Mittwoch, 20. November 2019

Vargje satirike nga poeti Sevdail Hyseni

Sevdail Hyseni


KOKA VEZORE

Mbi kokë të Vuçiqit
Dikush hedh një vezë
Ngrihet Vetëvendosja,
S’janë t’miat për besë !

Vezët i kem’ zier
Për Pashkë e Bajram,
Të lozësh me vezë
A nuk është haram ?!

Të kesh sot vezë
Do të jesh me fat,
Jo veç në protesta
Por edhe n’krevat !

Mendohet Vuçiqi
Shikon me çudi,
Sheh te Vetëvendosja
Një tjetër dredhi !

E kujton Sanxhakun
Deri në Luginë,
I thërret me radhë
Putin dhe Vulin…

Tani që i gjetëm
Vezët me gjithë pulë,
S’e kemi vështirë
Kush-kujt me ia ngul !

Nuk i dihet garës
Me këto marifete,
Kunjin më të gjatë
Le ta mbajnë për vete !




KOKA PA TRU…!

Nga vdekja e Sllobës
Kaluan shumë vjet,
E mister i mortjes
Ngjalli një sekret !

U mbushën gazetat
Me plot me befasi,
Truri i “Kasapit”
Iku në Rusi..!

Na këshillon Holanda
Mos kini merak,
Ata që kanë tru
S’i kemi në Hagë !

Po, mbetja mortore
Nën hije te Bliri,
Nuk ndjehet rehat
- Dreqi as i biri !

Qarkullojnë të thënat
Deri në skandal,
Slloba nuk ka vdekur
Na qenka i gjallë !

Kërkon t’i ketë pranë
Shokët kriminelë,
Ashtu si Mlladiqin
Karaxhiq e Sheshel !

Kështu e ka kjo botë
Shpeshherë acarohet,
- Kush fle me qen,
Me pleshta zgjohet ?!




VUÇIQI NË BUJANOC

Kur erdhi Vuçe në Bujanoc,
Desh i ngeli në fyt një koc..!

Me të kaluar nëpër Levosojë,
Nuk e foli një fjalë me gojë !

Mendon, nga t’ia filloj fushatës:
Këndej, apo matanë autostradës ?!

Të hamendësohej s’e shihte të udhës,
E ardhmja e Serbisë, matanë hekurudhës.

Struket ngadalë me shumë kusuritje,
Nuk sheh shtëpi, që s’është në shitje !

Mosni vëllezër serbë, lutet presidenti,
Qëndroni këtu, mos ikni nga vendi !

Kjo është vatra Juaj, çështje më intime,
E hapim kuletën për shumë investime.

Tek fliste Vuçiqi ndër serbët lokalë,
Shkëlqente premtimi sall elektoral.

Korrigjim kufiri - do të ketë garant,
I gjithë Bujanoci gjendet në ankand !




KUVENDI I GRAVE

I rrëshqet buza në gaz
Sytë e zezë mbush’ maraz
Kur e pyetën përse qesh
Me gjithë zemër çuar peshë
- Tha se burrin s’e ka burrë
As në ëndërr s’e sheh kurrë

Mirëpo, hallin ku e ke
I thotë Sala nuses s’re
Thua se burrin s’e ke burrë
As në ëndërr s’e sheh kurrë
Po a di Ti moj fisnike
Një fjalë t’urtë aq simpatike
Pse në popull thuhet pra
- Burri është për shtatë gra

E ti ngrihesh kritikon
Gjuhën brisk e praktikon
Rri ulur e s’punon fare
Burri yt moj burrë me halle
E ndan rrogën me mijë grima
Si t’i mbushë gjithë ato vrima

Me ngadalë tha zonja Hyrë
Merrni gjërat me të mirë
Duhet t’jeni shumë krenare
Sekëlldi t’mos keni fare
Vërtet burrin s’e ke n’shtëpi
Po t’punon në Gjermani

Zërin ngriti vithetrasha
Tha ku rafsha mos u vrafsha
Pse t’mërzitem për hiçgjë
Unë për shembull nuk e zë
Aspak burrë atë njeri
Që pa lidhje rri n’shtëpi

Burri është mik n’shtëpi
Pse mungon s’është çudi
Kasavetet zonja Suza
Si purtekë i dridhet buza
Mall e kam burrin në shtrat
Por kam shtëpi në katër kat

Flet me naze zonja Beti
S’e le t’ftohet muhabeti
Qiraxhinjtë t’mos ishin fare
Na zënë hallet për idare

Kukuriset zonja Sime
E kam burrin në studime
Dhe të shkretit tim burrë
Libër n’dorë s’i shoh kurrë

Flet ndër buzë zonja Maja
E dalldisur nga sefaja
S’di mosha është në pyetje
Apo kriza është në rritje
I ngarkuar gjithë me punë
Kurse unë s’mërzitem shumë
Sa për qejfe e argëtime
Del diçka dhe n’lagjen time

Burri im bën politikë
E dredh zërin zonja Mrikë
Gjithë shoqëria i rri rrotull
Ditë e natë punon për popull
Nuk ka kohë moj zonja Zizë
T’i kryejë punët e shtëpisë
E di mirë për çfarë detyra
Kemi nevojë zonja Lyra

Burrit tim shef i thonë
Nis bisedën si gjithmonë
Zonja Tule rrumbullake
Me një pamje qesharake
Por n’shtëpi nuk është çudi
Unë jam shef e jo Ai

I vazhdojnë llafet gratë
Deri vonë në mesnatë
Për ta nxjerrë pyetjen n’shesh
Me tamam siç thuhet shpesh
Pse edhe gratë e thonë pra
Burri është për shtatë gra!

Qesh e shkundet një buzellkë
I shtrin krahët si lejlek
Burrit kurrë s’ja bëjë hallall
Gruaja është për një mëhallë !!!



BRUKSELIADA

Pas kaq vitesh në Bruksel
Shkon Lugina me “bedel”

Ngase vet nuk qe në rend
Për t’u qasur përnjëmend

Në tryezën brukseliane
Me aq shumë opsione

Ky i fundit për korrigjim
Të kufijve pa kuptim

S’zgjidhet kriza jug – veri
As problemet Kosovë – Serbi

Pa Luginën u mor vesh
Dialogu shkon për lesh

O Hashim o President
Me shqiptarët s’e ke lehtë

Aq më pak me te tjerë
Që u ka marrë koka erë

Rrotullohen nëpër stile
Çdo veprim e kanë me hile

Kur Lugina është për festë
Dalin zëra për protestë

E për zgjedhje aq më shumë
Pse dhe jo Referendum

Nga Muçi Baba në Llukar
S’ka me mbet asnjë shqiptar

Pa u bashkuar n’emër t’Zotit
Si në kohë të Kastriotit

Me të mirat e kësaj ane
E Kosovën Evropiane

Dhe Luginën “tata-mata”
Të na rroj Brukseliada




LUGINA NË BERLIN..!

Për Samitin në Berlin,
Pyesin shqipet për Luginë:
A do t’gjendet në Kuvend,
Sipas rendit me agjendë ?!

Rendi i ditës, nuk çon peshë,
Po ngatërrohet lëmshi shpesh,
Nuk i gjendet fija për fare,
Bëhen burrat për pesë pare !

Keni parë dialog me bisht,
Që me t’ngulur qëllimisht ?!
T’i çon gjërat n’pambarim,
As bashkim, as korrigjim !

Pse gjermani pati “bllombë”,
Kur u bë bashkë si Komb ?!
Theu murin copë më copë,
Duke hyrë në Evropë!

E ne shqipet e Ballkanit,
Me atë zjarrin e vullkanit,
Marrim turr për atë pazarin….
E pa “hop” kërcejmë gardhin !

Pastaj, ngulemi me pa hir,
Duke thënë e kemi mirë!
Si ta kemi kur për besë
Jemi bërë pikë e pesë ?!

Disa lypim bashkim kombëtar,
E disa asgjë për farë...,
Bëhemi copë për pushtet.
E harrojmë se s’kemi shtet !

Si të bëhemi shtet Unik,
Pa koncept në politikë.
E t’mos flasim për Luginë,
Që ka ikur në Berlin !

Sa nga dhuna, sa nga puna,
Sa nga vendi me spiuna,
Që për hir të Babës Mbret,
U pëlqen Lugina shkret !




Ç’U KALL MALI..!

Nga Lugina e deri n’kufi,
U dogj pylli shkrumb e hi !

Thotë njeriu me shqetësim,
Ky s’na qenka korrigjim ?!

As nga minat me rrezik,
As nga zjarret me taktikë!

Çfarë bashkimi o shqiptarë,
Me t’shku’ pylli me hektarë !

Ta kthesh malin në lëndinë,
Mos t’bashkohesh me Luginë !

Pse atëherë të digjet mali ?
T’shkoj për lesh dhe ideali !

Nga urtia një gjë dihet:
-Shpija digjet, plaka krihet !




PËRTEJ KUFIJVE

Nga Morava tej Vardarit
Shpërthen zëri i shqiptarit
Në Luginë kemi shtëpinë
Deri n’ Nish edhe tapinë

Kemi besë, bukë e kripë
Edhe malet flasin shqip
Kemi Plisin – Letërnjofim
Krenarinë e kombit tim

Mijëra vjet në këto anë
Kanë jetuar t’parët tanë
Me disa regjime shtetërore
Duke ndarë tokat Arbërore

Deri sot në këtë botë
Nuk na shembën me të fortë
E në paqe edhe më hiq
Me të dashur e me miq

Vjen një ditë Lugina flet
Si dikur me dinjitet
N’ Referendumin për bashkim
Drejt kufijve me korrigjim

Drejt kufijve natyralë
Jo siç janë artificialë
Me vija të kuqe e të zeza
Që na ndoqën nëpër breza




DASMA PA NUSE

Çështja e Luginës...
Çmallet për çudi,
Nëpër kafet tona
Me meze e raki!

Shpërthejnë opsionet
Me nga një premtim,
Të urta të brishta
Siç thotë në vazhdim…

Fjalë e urtë devollçe:
- Si të bëjmë e si të themi,
Bir, o Muço kokë - demi,
Dasmë bëjmë e nuse s’kemi !




LUGINA E REFERENDUMIT

Kur u mbajt për bashkim Referendumi,
Luginën Dardane, thanë e mori lumi..!
Po që nuk e mori, me rrënjët e thella,
Nga se Ariu, s’nxirret dot nga shpella !

Brez pas brezi ruajti gjuhë edhe zakone,
Duke u përplasur, në shumë opsione…
Madje nxori n’treg, emrin e kësaj treve,
Nga Kosovë Lindore, në Luginë Presheve !

Kosova Lindore, nuk matet n’peshore,
As më pak nuk është, sikur zorra qorre,
Njerëzit e kufirit kanë thënë me të drejtë,
Janë si rrathë lakrori, që s’përtypen lehtë !

Le ta dijë Brukseli deri në Serbi,
Edhe ne n’Luginë, jemi kuq e zi.
Kuq e kemi gjakun e zi situatën,
Që kur na ndanë, si dita me natën !

Lugina e Preshevës, shtyhet në agjenda...
Ajo është vullkani, që zien nga brenda !
Nga flakët e saj ndizet gjithë Ballkani,
Për një plesht të vogël a digjet jorgani ?!

(Me rastin e 27 vjetorit të Referendumit të shqiptarëve të Luginës së Preshevës për bashkëngjitje Kosovës, pjesë e pandashme e së cilës ka qenë, gjithmonë, gjatë historisë)




VDEKJA E AKADEMIKUT

Kur u nda nga jeta, Akademik Idriz Ajeti,
Nga dhembjet me lot, ka qarë Alfabeti..!

Të gjithë germat shqipe, me tinguj mortorë,
E nisën në amshim, "Rrapin Shekullor"!

Pa qarë s’mbet, vendlindja prej Medvegje,
Që ka mbet e ndarë me gardh e me megje !

Këto ndarje u panë, në të pame e n’varrim,
Me një grusht njerëzish, mbushur pikëllim !

Kjo shoqëria jonë, me shumë “detyrime”,
Po si nuk e gjeti, një vend për ngushëllime ?!

Gabimet me thasë, i kemi n’praktikë,
A s’na ngeli Noli, me varr n’Amerikë ?!




POETI I SPICËS

( Sevdail Hysenit)

Në këndin e spicës
Krijuar këto ditë
Poet Sevdaili
Shumëkend e shpotitë

Ca spica ca kungja
Shumë mirë di me i gdhend
Për ca "burra të mirë"
N'këtë vend që mbajnë rend

Rendin e mbajnë mirë
Janë për çdo lavdatë
Spica t'"shkurta" u duhen
E jo shumë të gjatë

Kungjat i meritojnë
Dhe ca burra tjerë
Ngado që të shkojnë
Puna u lëshon "erë"

Spicat edhe kungjat
Kur s'bashku veprojnë
Asgjë nuk lënë mangut
Gjithçka rregullojnë

Spicat Sevdaili
Ua gjuan n'kurriz
Nuk "therrin" aq shumë
Se janë therrë murriz !

10.02.2019



PUSHTETI “ALTERNATIV”

Mik i dashur more vëlla
S’kapet zogu për hava

Dëgjo vëllaçkon ç’ka po t’thotë
Në Preshevë nuk thuhet kot

S’qeveriset vendi mbarë
Me debillë e kllosharë

Po qe do o mik i mirë
Ka hy sherri në çdo birë

Nuk mendon pushteti ndryshe
Veç në pare e “gjymbyshe”

Sa për art dhe informim
S’i ha palla asnjë grimë

Por një ditë pak nga pak
Ka m’i hy lepuri n’bark

Me qetësi e dashuri
Do të shkoj në Gjermani

Se Kuvendi pa shumicë
Shkon e ngulet mu në Spicë...




GRUSHTAT NË KUVEND

N’Kuvendin preshevar
Ndodhi një incident
U rrahën këshilltarët
Për një grusht pushtet

Ky konflikt banal
Erdhi pas fjalimit
Në Natën e Bajramit
Në Festën e Flijimit

Askujt nga Foltorja
Nuk i ra në mend
Ta kursej fjalorin
Nga sharjet n’Kuvend

Në vend që debatin
Ta vejnë në binar
Ata i ndërrojnë grushtat
Si t’ishin në pazar

Luftojnë për kolltuk
E pushtet fiktiv
Duke promovuar
Ndryshim alternativ

Shih nga ana tjetër
Vendi është në krizë
Po na vijnë kufijtë
Në prag të shtëpisë

N’vend të fushatës
Për Këshill Nacional
Ata kacafyten
Zhyten në skandal

E shefat e tyre
Që nesër n’mëngjes
I nisin urimet
Gjithë me interes

Gëzuar qoftë Bajrami
Me t’mira pa fund
Ndonëse rehatinë
S’e kemi askund




MADE IN LUGINA

Në jug të Serbisë
Shpaloset Krahina,
Që e quan veten
Made in Lugina !

Lugina e Preshevës
Shtrihet ne tre shtete,
Trekëndëshi magjik
Që lidh kontinente...

Po rastis njeriu
Të vijë në Luginë,
Mendon se ka hy
Diku n'Palestinë !

Nuk të kap syri
Gjësendi për farë,
Nga të gjitha anët
Policë e xhandarë !

Me kufij shtetërorë
Edhe me dogana,
Që bëhen kalimet
Në disa kolona !

Nuk e ha meraku
Njeriun e Luginës.
E fiton “idaren”
Në kokërr të shpinës !

I ka falë natyra
Të mirat varg e vi,
Edhe me dy nëna
Kosovë e Shqipëri !

Dy nënat dhe njerka
Tamam pite e pulë,
Ashtu si dikur
Qengji në fabulë !



PIKTORI DHE DOKTORI

Kuvendi shqiptar
Çmendet o mik,
Seancat plenare
Kthehen në cirk!

Tronditet Shqipëria
Aferë e skandale,
Me fjalë të pista
E shprehje banale !

Ku mbeti Etika
Kodi e Zakoni,
Në ç’nivel ka rënë
Medet, Institucioni ?!

Kapen në të shara
Piktori dhe Doktori,
Nga shprehjet bizare
Lumi seç na mori !

Llafet nuk kursehen
Nga fjalët me bishta,
Na shkoi me nder
F’tyra për dy gishta !

Kundërmon Kuvendi
Një erë me t’palara,
Njollosen shqiptarët
Fisi edhe fara !

Skuqet Parlamenti
Në sytë e publikut,
Sharjet a nuk janë
-Arma e të ligut ?!




NË PRITJE TË QEVERISË

Po e presim Qeverinë,
Të na vijë me të renë,
Ç’e do kur zvarriten
Punët si me tren..!

Si me tren klasik,
Që s’i dihet destinacioni,
E me disa parti
Pa lidhje koalicioni !

Pa një hap konkret
Deri në pambarim,
E me qindra vota
Që lypin numërim…

Ashtu zgjatet puna
Si një shkop magjik,
Për t’i sjell proceset
Me nder në rrezik !

Festat e nëntorit
Po vijnë me ngadalë,
E ne jemi zhytur
N’ vakum institucional !

Nga ky marifet
Askush nuk e di,
A kemi dhurata
Për Vitin e Ri ?!

Me këto dukuri
Të llojit njerëzor,
Struket Qeveria
Në gjumin dimëror !



KALI PA TAGJI

Ngarendi fukarai
Te Beu për ndihma,
- Ma jep një teneqe grurë
Se më doli fryma !

Beu fërkoi mjekrën
-Ti paske vdekur, o fatzi,
Pse po ma len kalin
Një ditë pa tagji ?!



ANGARIA

Pashai gomarët e fshatit
I mblodhi për angari,
Me të nuhatur Nastradini
Ikë dhe fshihet në shtëpi !

Mirë i thotë e shoqja
Ç’ke kështu, ti s’je gomar ?!
Derisa ta marrë vesh Pashai
Më del djersa mbi samar !



MUSHKA ME ZOG

Pashai Nastradinin
E zë mik shtëpie,
I jep një mushkë
Në shenjë dashurie !

Pas tri vjetëve
T'i kthehej tok,
Sipas porosisë
Mushka me zog !

Njerëzit i thanë
Nastradinit prore:
Po ku pjell mushka
A je çmendur fare ?!

Tri vjet janë shumë
Të dashur miq,
Për këtë marifet
Nuk mërzitem hiç !

Për gjatë kësaj kohe
O ngordh veshgjati,
E na merr të keqen,
O Pashain e zë taksirati !



LIDHJA SHEKULLORE

Turqia na ka sunduar
Pesëqind vjet me shpatë,
E tani po na “ushqen”
Me filma për çdo natë !

Nëpër ekrane televizive
Buçet kënga mesdhetare,
Në çdo cep të katundit
Ngre Xhamia me minare !

Kur e pyetën Erdoganin:
Pse në kulturë investime ?
-Tha na duhen shqiptarët,
Për “lutje” dhe “dëfrime” !



VJESHTA POLITIKE

Me frytet bashkë
Bien dhe gjethet,
Partitë në fushatë
Kaplohen nga ethet !

Kapen nga droja
E quajtur “Disfatë”
Duke mos kursyer
Mundin dhe paratë !

Disa do t’i humbin
Të gjitha me radhë,
Veç ata të mësuarit
Që rrinë nën dardhë !

Pastaj do të ulen
Edhe pak në peshë,
Me zërin e ngjirur
E veshët në lesh !

Flasin statistikat
Me gjuhën faktike,
Ka hy në sezon
Vjeshta politike...

Nuk është me rrezik
Aspak për shëndet,
Sillet ky “virus”
Në çdo katër vjet !

Prapë vjen retorika
Premtimet e buta:
“Si kopshti me lule,
Që nuk na jep fruta !”



ERDHI DITA..!

“Erdhi dita”, s’ka me pritë,
Nuk jetohet në Opozitë !

Kjo parullë me krekosje,
Zuri vend n’Vetëvendosje !

Është e bindur kjo parti,
Se do t’ngjitet në Qeveri !

E pret Ditën me gëzim,
Në fitore me çdo çmim !

Seç ngrihet në avantazhe,
E lazdrohet me sondazhe !

“Erdhi dita” mos “Beso.”
Nuk është Vota dosido... !

Pa përvojë në pazare,
Vetëvendosja dështon fare !

Do të mbetet e Zezë Ditë,
Si dikur në Opozitë !

Për t’vazhduar me këto mend,
T’i hedh vezët në Kuvend !

Kështu e kanë n’koalicion,
Kush - kujt "hilen" ia pallon..!



FUSHATA ZGJEDHORE

Një politikan arushan
Ç’e gjeti belanë
Fushata zgjedhore
Nuk i shkon për dore
Të fitojë vota
Provon medet
Meqë fort e do
Jetën në pushtet

Nga goja nxjerr
Ky farë oratori
Premtime shumë gjëra
Po si thotë të tëra
Sepse i ngel në grykë
E shkreta oratorikë

Qytetarët thanë me premtime
Nuk na mbetën qime
Në kokat me halle
Ti me ideale
Vjen midis nesh
Me fjalë kalavesh
Mjaft frazat e kota
Shkurt të duhen vota

Për ne mos qaj kokë
Deputet o “shok”
Kjo është e tëra
Mjerë masa e mjera!



BUDALLALLËK
E
MASKARALLËK !

Në një Katund
Me lumin në mes,
Ishin çuar peshë
Nja dy teknefes !

Për fatin e jetës
Të dy të zi,
Njëri shan Katund
Tjetri qesh shtëpi !

Me këta sojsëza
Nuk kalonte ditë,
Pa rënë në telashe
Pleqtë dhe të rinjtë !

Katundi të keqen
Nuk kishte qetësi,
Me një parazit
Dhe një belaxhi !

Po ky stil i jetës
Nuk ndryshon lehtë,
Kur nga Katundi
Zbritën në qytet !

Dhe zanat i vjetër
Nuk mbaron me kaq,
Njëri do biznes
Tjetri lyp haraç !

Duken sikur “Bossa”
Kravatë e jelekë,
Mirëpo, kanë harruar
T’veshin edhe brekë !

I pari vendosi
Të blej Autobus,
Ndonëse biznesi
S’është për baksuz !

I dyti politikën
E merr si model,
Mendon se pushteti
Qenka për dembel !

Këta dy mendjemëdhenj
Janë zhytur në stres,
Me fjalë e kopalla
Nuk bëhet biznes !

Ashtu siç duken
Ngelin për çudi,
Me budallallëqe
Deri n’pafundësi !

Me këto aventura
Nuk ndalen aspak,
I pari nxjerr mjekër
I dyti lëshon bark !

Pasulxhi e Duhanxhi
Vazhdojnë me hajgare,
Me biznes, kuptohet
Fitohen shumë pare !

Uroj të mos preken
“Bossat” pa kuleta,
Me një poezi
Nuk ndryshohet jeta!

Kush e di nga janë
Këta dy kallafatxhi ?
Do ta gëzoj pushimin
Një javë në “Victori” ?!




RIKTHIMI ZJARREVE

Zjarret prapë rikthehen
Në tokat shqiptare,
Ato vijnë t’qëllimshme,
Duket ashiqare…

Bëhen shkrumb e hi
Me qindra hektarë,
Shkurre, pisha, male
Përfundojnë në zjarr !

Flaka edhe tymi
Vazhdojnë n’pafundësi,
Askush nga këto zjarre
Nuk jep përgjegjësi !

S’japin llogari
Bëmat me taktikë,
Nga të cilat jeta
Vihen në rrezik !

Me këto marifete
Fare s’na bënë puna,
Po na shkon për lesh
Flora dhe fauna..!

Institucionet me nder
Nuk skuqen kur thonë:
-Malet janë mushkëritë
E planetit tonë !




PSE IKIN SHQIPTARËT ?!

Sikur të shpallej, një garë maratonike,
Shqiptarët radhiten, të parët në ikje !

Nuk ikin nga mendja, por ikin nga zori,
Nga ikjet e shpeshta, lumi seç na mori !

Ata që kanë ikur e kanë një pikëllim,
E shijojnë jetën me mall në mërgim !

Kafshatë e gurbetit, s’përtypet lehtë,
Të lidhet në fyt e s’të lë të qetë…

Ata që kanë ikur, për një jetë të mirë,
Të shkojnë e të vijnë, nuk e kanë vështirë !

Sidomos gjatë verës, për dasmë e gazmend,
Dhe për sa ahengje, që nuk mbahen mend..!

“Dita e Diasporës”, “Sofër mërgimtari”,
Si dhe “Promenada”, për qejf gurbetqari !

Sa shpenzojmë për "gëzime" me miq e shokë,
Askush s’do të ngelte, pa kulm përmbi kokë !

Kjo çmenduri e jonë, s’matet me kufi…
Kush e thotë se s’jemi popull gjymishli !

Po rastis gjermani, të vij para derës,
Mendon se shqiptari, martohet veç verës !!!



KËRMILLI NË BREGDET

U mërzit kërmilli,
Në guaskë të vetë,
Vendosi të shkoj,
Një javë në bregdet.

E doli si dalin
Nudistët bythëtrashë,
Lakuriq i zhveshur
Turravrap në plazh !

U çmendën turistët
Desh ngritën padi,
Çdo hap të kërmillit
Ndiqnin me bezdi !

I thanë të largohej
Larg-larg nga Ulqini,
Ose do ta çojnë
N’fabrikë konservimi !

U vërejt keq kërmilli,
Lëshoi jargë nga goja,
Me guaskë më falni
S’mundem të notoja !

Keni ardh’ me nder
Të laheni pa derte,
Po ju pse si morët
Shtëpizat me vete ?!




AS-AS-ët e HEM-HEM-ët

Në këtë kohë të çmendur, nuk di si të them ?
Na u mbush Lugina, As-As dhe Hem-Hem !

As-As-ët nuk n’grahen, as n’grehen pa fund,
Besa dhe Hem–Hem-ët, nuk lidhen askund !

N’Bujanoc të parët, kur ishin në pushtet,
Desh sa nuk e zhvatën dhe bythën e vet !

Po tani si duken këta As-ët e ngratë,
Sikur Qyqe bregu, malit t’u kukatë !

Mallkojnë të shfrenuar, për fatin e zi,
Duke sharë e shpifur, ndjellin lemeri !

S’pajtohen kështu, të ndarë pikë e pesë,
Po dhe e nesërmja, s’i ushqen me shpresë !

Në batak të zhytur, përpëliten me zor,
Nuk mund t’i tërheq, “Saba” me traktor !

Ashtu dhe n’Preshevë, Hem-ët n’pushtet,
Me gjitha të mirat, nuk ndihen të qetë !

Me mendje të krisur, sulen si të çmendur,
I bren nga thellësia, një marrëzi e vjetër !

Meqë koha ndërron, siç ndryshon një modë,
As-ët edhe Hem-Hem-ët, dehen bëhen rrotë !

Kur shohin rrezikun, sillen urtë e butë…
Nga loja djallëzore:”Tërhiq e mos këput!”




LUFTA PËR PUSHTET

U çmendën shqiptarët
Në luftë për pushtet
Nga brenda dhe jashtë
Shpërthejnë si tërmet

Nuk kursejnë fjalët
Me premtime shumë
Sharjet edhe shpifjet
Rrjedhin sikur lum

Anë e kënd Shqipërisë
Protesta pa fund
Nuk dhunohet vota
Si te ne askund

Po edhe n’Kosovë
S’është aspak më mirë
Dalin n’sipërfaqe
Maskat pa fytyrë

Fluturojnë karriget
Për një grusht pushtet
Kthehen Kuvendet
Në cirk të vërtetë

Por maskat shqiptare
S’janë pa origjinë
Ato rreth e rrotull
Sillen në Luginë

Me shumë opsione
Të mëdha e të vogla
E me do të tjera
Që nuk vlejnë për gogla

Për shtet të luftonim
Sikur për pushtete
Nuk do t’ishim ndarë
Në shumë “Vilajete”!




KA MË KEQ..!

Një që s’kishte krahun
E hiqej me të meta,
Donte sa më parë,
Të ndahej nga jeta !

Në kulm të ndërtesës
Hipi me siç thonë,
Për t’i dhënë hallallin
Jetës përgjithmonë !

Nga lart e sheh poshtë
Njërin pa krahë, ore
Që lëvizte shpejt,
Si i çmendur fare !

E pyet nga lartësia:
Pse kërcen o vëlla?
- Thotë më kruhen koqet
E nuk kam me çka...!

Ngreh kokën Çallaku,
Duke hequr valle...
Paska dhe më keq,
Në këtë botë me halle !



LEPURI NË BARK

N’fushatën zgjedhore
Na u sëmurë Miku,
Për pak sa s’na zuri
Për bishti rreziku !

Dhembjet cicëruan
Përmallshëm në t’zezë,
E kishim të ziun
Si “çelësin francez”!

Hynte për çdo punë
E dilte me nder,
Po, ja, u sëmurë Miku
Pa faleminder !

Me vrap në spital
Derdhëm lot për faqe,
Për pak sa si shkulëm
Vetull e mustaqe !

Mjeku tha gjakftohtë
Mos keni merak,
Mikut i ka hyrë
Lepuri në bark !

Merreni me vete
Në shtëpi ngadalë,
S’ka nevojë Turreci
T’shrihet në spital !



ORËT
E KRIZËS
DEMOKRATIKE

Shpërthyen të zëshme
Me vrulle patriotike
Orët e krizës
Demokratike

Ngarendën të shfrenuara
Gjithandej me fatalizëm
Dje të përgjumurat
Në komunizëm

I “mirëpritëm” orët
E dhembjes krenare
Nëpër protesta
Nëpër trotuare

Nëpër Kuvende
Me grushte e karrige
Përveç zjarrvënies
N’objekte publike

Po sot si duken
Të lumet medet
E kanë humbur rrugën
Në oborr të vet

Me zor i ngatërrojnë
Hapat maratonike
Orët e krizës
Demokratike!



SOJSËZI

Populli e thotë bukur shpesh,
-Dreqi s’ka dhen e shet lesh !
Shet ore laneti - qoftëlargu,
Sepse “malli” i vjen te pragu !

Krejt në rregull ç’i ka hije,
N’formë dhurate po për besë !
Prapa tij ndonëse fshihet,
Një botë plot me interes !

Nga ky fat në këtë krizë,
Kalon njeriu nëpër mend !
Por, ju lutem n’çfarë sistemi,
Soji i dreqit priti rend...?!

Në monizëm u gjet fare,
Për t’vazhduar edhe sot...
N’skenën tonë “plurale”,
Pa e ndërruar vesin dot !

Engjëllor me pamje qengji,
E qaf nipi e puthë daja...
Mirë e di ky lloj Sojsëzi,
-Me hesap hahet dyjaja !



VESHËT POLITIKË

Me veshët në krahë,
Zgjohemi çdo ditë,
Veçmas ata…
Që janë n’opozitë !

Fuqimisht ngrihen,
Për të marrë vesh,
Për të përgjuar
Ç’po ndodh mes nesh !

Por, shoqëria jonë
“Plurale”, “fisnike”,
S’heq dorë nga zakoni
I grindjeve politike !

Me sa mend Evropës
I themi ashiqare,
E kanë lënë veshët
Është shurdhuar fare !

Po ku jemi ne
Me të lumet bigë,
Flasim për unitet
S’e kemi n’praktikë !

Thonë gjatë historisë
Na janë shkulur shpesh,
Veshët muskulozë
Të strukur në lesh !



PENSIONI

Pjesët e trupit
Një ditë me pasion,
E lutën Zotin
Të dalin në pension !

Të parët u ngritën,
Dy sytë e ngratë:
-Jemi të lodhur,
Nuk shohim qartë !

Pastaj me radhë:
Veshët dhe këmbët,
Të gjithë me arsye,
I treguan dhëmbët !

S’ndiejmë as ecim
Me vrull si atëherë,
Zoti ua pranoi,
Lutjet me nder !

Në fund nga thellësia
E barkut piskamë,
Një zë i dobët,
Doli me ofshamë !

Dua që të shkoj
N’pension dhe unë,
Mu ka prish kandari,
Nuk jam për atë “punë”!

-Çohu! i thotë Zoti,
Kush je ti, dëgjon ?
- Me mund me u çue
S’lypi pension!




ARIU KARIZMATIK

Një Gjahtar mendjevrarë,
I mllefosur ndizet zjarr !
Merr në shenjë një Ari,
Do ta vras, gjithsesi…!

S’pranon këshillë e qortime,
Në Ariun s’ka lëshime…
Ka plaçkitur disa dele
Edhe mjaltin në koshere.

Ngjitet malit me ngadalë,
Kur Ariu i del përballë !
E zë pritën skaj një Lisi,
Mirëpo, pushka nuk i krisi !

Mbet i shtangur fatziu,
Çka po do i thotë Ariu ?
Zgjidh, s’të luti shumë,
Jetën, apo atë “punë” ?!

Të dytën pranoi me pishmane,
Hoqi rrip e pantollone …
Gjahtari u kthye në shtëpi
E nuk zuri gjumë në sy !

Zgjohet herët mendjepëlle,
Prapë i lindi një ide….
Hyn në mal pushka s’lun
Dhe Ariu, prapë atë “punë” !

Thotë e treta e vërteta,
Niset malit si shigjeta,
Kur arrin në atë vend,
Mbet Gjahtari i pa mend !

E hedh pushkën që nuk krisi,
E drejtohet për te Lisi,
S’pat nevojë të flas me gojë
E bën punën me përvojë !

Seç i lindi dyshimi Ariut,
E i thotë Gjahtar fatziut:
-Vjen t’më vrasësh, hë si thua ?
Apo t’bësh seks me mua ?!

Pasi ta lexoni këtë humor,
Besoj se nuk e keni zor.
Të përcaktoheni për fitimtarin,
Me Arushën, apo Gjahtarin ?!



OPOZITARI

Opozita e zezë dita,
Sikur dhelpra nëpër prita,
Bam këndej e bum atje,
Me dredhira sikur dje…

E ndërron qimen e zanatin,
Në pafund e shtyn inatin,
Veç të kthehet në pushtet,
S’e kursen nënën e vet !

Me idenë përmbi re,
Po s’i bëri gjeli ve!
Nuk i bën se është dinak,
I ka hyrë dreqi në bark !

S’e ngop leku as byreku,
Vetëm gropa e hendeku,
Që është rrasur në skandal,
Si veshgjati në kanal !

Sa për popull merret vesh,
Nuk e lodh rradaken shpesh,
Sall premtime drithë e miell,
-Lavdi n’qiell – bytha n’diell !

Mjaft shpifje e mashtrim,
Vota e lirë e ka një çmim,
S’ngjitet lart opozitari...
Sa i vdekuri – del nga varri ?!



DITËLINDJA E “SPICËS”!

I ka mbushur Spica plot 60 vjet,
Thotë se i shkuan si uji përpjetë !

Dy dekada mësoi për kodra e brigje,
E katër të tjera pa punë nëpër gjyqe !

Çdo kush nëpër botë sillet me të mira,
Vetëm Spica “hajrin” e ndanë me satira !

Mbeti me t’vjetrën me hall përmbi hall,
Duke u përpëlitur sikur peshku në zall !

Ndërroi qeveritë një nga një me radhë,
Pak i ra Spicës të qëndroj nën dardhë !

Por edhe kur qe, si t’mos ishte fare,
Tugjarët i hynin, për derë e dritare !

Po Spica me majën e mprehtë metalike,
Asnjëherë s’i ndahet skenës politike !

I thumbon veset me t’gjitha dredhitë,
Që sot po harlisen me nder n’opozitë !

Por ç’e do se Spica plaket për çdo vjet...
Me shpresë se majën do ta ketë shigjetë !

Ende rron e thëna - gozhda kur përkulet,
Përballet me Spicën, nëpër spica ngulet !



FESTA DHE PROTESTA

Këto ditë vikendi, proteston Shqipëria,
Kurse në Kosovë, feston pavarësia…

N’vend se shqiptarët të jenë bashkë në festa,
Ata të përçarë shpërthejnë në protesta !

Pa mbaruar dimri, qe “Pranverë Shqiptare”,
Erdh’ me tensione – duket ashiqare !

Fillon me protesta, madje dhe trazira...
Nuk shembet pushteti, me vezë e ngjyra !

Aq më pak e keqja, që fryhet tupan,
E zihet me t’mirën, brenda në kazan !

Lufta për pushtet, nuk mbaron me kaq,
Dhe se zjarr i saj, përvëlon si saç !

Flenë sikur lepuri, me një sy hapur,
Për një pushtet nga krimi i kapur !

Por edhe kur ngjiten shkallëve n’Qeveri,
Sillen si të çmendur, nuk janë n’terezi !

E zhveshin Kuvendin nga vlerat morale,
Duke e zhytur n’aferë e skandale !

Po edhe opozita nuk lë asgjë mangut,
E dehur për poste, kërcen përtej pragut !

Këndej nga Lugina pyesin me t’vërtetë,
Pse kaq shumë shqiptarët, vuajnë për pushtet ?!


*  *  *

Sevdail Hyseni, lindi më 24 mars 1959, në Priboc, Komuna e Bujanocit.
Ka mbaruar Fakultetin Filologjik – Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Prishtinë, në vitin 1982 si dhe ka ndjekur studimet pasuniversitare.
Me gazetari merret që nga viti 1990. Një kohë të gjatë ka qenë kryeredaktor i revistës “Jehona” (1992-2002), pastaj gazetar korrespodent nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja i gazetës “Kosova sot” (1998-2000), korrespodent i gazetës “Bota sot” (2000-2002), bashkëpunëtor i revistës mujore “Ekskluzive” etj. Mes viteve ’94-’96 ka ushtruar misionin e kryetarit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut për Bujanoc, Preshevë dhe Medvegjë.
Në periudhën prej viteve 2002-2006, ka ushtruar funksionin e kryetarit të Asamblesë komunale në Bujanoc.
Gjatë viteve 2006-2008 është editor i revistës javore “Perspektiva”, revistës për fëmijë dhe të rinj “Diellori”, si dhe revistës mujore për informim dhe kulturë “Jehona”. Ka ndjekur disa trajnime gazetareske, të organizuara nga OSBE-ja si dhe ka marrë disa certifikata.
Që nga viti 2001 është president i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva” dhe nga viti 2008 është kryetar i Klubit të Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës.
Që nga viti 2009 emërohet drejtor i Radiotelevizionit të Bujanocit, të cilin funksion e ushtron në mandatin katërvjeçar.
Përveç gazetarisë merret edhe me krijimtari letrare dhe publicistike.
Deri tashti ka të botuar si bashkautor një libër dhe qindra shkrime publicistike.
Jeton në Bujanoc.

Gani Mehmetaj: TOKA E PREMTUAR

Gani Mehmetaj
Tregim 

       Stuhia e bëri rrëmujë qiellin. Dridhjet epileptike të fluturakes shkaktuan frikë të pakontrolluar ndër udhëtarët. Dikush tha se rrufeja e goditi motorin e parë. Klithmat përpiqej t’i qetësonte stjuardesa nëpërmjet altoparlantit. Ajo i luste të gjithë të mos ngriheshin në këmbë, të mos mësynin nga kabina e pilotit dhe të mos vepronin krye në vete. Trazimi i udhëtarëve ishte po aq shqetësues, sa stuhia qiellore. Një mësymje në grup dhe aeroplani do të përmbysej.
          "Erdhi fundi i botës, pendohuni o mëkatarë!", lutej a kërcënohej dikush me zë më të lartë se sa të tjerët. Një dorë e fuqishme ia mbylli gojën me forcë. Zëri profetik nuk u dëgjua më, por britmat nuk pushonin.
       Ai rrinte i shushatur, i shkëputur nga klithmat. Mendimet i fluturonin përtej dritares së ngushtë të fluturakes. Peizazhi i reve të shprishura, u zëvendësua me vendin e shkretuar nga lufta, me shtëpi të djegura, ku kishin mbetur kufoma të shpërbëra. Kolona të gjata të të leckosurve me traktorë, njerëz në këmbë apo në vig gjarpëronin tutje.
       Si në rrëfimet biblike, tha me zë të ulët ai. Edhe vetja iu duk sikur të kishte dalë nga Bibla. Ishte i mpirë, i dëshpëruar, i thyer shpirtërisht. Nuk e kapte fillin, ngjarjet i rrëshqisnin nga mendja. Brodhi nëpër gjysmën e kontinentit, e mbështesnin të gjithë, por ai ndiente akullim në zemër. Një zë i pëshpëriste në vesh me këmbëngulje: Po u vonove edhe më, gjërat do të marrin mbrapshtë, në vend se të shkonin për mbarë. Pamjet nga televizionet e huaja e trishtonin kur shihte grupe a individë të leckosur se si futeshin nëpër shtëpi si të përhënët dhe dilnin të ngarkuar me rraqe.
       E këta, kë plaçkitin?! Veten?! Nuk u besonte syve. Janë shtetasit e mi paqësorë, durimtarë, të vuajtur e të heshtur? Janë ata që pulës “ish” nuk i thoshin? E mbërtheu pikëllimi i paskajshëm, si atëherë kur ia sillnin raportet për shtetasit e vrarë e të plagosur, për katundet e djegura e të rrafshuara me tokë nga artileria e armikut, apo kur ia tregonin numrin e të shpërngulurve, që fryhej e fryhej derisa qytetet shndërroheshin në vendbanime fantazmash.
       Ashtu i përhumbur i erdhi zëri kumbues:
          “E përdhosët tokën e premtuar...! E bëtë ashtu sikurse nuk duhej ta bënit...! E vodhët vendin tuaj si të ishte tokë e armikut, ndërsa armiku iku..."
          "Fali, o Zot, se nuk dinë ç'bëjnë, nuk janë vetja!" përpiqej ta zbuste ai zemëratën nga qielli.
          "Përdhosja e vendit është më e keqe se përdhosja e faltores!" bubulloi zëri. "Janë bukëpërmbysët e mosmirënjohës, janë shpirt skllavi, që vetëm frikën e ndëshkimit e njohin", ia gjuante fjalët e rënda si predha artilerie.
          "Zot, mos më ngarko me detyrë kaq të rëndë, nuk mundem, nuk kam forcë të ngre shpatën e drejtësisë mbi ta, më dhimbsen, janë të mishit e të gjakut tim, kanë vuajtur shumë, kemi vuajtur së bashku, nëpër rrathët e ferrit kaluam".
          "Nuk mësuat asgjë. Harruat të vrarët para së t'u thahej dheu mbi varret e tyre, latë në mëshirën e fatit fatkëqijtë që pësuan nga lufta, babëzia ua ka errësuar mendjen. Po nuk i ndëshkove ti, do t'i ndëshkojë dikush tjetër. Po nuk u dole me shpatë përpara, që t'ua ndalësh turrin, ata nuk do të ndalen. Nuk munden pa idhuj. Kanë nisur t'u falen djajve. "
          "Janë të hutuar e të çoroditur. Shumë të këqija u ranë mbi kokë, nuk i përballuan më vonë as të mirat që u erdhën si shiu i verës. Nuk e kanë veten në dorë".
          "Ata duhet ndëshkuar që të këndellen".
          "Mos me vë para sprovash të mëdha. Nuk mund të bëhem kamxhiku i Zotit, nuk jam i atij brumi".
          "Dikush do ta bëjë. Kamxhikun duhej ta fshikullojë. Ata që po vijnë pas teje janë ndryshe. Për mëshirë e përdëllim nuk dinë. Do të zhvatin e do të rrëmbejnë si peshqit mishngrënës të Amazonës që vetëm kockën ua lënë viktimave. Dhe njerëzit do t'u shkojnë prapa".
          "Mbase duhej t'ua edukoja trupin para se t'ua edukoja trurin, por pata mëshirë për fatkeqësinë e tyre, pushtuesi ishte i egër".
          "Kot që i kurseve. Ata harruan mëmë e tatë, harruan të kaluarën, e errësuan të ardhmen. Po nuk i ndëshkove ti, ndëshkimi im do të jetë më i rëndë se sa ndëshkimi ndaj popullit të Moisiut në Luginën e harruar. Tokën e premtuar do ta shfrytëzoni, por nuk do ta ndieni tuajën".
          "Zot, mos na ndëshko aq rëndë, nuk e përballon populli im një ndëshkim të ri".
          "Ju çliruan, por nuk do të jeni të lirë”.
          "Fëmijët nuk kanë faje për prindërit".
          "Prindërit do t'i mësojnë keq pasardhësit e tyre. Së bardhës do t'i thonë të zezë, kurse së zezës të bardhë. Do të flisni në gjuhën tuaj pa ju penguar askush, por s’do të merreni vesh në asgjë në mes vete, nuk do t'ju kuptojnë as të tjerët edhe kur ua flisni rrjedhshëm gjuhën e tyre. Do të vajtoni robërinë, madje do ta quani koha e artë”.
          "Kjo është çoroditje kalimtare!"
          "Çoroditja ka nisur më herët, por nuk e ke vërejtur. Disa bastardë qysh tash kanë nisur ta kërkojnë pushtuesin e moçëm. Çlirimtarët i quajnë robërues e robëruesit çlirimtarë. Po bëheni racë e përçudnuar e mosmirënjohëse".
          "Mëshirë për popullin tim të hutuar", arriti të nxirrte nga buzët e shkrumbuara, përderisa e ndiente se po e braktiste prania e Zotit. Ai ishte përkulur dhe lutej në heshtje. Rrëmuja në aeroplan vazhdonte, por atij nuk i bënte përshtypje, ishte thelluar në botën e tij.
          "Zot, bëje ëndërr!” pëshpëriste në qetësi.
       Por në vesh ende i kumbonin fjalët profetike: "Tokën e premtuar do ta keni, por nuk do ta gëzoni. Dikur iknit nga armiku, sot do të ikni nga tuajt, të mbërthyer nga dëshpërimi që nuk e keni pasur kurrë më parë.
       E pikëllonte shpërfytyrimi i shtetasve, por s'dinte si t'i dilte ndesh shëmtisë. Dikur merrej vesh mirë me ta, por tash ishte ndryshe, grupet e pafre nuk njihnin Zot as ligj, askush s'kishte guxim t'u dilte përpara. I druante ndëshkimit të Zotit, por nuk dinte si t'ia zbuste zemërimin.
       Ashtu i përhumbur shihte me sy gjysmë të mbyllur përtej dritares në kaltërinë verbuese të qiellit. Nisi të kotej. Zhurmimi gjumëndjellës i motorëve të fluturakes e qetësonte, por zbrazësia në shpirt i thellohej.
       Vetëm kur u dëgjua kërcitja e thekshme e rrotave të aeroplanit në pistën e aeroportit, u këndell. Hapi sytë i hutuar si të vinte nga bota e përtejme. Aeroplani përpëlitej i pasigurt në pistën anësore, hepohej herë majtas, herë djathtas. Udhëtarët e shqetësuar jepnin e merrnin, disa makina me sirena të portokallta i shkonin fluturakes prapa, ai shihte turbullt përreth, por nuk i dëgjonte çfarë flisnin.
       Dridhja e aeroplanit dhe ngasja e gjatë nëpër pistë, iu duk e pafundme. Pse e mënjanonin fluturaken nga qarkullimi, sikur po e fusnin në karantinë? Nuk e kuptonte as pse njerëzit kishin hapur sytë të tmerruar...

Dienstag, 19. November 2019

Perla satire e humori nga poeti Faruk Tasholli

Faruk Tasholli

R R E N A

Rren me hov rren pushtetari
Rren e rren opozitari,
Mos me ra populli n’gjumë
Shtyhen kush po rren ma shumë!

Që nga jugu në veri
Po fryjnë rrenat me furi,
Siç e bjen vetë borën era
Veç me rrenë na u zu dera.

Pa ia vu kush gojës fre‘jtë
Edhe na u m‘su’m me rrejtë,
Si dikur veç dekorata
Me rrenë marrim doktorata!

Po për rrenën që del sheshit
Nuk i jep kush as pesë pare,
Nga kupolat e pushtetit
U ba rrena vlerë komb‘tare!



TEATËR PARA TEATRIT

Vijnë politikanët me barqet e qitura
Mu si shtatëzënat në muajin e gjashtë,
Brenda aktorët me role të goditura
Pa parë ç'teatër po luhet jashtë?!

Ç`po ziejnë Otello, Romeo, Hamleti
Sa rëndë ndanë teatrin perdja e ngrirë,
Nga skena i ikur bredh Jago i shkreti
Në figura të gjalla jashtë i tëri i shkrirë!

Nga njëri shpirt në shpirtin tjetër
Hyn e del Jago fshehtas me magji,
Ka shekuj që luhet kjo lojë e vjetër
Veç unë, thotë, këtu, mbeta i ri!

Ceremoni të gjata përshëndetjesh
Buzëqeshje, lëvdata plot gënjeshtër,
Me zhveshje dhëmbësh e koka epjesh
Garojnë në hol kush del më mjeshtër.

Teatër i çuditshëm përpara teatrit
Poltronët, lëvyrësit,angërdufët në kor,
Kush janë kokultët, kush ballëlartët
Të ndahen me perde qenka zor!




HUNI DHE MAGARI

Veç me mujtë magari
Nji herë me kapë hunin,
Kish m'i shkoq do njerëz
Që ia kanë marrë trunin.

Kish me dalë qytetit
N'çdo hap tu' i taku,
Dykambshat mbrapshtana
Të vyem për hu!

Ani me zgat kryet
Me k'qyr n'parlament,
Prej poterës, gazit -
I kishin dalë mentë!

Ish ndalë m'u ankue
N'derë të Qeverisë:
Pse na përgojoni
Si soj t'magarisë!

Vërtet na magarët
Bërtasim tuj pallë,
Por mirë e dimë rendin
Kur duhet m'u ndalë.

Ndërsa ju or shokë
Mbytni pëllitjet tona,
Tek e çoni zanin
Nëpër mikrofona!

Ne gjithë nëpër shekuj
Besnikërisht kem` pallë,
Po pse ju o njerëz
Ndërroni fytyrë e fjalë?!

Ah, me pasë magari
Veç nji herë nji hu!
Kush ia mori veset
Krejt e kish shkoklu!



RANË BAJLOZAT E PARTIVE

Ç’ranë bajlozat e partive
Nga forcë e Gjergj Elez Alive?
Po kah erdhën e kah dolën,
Çka banë trimat e çka folën?

Disa thanë dolëm prej detit
Do të tjerë vetë i prinë vetit,
Do me huj e do me huta
Do prej qiellit si parashuta!

T’gjithë të rruem e të kruem
As nga rriqnat të pickuem,
N’parlament bajshin piskamë:
Për Kosovë gjak kemi dhanë!

Dhe t’i hynë krejt shtetit mbarë
Me dosllarë e me kumbarë,
Fuq e fuq kry’t n‘tendera
Shpejt u banë – milionera!

Kush i trashë e kush i hollë
Me para blenë edhe shkollë,
Shkolla t’larta shkolla fillore
Sa për veti, gra, dashnore!...

Nuk u panë udhës kah ranë
Kush n’Prishtinë e kush n’Tiranë,
Sa zbardh dita e erret nata
Rrush me tituj, me doktorata…

Por sa shpejt ndërroi bota
Kur me pare s‘u shit vota,
Kryengul si prej çative -
Ranë bajlozat e partive!

Kush i hodhi kush i priti
Me ç’topuz kush i goditi
Veç dy gishta t'kryetrimit
Te kutia e votimit!




JEMI POPULL FANTASTIK

Jemi popull fantastik
Në nji vorbull politik,
Gojën plot shtet ligjor
Po kush merr ligj në dorë?

Ku s’na shkon ligji për shtati
Ngulim krye si çykë shati,
Sa t’ia bajmë qefin vetes
Për Kanun ia kalojmë Lekës!

Jemi popull fantastik
Nis e sos akademikë,
Me diploma t‘gjenialitetit,
Pa shkelë derë të fakultetit!

Jemi popull rrimë nën hije
Kampion për kangë trimnie,
Fluturojmë bre sipër reve
Tavolinave t‘ kafeneve!

Kur s’na shkon puna mbarë
Patriotët bajmë tradhëtarë,
Po në pullë kush ta vnon fare
Kur burrnia blehet me pare?!

Jemi popull pak me huj
Kemi shtet me dy flamuj,
Njanin kallim tjetri ngrisim
Njanin ulim tjetrin grisim!

Jemi popull, racë fantastike
Këndojmë himne polifonike,
Herë më za herë me gjëmim
Në Kosovë në shtetin trim!




HISTORI E MBRAPSHTË
(Humor politik)

Sy më sy me heronj, legjenda të gjalla,
Po hy historisë, po dal në përralla!
Përralla është përrallë e marr fare rrafsh
Po kjo historia po m‘del krejt e mbrapshtë!
E mundoj veten me rrena e t’vërteta:
A ish Mic Sokoli trim si Ilir Meta?!
Kush ma heq nga sytë këtë mjegull dyshimi,
Kish Hasan Prishtina mend sa ka Hashimi?
Politikë komedish, në popull luhen drama
A ish Ali Pasha i fortë si Edi Rama?
Nisem e kërkoj, djersë më mbushet këmisha,
A ringjallej bajlozi si Sali Berisha?
Politikë shqiptare, zjen si n’oxhak prushi,
A kish Herkulesi muskuj si Ramushi?
Mos me çu ma larg po i bie për shkurti
A ngulte Enver Hoxha kambë si Albin Kurti?!
Trimat nga pushteti ranë si gjethe shtogu
Vilë n‘Vienë si Nano a kish Ahmet Zogu?
Pyes e pyes pa lidhje nuk flet historia
Rrnofshin trimat tanë që kur lindi partia!...




DREQI I MADH
(Kangë arkaike në
përditshmërinë kosovare)

Si pat thanë ai Kryelivadh
K'tu ka hi nji dreq i madh,
Dreq i madh e dreq me brina
Që pykë lisi u ba Prishtina!

K'naqet dreqi rrin krenar
Kah i sheh 100 shqiptarë,
N'maje t'kresë i shkon lezeti -
Si nuk mirren vesh nër veti.

Jo ma ki, jo s'ta kam
Jam me ty me atë s' jam,
I kem numrat s'i kem gishtat
Fërc e fërc po dalin bishtat!

K'naqet dreqi po t'baj be
Nëpër sheshin Skënderbe,
Kah sheh trimat n'Parlament
Qysh e lanë Kosovën peng.

Po rrin dreqi me nji kambë
Mirë që s'del kush me ju thanë,
Nji i fortë thi karathi:
Trus bothë k'ti e trus ati!




POLITIKË PËR QEFI

Kur naj hoqi NATO anmikun prej shpisë
Sa shtirë u mësuem me frymë të lirisë?!
Ta rrahim grusht vetin kush s'na qiti prita
Gropa-gropa gjoksat i bamë për merita!

Mendja na u mbush se s'ka kund shqiptarë
Zoti e lëshoi dorën na ktheu n'legjendarë,
E t'i rrokëm kangët që na shkojnë për huji
Dil ku je fsheh dheut Gjeto Basho Muji!!!

Sa shumë xhamadana u banë vija-vija
N'vend t'Aristotelit erdh Xhemajl Abria
Në Prishtinë nga malet se ç'u ulë Kanuni,
Kush pat nji hu gardhi na zuni përfun'i!

Po ky Hipokrati, ku na mbeti ku?
I dolën falltarët:Ti s'ki vend këtu!!!
Dhe iku i shkreti në Greqinë e lashtë
Kambkryq i la burrat në odat me kashtë!

Hajde t'i lamë odat ndryshe e don rendi
Ç'na u nisën burrat – turr kah Parlamenti,
Por „Stop“ tha Europa për burrat e ngratë
S'asht odë Parlamanti mos me hy as gratë!

Haj u zunë keq burrat u banë si rreth defi
Qysh me ba si deshtëm politikë për qefi,
Nëpër fakultete shpejt e zgjatën dorën
Veç me marrë diploma përzunë Pitagorën!

Si shkon politika pa tituj pa grada
Lum që kompjuterat shtypin dekorata,
Por tash u ndal koha si t’i bahet hallit
Na mbeti ky shtet birë në fund t’kavallit.




DHIA E MAREFCIT

Dhia e Marefcit zbriti në Prishtinë
E po ecë me naze ngadalë trotuarit,
E lodhun e shkreta pa përdorë makinë
Kërkon në mos has dyqan të floktarit!

Ç’të duhet floktari mori kafshë e malit?!
Ndjehet se e tallin zonjat me shikime;
Ju që lidhni flokët bash si bishti i kalit
Pse i tallni shoqet me frizurën time?

Në ndejat me kafe kur shfaqni frizurat
Vjen emni i im në kulm të sikletit,
A nuk i m‘suet keq me folë edhe burrat:
Kush t’i preu flokët si dhi e Marefcit?!

Edhe unë frizurën, thashë, ta baj si ju
Së paku t’i ngjyj pak kimet e shpinës,
Se edhe burrat po i ngjyjshin kështu
Flokët thinja-thinja në mes të Prishtinës?!

Dhia e Marefcit sheshit rrak e tak
Me kambët si take ecë për mrekulli,
Po thotë vetë me vete pse nuk kthehem pak-
Të rri n’parlament a në qeveri?

Dhe si zonjë niset drejt kah paramenti
Te kambët e kalit diçka nuk merr vesh
I k’qyr n‘vitrinë brinat a i ka me veti
A mos ia ka marrë ai kalorësi n’shesh?!

N’derë të qeverisë e ndalë policia:
Këtu nuk lejohet me hy dhen e dhi!
Po pse ma ndaloni, nervozohet dhia,
Du me i pa në zyra krejt çobantë e mi!

Kthehet me dëshprim udhës së Marefcit
Tu kalu çdo breg tu kërcy çdo gropë,
Në Prishtinë s’kish lule, dru as erë të gjethit
E krenohen burrat: Na jemi Evropë!!!




PRITI KOSOVË DEPUTETËT

Priti Kosovë deputetët
Me t’marrë n’grusht ty ta kanë mësy,
Sot si lypësa duken t’shkretët
Nesër s’ngihen me t’hyp n’kry!

Me një sy janë patriota
Me një tjetër shohin kacën,
Veç me mujtë ku me ta ngjitë
Sa për nder të shkyejnë si macën.

Do po t’ngrehin kah Europa
Do po donë me t’çu n’Azi,
U k’cejnë mjekrrat hopa-hopa
Me t’i lidh sytë me shami.

Priti Kosovë deputetët
Dymijë gati – si në kros,
Vetëm rrenë e kanë t` vërtetën
Rrenë e rrenë, nis e sos!

Prit Kosovë ti mos pritsh kurrë
Trima t’ fortë për hajni,
Tashma s’dihet kush asht burrë
As kush jep dy lekë për ty.




DHIFQAT E KOSOVËS

1
„Mos e dhini, mos e dhini!“,
- Pse mbi krye po na rrini?
Vetë e dhimë dhe vetë e hamë
Por pushtetin kujt s'ia lamë!
Kështu dhifqat e Kosovës
Flasin tinëz vetmeveti,
Zanë ekrane faqe gazetash
Plot profile interneti.

2
Mendjen lart para popullit
T'u ngreh bëlrryla t'u çu grusht,
Me vesh n'krah kah Amerika
Kur iu mbetet botha ngusht.
Si ma t'mirët n' politikë
Baballarë n'ballë të kombit,
Me fytyrë a pa fytyrë -
Shpirt i mbretit, shpirt i robit!

3
Mos e dhini, mos e dhini!...
Porse dhifqat s'dinë me pra,
Mos me pasë kufi Kosova
Do ta flliqnin nji dynja!
Ha e ha e mos u ngi
Sy e vesh gjithmonë në gjah,
Mbaj e mbaj barkun me du'r
Por teprica del dikah!

4
Dhi aty e dhi këtu
Si thotë populli me dal jashtë,
Kur nuk mujnë krye në veti
Zori dhifqat i ban bashkë.
Ju si t'doni emërtoni
Trimat çfarë ka plitika,
Po unë s' kam si t'u them ndryshe,
Vetëm dhifqa, vetëm dhifqa!

5
Dhinë Kosovën me shpëtu veten
Dhinë miqësitë jashtë e mrena,
Merr kurajo populli im
Jepju pare për pelena!
„Mos e dhini, mos e dhini!“
U çon fjalë Amerika,
Tash i lidhin zorrë e tlina
Trimat tanë nga politika!

6
Gjithë heroj ka pasë Kosova
Burra me nder të vërtetë,
Por këso dhifqash rrallë e rrallë
Që e kallin për bothë t'vet.
Mos e dhini, mos e dhini!“,
- Pse mbi krye po na rrini?
Vetë e dhimë dhe vetë e hamë
Por pushtetin kujt s'ia lamë!




MERRNI TURR JU MIQTË E MI
(Parodi në frymën e Dritëroit)

Merrni turr ju miqtë e mi
Për pushtet afrohen orët,
Tren i fundit bën: fi-fi!
Ndërsa ju, iu krisin pordhët!

Merrni turr se keq u plakët
Atë pikë shurrë mezi e mbani,
Vijnë të rinj e ju s’duroni
Kurrë të dilni nga karvani!

Merrni turr se politika
Rrenë ka qenë e rrenë ka mbetë,
Veç hajninë dhe mashtrimin
Ju e kishit të vërtetë!

Merrni turr ju miqtë e mi
Se në baltë iu lënë dashnoret,
Pa pushtet s’ka dashuri
Shkrihen lidhjet si akulloret!

Merrni turr e mos u ndalni
Se pushteti e çan dhe malin,
Zini votat e thuani popullit:
„Kceva Drinin t‘ q… kalin!“




RJEPENI NANËN

(Parodi sipas Nolit te madh)

Ç'asht ajo pa kunorë n'kokë
E rrëzueme shesh për tokë,
Flokëlëshueme fytyrëzanë
Që në kangë i thoshim nanë?!
Ç'asht ajo në diell e ngelun
Me lëkurën e shpervjelun,
Ç'asht ajo që za s'po qet
Tek e rjepin djemtë e vet?!

Rjepeni e mos kurseni
Asht ngjitun mos i leni,
Zyrtarë grykësa të pangeshëm
Gjeneralë me ushtarë t'rrejshëm,
Mbahu nan-o rri krekosun
Para djemve t'armatosun,
Do me kmesa do me thika
Që s'i ndal turpi as frika!

Rjepeni e mos u ndalni
Asnji grimcë mos ia falni,
Prefektë rrenca rjepacakë
Deputetë o bothcullakë;
Ju ministra kavalera,
Ju që vidhni në tendera,
Ju që rrini krye shtetit-
E ia rritni pagat vetit!

Ç'asht ajo që ka ulë kr't
Kush i pari ia nxjerr sytë,
Seç po shtyhen kush me shky
Kush n'Europë e kush n'Azi!
Rrinë gojëlidhun akadamikët
Kur e çojnë zanin klerikët,
Sa shumë duron Nan'shkreta
Me djem mbetun te Mesjeta.

Rjepeni e mos pushoni
Se kështu veten forconi,
Politikanë e pushtetarë
Djem të dijes e ofiçarë,
Kush e zen i pari anën
Rjepeni me hez nanën,
Nga Pashtriku e në Sharr
Mos i leni vend as varr!




UNË SHQIPËRI TË JAP NDER
(Pak më ndyshe se Naimi)

Unë Shqipëri të jap nder
Ta jap emrin: Shtet kombëtar,
Edhe pse m‘the nëpër kohë,
Na rrofsh miku kosovar!!!

Po ç’mik unë e ç‘vlla ai tjetri
Që mirë emrin nuk ia di,
Rru për rru ty t’rrou dreqi
Trup n’Europë e kry´ n’Azi!

Ti Stalinin e Leninin
Gurë m’i mbolle nëpër sheshe,
Historitë me Miladinin
Çdo mëngjës si brum i ngjeshe!

Hajt ish kohë e bota ndahej
Diku duhej t’zije vend!!!
Po në kohën e lirive
Pse lodron rend e pa rend?!

Unë në terr për emrin tënd
Shkriva jetë e bëra burg,
Që të kemi pakëz dritë
Kohën çova si një murg!

Po ç’tu deshën vëllezërit turq
Që i ngrite n’monument,
Ata që vranë vëllezër t’vet
Për lider e për pushtet?!

Ik më shpejt Shqipëria ime
Nga lakejtë e nga zuzarët,
Se vjen koha, thonë aziatët:
„A kanë pasë k’tu vend shqiptarët“?

Unë Shqipëri të jap nder
Të jap emrin shtet kombëtar,
Se kjo raca politike
Të bën kurvë të palarë!



ENVER HOXHA MIDIS NESH

Thashë se iku komunizmi
Me piskamë e retorikë,
Po për shkallët e pushtetit
S'bahet ndryshe politikë!

Nga mitingjet në mitingje
Gra e burra shesh më shesh,
Thu`se zbriti nga kongreset
Enver Hoxha midis nesh!

Dalin burrat e krekosun
Kandidatë për deputetë,
Fjalë e tyne rrenë për fushe:
„Unë e du votën për shtet!“

(N'fund mandatesh nga kuvendet
Kush më thotë mos e ka pa,
A ka dalë ndoj pushtetar
Sikur populli fukara?!)

Enver Hoxha midis nesh
Za të fortë n'kongrese kish,
Sa s'i mblodhi krejt shqiptarët
Sikur lepujt në sernishtë.

Djathtas majtas pa pushim
Si t'ish krismë e maliherit,
E rikthejnë zanin e Xhaxhit
Pionierët e Enverit!

Drejt kupolës së pushtetit
Gjanë e haptë ç'i japin kosës,
Sa me fjalë bash Monte Karlo
E bajnë fushën e Kosovës.

Dienstag, 12. November 2019

Don Kishoti i Tiranës ia ofron Shqipërinë Serbisë!

Gani Mehmetaj
Është hera e dytë brenda tetëdhjetë vjetësh që zyrtarët shqiptarë bëjnë përpjekje ta fusin Shqipërinë në Serbi. Një herë ishte Enver Hoxha ai që e luti Josip Broz Titon ta pranonte Shqipërinë në Jugosllavi, përkatësisht në Serbi të zgjeruar, por rrethanat ndërkombëtare e penguan këtë krim. Herën e dytë ishte Edi Rama, ai që shkoi jo një herë, por katër herë në Beograd, Novi Sad, Nish e së fundi në Ohër që ta luste Vuçiqin ta pranonte Shqipërinë në Serbi. E tërhoqën zvarrë edhe sllavin e Maqedonisë Zaevin. A do ta pengoj dikush krimin për herë të dytë, apo këtu do të vuloset fati i kombit tonë? Edhe kur Enver Hoxha donte ta shkrinte Shqipërinë në Serbi, edhe kur nipi i tij Edi Rama po përpiqet ta bënte të njëjtën gjë, e shpërfillen Dardaninë, madje shkelen mbi interesat e bashkëkombësve të tyre, duke mos ua pranuar asnjë pavarësi vendimmarrje a përfaqësimi. Për ta Dardania nuk ishte fare, Dardania u del para sysh kur duan të shesin përralla patriotike për budallenj.

Enver Hoxha kur ia kërkoi Titos bashkimin me Jugosllavinë shkeli mbi gjakun e 50.000 shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Josip Broz Titos. Edi Ram shkeli mbi gjakun e 12.000 shqiptarëve të vrarë nga ushtria e policia e Milosheviqit dhe trashëgimtarit të tij- Vuçqit, ashtu sikurse nuk i përfilli as 20.000 gra të përdhunuara. Edhe në kohën e Enverit zyrtarët shqiptarë nuk reaguan, nacionalistët e kreu i intelektualëve shqiptarë e paguan me kokë kundërshtimin e tyre. Reagimi i shkrimtarëve dhe intelektualëve shqiptarë kësaj herë, kam përshtypjen ( qofsha i gabuara) është i flashkët, ndërsa në kohën kur Enver Hoxha po e mbërthente shtetin në diktaturë, intelektualët shqiptarë reaguan më me vendosmëri. Dikur shkrimtari i madh Mitrush Kuteli, që ishte më i vendosuri kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi (Jugosllavi), gati e pagoi me kokë kundërshtimin e tij, e varrosën të gjallë, ishte rastësia që e shpëtoi nga vdekja.

Sot kur takimet e kreu të shtetit shqiptar me kreun e shtetit serb për bashkimin shqiptaro-serb janë intensifikuar, Dardania, shteti i dytë shqiptar është në gjendje lufte me Serbinë. Rrjedhimisht edhe shteti i parë shqiptar do të duhej të ishte në luftë me Serbinë. Por ndodh e kundërta, shteti i parë shqiptar po kalon muajin e mjaltit me Serbinë.

Është në rregull kjo diplomaci struci? Ç’ është ky nxitim i Don Kishotit të Tiranës, që t’i kthejë rrjedhat shoqërore prapa? Kush qëndron pas tij? Lobi i fuqishëm serb në Tiranë? Rusët e ri fuqizuar në shtetin shqiptar? Kush është Sanço Panço e kush Dylqinja e Tobozës në këtë mes, sepse me Don Kishotin gjithnjë janë Sanço Panço, Rosinanti dhe një gomar mbi gomar. Do të shkriheshim gazit me Don Kishotin e Tiranës që i do aq shumë serbët , ashtu sikurse shkrihemi gazit sa herë e lexojmë Doni Kishotin e Servantesin , sikur Don Kishoti i Tiranës të mos bëhej i rrezikshëm për shtetin shqiptar, sikur të mos bëhej i pamëshirshëm për interesat strategjike të shtetit të Dardanisë.
Por ne i kemi fajet. I dha hapësirë e mundësi veprimi Don Kishotit të rrezikshëm nga Tirana kasta jonë shtetërore diletante, e paarsimuara dhe e paaftë, me dosje kriminale. I dhanë hapësirë zyrtarët qyqarë, që Don Kishoti nga Tirana i ka në grusht, herë tallet me ta, herë i fyen, herë i kërcënon e pështyn.

Kështu, shteti ynë i pa kokë ia çeli rrugën diplomacisë së papërgjegjshme shqiptare që të na përfaqësoj pa na pyetur dhe pa i përfillur interesat tona. I dhamë hapësirë kryeministrit që e bëri Shqipërinë vazale të Turqisë, që e bëri jugun poligon për shovinistët e tërbuar grekë, që e bëri rrëmujë shtetin shqiptar, që e shkëputi Shqipërinë nga Evropa.

A qëndron prapa kryeministrit të papërgjegjshëm edhe shteti shqiptar? Apo ai e ka uzurpuar shtetin shqiptar? Kush e pengon presidentin të reagoj ndaj një veprimi si të kohës së Enverit? Kush e pengon opozitën shqiptare të jetë më e zëshme kundër shkrirjes së Shqipërisë në Serbi? Pse nuk organizojnë demonstrata masive në Shqipëri e në Dardani për të mbrojtur interesat kombëtare.