Sonntag, 21. Juli 2013

Mbledhës dhe njohës i thellë i anekdotës

Sali Zogiani është mbledhës i apasionuar
dhe njohës i thellë i anekdotës shqiptare.

Salih Zogiani lindi më 1942 në fshatin Harilaç të Fushë Kosovës. Studimet në Fakultetin Filozofik, dega e Gjeografisë, në Prishtinë, i mbaroi me 1968. Ka punuar mësimdhënës në Gjimnazin”Skenderbeu” të Drenasit, në Gjimnazin “Sami Frashri” të Prishtinës, në BVI-ndhe në Departamentin për Kulturë të Kosovës. Me mbledhjen e anekdotave merret që nga viti 1965.
Ka botuar pesë vëllime në gjuhën shqipe dhe një vëllim në gjuhën angleze.
Ka marrë pjesë në hartimin e Planit Afatmesëm për Zhvillimin e Kulturës, në përkthimin e Astronomisë, në hartimin dhe publikimin e shumë materialeve nga lëmi i mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.


VLERËSIME PËR BOTIMET

Ramiz Kelmendi: Anekdotat e botuara të autorit Salih Zogiani, në librin "999 anekdota", sjellin porosi me një humor të shëndoshë dhe të këndshëm, përshkuar me nota të mprehta satirike, para të cilave nuk mund të mbetesh indiferent. Unë ndjeva kënaqësi të posaçme kur i lexova. Pas Anton Çettës, për mendimin tim, Salih Zogiani është mbledhësi me i mirë i anekdotave shqipe.                                                                    

Daut Demaku: Është thënë se anekdotat janë kallinjtë e pakorrur, të mbetur nëpër arat e historisë, për t’i ushqyer brezat që vijnë. Të gjithë brezat e mençur të njerëzimit kanë nxjerrë mësimet më të mira dhe më qenësore pikërisht nga këta kallinj, sepse në përmbajtjen e tyre kanë pasur ushqimin më të shëndetshëm, më të mençur... Populli është si lumi i madh: ecën ngadalë, nuk ngutet, por edhe nuk shteron kurrë. E pë-rroskat zhurmojnë shumë, nguten shumë, por edhe shterojnë shpejt (kjo është përgjigjja pse krijimi gojor jeton gjatë).
Mbledhësit e anekdotave duhet të kenë njohje dhe prirje krijuese, për t’i dhënë shpirt e jetë që të komunikojë me lexuesit e kohës sonë. Njëri prej mbledhësve të suksesshëm të anek¬dotave shqip¬tare - natyrisht pas profesor Anton Çettës është edhe Salih Zogiani, puna e të cilit ka bërë që të shpëtohen nga harresa anekdotat tona, ky thesar i vërtetë i trashëgimisë sonë shpirtërore.
Uroj që të vazhdohet kjo punë e suksesshme.
                                                                   
Dr. Myzafere Mustafa: Lexuesi do të ketë kënaqësi të shijojë vlera të mirëfillta të anekdotës, si në rrafshin tematik ashtu edhe në atë estetik dhe kuptimor. Tanimë mund të thuhët se Salih Zogiani nuk është vetëm mbledhës por edhe njohës i thellë i anekdotës.

Dr. Mehmet Halimi: Salih Zogiani, tanimë është një mbledhës, botues dhe publikues i mirënjohur i anekdotave shqiptare, që kanë forcë dhe efekt të madh në situata të caktuara, në kohë, vend e auditor të caktuar, në oda burrash edhe gjetiu. Autori ka bërë një punë të mirë, sepse ka shpaluar vlerat tona të shumëfishta etnofolklorike dhe artistike, nga njëra anë, dhe ka pasuruar e freskuar studiuesit e lexuesit tanë, nga ana tjetër, me një vepër të mirëpritur, e cila jo vetëm që i konkurron, por i tejkalon vlerat etnofolklorike të shumë popujve të botës.
                                                              
Prof. Sulejman Dërmaku: Në mesin e mbledhësve të përkushtuar të anekdotës është edhe Salih Zogiani, autor i disa librave me anekdota, një vëllim nga të cilët madje i përkthyer edhe në gjuhën angleze. Këto visare të çmuara, që burojnë nga e përditshmja individuale dhe kolektive, ai ka ditur t’i sistemojë dhe t’i nxjerrë në sofrën publike për t’i shijuar të gjithë ata që e duan këtë ushqim të shpirtit. Librat e këtillë janë thesar i çmuar për çdo lexues, pavarësisht orientimit profesional e shoqëror dhe moshës, me një fjalë: për çdo njeri.
                                                           
Prof. Gani Bytyçi: Anekdota është mënyrë e komunikimit fisnik, të urtë e brilant, që përherë bëhet në formën më elegante. Anekdota shqiptare dallon nga anekdota e popujve të tjerë. Derisa anekdotën tek popujt e tjerë e përshkon fund e krye karakteri i saj humoristik dhe argëtues, tek anekdota shqiptare thelb i saj mbeten porosia, mesazhi, analogjia, aluzioni, që synohet të bëhet nëpërmjet ngjarjes së rrëfyer të një tjetër ngjarjeje; qëllimi i autorit për të sajuar një aso¬ciacion ideje nëpërmjet rrëfimit metaforik të një ngjarjeje. Në këtë mënyrë, anekdota shqiptare, në rend të parë, ka karakter edukativ, shikuar nga brendia, nga thelbi i saj, nga mesazhi që bart ajo brendapërbrenda vetes. Ndërkaq, nga ana e jashtme edhe ajo mbështillet me petkun humoristik e argëtues.
Nëse për La Fontenin është thënë se ishte një fabulist i lindur, unë do të thosha se Salih Zogiani është një anekdotist i lindur. Kur them këtë, kam parasysh se Zogiani nuk është vetëm një studiues e mbledhës i pasionuar i anekdotës, por në rend të parë, ai është njohës i hollë, krijues dhe mjeshtër i saj.
  
Muhamet Mjeku, në vlerësimin e tij për botimin, veç të tjerash, shkruan: ... Lexues i nderuar, ky libër do të jetë shoqëruesi yt më i mirë, edhe atëherë kur nuk je në humor të mirë, edhe atëherë kur ke pak kohë përkushtimi ndaj vetes dhe edhe atëherë kur fati nuk ecën bashkë me ty.


Anekdota të mbledhura nga Salih Zogiani

PËR PUNË TË RËNDËSISHME DUHET TË RRIHET

Njëri kishte pasur babanë shumë të vështirë e kurrë nuk guxonte të vonohej. Një ditë, në ramazan, shkon djali në pazar. Habitet diçka e vonohet. Ngutet për të zënë iftarin, po nuk mu¬ndet. E dinte se do ta qortonte baba, e tërë kohën mendonte se çka do t’i thoshte. Si shkoi në shtëpi, baba e pa me hidhërim dhe i tha:
- Çka u ba që u vonove kaq shumë, a e di se çka t’kam thanë?
- U vonova se ishin tubu ylemaja dhe paria e bisedojshin për me e shkurtu ramazanin, - i tha djali.
Kur i dëgjoi plaku këto fjalë, ia nisi të fliste më butë, e i tha djalit:
- Ani, qysh e vendosën?
- Nuk e di, nuk guxova me ndejtë deri në fund, se u vonojsha shumë, - i tha djali.
- Jo, bre bir, kur asht puna e rëndësishme, duhet me ndejtë deri n’fund, - i tha baba.
Atëherë foli gruaja e u tha me habi:
- Qysh bahet e qysh mujnë me e shkurtu ramazanin?
- E, mori grue, bahet, qysh nuk bahet, bu¬rrat e fortë, me dashtë, mujnë edhe me e hjekë krejt, - i tha burri.


VENDIN E FJALËN NUK MUND T’M’I LUAJË ASKUSH

Një plak, kur e kishte parë për të parën herë Binak Alinë, nuk ia kishte mbushur syrin hiç, siç kishte dëgjuar për të, andaj i tha:
- More Binak Alia, qysh kam ndi, se t’ka shkue zani deri te mreti për mençuni e burrni, a po m’tregon se qysh e ke mbërri këtë famë?
- Po, po të trgoj, - i thotë Binak Alia, Unë, kur ulem, e di ku e kam vendin, e gjithmonë ulem në vend temin. Po edhe kur e flas fjalën, para se me folë, e mati mirë, pra e di ku e kur duhet me folë e kur me u ndalë. Edhe mbreti me hi, vendin dhe fjalët nuk mundet me m’i lue, e për qato m’ka dalë zani, - i tha Binak Alia.


I MENÇURI DI TË HAPË RRENË NGA DUHET

Ilaz Bajraktari i Astrazubit, kur u zgjua një ditë në mëngjes, pa se kishte rënë shumë borë, saqë gati i kishte mbuluar shtëpitë, ndaj tha:
- Me e pasë ni mashkull të papritueshëm e që ndëgjon, e me dalë e me u thanë njerëzve në¬për katund, me i mshelë sot budallët, e mos me i lëshue derisa të gjindet nji njeri i mençëm për me na i çelë rretë e borës.
- Po, le t’i çelë gjithkush rretë, - i thotë njëri.
- Jo, se me ba me dalë e me i çelë naj bu¬dallë, na merr n’qafë të tanëve, i çel kah nuk duhet, e tevona na duhet me i ra qasaj rruge të rresë. Pra, nuk ka ma taksirat se me shkue për rre t’budallës, - i thotë Ilazi.


KAM QENË, PO NUK M’PASKE PA!

Haxhi Zariqi e Liman Gjylani nga Baica e Dre¬nicës kishin pasur muhabet mes vete dhe ki¬shin qenë shokë të pandarë. Mirëpo, një kushëri i Haxhiut kishte bërë fjalë me Limanin e ishin zënë goxha fort. Mundohet Haxhiu për t’i pajtuar, po nuk mundet, se nuk donte ku¬shëriri i tij.
Mbas disa ditësh, Haxhiu duhej ta martonte djalin. Kishte qejf ta thërriste në dasmë edhe Li¬manin, mirëpo, për shkak të asaj ngatërrese të kushëririt, nuk mundi, e i mbeti shumë me¬rak.
Një ditë, kur e pa Haxhiu Limanin, i tha: - Li¬man, a e din se ke qenë i thirrun n’darsëm!
- Posi, unë jam kanë n’darsëm, po ti nuk m’paske pa, i tha Limani!


T’U RRITTË NERA, SE BEREQET PASKE MJAFT

Kishte qenë njëri shumë pasanik, po edhe shumë koprrac. Ishte miqësuar me një mik shumë të mençur. Një ditë i shkoi miku i ri my¬safir. Kur ia qiti i zoti i shtëpisë mikut një cigare, ai i tha: - Tu rrittë nera!
Edhe kur e piu kafenë, edhe kur hëngrën bukë, mysafiri i tha: - t’u rrittë nera, t’u rrittë nera.
I zoti i shtëpisë dikur i tha:
- More mik, na veç për cigare themi: - t’u rrittë nera, kurse për kafe, për bukë e për të tjera, themi: Zoti t’dhashtë bereqet!
- Edhe te na qashtu themi, po ti, miko, bereqet paske boll, e paske nevojë për ma shumë nder, e për atë po t’uroj kështu, - i tha miku.


KURRKUSH NUK MBETET NE VAJ

Vesel Mehmeti i Siçevës kishte qenë duke thurrur një gardh. Aty pari kalojnë dy policë. Ndalen policët e po e pyesin Veselin: -A po tregon drejt, a ma mirë ka qenë në Jugosllavinë e Vjetër, a tash, në Jugosllavinë e re?
- Ma mirë tash, u thotë Veseli.
- Pse tash ma mirë? e pyesin policët.
- Atëherë, në Jugosllavinë e Vjetër, iu ka pas kajtë nana fukarave, e tash edhe pasanikëve, kështu që kurrkush nuk mbetet në vaj, u thotë Veseli.


KAM MNDUAR SE NUK E HANE AS QNTE

Një djalë i ri mbrëmjeve dilte jashtë shtëpisë e shkonte në kafe e rrinte deri vonë. Babai i tij ia kishte tërhequr vërejtjen disa herë, po djali nuk i dëgjinte këshillat e tij. Një natë, duke u kthyer djali prej kafes, e hanë qentë goxha fort. Shkojnë disa miq për ta parë dhe i shprehin keqardhje babës së djalit, duke i thënë:- Na ka ardhur keq, kur kemi dëgjue, po shyqyr që të ka shpëtue djali.
- Jo, mue m’ ka ardhë mirë, u thotë ai!
-Pse të ka ardhë mirë?- e pyesin këta!
-Po unë kam pas mendue se nuk e hanë as qentë, u përgjigjet ai.


NA RROFTE DAJA

Një kosovar kishte pas shkuar në Shqipëri në kohën e Zogut. Mbas rënies së komunizmit në Shqipëri, nipat e tij kishin pasur dasmë. E thërrasin në dasmë edhe dajën nga Kosova. Kur shkoi ky atje, gëzohen shumë, e qesin krye vendit dhe i njoftojnë dasmorët se ky ishte daja i tyre. Secili që e ngriste dollinë, atë e përmbyllte me urimin për dajën, duke thënë:
- Na rroftë daja!
Dikur, njëri prej nipave, ia bëri dajës me shenjë se rendi e donte që edhe ky t’ i përshëndeste të pranishmit.
U çua daja, ngriti dollinë dhe u tha dasmorëve:
- Ju përshëndes të gjithëve, daja rrujti boll, tash të gjithë ia rrofshi dajës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen