Poeti Grigor Jovani |
***
Poezia - bëlbëzimi i parë
dhe psherëtima e fundit.
LEGJENDA E GORGONES
Ngaqë të dua akoma, pyes vazhdimisht
njerëz të panjohur, ashtu si gorgona e legjendës
marinarët e lodhur,
gjatë udhëtimeve të gjata,
poshtë diejve të thekur:
“Aleksandri i Madh, dini gjë,
është gjallë a ka vdekur?”
Nuk pres të më thonë gjithmonë të vërtetën. Dhe
nëqoftëse nuk do të mund të kapërcej ndonjëherë
ngushticën e durimit,
ia vlen të kaloj për ty rreziqet që përballoi Odiseja,
mallkuar deteve të endet...
Mbase takoj gorgonën që pyet: “Rron Aleksandri?”
T’i them:
“Doemos! Gjersa varri s’i gjendet...”.
PEMA
Isha shtrirë në një fushë dhe shihja një pemë,
e cila më mbulonte qiellin.
Por ishin disa gjëra në brendësi të pemës,
që e bënin zemrën time të përqafonte degët,
të përkëdhelte gjethet, të shkundëte pluhurin
nga ngjyrat dhe të dehej me aromën,
që ngjitej nëpër asht nga rrënjët dhe dheu,
për të takuar diellin.
Kjo pemë më lidhte me tokën
dhe më hapte qiellin.
PUNE TE ZOTIT
Ai që më vodhi pasurinë,
i falur, një mijë herë!
Atij që më gënjeu sy ndër sy
i jap ndjesë,
ishte i mjerrë.
Ai që imitoi zërin tim,
më kopjoi zemrën edhe mendjen,
fyu vetë Zotin,
krejt pa trembje.
Nëse vetë Zoti, natyrisht,
më dha këtë zemër që kam
dhe këtë mendje.
REMONT I PERGJITHSHEM
Kjo makinë që ke është vjetëruar,
ngjan plakë,
pa takat.
Do ofiçinë të specializuar,
pastaj ta nxjerrësh në asfalt.
Ndryshku i mbledhur si dhjam,
shtresa-shtresa,
do të shkrihet nëpër udhë pak nga pak.
Ujqërit do ta sulmojnë nëpër kthesa,
teksa do hungërijë si ka plak.
Të thashë, do një ofiçinë për së mbari,
do ca shpenzime,
s’ke ç’bën, a derëzi!
Duhet zhdukur ndryshku së pari,
le që do edhe shofer të ri!
BLASFEMI
Kush mjaftohet brenda një dashurie,
përveç se vdes më shpejt,
nuk pranohet prej Zotit
të pendohet.
Vetëm Krijuesi është kaq i veçantë,
sa nuk zëvendësohet.
Qëllimisht, e bëri syrin një liqen vezak,
ku bërthama në mes
rrotullohet.
SHTATZANI ARTIFICIALE
Nuk këndojnë më këndezët mëngjeseve,
këtu në fshat. Kam frikë,
se kanë shpallur grevë,
për ditë të tëra...
Pulat kanë filluar të bëjnë vezë
dhe zogj shtatanikë,
me gjilpëra.
KARAJFILAT
Karajfilat, e dashur, nuk kanë vdekje,
nuk i djeg asnjë diell,
nuk i than asnjë erë.
Duke triumfuar mbi ligjin e rëndesës,
bëhen lule - lauresha,
fluturojnë derë më derë.
Kanë një magji që mundet t’iu zhduket
vetëm atëhere kur do të zbehet
e bardha e çdo ëndrre,
nëse do të harrohet aroma e bukës së ngrohtë
dhe dashuria në thelb të çdo zemre.
Karajfilat, e dashur, nuk kanë vdekje,
rilinden si ti,
në çdo prekje.
HOLLESIRA
I keni parë me kujdes fytyrat e të vdekurve,
teksa mbështillen me heshtjen mortore?
Nuk e kam fjalën për mbylljen e syve,
si baxhure dritaresh të një dite dëbore.
Si iu shpëtoi?! Zakonisht buzëqeshin,
qoftë edhe të ikur në një fund mizor,
tek kapërcejnë pragun e varrit të tyre,
duke na lënë metrin e jetës në dorë.
SOS!
Po mbytet në thellësi një vapor,
me gjëmime!
I dëgjon vetëm zemra ime.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen