Ramadan Musliu |
VATRA E SHUAR
Digjen trungjet
e qershisë
me gjysmë në flakë
në vatrën e mbuluar me blozë
Gaca
prej kristali
vezullon
në xham
Drita u shtri me përtesë
në të katër anët e horizontit
mbuluar me
flakën e purpurit
të kujtimeve
Në shuplakë e mbyll
atë gacë të fshehur
derisa të mos lëshojë
tym
lëkura
e të na bëjë të japim shpirt
duke qeshur me zë
VETEM NJË ARSYE
Çast e vetimtar
kur puthiten akrepat
kur dy kokat në shkabë
bëhen bashkë
kur vetëtin drita e syve
Durimi është fitore
kur e kalon kufirin e humbjes
të vënë me vija gjyku
Vjen si çast kur nuk e pret
hy nëpër vrimen e çelësit
nëpër të çarat e murit
dhe nëpër spiralen
që ndan dy hemisferat e trurit
Vjen duke mbyllur çdo
hapsirë boshe
në kujtime
kur duhet ngritur
nga shtrati me baltë
si Gjergj Elez Alia
FTOHTËSIA E GJËRAVE
Nga retë e tymit
fusha është zverdhur
dhe pemët shkundën gjethet
nëpër dysheme
Pema e vitit të ri
zgjat degët me hala
deri të retë e tymit
mbi kokë
Kopshti i Edenit në perde
ka ndërruar pemët
sa duket si një lulishte
plastike
në vitrinë
Dritarja e dhoës përlotet
me vesë të ftohtë
nga malli për verën e qyqes
Hajde më bëhu gati
për stinën e gjumit të madh
që po troket pa ndalë
në portën e hapur
DUART
Si dy degë me copa akulli
ranë nga trungu
në dyshemenë e mbuluar me gjethe
durt e këputura
në mes. Një dhembje që s’pushon
përdridhet si spirale
nëpër asht
Të therurat nga palca
përzihen me të kuqtë e gjakut
që është ngrirë mbi gjethe
Vetëm gishti i vogël lëviz
si kokë e këputur zogu
tek përpëlitet nëpër baltë
Një gjilpërë e akullt rri pezull
mbi bebzën e shuar
kur dielli ka marrë trajtën e një amebe:
ndahet në një mijë qeliza të vdekura
për një sekondë
Ato ende mbledhin gjethet e ankthit
nëpër dyshemenë
e shtruar me pllakëza gjaku
diku
në një cep të një ëndrre
GISHTAT
Nëpër baltë
të verbuara kërkojnë
thonjtë e rënë
ato kokërrza të verdha
misri
që kanë lëshuar
rrënjët në gjak
fëshfërrijnë gjethet
e verdha nëpër ara
Frutat janë vjelë
para se të mugullonin
fara. Ata zogj të verbër
s'e dallojnë se s'e dallojnë
verdhësinë e thonjve
që kanë mbirë
nëpër mur. Rrënjët
Shtrirë janë thellë
në mish ku thithin
lagështi
nga kafka
e ndriçuar nga dielli
i pashuar i syrit
I harruam të vjelat
tashti vetëm në ëndërr
mund të mbjellim
atë që kemi korrur në jetë
NGROHTËSIA E GJËRAVE
Nga avulli i frymës në xham
peisazhet e perdeve kanë marrë
ngjyrën e fushës në varr
Ja një radh plepash
buzë rrugës renditur si mburojë
rreth mullarit pa çati
kurse matanë plepave
zvarritet kodra e argjendtë
duke pirë ujë në lumin jeshil
që rrjedh tatëpjetë kujtesës
Në taketuke rrinë fjetur
ngjyrat e hirit dhe psherëtimat
e një goje të përgjumur
mbi tryezë
Ca flutura të kuqe gjak vërtiten
rreth llambës gjigande
që duket si një diell
i varur në mes të dhomës
me një fjango të zezë në bisht
Dikush tha:
mblidh çaklat e ik
sa nuk të çeli lulja
në ballë
e nuk foli shtatorja prej fildishi
mbi komodinë
GJENDJE NEUTRALE
Lufta ime e fundit me veten time mbaroi
Me pat. Zbrita shkallëve në bodrum
ku më kish zënë gjumi. Çelësin e pata përbi
dhe s’pata më si të dal. Duart
i harrova në bedene mbështetur
për heshte tek vigjëloja retë e pluhurit
të kalorësisë që kurrë nuk do të arrijë.
Edhe në ëndërr më dhemb në shpirt
teksa ai nëpër vrimën e çelësit përvidhet
në astral. Një gjilpërë e harruar
më ther në palcë dhe askush s’ më dëgjon.
Vetëm jehona e klithjes shndërrohet në spirale
dhe më mbështillet nëpër asht.
Një dritë jeshile vjen nga syri im
në abazhur. Nëpër fushën e ballit hingëllojnë
kuajt duke u tërhequr zvarrë
nëpër orenditë e pluhurosura
teksa koha grindet me rrudhat
në trurin e lodhur për haloret e flokëve
të mi. Anash shkëmbinjtë e shpellës
me stalagmite me therin në zemër. Euridika
qanë për këngën e mbetur përgjysmë. I mbyllur mbeta
në ëndërr dhe nuk mund të zbres në pus
çelësin e humbur për ta gjetur
në një guaskë.
AKTI ABSURD
Dëgjoja në radio
lajmet mbi kohën e turbulltë
dhe zërat që fikeshin qetësisht
nga butoni nën gishtërinj
Doja të dilja nga realiteti paralel
nga ajo membranë e hollë
e gjërave pa formë
doja të dilja nga lëkura
me një të mbyllur të syve
Nuk e dua më rolin kryesor
ne këtë skenë pa dërrasat
që përbëjnë jetën
nuk dua më ta luaj Hamletin
në Danimarkën time të vockël 4 x 4
Zvarrë dola nga dhoma
duke lënë
një copë absurdi teatror
të derdhur kudo nëpër dërrasa
Më mirë është të mos jesh
se i ndarë në dysh
me atë membranë të hollë
mes sendeve
dhe fjalëve .
GOZHDA E NDRYSHKUR
Në një gozhdë të ndryshkur
varur është portreti i heroit
në gravurë
Në sfondin gri
duket një vend
nga vijnë luftëtarët e rralluar
prej betejave
të pashënuara
në histori
Aty më nuk kris pushk’ e vjetër
as teret barot’ i lagur
as mburojat
hiqen më
nga ku janë varur në mur
Edhe gishti
në qark i pushkës së vjeter
i ngrirë
ka mbetur
në atë kornizë
Në këtë gravurë
çdo burrë
me bërryla
hyn në histori
e çdo grua
qëndisë
flamurin me shkabën
pa krahë
derisa një ditë
të lakohet
ajo gozhdë e ngulur
në murin e vajit
PORTRET ME NGJYRA TË ZEZA
Nata rrëshqet
nëpër fytyrën tënde
nga terri
nuk shihet loti
as mimika
as hëna e fshehur në bebëz
Sytë e mi
tretur janë në boshësi
dhe nuk e shohin buzëqeshjen tënde
që po fundoset
në dy vrimat e faqeve
Re të zeza ranë mbi qiellin tënd
errësuan
horizontin
nga shtrihen pyejet e pashkelura
deri te ajo flakë e fshehur në zemer
___
Nga libri: "Gjendja neutrale".
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen