Sonntag, 17. Dezember 2017

Haxhi Muhaxheri: PESHA E KRYQIT

Haxhi Muhaxheri

PESHA E KRYQIT

Sonte
Dua të jem
Sy më sy me veten
Vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm
I gjori unë
Oh...

Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera

Sonte
Në derën time
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
Që të shkruhet
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih

Sonte
Oh... sonte e dashur
Veç një dëshirë e kam
Të vijsh lehtë - lehtë... ashtu porsi era
E të futesh thellë shpirtit tim
Zjarrin të ma shuash
E plagët n'shpirt të mi shërosh

Sonte o miq
Më leni të qetë
Se dua të pi
Te pi
Të pi
E të pi
Dhe vetës
Luftë ti shpall bre

Oh sonte
Në sy më ështe fikur drita
Qiellit flut'ron kaherë një shpend i zi
Dhe këngët keq më janë dehur
Medet...

Ku je Kosova ime
Dielli im
Ku je bre
Ku je o nënë
Bri zemre - loti po e shpon një gurë

Sonte
Eu sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim
O Zot...
Po e rëndë qënka pesha e kryqit

15 dhjetor 2017 / 02:22 h

Freitag, 15. Dezember 2017

Meraku i Kolit

Alketa Maksuti Beqari
Alketa Maksuti Beqari

Bisedat tona ishin të gjata, me orë të tëra. Flisnim për gjithëçka dhe ishim aq të lirë me njëri - tjetrin. Më mungon, më mungon shumë. Ishte pa komplekse. Temat vinin aq natyrshëm dhe përfundonin me energji të lartë kur preknim tek tema më e nxehtë e njerëzimit, seksi. Ajo po merrej me një studim mbi këtë temë, madje shkruante edhe tregime të tilla. Isha lexuesi i parë i saj. Mbaja qëndrim kritik shpesh dhe në një fjalë të vetme. Më dëgjonte me vëmendje. Ishim shok prej vitesh, e lexonim mendimin e njëri - tjetrit, unë guxoja gjithmonë duke ja shprehur dëshirën të bëja dashuri - seks me të, sikur një natë të vetme të ndodhte. Gjithmonë merrja të njëjtën përgjigje: Të kam shok. Shokë jemi prapë ia ktheja, më lejo vetëm një natë, e adhuroj trupin tënd, të prek lëkurën, të ndjej aromën tënde, por përgjigjia ishte jo. Kjo më tundonte më shumë, dreqi ta hajë ego mashkulli, doja të dija si bënte dashuri, imagjinata më pushtonte më tepër kur i lexoja shkrimet. Herë pas here e pyesja: Si personazhi i tregimit je ti? Qeshte më të madhe. Unë jam si personazhi, sepse e krijoj unë më shtonte nga pas. E dija që dinte të bënte bukur dashuri, trupi i saj ishte, o Zot si ishte. Sa mirë që keni vendosur të shkruani për të dhe krijimet e saj. Kur më telefonuat ngurrova, sepse na mbyt gjykimi. Por tashmë kanë kaluar vite dhe njerëzit duhet ta dinë që Ajo grua ishte reale, prekte ku na dhembte të dyja gjinive. Dua të kujtoj, dua të kujtoj se që ditët e para të njohjes tonë, madje që në takimin e parë unë e doja ta kisha në krah, nën trupin tim. Kur i hynim letërsisë, jetës sociale, profesionit harroheshim, ikte koha, fluturonte, ama kur ndizej biseda për seksin unë humbisja fare. Ishte ekstremiste, sa nganjëherë nuk e kuptoja si arrinte të ishte aq rezistente ndaj meje. Edhe kur mund të kishte lëkundshmëri, nxitje neuronesh dhe ne të shkonim në kulminacionin që unë doja, ajo dinte të kalonte situatën. E admiroja. Një natë ndodhi. Kërkoj foto nudo ti realizoja. Por i vendosa kusht që do jemi të dy nudo dhe do rrimë bashkë. Nuk do të prek pa dëshirën tënde u shpreha, nëse do më ndjesh, atëhere nuk di çfarë mund të ndodhë. Ramë dakort. Zgjodha qytetin më të dashur për të Parisin. Preva biletat. Dhe u nisëm. Të kërkoj ndjesë se as për kafe nuk iu pyeta, më rrëmbeu ngjarja.

U ngrit. Më përgatiti kafen.
Sa sheqer doni? - më pyeti.
Dy kuba.
Po përgatit edhe për vete. Dua t' ju shoqëroj.
Vendosi pas pak kafet në tabaka dhe i serviri.
Biskotat janë franceze. Pak ditë kam që u ktheva nga Parisi. Sa herë jam atje shëtis mbi Senë dhe anash saj. Si harroj dy ditët që ne qëndruam aty. Gjithë vitet tona përmblidhen në ato dy ditë. Kur arritëm në Paris më kërkoj së pari ta çoja tek Mulin Ruzhë. Atje ku Arti shkrihej me botën e erosit, atje ku kurtizanet ishin edhe kërcimtare, atje ku qartësisht u tregua se njerzimi vuan nga sëmundja më e madhe, hipokrizia, e aty maska çirrej. Shpërrthimi vullkanik ishte tek ai vend. Adhurimi i sensualitetit zaptonte meshkujt, i linte pa frymë. Sytë e lumtur e të shëndritshëm të saj i kam të paharruara, i shoh edhe tani. Shëtitëm gjatë. Në mbrëmje shkuam në hotel. Hyri e para në dush. Doli e mbështjellë nga peshqiri pas pak minutash. Mora aparatin dhe nisa setin e fotove. U shtri mbi krevat. Nisa shkrepjet e njëpasnjëshme. Ajo ishte fushë magnetike.
Ndali tregimin dhe piu ngadalë kafen. Mori një biskotë e ngjeu tek kafja.
Buzëqesha.
Veprova kështu për ta ndjerë më pranë qënien e saj. I pëlqente kafen ta shoqëronte me biskota. I hante shumë ëmbëlsirat. Ndoshta prandaj ishte aq e ëmbël. Por kthehemi tek ajo natë. Sa të çlodhesh pak i thashë po bëj edhe unë dush. Pas minutash në dush dola. I mbështjellë nga peshqiri normalisht. Ajo kishte fjetur. Gjumi i kishte dhënë nur bukurie. U shtriva pranë saj. Nga lodhja më zuri gjumi shpejt. Mëngjesi na gjeti ngjitur trupash si gjumi është. Ajo hapi sytë dhe tek më pa që e vështroja fytyrën e saj të dlirë më tha mirëmëngjes dhe qeshi lehtas. Nuk të preka si ta premtova i thashë, qeshi edhe më. U ngrita dhe nisa ta fotografoja. Nudot dolën të bukura, njëra është në kopertinë libri që ajo botoi si u kthyem nga Parisi.
Heshti. Ngadalë ngriti filxhanin e kafes dhe e gjerbi.
Prita.

Donnerstag, 14. Dezember 2017

Zija Çela: HARROVE KEPUCET, NJERI!

Kur u ndamë, më porositi të merrja taksi. Për tri arsye, tha: e para, ora vajti vonë; e dyta, bie shi dhe, e treta, shtëpinë e ke larg. Unë kisha një arsye të vetme që atij nuk ia thashë: pasi kisha paguar kamerierin, nuk më kishte mbetur asnjë kacidhe në xhep.
Ndihesha aq mirë, sa po mendoja se kujt t’ia dija për nder qetësinë e ëmbël që kishte zbritur tek unë: Florian Stafës që u ul rastësisht në tavolinën time, apo Kurtali Begut që hante darkë me të shoqen në krahun tjetër të sallës. Restoranti ishte plot dhe, sapo hyri, Floriani vërejti se isha vetëm.
- Ke dëgjuar gjë, - pyeti, - i ka vdekur babai Kurtali Begut?
- Ku di unë, - thashë.
- Maskarai, - murmuriti ndërkohë që buzëqeshte, duke ia kthyer përshëndetjen një çifti në tavolinat matanë.
- Kush është maskara? - pyeta.
- Ja, ai zotëria i rëndë që sapo përshëndeta. Koqe kandari është!
- Po pse e ndyn gojën dhe kush është zotëria që përshendete? - pyeta prapë.
- Kurtali Begu pra, - tha ai, duke u thartuar në fytyrë. - Pardje më tha se e kishte të atin duke vdekur dhe se i duheshin disa të holla borxh. Kush ia diskutoi! Sa të donte, pesëqind, një mijë euro. Mirëpo ka tri net radhazi që e gjej këtu bashkë me të shoqen. Monika e tij, ajo pipiruqja me frizurë luaneshe, nuk na paska zemër të shohë dikë që heq shpirt. Por edhe në shtëpi s’kanë tjetër njeri dhe e lënë plakun që të vdesë vetëm. Ja, - turfulloi duke u zgjeruar me bërryla në tryezë, - këtë nuk mund ta duroj.
- Çfarë nuk mund të durosh? - pyeta.
- Nuk mund të duroj që me paratë e mia, domethënë me paratë e mortit, të na kapardisen këtu me fileto peshku dhe verë Kianti. Dhe e di përse e bën këtë ai dudumi? Për t’ia shmangur, siç më tha mbrëmë, emocionet negative së shoqes. E marrtë lumi e marrtë, me gjithë atë shushkën e tij, madamë Monikën! - Në çast u kthye nga kamerieri dhe i tha të sillte Kianti edhe për ne. Mua do të më mbetej të paguaja ushqimin që kisha ngrënë. - Të tjerat i kam unë, - tha.
Pasi pimë verën, porosita edhe unë një Reisling për llogarinë time.
- E paguaj unë edhe këtë shishe, - tha ai, - ti meriton më tepër. Sa shumë ke bërë ti për babain tënd!
- Vërtet? - pyeta.
- Shumë, - përsëriti ai, - shumë ke bërë. Dhe ke mbetur shembull i paharrueshëm.
- Po çfarë kam bërë? - m’u zgjua dëshira që ta dëgjoja nga goja e tij.
- Kush e diskuton, këtë e di e gjithë Tirana, - dëshmoi ai. - Yt atë vdiq pak ditë para asaj të diele, kur ishte caktuar dasma jote. Atëherë ti e shtyve dasmën dhe të vdekurin e veshe me rrobat e tua të dhëndërisë, me kostumin, me këmishën, me këpucët.
- Kostumin jo, - thashë, - kostumi iu ndodh. Vërtet, të mbajtur e kishte, por nuk ishte aq i rënë. Unë i dhashë këpucët e mia, i kisha bërë me porosi, një palë këpucë bezhë, me lëkurë boksi, me thurje e me tokëza në rripin e siprinave. Edhe sot e kësaj dite s’kam më rast të kem këpucë të atilla me shollë!
- Do t’i kesh, - më paralajmëroi ai. - Madje shumë shpejt.
- Ç’thua?! - u rrëqetha.
- Do t’i dhuroj unë, - sqaroi ai, - ti meriton më tepër. Rrobat e dhëndërisë... këpucët! Nuk është e lehtë, ke lënë nam me tët atë!
- Po ty kush ta ka thënë? - m’u nxit kërshëria më tej.
- Ben Tufina ose Genc Mema, - tha ai. - Por ndoshta as njëri, as tjetri. E dinë këta të dy?
- E dinë, besoj.
- Duhet t’ua kesh thënë ti apo jo?
- E mësuan atëherë, kur më ftuan për konferencë në Shoqatën e Humanistëve të Rinj.
- Po Vera Shkalla nga e di? - pyeti ai.
- Vera është kunata e Vilma Bonatës, - thashë. - Unë punoj me Vilmën.
- Dhe asaj ia ka treguar Vilma? - ngulmoi.
- Jo, - thashë, - Vilma më ka njohur me Vera Shkallën dhe një mbrëmje, kur ra fjala për të vdekurit, asaj ia thashë unë.
- E po, Vilma duhet të ma ketë thënë, - u kujtua ai. Pastaj ndërroi mendje: - Apo mos ma ke treguar ti vetë?
- Edhe mundet, - thashë, - nëse më ke pyetur ndonjëherë. Kur njerëzit më pyesin, sado të dua, unë nuk kam si ta fsheh të vërtetën. Veçse dëshiroj që e vërteta të mos zmadhohet.
- Kostumin jo, këmishën jo, - i përshjashtoi ai. - Këpucët po, ë?
- Është e vërtetë, këpucët ia dhashë.
- Këtë ma ka thënë edhe Basri Alla, - pranoi ai. - E njeh Basriun, vëllain e Olsi Allës?
- E njoh, - thashë, - janë vëllezër binjakë. Binjakët më pyetën njëherë për tim atë, sepse diç u kishte përmendur kumbari i tyre, Sokol Kasmi. Pohova para binjakëve atë që i kisha pohuar Sokol Kasmit, me një fjalë, këpucët me thurje.
- Do t’i kesh, - më siguroi prapë.- Vetëm kam një lutje.
- Ç’lutje? - pyeta.
- Ta lëmë këtë bisedë tani, se nuk duroj dot më, dhe të pimë një Kianti tjetër.
- Paguaj unë, - më shkau goja.
Dhe kështu, përveç ushqimit, pagova edhe Kiantin e mbeta pa një kacidhe në xhep.
- Ç’maskara! - murmuriti Florian Stafa kur po ngriheshim.
U rrëqetha përsëri, sepse e kisha fare pranë dhe ai foli me sytë nga unë.
- Kush është maskara? - u befasova.
- Kurtali Begu, - tha ai. - Ia paska mbathur, trapi. Hajde merre vesh se në ç’lokal e ka çuar të shoqen për ndonjë akullore me kapuç. E njeh këtë njeri? - pyeti kamerierin për mua.
- E kush nuk e njeh robin e mirë, - ia priti kamerieri. Më hodhi një vështrim plot respekt dhe vazhdoi: - Në këtë botë janë të rrallë bijtë që bëjnë për baballarët atë, që ky njeri e bëri.
- Po ty si të paska rënë në vesh, - u pataks Florian Stafa, - ta ka thënë Ben Tufina, Genc Mema, Vera Shkalla apo Vilma Bonata? Ta kanë thënë vëllezërit Alla, Sokol Kasmi, Loro Çuni, Fredi Lika, Skifter... Apo e ke dëgjuar në Shoqatën e Humanistëve të Rinj?
- Jo, jo, - sikur u tremb nga ai regjistër kamerieri, - ma ka thënë vetë zotëria. Një mbrëmje, këtu në restorant. Dhe unë jam përlotur duke e dëgjuar, ishte me të vërtetë mallëngjyese.
- Po bisedonim për modelet e këpucëve, - sqarova Florianin, - u përmend modeli me thurje dhe...
- Këpucët do t’i kesh patjetër, - e përmbylli bisedën ai. Pagoi pjesën e tij dhe jashtë më porositi: - Bën mirë të marrësh një taksi. Për tri arsye. E para...
Pa shqiptuar mirë të tretën, unë isha nisur më këmbë për atë arsyen e vetme. Megjithatë, duke u ndier thuajse i lumtur, çalltisa pa përtesë. Binte një shi i pistë, si për të na kujtuar se balta që shkelim këtu poshtë, ngjitet edhe atje lart. Nuk kisha bërë as njëqind hapa, kur dikush më thirri në emër.
Ktheva kokën vrikthi. Retë kishin zbritur deri poshtë dhe unë pashë një njeri të zhytur në mjegull nga kërcinjtë e këmbëve deri në qafë.
- Përse stepesh, - pyeti, - nuk po më njeh?
- Po, - fola i llahtarisur, - më dukesh si im atë.
- Më njohe nga këpucët, - tha ai.
Mbante pikërisht këpucët e mia me thurje. Ngjyrën bezhë e kishin ende të freskët, sikur sapo kishin dalë nga kallëpi i këpucarit dhe tokëzat e nikeluara ruanin një shkëlqim të pacënuar në rripa.
- Më duket se xhepin e ke bosh, prandaj po ec më këmbë? - pyeti.
- Prandaj, - thashë, por gjithnjë i lemerisur nga pamja e tij prej të matanshmi.
- Kot trembesh, - u përpoq të më qetësonte. - Unë e di se fantazma e të atit pak fjalë i thotë Hamletit, por aq mjafton për t’u derdhur tërë ai gjak. Po të flisnin të vdekurit, ndoshta mbarë bota do të shembej, prandaj nuk është mirë që ata të flasin... Por ti mos u tremb, unë ende nuk jam tamam një i vdekur dhe nuk kam as ndonjë gjë të madhe për të të thënë. Ecim?
- Ecim, - thashë.
Dhe lëviza i pari, duke ngjeshur krahët pas ijeve, nga frika se mos e cikja me bërryla.
Edhe ai lëvizi, por kollitej herë pas here dhe nga krikëllimat që dëgjoheshin, e merrja me mend se gjithë trupi i shkundullohej.
- Po të përcjell deri te Rrapi i Trishit, - tha, - aty ku ndahen rrugët. Pastaj unë marr për në varreza, ti drejt shtëpisë. Ke bërë shumë për mua, mor bir!
Kafshova gjuhën. A thua shiu më kishte depërtuar në kocka, sepse më dridhej dhëmbi për dhëmb. Një copë udhë s’e hapa më gojën, edhe ai më shoqëronte në heshtje.
- Të ndaloj një taksi? - tha pastaj. - Paguan Florian Stafa. Unë për vete nuk lagem, por ti je bërë qull nga këmbët. Këpucët s’i paske gjë, - i pikasi të miat.
M’u duk se nxori trupin edhe pakëz nga mjegulla që e rrethonte dhe, duke e ngulur vështrimin në këpucët e mia prej igeliti, koka i mbeti e rënduar poshtë, si të mos i bindeshin plotësisht vertebrat e qafës. Sipër mbulesat e këpucëve më ishin plasaritur, duke krijuar hapësira për ujin.
- S’ka veçse katër a pesë muaj që i kam blerë, - fola si i zënë në faj.
- Kurse këto, - tha ai dhe ngriti njërën këmbë për të treguar shuallin e këpucës, - kanë pesë vjet e s’duan t’ia dinë. Dhe të mendosh se sa baltë ka atje ku jam unë, mor bir! Nuk presim pak nën strehë, është më mirë për ty, - propozoi im atë.
Më tërhoqi në trotuar nën një ballkon të katit të dytë, ku kishte ca rrangulla të stivosura, që i ndriçonte një llambë neoni. Megjithëse avujt, tymi dhe mjegulla që e rrethonin nuk iu ndanë, m’u duk se aty arrita ta shihja disi fytyrën e tij, por shenjat e veçanta kishin humbur: gropëzën e mjekrës dhe vranjat e rralla në faqe ia mbulonte një push i rimtë, i dendur dhe i rrasur; përmbi sytë me atë të bardhën e sedefit, i bënin hije ca qime të forta vetullash, të mprehta e të ngritura përpjetë si çufra bari të thatë; ndërsa krifa e flokëve, e ajrosur mirë prej rrallimit dhe shkëlqyese prej thinjave, i taftonte para e prapa, sepse i qe rritur shumë.
- Baba! - më vloi zëri në grykë.
- Mos u nxito, mor bir, - ma ktheu ai, - unë prandaj kam ardhur. Të lashë në një moshë, kur njeriut nuk i rritet më as trupi e as këmba. Kështu që, besoj, këpucët prapë do të të rrinë mirë.
Ai u përkul, koka iu krodh në mjegull, ndërsa poshtë u shfaq një dorë që doli nga avujt dhe e mbërtheu me gishtërinj njërën këpucë te thembra.
- Çfarë bën, baba?! - e ndalova gjithë siklet, por pa guxuar ta prekja.
- Asgjë, mor bir, veçse po t’i kthej, - tha ai.
- E nga e di ti se ato këpucë kanë qenë të miat? - pyeta.
M’u bë se dëgjova një psherëtimë. Nxori kokën nga mjegulla dhe m’u gjegj:
- E di, bile qysh ditën e parë në varreza. Edhe jeta e ruan inercinë e vet për pak kohë dhe atje, në varr, unë të dëgjova kur po mbaje fjalën e Lamtumirës. Sa u ngashëryen njerëzit me fjalët e tua: “Baba, për ty nuk më është dhimbsur as shpirti, jo më të më dhimbsen këpucët e martesës!” Por edhe kur u bëre me djalë, unë nga këpucët e mora vesh sihariqin. Duhet të ketë qenë hera e parë që e merrje në krahë kërthinin, se i the: “Ti s’mund ta kuptosh tani, more pëllumb, se çfarë jam unë për ty, por prindërit janë të shenjtë për fëmijën. Unë as këpucët e dhëndërisë nuk i kurseva për tim atë!” Pastaj ato këpucë u përmendën shumë herë, shumëkund dhe nga shumëkush. Ato prandaj kanë mbetur kaq të reja.
Fjalët e fundit i shoqëroi me lëvizjen e këmbëve. Pashë se këpucët i kishte hequr dhe se shputat e tij të zbathura lëshonin një verdhimë të fortë damarësh në çimenton e lagur.
- Po ç’ke me të tjerët, baba, njerëzia le t’i përmendë këpucët, ç’punë të prishet ty!
- Njerëzia?! - thuajse e rrokëzoi fjalën ai. Ishte i detyruar ta ngrinte zërin, sepse shiu binte me rrëshekë dhe në rrugë kishin vërshuar ujërat. - Njerëzia asnjë punë nuk më prish. Por ndoshta, ngaqë ishin taksur për dasmë, këto këpucë janë të magjepsura pas teje: ato nuk i binden asnjë zëri tjetër, veç zërit tënd. Merri, mor bir!
I shtyu me gishtërinjtë e zbathur, duke i afruar ndanë këmbëve të mia. I kisha aq pranë, sa më dukej sikur do të më kafshonin. Ç’i doja unë këpucët e të vdekurit, ku t’i çoja? Tani që hodhe lumin, vjen të më thuash të dhjefsha kalin, më erdhi t’i kujtoja. Por më kishte rrëmbyer lajmi i tij i fundit dhe fola ndryshe:
- Ç’është kjo magjepsje e kjo magji, unë nuk jam magjistar, baba. Mos je gabuar?
- Të vdekurit nuk gabojnë, mor bir, - tha ai. - Ata vetëm pendohen për gabimet që kanë bërë dhe, pas pendesës, kërkojnë prehje. Këto këpucë nuk po më lënë të prehem. Sapo nis të më zërë gjumi i përjetshëm, ti dikund i përmend, ato e njohin zërin tënd dhe më japin shtrëngime në këmbë. Këpucëve vazhdimisht u shkundet pluhuri e s’kalben asnjëherë, kurse mua vazhdimisht më del gjumi i dheut dhe nuk arrij të prehem... Boll pra, boll! Më lër të vdes, o bir, më lër të vdes!
Një furgon i zi e ndali vrullin ndanë trotuarit, duke na ndërprerë me gërvimën fishkëllyese të frenave. Pasi shoi fenerët, dikush uli xhamin e derës dhe m’u drejtua:
- Kam porosi nga zoti Florian që t’ju përcjell me makinë deri te Rrapi i Trishit. Ti je vetëm a me kënd?
- Jam me tim atë, - ia ktheva.
Por në të njëtën kohë që tjetri po qeshte në makinë (të paktën ashtu m’u duk), babain nuk e pashë më gjëkundi, sikur ta kishte përpirë toka. Kishin mbetur aty vetëm këpucët bezhë, fringo të reja, me thurje e me tokëza te rripat. Uji po hipte mbi trotuar dhe unë isha në hall se ç’të bëja me to. Nuk isha i sigurt nëse Floriani më kishte punuar ndonjë reng, nëpërmjet një njeriu të veshur tebdil, për të më thënë se edhe mua më përbuzte njëlloj si Kurtali Begun, apo kisha takuar me të vërtetë fantazmën e tim eti. Rrebeshi s’kishte të pushuar dhe ajo qetësia e mëparshme, që kishte zbritur tek unë, tashmë ishte tretur.
Pas pak, furgoni i zi ndaloi përsëri dhe kur unë po zbrisja, ai që rrinte në timon më foli:
- Harrove këpucët, or njeri. Mua nuk më bëjnë, po si zor t’i bëjnë dhe kujt tjetër... Do t’i marrësh apo t’i çoj prapë në varreza?
Kishim arritur atje ku rrugët ndahen.

Samstag, 9. Dezember 2017

Viron Kona dhe vëllimi “Thashë, të bëhem edhe unë poet!”

Ibrahim Hajdarmataj
Nga Ibrahim Hajdarmataj
Kryetar i OJF “Mësuesi”, Publicist, Tropojë

Dallgë poetike

(Duke lexuar vëllimin “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit Viron Kona).

       Këto ditë lexuesit dhe kritika u njohën me vëllimin poetik  “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë shqipe Viron Kona. Libri ka redaktor Zeqir Lushaj, recensentë Sadulla Zendeli-Daja dhe Kadri Tarelli, konsulent Dr. Bajram Mejdiaj dhe Sejdo Harka. Libri fillon me shënimin e autorit: “Ja kushtoj këtë vëllim me poezi Liljanës sime të shtrenjtë, që më ka qëndruar pranë për 40 vjet të jetës sonë bashkëshortore, duke ndarë me mua vështirësi dhe gëzime, por edhe duke më mbështetur me përkushtim të plotë në rrugën e krijimtarisë  letrare”. Pas leximit të këtij përkushtimi të sinqertë, që njëherazi na bënë të mendojmë për jetën e qëndrueshme bashkëshortore dhe shenjtërinë e saj, para syve të mi kush e di pse shfaqet edhe një pamje tjetër, një realitet negativ, që e gjejmë me bollëk në kohët e sotme dhe që na trondit: Si në ekranet e televizorit, më dalin përpara skena gjyqesh pa fund në Tiranë dhe në rrethe, gjyqe të ndarjes së çifteve burrë-grua, që për nga shumica dhe motivet e ndarjes, përbëjnë një shqetësim mbarëshoqëror si dhe prishje të atyre ekuilibrave të jetës bashkëshortore. Një çift, që kishte vetëm 4 muaj martesë, ndahet me vendim gjyqi, se nuk ju “puqën” karakteret?! Nuk ju “puqën” karakteret, apo martesat nuk janë të sinqerta që në zanafillë? Sepse, siç del, në mjaft raste martesat nuk kanë bazë dashurinë e sinqertë dhe mirëkuptimin, por teka dhe interesa meskine, marrëdhënie të kushtëzuara dhe që ndërvaren nga përfitimet e pasurisë apo për shkak të modaliteteve të shfrenuara. Sikurse, disa lidhje bashkëshortore, shkojnë në ndarje edhe për shkak të dhunës barbare të burrave patriarkalë ndaj grave të pambrojtura, që u mohohen të drejtat më elementare. Si pasojë vjen prishja, tronditja dhe shkatërrimi i familjes, lënia në mëshirën e fatit të jetës së fëmijëve, që përbëjnë në thelb edhe të ardhmen e kombit.

       Pikërisht, me anë të këtij vëllimi të shkëlqyer poetik, Viron Kona, me fjalën e mençur dhe artistike të shkrimtarit bashkëkohor, jep dhe shpërndan në hapësirën mbarëshqiptare ndër të tjera edhe mesazhin e shenjtërisë së jetës bashkëshortore, të marrëdhënieve të pastra dhe të shëndosha mes burrit dhe gruas. Më kujtohen vitet kur kam punuar mësues e drejtor shkolle në Malësinë e Gjakovës, veçanërisht në Gjimnazin  e Zogajve. Kur dilja nëpër fshatra dhe i këshilloja bashkëfshatarët e mi “Mos i poshtëroni vajzat e vogla duke u vënë emrat: Çbane (Ç`bëre që nuk linde djalë, por linde vajzë!);Pulë (qëndrim përçmues, që vajza të jetë e bindur, kokulur, e urtë dhe pa fjalë); Bubë (femra të jetë e vockël si insekt); Shkurtë (të jetë e fundit që lind femër, pas saj të lindin vetëm djem). Gjithashtu i këshilloja: Bashkëshorteve tuaja, u thërrisni me emër dhe jo:  “A ndjeve?” (domethënë “A më dëgjove?”),  “Ku je?” (pa i përmendur emrin); apo, i thërrisnin bashkëshortes me emrin e fshatit nga vinin nuse dhe asnjëherë në emrin e tyre: “Oj e Kolgecaj!”, “Oj e Zogajve?”,   “Oj e Lekbibajve!” Kështu ishte zakoni, kanuni në Malësi, flasë për vitin 1964.

      Në vazhdim të këtij artikulli dëshiroj të nënvizoj bukurinë erotike të poezisë “Mos më thuaj s`të thashë!” Vajza sheh nga Hëna,/e sheh, s`ia heq sytë,/pret me padurim,/t`i japë porositë. T`u bëfsha moj hënë,/ndalu dhe më prit,/dashurinë time,/bëje tufë me dritë! Pastaj, vajza e dashuruar bashkëbisedon me hënën për marrëdhënien e saj me djalin që dashuron. Me një gjuhë të bukur ndjenjash autori shprehë përfytyrimet e vajzës se si do t`i shkojë takimi me të dashurin e saj: Siç e sheh moj hënë,/po më digjet xhani,/do t`i shkojë vetë,/le të bëhet nami!/Në gji do ta marrë,/do ta puth me mall,/nuk dua t`ia di,/çdo të thonë n`mëhallë./Më tej e kupton,/ si do shkoj kjo punë,/atë që do nisim,/do ta çojmë në fund./Si drerë e sorkadhe,/do rrokemi, do qeshim,/s`do lëmë gjë pa bërë,/sa të vijë mëngjesi.

      Nuk e di pse më bëri krejt për vete poezia “Mos u dorëzo!”, e cila tingëllon si një thirrje optimiste: Mos u dorëzo!/Më përsëriste babai,/këshillën e vyer,/të jetës./ Kështu,/ gjyshi atij,/unë birit, bijës,/nipit dhe mbesës... Interesante janë poezitë që marrin në mbrojtje fëmijët dhe rrëfejnë aspekte nga jeta e tyre e pafajshme fëmijërore, ndërkohë që kujdesi dhe edukata e tyre duhet të rritet dhe të zhvillohet në forma sa më të zhdërvjellëta, duke shmangur gjithnjë rastet e  keqtrajtimit dhe të dhunës. Në këtë kuadër, ka bukuri dhe vlera poezia: “Në parkun  lodrave”, një poezi e thjeshtë por e natyrshme: Në parkun e lodrave, luajnë fëmijët,/hidhen, kërcejnë, zhurmojnë me gaz,/njëri i hipën kalit, tjetri makinës,/i treti imiton gjeneralin në paradë....Dhe pasi përshkruan llojshmërinë e lodrave, ku theksohen zgjedhjet dhe dëshirat që kanë fëmijët e që janë të shumta, autori përfundon me vargjet me kuptim mjaft domethënës: Sytë u ndritin, u zgjohen pasionet,/në startin e jetës hareshëm zhurmojnë, /botën e tyre, botën e së ardhmes/me imagjinatë e fantazi  e projektojnë. Po aq  interesante është poezia “Gjyshi kokëfortë”, ku rrëfehen me humor dhe satirë dobësitë e gjyshërve në rritjen e fëmijëve. Ata, ngaqë i duan shumë nipërit dhe mbesat e vogla, i falin për gjithçka dhe i përkëdhelin me tepri`, duke nënvleftësuar veprimet dhe sjelljet negative të tyre, që duhen kritikuar me takt dhe kujdes, që fëmija të mos i përsërit gabimet herë tjetër: Fqinji i një kati më poshtë,/Banushi që mbante bastun kur ecte,/gjyshin e Valbonës ndali në shkallë,/me kujdes e takt i bëri një vërejtje:/“Nuk e di, o fqinj ç` ndodh lart te ju,/por bam-bum, dëgjojmë kur vjen mbrëmja,/mos vallë ajo mbesa, çamarrokja  e vogël,/zhurmon duke luajtur me lodra?”/Gjyshi, që s`pranon asnjë vërejtje për mbesën,/e kapi inati dhe i a ktheu me qesëndi:/“Përpara se për mbesën time të bësh vërejtje,/shko te doktori i veshëve, vizitohu, or zotëri!” Ai mendon se për përgjigjen e rreptë që i dha fqinjit, në familje do t`i jepnin të drejtë, por, ata, nuk ishin në një mendje me të, sepse vërtetë vogëlushja i kishte bërë ca zhurma dhe i kishte shqetësuar fqinjët e një kati poshtë. Kur kritika ndaj gjyshit arriti kulmin, madje ai vihet në loja nga gjyshja: Mbase, o plak, t`i vërtet s`ke faj, /zhurmat mund të mos i kesh dëgjuar,/se, pambukun që vë në vesh  herë pas herë,/ duket që brenda veshëve e ke harruar./Gjyshi vuri gishtat tek të dy  veshët,/vërtet me pambuk i kishte të zënë,/e, ndërsa ata në shtëpi vunë buzët në gaz,/ai gjithë zemërim u mbyll në dhomë. Poezia është mbajtur në tone humori dhe dashamirësie, si të thuash “qesh e ngjesh”. Pas kritikave, gjyshi me sedër të lënduar mbyllet i zemëruar në dhomën e tij dhe mbron ende me kokëfortësi të dukshme mendimin e tij: Nga dhoma dëgjohej zëri i gjyshit kokëfortë,/që vente e vinte dhe thoshte i zemëruar:/“Sa herë që dikush, vërejtje për mbesën do t`më bëjë,/ unë veshët me pambuk do t`i kem të bllokuar!”

      Kanë origjinalitet, art dhe vlera të natyrshme edukative poezitë: “Pulëbardha”, “Zogjtë e pyllit me mua uji pinin”, “Përfitim nga mirësia”, “Për një fjalë e për një thumb”, “Ajri është plot nerv e gaz”, “Nuk e gjen në çdo udhëkryq”, “Ruaju nga qeni i tërbuar”, “Pendimi i vonë”, kjo e fundit tregon se njeriu duhet të sillet mirë dhe t`i dëgjoj e respektojë prindërit, pasi, kur vjen koha që ata nuk janë më, pendesa e vonuar nuk ka më asnjë vlerë: Sa do të doja që dy prindërve,/t`mos ua thyeja zemrën kurrë,/por ç`e do se koha s`kthehet,/pendimi s`më bënë më punë!

      Është mjaft e ngrohtë poezia “Baulja e nënës sime”. Nëna mbante atje sendet e saj më të çmuara, ato nuk ishin xhevahire, flori apo sende të arta, siç mund të mendohej, por, sende të vyera, që familjet shqiptare i kanë ruajtur e trashëguar si kujtime të shenjta nëpër vite, dekada dhe shekuj. Të tilla si flamuri, veshjet e lashta me qëndis-ma dhe filigran, vizatime kalash, vizatime me motive popullore floreale, unaza, piktura kalorësish dhe trimash fisnikë: Nëna u përkul në baule,/nxori prej andej një flamur  me shqiponjë,/Ky, tha, është flamuri  i dasmës sime,/kur nga Berati erdha nuse me kalë në Vlorë. Dhe në vazhdim: E shikon, o bir, këtë unazë të florinjtë?/ Është nga kohë të vjetra që s`mbahen mend,/nusen kur ta marrësh do t`ia vësh në gisht,/kurse ajo, nuses së birit tuaj të shtrenjtë. Poezia mbyllet me vargjet kuptimplote:Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori,/as argjend dhe kartëmonedha me vlera,/veç këto  vogëlima që më ngjallin dashuri,/trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja...

      Ngjall interes të veçantë poezia  “Vallja e ujqërve”, ku autori godet rreptë luftën e klaneve mafioze që likuidojnë dhunshëm njëri - tjetrin, për pasuri dhe pushtet, por edhe për t`u lartësuar padrejtësisht, duke shtypur më të dobëtit. Me një gjuhë të lakonike, poeti krijon vargjet: N`pikë të dimrit të uritur,/kur bora gjithçka mbulon,/ia nisin valles së njohur:/“Më i forti mbijeton!”./Rreth rrotullohen në vallen e egër,/skërmitin dhëmbët, ulërijnë,/ai që në valle përdhe rrëzohet,/qoftë i bekuar, ushqimi ynë! Njëri ra,/ “oh, ç`fatkeqësi”!/S`kemi ç`bëjmë, /c`est la vie!/ Vaktet vijnë njëri pas tjetrit,/me potere vallja vazhdon,/në këtë botë kafshësh të egra,/“Më i forti mbijeton”!

      Poezia që mbyll vëllimin titullohet “Një çift mështeknash të bardha”, të cilën autori ia kushton bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Liljanës me 55 pranvera të lumtura, një poezi kjo plot dashuri dhe ndjenjë: Sot në 55 - vjetorin e lindjes, /unë dhe e tërë familja t`urojmë, /qofsh e lumtur përgjithmonë,/u  bëfsh dhe 100 vjeçe Liljana jonë!/S`këmbyem xhevahire për dashurinë,/veç zemrat si harta gjeografie i hapëm,/u betuam sinqerisht për besnikërinë,/ rrëfyem ndjenjat dhe shpirtin e pastër. Dhe në vazhdim: Shtëpinë e kemi një tempull të shenjtë,/zjarrin në vatër  kurrë s`e kemi shuar,/në zemrat e njëri-tjetrit ngrohtë jetojmë,/me mirëkuptim dhe duar shtrënguar./Kur ka ndodhur që n`dimrat e jetës,/befas  është shfaqur ndonjë ngricë,/përpara se dielli ta shkrijë me rreze,/e ka shkrirë zjarri i fortë i dashurisë.... Dhe, në përfundim autori shkruan: Bashkë me mua t`urojnë,/Amantja, Anisa, Tolini, /vogëlushja Diorë bën një urim të veçantë:/Jetë të gjatë sa qielli nona Lili!”

       Si çdo libër i shkruar me ndjenjë, zemër të pastër e talent, edhe këtë libër nuk e lëshon nga dora, madje, gjatë leximit, të lind dëshira të bësh edhe nënvizime për gjëra që nuk dëshiron t`i harrosh, herë -herë edhe i kthehesh faqeve që ke lexuar. Nuk është një libër që rrëshqet qetë dhe pa u ndjerë, si të kënaqesh me shijen e një limonade dhe aq, por, leximi i librit më krijoi idenë e lëvizjes së gjërave, ndjeva në poezitë e tij nevojën për ndryshim e zhvillim, ndaj duke u shprehur në mënyrë figurative, them se libri vrullon në faqet e tij dallgë poetike, që vënë në lëvizje mendimin, ashtu si dallga ndihmon lëvizjen e anijes në det. Si mësues dhe drejtues në shkolla, shpreh mendimin se libra poetikë, si ky i Viron Konës, janë nga ato lloj librash, që duhen rekomanduar për lexim edhe nëpër shkolla, në orë letrare, pasi edukojnë të rinjtë me norma dhe koncepte të natyrshme të jetës, veçanërisht të dashurisë dhe jetës bashkëshortore. Libri bën “thirrje” për të ruajtur traditat më të mira të popullit tonë, lidhur me qëndrueshmërinë dhe bazën e fortë sociale të familjeve shqiptare. Sot, kur shohim disa aspekte ligjore apo sociale të rritjes së vigjilencës për mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna, nga paragjykimet apo nga qëndrimet kryeneçe dhe abuzuese dhe absurde të disa burrave, ky libër merr një rëndësi edhe më të madhe, ai ndihmon me gjuhën e artit poetik, zgjimin e mëtejshëm të shoqërisë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e femrave shqiptare.

Çfarë duhet të ndjejmë kur lexojmë Medean?

Alketa Maksuti Beqari
      Kjo ishte pyetja e parë që më pushtoj teksa e mbarova së lexuari. Medea është një grua që shkon përtej të qënit nënë Apo është nëna që duke parashikuar pasojat e veprimit të saj kryen aktin më të tmerrshëm ndaj fëmijëve të saj, kthehet në vrasëse?
      Pse ndodh kjo me një grua, me një nënë?
      Përballja me rrethanat që jeta i krijon dhe dashuria për burrin e detyrojnë të çvishet nga shpirti i butë e delikat si shpirti i një vajze është dhe të kthehet në vrasëse më parë me anëtarët e familjes së vet tek dera e babës e më pas tek shkatërrimi i jetës së saj deri aty ku thika prek gjakun e saj, dhimbjen më therrëse.
     Dashuria verbon dhe nuk lë të shohësh qartë rrugën ku ecën.
     Lëndimet e kësaj lloj dashurie detyrimisht çojnë vetëm në fatkeqësi, sepse lindin në rrugë të tilla si është etja për pushtet dhe para.
     Duhet ta fajësosh dhe varësh këtë grua apo ta quash të marrë dhe ta lësh në fatin e vet deri sa Zoti ta marrë duke e lënë në lëngimet dhe vuajtjet e tmerrshme deri sa shpirti t'i dalë.
     Po kush është Medea?
     Pse pikërisht u krijua ajo nga Euripidi me këto dimensione?
     Pikërisht një njeri që u ndje i përbuzur nga shoqëria e atëhershme dhe kur nuk u përkrah? Pikërisht Ai që vdiq në tjetër Tokë, i dëbuar?
     Janë këto rrethanat që ky stoik parashikoj jo vetëm që do godiste shoqërinë e atëhershme, por çdo shoqëri të çdo shekulli e viti që do jetonte njerëzimi.
Sado ta përbuzësh mençurinë e dijen e një njeriu që ka ardhur në Tokë me misionin për të qënë Gjeni, asgjë dhe askush nuk mund ta përulë e përçmojë.
     Vet kryeveprat e Tij flasin. Edhe pse në të gjallë të Tij mbeti i pavlerësuar, mijëvjeçarët i referohen.
     Për këtë qëllim Ai krijoj Medean, sepse kur ngrihet dora e një gruaje, nëne pushteti, shoqëria, njerzimi tronditen nga themelet dhe goditen më fort, më ashpër. Pushteti dhe paraja nuk janë asnjëherë gjithçka sa është Dashuria mes njerëzve. Dashuria mban gjallë, dashuria frymon, bën që njerzit të ecin dhe zhvillohen. Dashuria ngre shpirtin të ndjehet i lirë dhe i paqtë, largon ligësinë, cmirë, urrejtjen.
     Ajo është triumfi i jetës jo vetëm tek njeriu në Tokë, por edhe tek Zotat në Qiell, të cilët e krijuan njeriun për këtë qëllim.
Euripidi krijoj një Medea duke e lënë çdo lexues që e lexon veprën në mëdyshje, ta dojë apo urrejë këtë grua, ta mbrojë apo dënojë, të ndjejë keqardhje, mëshirë apo neveri?
     E tmerrshme! Makabër!
     Është aktuale Medea sot.
     Është, jam e detyruar ta pohoj.
     Sepse shpesh herë lexoj tituj lajmesh të një nëne si Medea.
     Akte që të lenë pa fjalë dhe të futin në mendime.
     Arsyet sado kokëforta të jenë nuk ka fjalë që t'i justifikojë.
     Truri i njeriut është një mister. Misteri, i cili e shtyn një nënë të shkojë deri në këtë pikë, e di vetëm ajo.
     Unë them, pohoj se rastet ngjajnë me njëra- tjetrën.
     Nëse shoqëria do të ishte një perfeksion( kushte ideale të jetesës së njeriut, familjes, komunitetit, fshatit, qytetit, shtetit, shteteve) a do të ekzistonte Medea?
     Po një Euripid?


Samstag, 2. Dezember 2017

Zyba Hysa: KEMI HARRUAR TË JEMI BURRA!



TREGIM

(Bazuar në ngjarje të vërtetë)

Ishte koha, kur Ali Pashë Tepelena, kërkonte të formonte një Konfederatë Greko - Shqiptare që në Shkumbin e poshtë, por kjo u kundërshtua me forcë nga krahina e Vlorës, sidomos nga Kanina, Tragjasi, Radhima e Dukati, të cilët ruanin me fanatizëm territoret e Vlorës dhe të Myzeqesë në bashkëpunim me Kurt Beratin e nën mbështetjen e Venecias dhe Maltës, shpallën pavarësinë nga Perandoria Osmane.
Por familja Vlora qëndronte e lidhur me Perandorinë Osmane dhe me Ali Pashën e nëpërmjet kësaj familjeje, Ali Pasha realizonte qëllimet e veta, krahas reprezaljeve kundër këtyre trevave, Ali Pasha mori hak duke u rrëmbyer gratë dhe të fejuarat për t'i bërë pjesë e haremit tij.
Kjo ka qënë pjesa më e tmerrshme e asaj historie, ku shqiptarët, të nxitur, disa nga Rusia dhe Turqia, disa nga Venecja dhe Malta nuk bashkëpunonin, por luftonin njëri - tjetrin. Ata ishin bërë pa vetëdije, ushtarë të huajve dhe nën motivin shekullor të krijimit të një shteti shqiptar, hidheshin në luftë e shpallnin pavarësinë nga një, ose më shumë pushtues dhe vendosnin vartësinë nga një apo më shumë pushtues tjerë... kështu kishte vazhduar qysh kur kombi mbeti pa kokë e pa shpirt, që pas vdekjes së Skënderbeut, ndaj trupin e kombit ta ndash edhe në 100 copa, prapë njëlloj është, ai s’ndjen më dhimbje…
@@@
- Përse jeni shqetësuar komandant Duda? - U drejtua i pari i Vlorajve, pasi kryekomandanti i forcave të familjes, Dudë Meta u rehatua në kolltukun pranë tij.
- Sot mora një letër nga Pashai i Madh i Janinës, i cili kërkon me çdo kusht të turpërohen ata që e kundërshtojnë për krijimin e Konfederatës...
- E çfarë kërkon Pashai nga ne?
- Të rrëmbejmë gratë, apo të fejuarat dhe t'i dërgojmë në harem gjer të dorëzohen...
- Kjo është e lehtë fare, se s’do të bëjmë luftë, të gjejmë anën dhe i rrëmbejmë. Ti vërtet je shqiptar, por shpirtin e ke turkë përderisa i shërben një familje turke siç jam unë, i ardhur nga Konja e Turqisë për të vënë nën hudi këta kaçakë të pabindur.
- Keni të drejtë, por në venat e mia s'ka gjak të pastër shqiptar, aneja më ka thënë, se jam djali i një përdhunuesi serbë...
- E kisha vënë re egërsinë tënde me shqiptarët, por vërtet kjo të bën më të pa mëshirshëm ndaj tyre, vepro siç ka bërë babai yt me shqiptarkat...
- Unë mendoj ta fillojmë me qytezën e Tragjasin, e pikërisht me tre prijësit e tyre, Jaup e Abil Feratin dhe Delo Xhuvelin, i cilët janë krahu i djathtë i Kurt Beratit. Kam marrë vesh që Delo Xhuveli ka fejuar djalin, Kamberin qysh në djep me vazën e Pulajve të Dukatit, e pse ai ndodhet në stamboll në shërbim tek sulltani, ndaj me një gurë, vrasim dy zogj, se Kamberi e pse shërben në oborrin e sulltanit, mendjen e ka këtej dhe bashkëpunon me kundërshtarët e Pashait të Madh. Rrëmbimi i vajzës, do nxjerrë në shesh gënjeshtrën e betimit të tij, se do shërbejë përjetë sulltanit.
- Kot s’të kam vënë kryekomandant, se s'je vetëm i fortë e trim, por dhelpër e zgjuar, ndaj merr forcat e duhura dhe nisu pa humbur kohë, dërgoje vajzën në Janinë, pa e marrë vesh njeri se e kreve ti këtë punë.
Duda doli, mori më të besuarit dhe u nisën drejt Dukatit, ngado që drejtohej Dudë Meta, s'kishte gjë që e pengonte, pa dhënë asnjë shpjegim, rrëmbeu vashën, e hodhi mbi kalë duke i mbuluar kokën më një thes, sikur të ishte ndonjë qen ose mace të mos mbante mend rrugën dhe e dërguan në Janinë.
Lajmi mori dhenë, ky ishte turp i madh që ngjau në krahinë, por Delo Xhuveli ishte i plagosur në një përleshje në Kaninë me turqit, ndaj dy prijësit Ferhati, rrëmbyen armët dhe me shumë forca u nisën drejt Janinës e morën vashën, por në ndjekje nga forcat e Ali Pashës, u bë përleshje e egër në Delvinë dhe në Himarë, ku në Vishë u vra njëri nga vëllezërit Ferati, Abili, i cili kishte lënë pas vetëm një vajzë, Hanko Ferhati.
Vërtet nderi u vu në vend, por Hakoja s'mund të rrinte pa marrë hakun e babait, ndaj u vesh si burrë, fshehu armën në vend të sigurtë dhe u nis drejt Janinës, për në kështjellën e Ali Pashait.
- Dua të takoj Pashanë, - i tha ajo rojës së portës së kështjellës.
- Cili jeni ju?
- Unë vij nga Vlora, më ka dërguar beu i Vlorës... - gënjeu ajo.
Roja thirri dikë tjetër për të lajmëruar dhe pa u vonuar erdhi dhe e lejuan të hyjë, e shoqëruar nga lajmëtari, kaluan disa mure rrethues dhe më pas nëpër disa rrugica, shkuan në dhomën ku rrinte Pashai, por në një moment, Hankua u step, por kur mendoi për vdekjen e babait, eci me hap të sigurtë drejt tij, u përkul me dorë në zemër dhe e përshëndeti.
Pashai vetëm aqsa lëvizi pak nga kolltuku i florinjtë, cigarishten e gjatë nuk e hoqi nga buzët, por e thithi fort dhe duke e shikuar drejt në sy, priti atë çka do të rrëfente luftëtari i ardhur nga Vlora, por ajo vështroi nga shoqëruesi, për t'i lënë të kuptojë që duhet të ishin vetëm. Atëherë Pashai, largoi cigarishten dhe e vendosi në tavllën që kishte në tryezën përballë dhe urdhëroi rojën të largohet.
- Pasha i Madh, kam ardhur nga qyteza e Tragjasit të marr hak për vrasjen e babait nga ushtarët tuaj...
- Cili jeni ju që kërkoni të merrni hak dhe ku, këtu në kështjellën time?
- Unë jamë Hanko Ferati, vajza e Abil Feratit! - Tha ajo duke hoqur kësulën dhe u derdhën tufa trëndeline mbi supe.
Pashai ngriu për një moment, por ajo nxorri nga mesgjinjtë e saj koburen dhe e drejtoi, por mbrenda çastit u hap dera dhe dy roje e mbërthyen për duarsh dhe koburja ra për tokë.
- Ju mund të më vrisni, ashtu siç vratë edhe babanë, por dua të them, o Pasha i Madh, se me veprimet që bën, dukesh një njeri shumë i vogël, ne, shqiptarët, nuk e kemi traditë të rrëmbejmë gratë e tjerëve, këtë e bëjnë vetëm pushtuesit. Nëse ju keni gjak shqiptari, duhet të heqësh dorë nga rrëmbimi i grave e vajzave e mbyllja e tyre në harem, kam dëgjuar nga pleqtë, se as një shqiptar s'e ka pasur këtë ves të turpshëm, ju keni marrë veset e pushtuesit. Në vend të gjejmë mbrojtje tek ju, jeni shndërruar më keq se turqit. Ndaj kam ardhur të jap jetën time, për të marrë hak ndaj vrasjes së babait dhe t'u them, ju, Pasha i Madh, të mos marrësh fytyrën e pushtuesit, se je shqiptar! Nuk ke lënë masakër pa bërë ndaj nesh, për të nënshtruar, por kjo është mbi të gjitha masakrat, hiq dorë nga ky akt i shëmtuar, ndryshe do të shkulet gjithë Vlora e Myzeqeja dhe do të vijë të luftojë kundër jush!
- Lëshojeni! - Urdhëroi Pashai.
- Le të vinë kush të dojë të ndeshet me mua, le të vdes duke luftuar, që të bindesh Pasha, se femrat shqiptare nuk janë për harem, ato janë për të lindur e rritur fëmijë, por edhe për të luftuar, ndaj vetëm këtë gjë të shëmtuar të mos e bëni më! - Tha ajo pa u dridhur qerpiku, - të mos vritem më trimat për të mbrojtur gratë nga ju, ashtu siç u vra babai im, por për të mbrojtur vatanin nga pushtuesit!
Pashai u ndje vërtet ngushtë, ajo po i ngacmonte një plagë që i kishte sjellë shumë dhimbje e pse në pamje të parë, mendohet që haremi mbahet thjesht për qejf, ndaj qëndroi pak dhe duke mos ditur ç’përgjigje të jepte u tha rojeve të dilnin jashtë, ndërsa vajzës i tha të ulej në shiltenë përballë tij, por ajo qëndroi pa lëvizur në këmbë duke e shikuar me përçmim.
- Në radhë të parë, mos u shqetëso, se babait tënd do t'i bëj një varr madhështor dhe do e shpall shenjtor dhe ty do të jap prona sa të duash...
- Unë nuk e shkëmbej gjakun e babait me pasuri, Pasha i Madh, kërkoj ato që të thashë, të shpëtojnë gjithë gratë nga haremi, nga ky turp i madh, i cili të jep fytyrën e një turku e pse je shqiptar!
- Qetësohu… gjërat do të bëhen me radhë, le të varrosim babanë tënd dhe të vijnë përfaqësues të bisedojmë për bashkëpunim mes nesh si shqiptarë.
Një njeri që krimin dhe masakrën e kishte moton e tij, qysh kur kishte qënë kaçak e gjer tani që mjekra ishte zbardhur e ishte bërë Pasha i Madh, kurrë s'kishte arsyetuar përpara çdo gjëje, vetëm të realizonte synimet e tij, por shfaqja e Hankos e veshur si burrë, e vuri në mendime.
Forca e fjalës së femrës është më të madhe se forca e gjyleve të topave, kur ajo flet me guxim, pa përfillur vdekjen e s'ka njeri, sado i madh qoftë, të mos qëndrojë e të dëgjojë, ndaj Ali Pasha për herë të parë mendoi se para tij s’ishte thjesht një femër, me të cilën do shfrynte epshet e tij kafshërore, por një grua e zgjuar dhe trime, ndaj u trondit e për të mbledhur veten, i ra tavolinës me cigarishten dhe hyri roja.
- Merreni vajzën dhe dërgojeni tek dhoma e të ftuarve, jepini për të ngrënë, të mos i preket asnjë fije floku dhe të mos i mungojë asgjë…

Në kështjellën e Janinës vërtet vajzës nuk i mungoi asgjë, veç kur po e lanin dy gra, mendoi se mos e dërgonin në harem, por ato e qetësuan se do të ishte jashtë haremit nën kujdesin e vazhdueshëm të tyre. Ikën dy gratë dhe erdhën dy tjera me tabaka në duar dhe shtruan sofrën me gjithë të mirat dhe sa koha Hankua hante, ato rrinin në këmbë. Më pas ikën ato dhe erdhën prapë dy tjera, të cilat e lanë e veshën me rroba të mëndafshta dhe shtruan shtratin për të fjetur…
Hankua ishte ngritur herët dhe po priste të hynte në derë ndonjë grua që ta pyeste për Pashanë, por ato hynin dy nga dy duke kryer shërbimet e rastit dhe asnjë fjalë s'i thanë. Kështu kaluan disa ditë, saqë ajo s'ishte në gjendje të kuptonte sa ditë kishin shkuar. E pse ajo trajtohej si një mbretëreshë (edhe flokët i krihnin gratë, edhe rrobat ia hiqnin e vishnin ato...) ajo u ndje e burgosur dhe priste nga çasti në çast se çfarë do të ndodhte, gjer më në fund erdhi një grua, e cila për nga veshja, dukej se ishte e rëndësishme në kështjellë, por edhe rrobat që i vishnin Hankos, ishin për një grua të këtij rangu.
- Ju kërkon Pashai... - foli gruaja dhe priti në këmbë pa tendosur aspak mimikën e fytyrës që ajo të lexonte diçka të mirë, apo të keqe.
- Pse më kanë mbajtur gjethe këto ditë të mbyllur? - Pyeti ajo, por gruaja as lëvizi buzët, i futi krahun dhe dolën nga dhoma, kaluan korridorin e gjatë dhe kthyen për nga vendi i Pashait dhe sapo hyri mbrenda, vuri re se Pashai s'ishte vetëm.
Shtati i lartë si selvi, fustani i gjatë gjer në fund të këmbëve ia tregonte linjat e trupit si të skalitura me daltë, me një gjoks në shpërthim, belin që mund ta pushtoje me dy duar e jo me dy krahë, ndërsa flokët me onde - onde të derdhura mbi sype lëshonin tinguj magjikë, sa herë ajo hidhte hapat drejt tyre e të gjithë u ngritën në këmbë, ndërsa Pashai lëvizi pak nga kolltuku duke vënë cigarishten në tavull, kur Hankua u përkul, përshëndeti Pashanë dhe qëndroi si statujë në këmbë për të dëgjuar fjalët e tij.
- Këta janë të besuarit e mi, zgjidh njërin prej tyre dhe unë do të bëj dasmë të tundet kështjella, - tha Pashai, pa e pyetur se si ishte ndjerë ajo në kështjellë.
- Pasha i Madh, unë s'kam ardhur këtu të gjej burrë, por të marr hak për babanë dhe të them që të heqësh dorë nga rrëmbimi i vashave...
- Gjithë këto ditë kam menduar t'a shpërbëj haremin dhe do ta mbyll atë, se më ka sjellë shumë ngatërresa edhe me djemtë e mi, se ne shqiptarët, edhe kërkojmë traditat edhe prishim tradita e kështu në vend të përparojmë shkatërrojmë veten. Ju më bëtë një nder të madh, guximi juaj e kalon guximin tim përmes forcës së armës, ndaj mendo se jam babai juaj dhe një baba kujdeset për vajzën e tij, zgjidh njërin nga vezirët që janë këtu...
Ajo as që i vështroi ata, por u përgjigj shpejt e shpejt:
- Pasha i Madh, të falënderoj për çka thoni, por unë nuk largohem nga qyteza ime, nga Tragjasi i babait, se ai mua më ka djalë dhe vajzë dhe po u largova unë, shuhet ajo derë...
Pashai ra në mendime për pak kohë dhe foli:
- Babai juaj ka pasur një mik nga Gjirokastra, Mahmut Hoxha quhet, të cilin e kam mbyllur me burg të përjetshëm në bodrumet e kështjellës, është mësues, për hadrin tuaj dhe të gjakut të babait, unë do e nxjerr nga burgu dhe të vijë në Tragjas për të mbajtur derën e babait hapur, të rroni e të trashëgoni brez pas brezi. Dasmën e keni dhuratë nga unë, si edhe mjaft dhurata tjera...
Mahmut Hoxhën ajo e njihte mirë, ai ishte si i shtëpisë dhe vendimi i saj për t’u martuar me të, do t'i shpëtonte jetën, ndaj pa u menduar gjatë tha:
- Po, pranoj, por kërkoj edhe trupin e babait ta dërgoj në Tragjas.
- Babait tuaj i është bërë një varr madhështor këto ditë dhe kur të t’përcjellin kështjellarët e mi, do të shkoni ta shikoni varrin e tij në Vishë të Himarës, - tha Pashai dhe mbylli bisedën.
Gruaja që e solli, e mori dhe e dërgoi përsëri në dhomën e saj dhe doli, ndërsa Hankua filloi të grindet me veten: "Thua vërtet ishin të vërteta ato që tha Pashai, apo përgatiste ndonjë pabesi tjetër?
E çuditëshme! Ndodh që mes stuhisë, çahen retë dhe del dielli, por një diell gënjeshtar, se përsëri zhduket e fillon rrebeshi, ne quajmë diellim mashtrues, por fajin e kanë retë, mos vallë kështu ndodh edhe me shqiptarët, mos janë “retë” e botës që pengojnë ngrohtësinë e fjalës mes tyre? Por si vallë shqiptarët s'shtrohen në bisedime, ashtu siç veproi me të Pashai, mos vallë gratë janë më të arësyeshme se burrat, Teuta, Argjiroja, Rugjina... e sa e sa gra shqiptare kanë bërë histori me fjalë e me shpatë…”
Ajo ditë vazhdoi si ditët e tjera, me përkujdesjet e një mbretëreshe, por në buzëmbrëmje, dhoma u mbush me gra që sillnin dhuratë pas dhurate, në fund, dy gra e zhveshen, e lanë dhe i ndërruan veshjen, aqsa u habit se po i vishnin rroba nusërie dhe e zbukuruan me lloj - lloj varsesh e byzylykësh, atëherë shqetësimi kapërceu kufijtë. Mendoi se gjithë kjo ishte lojë e Pashait dhe do përfundonte në shtratin e tij dhe do të bëhej pjesë e haremit.
- Pse më vishni kështu? – Pyeti ajo e shqetësuar, por asnjëra s'filste, thua se ishin memece dhe befas u larguan të gjitha dhe ajo mbeti në këmbë si e ngrirë dhe i dukej vetja si në ëndërr. Ku u nis e ku përfundoi...
U hap dera dhe ajo u drodh, erdhi gruaja "kapedane" dhe i tha që do të shkonin tek Pashai.
Shqetësimi kapërceu kufijtë, tek Pashai në këtë orë të mbrëmjes, ishte e çuditëshme, ndaj e vetmja gjë që mendoi qe, se do përfundonte në shtratin e Pashait dhe kundërshtoi, por gruaja e mbërtheu për krahu dhe dolën.
Ishte e para herë që doli nga dhoma natën, kur morën drejtimin për nga vendi ku priste Pashai, u qetësua pak, se u sigurua që s'do e shpinin në dhomën e tij të gjumit, kur hynë brenda, përveç Pashait, ishin edhe dy burra, njërin prej tyre, kur u afrua e njohu, ishte Mahmuti dhe nëpër shtatin e saj kaluan drithma e mezi qëndroi në këmbë, brenda çastit u shndërrua femër, donte t'i hidhej në krahë nga ngazëllimi, por zëri i Pashait e solli në vete.
- Mbase për herë të parë, e mbajta fjalën... kjo tregon se po plakem, ka ardhur koha të bëj edhe mirësi... njeriu shpesh pushtohet nga tahmaja dhe inati e kur bëhen bashkë të dyja këto, verbohet arësyeja dhe dashje, pa dashje kryen veprime nga më të egrat, njëriu pa logjikë, shndërrohet në përbindësh. Ju më dhatë një mësim të madh: të respektojmë nënën, gruan, vajzën tonë, në radhë të parë duhet të respektojmë gruan, vajzën, nënën e tjerëve, të gjitha gratë janë krijesa të Perëndisë që kërkojnë mbrojtjen e burrave. Ne kemi harruar të jemi burra! - Tha ai dhe u ngrit nga kolltuku i argjentë dhe shkoi pranë Mahmutit, i mori dorën dhe e bashkoi me dorën e vashës.
Hoxha që ishte duke kënduar qitapin, u ngrit në këmbë dhe tha:
- Tani u shpall burrë dhe grua!
- Të trashëgohi! - Uroi Pashai.
Atë natë kështjella gjëmoi nga dasma, një dasmë e veçantë, që do pasonte me bashkëpunimin e trevave, por "retë" e botës errësonin qiellin dhe dielli s’ngrohte e kohë pas kohe shpërthenin stuhitë dhe kur shqiptarët u mësuan me stuhitë shkrepi rrufeja dhe vrau Pashanë e Janinës me histori nga më të çuditëshmet, jashtë limiteve të terrorit dhe të kontributit në dobi të Kombit…
Dhe sot kënga këndohet:
“Koka në Stamboll, trupi në Janinë…”
Ndërsa vetë shqiptarët, s’dinë ku kanë shtëpinë…

Freitag, 1. Dezember 2017

Rezultati i konkursit letrar të LKSHM dhe poezitë e shpërblyera

       Komisioni vlersues i konkursit letrar të të LKSHM për vitin 2017 në përbërje të z. Haxhi Muhaxheri (kryetar) dhe të dy anëtarëve tjerë, znj. Zejnepe Alili Rexhepi dhe z.Fran Tanushi, mori në shqyrtim 70 poezi që kishin arritur përmes postës elektronike. 
      Me qenë se tri poezi ishin derguar nga dy herë, mbeten për tu lexuar nga juria gjithësej 67 poezi.
      Pas leximit të poezive, anëtart e jurisë kishin berë përzgjedhjen e tyre. Fillimisht, në rrethin e ngushtë kanë zën vend këto poezi:

  • Ëndërra e fundit e Ali Podrimjes / Shifra: „Ndjesë, apo versioni i një poezia që e filluam në Artë“
  • Në valse t'panisur këngësh do t'më gjesh / Shifra "24"
  • Bukuri e egër / Shifra "Ilaçet"
  • Kulla e Martinit, pa kenë / Shifra "21"
  • Rendjeve… / Shifra "22222"

      Por, pasi organizatori e kishte vedosur si rregull që çmimet duhet te shkonin vetem për ata që ishi pjesëmarrës në Festivalin Poetik, athere juria la qenë e shtrënguar që të ketë edhe poezi tjera rezervë, në mënyrë se në qoftë se nga pëzgjedhja e parë mungonin autoret, duhet të futeshin poezi tjera në konkurim.
      Ky rregull i paracaktuar ka qenë shkaku i bisedave të gjata ndërmjet kryetarit të jurisë dhe organizatorit. Por përkunder faktit që kryetari i jurisë ka kërkuar disa herë që organizatori të heq dorë nga kushti i paracaktuar dhe të vlersoheshin poezitë pa domosdoshmërinë e pjesmarrjës së autorëve në festival, kërkesa e tij nuk është pranuar. Dhe ky ka qenë shkaku (për arsye se nuk ishin prezent autoret) pse janë larguar nga pëzgjedhja e parë tri poezi, për tu futur tri poezi tjera nga përgjedhja e dytë që kishim bërë. Mëpastaj, juria shpalli rezultatin e konkursit dhe bëri publik titujt e poezive fituese.
Kësisoj, rezultati final i shpallur nga juria e konkursit letrar të LKSHM për vitin 2017 ishte ky:




1. Çmimi "Pena e artë - Martin Camaj 2017"
Bujar Salihu

Bujar SALIHU

Ëndërra e fundit e Ali Podrimjes

Lumin s’e takon në Paris
As Parisi nuk është ai farë vendi ku nuk vdiset

Pse s’erdhe atë mbrëmje mbi re të përhumbura
Ta lexosh poezinë e fundit në Ishullin Albania

Mbi pullazin pezull, rënduar hamendjesh,
Beteja jonë është më pak se një kërcim…

Nëse rastësisht ke me taku Arbëreshin tënd të vjetër
Mos i fol për Kopen, as Ujkun e ri të Alpeve

Provo t’ia rrëfesh, pa lot në sy, si Burrat, shtatë plagë të Vogëlushit…
Ta imagjinoj edhe ai i shkreti, si do të dukej në vjeshtë të 2017 Lum Lumi

Mos u shkund më si Plepi, Maestro
Ta vëje s’paku një bemol, në vargun me degë të thyer,

Fundja, një shenjë Sibilash mbi dritën e lënë ndezur
Ke mund ta vësh, Ali Podrimja

Po, ti je pa ditën tënde të vdekjes, si ai Uji i madh
Që ikën nën shtatë harqe urash…

Kur e more Parisin, veç Ulpiana nuk të pa
Po a nuk ishte ëndërra jote e fundit në Shkup me ra...
_____
Shifra: „Ndjesë, apo versioni i një poezia që e filluam në Artë“





2. Çmimi "Nëntori Historik 2017"


Arif MOLLIQI
Arif Molliqi

Bukuri e egër

fqinja  ime është zonjë e rëndë
çdo ditë
i pi ilaçe kundër depresionit
dhe digjet nga zjarrmi e trupit
për dreq ajo edhe sot është e bukur
më atë pamjen e çuditshme
me vitet e vjetruara që s´i plaken dot
më një buzëqeshje që ka lezet
e tani
o zot, sa herë flet fqinja ime
mes tjerave thotë:
shtirëm e gëzuar kur jam e trishtuar
kur me vjen një orgazme e rrejshme
shtirëm se po e jetoj përsëri rininë
dhe bie përtokë si gjethe e vjeshtës
kur vjen një erë e nxehtë
e sa ora e m´i thanë fletët
e m´i ndal lojërat që mundohem t´i luaj

e di
se kur diçka e egër ulurin në mua
kuptoj se janë kthyer zogjtë nga Ballkani
janë futur brenda kurmit tim
duke më shpëtuar nga zjarrmi
nga rrufetë që vijnë  për së kthjelltë
dhe për pak m´i trembin dhimbjet
që ulërijnë në shtratin tim...
fqinja  ime është një zonjë e rendë
ajo çdo ditë
i pi ilaçe kundër depresionit
_____
Shifra "Ilaçet"





3. "Shpërblimi Vjetor i LKSHM 2017"


Anton MARKU
Anton Marku

Ikja e boemit

Vesë e hershme
Erërave të majit
Kajsitë e verdha lëkund
Shiu ra
Askush nuk e pa
Pos detit
Nën hijen e lajthive
Ndaloi një boem
Jetës i ngriti dolli
Për të fundit herë
Për dashuri
Kishte vënë në lojë gjithçka
Derisa asgjë më nuk i teproi
Nga vetja
Kohës së tij i rrëshqiti lëkura
Rrrugët i’u ngatërruan
Nën këmbë
Në orën e pikut
Gjurmëve të së djeshmes
U mori erë nga pas
Kokën e vuri mes duarve
Sytë i mbuloi
Me gjethe të lagura
Nata ja pau lotin
Para se të ikte
Pas mbeti
Një zë
Që ende bredh
Ujërave
_____
Shifra "Malli"





4. Çmimi "Kongresi i Manastirit 2017"


Bardha MANCE
Bardha Mance

Botë hijesh 

Sa shumë hije në këtë botë
Silueta të trishta që tundojnë shpirtëra
Të vijnë vërdallë me valle të shfrenuara
Aty ku gjejnë portë dlirësie hapur
Hedhin hapin e çmëndur dhe vallen e egër
Deri në paradhomat e zemrave ulërijnë
Mbështjellin pabesisht çdo gjë me vello ironie
Dhe nënqeshen me të mirën
Shkelmojnë ankthshëm
Çdo ind dhe neuron mendor
Me instikte përbindëshash
Pa  formë e përmbajtje
Të duket gjithçka si marrëzi
Paralojë  e stërkequr
Lëshojnë jehona ogurzeza
Më kot mundohesh t’i prekësh
Pak mirësi t’ua ndalë shfrenimin
Ato janë hije
Që nuk kanë përmasë tjetër
Vetëm një shtrirje zie
A thua hijet 
Të jenë banorë të botes?
_____
Shifra "B177M"





5. "Shpërblimi i Festivalit 2017"

Miradie MALIQI
Miradie Maliqi

Manifest për gruan

Deri sa i shkruaj këto vargje për ty dhe për vete,
le të këndojnë zogjtë që i ngroha në kohën e ngricave të egra.
Dhe ja...
Ky zë i natës së trembur kërkon të bëhet krahë zogu,
që çalon si çdo grua  para fatit
Ah ti... 
Që djeg shpirtin për çdo gjeth të këputur, për çdo ndarje, 
dhe pikën e shpresës në krahë të erës.
Mban mbi supe dhimbjet e botës, 
e qëndron e përkulur para fatit.
As lumë të mbyt,as Mal  të gjunjëzon
Vetëm dashuria të mposhti!
Po ç’është për ty  një krah,një dritë syri
Ç’është që dogje ca pranvera,ca burime,ca korrje,
që nuk do të kthehen kurrë?
E qan kur dyshimi  mer në krahë, Njeriun tënd.
Heshtas në maja të gishtërinjve kapërcen pragun e lotëve
e përkulesh mbi gurin e betimeve të lashta, 
mbuluar me Yje të lagura nate
Gjithnjë pa përfillshëm lakon kokën ndaj urrejtjes, 
kur të xhveshin si fajin e jo si gruan.
Futesh natyrshëm në të gjitha këngët e etjes për jetën
E asnjë këngë e denjë për ty
Ti je kënga vetë,në vargun e poetit.
E poeti për një natë,të dashuron dy shekuj
_____
Shifra "Gjysma"