Freitag, 2. August 2013

Buqetë tingujsh poetikë në pentagram


Nga Majlinda Rama

- Redaktore e librit "... dhe vjen një ditë ..." të autorit Dan Kosumi

Poezia është buisja e parë në panteonin e letërsisë. Ajo është hovi shpirtëror, ndezja e shkronjave, ndijimi e mbindijimi. E, kësisoj, nuk kishte se si të ndodhte ndryshe edhe me këtë shpërthim letrar, që shënon prurjen më të re në letërsinë shqipe. Dan Kosumi është poeti që vjen te ne me një sinjifikacion gjithëpërfshirës, larmi mendimi e ravijëzime drithëruese poetike.
…dhe vjen një ditë… është libri, që krijon diskurs në letërsinë e sotme. Në të, harmonizohet natyrshëm teoria aristoteliane nën postulatin e trinomisë; etos-logos-patos (besim-logjikë-ndjenjë). Kosumi ka ditur të sjellë për lexuesin një habitat me një formë dhe dimension zhvillimi e kohe, me një botë sublime e ndjenjë hyjnore. E magjishmja, në poezinë daniane, përshpëret sa lashtësorja, ngjizur me farën poetike e kultivuar me jetën e një kombi të tërë. Ai depërton në kohët antike për t’u rikthyer në atë të sotmen.

Kafka të thyera…/Do vijë dita,/ do ngrihemi në këmbë!/Vullkan i zgjuar është Dardania!/ Ilirinë do ta bëjmë!

Shfaqja e Kosumit si krijues, përveçëse është një kërkesë e brendshme shpirtërore e vetë poetit, është edhe një himn i kronologjive të 25 viteve të fundit në Kosovë. Poeti nuk di të ankohet, as të qajë për botët e fikura të qelisë “mondane”. Realiteti i tij poetik vjen krejt ndryshe. Ai është vjershëtar i qëndresës shqiptare, duke shpërfaqur idetë themelore për historinë, të kaluarën, të tashmen, për luftën, shpresën për të ardhmen e lumtur.

Kosova, për poetin është identitet, origjinë, univers me veti përfshirëse, është zëri që e thërret, është ndërgjegjja, dëshira për rikthim. Kosova, e dashur, e poetit endet në çdo varg e fjalë, në çdo mendim. Ajo harkohet si një magji autoritare, mbi shoqet.

Dua të prehem në Atdhe,
vetëm aty rilind përsëri,
Kosova ime e dashur!


Kosumi sjellë natyrshëm fjalën poetike si buqetë tingujsh në pentagram. Hap pas hapi, poezia e tij na rrëfen se autori bëhet çdo herë e me shumë mjeshtër i gjetjeve poetike. Ai ngrihet mbi të përditshmen, duke fshikulluar sistemet e mykura e jetën protokollare. Poeti shpërthen i irrituar nga ajo që sheh:

Ju,
që harruat të gjallët e lirisë
e për heroizmin folët gjithë jetën tuaj,
mos na këndoni këngë,
Se këngën na e vratë ju vetë!
(Mos na vrisni me lule)


Por poeti misionar nuk ndalet. Krijimet e tij vijnë si një perpetuum mobile, çka krijon një gravitacion lidhjeje mes tij dhe lexuesit. Kosumi nuk mbetet në rrëfimin apo përshkrimin e situatave, ai sjellë me vete mesazhe, optimizëm, sjellë dritë në sytë e pasardhësve.

“Erdhe, biri im?,- zëri i mëmës.
- Në vatrën tonë na lindi liria”.
Mbi jetët u mbollën gërmadha,
mbi gërmadha u mboll pranverë shqiptare…


Tema e vendlindjes është, po ashtu, inspiracioni që e kaplon përditë autorin. Kthimi te shtëpia e ‘të qarës së parë’ për poetin është një pasqyrim i thekët, rrëqethës e drithërues. (Në oborrin e vatrës sime). Por poeti vjen në kohë dhe befas i kthehet dheut mëmë...

Ja ku jam, u ktheva përsëri
në këtë dhè ku kam dhënë të qarën e parë...


Atij i dhimbset dheu i të parëve e i pasardhësve të tij, e prek tjetërsimi:

Forma s’kish më forma,
ngjyra s’kish më ngjyrë.
Ah, tokë e ëmbël!


Vargu i këtij poeti nuk është thjeshtë dhe vetëm ritmika e së përditshmes, ai është shtjellim mendimesh, mjeshtëri artistike, është varg që të trondit e të pushton. Poetit s’i shpëton asnjë detaj i jetës sociale e ekonomike, çka i jep këtij almanaku poetik një dimension me një koncept krijues e vetëdije ekzistenciale. Aty, ku shpirti i poetit përpushet me dhimbjen e kohëve migjeniane.

Silueta fytyrat e tyre si profile porcelani,
shpirtrat e ngrirë, as zjarri s’ua ngroh dot
dhe orët e tyre ikin pa asnjë shpresë…
Kuvend halli është ky realitet shqiptarësh...
(Poema e mjerimit, 2011)

Ekziston një e mesme e dlirtë në poezinë e Kosumit. Dashuria te poezia e tij nuk vjen thjeshtë si një ndjenjë apo përjetim, ajo vishet me shumëkohësi e dinamizëm jetësor. Dashuria në poezinë e tij vjen ethshëm për vendlindjen, për gurët, për aromën e vendit, për lulëzën e parë të pranverës, për të bërtiturat fëmijënore, për vuajtjet dhe drithërimat e të parëve. Pra, dashuria shfaqet e portretizuar me një ngjyrim emocional, befasues dhe e shumëanëshme. Poeti na ka treguar, kështu, një anë tjetër të fuqishme të poezisë së vetë. Ai flatron pareshtur. Ai dashuron me pasion e përkushtim burri edhe vashën shqiptare si një bukuri përrallore, e mitizon atë, e sjellë dhe e lëshon furishëm kaltërsive të poezisë.

E dashur si në përrallë.
Herë e përhitur,
herë borëbardhë...
Si gjarpërushe përdridhesh në mua…
Perëndeshë!


Poeti na përshkruan ëmbëlsisht çastin, ndjenjën, duke e bërë lirikën e dashurisë një trajtëz pa korniza, pa limite, pa tabu njerëzore. (Hartë takimi). Dashuria për poetin nuk njeh moshë, as ngjyrë, as kufij. Ajo mbetet një, sublime dhe e gjithëkahershme.

Dua të të betohem sot në dashurinë tonë...
se ti je hyjnia ime!
Të betohem se vdes për ty!


Poezia e tij nuk është honorifike. Edhe pse është i dashuruar pas vargut të lirë, poeti ka tentuar të gjejë kohë edhe për pak rimë.

Më deshe, të desha aq fort,
gjëmonim të dy në pakufi,
dy trupa , një zemër, një rrahje
dhe buzët që kullonin dashuri.


Por, autori, megjithëse kërkon të thotë shumë, di që të jetë edhe lakonik, çka tregon se ai është autor që i ka kapërcyer kufijtë e provës si një rrëfimtar poetik i brezit të ri.

Pa lot,
pa dhimbje,
pa buzëqeshje...
Fakur tej rrugëve të fatit pa fat...
(Pa shpresë)

Vargu i tij vjen i kosoliduar, i thekët, i prirur të sjellë forma dhe përbajtje të skalitura në jetë. Kosumi ka ditur të bëjë një përzgjedhje sqimatare të ndjesive, duke i renditur ato në një skemë moderne të poezisë. Pra, vargu i poetit flet, kërkon dhe herë pas here subjektivizon ngjarje e personazhe.

Fjala është gdhendur me mjeshtëri, duke mbartur me vete emocionin, e duke sjellë tablo të qartë të asaj që ka ndodhur, të asaj që brezat e rinj do ta stigmatizojnë nëpërmjet fjalës së thënë. Fjala e tij vjen me peshë, me ndjesi dhe fllad pranveror, me universalitet e përjetësi. Autori nuk kursehet në të thënin e gjërave, ashtu hapur, siç i ka përjetuar, siç i ka ndjerë, siç kanë ndodhur.

Gjuha e përdorur është një thikë e fuqishme artistike, një civilizim memorizues estetik. Ajo harmonizohet me idenë përmbajtësore dhe figurën letrare, duke formuar një të tërën, poezinë e këtij libri që mban vulën e autorësisë krijuese të poetit Dan Kosumi.

Poezia e Kosumit ka një konstruksion të ngjeshur formësor. Ajo vjen me një gamë figurash stilistike. Vargu i tij njeh mirë metaforën, antitezën, krahasimin, personifikimin apo oksimoronin (Oh, çfarë dhimbje e ëmbël mjalt!)

Por poeti, ashtu si Omar Khajam, është i lidhur , jo vetëm me fjalën. Përdorimi i numrit si element përforcues i përshkrimit është një tjetër pikë e fortë e poetit. ”Në shtatë palë tokë e shtatë palë qiej” apo ” Shtatëdhjetë e shtatë burime shterën”.

Edhe pse në librin e tij të parë, poeti ka hyrë tashmë në rreshtin e poetëve që i përkasin rrymës moderniste. Atij, padyshim i mbetet rrugë e gjatë për të bërë , për t’u ngjitur në majat e poezisë së sotme shqipe...

 ...dhe vjen një ditë....

Po. Vjen një ditë kur triumfi s’ndalet. Ai fluturon mbi kokat gjëmimtare të lodhjeve, të hijeve, dashurive pa kthim, pushtimeve, ikjeve, të muzgjeve pa forma...

Duke lexuar e shkruar për poezinë e Kosumit, natyrshëm më vjen ndër mend një shprehje e francezit Alphonse Toussenel: “Femra është poezi, mashkulli prozë”. Provën e shijimit të epërm të poezisë, autori ynë e solli dinjitetshëm, i uroj atij që të sjellë pjesën tjetër, për të krijuar amorin e përjetshëm krijues!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen