ta shikoj
e lumtur je si askush!



Më lerë!

Më lerë të shijoj këtë mëngjes,
freskinë e ajrit të vendit tim,
Të shijoj kosherën e mbushur,
zogjt e kthyer në strehëzën nënë,
të nisë ditën me këngët e shpirtit,
t’i shetis ditës më diellin e ngrohtë,
dhe ditës të shijoj dhe sekondin e fundit!

Më lerë të pres dhe natën si ditën
I mbushur plotë ngrohtësi në shpirt,
ëndrres së natës të mos ia kem frikën,
të qesh, të qesh e vetëm të qesh
nën hënën e plot shtojzovalle
Të  vallëzoj bashkë me yjet qiellor
të gëzoj unë dhe ti të më ndjesh!

Më lerë dhe ndonjë pikë loti
të rrëshqas lehtas nëpër faqe!
Ti mos e helmo të shtrenjtën zemrër!
lotë gëzimi që s’i kisha ndjerë që moti.
i prisja me padurim të më vinin,
të shpërthenin, e të më mbushnin
të më rinonin e të fluturoja si qëmoti!

Më lerë, kështu, mos ma prish gëzimin
të shijoj ditën dhe jetën në vazhdim
mos ma prish gëzimin, ma shto bletën
kosheren ta shoh mbushur plotë
mjalta të shtohet, shijen t’i shijoj
më lerë të jetoj mes gëzimësh
më lerë të lutem, vetëm kaq kërkoj!



Ah vetmi…!

Ah,vetmi kusht të shpiku,
kush të bëri hileqare
si s’iu dridh aspak qerpiku
sjell trishtime me kamare!

Eh vetmi, mos mua afro
të kam thënë nuk të dua
shko vetminë, atë tako
s’të bëj shoqe, s’je për mua!

Dhe në më merr inat
ta them troç, këtë pres
tët’braktis nuk bëj mëkat
jo vetmisë i kam dhënë besë!

As njëherë nuk e tradhëtoj
me atë jam bashkudhëtare
ndryshe jetën nuk e shijoj
me shoqërinë dal fitimtare!

Ik vetmi, mos më lakmo
kot e ke, s’të qas dot
ik gjej shoqen, me të shko
me të ço jetë e mot!



Kur më the fjalën magjike!

Kur më the fjalën magjike
Nuk e di si kam duruar
I dhe fund asaj dreq frike
për një çast mbeta hutuar!

Kisha frik’ mos isha n’ëndërr
kur zjarrmisht puthjet dhuruam
kur tronditjet  shtuar n’zemër
bërë me krahë e fluturuam!

Jo s’i hapnim nji ato sy
e nuk thamë tjetër fjalë  
kish qenë çasti mrekulli
Për at çast sa shumë mallë!

Kisha frik’ mos isha n’ëndërr
kisha frik’ të hapja sytë
m’dukej vetja sikur dhëndër
s’do harroj, joo, atë ditë!



Dua...!

Më besoni!
Do desha ta kisha gjithë botën mike
dhe fjala armiqësi të mos ekzistonte
e pa mundur, kjo është tezë utopike
kush ma dëgjonë do më qortonte!

Le të ketë armiq, por unë nuk i dua
dua të këm vëtëm kundërshtarë
Pa kundërshtarë s’dua me jetua’
rrezikoj të bie në gjumë, të mbetëm i tharrë!

Dua shoqëri të kemë sa më shumë
ama shoqeri që vërtet të ketë vlerë
se shoku i keq të prish më shumë punë
se një armikë në gjendje të mjerë!

Dua…!
Por nuk e di nëse ia kam arrirë
dhe nëse si duhet do veproj
nëse gaboj, është me pahirë
gabim le të jetë, e korrigjoj!

Vetëm në faj të mos shëndrohet
se për fajtor ka vetëm ndëshkim
vështirë të gjejë kohë të korrigjohet
por përsëri dhe prej tij , del mësim!



Sevdanë më lëshove, m’zuri dashunija!

Po ç’të bëra unë, more gjetsh belanë
S’po më ndahesh dot, më l’shove sevdanë
rehat dua t’rri, nuk dua tët’ ngacmëj
Fort po m’troket zemra, nuk di si t’ia bëj!

Fort mirë ti e di, nuk të pyet sevdaja
në të zuri fort, të ka gjetë belaja
dhe në don të ikësh, ajo s’të lëshon
sëmundje e bukur, sevdanë kush se don’!

Po ç’të bëra unë, pse mua më gjete
isha fshehur fort, mbyllur n’shtatë sepete
tani që më gjete dhe zemrën trazove
mjal do tët fal për sevdanë që m’lëshove!

Dhe ti mirë e dinë s’e çfarë unë dua
naze mos më bëj, afro buztë e tua
zemrat kanë me u kall, në sy shkëndija
sevdanë më lëshove, m’zuri dashunija!



Livadhi nuk është për ty!

Livadhi bukur hijeshuar
gjelbëruar bari, lulja çel
qylym t’bukur toka shtruar
t’mbledh nektar dhe bleta del!

Blegërinë dhe qëngji i vogël
lozonjar në kët’ lëndinë
dhe fëmija lunë me gogël
falë natyra bukurinë!

I sheh ti, o truri im
donë të hidhesh në livadh
brenda meje ndjen trishtim
më l’sho, m’thua , s’dua gardh!

Hesht , ta ktheva, mos me t’ndi
po t’dëgjuan, mua m’kanë tallë
livadhi nuk është për ty
hesht të lutem, mos m’bëj tellall!

Po të lash t’marrësh livadhet
apo arrat t’marrësh mbarë
me mua bota do të tallet
me t’drejt thonë: qenka tru tharr!



Ç’pati ëndrra...! 

Ç’pati ëndrra që m’trazoj
dhe pranë meje Ty të solli
një pikë loti t’më pikoj
deng kujtimet m’i mbështolli!

Ç’pati kjo ëndërr e marrë
që na ngjalli kohën e vjetër
a s’e dinë se bënë zarrar
Kur Ti je në zemër tjetër!

Ç’pati ëndrra budallaqe
që kujtimet më trazoj
prap të putha gushë e faqe
dhe Ty lot n’faqe t’pikoj!

Ëndrrën, ne të dy, e shamë
na trazoj, na ndezi flakë
porsi ëndrra shpejt u ndamë
zemrat tona pikun gjak!

Na trazoj kohën e vjetër
ato kohë që u përvëluam
veç një dhamë, jo puthje tjetër
puthjet e tjera s’e shoqëruan!

Ç’pati ëndrra zullumqare
që në grackë mua më çoj
sikur të kisha ashiqare
iku ëndrra, më tradhëtoj!

Këpucë me numër të vogël blini!

Viron Kona
Nga Viron Kona

Këpucë me numër të vogël blini!

Njeriu, dihet ka shumë halle,
dalin befas e radhë s`mbajnë, 
rreth e rreth si një gjeratore,
na e sjellin mendjen vërdallë.

Duam, s`duam  janë tonat,
na takon neve t`i zgjidhim,
si drurin q`e gërryen mola,
na marrin ngadalë shpirtin.

Por në jetë ka edhe përvoja,
nuk do të ishte keq t`i dini,
kur t`ju zërë një hall i madh, 
këpucë me numër t`vogël blini.

Atëherë mendjen s` do ta keni,
te halli që po ju merr shpirtin,
po te këpuca me numër t`vogël, 
që ju vret e ju cingëris gishtin. 



Eureka!1). 

-Ti the se në një dhomë jetoni dhjetë  vetë,
dhe pranë keni kasollen me dhenë e  dhi.
Që t`ju shpëtojë nga ky hall që ju ka zënë,
një zgjidhje praktike po ju këshillojë  tani:

Merri dhëntë e dhitë që i ke në kasollen pranë, 
futi në dhomën me burra, gra, pleq dhe fëmijë,
pas një jave, kur t`takohemi e t`flasim përsëri,
do t`shihni se hallin do t`jua zgjidhë me magji.

Fshatari bëri siç  e këshilloi  kryetari,
n`dhomë me familjen futi dhënë e dhi,
njerëz  e kafshë bashkë u ngatërruan,
si në komunitetin primitiv, jet` lemeri`.

Pamja e dhomës dot nuk përshkruhej,
bagëtitë  blegërinin, fëmijët sytë me lot,
gratë, burrat,pleqtë s`dinin ku të flinin, 
çdo përpjekje për zgjidhje, ishte e kot!

Ditët zvarriteshin sikur të ishin vite,
pritja s`durohej, eh sa t`vijë kryetari,
ai kishte çelësin e zgjidhjes  magjike,
që ata të gjorë  do t`i nxirrte nga halli.

Ditën e caktuar kryetari u duk mes tyre,
dhe sa i takoi:“Eureka!”thirri me krenari:
sakrificës suaj t`madhe sot i erdhi fundi, 
tashmë të keqen po jua kthej n`kënaqësi:

Hiqni nga dhoma juaj dhentë e dhitë, 
i çoni n`kasollen ku lirshëm blegërinin,
tani lëvizni, gjallërohuni, merrni frymë,
ku ishit, ku jeni, e ndjeni ndryshimin?

Kur familjarët mbetën t`vetëm në dhomë,
nisën të përqafoheshin me gaz e lumturi, 
shpëtuam! - i thoshin me qejf njëri-tjetrit, 
jetë të vërtetë e moderne,do t`bëjmë tani!

Lajmi i rrallë kaloj gojë më gojë, mor dhenë,
u komentua gjatë zgjidhja që dha kryetari,
t`mos e harrojmë, o njerëz zgjedhjet q`vijnë,
e gjetëm kryetarin që na nxjerrë nga halli.


1).“Eureka”(evrika) ka kuptimin “E gjeta!” një britmë e Arkimedit(pas zbulimit të parimit  të dendësisë dhe të pluskimit, i njohur edhe si “Parimi i Arkimedit”. Sipas gojëdhënës ai e zbuloi atë kur po lahej në vaskë dhe doli jashtë duke bërtitur “Eureka”. Arkimedi(287 p.e.s-212 p.e.s) shkencëtar dhe matematikan i madh i lashtësisë.

Freitag, 22. September 2017

Zija Çela: MERMERI QË PIKON

“Në vjeshtën e vitit 1979, në përbërje të një delegacioni të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, për herë të parë Zija Çela do të shkelte në Kosovë. Ky udhëtim i tij do të kurorëzohet me tregimin “Mermeri që pikon”, i cili edhe sot të habit për guximin e autorit. Tregimi do të botohet së pari në faqet e gazetës “Drita”, më 29 mars të vitit 1981, në vigjilje të demonstratave të studentëve në Prishtinë, të cilat do ta ndryshojnë rrjedhën e historisë në Kosovë dhe ndër shqiptarë. Ngasësi i frymëzimit të tregimit do të ngjizet nga vizita e autorit në Shpellën e Gadimës, rreth njëzet kilometra në jug të Prishtinës. Ata që e kanë vizituar shpellën, e dinë se njëra nga kthinat më të bukura është ajo që mban emrin Romeo dhe Xhulieta: stalaktiti dhe stalagmiti, duke u afruar ndër shekuj në drejtim të njëri-tjetrit, ndodhen në prag, buzë përqafimit të tyre të përjetshëm... Kaq bukur dhe kaq qartë, refleksi i bashkimit nuk është artikuluar në asnjë vepër krijuese si kësaj here. Ishte intuita gjeniale e Zija Çelës, që e kishte kapur në eterin kosovar këtë ëndërr të magjishme ndër mote. E pra refleksi i brendshëm i shkrimtarit, siç do dëshmohet gjatë tërë krijimtarisë së tij letrare, do të ishte më i fuqishëm se refleksi i rrezikut, fort i prekshëm në kohën kur u shkrua tregimi. Për fat të keq, autorit iu refuzua ribotimi si tekst integral në librat pasues deri në vitin ‘90.”

Akademik Ali ALIU
(Nga libri “Shkrimtar i majave letrare”, kushtuar krijimtarisë së Z. Çelës)

I
Ishim në katin e pestë të “Grand-Hotelit” në Prishtinë dhe Branko Brankoviç tregonte një anekdotë. Ç’është e vërteta, ai tregonte me nuanca. Por ne e kishim të vështirë t’ia merrnim vesh gjuhën dhe, më tepër se anekdotat, na e ndillte gazin e qeshura e tij. Brankoja qeshte me zë të lartë dhe në një mënyrë, gati-gati, alarmuese. Më dukej sikur ai kishte ardhur në dhomën tonë kastile për të na lehtësuar lodhjen e udhëtimit dhe për të na sjellë humor. Pak nga pak, duke u larguar nga atmosfera e anekdotave, atij sikur iu shua diçka përbrenda dhe i ra në fytyrë një hije e lehtë mërzie. Ndoshta ishte hija e qortimit që nuk vonoi të na e bënte:
- Ah, millij, millij, po ç’bëhet kështu! Veni në Gjakovë, Pejë e Prizren dhe nuk lini asnjë adresë në portinerinë e hotelit. Kam pyetur dje, kam pyetur sot, pyeti edhe Darinka me telefon, kurse në portineri asnjë fjalë për ne. Keq, shumë keq, Hatxhi! - m’u drejtua mua, duke i shtuar padashje emrit tim një “t”. Befas, më erdhi për të qeshur duke menduar se kushedi sa qesharak do të tingëllonte emri im po të ishte mbiemër dhe Brankoja t’i shtonte atë prapashtesën karakteristike sllave: Haxhiviç apo Haxhiviq. Por ende e kishte në fytyrë hijen e mërzisë, prandaj u përmbajta. “E kur do të xhironi, tani?” “Nesër”, thashë. “Mirë, shumë mirë! - i ndryshoi toni. - Gjer nesër kemi darkën përpara. Nuk do të zbresim në restorant?”
Nuk kishte shumë që ishim kthyer nga Gjakova, ku kishim filmuar Çarshinë e Madhe dhe me shoqëruesin tonë, një redaktor të emisioneve kulturore të RTV të Prishtinës, e kishim lënë që darkën ta hanim nga ora nëntë. Prandaj, kur trokiti dera, menduam mos i kishte dalë ndonjë e papritur dhe po ngjitej lart të na njoftonte. Por nuk ishte Halimi. Kishte ardhur për vizitë Branko Brankoviç. Tani ora po i afrohej nëntës dhe ne mund të zbrisnim, sapo Iliri të ndërronte këmishën. “Si nusja, - i thashë Brankos për Ilirin, - gati jam, por s’jam gati.” Ai më rrahu supet dhe u ngrit i pari, si për të na nxitur.
Me Brankon ishim njohur gjatë një darke në “Bozhur”. Në darkë e kishin ftuar si njeri të njohur në fushën e etnografisë e të folklorit. Ai kishte ardhur me të shoqen, Darën, një grua si nja tridhjetë e dy-tre vjeçe, shtatlartë dhe elegante. Darën na e paraqiti me këto fjalë: “Moja zhena, moja zhizn i moja umrje!” (“Gruaja ime, jeta ime dhe vdekja ime”). Gruaja i tundi gishtin tregues me kërcënim dhe piu dy gllënjka verë nga gota e të shoqit. Më pas, ajo e përsëriti dhe unë e kuptova se, në të vërtetë, Dara e bënte këtë gjest sa herë i pëlqente veçmas diçka dhe donte ta shpërblente tjetrin me njëfarë përkëdheljeje. “Ah, drugarica, drugarica!”, psherëtiu Brankoja duke u kthyer nga e shoqja. “Ah, drugari, drugari!”, psherëtiu duke u kthyer miqësisht nga ne. Pastaj, me frikën se nuk do ta kuptoja me atë serbokroatishten time të çalë, e ftoi shoqëruesin të ndërmjetësonte: “Ndoshta nuk jeni në një mendje me mua, por mbi të gjitha veprat e Shekspirit unë vë Romeo e Zhuljetën. Nëse Hamleti, në vend të Ofelisë do të kishte njohur Zhuljetën, ju siguroj se nuk do ta dashuronte, pikërisht sepse tek ajo do të gjente atë që i mungonte atij, forcën e karakterit. Ja, përse sot nuk është aq në modë Hamleti. Kurse Romeo e Zhuljeta është një mesazh tronditës për të gjitha kohërat. Unë them se Shekspiri këtë vepër e ka shkruar për të gjithë ata njerëz që s’do të bashkohen kurrë dhe për dëshirat që kurrë nuk bëhen realitet. Dhe njerëz që ndahen e dëshira që digjen gjithmonë do të ketë.” Ai u ndal, i hodhi një sy së shoqes si për ta adresuar bisedën dhe pastaj, duke dashur ta zbuste disi efektin, m’u kthye mua: “Do ta shihni, druzhe Hatxhi dhe do të bindeni vetë!”
Vështrova njëherë nga Halimi mos më jepte ndonjë sqarim të mëtejshëm, pasi nuk e kuptova se cilin Romeo e Zhuljeta do të kisha rast të shihja. Me sa dija, Teatri Krahinor i Prishtinës nuk e kishte vënë në skenë atë dramë gjer atëherë. Po Halimi po kujdesej t’i mbushte gotën Ilirit, kështu që vështrimi im ndeshi në atë të Darës. Ajo buzëqeshi në një mënyrë të tillë, sikur të donte të shfajësonte edhe të shoqin, edhe veten, edhe mua. Kishte diçka të sinqertë dhe prekëse në atë buzëqeshje. Ndoshta këtë e theksonte kaltërimi i zbardhëlluar i syve që, sapo i picëronte në qoshet, dukej sikur ia stërpiknin fytyrën me dritë.
“Bravo, bravo! - i tha Brankos. - Më bie t’ju mbaj mëri, por e pranoj se keni folur shumë bukur!” Dhe piu përsëri një gllënjkë nga gota e të shoqit.
Mua nuk e di përse m’u kujtua Ivan Petroviçi i Çehovit dhe ai qëndrimi i tij prej babaxhani me shprehjen: “Vdis, Denis, më mirë nuk ke për të shkruar.” Dara bëri një brom me ne. Edhe Brankoja cakërroi gotën dhe, dalëngadalë, tërhoqi vëmendjen e tavolinës me anekdotat për Hasen e Husen. Bashkëshortët u treguan gjer në fund të sjellshëm dhe, gjer në fund, në marrëdhëniet e tyre sikur shprehej një gjendje e veçantë.

II
E kështu, Brankoja më rrahu supet dhe u ngrit i pari, si për të na nxitur që të zbrisnim në restorant. Në hollin e “Grandit” kishte njerëz. Poltronat e veshura me lëkurë të zezë dhe, në përgjithësi, mermeri i errët me krisa e damarë të bardhë krijonin një hije salloni. Diku poshtë nesh, si prej një bodrumi të thellë vinte një rropamë e mbytur. Brankoja se pse u sëkëlldis dhe m’u krijua përshtypja sikur do të më pyeste nëse ka në Tiranë klube nate. Por tha vetëm kaq: “Zakonisht, në Europë klubet e natës i bëjnë nëpër bodrume, si për të fshehur një anormalitet. Po të ishte për mua, unë do t’i shpallja anormalë ata që i frekuentojnë. Njerëzit kanë plot halle me të cilat duhet të merren.” Ai bëri përpara gjithë energji, sikur atë çast po shkonte të zihej me dikë pikërisht për klubet e natës. Por befas hapi krahët dhe qëndroi. “Ja, paska ardhur Halimi”, na tha. Halimi ishte ulur në një poltronë të qoshes. Çuditërisht, edhe pse nuk kishim ngrënë darkë, kruante dhëmbët me një fije shkrepëseje. Ai nuk e pinte duhanin, po mbante një kuti shkrepëseje vetëm për dhëmbët. Ishte njeri disi i heshtur dhe, qejfi i tij, të tregohej sa më i përpiktë.
- As topi s’e luan, të parët e kanë përcaktuar me kohë: traduttore - traditore (përkthyesi është tradhtar), - u ankua Brankoja duke përdorur shprehjen e njohur. - U zhduke tri ditë me miqtë dhe asnjë adresë për mua. Ah, druzhe Halim! - psherëtiu. - Me lejen tuaj, - qeshi pastaj duke iu drejtuar gjithnjë Halimit, - ju shoqërues i parë dhe unë shoqërues i dytë. Këtej, ju lutem! - bëri me shenjë nga restoranti.
Nëpër shkallë më hodhi krahun dhe zbritëm bashkë. Vinte i gjatë dhe dilte si nja një pëllëmbë sipër meje. Më duhej të mbaja kokën lart, por edhe ai e mbante disi të varur dhe kështu shiheshim sy më sy kur bisedonim. Brankoja kishte sy depërtues dhe, si çdo ballkanas, i shoqëronte fjalët me gjeste. Kur po pinim aperitivin, m’u duk se bëri një pushim me veten. I ra në fytyrë po ajo hije mërzie që ia kisha vërejtur në dhomë dhe, në atë pushim, sikur mundohej të justifikonte diçka të pathënë midis nesh. Ndoshta i rëndoi heshtja dhe tha:
- Miqtë duhet ta falin Darinkën. Jeni të lutur nga ana e saj ta falni. Me gjithë dëshirën e madhe, mungon sonte në tavolinën tonë.
Natyrisht, nuk kishte ndonjë detyrim për darkën, po gjersa kishte pasur dëshirë dhe s’kishte ardhur, duhej të kishte diçka. “Ndodhi ashtu...”, tha Brankoja. Pa dashje, ktheva kokën nga vështronte ai dhe u habita kur pashë Darinkën në një tavolinë më afër sporteleve. Ishte me një burrë që nuk ma kishte zënë syri më parë në “Grand”. Ajo ishte veshur me fustan të lëshuar, ngjyrë të mbyllët e disi ceremonial. Mbase e priste ardhjen tonë, sepse na përshëndeti nga tryeza e vet duke u ngritur pakëz dhe duke tundur kokën lehtë.
Mbaroi stadiumi në Mitrovicë?, pyeti Brankoja. Në të mbaruar është, tha Halimi. E ndjeu se tjetri kishte pyetur për të ndërruar atmosferë, prandaj shtoi një hollësi: Përndryshe, do të jetë gati kah tetori. Po marrim edhe nga një lloza, propozoi Brankoja. Unë do të marr Shveps, por nuk di çfarë kishit me dashtë ju, tha Halimi. Shveps, tha Iliri. Ndërsa unë porosita raki të vogël si Brankoja. Por do ta pi shpejt, thashë, sepse Halimi... Nuk ka kuptim të vonohesh gjithnjë, Halim. E ndjeu ku desha të dilja dhe uli sytë disi i turpëruar.
Ditën që do të shkonim në Ferizaj, Halimi na zbuloi një të “fshehtë”. “Kafet do t’i pimë nga unë, na ftoi në mëngjes, mbrëmë u shtuam me djalë. E dinim se vetë ishte beqar dhe pandehëm mos ishte bërë dajë nga e motra apo xhaxha nga i vëllai. Po motrat e vëllezërit i kishte gjithashtu të pamartuar dhe më të rinj nga vetja. Lindi nana, tha duke u skuqur gjer te veshët. Ishim pesë dhe tash u bamë gjashtë vllazën e motra. Kështu deshi baba... Mbase kishte të drejtë të skuqej disi, sepse duke gjykuar nga pamja e Halimit, kushedi ç’moshë kishte e ëma. Apo s’do të bajnë edhe kolegët hajgare me mua, qeshi, lene, lene ma!.. I premtuam se do t’ia ruanim “të fshehtën”, por për sekrete të tilla nuk mund të gjesh kasafortë. Sapo hipëm në makinë, shoferi që kishte pritur përjashta, e ngau: I thuaj mixhës Sabri se sidoqoftë me Fetah Asllanin nuk barabitet, baba im ka nantë, shyqyr!
- Nuk ke pse ngutesh, - më tha duke ngritur kokën. - Në shtëpi s’ka mbetur asgjë mangut për mua. Jo, he burrë, s’kisha pasë dert me hangër darkën gjithmonë kështu, - shtoi pastaj.
Brankoja kuptoi se po stepeshim për diçka. U përpoq të dilte nga pushimi me veten dhe u ankua:
- Halim, nuk po arrijmë t’i kënaqim mysafirët sonte. Pa u bëmë edhe ceremonialë dhe harruam se aperitivi më i mirë është humori... E pra, në fshatin tim, - nisi të tregonte, - kemi patur dikur një leshko, njëfarë Dragan Gjuroviç. I hollë dhe i gjatë Dragani, thoshin se mendtë ia kishte pirë sorra. Sesi ra fjala njëherë dhe dikush pyeti në katund përse janë aq të gjatë malazezët. Atëherë u ngrit leshkoja e foli: “Gjyshi Marko thoshte gjithnjë se malazezët bëhen stërhallë duke zgjatur qafën pas maleve për të parë nëse është pjekur gruri në Fushë të Kosovës!” Ah-haaa, - ia dha një të qeshure me breshëri. - Ah, mor Gjuroviç...
- Branko! - e ndërpreva.
- Ç’është? - pyeti ai.
Ishte Dara, gjithnjë në tavolinën e kreut me atë burrin e panjohur që, s’di përse, nxirrte vazhdimisht shaminë sikur po mbytej nga djersët. Ajo na pëshëndeti si herën e parë dhe Brankoja, pasi piu një gllënjkë raki, e kujtoi të shoqen me fjalët: Gruaja ime, jeta ime dhe vdekja ime. Pastaj na u drejtua neve: - Ju lutem, e di mirë se njeriu nuk mund të kënaqet vetëm nga fjalët. Dëshironi të hamë tani?
Ai thirri kamerierin dhe porositëm darkën. Në sallën e madhe të restorantit hynin e dilnin njerëz. Ndoshta në atë orë kishin arritur nga aeroporti edhe udhëtarët e avionit të fundit. Pak më tej, në dy-tri tavolina të bashkuara, ishin ulur rresht e rresht një grup kinezësh. Kisha parë kinezë edhe nëpër rrugë. Ata ishin të veshur të gjithë njëlloj, siç visheshin dikur në Tiranë dhe ndoshta pikërisht nga uniformiteti i veshjes dhe kujtimi i distancave, të bëhej sikur në fytyrat e tyre vërehej njëfarë përvujtnie dhe lodhjeje, çka të kujtonte legjionet e vjetra që rrugëtonin nga një perandori në tjetrën. Biseda kishte ngecur në: “Ah, mor Gjuroviç...” Por a do të rifillonte Brankoja aty?
- Ku do të xhironi nesër? - pyeti ai.
- Në Gadimë, - thashë.
- Domethënë doli fjala ime, do të shihni pikërisht Romeon e Zhuljetën, - ia bëri Brankoja disi i gjallëruar. - I shihni me vëmendje, ju lutem. Keni për t’u bindur se, në llojin e vet, ato përbëjnë një kryevepër po aq tronditëse sa ajo e Shekspirit. O Zot, çfarë mrekullie! Është për t’u çuditur, por dëshmojnë pikërisht idenë e tragjedisë së Shekspirit: në këtë botë do të ketë gjithmonë ëndrra që nuk realizohen kurrë dhe njerëz që kurrë nuk mund të bashkohen.
Ai kishte folur me një ton disi pikëllues dhe heshti gjatë. Heshtëm edhe ne. Po ai dreq Halimi, përse nuk më jepte ndonjë hollësi më tepër, sepse ashtu si në “Bozhur”, nuk po kuptoja ç’ishin Romeo e Zhuljeta e Kosovës dhe ç’lidhje kishin me dashnorët e famshëm veronezë. Ç’është e vërteta, fjalët e Brankos të ngjallnin një ndjenjë dhembjeje e trishtimi për ndarjet e përjetshme dhe për shpirtrat që duhen, por që s’bëhen dot bashkë. Natyrisht, nuk kishte ndonjë lidhje, por mua më shkonte në mend se Halimin ndoshta e trishtonte afrimi i ndarjes dhe m’u kujtuan fjalët që na kishte thënë në Prizren: “Kur do të ktheheni në Tiranë, edhe sa ditë jemi bashkë? Më duket se më shumë e ndezëm, sesa e shuam mallin!”
Por në ato çaste, si ta kisha zemrën të zbrazët, më përpiu mendimi nëse mund të filmohej Romeo e Zhuljeta. Veçse më parë duhet të dija se ç’fshihej prapa këtyre emrave, ndonjë çift real apo... Në qoftë se nesër shkojmë në Gadimë, iu drejtova më në fund Brankos, a mundet që... Haxhi, më thirri Halimi. Ç’është?, ia ktheva si Brankoja pak më parë. Ishte përsëri Darinka. Atë burrin e panjohur e shihja në profil. Pjesa e dukshme e fytyrës, me lustrën e djersës, shkëlqente si parafinë. Ai njeri sikur kishte përbrenda një zjarr tretës apo diçka tjetër, munduese e sfilitëse. Ndoshta e shqetësonin edhe ndërprerjet e Darës. Por kësaj here ajo na përshëndeti fare shkurt dhe ne e përshëndetëm gjithashtu nga vendi.
Po në qoftë se nesër shkojmë në Gadimë, rifillova, a mundet që Romeon dhe Zhuljetën... Brankoja buzëqeshi dhe unë s’e mbarova pyetjen, sepse ai e kishte kuptuar dëshirën time. Natyrisht, më ndërpreu, është e mundshme, madje ju mund t’i filmoni edhe këtu. Si këtu?, u habita. Në këtë sallë, tha ai. Heshti. Një grimë herë shihja si thithte cigaren dhe si i afrohej shpuza te buzët.
- Ju me siguri nuk e dini se cili është ai njeri, - tha për burrin që shoqëronte Darën. - As ti Halim. Ai ka ardhur nga Ljubjana. Ka leuçemi dhe kurohet pa shpresë në një klinikë të specializuar. Dikur janë njohur me Darën në Akademinë e Arteve të Bukura. Atëherë ishin studentë dhe ai e dashuronte. Mirëpo Dara s’ndiente gjë dhe kështu... Kështu, ai ka ardhur nga Ljubjana me dëshirën që të hanë një darkë bashkë. Ishte diçka që nuk mund të mos i plotësohej. Nëse gënjen për atë leuçeminë, kjo është puna e tij. Sidoqoftë, për Darinkën ai ka qenë gjithnjë një i vdekur... Ah, u turbullova edhe unë këto ditë!
Tregimi i tij ra si saç në bisedë dhe duhej të prisje të ftohej ca, pa të mund të thoje diçka. Dhe ndoshta asgjë nuk do të shtohej më, sepse bashkëstudentët e dikurshëm ishin ngritur dhe, në ndarje, po këmbenin fjalët e fundit më këmbë.
- Branko Brankoviç, ju lutem, - u dëgjua papritur zëri i Halimit, - meqë na lejuat këtë intimitet, desha të përfitoja sa pa ardhur Dara. Unë e kuptoj çfarë keni parasysh kur thoni se për Darinkën ai njeri ka qenë gjithnjë një i vdekur. Po përse atëherë, në krye të bisedës, i morët për Romeo e Zhuljeta?
Brankoja më shkeli syrin dhe u mundua ta fshihte këtë gjest, duke shuar cigaren. Pastaj buzëqeshi në një mënyrë të hidhur, por edhe të përmbajtur, siç buzëqeshin zakonisht njerëzit me logjikë të fortë:
- Unë nuk i mora si Romeo e Zhuljeta, unë i deklarova të tillë. Dhe ata janë të tillë, pikërisht sepse nuk u bashkuan. Por më duket se sonte e tepruam me këtë motiv. Apo jo, Hatxhi?
- Për pasojat njeriu mund të flasë gjithnjë gjatë, - thashë.
- Po, po, - qeshi ai, - e saktë.
Nuk patëm më kohë, sepse Dara ia mbërrini. Ishte ende e prekur, vuante që tjetri po vdiste aq i ri dhe, kur u ul në tryezën tonë, iu rrëmbushën sytë.
- Ti je e mrekullueshme, Dara, - i tha Brankoja. - Unë kurrë s’kam për t’u penduar që të adhuroj. Ja, ne pikërisht për gratë po bisedonim, - u mundua t’ia ndryshonte atmosferën. - Dhe unë po thoja se ne, burrat, edhe kur detyrohemi të trillojmë diçka, të shumtën skuqemi nga turpi, kurse gratë, ngaqë janë tepër të dhembshura, dalëngadalë fillojnë t’i besojnë asaj që lozin vetë... E ti po qan me të vërtetë?! - e ngacmoi.
- Pusho, ari! Nuk ke arsye të dyshosh, - e përkëdheli e shoqja duke i hedhur dorën në qafë.
Asaj iu drodhën qepallat dhe, për shkak të syve të veçantë, unë pata përshtypjen sikur lotët do t’i shndërroheshin në qumësht. Sa e pastër dukej Dara.
- Ah, Hatxhi, - psherëtiu, - ah, miq të dashur, po darka po mbaron, kurse sonte unë nuk kam pirë ende një gotë verë me ju!
Brankoja i mbushi gotën dhe dora që mbante shishen se pse i dridhej ngadalë.

III

Na u desh të bënim ca xhirime të tjera dhe në Gadimë vajtëm pas dy ditësh. Ndërsa i vija kasetën aparatit, më dukej sikur e kisha ende në sy Fushën e Kosovës, të rrafshtë e të pamatshme, me heshtjen e shurdhët të hapësirave të mëdha. Binte dielli dhe vende-vende, ku toka ishte lëvruar, dherat e zeza e të shkrifta ndrisnin butë, si flokë të lëshuar gruaje. Një aty e një këtu shquheshin shtëpitë e kosovarëve, me gardhet e pojatat, me mullarët e barit si qeleshe në oborr. Tutje, në udhën që vazhdonte, kisha parë shtëpi të tjera të larta, me çatitë e pjerrëta dhe kapakët e grilave në pjesën e jashtme të dritareve. Në fasada u kishte rënë suvaja, por edhe qoshet anësore pak nga pak ishin kruar duke zbuluar skeletin metalik. Nuk kisha parë asnjëherë shtëpi prej hekuri. Ndoshta tamam artificialiteti i tyre të krijonte përshtypjen se ishin pa themele dhe ishin montuar drejt e mbi tabanin e fushës.
- Ta dish, - më tha Halimi, - në qoftë se do të na mbash gjithë ditën këtu, unë do të të mbaj gjithë natën në hotel... E ç’mirë, moj nanë! - iu kthye një plake që ishte afruar te makina dhe diç po e pyeste. - Hiç mirë nuk jam. I sheh këta të dy? - më veçoi mua dhe Ilirin. - Kanë ardhur dje nga Tirana dhe duan të ikin nesër.
- Jo, hé dadë, kaq shpejt! - ia bëri plaka e hutuar.
Të nesërmen vërtet do të kalonim kufirin. Kishin shkuar pesëmbëdhjetë ditë, por me sa duket koha që shkon gjithnjë është e shkurtër, dhe koha që pret gjithnjë është e gjatë. Që në mëngjes Halimi na ishte ankuar për dhimbje koke, pastaj kishte shtuar menjëherë: “Po edhe ju, dashkeni të punoni ditën e fundit, kurse ne një Zot e di kur shihemi më!”
- Bash prej Tirane je? - më pyeti plaka. Pastaj ia lëshoi litarin lopës që po kulloste aty, si për ta ndier veten më të shpenguar.
- Ai shoku tjetër është nga Tirana, - thashë.
- E ti, bash nga Shkodra?
- Jo, jam nga Durrësi, po Shkodra nuk është larg.
- E pra, e kam një nip në Shkodër, Qerim Lushën. A e njeh?
- Nuk e njoh. Durrësi nuk është dhe aq afër.
- Po edhe në Durrës e kam një fis, - më zuri ngushtë plaka. - Uh, lum dada për të, Avdi Peja i thonë. Ti e njeh, po?
- Kam ikur shpejt nga Durrësi, moj dadë, - e qetësova. - Kam vite në Tiranë.
- Hëhëë, në Tiranë, - u gëlltit gjatë plaka. - E pra, i kam do rrajë fisi edhe në Tiranë. Baba jem, rahmet pastë, shkonte dikur si me kenë tue shkue në Ulqin. A po i njeh ndopak djemtë e Sadri Demollit?
Rashë në hall dhe s’gjeta tjetër shfajësim:
- Do t’i gjej në Tiranë dhe do t’ua çoj selamin tënd, - thashë.
Ajo pati një rrëqethje. I shtriu krahët sikur deshi të më prekte dhe foli prej aty:
- U thuej se ke ndeshë dadën Sutë, Sutën e Ramadan Pejës, u thuej. Ata mandej ma çojnë selamin edhe në Shkodër, edhe në Durrës. - Ajo u gëlltit prapë e lëvizi pak. Dhe mua prapë m’u duk sikur do të vinte të më prekte. - Uh, lum dada për ty! - më zgjati duart. - Merre këtë, se nuk po më ndodhet gja tjetër. E ç’u ba, ku shkoi... - Ishte një gjysmë molle. Mishi lëngështor ishte shumë i freskët dhe dukej se molla sapo ishte ndarë me dorë.
Një fëmijë i vogël u rrëzua ndër këmbët e plakës. Ajo e ngriti dhe vështroi prapë rreth e rrotull, sikur kërkonte dikë. Por edhe mua po më thërrisnin. Halimi kishte gjetur mësuesen, që bënte punën e cicerones në shpellën e mermerit dhe Iliri kishte filluar të filmonte nga hyrja.
- Po ç’bën more, - iu shkreha, - mund të ketë gjëra më interesante në thellësi!
- Ç’thellësi! - ia bëri ai si i dëshiruar.
Kur hodha sytë në kubenë e shpellës, i dhashë të drejtë: diçka prej kristali rrëzëllues kishte shkruar tavanin. “Ti merru me detajet, - më tha Iliri. - Do të ishte mirë të vinim ndonjë projektor, po ku i dilet me kabllo. Thonë se shpella është një kilometër e gjatë.” Kalova përpara; rrugëza ishte e dystë dhe e shtruar, nga të dy anët kishte parmakë të ulët çimentoje. Mësuesja cicerone përpiqej të më shpjegonte diçka për stalaktitet e stalakmitet, ngulte këmbë se paraqisnin interes të madh ngaqë në trup të tyre kishte edhe degëzime të vogla horizontale. Kjo ishte e pashpjegueshme dhe shumë e rrallë. Fati i speleologëve, thashë. Ajo qeshi. Kurse unë e kam të vështirë t’i shoh me syrin e tyre, shtova. Po, pranoi ajo, ç’është e vërteta këtu arti e mund shkencën.
Kisha përsipër një damar në formë qemeri, mbushur me motive bimore e gjeometrike. Ngrita aparatin, por te guva ku fillonte damari, ndriçimi elektrik i shpellës mezi depërtonte dhe kuadri më vinte i mjegullt. Dalta e pandjeshme e kohës kishte gdhendur gjithfarë figurash. Herë më bëhej se shihja një tabaka përplot me grurë të qëruar, herë tjetër se pse më shfaqeshin farfuritës, si prej një xhepi të vogël galerie, ato shkëlqimet e ftohta e pikalore të xeherorëve.
- Përse nuk filmoni?
- Guva nuk ka dritë të mjaftueshme, - i thashë mësueses. - Pastaj, më duket sikur diçka të përafërt kam parë edhe gjetkë.
- Mos doni të thoni në Trepçe? - u mundua të bënte një lidhje.
- Në muzeun e kristaleve, - thashë.
- Pikërisht, - u kënaq ajo. - Është një konstatim që e kanë bërë edhe të tjerë. Të dyja llojet e kristaleve janë të bukura. Por ka që thonë se ato të Trepçes të zgjojnë idenë për t’u bërë i pasur, kurse nga kristalet e Gadimës, kushedi pse, të vjen të qash... Sidoqoftë, - tha me një afsh mallëngjimi, - kristalet e kësaj shpelle s’do t’i ndërroja me asgjë në botë, megjithëse e di mirë se ekonomia e mund artin... Ah, arti! - psherëtiu duke e shkurtuar fjalën. Dhe eci më tej, që të mos më pengonte.
“Haxhi, o Haxhi!”, më thërriste Iliri. Ai kishte mbetur prapa me Halimin e më thërriste sa herë shihte diçka, për të cilën besonte se më kishte shpëtuar. Akustika i binte zërat të përforcuar dhe, herë-herë, kapja dialogun e tyre. Hajt, pije se nuk të mbyt. Ama, një vrimë në ujë, lëpije pra, se t’u ngjit gjithë nëpër buzë... Brrr, ky qenka i pështirë për t’u pirë, pa le më ta lëpish. Brrr! Eh, i ke ojna këto, sot jemi bashkë e bën kështu, por nesër...
- Si ju duket? - më pyeti mësuesja.
- Halimi pi ilaç për dhimbje koke dhe bëjnë shaka, - thashë.
- Ju pyeta për atë këndin atje, - shenjoi ajo. - Nuk ju duket si sy? Përndryshe, është nga thesaret më të vyera të shpellës.
U afrova edhe më nga e majta. Prapa parmakut, një pellg i vogël uji ishte shumë i kaltër, sikur aty të ishte tretur gurkali. Dhe sipër, në mermerin që pikonte, ishte sajuar një sy i madh në formën e bajames, me halat e kristaleve në vend të qerpikëve dhe me bebëzën që dukej e errësuar për shkak të boshllëkut. Një sy balade, më vërshoi në mend. Ku ishte trupi i murosur i asaj gruaje, që kishte lënë përjashta vetëm syrin e djathtë?! Një sy dhe një pellg uji, si një pellg lotësh. Haxhi, o Haxhi! Të m’i çosh selam... Dikush po vinte. M’u duk sikur po vinte dada Sutë. Të m’i çosh selam... Cila ishte ajo grua?! Trupi në kalanë e Shkodrës dhe syri në mermerin e Kosovës, m’u përshkua një ndërlidhje e vetvetishme.
- Haxhi, Haxhi, more!
- Më plase, - iu shkreha Ilirit. - Çfarë dreqin ke që thërret?
- M’u mbarua filmi e po dal jashtë të marr një kasetë.
- Ani, - tha mësuesja, - e dija se do t’ju pëlqente.
- Kishit të drejtë pak më parë, - thashë.
- Po, po, - mërmëriti ajo, - këtu të zbutet shpirti dhe mua më vjen të qaj. Gjithçka unike ka pushtet të çuditshëm.
Halimi filloi të fshinte buzët prej lëngut ngjitës të ilaçit. Bënte fresk, krijoheshin korrente nga xhepat e shpellës. Xhepat ishin të zënë me argjilë, por me sa duket komunikonin nëpërmjet të çarave me katet, që ende nuk ishin eksploruar. Rreth e qark sikur ndihej një e fshehtë, që argjila ia kishte mbyllur gojën dhe nuk e linte të dëshmonte praninë e vet. U-e-uuu, gulçonte fshehtësia, u-e-uuu ngashërehej mistershëm. Të vinte të ktheje kokën majtas e djathtas dhe të hetoje nëse vërtet ishte ndonjë ngashërimë apo era ishte fryma e asaj bote, e cila nuk pajtohej me varrin dhe priste të ringjallej... Ja dhe Romeo, ja dhe Zhuljeta, dëgjova papritur. Nga dilte zëri, kush fliste?
- Romeo vjen pak më i gjatë nga Zhuljeta, - shtoi mësuesja. Ajo po fliste si për të gjallët dhe, kur u mënjanua të binte drita mirë, pashë një stalaktit që zbriste nga kubeja dhe një stalakmit që ngrihej nga trualli i shpellës. Ishin prej mermeri të lëmuar dhe të rrëshqitshëm.
U kthye Iliri e zuri të filmonte sfondin rreth e qark. Mësuesja i rrinte në krah. Skenën për vete, aktorët po ia lë atij, tha për mua duke qeshur.
Mbeta në heshtje një grimë herë. Pas asaj nate në “Grand”, e kisha pyetur Halimin dhe ai diç më kishte thënë për Romeon e Zhuljetën e Kosovës. Më kishte folur në një mënyrë të përgjithshme dhe me një ndjenjë mosdashjeje, sikur ta bezdiste ajo bisedë. Ai s’më kishte përmendur asnjë nga ato hollësi, që tani i kisha para syve dhe që më duhej t’i filmoja. “E ç’pret, - më tha, - vër kameran nëse ke për të filmuar, ose t’i vëmë kapak kësaj pune e të shkojmë. S’e kemi ndër mend ta kalojmë tërë ditën këtu.” “Ditën do ta zgjas për vete, që të shkurtoj natën për ty”, e ngacmova. “Mirë, mirë”, ia bëri ai, “por sonte s’ka gjumë, ta dish.” Nxori shishen e ilaçit, u bë gati të pinte dhe një gllënjkë, por vetëm e nuhati. Pastaj thartoi fytyrën i mërzitur:
- Ma bëre borxh ditën e fundit!
- Po ç’bëhesh qesharak, - thashë, - do të kemi kohë të rrimë herë tjetër.
- Ee, - murmëroi, - kushedi a takohemi ndonjë ditë!
- Po, - tha mësuesja, - pas një milion e pesëqind mijë vjetësh. - Ishte një keqkuptim që lidhej me profesionin e saj. E ndjemë menjëherë, sepse ajo u kthye nga ne dhe vazhdoi: - Zakonisht, të gjithë sa vijnë, i mundon kureshtja nëse Romeo e Zhuljeta do të takohen një ditë. Sipas përcaktimit të shkencëtarëve, ata do të bashkohen pas një milion e pesëqind mijë vjetësh. - Dhe shenjoi me dorë distancën mes tyre.
Stalaktiti e stalakmiti ishin nisur në drejtim të njëri-tjetrit dhe dukej sikur dëshira për t’u bashkuar ishte shpirti i fshehtë që i kishte rritur. Por s’ishin bashkuar dot. Mundimi i gjatë nëpër kohë sikur i kishte stepur. S’di pse ndieja një përhedhje nëpër muskujt e krahëve; më turbullonte dëshira t’i zija me dorë dhe hapësirën e ngushtë, si një kufi në boshllëk që i ndante, ta kaloja duke tërhequr herë... “Ah, është e pamundur të dalësh kundër Shekspirit të madh, - m’u bë se më foli dikush. - Në këtë botë gjithmonë do të ketë ëndrra që nuk realizohen dhe të dashur që s’bëhen dot bashkë.” M’u kujtua Branko Brankoviçi me atë fytyrën e madhe dhe atë shprehjen herë të pikëlluar e herë prej babaxhani. Të ketë dyshuar se Dara e ka dashur ndonjëherë atë bashkëstudentin? Ta ketë fashitur dhembjen tani?, pyesja veten. Natyrisht, do ta kishte të tmerrshme po ta humbiste njeriun e tij. Kushedi ç’do të ndiente dhe kushedi ç’do të bënte, sikur Darinkën... Më erdhi mirë që miqtë ishin bashkë dhe ndiheshin të lumtur.
Sidoqoftë, të thëna në një çast të papërshtatshëm, fjalët e mësueses sikur na rënduan. Sa kohë filmuam, Halimi foli a s’foli dy fjalë. Zinte me gishtërinj pjesën e ballit midis vetullave dhe, herë-herë, më hidhte një vështrim me atë ndjenjën e mërzisë e të mosdashjes për të qëndruar më gjatë.
Ai e ruajti këtë mërzi edhe duke vozitur makinën. Vetëm kur bëmë një copë rrugë, na tha:
- Të kishim pirë ujë, makar, kam etje.
M’u kujtua copa e mollës që kisha në xhep dhe e nxora.
- Dale, kam edhe unë një copë mollë, - tha Iliri. - Ma dha një plakë, kur dola të ndërroja kasetën. Edhe tha, ma ço selamin...
- Ah, po edhe mua dada Sutë ma dha, - thashë i habitur.
Për disa çaste, copat e mollës m’u lëkundën në shuplakë të dorës. Kushedi përse, ndjeva atë përhedhjen e mëparshme në muskujt e krahëve. Si pa dashur, zura t’i afroja dhe, kur copat u bashkuan në grusht, pashë Halimin që po më ndiqte në pasqyrë.
- Hë?- ia bëri.
- Është një mollë, - thashë, - dy pjesët përputhen. Hm, djali i mixhës Sabri, po u shihkemi prapë, - qesha.
Nuk bëzajti. Pak nga pak, shpatullat iu ngjeshën në sedilje, sikur po rehatohej për të fjetur. Pastaj i fryu nga dritarja asaj fijes së shkrepëses që mbante mes dhëmbëve dhe, si liroi gojën, ia mori me zë:
Mos e qaj me lot, moj dado
Mos e qaj me lot,
Se shkon moti i parë, moj dado
Porsi dita sot...
Makina shkonte me shpejtësi dhe, përpara, fusha dukej sikur vinte me vrull drejt nesh.