Montag, 18. April 2016
Shkrimtari që kërkon drejtësi për bashkëkombësit e tij
Nga Murat Gashi
(Mbi veprën e zgjedhur të Arben Kondit “KOSOVË E ÇAMËRI”)
“Kosovë e Çamëri”, vepër e zgjedhur në tetë vëllime është një shpirtëzim letraro-artistik i shkrimtarit çam Arben Kondi kushtuar kombit të tij. Mes kësaj vepre, autori na jep një pasqyrë sa të dhimbshme e po aq edhe krenare të vetë historisë sonë, tjetërsuar emocionalisht në letërsi. Të tetë librat, qofshin këto poezi, romane apo edhe publiçistikë lexohen me një frymë e të bëjnë të ndihesh krenar për të qënurit shqiptar. Në mes rreshtave ndihet pena e shpirti i një krijuesi të talentuar e modern. “Kosovë e Çamëri” pasqyron ngjarje të ndodhura nëpër mote duke i dhënë letërsisë shqiptare formë edhe shprehje të thellë atdhetare. Romanet e tij, si kur trajtojnë historinë e Kosovës e po ashtu edhe atë të Çamërisë janë aq të gjallë, saqë na duket sikur vetë autori i ka përjetuar luftrat tona për mbijetesë dhe për mbrojtje të identitetit kombëtar. Kondi personazheve u jep portretizimin dhe ngjyrimin e duhur e të merituar. Ai është mjeshtër në përshkrime. Si rreze të ngrohta dielli na puhizojnë vepra të tilla madhore si romani “Tmerri”, “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, “Djaj në Veladon”, “Barbarët”, “Shqiptarovrasësi-Napoleon Zerva”, “Rikthimi në Çamëri” etj. Mes emocionit ato na bëjnë ta njohim të vërtetën e historisë sonë, vujtjet shqiptare si nga “Megalaideja” greke, e po ashtu dhe nga “Naçertenja” serbe, nga këto dy hijena që në shekuj kurrë nuk u ngosën së thithuri gjakun tonë.
Romani “ Tmerri”.
Në natën e 24 marsit e 1999, që shënon fillimin e bombardimeve të NATOS kundër ish Jugosllavisë së mbetur të Sllobodan Millosheviçit, shpirti i Arben Kondit gjeti forcën hyjnore të frymëzimit. E veçnata e këtij romani është se si personazhe kryesore të tij ka francezen Natali dë For. Ajo është e martuar me një oficer të lartë serb. Duke pasur këndvështrime të kundërta lufta ata i ndan. Në vazhdimësi të romanit, francezja do të vuaj nëpër kollonat e gjata drejt Shqipërisë njësoj si edhe gratë e vajzat shqiptare. Kondi e përshkruan aq mirë ngjarjen në Kosovë, gjatë atij viti të zi sa ta risjell sërish ngjethshëm para syve. Damari i tij prej një gjaku, prej një trungu, prej një rrënje dritëson bukur luftën e pa përkundur për liri, luftën kundër fashizmit serb. Në romanin “Tmerri”, personazhet serbe nuk kanë aromë njeriu, (Zllatko Iviç). Ata sillen si vampirë që nuk ngopen me gjakun e shpirtrat tanë. Natali dë For nuk do që djali i vogël tre vjecar të përjetojë tmerrin e luftës sikur moshatarët shqiptarë. Ajo proteston, ngre zërin, por i shoqi nuk e dëgjon. Përkundrazi. Ai thellohet më shumë në krim. Autori e përshkruan aq mirë personazhin serb, saqë ne që i kemi njohur ata drejt për së drejti na duken të gjallë. Zllatko përshkruhet me fytyrën e një shovinizmi të egër dhe primitiv. Nga netët e tmerrit Natalies si rrufeja i shkrepëtiu rikthimi në Francë, ikja nga ferri. Tragjedia shqiptare asaj i kujton aradhat e hebrejve në kohën e Adolf Hitlerit. Kështu Natali e bindur për vdekjen e saj nga barbarizmi serb lufton me mish e shpirt për të shpëtuar veten dhe djalin, Ivin. Në arratinë e saj i del krahë mikja e saj kroate, Zvjetllana. Në Gjakovë, nga hotel Pashtriku, Natali me ndihmën e Zvjetllanës do të vishet me rrobat e grave shqiptar dhe do perzihet me kolonat biblike. I shoqi serb e ndjek për ta vrarë sikurse kishte bërë edhe me shqiptarët. Në kollonë, Natalia gjen edhe mbështetjen dhe ndihmën e grave shqiptare, në mënyrë të veçantë Lirisë, një mësuese e frëngjishtes nga Prishtina. Por barabaria serbe, kaloi kufijt njerëzor. Në kufirin e Morinës, pranë Prtizrenit, francezja përjeton më shumë se ferrin. Përdhunohet nga paramilitarët serb. Romani “Tmerri” është shkruar me dhimbje e krenari bashkë. Ky libër shqyen perden e zezë të prapagandës serbe që nuk ndalet së shtiruri si viktimë, paçka se në fundin e shekullit të shkuar përgjaku të gjithë Ballkanin, nga Kroacia, Bosnja e deri në Kosovë. Romani “Tmerri” i Kondit na erdhi si një dhuratë e vyer që na bën të mos e harrojmë kurrë genocidin milosheviçian. Ngjarjet e tij na sjellin pranë të gjithë hapësirën e rudhur etnike shqiptare që nga Çamëria e deri në Iliridë, Preshevë, Toplicë, Ulqin etj. Kondi është poet i triumfit kombëtar. Dhe jo vetëm kaq. Ai është romancier modern, ku në secilin libër të tij has përshkrime shumë origjinale, aq sa të bënë se vet je aty, pra në brendinë e romaneve.
Romani “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”.
Me romanin “Vrasja e dytë e Marko Boçarit”, Kondi nga Kosova si veri i shqiptarisë na çon në jug të saj, në Çameri që në të njëjtën kohë është edhe vetë vendi i origjinës së tij. Por, ndonëse Kosava dhe Çameria janë në skaje, ato si dy pjesë të njëjtit trung kanë histori të njëjtë. E nuk ka si të jetë ndyshe, perderisa njërën e ka cfilitur “Naçertenja” serbe, kurse tjetrën simotra e saj “Megalaideja” greke. Kuptohet, në qëndër të këtij romani qëndron figura madhore e suljotit Marko Boçari që siç thotë autori, para se të jetë hero i revolucionit grek është hero i shqiptarëve, pasi si kryekomandat i Ali Pashës, në vitin 1821 luftoi kundër Perandorisë Osmane në krye të çamëve myslimanë dhe ortdoksë si vëllezër të një gjaku. Interesant, i papritur është fakti që lidhet me teknikën e të shkruarit të Kondit. Në këtë libër, portreti i Marko Boçari nuk na shfaqet i drejt për drejt, por përmes ëndrrës apo kujtimeve të bashkëluftëtarëve të tij, siç janë Teodor Griva, Kiço Xhavella e tjerë. Në roman shtjellohet bukur historia e një atdhetari të shquar shqiptar, i cili si simbol i lirisë luftoi edhe për fqinjin e jugut, pra për shtetin grek. Por, theksojmë këtu që për fat të keq edhe sot e kësaj dite, politika shovene e Greqisë ende heziton ta njohë Boçarin si prijës shqiptar e bashkë me të edhe shumë kapedanë të tjerë shqiptarë (si Karaskaqi, Andruci etj), të cilët udhëhoqën dhe e çuan shtetin grek drejt Pavarsisë. Arbeni Kondi në roman shtron kohën e vonshme pas vrasjes së Morko Boçarit. Rreth Marko Boçarit në libër vërtiten edhe figura të tjera interesante si ato të Kiço Xhavellës, Teodor Grivës, Nikolla Zervës (stërstërgjyshit të famëkeqit Napolon Zervës), i cili njësoj si Sllobodan Millosheviçi në Kosovë kreu genocidin në Camëri në vitin 1944-1945. Këto figura dalin si karakteri të ndryshme, të kundërta. Figurën e lirisë të Marko Buçarit, Teodor Griva e sheh më ndryshe dhe me një zhdërvjelltësi ai i largohet lugut të tradhëtisë, ku këtë rrugë e ka nisur. Ndërkaq Kiço Xhavella përlyhet thellë në këtë lug të flliqur duke na sjell ndër mend se për fat të keq të shiturit nuk i kanë munguar shqiptarisë. Kondi vazhdon përshkrimin aq original për figurën e Teodor Grivës kur na thotë se Teodori u largua nga lufta në Çamëri sepse i kuptoi qëllimet e liga të “Megalaidesë”. Lufta greke e 1854-ës, nuk ishte më si ajo e kapedanit të madh suliot Marko Boçari për lirinë, por ishte e njëjtë dhe pushtuese si ajo e pushtuesve osmanë. Arben Kondi, Teodorin na e paraqet si një pinjoll i derës së Gjin Bue Shpatës së njohur, princave të Epirit dhe Çamerisë së mesjetën e mesme. Shpiriti i Kondit edhe në këtë roman shtrihej si erë e lehtë mbi plagët e truallit tonë.
Romani “Barbarët”
Ndërsa në romanin “Barbarët”, Kondi na ngre nga jugu i Shqipërisë përsëri në Kosovë e më gjërë. Ai na kthen sërish në luftën e 1999. Me një zdrukthtari të shkëlqyer skalit personazhe që patën ndikim të madh në lirinë tonë. Mironjohja ndaj Amerikës, por edhe ndaj Europës spikat fare qartë në këtë libër. Libri është një himn për luftën e UCK-së. Në qëndër vendoset gazetarja e mirënjohur amerikane Kristiane Amanpur, e cila e ndjek luftën e Kosovës në terren si dhe Xhejms Rubini i shoqi i saj e në të njëjtën kohë zëdhënës i Departamentit të Shtetit Amerikan. Dramën më të vështirë e përjeton Kristiane e cila ndiqet këmba këmbës nga policia serbe në Beograd. Amanpur në romanin “Barbarët” shfaqet jo vetëm si gazetare profesioniste, por edhe si një grua e dënjë. Në roman figura kryesore janë Ollbrajti, Klitoni, Hashim Thaçi etj. Në kontrast të plotë me këto figura që i sollën lirinë Kosovës janë barbarit serbe që miritojnë veçse pluhurin e zi të lapsit të autorit. Krimet serbe janë të shumtë. Por më drithërueshëm paraqiten ato në hotelin “Grand” në zemër të Prishtinës, ku torturoheshin e masakroheshin mes këngëve shovene serbe shqiptarë të pafajshëm. Interesant është figura e taksistit shqiptar që shoqëron Amanpurin nga Beogradi e deri në Dubrovnik dhe që piqen rastësisht në Prishtinë. Bukur është skalitur edhe figura e Agimit, luftëtarit të UCK-së, të cilit i është masakruar e gjithë familja nga soldateska e egër e Millosheviçit. Agimi mbi gjithçka vë lirinë e vendit dhe të popullit të tij. Romani ka një fund të bukur, ku nëpërmjet çiftit Kristiane e Xhejms Rubin kristalizohet tërësisht liria e Kosovës si dhe kriminaliteti i shtetit serb. Romanet “Tmerri” e “Barbarët” janë dy libra të shkëlqyer që do mbeten përjetësisht në duart e brezave tanë. Kondi me përpikmëri i paraqet jo vetëm perzonazhet por edhe ngjarjet e vërteta si të ishte vetë në flakën e luftës. Romani “Barbarët” është dëshmi e gjallë se liria nuk falet, por vjen e fitohet vetëm me gjak. Në roman barbarizmi serb nuk kursen as fëmijë, as gra dhe as pleqtë.
Romani “Djaj nën Veladon”
Në letërsinë shqipe, romani “Djaj në Veladon” vjen fuqishëm. Ai e trajton “Magalaidenë”, si platformë pushtuese, por në një këndvështrim të ri. Oreksi i saj nuk u shua veç me gllabërimin e pjesës më të madhe të Çamërisë, por synon dhe sot e kësaj dite të rrufisë edhe Vorio-Epirin, (krahinën e Gjirokastrës dhe Korçën), pra jugun e Shqipërisë. Dhe kjo arrihet përmes kishës greke që shqiptarët ortodoksë i shikon thjesht si grek si dhe hapjes së shkollave greke. Pra kisha dhe shkolla greke janë dy armët e moçme dhe të sotme të “Megalaidesë”. Në qendër të librit, Kondi vendos Anastas Janollatosin, këtë figurë të urryer për shqiptarët, i cili jo vetëm hodhi baltë mbi Fan Stilian Nolin, por vazhdon të punojë i qetë për helenizimin e jugut të Shqipërisë. Në këtë rast, maja e mprehtë e penës atdhetare të Kondit godet vetë inferioritetin dhe indeferencën e shtetit shqiptar, që për plotë njëzet e pesë vjet nuk arriti ta shporrë kryegjeneralin e asfalisë greke në zemër të Shqipërisë dhe ta zëvëndësojë atë me një Fan Nol të ri. Me romanin “Djaj në Veladon”, autori qartë flet se si djallëzia helene, përmes dorës së përgjakur të kishës greke përhap helinizmin. E në këtë rast vetiu na vjen ndër mend Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, At Stath Melani e shumë atdhetar të terë të shquar shqiptare që u vranë po prej kësaj kame. Kështu që për ne në Kosovë, me veladon të zi nuk na shfaqet i pështjellë vetëm Janollatosi apo babai i tij shpirtëror Kozma Etoliani, por edhe vetë shtetit grek që mbetet i mbështjellur me veladonin e zi. Fakti që ky shtet ende nuk po e njeh Pavarsinë e Kosovës e vërteton plotësisht këtë të vërtetë. Kundërvënia e Fan Nolit ndaj Janollatosit shpirtkeq nëpërmjet ëndrrës është një gjetje, një risi e veçantë e fantazisë së letërsisë së Arben Kondit. Fan Stilian Noli si antitezë e Jonollatosit shërben porsi një këmban për veshin e shtetit shqiptar që të kuptojë se Janollatosi duhet shporrur dhe vendin e tij duhet ta zërë si nje meteor drite një Nol i ri shqiptar.
"Shqiptar-vrasësi Napoleon Zerva"
Është një roman tjetër që na paraqet terrorin e grekofilizmit mbi popullsinë e Çamërisë. Këtu na paraqetet e vërteta tragjike e Çamërisë në vitet 1944-45, që është simetrike me atë që ndodhi në Kosovë nga soldateska millosheviçiane në vitet 1998-99. Duke shfletuar faqet e këtij libri, më dukej sikur po përjetoja ngjarjet e Kosovës vite më parë. Krimi i grekëve e i serbëve ndaj shqiptarëve është identik. Më dridhej mishi duke lexuar për gjëmën greke në Paramithi apo në Filat. Më shpaloseshin para syve krimet serbe në Prishtinë, Gjakovë, Mejë e gjetiu në Kosovë. Në këtë kohë i çmendur i njerëzimit na del Napoleon Zerva, si vëllai shpirtëror i Millosheviçit që ende nuk është ndjekur si kryesatan nga gjykata e Hagës. Athina, njësoj si Beogradi programoi vrasje, dëbime, masakra, presione ndaj popullsisë së pafajshme shqiptare. Ndryshimi mes tyre qëndron në detaje të tilla se në Kosovë, fëmijët u therën si bagëtia dhe u hodhën në zjarr për t’u zier si supë, kurse në Camëri, fëmijët u nxorrën nga barku i nënave shtatëzane me bajoneta dhe u vunë në majën e tyre si flamuj të krimit. Dallimi mes Kosovës dhe Çamërisë qëndron se më në fund në Kosovë bashkësia ndërkombëtare me në krye SHBA-n dhe NATO-n ju gjendën pranë shqiptarëve duke i rikthyer në vatrat e tyre pas genocidit, kurse Çamërisë ju kthye shpina e kështu popullsia çame nuk arriti dot të kthehet në trollin e vet. Për këtë arsye bota ende i ka borxh shqiptarëve. Në romanin “Shqiptarovrasësi Napolon Zerva”, Kondi na paraqet një figurë shumë besnike dhe atëdhetare si ajo e Spiro Çallukës, avokatit ortodoks çamë. Ai për asnjë çmim të jetës nuk e dha identitetin e tij kombëtar duke e luftuar padrejtësinë. Pra dha jetën për lirinë e Çamërisë. Kondi nuk la pa përshfirë edhe vëllezërit Dino prej një shtëpie të madhe siç e quan ai Dinejtë e Çamërisë. Arben Kondi na jep kënaqësi kur lexojmë e mësojmë nga veprat e tij, se si edhe vëllezërit tanë çam njësoj si edhe ne shqiptarët e Kosovës rezistuam dhe luftuam kundër armikut serb si ata kundër armikut grek.
"Rikthimi në Çamëri"
Romani ose udhëpërshkrimi “Rikthim në Çamëri” është një rrahje zemre prej malli dhe dashurie për Çamërinë e sotme. Në këtë libër, ndryshe nga librat e tjerë të tij që mbështeten në histori, Arben Kondi na paraqet Çamërinë e sotme. Ai shkel në tokën e të parëve të tij tok me familjen e tij, gruan Mirelën dhe djalin Arbërin njëmbëdhjetë vjeçar. Familja e tij do ta shkelë të gjithë Çamërinë e lashtë. Arbëri do shijoj ujkrojet e kulluar, lëndinat e livadhet e bukura të Çamërisë. Do t’i shijojë brigjet e bukura të detit Jon që ia ka falë perëndia. Atje, mbi të gjitha Kondi do të na bëj të njohim çamërit ortodoksë që që prej Prevezës e deri në Filat flasin njësoj si ne vetëm shqip, por që për dreq nuk arrijnë ta mësojnë nëpër shkolla, ndryshe nga se ndodh me minoritarët grekë në Shqipëri ku ata i kanë të gjitha të drejtat e tyre njerëzore. Kurse çamët ortodoksë në Çamëri nuk kanë asnjë të drejtë. Në këtë shtrirje Filat – Prevez, populli çam dominon qoftë mbi ardhacakët e Anadollit qoftë edhe mbi minoritetin grek. Sot çamët ortodoksë janë shumicë në Çamëri, krejt ndryshe nga ç’na thotë politika shovene greke që i mohon apo i bë të padukshëm ata. Në libër gjallon arvanitasi i dritës dhe i dijes Aristidh Kola, vdekja e të cilit i erdhi nga grekët vetëm e vetëm pse ai i dha përkrahje Kosovës gjatë genocidit millosheviçian. Edhe arvanitasve njësoj si çamëve ju mohohet e drejta për të mësuar gjuhën e tyre nga shovinizmi grek. Me çamërishten që përdor herë pas here në libër, Kondi na bënë kureshtar edhe ne për të njohur fjalët e ëmbëla çame, këtë gjuhë perëndie siç thoshte Arestidh Kolja. Vepra “Rikthim në Çamëri” doli nga shpirti i një shkrimtarit që akumuloi prej kohësh dhe shpërtheu si një burim i kristaltë te lexuesit. Shkrimtari Arben Kondi, çështjen çame jo vetëm e shtron si një çështje që duhet të gjej zgjidhje në mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke me ndërmjetësinë e faktorit ndërkombëtar, por me shqiptarizmin e tij të kulluar i kujton të gjithë shqiptarët si bashkimi ynë kombëtar mbetet një mundësi e arritshme.
Mbyllje.
Edhe në fushën poetike e në atë publicistike Arben Kondi është shumë ineresant. Poezitë janë të qendisura me metafora e me epitete nga më të ndryshmet. Poetika e Kondit ndihet me poentën e dashurisë, mallit, natyrës së tokës dhe qiellit, atdhedashurisë, dhimbjes shpirtërore dhe krenarisë. Autori, kur flet për mallin, është i mallëzuar për çdo pore të tokës shqiptare. Përmes vargjeve si duket thërret çdo pore të tokës të bashkohet. Kondi ka edhe shumë poezi me vargje te lira kushtua tokave shqiptare ku këmba e tij ka shkelur dhe shpirti i dashurisë aty u derdh. Të bukura janë edhe poezitë kushtuar dashurisë dhe familjes së tij. Citoj këtu poezitë “Të dua shumë Arbër”, “Për gruan”, etj. Shqiptarizmi i tij theksohet më së miri te intervistat dhe publiciteti i tij dhënë mediumeve të ndryshme shqiptare si në Shqipëri, Kosovë apo Iliridë. Përmes panaireve të ndryshme të librit, Arben Kondi ka përjetuar mrekullinë duke u ndjerë e jetuar në vetë ëndrrën e tij, në Shqipërinë Etnike. Krijimtaria e Kondit jep shpresë e besim për të ardhmen. Të lexosh librat e tij do të thotë të mësosh e të ndjesh kënaqësi. Pra të lexosh një libër apo disa libra të shkrimtarit çam nga Tirana do të thotë ta kesh një mik të madh që përmes romaneve e poezive të tij të forcon identitetin kombëtar, të jep krenari, të ngjall shpresa për një të ardhme të bashkuar. I tillë është Arben Kondi i cili kërkon drejtësi për kombin e tij dhe ajo që është e vetja nuk ta fal kurrë. Kënaqësi, kënaqësi… Respekt Arben Kondi.
_________________
Marrë nga "Zemra shqiptare".
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen