Mittwoch, 20. April 2016

Cikël poetik nga Isuf S.Hoxha

Isuf S.Hoxha
Kaçurrelja

Doktor
Shtratin lërma bosh
Unë do rikthehem
Ta thash s’ka ilaç 
Për sëmundjen time
Kaçurrelja sa herë
Me buzëqesh
Unë çmendem
I dëgjon sirenat
Autoambulanca
Po me bart mu
Të çmendurin 
Nga dashuria..


Vdiq besa

Në fyt ..
Më ngeci puthja 
Lulet u thanë
Zogjtë s’këndojnë 
Në fyt ..
Më ngeci kafshorja
Era ndali vrapin
Retë s’derdhin lot
Në fyt..
Më ngeci amaneti
Shpërthen vullkani
Bjeshkët shembën
Gjoku azdiset 
Kostandini ngul këmbë
Radhën se kam unë
Kush do e sjell
Nesër Doruntinën .?!


Dallgë zemre...

Anija e shpirtit tënd 
U përmbyt në dallgët e lotit 
Spirancën e dashurisë
Mbete pa e hedh
Në zemrën time!
Më fal qenka i cektë 
Moli i dashurisë sonë!


Eci ,press!!!

Unë  Anteu ,prisja... ecja...
Këmbët thellë në tokë ngulur
Ti,lart me hënën rrije
Me buzëqeshjen tende
Të shumtën me ngrohje
Ndonjëherë me mërdhije
Prisja puthjen natën
Kot, humbur eterit rrugës
Ecja në shi luadheve
I merrje erë trëndafilit
Gotës  me raki mbushur
I shtova puthjen në pritje
Ma thuaj...
Puthjen e dërgove...!!!


Fari i fikur

Sytë në lot përmbytur
Me balsamin e pritjes
Qerpikët i leve
Hëna përgjon dhimbshëm
Ti bredh si hije
Asnjë anije në mol 
Sonte s’do zbarkon
Mos e qajë kapitenin
Këmishën e gjakosur
Nuk ta solli vala
Si dëshmi në breg.


Pa ty...

Pa ty jam
Lis pa degë
Lule pa aromë
Bilbil që nuk ciceron
Violinë pa tela
Fletë e bardhë pa shkronja
Qiell pa yje
Natë skëterrë
Ëndrrat si qyqja 
S’kanë fole ku të prehen 
E djep ku të përkunden .


Ajo fshihej ...

Si rrezja e diellit 
Në jorganin e mjegullës 
Si pika e ujit 
Brenda oqeanit 
Si zëri i ëmbël 
Në telat e kitarës 
Si nektari 
Në luadhin pot lule 
Si ëndrra 
Brenda bebëzave 
Si fjala 
Në kokën e të mençurit 
Si dashuria 
Në vrushkujt e gjakut 
Qeshte..
Ja ku jam 
Më shtrëngo.. s’më sheh 
Zgjas gishtat t’i kap dorën 
E ndjeja, vrapoja pas saj...
Kot ajo fshihej 
Si kokrra në kallirin e kërrusur 
Prisja i qet ta shkundte era 
Të ma sillte në prehër 
Këtë peshk të artë !!


Prit..

Prit.. të lutem
Vetëm një çast
Prit..
Para këmbëve tua
Të shtri qilimin e shpirtit
Ti shëtit
Binarëve të ijëve t’mija
Vagonët mbushur puthje
Ti hapi dritaret
Puthjet të derdhen
Vesë për lule..



Shpërthe...

Ti je Vezuvi im 
Mos të-të vije keq
Shpërthe
Me llavën tënde
Më shkrumbo
Unë nga hiri
Për Ty serish
Do ringjallem.



Parashikimet e motit !

Orienti prej lindjes pritet
Të sjell vetëm cuname
Do lë shumë shtëpi pa kulme
Shumë femra në zi veshur
Parashikohet rritje ekonomike
Xhami çallme ferexhe me bollëk
Nga perëndimi fryjnë erërat
Me reshje të pakta e thatësi
Lulet do vyshken grunajat s’do piqen
Ciganet do vallëzojnë pranë zjarrit bubulak
Stoqet e shpresës në depo do rriten
Edhe këtë vit parashikimet janë shqetësuese
Nga jug- lindja e veri-perëndimi
Retë do sjellin shtrëngata të shpeshta 
Degë të thyera si përherë mbaju Lisi im !!!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen