Samstag, 5. Oktober 2019

Fadil L. Curri: AI DO TË VDESË ME "POEZINË" E TIJ

Fadil L. Curri

Skica letrare

Na fliste për të me konsiderata e bindje pozitive, se ishte shkrimtar i madh me disa libra të botuar, se kohët e fundit kishte formuar edhe klubin letrar dhe se organizonte takime të ndryshme poetike, bënte promovime librash, sa e shihnin sa këtu e sa e shihnin atje si i ftuar i klubeve e shoqatave të ndryshme shkrimtarësh. Në tavolinë nisi një debat goxha i nxehtë, sa edhe fjalë përbuzëse për njëri-tjetrin nuk mungonin. Por që më tërhoqi vëmendjen, ishte dialogu ndërmjet lëvduesit të shkrimarit dhe tjetrit që e ndiqte letërsinë gati katër decenie.

“Ti the se është shkrimtar i madh ai dhe se paska disa libra të botuar?”, e pyeti disi kotnasikoti që të futet në rrjedhën e shpjegimit.
“Po”, ia ktheu lëvduesi i shkrimtarit të njohur, sipas tij.

“Ti duhet t’i kesh të qarta disa segmente letrare. Shkrimtari nuk është i madh, sidomos sot, nëse ka shumë libra të publikuara, por sipas asaj që prodhon vlera letrare. Miku juaj mund të jetë autor edhe i njëzet librave, por që nuk kanë cilësi as sa një e shkrimtarit të mirëfilltë. Është miku juaj më shkrimtar, bie fjala, se Poradeci e Migjeni?”
“Nuk e di”.

“Po nuk e dite, ja unë po ta rrëfej. Tipi i mikut tuaj shkrimtar është autor i disa librave, më shumë se që ka Lasgushi e Migjeni bashkë edhe me ndonjë tjetër, por do të vdesë bashkë me shkrimet e tij, ndryshe nga dy të parët që i përmenda, që sot e kësaj dite sikur janë gjallë e kuvendojnë me ne, si lexues të tyre. Te miku yt e ke nosititn, liqenin, Lulin e Vocër, “Poemën e mjerimit”? Jo. Migjeni, Lasgushi e skrimtarë të llojit të tyre i dhanë letërsisë tema, protagonistë, stile e porosi që edhe sot janë frymëzime artistike e ndërgjegjësimi për lexuesit. Miku yt shkrimtar i mori letërsisë dhe asgjë nuk i dha asaj. Me çfarë do të mbahet mend ai te lexuesit letrarë pas vdekjes së tij? As edhe me një libër të shtjelluar mirë, as me një poezi mbresëlënëse. Me të do të vdesë edhe poezia e tij. Ky është fati shkrimtarit tënd të joshur. Edhe ai vetë e di këtë, por hiqet para jush si shkrimtar për qëllime joletrare. Ai është përbindësh letrar. E kuptove tani?”.
“Përbindësh i the?!”

“Po. Gjoja shkrimtari mikut yt shpenzon lekë të shumtë për botimin e librave të autorëve tjerë në emër të klubit, pa recensione e redaktime librore, pa gjuhë të gdhendur, pa stil e porosi që do të ngacmonte kërshërinë e lexuesit. Jepen financa edhe për disa përkthime, të mos them turpërime, në tregun libror botëror, në të cilat botime nuk ka art e letërsi, por deklarativizma politikaneske me eufori populiste patriotike, të thëna nga politikanë, historianë e opinionistë klishetistë. Oponentët letrarë janë mjekë, kamerierë, “patriotë” e profile të ngjashme. Në vend që këto mjete financiare t’u jepeshin festivaleve e konkurseve letrare me vlera të arsyetuara nga juritë oponente, jepen për hiçgjë. Shpresoj ta kesh kuptuar krahasimin me përbindëshin”.

Tjetri nuk foli më. E kapi kokën me duar dhe i kishte lëshuar mendjet diku të kullotnin. Dukej disi i shkundur nga bindjet e pakmëparshme me disa risi të papritura, mbase të panjohura të deritashme për të.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen