Dienstag, 9. April 2019

Poezi nga Fakete Rexha (1)

Fakete Rexha

BRESHKA

Isha ende e vogël për të kuptuar kur dëgjoja 
nanën t' thoshte, se kisha lindur me këmishë.
Bashkë me tim at, vëllezër e motrat m'ndërtuan 
me dashuni. Si shtëpinë. Meq isha më e vogla, 
nga nëntë shëndetet e gjalla, nana që kishte lind. 
Këmishën për lëkure ma ngjitën përditë, krahë 
me i dhan poezisë. E, syve ma shumë dritë. 
Ata, më bën me besu thellë në shpirt. Do t'jenë 
gjithmonë këtu për mu. Ngado që t'më përplas 
jeta. Ime amë, e im at herët ikën. Ndoqën njani
tjetrin, tu u rritë s'më panë. Motra, vëllezër m'i 
shkulën nga jeta. Pak mbetem, ne t'gjallët 
e një barku, ende gjallë. Mua, që jeta m'rrokullisi 
e më solli deri këtu. Poezinë me vete morra. 
Si shtëpinë, me te shpirtin mobilova. Kurrë s'më 
la përjashta, as unë kurrë se lëshova. Shtëpinë 
time poezi.

Unë breshkë. Si breshka. S'ka gja ma ngadale 
që ec. S'ka gja ma shpejtë që mbërrin cakun.
Kur u rrita ndërmend më ra ime amë e ndjera:
Shtëpinë - këmishë. Kohën me gjithë dekoret 
e dashura. Breshkat e kanë me veti.



NJË TUBË TRËNDAFILA

Natën e kaluar gjithë natën fryma s'më la
të dal prej lëkure. Kokën me flokë, me buzë
e me faqe i përkunda nënkresës, por as
natën e zu gjumi, as mua sytë s'm'i la me
i përpjekë. Kur ban kohë e keqe, me frymë,
dhembjet e trupit bajnë udhëtim të çuditshëm
nëpër gjymtyrë. Dikur kishte ra shi e m'kishte pas
nxanë gjumi. Vrtap mblodha trupin e brofa n'kambë
kur m'bani zilja për t'hap derën. Ishte postieri
me një pako të madhe në dorë. E hapa. Një tubë
trëndafilash, nga Nju Jorku m'a dërgonte ime bijë.
Mora lulet e shtrëngova në gji, e nga dashunia
nisa me qa. M'u ba sakaq që u rritën e m'erdhën
te fytyra, me petale lotët tu m'i fshi. Në vend se
aromën e tyre, po thithja aromën e trupit tand
ime bijë. Trupit tand bojëqumështi, lëkurës sate
si vermesë Beritë.
Bija ime!
Ti m'je e vetmja derë e dashtun.
E shtëpisë ku banon Dielli. Hana. Toka. Qielli.
Shtëpia me fenerin që banë netët e mia dritë.



DASHUNIA IME E BUTË

Si gjethe e kalbur dita mrrolet në mua
e mezi marrë frymë. Dhomës sime dikur sall pranverë
hyri gjarpëri. E, vjeshtën thellë m'a fute n'trupin tim.
Më theve. M'vrave sipas mënyrës sate. As t'erdhi keq.
Ti deshe dhe me tjera fjete. Por, mendoja se veç imi
ishe atëherë. Se më të mira se unë s'kishe.
Oh, sikur të ishte dhembja dhe këta të fundit
rreshta për ty që po i shkruaj. Sa e shkurtë dashunia.
Asgjë në jetë më i gjatë se harrimi.
O, njeri që të desha! O, lëkurë e zhveshur gjarpëri!
Sa zor e kam me t'harruar përgjithmonë. Se s'mund
e vras kujtimin n'prehën që m'a le, që ende
e marrë përdore. Më lidhën për ty shpresat,
Mundimet sall dëshpërim që s'i pata kurrë
O, çepallë e trishtuar, e pa pikë guximi shikimit tand të butë.
Ti, ende zheshesh fajesh. Padrejtësish. Sakur s'ke
kend mbështjellë mbrenda lëkurës sate flashkët të trupit.
Mbi zërin e dhembjes sime zërat e tjerëve ndëgjove përherë.
Do të prehesh si me gotë.
Dashunia ime e butë.
E tejdukshme.
Kristal.



POLITIKE

Ajo që trumcakët e bëjnë në natyrë
kur bashkohen mashkull e femër
zotrinjë politikanët dhe gjithë snobët
e bëjnë ndryshe:
flejnë me gra, kur kthehen prej dashnoreve.
Shtrihen, te kokështrati me tavolinën
e vogël me fletoren dhe stilolapsin.
Marrin në dorë librin e Frojdit,
Jungut, Bergsonit, ose ndonjë tjetri...
Qijnë e rrejnë njëlloj keq, sikurse
flasin e shkruajnë. Vjedhin. Kanë lugën
më të madhe se një arkivol. As e kanë për turpi.
E, unë nëse jam si do duhej të isha.
Nëse jam çfarë jam.
E, me çfarë krenohem që jam.
Ajo që jam. Përse të skuqem nga turpi?
Kur e pranoj se jam e prekur thellë!



GRUA

Ti je ajër. Ujë. Zjarr. Lindje. Zgjim. Rritje.
Prania yte plotësim dëshirash përditë
më të bukura. Nga dashunia ditën të lumtur
e shkreh. O, dashuni e të gjitha dashunive!
Shtylla e majtë e portës kryesore. Streha
që t'strehon n'rrugë qorre kur t'zë nata.
Shi kur bie, e dielli mos me t'djegë.
Bërrulash, gjunjësh përgjkesh tu u katrrithë
nëpër therra. As sosesh. Feniks digjesh
prapë rilindesh. E fal, veç dashuni fal.
Prej ballit deri n'thembra edhe kur pikëllimi
shputat t'i zvogëlon. Syve që strehë u bën
vesa n'çepallë. Diellin ua qëndisë mes
vetullash. Grua!
Oh, Grua! Ti, që na do ende pa u lindur.
Ti, që na kërkon saherë humbim rrugën
e kthimit në shtëpi. Ti je vendlindja.
Origjina. Përkatësia. Shtëpia e vogël.  Fare e vogël,
pa mure, pa dritare. Gropë ku groptë mbillet
dashunia.
Pasha dritat e krejt Botës.
Pasha Qiell, Hanë e Diell.
N'mua mbillet fara e Tokës.



MALLI  SHPIRTIT M'JE KOSOVË

N'andërr t'shoh me mall t'kujtoj
si shtëpinë ku i çela sytë
qëkur teje u mërgova
malli po më këput në shpirt.
Kujtimi yt bukë e djath
e një rriskë sheqeri n'dorë
t'vegjël ishim, fëmijë të lagjes
me shumë nana e baballarë.
Veç n'Kosovë kurrë nuk mërziten
hanë e diell, shiu ratë n'fushë
si sahat m'rrah kokës zemra
m'shkyhet kanga m'ndalet n'gushë.
N'aeroport kur zbres t'Prishtinës
si n'andërr krahut tand unë shembem
natës pa hanë udhët m'i zdritë
rrugën e shtëpis mos me humb.
Gjakovë, oxhaku i fëminisë
mungesa vjerrë m'u ka në shpirt
si flakë që virret në degë mali
malit djegur shkrumb e hi.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen