Freitag, 22. April 2016

Cikël poetik nga Arsim Kajtazi

DRITA E SYRIT TIM
(Kushtuar nënës Manë në 96 - vjetorin e jetës)

Kah fund shekulli i jetës sime
Nisën sytë të më lënë
Gjithë ato vuajtje e pikëllime
Dhe lotët gurë - gurë
Ma kafshuan dritën
Oh ma verbuan syrin e djathtë
Sa vëllezër mi gllabëroi kjo kohë e ligë
Dhe plandoseshin si lisat
Prore mbeta zemërthyer
Nga rrudhat e ballit tim
Një krua prore rrjedhte lot
Për ta shuar etjen e mallit për burrat 
E së fundi bima ime që piku nga barku i im prej nëne
Ma verboj, oh ma verboi dritën e syrit që të mos shoh më as si hije
Hapat e tij oborrit të shtëpisë
Arave e fushave tek mbëltonte jetën
Oh, gati një shekull jetë
Dhe në fund të derës gati krejt në fundin labirint
Nuk mund ta hap atë derë për të hyrë në terrin e pafund
Në terrin ndriçues të amshimit
Pa parë
S´më mjaftojnë sytë e mendjes e të kujtimit
As të mejtimit të jetës së shkuar e asaj që dëshiroj
As sytë e prekjeve të mollëzave të gishtërinjve
Për ta prekur jetën
Oh nipat e stërnipat i shihja veç me mollëzat e gishtërinjve gati eshtak
Dhe me sytë e mendjes e të kujtimit
Me zërin e tyre mundohesha t´ua shoh buzëqeshjet 
Gëzimin e hidhërimin për jetën
Pëlhura e harrimit më ra mbi sy
Në fundshekullin tim 
Në fund të tunelit më bëhej se shkreptinte një dritë
Një dritë shprese për të parë edhe një herë
Oh veç edhe një herë t´i bija rreth e qark fushës së jetës sime
Ta shihja bimën time sa u rrit
Pemë e lisa e filiza sa shumë kanë pikur nga trupi im
Dhe një zë shprese nga thellësi e paanësi e qiellit 
Më pëshpëriti në ëndërr
Më pëshpëriti në dëshirë
Ty që e ke dashur aq shumë jetën
Rritën e bimës së mirë
Do ta kthejmë dritën e syrit
Në fund jetën tënde përtëritëse të kënaqësh me frytin tënd 
Të mos e lodhësh më vetën më pyetje
Ku jam
Çka po bëj
A është dikush ore këtu
Pranë këtij trungu me rrudha shumë
Të shoh se nuk jam kërcu
Mbolla dashuri korra dashuri për fëmijët e mi
Për nipat e stërnipat e mi
Dhe ata më dhanë zemër 
Më dhanë shpresë për dritën e syrit tim
Oj Nënëlokja jonë
Nëna jonë e diellit e shpresës
Do ta heqim atë tis të zi në tëndin sy
Që të shohësh përtej dhembjes së madhe
Jetën që mbolle për vazhdimësi 
Oh fëmijët e mi,  fëmijët e fëmijëve të mi
Si një fëmijë edhe një herë i mora këmbët
Dhe më dritën e syrit tim ndriçoj udhën kah po eci
Pas heqjes së territ të zi
Sa e bukur më duket jeta që po bëni dhe keni përpara
Tash po më rritet zemra kur po shoh ku jam
Jo, jo s´paska qene krejt terri zi pse unë skam parë
Tash po i shoh ngjyrat e jetës
Me tiktakun e zemrës shoh edhe akrepat e orës
Shoh pamjet në dritare
Shoh derën për të hyrë e dhomat e kujtimeve
Shoh shpresën në qiellin e kaltër
Dhe thërras e duartrokas
Lumi unë që e fitova Dritën
Në fund-jetën shekull
U ringjalla edhe një herë
Ta shoh kthjelltësinë e qiellit të amshuar
Të eci me sy e me mendje në krye
Deri në frymën time të fundit
Do ta shoh e përqafoj jetën me fëmijët e mi
Me fëmijët e fëmijëve të mi 
Pa lotët verbues në sy
Oh ju jeni drita e syve të mi
U gëzofshi për jetë me lumturi e dashuri
Përtej territ të zi
Pikturë nga Arsim Kajtazi
Se ma kthyet dritën e syve të mi 

Prishtinë, 24.01.2016



31 DHJETOR 2015

Midis dy 31 - njëshave
Shumë mjegull
Akull dhe borë.

Ngrohtësia globale nuk po i ngroh zemrat tona
Më shumë uri me shumë varfëri më shumë lakmi
Po bëhemi zogj shtegtarë 
Për të kërkuar më shumë njerëzi 
Apo të kënaqim të pangopshmen lakmi
Për kamje
Shtëpinë e ëndrrës kaploi tym i zi.

Midis skamjes e kamjes 
Vërtet shumë akuj shumë ftohtësi shumë mjegulli
Dielli nuk po ngrohë zemrat si më parë
Se Rruzullit ia qiti flakën
Dhe më shumë po shtohet etja 
Dhe më shumë po bëhen shkretëtira
Dhe më shumë po ka përmbytje në detin e lakmisë
Oh në Detin e Marrëzisë
Po mbjellët vdekja pa nam e pa nishan.

Në treshin e trinisë
Në emër të Atit Birit e Shpirtit të Shenjtë
Njëshi e ndjek pas në emër të Allahut
Dhe prapë ecën koha udhëve të besimit
Udhëve të shpëtimit
Udhëve të marrëzisë 
Përtej Ferrit të Dantës.

Ja kështu përhumbëm midis 31 - njëshave të fundvitit
Dhe përshkoj e peshoj ngrohjes globale eshtrave e mishit tim
Peshoj si Sizifi Rruzullin mbi shpinë si atë guri rrokullimës
Që kurrë nuk zuri vend në Maje si një Muranë
E të Vdekurit e Tibetit më ringjallin 
Ta ndjejë më mirë shenjtërinë e Nënës së Diellit
Nënë e Madhe e kësaj Bote
Shëron plagët e vuajtjes
Shenjtërohet
Që ta përjetojmë më njerëzishëm fundin tonë 
Pjesën tonë të vdekshme.

Tash e një vjet
Në fillim kisha shëruar  sëmundjene mushkërive
Me ajrin e pastër e ujët e kulluar të akuareleve
Ndërsa sot jam zgjuar më makthin e ankthit 
Për ditët që po vijnë me ëndrrën e zgjimit tim të hershëm 
Para se të këndojnë këndesat
E të lehin qentë hullive të Natës e mëkatit
Qeni i keq na sjell prapë Ujkun të Dera
Tym e mjegull gjithandej në Republikë 
që po ecën e rritet ende ngadalë si në këmbë të qelqta
Dhe mungesa e madhe e dashurisë dhe respektin për njëri-tjetrin
Më bëri të këlthas në ankth:
Kanceri kjo sëmundje e mungesës së dashurisë
Po na hanë dalë ngadalë për të na bërë tokë 
Në këtë vdekje klinike
S`ka ilaç që e shëron urrejtjen e vetvetes, urrejtjen e jetës.

Në Udhëkryqin e Madh 
kah kapërcejnë të gjitha Udhët e botës
Jemi ne
Me gjakun tonë të shprishur gjithandej
Jemi bërë Zogj të Qyqes
Andaj kemi aq shumë lakmi e aq pak dashuri
Duke synuar Majat.

Sa po ndërtojmë Ura Dashurie
Nga mjegullitë tona epike
Po del ai Përbindësh i Zi
Dhe po rrënon e rrënon atë që Bestarët ndërtojnë.

Do të jemi vetëm në këtë fundvit
Ta pijmë verën festive e të lutemi 
Në emër të Atit e Birit e Shpirtit të Shenjtë
Se do të kemi më shumë dashuri 
Ta shërojmë Trupin e Shpirtin tonë të sëmurë nga lakmia
Ftohtësia, mjegullia, tymnaja që paralajmëron zjarre brambullues në vatrën e rrënuar
Nga plangprishësit
E si ta bëjmë Republikën
Të ecën në këmbët e veta Udhës së Besës
Përtej skamjes .

O milet i Urti thërret
Ku nuk ka dashuri vdekje vjen para kohe

Kur nuk ka dashuri nuk ka paqe nuk ka liri
Dhe bëhemi në këtë varfëri kanibal ëndrrash
E s´ka kush që na shëron nga marrëzia
Le të vijnë Urtakët e Magët e Botës mbarë
Së verbimin nga marrëzia e lakmia
S´ka ilaç që e shëron.

Oh Nëna jonë e Diellit edhe me peshën e shekujve
Tek shëron më dashuri urinë e varfërinë e sëmundjen e lakmisë
Nuk ka perde në sy se e ka Zemrën e Madhe
Plot dashuri shëruese
Mbëltuese
Të shpresës së jetës
E të vërtetës:
Se Bota prore sjellët rreth Diellit 
Ngrohtësisë së zemrës
Për të shijuar Dashurinë
E Dritës e Rritës.

Për ditë po shoh se po kërkoj e fus më shumë Dritë
Në Fjalët e Pikturat e mia të shpirtit
Për të zhdavaritur Mjegullinë e Tymin
Por prapë shumë Tym shumë tym
Një zjarr i fshehur lakmitar 
Në duart e errësirës 
Me duart e errësirës 
Po mashtron lakmiqarët 
Me gurin rrokullisës në shpinë
Me lëkurën e Sizifit Flamur të sfilitur betejave mjegullisë
Shumë tym vërtet shumë tym
Së zjarri që nuk ndezët në vatër nuk ka oxhak
Është zjarri i lakmisë që gjithçka përfshinë e përpinë.

Na i bëri mushkëritë katran
E aq shumë kemi nevojë për njerëzi e dashuri
Për të bërë të ecën Zonjë në këmbët e veta Republikën 
Me trupin e gjakun tonë të shartuar e përcopëzuar 
për ta kujtuar e mbëltuar Dashurinë e Madhe.

Në shtëpinë tonë të zjarrit
Do të ketë më shumë dritë
Të gatuajmë bukën e dashurisë
Që jeta të marrë të mbarën
Të shërohemi nga lakmia e marrëzia
Së në ëndërr jam zgjuar në këtë fundvit 
Me urtinë jo vetëm të këtij fundviti
Se ky kancer që pa na hanë dalë ngadalë deri në vdekje 
Me frymëmarrje gulçuese na bënë të na dalë shpirti
Dhe Urtaku më thotë:

Kanceri është sëmundje e mungesës së Dashurisë!

Oh 
I Madhi Zot
Ti na krijove nga Dashuria
Kush na kripos e djallos kështu mendjen
E na e katranos në lakmi shpirtin
E na lenë në Mjegull në Tym të Zi
Për të na bërë prapë shkrumb e hi 
Tokë të djegur Republiken e ëndrrave.

O i Madhi Zot
Na krijove me Dashuri
Na ushqe e rrit me Dashuri e Lumturi
Mos na le në duart e zeza të lakmisë
E në verbëri
Se shumë duar të natës kudo po hedhin Tym të Zi
Duke na mashtruar në varfëri 
Gjoja po sjellin zjarrin ndriçues të Prometeut
Për ta bërë gjoja me heroike Republikën
E duke ia futur pas Shpine Thikën.

Po e ngre këtë gotë vere të kuqe
Në këtë fundvit
Për t´i dhënë fund marrëzisë
Më gjakun përtëritës të dashurisë
Gëzuar të dashurit e mi kudo që jeni
Nuk mbetëm kurrë në vetmi 
kur kam në shpirt Dashuri
Për mua dhe ty për përjetësi
Gëzuar!...

(Prishtinë 31.12.2015)

DHURATË VETVETES

Në 57 vjetorin e lindjes

Mëngjesi i zgjimit tim nuk ishte sot i zakonshëm
Në Viber fëmijët e përtej dhembjes e shpresës  e rritës
Më urojnë
Ditëlindjen

Jetë të gjatë e të lumtur...
Dhe miqtë e shumtë në Facebook më dëshirojnë

Përtej lidhjeve kibernetike eterike
Provoj të konvertoj mesazhet në ngrohtësi njerëzore
Sa larg dhe sa afër jemi në trajtat tona reale e të shpërnderuara

Kur unë isha shndërruar në ujëvarë etjeje
Fillim viti më ngulfati shpresën
Dhe vërshojnë lumenj refugjatësh të dalë nga shtrati
Që ta trembin edhe një herë Evropën
Dhe  fundosëm në shpresë-thyerje brigjeve të dhembjeve
Provoj të  dalë nga lëkura ime e të mësyj   Bregun e  Shpëtimit
Duke u përballur me ujërat e turbull rrjedhave
Prapë me  duhet shkathtësi  notimi

Ç´ na zuri  prapë mallkimi
Assesi të gjejmë prehje nën kulmet e shtëpive tona
E të  gëzohemi kur në oxhaqe del  tymi

Nga uria sikur të pashpresët i hanë gurët e themeleve
Kokën e vetë hanë
Ngurëzohen në shkëmbinj pakënaqësie
E tokërlitën në të katër anët e rruzullit

A ka më shumë zhgënjim në lakmi
Përtej jetës reale të mundshme
Apo humbje shprese
Se nuk ka dheu ynë bukë me  ngranë e  me dhanë
Kur toka pret duart e vyeshme e  ajo mbetet e ftohtë e djerrinë 
Mbetet e ngrirë nën qiellin e zhgënjimit

O gropë e ëmbël ka qenë  e është  ende Kosova
Ajo kurrë nuk na lë pa bukë dhe varr e lakmitarë
Nëse nuk e duam dheun  tonë
Atë ende  lakmojnë e po punojnë ta mbajnë për të veten ata që kurrë se kane pas

Po ai fqinji i keq gllabërues
Prapë i   hapi të gjitha  dyert e udhët e largimit nga Ëndrra e Madhe
Për ta mbjellë  në verbërinë tonë përçarjen 

Një hije si e Darvinit më sillet në  atelie dhe provon brushat e ngjyrat e mia
E nis e  pikturon  fushën e gjerë
Luanin duke e ngrenë Gazelën në ikje
E më thotë
Ky është seleksionimi natyral

O sa kafshojnë kujtimet e ringjallura të mërgimit
E më shumë më kafshojnë pamjet stacioneve  të rimuar me lot
Tek më bëhet se shoh të  ungurojnë ujqërit e uritur të natës
Dhe mësyjnë udhët që ua çeli hasmi që ende  na rrëmih dheun nën këmbe
E na shkrumboi tokën në të katër anët
Dhe mbolli kudo vdekje e përçarje

Medet
Gjaku i ri mashtrohet me lakmi
E përdhoset udhëve të botës
Në shpresë-thyerje fundoset

Dhe zhgënjehem në  rikthimin tim
Kumti im nuk dëgjohet në  zhurmërimë
Uroj të ikurit e ri
Te njohin e rikujtojnë  vuajtjen e te pareve

O  të  mashtruarit e gjakut  tim
Evropa e Plakur ka nevojë  për rinim 
Se ende ëndërron ta lodrojë  demin jo vetëm në  ndonjë pikturë  artisti
Dhe sërish fqinji i keq e gllabërues është  bashkëpunues
T´ ua hap të gjitha dyert e udhët
T´a thyeni qafën, të ikni nga dheu i lindjes
Dhe ua mbyll të gjitha shtigjet  kurrë të mos ktheheni

E të vetëkënaqurit prijës  në përgjumje dehëse të mbretërimit
Ende shohin ëndrra më syçelë që të madhërohen  në çapin e tyre

Vërtetë   po bindëm se pas rikthimit tim edhe për jetë   të zakonshme
Jeta është bërë art i rëndë
Shkrimtarët shkruajnë shumë e fare pak u lexohen ëndërrimet
Nuk jetohet nga shkrimi
E nisin i hanë librat e tyre
Në një dritare surreale


Artistët bëjnë portrete me fotografi e me  porosi 
Kopjojnë gjelat grindavecë
Kënaqen me veshjen  tradicionale dhe grindjet shqiptare
Të bartura në luftën e gjelave
Nëse mësojnë diç nga këto kopjime
Së  paku do të shmangin grindjet përçarëse mes vetes
Ndërsa mua  më  bëhet se ajo hedhë  edhe me shumë farë  në tonën arë
E po bëhet gjedhë  jete në vazhdimësi

Kështu na shihte përjetësisht Paja Jovanoviq
Shqiptarë grindavecë në lojën Jetë
E jetën Lojë

Të vetëkënaqurit në mbretërim na u bënë gjela
Harruar  kanë kur kanë kënduar  agullimin

Në peshën e moshës  gjerdan në mote
Mu shtua edhe një guri në  kullën e jetë
Në rrjedhën e lumit kohë 
Uji do të kapërcej edhe pranë të 57-it  gurë të tokërlitur rrjedhës

Dhe kujtoj çastet e zgjimit, rritës,  gëzimit, pikëllimit, mallëngjimit, zhgënjimit
Për të parë zhdavaritje resh  e mjegullash në horizontin e hapur
Më vjen jehonë  kumbimi i   kambanës së Motit të  Madh

Se ditë të mira paskëtaj vijnë...
Bëhet refren kohe

Mosha ime e renduar edhe për një vit
Do ta veshi prapë lëkurën e Sizifit
Flamur të sfilitur  betejave të jetës
Në fillin fund dhe fundin fill  të (dhimbjes) ditëlindjes sime
Për një çast tek e thërras tre herë veten zgjimit
Si gjeli para agimi
Dhe hëna ikën e përgjakur nga qielli

Oh, sa kënaqësi kur të ngrohë Dielli  në dheun e lindjes
Ku kanë hedhur shtat lisat degë gjatë
E pemët frutdhënëse për jetë e mot bulëzojnë 
Do të bëhem Kopshtar i Jetës sime
Kujtimet të ringjallën
Dhe të mbush zbrazëtitë e viteve në ikje në dhe të huaj

As pikturat e shpirtit tim nuk kam qejf të shtegtojnë më si dikur
Për të shpresuar  se bën emër
Sado që  njerëzit e dheut tim presin vetëm t´u dhurohen...
E artisti gjallon e shpreson ta fitojë me duart e tij një kafshatë bukë
Dhe vijnë si shpëtimtarë matrapazët  endacakët e botës
Pasurohen me artin e dhembjes e shpresës
Duke blerë lirë lëkurën e artistit
E duke e përllogaritur  begatimin e vetes

Nuk mund të jetosh si artist i lirë
Vetëm nëse i hanë sytë  tu, duart tua,  ngjyrat
E ta ëndërrosh jetën shumëngjyrëshe në muzetë e metropoleve
Më sfidon Hija ime

Dhe zgjohem si nga një ëndërr e keqe
Me urimet qe më vijnë nga të katër anët e rruzullit
Në botën reale- faktike e kibernetike
Kah është  degdisur gjaku im
Nga Dheu ynë  tmerrësisht i copëzuar
I tkurrur e kafshuar
Sa ribashkimi të bëhet rrëfim absurdi


Jeto në Fjalët e Pikturat e shpirtit tënd
Se shteg  tjetër s´të ka mbetur
E gëzuar ditëlindja 
Më thotë vendlindja

Prishtinë, 25.02.2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen