Dienstag, 16. Juni 2015

Agim Gashi Drenica - Në Bajgorë, si në Vlorë...


Agim Gashi - Drenica

NE BAJGORĒ - SI NĒ VLORĒ

Erdhi baca Isē
Me kobure e plis,
- I madh si lis.

Si lisi n'mal
I heshtur, pa fjalē
Si gjithē vertikal.

Nēpēr Shqipēri
Trup e tērthurē
Me flamur si dikur.

Hipur mbi kal
E tha veq njē fjalē
- do t'shkoj nē Shalē.

Kalin e ndali me fren
Kur erdhi nē Prizeren.

N'Dukagjin u ndal pak
-Iu kam vēllezēr me gjak
Shpesh me keni ba konak.

U ndal dhe n'Prekaz
Shkiet, tha:
Qenkan ba gaz.

Frerin ia terhoqi atllarit
Te kulla e Adem Jasharit.

Kur arriti ne Bajgorē
Erdhe kētu tha i thonē Vlorē.

Qe t'pushosh u shtrive o trim
Afēr kulles tuaj - nē Boletin.

Pô, si jemi nuk na vete
Ndoshta s'te pelqeu si na gjete?!!!

__________
Shënim i Redaksisë: Autori Agim Gashi - Drenica, bashkë me poezinë na e ka derguar edhe ketë pikturë me pamjen e Isa Boletinit mbi kalë, por jo edhe emrin e autorit të pikturës. 

Montag, 15. Juni 2015

Në Austri u promovua libri "Terrori..." i autorit Nusret Pllana

Në Graz të Austrisë u promovua libri “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët nga 1844-1999, Intervenimi i Nato-s në Kosovë“ i autorit Nusret Pllana.

Nga: Miftar Zagragja

Këshillit organizativ, më : Fatmir Osmani  nga “Këshilli Kordinuse i Shoqatave Shqiptare në Shteimark, Rifat Krasniqin nga„Unioni Humanitare Shqiptare-Graz“,Ambasada e Republikes së Kosovës në Vjenë në bashkëpunim me Universitetin e Grazit më Prf.dr.Kurt Kalcher   Prf.dr.Ahmet Hajrizi.



„Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët nga 1844-1999, Intervenimi i NATO-S në Kosovë“ është libri i radhës i autorit prof. Dr. Nusret Pllana, të cilën lexuesit mund të kenë në dorë

Në sallën e universitetit në Graz, e cila ishte stërmbushur nga audienca, u mbajt  promovimi i librit të autorit Prof.dr. Nusret Pllana. Libri mban titullin “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët nga 1844-1999, Intervenimi i Nato-s në Kosovë si dhe i  filmit dokumentar „Rrugëtimi i një libri nëpër botë, po nga i njëjti autor.Të pranishëm ishin edhe autoritetet shqiptare të akredituara në Vjenë. Ymer Lladrovci, konsull, në emër të stafit të Ambasadës së Kosovës i uroi të pranishmit si dhe përshëndetiautorin Prof.dr. Nusret Pllana, Si dhe falenderoi Prof.dr.Kurt Kalcher, Prof.dr. Ahmet Hajrizi dhe Fatmir Osmanin nga “Këshilli Kordinues i Shoqatave Shqiptare në Shteimark. Po ashtu u shfaq një film dukomentar: Rrugëtimi i një libri nëpër botë, të autorit Prof.dr Nusret Pllana.


Vepra “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët nga 1844-1999 në Kosove” është një libër që vlen të lexohet  sepse ka të bëjë me fatin e popullit tonë. Promovimi i kësaj vepre paraqet një ngjarje të rëndësishme për të gjithë shqiptarët kudo që janë sepse paraqet   16 vjetorit e çlirimit të Kosovës nga barbaria serbe  si dhe ndërhyrjen e Nato-s në Kosovë.
Edhe Fatmir Osmani  kryetari i “ Këshilli Kordinus i Shoqatave nga regjioni Stmk., ju drejtuar të pranishmëve më një fjalë rasti, duke i qenë mirënjohës autorit për kontributin e tij të vyer në lidhje me librin si dhe njiherit i përshëndeti të gjithë të pranishmit.


Kolonel Deda, në emër të stafit të Ambasadës së Shqipërisë në Austri i përshëndeti dhe i uroi të pranishmit. Ai mes tjerash tha:”derisa udhëtova nga Vjena për në Graz i bëra një vështrim këtij libri dhe me la të kuptoj shumë. Vetëm ballina e librit tregon shumë që s’do asnjë koment”, duke iu mbushur sytë me lot ambasadorit. Ai shtoi se” kjo punë është një motiv për të gjithë shqiptarët kudo që janë, kudo që ata jetojnë e tregojnë vlera të jashtëzakonshme të tyre nga burimet shekullore me bazament kombëtar pa harruar për asnjë çast përkushtimin dhe detyrimin që kanë ndaj atdheut. Kjo është vlerë e pa tjetërsueshme dhe kjo do të jetojë ndër brezava”.



Në promovim të pranishëm ishin edhe studentët dhe profesorët e këtij universiteti.
Poashtu prezentë ishin edhe përfaqësuesit e Shoqatave nga regjioni i Stmk. nga Shoqata ,,Mërgimi“, Steyr, z. Ymer Aliu, nga shoqata “28 Nëntori” Kirchdorfi,Miftar Kastrati aktivist nga St. Georgen, nga Unioni Humanitar Shqiptar-Graz, nga shoqata “Kastrioti” Graz, nga shoqata “Belushi” Graz, nga shoqata “Aleksander Moisiu”Graz, nga shoqata “Club-Casino”Graz, nga shoqata “Stublla” Gra, nga shoqata “Nene Tereza”Graz,nga  “Grupi Theranda”Graz, nga shoqata “Rinia”Graz, perfaqesuesit e Studenteve shqiptare te Grazit, perfaqesues nga  regjioni i Rottenmann-it, nga shoqata “Dardania” Knittelfeld, dhe shoqata  “Skenderbeu” Kapfenberg. Po ashtu prezent ishte edhe Priv.- Doz. Dr.med.univ Emir Haxhija, Mag. i shkencave Politike Fatos Kryesiu, si dhe  dr. Karl Bauer nga shoqata “Europa Jugent” e Gleisdorfit.


Që në fillim Prof. dr. Nustret Pllana i bëri një vështrim të kaluarës dhe aktivitetit gjithëpërfshirës kombëtar të mërgatës shqiptare në Austri. Profsor Pllana potencoi faktin se falë angazhimit dhe sakrificave për shumë dekada të patriotëve të mëdhenj shqiptarë, çështja e Kosovës dhe kauza e pazgjidhur shqiptare në Ballkan, arriti të dalë në krye të agjendës politike të faktorëve më relevantë ndërkombëtar. Kjo kauzë u bë vazhdimësi legale e kërkesave gjithë popullore për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.


Në këtë libër autori prof.dr. Nusret Pllana duke qenë vetë një nga veprimtarët e devotshëm të aktiviteteve të ngjarjeve dhe kontribues shumë meritor për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës si shumë shqiptarë tjerë e përjetoi terrorin dhe barbarinë serbe me lekurën e tij, pas torturave që kishte përjetuar. Qysh atëherë dhe deri më sot asnjëherë nuk e ndërpreu aktivitetin  patriotik që ta hidhte në shesh  të vërtetën për terrorin dhe barbaritë serbe ndaj shqiptaërve të pa mbrojtur.
 

Profesor Pllana u dallua me aktivitetin e tij kombëtar. Angazhohet në radhët e  UÇK-së duke kontribuar kështu që të ndegjohej për herë të parë zeëri i radios “Kosova e lireë”. Ai poashtu  jep kontributin e tij maksimal në njoftimin  për të gjitha ngjarjet që ndodhnin në Kosovë  gjatë tërë luftës si dhe kontributin për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës.
Libri i sapopromovuar  është një dokument i rëndësishëm që dëshmon terrorin dhe barbaritë serbe mbi shqiptarët  për një kohë të rëndësishme për historinë e re të ndërtimit të shtetit të Kosovës. Të gjithë ata që mbajten fjalë rasti shprehën dëshirën që z.Pllana të vazhdojë edhe më pjeset e tjera, pasi që ishte e pamundur të përfshihen të gjitha ngjarjet qa kanë ndodhur një një libër të vetëm.
 

Autori  Pllana u lavdërua për guximin dhe idenë, që të gjitha këto ngjarje që kanë përjetuar shqiptarët  të mbesin të dokumentuara në një libër të tillë. Autori poashtu nga të pranishmit në mënyrë të fuqishme u inkurajua  që të vazhdojë edhe me vepra tjera, e poashtu edhe më vellimin e gjashtë e më tutje të kësaj vepre. Ky libër u promovua edhe në Prishtinë dhe në shumë shtete të botës  duke hyrë në shumë. biblioteka të botës,. Ky libër është i përkther mbi 7 gjuhë të huaja.

Vepra “ Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët nga 1844-1999 në Kosove” është një libër që  ia vlen të lexohet aq më tepër sepse ka të bëjë, me fatin e popullit tonë. Është një vepër që nuk të lë pa emocione dhe mbresa. Ajo çfarë përshkruhet në libër është reale dhe e vërtetë. Ky ishte përfundimi i atyre që e morën fjalën. Dhe së fundi të pranishmëve dhe dashamirëve të fjalës së shkruar iu drejtua dhe vet autori i këtij libri z. Pllana. Ai nuk foli për përmbajtjen e veprës së vet me fjalë sepse atë  ai e ka shprehur në vepër, por foli për atë se të gjitha shënimet janë të dokumentuara mirë dhe të gjitha janë të sakta. Vetë titulli i librit tregon dhe shpreh brengën e të gjithë shqiptarëve atë kohë që kishin dhe shpresën e secilit se patjetër do t’i dalin mbanë realizimit të qëllimeve  kombëtare. Ky manifestim u ndoq nga shumë dashamirës tjerë të librit dhe fjalës së shkruar. Është për t’u veҫuar edhe fjala e Prf.dr.Kurt Kalcher i cili i bëri një vlerësim  të këtij libri.


Në fund, autori dr. Nusret Pllana u shpreh se ndjehet krenar për faktin që ka arritur që t’ia bëjë një argat të çmuar atdheut si dhe popullit të shumëvuajtur.

Në përmbyllje të këtij aktiviteti kulturor, për të gjithë të pranishmit u shtrua një koktej modest nga z.Bekim Shatri dhe Hakif Grajçevci.

Samstag, 13. Juni 2015

Ripërjetësimi i njeriut që meritoi epitetin fanar i lirisë

Nga Rrahim Sadiku
 

  • Ekrem Hasani “Ramadan Rexhepi Adidasi fanar i lirisë”, monografi, Sojevë, 2015

Deri tashti dëshmori i kombit, Ramadan Rexhepi ka ecur me ne rrugëve të atdheut me veprën e vet, me kujtimet e lëna prapa, me lirinë e shtruar anembanë atdheut. Kurse kësaj radhe atë e kemi të gdhendur në faqet e monografisë “Ramadan Rexhepi Adidasi fanar i lirisë” të autorit Ekrem Hasani, në një libër ku për të tregohet madhështia e një jete të shkurtër e të jetuar denjësisht; shembulli i përkushtimit për atdhe dhe rruga e flijimit për liri e ardhmëri. Pothuaj në secilën faqe të këtij libri shohim se Ramadan Rexhepi ishte dhe mbeti personifikim i një gjenerate që ishte plotësisht në rrjedhat e kohës në të cilën jetoi e veproi; se ai pati guximin,diturinë dhe aftësinë të bëhej ndër njerëzit prijetarë të kësaj kohe, bashkë me të cilët u angazhua me të gjitha forcat dhe luftoi për jetë të lirë në atdhe, për atdhe të lirë; për bashkim të trojeve etnike e për afrimim dhe unitet të dinjitetshëm kombëtar. Ai shihte gjithnjë më tej të zakonshmes, përtej momentit dhe atje në horizont e kishte të dukshme një të ardhme premtuese, e cila mund të ndërtohej vetëm me shumë sakrifica e me shumë mund e duke u udhëhequr nga arsyeja. Kjo arsye flsite se ishte e domosdoshme pjesëmarrja aktive e shqiptarëve, që të krijoheshin rrethana të duhura për ta, duke dalë kundër asaj që ofronte momenti, pasi ai të shumtën ishte në kundërshtim të plotë me atë që ndodhte kudo në trojet shqiptare e veçmas në Kosovë. Ramadani ishte shpirtërisht e moralisht i përcaktuar për të parë të lirë atdheun e tij dhe për të mundësuar që e ardhmja të mos njihte më tragjedi e kobe të vazhdueshme. Prandaj kudo jetoi, punoi e veproi ai ishte shembull o sjelljeve njerëzore, i sukseseve të vazhdueshme, i durimit dhe i guximit, pra kurrë i nënshtruar e kurrë keqdashës dhe i gatshëm që një të mirë ta bëjë edhe më të mirë e që të këqijat midis shqiptarëve t’i bënte të padukshme fare. Ai pra ishte simbol mirësie dhe atë mirësi e gjeti brenda atdheut të tij e tek njerëzit që e rrethonin e donin, te njerëzorja e cila mbeti gjithmonë tipar dallues i tij.

I rritur në familje që kishte përjetuar të këqijat e disa pushteteve e asnjëherë nuk kishte dalë nga rrjedhat kombëtare, ai bëhet vazhdues i denjë i asaj qëndrse dhe shprese. Autori në shumë faqe e ka trajtuar historikun e familjes Rexhepi, duke na e dokumentuar se asgjë nuk ndodh rastësisht dhe se një njeri i përkushtuar ashtu fuqishëm ndaj atdheut, ka edhe një të kaluar të fuqishme atdhetare, e cila e brumosi si të këtillë dhe ia dhuroi popullit të vet. Mësojmë kështu se fëmijëria dhe rinia e tij janë përballje e vazhdueshmeme me realitetin e hidhur dhe synim për tëkaluar pengesat shekullore, për të arritur ecje drejtëvizore e krenare, duke lënë gjurmë në kohë dhe në hapësirë. Për të arritur këtë duheshin përpjekje titanike dhe njerrëz që kishim un tëvetin e respekt tek të tjerët. Ekremi na e dokumenton këtë përmes biografisë së Adidasit; përmes rrëfimeve të shokëve të fëmijërisë; përmes mbresave të ruajtura për Ramadan Rexhepin nga shokët e studimeve e të punës dhe sidomos nga tregimet e fuqishme të shokëve të idealit dhe të bashkëluftëtarëve, që ishim me të në ditët më krenare që pati ky dhe, në luftën çlirimtare, në beteja e në aksione, në të cilat Ramadsan Rexhepi - Adidasi ishte ylli shkëlqyes i guximit, i trimërisë dhe i gjeturisë. Të gjitha këto kategori rrëfimesh plotësohen reciprokisht dhe pa eufori e pa epitete të mëdha, po gjithnjë duke qenë reale dhe të jetuara, na e nxjerrin Ramadanin si modest e shumë njerëzor, në madhështinë e tij sa ishte gjallë dhe edhe tashti kur është pjesë e madhështisë së përjetshme. Këtë më së miri e ilustrojnë fjalët e thëna nga një bashkëfshatar i tij: “Edhe pas këtyre 16 vjetëve të ndarjes fizike nga Ramadan Rexhepi, e kam vështirë ta takoj një njeri të tillë në jetë, ku personalja sakrifikohet për të përgjithshmën!” “Njohës i mirë i rrugës që kishte zgjedhur, i edukuar për të qenë praktik dhe i vëmendshëm në punë, për të çmuar secilin, po edhe për të kërkuar punë nga secili, respekt e angazhim nga të tjerët, ai bëri që te ne të zgjohej dëshira për kalitje fizike, për të shikuar më për së afërmi rrjedhat politike të kohës dhe për të qenë pjesëmarrës më aktiv në to.” – do të shtojë njëri nga bashkëpunëtorët e tij të ngushtë. “Ramadani u bashkua me luftëtarët e lirisë dhe shpejt ishte një ndër kuadrot e dalluara të ushtrisë, duke kryer shkollime speciale e duke u dalluar në luftime dhe në taktikë ushtarake.” – thekson një bashkëluftëtar i tij. ”Ai kurrë nuk thoshte ecni në vijën e frontit, por ejani me mua në vijën e frontit” – kujton një tjetër.


Libri na sjell edhe biseda të shumta me familjarë të dëshmorit, me shokë të fëmijërisë, me bashkëpunëtorë të tij gjatë aktiviteteve politike e sportive, me bashkëluftëtarë e eprorë të UÇK-së dhe me nxënës që ruajnë kujtimet më të paharrueshme për të. Kemi këtu të dhëna që prekin edhe imtësitë e edhe madhoret, duke na u dhënë kështu shumanshëm dhe të plotë portretin njerëzor, intelektual dhe luftarak të Ramadan Rexhepit - Adidasit të cilit po i a urojmë Ditën e Çlirimit me këtë pjesë të nxjerrë nga libri:


“Ndalemi e dëgjojmë. Në ne e rreth nesh këndon fitorja, të cilës i dëgjohet zëri në mbarë botën, kudo shoqëruar me melodinë e krismës së armëve të lirisë dhe themi: “Ramadan, jemi popull i lirë! I lirë, ej!”


Autorin e përgëzojmë për librin që na solli në duar, familjen e urojmë për këtë ngjarje madhore në kujtim të birit të tyre; përgëzojmë shokët, bashkëveprimtarët e bashkëluftëtarët e dëshmorit, që janë pjesë e kësaj monografie, edhe kur nuk përmendën në të dhe e falënderoj e përgëzojë edhe kryetarin e Ferizajt, z. Muharrem Svarqa, që ka ndarë mjetet për botimin e librit.

Grafite poetike sikur të dala nga shpirti i muzave

Nga Rrahim Sadiku
 
(Sabit Rrustemi “Grafite nënlëkurore”, poezi, Shtëpia Botuese “Beqir Musliu”, Prishtinë, 2015)

Jeta dhe krijuesi bashkërendisin pikëtakimet e pikëndarjet, sepse kështu ndodh në vrojtimet e mendjes krijuese e këtë nuk e mohon dot as ajo që ndodh në realitet. Prandaj: “Secili e kemi nga një dritë shpirti/ thellësive të qenies/ për të ecur udhën që nuk e shohim”, na thot poeti Sabit Rrustemi. Megjithatë, jeta e shndërruar në frymëzim e simbol ishte, është dhe do të mbetet burimi i frymëzimeve të padukshme e shikim ndryshe i realiteteve të dukshme. Ndjejmë e mendojmë kështu kur hyjmë udhëtimit poetik me Sabitin, ku ndjehemi të dërguar përjetimeve, që vijnë e formësohen dukshëm imagjinatës krijuese dhe pastaj, të ngacmuara nga shpirti inspirues i muzave (edhe më të padukshme, që vigjëlojnë madhësitë dhe imtësitë brenda mendjes krijuese), na mundësojnë të bëhemi pjesë e ndijimeve, që na i kanë kthyer në vargje artistike. Këto frymëzime derdhen si lumë pastaj, realitetit artistik e mendësisë së kohës, duke na i bërë të pazakonta edhe të zakonshmet; duke na bërë të shohim përtej të dukshmës dhe të ndjejmë atë që nuk do ta kishim ndjerë në rrethana të tjera. “Grafitet nënlëkurore” nisin e shkruhen kështu brenda poetit, nën lëkurën e tij, për të ardhur te ne si vertikale e si horizontale të krijimit mjeshtror. Na vijnë si të zakonshme e si të pavakonshme,njëkohësisht. Këto të zakonshme, që na dalin edhe si tejet të pazakonta, ashtu të shndërruara në art, i kemi të pranishme kudo në veprën “Grafite nënlëkurore” të Sabit Rrustemit, ku e madhërishmja bëhet monumentale, përmes peshës së fjalës poetike, peshë kjo që ka dukjen e një margaritari, i cili sa herë shikohet nga ne, na e jep një reflektim të ri, të bukur e më të bukur, po gjithnjë duke na e ngulitur bindjen se kemi parë shumë pak, nga ato përthyerje të panumërta e mahnitëse dritash, të cilat na mahnisin duke dalë nga thellësia. Kjo vazhdimësi ndijimi e përjetimi na shtyn të kemi dilemë: është më i rëndësishëm për krijimin teksti apo nënteksti poetik? Dhe Sabiti, duke e kultivuar tekstin e thënieve të shkurtëra e të brendisë që zgjatet, pra duke i patur edhe tekstin e edhe nëntekstin në harmoni të plotë, i ka që të dyja këto shumë të pranishme e shumë të fuqishme. Me këtë bashkëjetesë të plotë të tekstit e nëntekstit në poezinë e tij, ai sikur na e zgjidh këtë dilemë, duke na thënë se krijimi i mirëfilltë na bëhet pjesërisht i dukshëm nga teksti e pasurinë e vërtetë e ka të padukshme, thellësive.

Poezia e Sabit Rrustemit, ashtu si e kemi në këtë përmbledhje, po edhe në përmbledhjet tjera të tij, ka kryesisht shtrim vetanak të frymëzimit, të vargut, të figuracionit dhe të na vjen edhe si begati gjuhësore. Ajo është pasqyrim i përvojës jetësore që ka autori, i njohjes së thellësisë së shpirtit njerëzor, i ballafaqimit të vazhdueshëm me botën, me të mirat dhe ligësitë e saj dhe i aftësisë për frenimin e momenteve jashtëpoetike që e rrethojnë e ngacmojnë, kështu që në vargjet e tij ka një qetësi të mahnitshme prej urtari; përmes tyre reflekton një shpirt i madh, i mbushur dashuri e humanitet; pa sforcim na e jep modelin e të mirës e të bukurës; pa na u imponuar me këshilla e me fjalë bombastike ai na këshillon poetikisht e thellësisht: “Asnjë fjalë më të bukur se ajo buzëqeshje/ nuk ndesha kund”. Dhe, derisa është kaq i thjeshtë e kaq i prajtë kur bëhet fjalë për veten e tij, me ata që prishin të bukurën, që shkelin njerëzoren dhe që imponohen pa asnjë meritë, tregohet shumë i ashpër, sarkastik dhe sfidues dhe ua hap sytë e mbyllur nga lakmia, urrejta, zilia e narcisizmi: “Puthadorët puthiten si munden/ vetëm a kanë ku/ për t’i vënë buzët”.

Duke mos e dashur njeriun të xhveshur nga njerëzorja, duke besuar se shpirti njerëzor nuk mund të lakuriqësohet i gjithi nga ndijimi e besimi në ardhmëri, Sabiti gjithnjë e gjen rrugën për “deri tek ajo zemër prej luleje”, ku fisnikërojnë bukuria e brishtësia, duke shkuar gjithnjë tutje e më tutje, duke e ndjerë se “ai mal fjalësh pas po më ndjek”. Ky “mal fjalësh” është shpirti poetik, brenda shpirtit të poetit dhe ai gjithnjë shndërrohet në kërkim, në etje për të shkuar tutje, për të parë botën me sy prej imagjinate e me zemër shpresëdhënëse. Dhe fjala është ajo bota e frymëzimit, teke e cila na shpie Sabit Rrustemi, ku ne mësojmë se ajo vjen qëndrueshëm brenda tij, duke madhëruar laboratorin e mendjes, ku nis e merr formë e bukura “ende pa ndodhur”, sepse ai e pohon që nuk kënaqet me të rëndomtën e me vogëlsirat që bëhen edhe më të padukshme në trajtim të kohës. Ai pastah na shpaloset thjeshtë, me pohimin se “heshtja nuk është ushqimi im i preferuar”; na tregon se nuk i pëlqen të jetë i mbështjellë “me fjalë të akullta” as i mbetur “në një skaj jete”, po se veten e ndjen vete vetëm kur është në vrullin e krijimit. Dhe e ka treguar me vepër këtë, pasi tashti e sa dekada me radhë është duke e jetuar, përjetuar e krijuar, për vete e për lexuesit, këtë botë madhështie, duke bashkuar kohë e duke anashkaluar dukuri e ndodhi, për të arritur qenësoret, të madhërishmet dhe të artat burime frymëzimi. Burimet e frymëzimit i ndërlidhen me botën e meditimit, e cila na shpie më tej, te drita e përjetshme, larg territ të natës e terreve njerëzore, ku “nga zanafilla e këndej nisemi”,”pa farë çmimi a kushtëzimi”, për të arritur “shtatë palë qiej”, nga ku krijohet mundësia për të mësuar “nëse kjo botë është e rrejshme/ përnjëmend” e nëse vërtet na del ashtu, atëherë: “në këtë fillim vere/ na shpëtoftë gjelbrimi”. Pra, shpirti poetik gjen rrugën midis mundësisë e pamundësisë, aty ku kemi një spektër ndërtimesh, figurative e jetësore, nga i cili aspekti poetik fiton peshë e aspekti real mbushet me dritësim të ri. Kjo pastaj vjen si trokitje në mendje e gjakim në shpirt. Dhe si e atillë futet në bota e imagjinatës, e cila te Sabit Rrustemi është specifike. Specifike për bashkëngjitje me të mundshmën e realen dhe e veçantë për shpalime të reja dukjesh, dukurish, etjesh. Kjo botë magjie e tragjike lidhet me mitin dhe sikur kërkon demitizim nga ajo peshë e padurueshme: “Ti s’je Urë e Shejtë as Rozafat/ po ke një emër të pafat”. Miti nuk dorëzohet, pasi “mesnata ndërron ditët”, edhe pse “hap zemrën këtë portë shpirti”, “aty ku një dashuri të pashkulur kam mbjellë”, “duke pritur një tjetër ditë”. Nis e shkon kështu loja imagjinative e realiteti artistik, pa anashkaluar të shenjtën mendje e të madhërishmen zemër, tek të cilat ngjizet, rritet dhe pastaj hidhet, që të vihet në përballje me botën poezia, me plot të pathëna brenda vetes: “Po e mbledh kohën e ikur/ përmes të tashmes/ që s’mjafton”.

E gjitha kjo që thamë deri tashti na drejton për te i madhërishmi Çepur, që nga poeti na vjen si simbol fëmijërie, si ushqyes kujtimesh e si stacion ku pushon malli e si toponim ku shtohet etja për të pambërritshmen e ku ujitet shpresa: “Çepurin e mbulon/ lëkura ime prej dheu/ dhe ato gjethe/ që ia la vjeshta”. Kështu, takohemi me metaforën vjeshtë e cila bashkë me poetin sikur ndjejnë dhembje për vitet e ikura e dhembjet kurrë të harruara, sepse “në kohën që vjen/ jam aty/ ku s’u takuam kurrë” dhe duke rrëfyer se “Tregtar i mire hiç nuk jam/ asnjë vuajtje a dhembje a pritje/ nuk ma blen kush”.

Libri “Grafite nënlëkurore”, si del nga këto që thamë e edhe më shumë nga ato që nuk i kemi thënë, sepse atëherë do të na duhej ta përimtësonim secilin varg e ndoshta secilën fjalë, vjen si përmbledhje plot vlera artistike, plot risi ndërtimi e plot këndështrime subjektive (që ne i ndjejmë dhe i përjetojmë edhe si shumë objektive) për njeriun e kësaj kohe, për të shkuarën e të ardhmen, parë nga aspekti krijues-imagjinativ; për paqëndrueshmërinë e kohës dhe njeriut brenda saj; për shpirtin si koncept abstrakt e për dhembjet shumë konkrete që e mundojnë e frymëzojnë atë. Duke njohur zhvillimet moderne letrare, te ne e në botë, Sabiti me plot besim ndjek hapin me to dhe nuk mbetet asnjëherë rob konceptesh teorike e rregullash strikte. Ai thyen vargun, ndrydh mendimin, që të jetë sa më shpërthyes kur zbërthehet; kërkon fjalë me efekt të atypëratyshëm, gërsheton përditshmërinë me imagjinatën, mitin me realitetin dhe kështu vazhdon “me gjuhë duke lëruar”, për të mbetur në mendjet tona me lirizmin e rrallë e me dritën e njerëzores që ka ngulitur kudo në vlerat artistike të librit.

Fenomeni Blushi dhe fenomeni Gjoka

Kritikë dhe Letërsi / Nga Ilirjan Gjika

Pas një sërë veprash të suksesshme në fushën e kritikës dhe të mendimit estetik, të tilla si “Poetika e Budit” (2002), “Proza e Kutelit” (2004), “Trebeshina - ajsbergu i letrave shqipe” (2005), “Sistemi letrar piramidal” ( 2007), “Kadare i Rilexuar” ( 2008), “Kuteli dhe letrarja” (2010), “Martin Camaj - shkrimtaria e tij” (2011); “Migjeni në pakohësi” (2011 ), “Autonomia e kritikës letrare” (2012), studiuesi i mirënjohur, Behar Gjoka, vjen tashmë përpara lexuesit të specializuar me një tjetër botim, me titull “Fenomeni Blushi”.

Libri, me një volum prej 180 faqesh, botuar nga Shtëpia Botuese “UET Press”, trajton jo vetëm veprën e deritanishme të shkrimtarit Ben Blushi, por edhe shkaqet e polemikave dhe të debateve të shumta që shkaktoi ai nga momenti i prezantimit të parë me lexuesin.
“Fenomeni Blushi” është, në vetvete, një studim që përmban një analizë të thellë dhe të plotë të triologjisë së shkrimtarit Ben Blushi. Autori i tij, Behar Gjoka, mund t’i vendoste këtij libri analitik çfarëdo titulli tjetër, por duke guxuar, si gjithmonë, në stilin e vet, ai vendos ta kalojë përsëri “Rubikonin”, dhe ''provokon'' me emërtimin, për të cilin pakujt do t’i kishte shkuar ndër mend, që ta quante Blushin fenomen.


Po përse fenomen?! Ndoshta përcaktimi i Fjalorit Sinonimik të Gjuhës Shqipe edhe mund të na ndihmojë në këtë drejtim. Midis të tjerash, aty theksohet se fenomen quhet shfaqja e diçkaje në natyrë apo shoqëri. Në vijim të kësaj ideje, përcaktimi i Gjokës është mëse i drejtë, sepse për vetë specifikat e tyre, veprat e Ben Blushit kanë lënë gjurmët e tyre në letërsinë tonë.


Sipas Behar Gjokës, duke nisur që nga viti 2008, Blushi, u prezantua fuqishëm me një kryevepër. I tillë ishte romani “Të jetosh në ishull”, i cili, i shkruar ndryshe nga tradita letrare e deriatëhershme, provokoi jo pak debate në kampet pro dhe kundër.


Kështu, Gjoka e konsideron Blushin fenomen, sepse duke u njohur më parë si gazetar apo politikan me emër, një ditë, në mënyrë krejt të beftë, ai u shfaq edhe në fushën e letrave. Por, përsëri ndryshe nga shumë të tjerë, Blushi u prezantua me një roman voluminoz, i cili jo vetëm që bëri jehonë te lexuesi, por gjeti të papërgatitur edhe kritikën letrare.


Jo shumë kohë më vonë, gati pesë vjet nga dalja e romanit të parë të Ben Blushit, do të jetë tashmë Behar Gjoka, i cili merr përsipër të bëjë një analizë të thellë të tij. Dhe jo vetëm që e realizon këtë gjë, por e materializon atë me një studim që të befason për nga brendia dhe formulimi. Kjo sepse vetë vepra e Blushit ka disa specifika të veçanta:


Së pari, studimi i saj kërkon një punë të madhe, për shkak se është një letërsi voluminoze, e cila duke llogaritur të tri romanet, përbën një material prej 1425 faqesh të shkruara.
Së dyti, për nga ndërtimi, ajo është shumë e ndërlikuar, sepse në të ndërthuren disa linja paralele, pa përmendur këtu edhe elemente të tjera të shumta.


Së treti, aty ndeshesh njëkohësisht me mitin dhe antimitin, legjendat dhe historia, epikja dhe dramatikja, realja dhe fantazia. Një element tjëtër që e karakterizon këtë triologji është edhe udhërrëfimi, i cili ndoshta ka ardhur nga ndikimi i publicistikës, një fushë me të cilën Blushi është marrë më parë. Në shumë raste, në rolin e shkrimtarit, ai bëhet protagonist i rrëfimeve të gjata. Si mjeshtër i përshkrimit, Blushi, shpeshherë dhe me qëllim të caktuar e ngadalëson ritmin e zhvillimit të subjektit, duke i marrë një tjetër kohë të çmuar pune studiuesit. Natyrisht që këtij të fundit i mbetet njëkohësisht edhe barra e klasifikimit të veprës letrare, pasi në të kemi një ndërthurje midis të qenit roman historik apo filozofik.


Te Blushi studiuesi has edhe një tjetër vështirësi në studim, sepse ai e lëviz në mënyrë të jashtëzakonshme kontekstin historik të veprës. Por të gjitha këtyre specifikave, Gjoka u del mbanë dhe thekson se triologjia e Blushit përbën një korpus letrar që demitizon historinë e Shqipërisë, duke trajtuar, ndryshe nga ç'jemi mësuar më parë edhe shumë nga personazhet e saj.


Këtu Behar Gjoka është mëse i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij, duke theksuar se Blushi, ashtu si Kadareja, duhet lexuar pa paragjykime, sepse, në fund të fundit, jemi në fushën e letërsisë. Në këtë sens, maksima e Gjokës tingëllon fort, kur shkruan se letërsia tashmë duhet të mos lexohet si histori dhe njëhkohësisht historia të mos konsiderohet si letërsi. Dhe me të drejtë, sepse si shkrimtar, Blushi e merr lëndën që trajton kryesisht nga historia dhe e vendos atë në funksion të letërsisë, duke përshkruar ngjarje dhe personazhe reale, krahas atyre që i krijon me fantazinë e vet. Kështu vepron te libri “Të jetosh në ishull” (2008), ku trajton pjesë nga historia e Shqipërisë bizantine dhe osmane. Të njëjtën linjë ndjek edhe tek “Otello, arapi i Vlorës” (2009), ku trajton historinë e Shqipërisë venedikase të ndërthurur me elemente shekspiriane. Edhe te romani i fundit “Shqipëria” (2013), Blushi merret me historinë tonë që nga koha e Lekë Dukagjinit, për të mbërritur te Shqipëria e Enver Hoxhës.


Një tjetër kostatim i drejtë i studiuesit Gjoka në punimin e tij është se letërsia e Ben Blushit është letërsi që buron nga kultura. D.m.th., ngjarjet dhe personazhet e saj janë krijuar nga bagazhi kulturor i autorit, ndryshe ai nuk do të na sillte në triologjinë e tij personazhe si Gjergj Arianiti, Otello, Lekë Dukagjini apo histori të tilla si ajo e Voskopojës. Pikërisht se lëvron romanin historik si zhanër, autori e vendos Blushin krahas Sabri Godos dhe Ismail Kadaresë, duke shtuar një tjetër vlerësim në mendimin estetik.


Si njohës i mirë i historiografisë letrare, Behar Gjoka e di mirë se te Blushi kjo fushë ka pasur një ndikim të madh në formimin e tij kulturor. Për këtë qëllim, ai thekson se te romani “Të jetosh në ishull” ndodh çmitizimi i figurës së Skënderbeut dhe njëkohësisht mitizimi i figurës të së njëjtës epokë, Gjergj Arianitit. Gjoka e veçon Gjergj Arianitin si një figurë historike, të cilën Ben Blushi e trajton ndryshe brenda galerisë së përsonazheve të tij të marra nga historia. Si studiues ai e di mirë se cili është marrë dikur gjerësisht me historinë e Arianitëve dhe se çfarë ndikimi kulturor ka pasur dikur ai te Blushi. Gjithsesi, Behar Gjoka e ruan etikën dhe nuk cek emra. Ai i mbetet gjithmonë parimit të tij se në kritikë nuk i intereson personi, por vetëm teksti.


Edhe “profecia” e Gjokës se ai pret një tjetër kryevepër nga ana e Blushit, nuk është e pabazë. Deri më tani Ben Blushi jo vetëm na ka befasuar me të tre librat e botuar, por edhe ka “goditur në shenjë” në momentin e duhur.


Sidoqoftë, “Fenomeni Blushi” është një sipërmarrje e vështirë dhe e guximshme e Behar Gjokës, i cili me këtë qasje zgjoi menjëherë vëmendjen e “përgjumur” të njerëzve të fushës së letrave, medias, lexuesit, por edhe të opinionit publik. Ndoshta pakkush e priste këtë studim të mirëfilltë dhe të këtij niveli në lëmin e kritikës letrare. Fenomeni Blushi, njëlloj si Blushi, u shfaq po në mënyrë të beftë dhe me tendencë ndryshe.


Një befasi qëndronte në faktin se askush nuk kish “guxuar” më parë t’i qasej veprës së Blushit, për vetë specifikat delikate që bartnin tematikat dhe personazhet e trajtuara prej tij. Dhe, nëse në letërsi Gjoka na tregon se kemi të bëjmë me dukurinë e quajtur Fenomeni Blushi, me këtë vepër ai na kumton natyrshëm se në eseistikë tashmë kemi edhe një vlerë të shtuar, atë që me shumë të drejtë mund ta quajmë Fenomeni Gjoka.


E habitshme, por mëse e vërtetë, sepse pakkush nga aktorët përgjegjës kanë qenë të vëmendshëm ndaj aktivitetit me të cilin Behar Gjoka ka qenë i angazhuar. Ndërkohë që Gjoka ka qenë gjithmonë aty, në fushën e tij, duke na dhënë prej më shumë se një dekade vepra të mirëfillta studimore. Ndërsa ai merrej seriozisht me autorët e letërsisë shqiptare, duke nisur që nga Budi, për të ardhur te Migjeni, Kuteli, Kadare, Camaj e Trebeshina, shumë “indiferentë” e vështronin të inatosur brenda stoicizmit të tyre.


Duhet të vinte “Fenomeni Blushi” që të kuptonim “Fenomenin Gjoka”, fenomenin i cili kish kohë që ish shfaqur me forcë dhe që na kujtonte gjithmonë mungesën e mendimit të mirëfilltë kritik. Dhe, ashtu si dikur Konica, që në fillimshekullin e kaluar u bë promotor i lindjes së kritikës sonë moderne, edhe Gjoka është bërë tashmë në këtë fillimshekulli, protagonisti kryesor që po i jep shtytjen kritikës bashkëkohore. Në këtë drejtim askush nuk ka të drejtë që t’ia mohojë këtë meritë.


Kështu libri “Fenomeni Blushi” përbën edhe sfidën e radhës të kritikës letrare. Ajo është një përpjekje serioze që përpiqet të zgjojë në radhë të parë ndërgjegjen intelektuale; atë ndërgjegje që i ka munguar jo vetëm kritikës, por edhe shoqërisë e opinionit tonë publik. Ndërgjegje për të gjetur forcën dhe për të reaguar ndaj gjithçkaje negative në fushën e kulturës.


Pikërisht këtë gjë, lobimin, Behar Gjoka e ka bërë vazhdimisht. Mjafton t’u hedhësh një sy rrjeteve të ndryshme sociale apo motorëve të kërkimit në internet dhe do të gjesh aty me dhjetëra shkrime e dalje publike të tij.


Gama e problemeve të tyre është gjerë dhe nis që nga monopolizimi i çmimeve letrare, për të ardhur te problemet e gjuhës, te historia e arsimit apo përfaqësimi i letërsisë kosovare në tekstet tona shkollore.


Në këtë rast, Behar Gjoka është shembulli që duhet ndjekur, shembulli i fenomenit të pjesëmarrjes qytetare, për të cilën tanimë shoqëria, dhe aq më tepër zhvillimet tona kulturore, kanë nevojë më shumë se kurrë.

Mittwoch, 10. Juni 2015

Hasan Bunjaku - Letër mikut, ose ese për heshtjen e zjarrtë.

N d r i ç i m e:

(Në 70-vjetorin ME dhe 19 vjetorin PA FIZIKUMIN e letrarit të shquar shqiptar, Beqir Musliut)

LETËR MIKU TIM, HASAN BUNJAKUT
(Njeriu është pishtar i dritës së vet të errët...)

Po të shkruaj, në këtë moment, kur më së paku jam i aftë të të shkruaj letër; por po të shkruaj në atë mënyrë siç Jam në këtë moment, nëpër të gjitha koncepcionet, travajet dhe gjendjen shpirtërore në të cilën jam në këto orë të vona të pagjumësisë sime të sëmura: Kjo le të mbetet vetëm pjesë e heshtjes. Një. Nuk dua që tani të sheshoj tërë këtë heshtje. Le të mbetet pra heshtje e zjarrtë. Sepse njeriu nuk është vetëm ai që është por në të ka dorë edhe diçka e instinktit, ndoshta diçka reflekset dhe mendimet, gjithçka një mekanizëm motorik apo diç tjetër... por ajo çka është kryesore njeriu nuk është vetëm ky që është: mbetet shumëçka në të e pazbërthyer, e pazbuluar, e panjohur... pra le të mbetet edhe kjo letër në këtë ngjyrë: le të merr me vete gjithçka, por të mos thotë asgjë, ose vetëm një pjesë të heshtjes e cila është e kallshme në mua apo në sendet që më rrethojnë, sepse njeriu përsëri është pishtar i dritës së vet të errtë që e sheh në majën e majës, kah e cila gjithmonë drejtohet, njeriu – poet i natyrës dhe i dialektikës së farës së vet, prandaj për këtë dilemë që është në proporcion të natyrës dhe dialektikës së njeriut si qenie që luftëton kundër kësaj natyre apo dhune e cila është e paevitueshme në të: krijohet vetvetiu fuqia e njeriut, ndërsa njeriu përsëri mbetet në atë nivel me të gjitha gjërat që e rrethojnë, kurse fuqia shpie lart, aq lart sa njeriu më vonë nuk mundet që ta mbërrijë. krejt këto nuk janë vetëm përshtypje, por një diçka që u jep inercion gjërave që kanë fuqi, invencion atyre që jetohen dhe preken, butësi, atyre që therin, dhe sa bukur tani kisha për t’i shti në gji edhe ato therra që i kam urrejtur dikur, por që kanë qenë të bukura, të buta dhe të dashura, që kanë qenë të mijat. Nga krejt kjo që krijova mbet vetëm heshtja. Po. 


Heshtja e zjarrtë.

Unë do të këndoj atë që në fëmijërinë time me netët pa gjumë, me sëmundjen time dhe sëmundjen e saj: ajo më krijoi sëmundjen që ta dua këtë, unë ja dhashë sëmundjen time që të më dojë, prandaj kështu në heshtje krijuam këtë dialektikë që është në proporcion me vetë kërkesën tonë, e kërkesa jonë është prapë më e madhe se sa patëm rastin t’i japim ose të na japë ajo neve, prandaj kurrgjë më të madhe as që kemi pritur nga ajo, ajo na ka dhënë vetveten, heshtjen edhe kur kemi qenë në vetmi edhe kur jemi zhytur në atë amulli që nuk kemi ditur të dalim sikur nëpër sezamet e përrallave. Krejt kjo tani të bëhet se është një lojë, një letër më pak në ciklin e letrave: “Letrat me miqët” e cila po më varet në qafën time të lëvarur, në liqenin e pagjumësisë që po ndërton lundërza që enden nëpër oqeane dhe detra që i përbijnë në të gjitha gjërat që më rrethojnë dhe ato që janë në mua – bashkë me mua, prandaj asgjë mos lyp gjer sa nuk mundesh t’i japësh asaj që i lyp, sepse në këtë kohë të jetosh është bërë një ligj i natyrës i cili nuk duron parime dhe dialektikë; ndërsa njeriu dialektikën e krijoi bashkë me veten, prandaj po them botërisht se njeriu e krijoi njeriun. Mund të mos pajtohen as filozofët, as të urtit, pasi nuk pandeh të bëhem as filozof e as i urtë, sepse gjaku im që është i murosur nëpër trëndafilat e nënlëkurës nuk e lejon këtë, sepse ai është tepër i shqetësuar se sa e kam vetë dialektikën e njeriut. Prandaj, sonte nuk më prin as dëshira për fuqinë e mbinjeriut, por fuqia e njeriut; atij njeriu që shëtit nëpër bulevardet e çdo qyteti dhe rrugica fshati i cili shikon gjethet se si bijnë se si kremtohet vjeshta, paturpësitë, se si fshijnë vjeshtën, e atë vjeshtë që kishte mundur të mos vijë, por që ajo është ligji i natyrës – vjen pa e ftuar, edhe pse poetët e ftojnë ajo vjen edhe sikur të mos e ftonin ata, por me këtë tragjikë – kurrë jo! Tragjikën ia krijojnë, ajo nuk ka tragjikë. Filozofë koprracë, heshtni! Sonte nuk ka filozofi, por vetëm dëshira për të hyrë, për të dalë, për të jetuar – jashtë këtyre ligjeve! Nuk durohen më ligjet që t’ia pengojnë fuqinë njeriut. Jo, nuk jam për një fuqi mitike, e as s’them se besoj në atë të Niçës: të Zarathustrës, por besoj se vëlla e kam Zarathustrën dhe ulkojën. Nga Zarathustra mësova se njeriu duhet të kthehet kah njeriu që të lind njeriu, nëse do edhe mbinjeriu, dhe nga ulkoja egërsinë, që të përqëndrohem në egërsinë që i mban shpellat, fushat, arat si dhe malet, bjeshkët e të gjitha që njeriu u frikohet. Edhe unë frikohem, por frikohem edhe me veten. i frikohem vetes, sepse ajo është shumë më e madhe se të gjitha fuqitë që munden edhe ta shkatërrojnë botën, por bota nuk shkatërrohet. Vetëm i krijohet tragjika të cilën e ndajnë njerëzit ndër vete, ndërsa ata njerëz nuk duan që me atë tragjikë të ngrohen, sikur unë sonte kur në një letër mundohem ta fusë tërë tragjikën time e cila është më e madhe se sa unë prandaj gota kur mbushet don të zbrazet, hej, o vetmi, nëse asnjëri nuk është në dhomën time, atëherë nuk jam as unë, këtu vetëm hija ime po që më mban, vetëm ajo po luan me mua, po don të më tallë, o ju hije që përqeshni botën, krijoni tragjeditë, luani Jagon, Otheluan, Hamletin, Mbretin Edip, Antigonëm, Orestin apo Danten – mësoni se edhe njerëzit e vegjël kan krijuar madhështinë që e keni marrë vetem nga ata që kanë qenë të ‘’mëdhenj’’ vetëm në emra, në ngjyra, apo … prandaj sonte po ndiej më së tepërmi, më shumë se kurrë jam Njeri prandaj të gjithë njerëzit tjerë janë me mua,pra po bindem se dhoma ime sonte është plot njerëz,pse jam unë, kur jam unë – dhoma ime është plot njerëz,njerëz që i dua. E njerëzit krijojnë edhe dialektikën e tyre që të luftojnë kundër natyrës. Do të fitojnë, ki besim.


II (Ka edhe asi që duhet të vdesin për të lindur për së dyti…) 

Nëse i nevojitet botës akoma zjarri, ne do t’i ndezim duart tona, sepse me to lehtë ndërtohet përsëri bota. Porse nëse ne do të ndizemi lë marrin vetëm gjurmët tona dhe atë njeriun që e lamë të na zëvëndësojë mbi tokë sepse vetëm kështu do të mundim për të ia shtuar farën njeriut parahistorik, pse nuk është e rëndësishme se çka po ndodh, e rëndësishme është se po ndodh dhe çdo ndodhje tjetër është edhe një ndodhi më e re të cilën do ta përcaktojmë nesër: kur do të jemi me njerëz,më sende, më lule…Vetëm lulet do t’i shpëtojmë nga udhëtimi të cilin do ta përfundojmë një ditë kur të krijohemi në njerëz. Përsëri më mban diçka e kohës që ka sharruar në mua, më mban sepse mjaft më e kam mbajtur gjer më tani sepse vetëm në këtë mënyrë jemi ata që jemi sepse në përjashtime tjera nuk do të mundnim as të qeshim as të qajmë në mënyrën të cilën e kemi bërë dikur në fëmijëri apo më herët, sepse nuk jemi penduar për lindjen, çdo lindje ka qenë vetëm një vdekje më solemne prandaj iu kemi gëzuar lindjes – të vetmit në botë, sepse krejt bota nuk është në një emër, krejt njerëzit nuk janë njerëz, ka aty edhe asi që duhet të vdesin për të lindur për së dyti, e kjo nuk është vetëm detyra por edhe dënim. Prandaj nuk kemi pse të vdesim kur kemi lindur. Kjo nuk përkon ndoshta me filozofinë që duhet të përkrahë bota, por prapëseprapë është filozofi ndoshta e kësaj nate, vetëm e kësaj. Nëse është vetëm e kësaj nate unë do të jem krenar dhe i lumtur. Krejt bota nuk ka një filozofi, ndërsa mendimet sonte e krijojnë vetëm atë: filozofinë e njeriut. Filozofia e njeriut është shumë e madhe se e tërë botës, ajo është më e pastër, më e drejtë, më e dashur dhe më e madhe. Unë besoj në këtë filozofi, prandaj nuk ka përse të heshtësh, por me të vërtet ti je heshtje, sikur unë edhe në këtë dhomë ku po ndërtojmë jetën që duhet të ishte edhe vdekja jonë – në këtë heshtje të një nate që është e zjarrtë. Mu njashtu si heshtja. Heshtja e zjarrtë. Unë i dua heshtjet, të thashë, vetëm atëherë kur janë të zjarrta. Ndërsa heshtjet e zbehta nuk i dua, ato më frikësojnë, më tmerrojnë, në to e shoh veten të vogël, kerthi, i humbur e gjithçka e ndiej veten, vetëm e vetëm që të mundem t’u ik këtyre përsëri i shtrëngoj grushtat, i bie dikujt, ndoshta nattës, shaj pështyj dikë, ndoshta përsëri natën këndoj dikë, ndoshta përsëri natën… dhe kështu po krijohet vetvetiu kjo dramë për natën e zezë kur i shkrova një miku që nuk është e është në këtë natë…


(Unë jam i dobët vetëm nga tepërsia e fuqisë!) 

Po e ndaj natën, një pjesë është e imja, pjesa tjetër e tija dhe tani këto dy pjesë po i bashkojmë në një, në një fuqi, dy grushta në një dhe përsëri po i bijmë malit që s’bëzan (Migjeni) apo natës dhe do ta bëjmë copë e grimë, kështu do të jemi të lirë të shikohemi, të flasim, të qajmë të këndojmë, të thërrasin njëri tjetrin, të krijojnë botën, ashtu siç kemi ëndërruar dikur në fëmijëri apo diç tjetër, për të gjitha këto këndojmë e qajmë, të heshtim dhe të flasim. E përsëri do ta dashurojmë heshtjen e zjarrtë, atë heshtje që nuk do të jetë vetëm heshtje. Do të jetë akull, ujë bore, e shumë trajta të tjera siç është vetëm bota e infektuar nga njeriu apo njeriu nga bota. Këto nuk kanë rëndësi. Por mëso vetëm një gjë: Unë jam i dobët vetëm nga tepërsia e fuqisë! P.S. (Eh, Beqiri- përherë ndjell një tragjikë në vete…) Ndoshta nuk ka nevojë të komentohet i gjithë ky përjetim kur mora të përgjigjem në dy letrat tua që i mora (një letër dhe një panoramë). Sepse, për çdo ditë kam pasur ndërmend të të shkruaj, e nuk kam mundur, më ka munduar mu kjo gjë që prapë më mundon dhe në atë mënyrë edhe u shpreha. Një gjë duhet ditur, po shërbehem me një varg të Teki Dërvishit : ‘’Edhe kur të shkruaj letrën nuk ta dërgoj, dije je në mua – edhe njashtu të kuptoj!’’. Prandaj këto gjëra, rrethanat, gjendjet shpirtërore në meditimet e fundit ( siç e zbraza në këtë letër e zila është dhurata më e madhe që mund të ta dhuroj në këtë rast – sinqeritetin të djegur si shpuzën në këtë letër të bardhë) kanë bërë që të vonohet kjo përgjigje. Për të gjitha këto, pasi t’i biesh anë e tej kësaj letre dhe pasi ta rilexosh edhe një herë: do të mendosh dhe do të thuash: Eh Beqiri – përherë ndjell një tragjikë në vete, e mund të shtosh, ose ajo e ndjek atë, njësoj, njeriu lind si i tillë edhe pas njëqind viteve prandaj asgjë mos të të brengosë gjersa lexon këtë letër, të rëndomtë,sipas meje. Më shkruaj se a po të vjen ‘’Zëri i rinisë’’? Ta kam parapaguar për 6 muaj. Pra, po e përfundoj këtë letër duke të dëshiruar çdo të mirë dhe fjalët tua për mirëvajtjen në atë vend – të lirohen nga thonjëzat. Tek e fundit thonjëza e pa thonjëza jeta kalon. Prishtinë, 16 tetor 1969. Beqir Musliu Rruga e Beogradit 2:/A ‘’Zëri i rinisë’’ Prishtinë.

Një jetë të tërë bashkë, derisa Beqa iku në Përjetësi

Shënim: Hasan BUNJAKU: Adresati i kësaj letre, më 1969 gjendej në shërbimin ushtarak të ‘’APJ’’, dhe, meqë atëbotë letërkëmbimi ishte mjet i vetëm komunikimi e letërdërguesi me letërmarrësin ishin miq të kahershëm, gjatë tërë kohës sa ishin larg njëri-tjetrit, korrespondonin rregullisht me këso letrash. Zatën, siç do të vëreni, letërmarrësi,(edhe) në këtë rast është vetëm pretekst, subjekt inspirimi, e cytës, shkas që shkrimtari, edhe atëherë tashmë i mirënjohur – në të vërtetë të krijojë një Ese për Vetminë, Pagjumësinë e sëmurë dhe Heshtjen e Zjarrtë. Andaj, e pamë të udhës, që sot, pikërisht në 70-vjetorin e lindjes dhe 19-vjetorin e vajtjes sç tij në amshim të dërguesit të kësaj letre, ta bëjmë atë publike. Edhe në këtë letër fare mirë pikasen pikëpamjet, këndvështrimet, observimet, rezonimet, meditimet, refleksionet, credoja dhe vokacioni krijues i Beqir Musliut që para afro dyzetëegjashtë vitesh.

(P. S. Mbititulli, titulli, nëntitulli dhe mestitujtë, dhe sqarimi në fund të letrës, janë të miat; ndërkaq që këtij shkrimi original të mikut tim Beqir Musliut, nuk i është bërë kurrëfarë ndërhyerjeje tjetër as gjuhësore, as drejtëshkrimore, as të asnjë natyreje tjetër.)
(Hasan Bunjaku)

Xheladin Mjeku - Flamur në Boletin


 Xheladin Mjeku

FLAMUR NË BOLETIN   

Monolog i Isa Boletinit
Në kthimin e eshtrave të tij në vendlindje


Nuk mund të kthehem menjëherë në Boletin
Pa u takuar për pak çaste me Ismail bej Vlorën
Dy fjalë burrërie i kam edhe me të, qe besa
Bashkë do shpalosim kujtesën për Ditën e Madhe
Tej detit do ta flakim tashmë harresën

Bajram Currit borxh një përqafim si vëllau-vëllaut
Tok do të dredhim nga një tarabosh këmbësokoli
Me Bacën do çmallem deri në pikën e ditës
Dhe do t’ia shkundim pluhuri nmaliherit
Majave të Dragobisë e deri në Boletin

Po në Galicë kush më prêt në këtë kohë
Doemos me Azemin do të takohem vëllazërisht
Shumë keq më ka mbetur trimi
Se Shota ende nuk iu kthye nga Fushë-Kruja, medet!
Atë vëlla po ma bren vetmia e madhe
Prej se e la pushkën t’i heshtë majë kreshtave

Prekazi ma bën me dorë për mirëseardhjen
Ademit duhet t’ia jap dorën si burrat
Do të çmallemi për mungesën time për një shekull
Nuk I dihet, edhe mund të kem qenë larg ndo’iherë
Po flaka e lirisë bashkë na dogj e na mbajti të fortë
Deri në ngritje të flamurit të përjetësisë

Zbrita përmes fushave të bleruara të Drenicës
Hasan Prishtina më la amanet t’ia ruaj si sytë
Ende po më digjen malet e Çyqavicës
Për një shekull nuk u fik ky zjarr i lavdisë

Hapave të burrërisë së djegur iu kërcasin eshtrat
Deri në palcën e besimit në diell e qiell
Deri në zenitin e besës pë rnjë pale pishtole
Se trimat nuk maten me heshtjen e përvuajtur
Maten me fjalën që shpon gurin
Maten me forcën që mposht edhe vetë burrin

Pak caste takimi sa të jem edhe në Prishtinë
Dy fjalë zemre me të madhin Skënderbe:
-Rrugë të gjatë bëmë që këtu bashkë të rrijmë
Borxhin t’ia kthejmë të shtrenjtit atdhe!

E Boletini m’u paska skuqur gjithandej
Nuk e di, ka zjarmi ende, a gjaku ifisit e ka prekur
Flamujt që po valëviten majë shkëmbit
Kullës ia paskan shtuar madhështinë
Për bé e rrëfe

Për kah kanë më sy’ këta njerëz kësaj zagushie
Verë është a dielli djeg mallueshëm për djemtë
Që mbetur janë në cepin tjetër të atdheut
E më bëjnë roje mbi Urën e Ribnicës
Mbi hartën e tkurrur të atdheut

Edhe shumë ura do të ngrisim në rrugëtime të reja
Dhe bashkë do t’i mbrojmë me tytën e maliherit
Urat tona ngritur në vetull mali, shkëmbinjëve
Që përcollën shekujve lavdinë  e malësorit
Veç një besë na mban fort në bekimin e atdheut
Në betimin e përbashkët në një flamur

Sot nga këtu ju thërras me ndjenjën e dashurisë
Ju them që mos t’më ngrisni përmendore
Veç kullave ruajani kujtimet e mbuluara myshqesh
Deri në harresën që ma kujtoni si diellin
Më mbani vesh çka fola

Se vonë, tepër vonë është bërë ta ta koj këtë epokë
Falna o Zot për vetëharresën që po na djeg
E rizgjimi I vonuar mund të jetë kujtesë e hidhur
Për ditën që perëndoj në shuplakë të historisë
Këtu e njëqind vjet

Tash po zbres pak kah vendlindja
Do të ndaloj pamëdyshje në Boletinin e lavdisë
T’ia shkund mallin harresës
Dhe të përqafoj lisat e plisat
Që aq gjatë ma ruajtën besën
Derisa u ngritëm nga hiri i lashtësisë

Nga zemra ju thërras
Sot kur po takohemi kokë më kokë
Pas kaq shekuj përpjekjeje
Bashkë do ecim për Europë
Se një flamur e ngritëm në Vlorë
Tjetrin këtu në Prishtinë
Përjetësisht do mbetem
Flamur në Boletin!


10.06.2015