Fadil Halimi |
1. Shekulli i mortit
Fundi i shekullit XIX
Nuk është veç një rrëfim i legjendave, një mit…
Por shekull i mortit, i rrugëve të pakthim
Ishte një dimër i egër, binte shi i zi në pikëllimë
Iknim rrugëve të pakthim prej Naissusi për Tullar,
Rëfente gjyshi…
Sikur në shekujt e legjendave
Pas lamë shtëpitë e braktisura
Ëndërrat, dashurinë, fëmijërinë
Me këmbë nën dhé baba
Shqyente orteqe malli e dhembje
Me vajin e nipit të posalindur
Këtej lumit të vrarë për herë të mbramë
Gjyshi e kujton këngën me fyell, lisat e gjallë…
Ato fusha të paanë, pa diell, pa qiell
Përsëritshëm prapa perdeve të mashtrimit
Fati im po shkruhet me alfabet të panjohur
Sikur në shekullin e mortit
2. Armiqtë e atdheut
Lufta dhe vdekja
Nuk është historia që e kujtojmë sot
As rrëfimi i rrejshëm për heroin në bronz
Në kohën barbare
Ka pasur më shumë dashuri se sot
Atdheu im i vrarë në dritë të hënës
Tregimi i nisur për luftën dhe vdekjen
është ngatërruar në gjymtyrë të gjarpërit
Armiqtë e atdheut kanë gjak në shuplakë
Dhe shkëlqim vrastar
3. Ëndrrat e ndaluara
Çdo mëngjes i lexon ëndrrat e mallit
Të ndaluara për këtë letër
Fjalët dhe çastet më të ëmbla
i kam hedhur në lumë
Për të mos mbetur asnjë gjurmë
Përgjithmonë
është ndarë rruga e gjatë e jetës
Për t’u takuar në stacionin e njëjtë
A besohet
në të paarritshmën deri në frymën e fundit
fluturojmë për t`i prekur yjet
Sa herë fytyrat ndërrohen në pasqyrë
4. Kohë barbare
Hija ime krijon portretin tënd, frymën
Dhe atë që i mungon shpirtit
Hija jote
Flet me muret, me letrat e zverdhura
Para pasqyrës magjike rri gaditu
Vrasës të egër të ëndrrave jemi bërë
Si në kohët barbare
Kemi mbetur hije e gjallë, hije e vdekur
5. Libri i mosdurimit
Nën ombrellën e verdhësisë
Gjak i ndezur damarëve
Pëlcet harrimit të zgjatur
Me buzë të etura
A gjymtyrë të thyera
Ajrit të helmuar frymojnë
Në pasqyrën e thyer
Gishtat me thonj të përgjakur
Pikojnë deri në gjunjë të lidhur
Këtej lumit të gjallë
Kallet libri i mosdurimit
6. Portret torze
Në qytetin e andrrave të frikshme
Të përcjell trishtimi e hijet e gjalla
Në imagjinatë fluturon gjysma ime te ti
Dhe gjysma jote tek unë
Por kurrë s`u bëmë nji
Në portret torze shikimi i vizlluar
E buzëqeshja e ngrime
Janë mbyllur në rrugicat e jetës
Qyteti asht shndërruar në pikturë të dekun
Shi plumbi bjen në plagën e moçme
Dhe era i banë gjethet e verdha
Vetëm në imagjinatë
Ti ishe gjysma ime, unë isha gjymsa jote
Sa mirë që kurrë s`u bamë nji
As tash s’jemi ma
As qyteti i andrrave të frikshme
7. Përsëri, si në fillim
Përsëri, si në fillim
Do të rrëfejmë për ëndrrat
për letrat e vizatuara në yje
Në atë vend të zhveshur e të mallkuar
i ndamë rrugët
për të mos u harruar kurrë
Pas lamë ëndrrat në fluturim
Me sy të zmadhuar nga qielli
Sa më larg që ikim
Dashuria rritet më shumë
Dhe bëhet e përjetshme
Afërsia na trishton
Në largësi e paarritshmja na mban gjallë
Përsëri, si në fillim
Në gjysmë të rrugës marrim frymë thellë
duke e fshehur mallin në sy
8. Vendi i zbrazët i nanës
E mërkurë e ftohtë, akull në zemër
Ora 16:40,
Viti 2018
Çasti më i pafuqishëm e më i trishtueshëm
Me u nda prej nanës
Dhe me pa me sy fluturimin e saj
Fryma jote e fundit jeton në mua
Me erën e bukës
me mërzinë e dhembjen e pafundme
Nanë, të zbrazët e le vendin
Në shpinë e rritës së nëntë fëmijëve
Duke i thurur andrrat më të bukura
Nanë, askush sikur ti
Nuk ka ditur me çelë zemrën time
E me i shnoshë dhimbjet
sikur sytë e tu magjikë
Afër teje, nanë
Gjithnjë diçka e bukur ndodhte
Dumnicë e Poshtme, 10 prill 2019
Fadil Halimi u lind më 21 qershor 1965 në fshatin Dumnicë të Podujevës. Shkollën fillore e mbaroi në vendlindje, të mesmën në Podujevë, kurse studimet e larta për Letërsi e Gjuhë Shqipe i mbaroi në Fakultetin Filologjik në Prishtinë. Me shkrime letrare është marrë që nga koha kur ishte nxënës. Ka punuar gazetar – korrespodent nga Podujeva për gazetat “Rilindja” e “Zëri”.
Tash punon në arsim si arsimtar i Gjuhës Shqipe në Podujevë. Në vitin 1992 ka botuar përmbledhjen me poezi: ”Proces në kafkë” nga SHB “Rilindja” në Prishtinë. Autori Fadil Halimi do të na vije së shpejti edhe me përmbledhjen e tij të dytë poetike.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen