Samstag, 30. April 2016

Cilël poetik nga Sabit Abdyli

Sabit Abdyli

DALLGË MALLI

Po mësoj e nuk mësoj
pse kaq mall për kullat
në ketë vend 
pa ëndrra me diell
juga  e veriu ndryshe frynë
lejlekët dallëndyshet
në kohë tjetër shkojnë e vijnë
në ketë vend
mall e dallgë
dallgë e mall 

Janar, 2014

ÇAST

Grurë i valëvitur në qershor
reflekton vezullim drite në mua
Erë e bukës mbrume në shtatë fqinjë 
ndezur ma mbajnë  etjen
dhe nuk ngopëm
me shikimin tënd
kohën
mallin eshkë 
zjarr që asnjë çast nuk shuhet

Janar 2014

KËNGË KURBETI

Gurit i bie vala
guri  kryeneç,
s’lëkundet dot nga vendi, 
i fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir, vala nuk e njeh,
kurdo e fut në thellësi,
kurdo e përplasë në breg. 

Shkurt, 2014
                                   
STINËT
                                      
Pranvera e lodhur
vjeshta e verdhë

As dimri dimër
as vera verë

Larg teje Kosovë
Stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë

Auckland, dhjetor 2002

                     
VALA HILEQARE

Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë

Flladit  bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh

Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar
                                      
Auckland, 17 tetor 2009 

DITË E PËRDITË

Me bagazh malli plumb  
ditë e përditë
i kthehem fëminisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë
                         
 Mars, 2013

DYREVE TË BOTËS

Jeta dyerve të botës 
e hidhur  pelin
kafes dyerve të botës 
kot sheqer i hedh 
bukë  e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin

Mars, 2014

EC E EC

Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë  e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir!

Auckland, tetor 2013

LULE UJISTE

Zhgjëndërr i shihja;
zogjtë në degë ftoi u lëshuan!
Hap dritaren, u hedh thërrmije,
zbresin e çohen gëzuar!
Këtu ku bren miza hekur,
paskan ardhur!
Nëna me kove nxirrte ujë. 
Në ballkon ujiste:
lule vathet, sheqeret, shelgjet 
Fliste me to.
Saktë e dinte kur çelin e ç’ngjyrë kanë!

Auckland, janar 2014

KUJTIME E MALL

Shtëpia ime këngë
jashtë e brenda xham 
fjala gur stralli
oborri mbuluar gjelbërim 
pemë frutore mollë kumbulla qershi
zëra e qeshje fëmijësh
kohë tjera erdhën
të rrethuan me ndërtesa betoni
të ftohta të babëzitura
metamorfozë kohe e ligë 
njerëz urë e vig

Janar, 2014

GËZIM O MALL

Mbaruam fjalët.
Heshtja nuk  shkon.
Oqeani  qetëson valët,
shkëmbin e pushon.
Hesht kur flas,
flas kur hesht,
ç’më bren përbrenda, 
qoftë  gëzim o mall!

Mars, 2014

ZJARR

Fletët e kalendarit përherë,
si fletë dushku në vjeshtë.
Jeta mes zjarresh.
Shkruaj e fshi fjalë,
shpresa më prenë  e mban.
Mot i përthyer  mes rreshtash
merr flakë,
me akull shuaj zjarr!

Maj 2014

KËNGË TONA

Jam bukë gruri,
arave valë-valë. 
Jam mik dhembjesh
në shi e acar.
Jam gur këngësh tona, 
sy shqiponje sogjetar;
brigjesh malesh fushash
këtej e matanë!

Maj, 2014

IKE

Shkove si ditë e javës!
Zhurmshëm llafet,
hapat pa zë.
Acar i pakohë fshin gjurmët
barit të njomë.
Rrugë me vargje hap
këngën nuk e ndal,
në secilin varg timin një zog
thur një baladë.

Maj, 2014

Marrë nga përmbledhja "Dallgë malli" .

(autori)







Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen