Ibrahim Hajdarmataj |
Nga Ibrahim Hajdarmataj
Kryetar i OJF “Mësuesi”, Publicist, Tropojë
Dallgë poetike
(Duke lexuar vëllimin “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit Viron
Kona).
Këto ditë lexuesit dhe kritika u njohën me vëllimin poetik “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të
shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë shqipe Viron Kona. Libri ka redaktor Zeqir
Lushaj, recensentë Sadulla Zendeli-Daja dhe Kadri Tarelli, konsulent Dr. Bajram
Mejdiaj dhe Sejdo Harka. Libri fillon me shënimin e autorit: “Ja
kushtoj këtë vëllim me poezi Liljanës sime të shtrenjtë, që më ka qëndruar
pranë për 40 vjet të jetës sonë bashkëshortore, duke ndarë me mua vështirësi
dhe gëzime, por edhe duke më mbështetur me përkushtim të plotë në rrugën e
krijimtarisë letrare”. Pas leximit të
këtij përkushtimi të sinqertë, që njëherazi na bënë të mendojmë për jetën e qëndrueshme
bashkëshortore dhe shenjtërinë e saj, para syve të mi kush e di pse shfaqet
edhe një pamje tjetër, një realitet negativ, që e gjejmë me bollëk në kohët e
sotme dhe që na trondit: Si në ekranet e televizorit, më dalin përpara
skena gjyqesh pa fund në Tiranë dhe në rrethe, gjyqe të ndarjes së çifteve burrë-grua,
që për nga shumica dhe motivet e ndarjes, përbëjnë një shqetësim mbarëshoqëror si
dhe prishje të atyre ekuilibrave të jetës bashkëshortore. Një çift, që kishte
vetëm 4 muaj martesë, ndahet me vendim gjyqi, se nuk ju “puqën” karakteret?!
Nuk ju “puqën” karakteret, apo martesat nuk janë të sinqerta që në zanafillë?
Sepse, siç del, në mjaft raste martesat nuk kanë bazë dashurinë e sinqertë dhe
mirëkuptimin, por teka dhe interesa meskine, marrëdhënie të kushtëzuara dhe që
ndërvaren nga përfitimet e pasurisë apo për shkak të modaliteteve të
shfrenuara. Sikurse, disa lidhje bashkëshortore, shkojnë në ndarje edhe për
shkak të dhunës barbare të burrave patriarkalë ndaj grave të pambrojtura, që u
mohohen të drejtat më elementare. Si pasojë vjen prishja, tronditja dhe
shkatërrimi i familjes, lënia në mëshirën e fatit të jetës së fëmijëve, që përbëjnë
në thelb edhe të ardhmen e kombit.
Pikërisht, me anë të këtij vëllimi të shkëlqyer poetik, Viron Kona, me fjalën
e mençur dhe artistike të shkrimtarit bashkëkohor, jep dhe shpërndan në hapësirën
mbarëshqiptare ndër të tjera edhe mesazhin e shenjtërisë së jetës
bashkëshortore, të marrëdhënieve të pastra dhe të shëndosha mes burrit dhe
gruas. Më kujtohen vitet kur kam punuar mësues e drejtor shkolle në Malësinë e
Gjakovës, veçanërisht në Gjimnazin e
Zogajve. Kur dilja nëpër fshatra dhe i këshilloja bashkëfshatarët e mi “Mos i
poshtëroni vajzat e vogla duke u vënë emrat: Çbane (Ç`bëre që nuk linde djalë,
por linde vajzë!);Pulë (qëndrim përçmues, që vajza të jetë e bindur, kokulur, e
urtë dhe pa fjalë); Bubë (femra të jetë e vockël si insekt); Shkurtë (të jetë e
fundit që lind femër, pas saj të lindin vetëm djem). Gjithashtu i këshilloja: Bashkëshorteve
tuaja, u thërrisni me emër dhe jo: “A
ndjeve?” (domethënë “A më dëgjove?”), “Ku
je?” (pa i përmendur emrin); apo, i thërrisnin bashkëshortes me emrin e fshatit
nga vinin nuse dhe asnjëherë në emrin e tyre: “Oj e Kolgecaj!”, “Oj e
Zogajve?”, “Oj e Lekbibajve!” Kështu
ishte zakoni, kanuni në Malësi, flasë për vitin 1964.
Në vazhdim të këtij artikulli dëshiroj të nënvizoj bukurinë erotike të
poezisë “Mos më thuaj s`të thashë!” Vajza sheh nga Hëna,/e sheh, s`ia heq
sytë,/pret me padurim,/t`i japë porositë. T`u bëfsha moj hënë,/ndalu dhe më
prit,/dashurinë time,/bëje tufë me dritë! Pastaj, vajza e dashuruar bashkëbisedon
me hënën për marrëdhënien e saj me djalin që dashuron. Me një gjuhë të bukur ndjenjash
autori shprehë përfytyrimet e vajzës se si do t`i shkojë takimi me të dashurin
e saj: Siç e sheh moj hënë,/po më digjet
xhani,/do t`i shkojë vetë,/le të bëhet nami!/Në gji do ta marrë,/do ta puth me
mall,/nuk dua t`ia di,/çdo të thonë n`mëhallë./Më tej e kupton,/ si do shkoj
kjo punë,/atë që do nisim,/do ta çojmë në fund./Si drerë e sorkadhe,/do
rrokemi, do qeshim,/s`do lëmë gjë pa bërë,/sa të vijë mëngjesi.
Nuk e di pse më bëri krejt për vete poezia “Mos u dorëzo!”, e cila
tingëllon si një thirrje optimiste: Mos u dorëzo!/Më përsëriste babai,/këshillën e vyer,/të jetës./ Kështu,/ gjyshi
atij,/unë birit, bijës,/nipit dhe mbesës... Interesante janë poezitë që marrin
në mbrojtje fëmijët dhe rrëfejnë aspekte nga jeta e tyre e pafajshme
fëmijërore, ndërkohë që kujdesi dhe edukata e tyre duhet të rritet dhe të
zhvillohet në forma sa më të zhdërvjellëta, duke shmangur gjithnjë rastet e keqtrajtimit dhe të dhunës. Në këtë kuadër,
ka bukuri dhe vlera poezia: “Në
parkun lodrave”, një poezi e thjeshtë por
e natyrshme: Në parkun e lodrave, luajnë
fëmijët,/hidhen, kërcejnë, zhurmojnë me gaz,/njëri i hipën kalit, tjetri
makinës,/i treti imiton gjeneralin në paradë....Dhe pasi përshkruan
llojshmërinë e lodrave, ku theksohen zgjedhjet dhe dëshirat që kanë fëmijët e
që janë të shumta, autori përfundon me vargjet me kuptim mjaft domethënës: Sytë u ndritin, u zgjohen pasionet,/në
startin e jetës hareshëm zhurmojnë, /botën e tyre, botën e së ardhmes/me
imagjinatë e fantazi e projektojnë. Po
aq interesante është poezia “Gjyshi
kokëfortë”, ku rrëfehen me humor dhe satirë dobësitë e gjyshërve në rritjen e
fëmijëve. Ata, ngaqë i duan shumë nipërit dhe mbesat e vogla, i falin për gjithçka
dhe i përkëdhelin me tepri`, duke nënvleftësuar veprimet dhe sjelljet negative
të tyre, që duhen kritikuar me takt dhe kujdes, që fëmija të mos i përsërit gabimet
herë tjetër: Fqinji i një kati më
poshtë,/Banushi që mbante bastun kur ecte,/gjyshin e Valbonës ndali në
shkallë,/me kujdes e takt i bëri një vërejtje:/“Nuk e di, o fqinj ç` ndodh lart
te ju,/por bam-bum, dëgjojmë kur vjen mbrëmja,/mos vallë ajo mbesa,
çamarrokja e vogël,/zhurmon duke luajtur
me lodra?”/Gjyshi, që s`pranon asnjë vërejtje për mbesën,/e kapi inati dhe i a
ktheu me qesëndi:/“Përpara se për mbesën time të bësh vërejtje,/shko te doktori
i veshëve, vizitohu, or zotëri!” Ai mendon se për përgjigjen e rreptë që i
dha fqinjit, në familje do t`i jepnin të drejtë, por, ata, nuk ishin në një
mendje me të, sepse vërtetë vogëlushja i kishte bërë ca zhurma dhe i kishte
shqetësuar fqinjët e një kati poshtë. Kur kritika ndaj gjyshit arriti kulmin,
madje ai vihet në loja nga gjyshja: Mbase,
o plak, t`i vërtet s`ke faj, /zhurmat mund të mos i kesh dëgjuar,/se, pambukun
që vë në vesh herë pas herë,/ duket që
brenda veshëve e ke harruar./Gjyshi vuri gishtat tek të dy veshët,/vërtet me pambuk i kishte të zënë,/e,
ndërsa ata në shtëpi vunë buzët në gaz,/ai gjithë zemërim u mbyll në dhomë. Poezia
është mbajtur në tone humori dhe dashamirësie, si të thuash “qesh e ngjesh”.
Pas kritikave, gjyshi me sedër të lënduar mbyllet i zemëruar në dhomën e tij
dhe mbron ende me kokëfortësi të dukshme mendimin e tij: Nga dhoma dëgjohej zëri i gjyshit kokëfortë,/që vente e vinte dhe
thoshte i zemëruar:/“Sa herë që dikush, vërejtje për mbesën do t`më bëjë,/ unë
veshët me pambuk do t`i kem të bllokuar!”
Kanë origjinalitet, art dhe vlera të natyrshme edukative poezitë: “Pulëbardha”, “Zogjtë e pyllit me mua uji pinin”, “Përfitim nga mirësia”, “Për një
fjalë e për një thumb”, “Ajri është plot nerv e gaz”, “Nuk e gjen në çdo udhëkryq”, “Ruaju
nga qeni i tërbuar”, “Pendimi i
vonë”, kjo e fundit tregon se njeriu duhet të sillet mirë dhe t`i dëgjoj e
respektojë prindërit, pasi, kur vjen koha që ata nuk janë më, pendesa e vonuar
nuk ka më asnjë vlerë: Sa do të doja që
dy prindërve,/t`mos ua thyeja zemrën kurrë,/por ç`e do se koha
s`kthehet,/pendimi s`më bënë më punë!
Është mjaft e ngrohtë poezia “Baulja e nënës sime”. Nëna mbante atje sendet
e saj më të çmuara, ato nuk ishin xhevahire, flori apo sende të arta, siç mund
të mendohej, por, sende të vyera, që familjet shqiptare i kanë ruajtur e
trashëguar si kujtime të shenjta nëpër vite, dekada dhe shekuj. Të tilla si
flamuri, veshjet e lashta me qëndis-ma dhe filigran, vizatime kalash, vizatime
me motive popullore floreale, unaza, piktura kalorësish dhe trimash fisnikë: Nëna
u përkul në baule,/nxori prej andej një flamur
me shqiponjë,/Ky, tha, është flamuri
i dasmës sime,/kur nga Berati erdha nuse me kalë në Vlorë. Dhe në vazhdim: E shikon, o bir, këtë unazë të florinjtë?/
Është nga kohë të vjetra që s`mbahen mend,/nusen kur ta marrësh do t`ia vësh në
gisht,/kurse ajo, nuses së birit tuaj të shtrenjtë. Poezia mbyllet me vargjet kuptimplote:Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori,/as argjend dhe kartëmonedha me
vlera,/veç këto vogëlima që më ngjallin
dashuri,/trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja...
Ngjall interes të veçantë poezia
“Vallja e ujqërve”, ku autori godet rreptë luftën e klaneve mafioze që
likuidojnë dhunshëm njëri - tjetrin, për pasuri dhe pushtet, por edhe për t`u
lartësuar padrejtësisht, duke shtypur më të dobëtit. Me një gjuhë të lakonike,
poeti krijon vargjet: N`pikë të dimrit të uritur,/kur bora gjithçka mbulon,/ia nisin valles së njohur:/“Më i forti mbijeton!”./Rreth rrotullohen në vallen e
egër,/skërmitin dhëmbët, ulërijnë,/ai që në valle përdhe rrëzohet,/qoftë i bekuar, ushqimi ynë! Njëri ra,/ “oh, ç`fatkeqësi”!/S`kemi ç`bëjmë, /c`est la
vie!/ Vaktet vijnë njëri pas tjetrit,/me potere vallja vazhdon,/në këtë botë kafshësh të egra,/“Më
i forti mbijeton”!
Poezia që mbyll vëllimin titullohet “Një çift mështeknash të bardha”, të cilën
autori ia kushton bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Liljanës me 55 pranvera të
lumtura, një poezi kjo plot dashuri dhe ndjenjë: Sot në 55 - vjetorin e lindjes, /unë dhe e tërë familja t`urojmë,
/qofsh e lumtur përgjithmonë,/u bëfsh
dhe 100 vjeçe Liljana jonë!/S`këmbyem xhevahire për dashurinë,/veç
zemrat si harta gjeografie i hapëm,/u betuam sinqerisht për besnikërinë,/
rrëfyem ndjenjat dhe shpirtin e pastër. Dhe në vazhdim: Shtëpinë
e kemi një tempull të shenjtë,/zjarrin në vatër
kurrë s`e kemi shuar,/në zemrat e njëri-tjetrit ngrohtë jetojmë,/me
mirëkuptim dhe duar shtrënguar./Kur ka ndodhur që n`dimrat e jetës,/befas është shfaqur ndonjë ngricë,/përpara se
dielli ta shkrijë me rreze,/e ka shkrirë zjarri i fortë i dashurisë.... Dhe,
në përfundim autori shkruan: Bashkë me
mua t`urojnë,/Amantja, Anisa, Tolini, /vogëlushja Diorë bën një urim të veçantë:/Jetë
të gjatë sa qielli nona Lili!”
Si çdo libër i shkruar me ndjenjë, zemër të pastër e talent, edhe këtë
libër nuk e lëshon nga dora, madje, gjatë leximit, të lind dëshira të bësh edhe
nënvizime për gjëra që nuk dëshiron t`i harrosh, herë -herë edhe i kthehesh
faqeve që ke lexuar. Nuk është një libër që rrëshqet qetë dhe pa u ndjerë, si
të kënaqesh me shijen e një limonade dhe aq, por, leximi i librit më krijoi
idenë e lëvizjes së gjërave, ndjeva në poezitë e tij nevojën për ndryshim e
zhvillim, ndaj duke u shprehur në mënyrë figurative, them se libri vrullon në
faqet e tij dallgë poetike, që vënë në lëvizje mendimin, ashtu si dallga
ndihmon lëvizjen e anijes në det. Si mësues dhe drejtues në shkolla, shpreh
mendimin se libra poetikë, si ky i Viron Konës, janë nga ato lloj librash, që
duhen rekomanduar për lexim edhe nëpër shkolla, në orë letrare, pasi edukojnë të
rinjtë me norma dhe koncepte të natyrshme të jetës, veçanërisht të dashurisë
dhe jetës bashkëshortore. Libri bën “thirrje” për të ruajtur traditat më të
mira të popullit tonë, lidhur me qëndrueshmërinë dhe bazën e fortë sociale të familjeve
shqiptare. Sot, kur shohim disa aspekte ligjore apo sociale të rritjes së vigjilencës
për mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna, nga paragjykimet apo nga qëndrimet
kryeneçe dhe abuzuese dhe absurde të disa burrave, ky libër merr një rëndësi
edhe më të madhe, ai ndihmon me gjuhën e artit poetik, zgjimin e mëtejshëm të
shoqërisë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e femrave shqiptare.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen