Shkruan: Shefqet DIBRANI
Romani “MALËSORJA”, i Nazmi Rrahmanit, si asnjë vepër tjetër letrare, e ka pasur ndikimin e vet në letërsinë shqipe, veçmas ka ndikuar në edukimin dhe formimin intelektual të gjeneratave të tëra tek shqiptarët në Kosovë dhe hapësirën e ish Jugosllavisë. Ky roman që nga botimi i parë në vitin 1965, është preferuar si lekturë shkollore për nxënësit e shkollave fillore, për klasat e larta, si dhe nëpër shkollat e mesme, qofshin ato gjimnaze apo të karakterit profesional.
Këtë roman kam pasur fatin ta lexoj gjatë shkollës së mesme, diku në vitin 1978. Padyshim, ky kontakt, me këtë vepër letrare, ka ushtruar ndikimin e vet, ashtu siç ka mundur të ndikojë edhe tek të tjerët, në varësi me situatat dhe rrethanat kur kjo vepër është lexuar dhe si referat është komentuar. Romani “MALËSORJA”, është roman i karakterit social, por si vepër e këtij zhanri e ka kryer misionin e vet shembullor, në planin edukativ, në aspektin pedagogjik dhe në konceptin patriotik, sepse nuk ka patriotizëm më të madhe se sa me edukuar dhe arsimuar një shoqëri të tërë. Pavarësisht kësaj, nuk mund të përjashtohet mundësia se tek autori mund të kenë ushtruar ndikim rrethanat shoqërore e politike të asaj kohe, por si vepër letrare romani është i zhveshur tërësisht nga ndikimet e politikës, sikurse edhe nga frymëzimet tjera patriotike.
Të gjitha ndikimet e mundshme të kësaj natyre lidhen me formimin intelektual të autorit, me atë frymëzimin e asaj kohe, për edukim dhe emancipim të shoqërisë, e cila në masë të madhe ishte analfabete. Kjo vetëdije dhe ky frymëzim intelektual, u përket atyre viteve kur një shoqëri e tërë ngarendte për tu shkolluar, për tu emancipuar dhe për tu ndryshuar, madje si vetëdije kolektive në Kosovë kemi përjetuar një lulëzim kulturor i cili prekte ndryshime edhe në rrafshin kulturore, arsimore, edukative dhe pedagogjike nëpër zona rurale dhe të lënash anësh nga kujdesi shtetëror.
Në tekstin e shtruar brenda romanit, ngjarjet e asaj kohe, rrethanat sociale e patriarkale, autori i ka përshkruar në mënyrë brilante. Thjeshtësia dhe modestia e shkrimit letrar, janë edhe një shtytje tjetër, një vlerë tjetër letrare, që manifestohet si një përshkrim i detajuar, prandaj qasja jonë ka të bëjë edhe me përkushtimin e atij brezi në aspektin edukativ e arsimor, në ndikimin e tyre në vetëdijen kombëtare, duke i apostrofuar aspekte të pabarazisë shoqërore, (edhe pse nuk është theksuar aq), dihet se në ato vite ekzistonte një vullnet dhe ishte ngulitur një vetëdije qytetare e cila ndikoi në ato ndryshime, e kjo kishte ndodhur falë përkushtimit të atij brezi i cili përmes angazhimit kulturor i dha këto porosi të fuqishme, kurse autori i ka përcill përmes formës së shkrimit letrar.
Jeta në fshatin rural në Kosovë, gjithmonë ka qenë e vështirë, arkaike dhe e ashpër për tu jetuar. Kurse për femrat, (duke i ditur zakonet arkaike e patriarkale), ka qenë edhe më e ashpër për tu jetuar, për të punuar, për të përparuar dhe për tu emancipuar. Në romanin “MALËSORJA”, ajo jetë është përshkruar me të gjitha karakteristikat e asaj kohe, madje kjo vepër tregon se njohja e autorit me doket dhe zakonet e trevës paska qenë shumë e fuqishme, lidhja shpirtërore edhe më shumë, e kjo njohje e mentalitetit ka nxjerr një përshkrim letrar të detajuar të këtij niveli, për ngjarje dhe ndodhi, andaj përshkrimi i veprës bëhet kaq i thellë, kaq përjetues, logjik dhe mjaftë përmbajtjesor. Zakonisht këto vlera e bëjnë romanin “MALËSORJA” të dalluar, të dashur dhe si vepër letrare më të respektuar. Sigurisht, janë këto vlera letrare e estetike, të cilat kanë ndikuar që romani “Malësorja” të përzgjidhet si lekturë e detyrueshme shkollore, si lektyrë e preferuar, lexim i sugjeruar, që iu dedikohej nxënësve të shkollave fillore dhe atyre të mesme kudo në hapësirën shqiptare, kuptohet më shumë në ato treva që kishin mbetur jashtë Shqipërisë Socialiste.
Gjatë hulumtimit kemi ndeshur në informacione të shumta, dhe sigurisht interesante e mjaftë inkurajuese, për përdorimin e këtij romani në të gjitha nivelit shkollor, pra që nga klasat e larta të fillores, nëpër shkollat e mesme e deri në universitete, në të cilat shihet ndikimi i pashmangshëm i këtij romani dhe i autorit në përgjithësi. Natyrisht nuk kemi ndeshur studime të shumta e shteruese, edhe pse as ato nuk mungojnë, por me sa kam kuptuar mungesa e një përpjekje për një bibliografi më të kompletuar është evidente. Librat bibliografik, sado të vështirë për tu bërë, janë tabela rrëfyese për studiuesit dhe hulumtuesit, nga ku zakonisht dalin porosi të vyeshme, ide të caktuara për një vepër e cila arriti t’i përballoj edhe ndikimet politike, mjaftë të ashpra, që i prodhonin situata dhe ndikime nga politika komuniste e sistemit rozë jugosllav. Gjatë këtyre hulumtimeve kemi hasur në informacione, në të cilat shihet se romani “MALËSORJA”, është pjesë e programeve shkollore edhe nëpër universitete të tjera, aty ku mësohet Albanologjia, ku janë marrë fragmente për nevojat e mësimit akademik të shqipes, po ashtu fragmente nga ky roman gjejmë edhe nëpër libra “Gjuha shqipe”, për klasat e larta të shkollës fillore ose nëpër ato të mesme. Nëpër ato tekste shihet se si në mënyrë profesionale analizohen aspekte letrare të këtij romani. Pastaj e kemi ndeshur edhe si pyetësor nëpër testet e maturës dhe formave të tjera të matjes së inteligjencies. Çka do të thotë se nëse dikush do të merrej me këto aspekte, jo se do t’i sillte letërsisë shqipe një vepër të mirë bibliografike, por historisë së romanit shqiptar në Kosovë do t’i bënte një shërbim të madh, veçmas nëse do të trajtoheshin edhe aspekte pedagogjike dhe ndikimi i këtij romani në planin profesional.
Kritiku letrar dhe studiuesi i letërsisë shqipe, akademiku dhe profesori universitar dr. Sabri Hamiti, ka bërë një studim të përmbledhur për romanet e Nazmi Rrahmanit, duke përfshirë edhe romanin “Malësorja”, por dr. Sabri Hamiti, edhe më vonë në kontingjentin e gjerë të kritikës letrare, nëpër disa fragmente do t’i rikthehet këtij romani dhe do ta citojë në kontinuitet prozën e Nazmi Rrahmanit. Ndërsa një studim më të kompletuar, për romanin “MALËSORJA”, vite më parë, e ka botuar profesori universitar dhe ligjëruesi i teorive letrare dr. Zejnullah Rrahmani, “MALËSORJA E NAZMI RRAHMANIT OSE ARTI I INTERPRETIMIT”, në të cilën janë analizuar në mënyrë të spikatur disa aspekte letrare e estetike të këtij romani. Por për t’iu rrekur një studimi më të kompletuar për romanin në fjalë, përveç këtyre njohjeve dhe përgjegjësisë profesionale, janë edhe njohjet e drejtpërdrejta me autorin, të cilin për vite me radhë e kam pasur redaktor dhe botues të librave, poetik e publicistik…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen