Faruk Tasholli |
R R E N A
Rren me hov rren pushtetari
Rren e rren opozitari,
Mos me ra populli n’gjumë
Shtyhen kush po rren ma shumë!
Që nga jugu në veri
Po fryjnë rrenat me furi,
Siç e bjen vetë borën era
Veç me rrenë na u zu dera.
Pa ia vu kush gojës fre‘jtë
Edhe na u m‘su’m me rrejtë,
Si dikur veç dekorata
Me rrenë marrim doktorata!
Po për rrenën që del sheshit
Nuk i jep kush as pesë pare,
Nga kupolat e pushtetit
U ba rrena vlerë komb‘tare!
TEATËR PARA TEATRIT
Vijnë politikanët me barqet e qitura
Mu si shtatëzënat në muajin e gjashtë,
Brenda aktorët me role të goditura
Pa parë ç'teatër po luhet jashtë?!
Ç`po ziejnë Otello, Romeo, Hamleti
Sa rëndë ndanë teatrin perdja e ngrirë,
Nga skena i ikur bredh Jago i shkreti
Në figura të gjalla jashtë i tëri i shkrirë!
Nga njëri shpirt në shpirtin tjetër
Hyn e del Jago fshehtas me magji,
Ka shekuj që luhet kjo lojë e vjetër
Veç unë, thotë, këtu, mbeta i ri!
Ceremoni të gjata përshëndetjesh
Buzëqeshje, lëvdata plot gënjeshtër,
Me zhveshje dhëmbësh e koka epjesh
Garojnë në hol kush del më mjeshtër.
Teatër i çuditshëm përpara teatrit
Poltronët, lëvyrësit,angërdufët në kor,
Kush janë kokultët, kush ballëlartët
Të ndahen me perde qenka zor!
HUNI DHE MAGARI
Veç me mujtë magari
Nji herë me kapë hunin,
Kish m'i shkoq do njerëz
Që ia kanë marrë trunin.
Kish me dalë qytetit
N'çdo hap tu' i taku,
Dykambshat mbrapshtana
Të vyem për hu!
Ani me zgat kryet
Me k'qyr n'parlament,
Prej poterës, gazit -
I kishin dalë mentë!
Ish ndalë m'u ankue
N'derë të Qeverisë:
Pse na përgojoni
Si soj t'magarisë!
Vërtet na magarët
Bërtasim tuj pallë,
Por mirë e dimë rendin
Kur duhet m'u ndalë.
Ndërsa ju or shokë
Mbytni pëllitjet tona,
Tek e çoni zanin
Nëpër mikrofona!
Ne gjithë nëpër shekuj
Besnikërisht kem` pallë,
Po pse ju o njerëz
Ndërroni fytyrë e fjalë?!
Ah, me pasë magari
Veç nji herë nji hu!
Kush ia mori veset
Krejt e kish shkoklu!
RANË BAJLOZAT E PARTIVE
Ç’ranë bajlozat e partive
Nga forcë e Gjergj Elez Alive?
Po kah erdhën e kah dolën,
Çka banë trimat e çka folën?
Disa thanë dolëm prej detit
Do të tjerë vetë i prinë vetit,
Do me huj e do me huta
Do prej qiellit si parashuta!
T’gjithë të rruem e të kruem
As nga rriqnat të pickuem,
N’parlament bajshin piskamë:
Për Kosovë gjak kemi dhanë!
Dhe t’i hynë krejt shtetit mbarë
Me dosllarë e me kumbarë,
Fuq e fuq kry’t n‘tendera
Shpejt u banë – milionera!
Kush i trashë e kush i hollë
Me para blenë edhe shkollë,
Shkolla t’larta shkolla fillore
Sa për veti, gra, dashnore!...
Nuk u panë udhës kah ranë
Kush n’Prishtinë e kush n’Tiranë,
Sa zbardh dita e erret nata
Rrush me tituj, me doktorata…
Por sa shpejt ndërroi bota
Kur me pare s‘u shit vota,
Kryengul si prej çative -
Ranë bajlozat e partive!
Kush i hodhi kush i priti
Me ç’topuz kush i goditi
Veç dy gishta t'kryetrimit
Te kutia e votimit!
JEMI POPULL FANTASTIK
Jemi popull fantastik
Në nji vorbull politik,
Gojën plot shtet ligjor
Po kush merr ligj në dorë?
Ku s’na shkon ligji për shtati
Ngulim krye si çykë shati,
Sa t’ia bajmë qefin vetes
Për Kanun ia kalojmë Lekës!
Jemi popull fantastik
Nis e sos akademikë,
Me diploma t‘gjenialitetit,
Pa shkelë derë të fakultetit!
Jemi popull rrimë nën hije
Kampion për kangë trimnie,
Fluturojmë bre sipër reve
Tavolinave t‘ kafeneve!
Kur s’na shkon puna mbarë
Patriotët bajmë tradhëtarë,
Po në pullë kush ta vnon fare
Kur burrnia blehet me pare?!
Jemi popull pak me huj
Kemi shtet me dy flamuj,
Njanin kallim tjetri ngrisim
Njanin ulim tjetrin grisim!
Jemi popull, racë fantastike
Këndojmë himne polifonike,
Herë më za herë me gjëmim
Në Kosovë në shtetin trim!
HISTORI E MBRAPSHTË
(Humor politik)
Sy më sy me heronj, legjenda të gjalla,
Po hy historisë, po dal në përralla!
Përralla është përrallë e marr fare rrafsh
Po kjo historia po m‘del krejt e mbrapshtë!
E mundoj veten me rrena e t’vërteta:
A ish Mic Sokoli trim si Ilir Meta?!
Kush ma heq nga sytë këtë mjegull dyshimi,
Kish Hasan Prishtina mend sa ka Hashimi?
Politikë komedish, në popull luhen drama
A ish Ali Pasha i fortë si Edi Rama?
Nisem e kërkoj, djersë më mbushet këmisha,
A ringjallej bajlozi si Sali Berisha?
Politikë shqiptare, zjen si n’oxhak prushi,
A kish Herkulesi muskuj si Ramushi?
Mos me çu ma larg po i bie për shkurti
A ngulte Enver Hoxha kambë si Albin Kurti?!
Trimat nga pushteti ranë si gjethe shtogu
Vilë n‘Vienë si Nano a kish Ahmet Zogu?
Pyes e pyes pa lidhje nuk flet historia
Rrnofshin trimat tanë që kur lindi partia!...
DREQI I MADH
(Kangë arkaike në
përditshmërinë kosovare)
Si pat thanë ai Kryelivadh
K'tu ka hi nji dreq i madh,
Dreq i madh e dreq me brina
Që pykë lisi u ba Prishtina!
K'naqet dreqi rrin krenar
Kah i sheh 100 shqiptarë,
N'maje t'kresë i shkon lezeti -
Si nuk mirren vesh nër veti.
Jo ma ki, jo s'ta kam
Jam me ty me atë s' jam,
I kem numrat s'i kem gishtat
Fërc e fërc po dalin bishtat!
K'naqet dreqi po t'baj be
Nëpër sheshin Skënderbe,
Kah sheh trimat n'Parlament
Qysh e lanë Kosovën peng.
Po rrin dreqi me nji kambë
Mirë që s'del kush me ju thanë,
Nji i fortë thi karathi:
Trus bothë k'ti e trus ati!
POLITIKË PËR QEFI
Kur naj hoqi NATO anmikun prej shpisë
Sa shtirë u mësuem me frymë të lirisë?!
Ta rrahim grusht vetin kush s'na qiti prita
Gropa-gropa gjoksat i bamë për merita!
Mendja na u mbush se s'ka kund shqiptarë
Zoti e lëshoi dorën na ktheu n'legjendarë,
E t'i rrokëm kangët që na shkojnë për huji
Dil ku je fsheh dheut Gjeto Basho Muji!!!
Sa shumë xhamadana u banë vija-vija
N'vend t'Aristotelit erdh Xhemajl Abria
Në Prishtinë nga malet se ç'u ulë Kanuni,
Kush pat nji hu gardhi na zuni përfun'i!
Po ky Hipokrati, ku na mbeti ku?
I dolën falltarët:Ti s'ki vend këtu!!!
Dhe iku i shkreti në Greqinë e lashtë
Kambkryq i la burrat në odat me kashtë!
Hajde t'i lamë odat ndryshe e don rendi
Ç'na u nisën burrat – turr kah Parlamenti,
Por „Stop“ tha Europa për burrat e ngratë
S'asht odë Parlamanti mos me hy as gratë!
Haj u zunë keq burrat u banë si rreth defi
Qysh me ba si deshtëm politikë për qefi,
Nëpër fakultete shpejt e zgjatën dorën
Veç me marrë diploma përzunë Pitagorën!
Si shkon politika pa tituj pa grada
Lum që kompjuterat shtypin dekorata,
Por tash u ndal koha si t’i bahet hallit
Na mbeti ky shtet birë në fund t’kavallit.
DHIA E MAREFCIT
Dhia e Marefcit zbriti në Prishtinë
E po ecë me naze ngadalë trotuarit,
E lodhun e shkreta pa përdorë makinë
Kërkon në mos has dyqan të floktarit!
Ç’të duhet floktari mori kafshë e malit?!
Ndjehet se e tallin zonjat me shikime;
Ju që lidhni flokët bash si bishti i kalit
Pse i tallni shoqet me frizurën time?
Në ndejat me kafe kur shfaqni frizurat
Vjen emni i im në kulm të sikletit,
A nuk i m‘suet keq me folë edhe burrat:
Kush t’i preu flokët si dhi e Marefcit?!
Edhe unë frizurën, thashë, ta baj si ju
Së paku t’i ngjyj pak kimet e shpinës,
Se edhe burrat po i ngjyjshin kështu
Flokët thinja-thinja në mes të Prishtinës?!
Dhia e Marefcit sheshit rrak e tak
Me kambët si take ecë për mrekulli,
Po thotë vetë me vete pse nuk kthehem pak-
Të rri n’parlament a në qeveri?
Dhe si zonjë niset drejt kah paramenti
Te kambët e kalit diçka nuk merr vesh
I k’qyr n‘vitrinë brinat a i ka me veti
A mos ia ka marrë ai kalorësi n’shesh?!
N’derë të qeverisë e ndalë policia:
Këtu nuk lejohet me hy dhen e dhi!
Po pse ma ndaloni, nervozohet dhia,
Du me i pa në zyra krejt çobantë e mi!
Kthehet me dëshprim udhës së Marefcit
Tu kalu çdo breg tu kërcy çdo gropë,
Në Prishtinë s’kish lule, dru as erë të gjethit
E krenohen burrat: Na jemi Evropë!!!
PRITI KOSOVË DEPUTETËT
Priti Kosovë deputetët
Me t’marrë n’grusht ty ta kanë mësy,
Sot si lypësa duken t’shkretët
Nesër s’ngihen me t’hyp n’kry!
Me një sy janë patriota
Me një tjetër shohin kacën,
Veç me mujtë ku me ta ngjitë
Sa për nder të shkyejnë si macën.
Do po t’ngrehin kah Europa
Do po donë me t’çu n’Azi,
U k’cejnë mjekrrat hopa-hopa
Me t’i lidh sytë me shami.
Priti Kosovë deputetët
Dymijë gati – si në kros,
Vetëm rrenë e kanë t` vërtetën
Rrenë e rrenë, nis e sos!
Prit Kosovë ti mos pritsh kurrë
Trima t’ fortë për hajni,
Tashma s’dihet kush asht burrë
As kush jep dy lekë për ty.
DHIFQAT E KOSOVËS
1
„Mos e dhini, mos e dhini!“,
- Pse mbi krye po na rrini?
Vetë e dhimë dhe vetë e hamë
Por pushtetin kujt s'ia lamë!
Kështu dhifqat e Kosovës
Flasin tinëz vetmeveti,
Zanë ekrane faqe gazetash
Plot profile interneti.
2
Mendjen lart para popullit
T'u ngreh bëlrryla t'u çu grusht,
Me vesh n'krah kah Amerika
Kur iu mbetet botha ngusht.
Si ma t'mirët n' politikë
Baballarë n'ballë të kombit,
Me fytyrë a pa fytyrë -
Shpirt i mbretit, shpirt i robit!
3
Mos e dhini, mos e dhini!...
Porse dhifqat s'dinë me pra,
Mos me pasë kufi Kosova
Do ta flliqnin nji dynja!
Ha e ha e mos u ngi
Sy e vesh gjithmonë në gjah,
Mbaj e mbaj barkun me du'r
Por teprica del dikah!
4
Dhi aty e dhi këtu
Si thotë populli me dal jashtë,
Kur nuk mujnë krye në veti
Zori dhifqat i ban bashkë.
Ju si t'doni emërtoni
Trimat çfarë ka plitika,
Po unë s' kam si t'u them ndryshe,
Vetëm dhifqa, vetëm dhifqa!
5
Dhinë Kosovën me shpëtu veten
Dhinë miqësitë jashtë e mrena,
Merr kurajo populli im
Jepju pare për pelena!
„Mos e dhini, mos e dhini!“
U çon fjalë Amerika,
Tash i lidhin zorrë e tlina
Trimat tanë nga politika!
6
Gjithë heroj ka pasë Kosova
Burra me nder të vërtetë,
Por këso dhifqash rrallë e rrallë
Që e kallin për bothë t'vet.
Mos e dhini, mos e dhini!“,
- Pse mbi krye po na rrini?
Vetë e dhimë dhe vetë e hamë
Por pushtetin kujt s'ia lamë!
MERRNI TURR JU MIQTË E MI
(Parodi në frymën e Dritëroit)
Merrni turr ju miqtë e mi
Për pushtet afrohen orët,
Tren i fundit bën: fi-fi!
Ndërsa ju, iu krisin pordhët!
Merrni turr se keq u plakët
Atë pikë shurrë mezi e mbani,
Vijnë të rinj e ju s’duroni
Kurrë të dilni nga karvani!
Merrni turr se politika
Rrenë ka qenë e rrenë ka mbetë,
Veç hajninë dhe mashtrimin
Ju e kishit të vërtetë!
Merrni turr ju miqtë e mi
Se në baltë iu lënë dashnoret,
Pa pushtet s’ka dashuri
Shkrihen lidhjet si akulloret!
Merrni turr e mos u ndalni
Se pushteti e çan dhe malin,
Zini votat e thuani popullit:
„Kceva Drinin t‘ q… kalin!“
RJEPENI NANËN
(Parodi sipas Nolit te madh)
Ç'asht ajo pa kunorë n'kokë
E rrëzueme shesh për tokë,
Flokëlëshueme fytyrëzanë
Që në kangë i thoshim nanë?!
Ç'asht ajo në diell e ngelun
Me lëkurën e shpervjelun,
Ç'asht ajo që za s'po qet
Tek e rjepin djemtë e vet?!
Rjepeni e mos kurseni
Asht ngjitun mos i leni,
Zyrtarë grykësa të pangeshëm
Gjeneralë me ushtarë t'rrejshëm,
Mbahu nan-o rri krekosun
Para djemve t'armatosun,
Do me kmesa do me thika
Që s'i ndal turpi as frika!
Rjepeni e mos u ndalni
Asnji grimcë mos ia falni,
Prefektë rrenca rjepacakë
Deputetë o bothcullakë;
Ju ministra kavalera,
Ju që vidhni në tendera,
Ju që rrini krye shtetit-
E ia rritni pagat vetit!
Ç'asht ajo që ka ulë kr't
Kush i pari ia nxjerr sytë,
Seç po shtyhen kush me shky
Kush n'Europë e kush n'Azi!
Rrinë gojëlidhun akadamikët
Kur e çojnë zanin klerikët,
Sa shumë duron Nan'shkreta
Me djem mbetun te Mesjeta.
Rjepeni e mos pushoni
Se kështu veten forconi,
Politikanë e pushtetarë
Djem të dijes e ofiçarë,
Kush e zen i pari anën
Rjepeni me hez nanën,
Nga Pashtriku e në Sharr
Mos i leni vend as varr!
UNË SHQIPËRI TË JAP NDER
(Pak më ndyshe se Naimi)
Unë Shqipëri të jap nder
Ta jap emrin: Shtet kombëtar,
Edhe pse m‘the nëpër kohë,
Na rrofsh miku kosovar!!!
Po ç’mik unë e ç‘vlla ai tjetri
Që mirë emrin nuk ia di,
Rru për rru ty t’rrou dreqi
Trup n’Europë e kry´ n’Azi!
Ti Stalinin e Leninin
Gurë m’i mbolle nëpër sheshe,
Historitë me Miladinin
Çdo mëngjës si brum i ngjeshe!
Hajt ish kohë e bota ndahej
Diku duhej t’zije vend!!!
Po në kohën e lirive
Pse lodron rend e pa rend?!
Unë në terr për emrin tënd
Shkriva jetë e bëra burg,
Që të kemi pakëz dritë
Kohën çova si një murg!
Po ç’tu deshën vëllezërit turq
Që i ngrite n’monument,
Ata që vranë vëllezër t’vet
Për lider e për pushtet?!
Ik më shpejt Shqipëria ime
Nga lakejtë e nga zuzarët,
Se vjen koha, thonë aziatët:
„A kanë pasë k’tu vend shqiptarët“?
Unë Shqipëri të jap nder
Të jap emrin shtet kombëtar,
Se kjo raca politike
Të bën kurvë të palarë!
ENVER HOXHA MIDIS NESH
Thashë se iku komunizmi
Me piskamë e retorikë,
Po për shkallët e pushtetit
S'bahet ndryshe politikë!
Nga mitingjet në mitingje
Gra e burra shesh më shesh,
Thu`se zbriti nga kongreset
Enver Hoxha midis nesh!
Dalin burrat e krekosun
Kandidatë për deputetë,
Fjalë e tyne rrenë për fushe:
„Unë e du votën për shtet!“
(N'fund mandatesh nga kuvendet
Kush më thotë mos e ka pa,
A ka dalë ndoj pushtetar
Sikur populli fukara?!)
Enver Hoxha midis nesh
Za të fortë n'kongrese kish,
Sa s'i mblodhi krejt shqiptarët
Sikur lepujt në sernishtë.
Djathtas majtas pa pushim
Si t'ish krismë e maliherit,
E rikthejnë zanin e Xhaxhit
Pionierët e Enverit!
Drejt kupolës së pushtetit
Gjanë e haptë ç'i japin kosës,
Sa me fjalë bash Monte Karlo
E bajnë fushën e Kosovës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen