Eshref Berisha |
MJERIMI
Mjerimi âsht nji kumt
Që t'lidh me ni shoqni t'kalbun,
t'kthyem në ushujza,
Që knaqen tuj ta pi gjakun.
E nuk t'pyesin se a t'jan err syt’
e nuk sheh gjâ!
Mjerimi
S'ásht gjá ma shum
Veq nji hart
Që t'i mson t'gjitha rrug’t e botës...!
NOT NË SHKRETIRË
Nuk e di ku e kemi vendin:
Violina në supin tim
apo unë në melodinë e saj?
Pentagramin e merr era
E përplas për mure të vdekura
Dhe u jep zë, u jep jetë...!
Guacat do hapen
T’i kthejnë perlat në vend të vet
Unë tatar i krisur bart këmborën kot
Shkretëtirës nuk i duhet muzika.
QENI I ZGJEBOSUR
U rrita me kujtimin e një qeni të mirë
Kur ishte i ri, i fortë
Zëri i dëgjohej tej liqeneve, bjeshkëve, deteve!
Tani qeni u mplak, u sëmur, u zgjebos
E shtyjmë, e pështyjmë, e shqelmojmë
Nuk e duam afër.
E duam sa më larg
Atje në fund të oborrit, te porta le të leh!
Udhëtari i natës, nuk duam të na shqetësojë!
Le të frikësohet nga e lehura e qenit
Ani pse qeni u mplak, u sëmur, u zgjebos.
Zërin e ka ende kumbues (jo si atëherë).
Le të kuis ky qen gjerë në grahamën e fundit
Se pasardhës nuk i lamë
Atje në fund të oborrit, te porta le të leh
Ani pse zëri i është mekur-le të leh
le të leh…
le të leh…
le të leh…
EPI NË PIKËPYETJE
Furtunë e çmendur tërhoqi litarin e harkut
Hodhi shtrëngatë mbi shkrepa e lëndina
Trazoi korbat, sterrë u bë qielli
Hodhi pluhurin, varret rrafshoi
Mjegull e zezë u ngrit nga dheu
Kali i Pluhurt shkundi jelën e gjatë
Me patkonj hekuri godet dheun,
Urat u shembën!
Konstandini mblodhi eshtrat,
Mishin la në varr
U hodh mbi kalë, motra iu qep pas
Kali u hodh në vrap,
Shkreptimë në qiellin e zi
Malet u bënë shkumë,
Detrat u kthyen në akullnajë!
Oxhakun e gjet të fikur,
Një fjollë tymi shpon qiellin
Nëna e Nëntë Varreve edhe një varr po hapte
Hapi dyert ku do takonte të bijtë-dragonj
e me vete të merrte Doruntinën.
Në vend qivuri,
Me flokë të gjata ta mbështillte.
Një këngë-kujë po nis,
Ndër shekuj të kthehej në legjendë
Epi për Besnikërinë
Pikëpyetje të mbetej për popujt tjerë.
Prishtinë, 16.07.2014
E KISHA NJË MULLI
E kisha një mulli
mbi një ujë që rridhte me vrull
gurët i silleshin kurrë pa ndal
nëna më gatuante bukë nga mielli
që guri i atij mulliri e hante drithin
e ne hanim bukën...
Po tani, mulliri nuk ekziston,
Asnjë gur nuk i ka mbetur as për shenjë,
Kulmin e kishte të mbuluar me gurë
Muret e ndërtuara me gurë
Themelet: me gurë.
Edhe varret përreth kishin nga një gur
Disa kishin shumë gurë
Gurë, pa numër
Gurë pa emra
Vetëm një emër kishin
Gur’i rándë!
Uji nuk rridhte më andej
Kish ndërruar kahje
Gurët e vegjël kishte tretur gjithandej...
Pastaj nusja duart e bukura
Kish lidhur në gjoks
S’i kishte mbetur ujë
As miell,
As zjarr
Për të gatuar bukën!
Për kë, të gatuante atë bukë?!
EPIKË
Populli im vesh gujën prej Alpeve
Nuk di përkulje, as vdekje nuk njeh
Kurrë s’e kapi vdekja
Se më parë në derë i trokiti flijimi!
MORESË
Aty ku të preku thika e të përshkoi plumbi
Aty ku të dogji zjarri e emri të humbi.
Zemra ime i ndjeu të gjitha një e për një
Shkëmbin tunda me gjoks, e thirra me zë:
“O MOJ E MIRA MORÈ!”
Morè je edhe sot, ajo që ishe dje
Nuk të harrojmë, se ti kurrë s’na le
S’na le pa kujtimin tënd, që në ne u mishërua!
Unë kam gjakun tënd, prandaj nuk të harroj
Kur mbështetem në gjoksin e nënës
Ndjej të rrahurat e zemrës tënde, MORÈ!
RozëFati IM
Rozë,
Sot Perënditë caktuan, ti të bëhesh shpirti i Kështjellës.
Të lutem Rozë, ma ushqe djalin me qumështin e gjirit tënd!
Mos kërko lëmoshë!
se qumështi i gjirit të huaj e helmon djalin tonë!
Rri aty për njëmijë vjetë, se kulçedrat nuk i ndahen këtij trolli!
Ah, ky truall është i dënuar të kafshohet
Veq se është vendi ma i bukur i tokës!
Rozë, unë po e vesh Këmishën e Bardhë.
Me bardhësi, me shpatë të mprehtë dhe gjakun tim
Do verbojmë, e vrasim errësirën.
Edhe nëse Kulçedra është prapa diellit
Prapë ka me ia nuhatë aromën e këtij trolli
Se këtij dheu i vjen aromë buke e pjekur në prush.
Rozë, fati im, mos e pengo Ajkunën
nëse hidhet bashkë me fëmijët nga Kepi i Fatit!
Vetëm bekoja përjetësinë për njëmijë vite.
Nuk duron kjo tokë, far’e huaj të ngjizet në barkun e vet.
Ajkunë, hidhe Malzinë mbi shpatulla
Lidhe ujëvarën e Bokës Kotorrit, e hidhu!
Hidhu, le të mbetet faji, turpi, frika e tmerri në grushtin e fajtorit,
Se koha është që djajtë të kenë frikë nga engjujt!
Roza, fati im, kësaj here nuk erdha me t’pá ty
Kam besim në trimnin tande...
Sot erdha të marr vdekjen, e n’luftë të shkoj
Kulçedrën do ta vras, tej diellit do ta çoj
Sikur perëndinë Urd, me një vringëllimë shpate
N’mexh’ t’vet, kryengul kam m’e hedhë!
Ti Rozaf’, pushoi eshnat, e djalit m’i nep gji!
SONTE NISIM KORBAT DREJT PANTEONIT
Sonte...,
Ah sonte mot i lig ka marrë
Veshim e zhveshim gujat
Bie shi me stuhi.
Dielli djeg me flakë për dhé.
Sonte...
Ah, sonte nisim korbat drejt Panteonit!
Ulku i Zi, ti edhe qimen po ta kesh të bardhë,
Prapë i zi je!
Ah Ulk,
Si më ke mbërthyer me ata dhëmbë të mprehtë
Më shqyej shpejt, pa seanca gjyqësore!
Se kurrë para teje i pafajshëm nuk do dal!
Më shqeve, a s’më shqeve, unë jam ai Uilli
Që kam me t’verbu sytë
Natën, në elementin tënd
E ditën, në elementin tim.
Ulk i Zi,
Nuk më vjen turp
të bëhem edhe patkua i kalit të çartur
Të të ngelem në fyt.
Nuk më vjen turp të bëhem
edhe përrua i thellësirave
Të ta përpij hijen, e ta kthej në litar,
Frymën të ta ngulfat...!
PLAKUSHI JET(ë)IM(ë)
E di ti
kujt i thonë KURBET?
Unë e di.
Dje isha vetë,
Sot kam fëmijët e mi
me t'tyre fëmi!
Me shkjaun
kuptohemi disi
pak n'gjuhën time
pak n'gjuhën e tij,
por,
në ç'gjuhë të kuptohemi
me fëmijët e fëmijëve t'mi?
kanë shkuar skaj dheu:
n'Francë, n'Zelandë..., n'Gjermani...
Më duhet përkthyes
të flasë me fëmijët e fëmijëve të mi!
NÁNA dhe XHUBLETA
Nánë, kur zbrite nuse n'ket ané,
Erdhe veshun me xhublet - m'kan than'.
Më mbajte n'brendsi tande dimën e ver'
Me xhublet veshun, lagun, e ter'...!
Më mbaje n'gji, dilje me mbjell, e me korr grun
Me xhublet veshun, pa e hjekun kurr!
N'pun kábmleht', n'shtrat gjumleht'
Nánë, akoma ti me ket xhublet?!
Sa shumë pun', nánë, sa pak me ngran'!
Për ty nânë, kjo jetë gjithmon e rand'!
M'thuaj i'her..., veq i'her, oj nânë
Çka t'man, kaq t'fort, n'kamë?!
GJERGJ – SKËNDERBE
Gjergj’mor bir, ishe vogëlush njomak kur të morën nizam
Të vunë në fund të karvanit, duarlidhur me litar shtrënguar
Këmbët çonin trupin përpara, shikimin kthyer Mëmëdheut
Në këtë tokë ku le’e mëmë, atë, vëllezër motra e dhé.
Sot, u ktheve në krye të karvanit luftëtarësh, duarshtrënguar
Po. Duarshtrënguar fort për shpate tehmprehtë, e flakëruar
Drit’e shpresë, në këtë natë të zezë e plot acar!
Sot, të gjitha valët e detit u shkrofëtinë deri në t’fundit flluskë
Nga pelerina jote, valë-oqeani!
Mirë se erdhe Gjergj Kastrioti, o gjak-Arbëri!
Ti ushtar i kalitur në palestrën e armikut më gjakatar
Sot në mesditë ua kujton vetëvrasjen
Se korbat natën kërmat nuk i hanë!
Sot, edhe notuesi më i shkathët, edhe ai kal’i zi u mbytën në detin e gjakut
Të derdhur nga të rënit, dhe lotët e nënave!
Sot u dogj edhe hëna nga flak’e lartë,
Që doli nga kalaja, kriju nga mishtë, gjaku e eshtrat!
Vrit Gjergj, vrit ato koka, që dje ta mësuan vrasjen!
Dhunshëm të morën si Gjergj, e dhunshëm të kthyen në Skënderbe
Gjergj, bëju një me Skënderbenë; hiqi ato koka, që të mësuan me pre!
Nuk është mëkat as krim, me luftu për mëmëdheun!
Gjergj, o i madhi Skënderbe!
KOHA E T'KORRUNAVE
I.
Nán',
Shkova me korr t'mjellunat e vjeshtës
Por, rrit ishin p’rrenjt nga shirnat pranverore!
E lumi dal' nga ana jon'!
Niveli i rritun i ujit, dogji andrrat tona, nàn'!
II.
Nán',
Pa u lag’ deri n'fyt
Matan nuk dalim dot!
Por, edhe ujem n'se marr
Veq buk t'mykun do ta hamë!
III.
Nán',
Tani nuk mbet tjetër,
Veq n'maxhen ton' me mbjell'
Tokën që na lan' trashigimi
Lumi na e ka tret'!
Sa s’ka nis lumi shtratin me thellue
Po i mledh do trima, djem t’ri
Dom me peshkue nat’e dit’
As nji vorr tonin, matan mos me lan’.
Pllugu do han veten me dhamb’ t’ndryshkun
Se, ugare me shkye, ma s’ka.
Relikte varun do mbeten ai dhe qeni i zgjebosun
Freni ngri, e fara nga dora, n’hiq kullon!
IV.
E di bir shka na pruni dita sot...
N’se shkon arën me lavrue
Mos iu afro megjes asnji hap
Se thundrat e kalit do priten
N’thika t’armikut, vnue.
Patkojt e kalit jan shterr, e dobsue
N’kurtha t’paprituna coptohen kollaj...
Dhe kur t’kthehesh nga arat tona
Qysh prej sodes rrudhi kámt
Se jorganin, qent tan’ e zvogluen!
20.02.2018
NOSTALGJI
Kur isha i ri, nuk e kisha guximin të ta them
Se në zemrën time ende rrahin pulset tuaja
Këtu ishe ti, se unë u zhvendosa në zemrën tënde
Unë, Emigrant në shpirtin tënd.
Tani që u mplakëm (ah, pleqëri e mallkuar...!),
E marr guximin të ta them se të kam dashur,
Edhe sot të dashuroj, por, ç’ne?
Më është ftohur gjaku, zemra rrah’ shumë shpejt
Se nuk ka fuqi ta marrë veten!
Kur të shoh duke ecur bulevardit
Jetoj me ëndrrën
Se një ditë do ta prekë njomësinë tënde
Nga kohë gjimnazi
Tani, që mua më ka pllakosur shtresë e pleqërisë...
TAKIMI (i parë dhe i fundit) ME VAMPIRIN
Duke i shtrënguar frenat në familje
harrova të shtrëngoj frenat e biçikletës
Dhe...
Kur hapa sytë, pashë veten
Në një shpellë të errët
Lakuriqi më i madh se unë më mbuloi dhe
M’u lut ta mbaja në qafë
Unë pranova, por ai m’i nguliti dhëmbët në fyt
Në gjendje agonie thirra:
Ah, Vampir! Falë të qoftë gjaku im,
Vetë ta lirova qafën!
SOT, TEATRI KOMBËTAR, FLË
I.
Sot, farkëtari i patkonjve të kalit të Don Kishotit
Nuk do farkojë patkonjtë, por vetëm do i flakosë në ar
Gomarit të Sanço Panços do i heqim samarin
Se, sot, Teatri Kombëtar do flejë...
Konstandini nuk do ta mbajë Besën e dhënë nëntë vite më parë
Doruntina do mbetet atje tej nëntë bjeshkëve e nëntë deteve
Shekspiri sapo nxori shpatën, vendosi të mos e vrasë Mbretin Lir
Vetëm Otello është i çmendur e nuk di ç’është menopauza
Alkimia i është përzier me uthull e iu thartua gjeneza
Ndërsa Desdemona numëron rruazat-minuta të mbetur në jetë
Nuk pyet nga vjen Hamleti, as përse Romeo e Xhuljetën pushuan
Përse nuk vjen Pranvera?
Kush e vonoi?
Apo udhën mund t’i kenë pre!
II.
Vetëm banorët e burgjeve
shijojnë Lirinë brenda atyre mureve
Patriot’e heronjë presin Kasapin t’iu vijë te dera e shtëpisë së tyre
Do t’i bashkohen Karvanit të Krushqve, varre do shumojnë
Hekurmuret në pritë, me ëndërra do t’i kapërcejnë
Do duken si hije, se dritat në rekuizitë kanë rënë
Nuk ka zhurmë, vetëm qetësi. Muzika nuk dëgjohet.
Dritat luhaten në sfond. Publiku tregohet i kulturuar: nuk reagon
As vetë nuk e dinë. Askush nuk i ka informuar
Se sot, Teatri Kombëtar do flejë...
III.
Një Vajzë duhej ta vriste Avokatin, se abuzoi me njomësinë e saj
Babai i është çmendur, nënën e ka molisur pritja e Burrit të dehur
Për inat, mu për inat Vajzat i torturon
Sot në Teatrin Kombëtar, që edhe Regjisori fle.
IV.
Ajkuna duhej të hidhej nga shkëmbi që t’i takojë amazonat
Diva e Teatrit e mbyllur në krenarinë dhe egon e saj
Trupi i dridhet në podiumin me dërrasa të vjetruara
Dhe pluhur’ i dendur në Perdet që bien
Përhapet gjithandej, publikun e deh, në gjumë të rëndë e vë
Le të presë publiku Godonë edhe dyzet minuta
(Përse vjen i fundit, i Pari Mohikanas?).
V.
Në vitet e ’80-ta, Heroi Virtual u përplas me milicinë-marionetë
Tani nuk e dimë me kë përplaset, se marionetat u tërhoqën në vrimë
Sot, më i pafuqishëm se kurrë pret autobusin me biletë në dorë
Aktori do futet në Kuti dhe të niset në udhën njëdrejtimëshe
Pasi të ketë kaluar Natën e Fundit në Golli Otok
Në Hotelin, që vetëm shqiptarët ishin “mysafirë/mbretër”
Sllavët e langonjtë sahanlëpirës ishin në “shërbim” të tyre.
Askush nuk i ndjeu britmat e thirrjet nga “kënaqësia”!
Se sot, Teatri Kombëtar po fle...
*Goli Otok- Burg famëkeq në njërin nga ishujt e Kroacisë, në të cilin u gjenden shumë shqiptarë të dënuar politikë nga pushteti serb.
VI.
Unë me Arturo Uin do hamë Darkën e Fundit në Pjatën e Drunjtë
Krishtin nuk do ta Kryqëzojmë, as Macen mbi Çati nuk do ta trazojmë
Do mbyllemi në Bodrum, ta vëmë Epokën para Gjyqit
E me Gërsheta Lufte ta ngulfatim Heroin
Që thellë i dehur nga vera e kuqe, u bë viktimë e Komplotit Ilir.
Sot,Teatrit Kombëtar duhet t’i heqim Ombrellën
Le ta lagë shurra e Feniksit, që t’i digjen sehiretë...
REKUIEM PËR LIBRIN
1.
Sot bëj homazhin e par’e të fundit
pranë varrit të librit
Aksidentalisht e përfundoi misionin e tij,
kur telefoni i ra në sy
Pas tërmetit që e dridhi globin nga të gjitha polet
Kompjuteri i ra në veshkë
dhe i trazoi gur’e rërë
Rrjeta e internetit i zu frymën,
mushkëritë nuk prodhojnë oksigjen
Pluhur i dendur mbi kokë i rri,
askush nuk do ta shoh që ta shpëtojë
Me makina stërluksoze e shtypën për vdekje,
gjykata nuk dëgjoi
i vendosa një gur pranë varrit për shenjë,
emër nuk i shkrova
Ashtu-kështu askush nuk do ta lexojë;
iku ajo kohë.
2.
Epoka që përjetoi eklipsin më të gjatë në jetë,
quhet Varrosja e Librit
Lum ai që nuk e ka trurin tamam
dhe nuk e di çfarë kemi humbur
Me letrat e librit
dogjëm Pallatin Mbretëror të Lakmitarëve
Me shkronja i dogjën grykën Historisë,
deri tani që na rrëfente përralla
Na vënte në gjumë,
na fuste në ëndrra të hidhur,
ankth e agoni
pajtoheshim edhe bishën ta quajmë prind,
E pluhurin(mariuhanën) miell
e mbështollëm me një flamur
që e kishte pasë një bebe në vend pelene
dukej qartë ku kishte kryer nevojën e madhe,
të voglën dhe puçrrat kishte ndrydh.
3.
Dielli.
Edhe dielli qau me vdekjen e librit,
se e dinte më mirë nga të gjithë:
pa librin
as drita e diellit nuk reflektonte
as nuk kishte kuptim.
E mallkoi paranë,
se paraja e dehu njerëzimin dhe Zotin e ktheu në letër
me shkronjat e atij libri
e kam vizatuar lotin tim,
buzëqeshjen time
fytyrën e nënës, zemrën
dhe duart e buta si puhizë
me ato shkronja kam gdhendur hekurin,
gurin e granitin
skalita histori, legjenda, epe e këngë kreshnike
4.
Sot, libri nuk frymon.
Nuk dihet:
ne duhet të qajmë për librin apo libri për ne
Dikush duhet të qajë,
këtë nuk e mohojmë.
AMEN!
RRAP', I MOÇMI RRAP
Sa her t'kreha mjekren e thime,
me thojt’e g'jata e t'mprehta
t'vujtjeve t'mija,
t'nxora gjak prej l’kuret,
Ti kurr’ nuk u ankove për dhimë!
Tesh gjethet po t'bien...
Edhe dje t'kan ra,
edhe neser kan’ me t'ra.
Po ti mos u ligshto...!
si nuk u ligshtove mija vite..
e i përballove mija stuhi!
Edhe n’se mbi tye
bien shkreptima e bubullima,
e nji dit patjetër do t'biesh...
T'lutem, rueje nji degë,
(edhe n’se e thyeme kjoft)
Ta shpërthesh vedin n'gjie...
E aty, t'ngjizet fara e nji sythi t'ri.
Për ket Arbëri.
MJELLMA E BARDHË
Ah mjellmë, e bardha mjellmë, nëpër ajrin tim!
Kur rrahë flatrat më shkul epshet, peshë i çon!
Nuk jam poet të shkruaj poezi për ty mjellmë e bardhë
Dhe për kostumin e hënës sall argjend
Aq më pak MIGJEN, që diti t’i shkruaj edhe qymyrit
Me kutërbimin, ngjyrën dhe pluhurin e zi korb.
Vallë, ç’është qymyri?!
Përse duhet t’i afrosh flakën që ai të të kallë?
Jo! Nuk jam poet!
Por, vetëm dëshiroj t’i shkruaj të bardhës mjellmë,
Hënës së argjendtë
dhe dritës që shkëlqen në syprinën e liqenit
Atëherë në mesnatë.
Unë, rob i flatrave të asaj mjellme
Që kur hapë krahët e shkunden puplat
Mua më pushton epshi dhe shkrehem në ekstazë...
Mjellmë, e bardha mjellmë, andej nga ti vjen
Një unazë lidh dy shpirtra
Që ecin me qerren e ëndrrave të bardha...!
U gjunjëzova nga qielli i errët me ato miliarda yje që shndrijnë
- Të lutem qiell, – i thash – ma fal një yll!
Qielli më dhuroi miliona yje dhe unë ndërtova një yll
-mjellmën time
Dhe i fala emrin tim, por jo dhe fatin.
Një shpirt u ngjiz në shpirtin tim...
____
Shënime për autorin:
Eshref Berisha, lindur më 04.08.1963 në Kromnik, Rrethi i Rahovecit.
Është bashkautor i monografisë "Mustafë Ibishi": me Jetish Kadishanin.
Veprat:
"Foka e verbër", tregime për fëmijë, Prishtinë 2007
"Fluturimi i ngurtë", dramë për të rritur, Prishtinë 2010
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen