Haxhi Muhaxheri |
DASMA E ZEZË
në dasmën e zezë
mungonin krushqit
me këmishë prej dielli
e
dylberet e zverdhur
shqelmonin tokën
duke lozur mbi muranë
vallën e shpendkeqës
nga djersë e kokës së tyre
u grisën plisat e nxirë
dhe një erë e lehtë
rrokullisi shtëpinë prej letre
24.11. 2019
MASHTRIMI
Keq të kanë mashtruar
Kosovë... Nëna ime
Ende nuk janë thyer
Të gjitha vezet e djallit
Në dasmat e përmortshme
Prapë këndojnë qyqet bre
Ëndrrave të zverdhura
Kaherë - çelin karafila të zi
E tokës - shtati po i dergjet
Prej damarëve të gjymtuar
3.10. 2019
ATA DHE HESHTJA
Thonë se qyshkur vrapuan
pas sheqerkave të djallit,
ata harruan çdo gjë tjetër.
Emrin... Nderin... Fisin e Plisin.
Gjakun e dëshmorëve harruan
dhe lotët e të shkretave nëna,
që ende vazhdojnë të kërkojnë
eshtrat e fëmijëve të zhdukur.
Harruan dhe gjëmën
e grave të dhunuara.
Oiiiii... Medet !
Më asgjë s'ju kujtohet bre,
bash asgjë...
Dhe heshtin e heshtin e heshtin,
heshtin porsi vdekja.
Zot, mos qofsha në lëkurën e tyre !
12.09.2019
SA HERË NDRYSHON MOTI
/ Një si poezi, për tre faqezi./
Sa herë që ndryshon moti,
më dhemb gishti i vogel
i dores së majtë.
Ai gishti që ma ke thyer ti JLL,
sall për hatër të hasmit.
Heu, ti mos pafsh ditë të bardhë!
Sa herë ndryshon moti
e më dhemb ai gisht,
të kujtoj edhe ty
o njeri me maskë,
që keq më preve në besë.
E tash...
tash ke veshur lëkurë engjëlli
dhe atje diku largë... largë,
( tej maleve e deteve )
ndërron shtatë fytyra.
Heu, ty tu ndaltë ora sonte!
Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.
Heu, atij ju harroftë emri!
___
JLL - Jakup Llonqari. Inspektor famëkeq i UDB-së në Pejë.
Dy të tjerët kanë qenë informatorë apo hafije, siç i quante populli.
MALLKIM
Ti...
Përditë ndërroje nga një emër
Që të fshihje gjurmët e krimit
E ti shpëtoje mallkimit
Ti...
Shpirtin shitur ia kishe djallit
Gjakun e t‘parëve përbuzje
Dhe kobin ia sillje sh‘pisë
Ti...
Mbillje kudo sall trishtim e vdekje
E diellin doje t’ja qorroje atdheut
Që sorrëzezat të këndonin qiellit
Heu, kurrë mos paç bukë në sofër!
Heu, mos t'leftë djal në votër!
Heu, kristë një pushkë e t‘marrtë bri për bri!
Heu, n’dakik t’dekës mos paç ujë me pi!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen