Montag, 16. Mai 2016

Poezi nga Sinan Sadiku




TREVARGËSHA 


1. 
Kjo rrugë e gjatë 
hijet nëpër hije 
mëngjesi i përgjumur 

2. 
Rrufeja i goditi lisat 
vishkujt heshtën 
e gjethet fluturuan 

3. 
Heshtja fishkëllen 
fjala belbëzon klith 
mëkatarët ngrenë dolli 

4. 
Sa mirë po vallëzon  
ky çalamani plak 
lisat po dridhen 

5. 
Kjo kohë e pakohë 
me pështyma e poterë 
ka rënë në humnerë





NUK ISHTE RASTËSI 


Asgjë nuk ishte rastësi 
as fjalët as rimat 
as ngjyrat as vrimat 

Dashuria më e kaltër se deti 
më e ngrohtë se dielli 
ishte dhe mbeti 

Asgjë asgjë nuk ishte rastësi 
as fjalët e blerta 
as ngjyrat e serta 

Mikesha ime  
këtë mëngjes  
thatësia po e kullot blerimin 



VJESHTË NË VARGUN TIM 

Shiu më i rrallë 
kujtimit tim 
po i bien gjethet 

Lumi ka etje 
burimet të përgjumura 
thatësia i tregon dhëmbët 

.............................. 

Vesa u bë brymë 
malli mallëngjim 
vjeshtë në vargun tim





ANTOLOGJI LIRIE 

(Agim Ramadanit) 

Kur vdekja vraponte  
si e çmendur  
dhe i veshte me të zeza  
festat dasmat  
që përfundonin  
para se t`niseshin  
ti erdhe  

Një pranverë  
të vizatuar në zemër kishe  
me fjalën vëllazëruar ishe 
me këngën poezinë  

I doje ngjyrat  
luaje me to kënaqeshe  

Me të kuqen  
atdheun rilinde  

Pastaj u fshehe thellë diku 
në të lashtën Dardani  
si kryepikturë  
si krye poezi  

Faqeve të lirisë mbete 
 ... antologji 



EDHE KËTË VERË 


Freskia na iku disi pa e hetuar 
fjalët kanë zjarrmi 
etja ka etje 

Edhe këtë verë 
dikush do ta fshijë lamën






EDHE PO TË JESH DIELL 


Në këtë acar të acartë 
edhe po të jesh diell 
t`i ngjesin dhëmbët 
Acarohu hëna ime e mjerë  
acarohu 
sa s`t`ka përbi terri





AS BRYMËN E PARË 


Ky hithi iriq apo hiq 
nuk i shëroi 
as eshtrat e mi të mërdhirë 

Çka të pres nga bimët tjera  më të buta  
siç janë ta zëmë disa lule pa gjemba 
që s`e përballojnë as brymën e parë





MALLKIM



Kur u rralluan vranësirat 

të krisurit  
filluan ta shigjetojnë diellin 

Thurnin këngë të lavdisë 
kushtuar hajnisë 

Koteshin ... 
në djepin e fantazisë 

Mall malli im mallkim 
etje e pashuar dehidrim





PO HUMBJET 


Sa shumë lodhje  
e përmallime 
sa shumë ngrirje 
e shkrirje  

Po humbjet 
po humbjet 
nga na erdhën 
lumë miku 

I ftuam s`i ftuam 
i pritëm s`i pritëm 
erdhën 
u ulën te oxhaku 
dhe filluan  
t`i këndojnë lavdisë 




ËNDRRAT  

Na dërgojnë  
në hënë  
kur s`kemi bukë  
për të ngrënë  
Pastaj 
biem në gjunjë  
dhe i lutemi vjeshtës 
për pak diell





FRYTET E HUMBJEVE 


Më pyet  
ku isha 
ku mbeta 

Po mbeta 
duke i numëruar 
frytet e humbjeve 
duke i zbritur 
dëmet e fitoreve 

Dhe nuk më ndihmuan 
as politika 
as pa(t)etika  
e as matematika ime

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen