Freitag, 6. Januar 2023

Gjerdan me poezi nga Haxhi Muhaxheri



 NËNA DHE ATDHEU

Nëna dhe Atdheu
Atdheu dhe Nëna
Janë dy pole
Që pėrkundin një flamur

Po po
Nëna është Atdhe 
E Atdheu…
Atdheu është Nënë

04. 05. 2022



LUTJET E BABAIT

Sa herë përmendet Rahoveci
kujtoj babain tim Bajramin
që për çdo mëngjes
bënte një lutje 
(lutje krejt të pazakonshme)
përderisa shpëlante fytin
me lëng rrushi

E diku atje
atje në një cep të e atdheut
flinte dielli mbi hardhi

19 Maj 2022




LUFTA

Sa herë që qielli 
ndizej prej vetëtimave
dhe njëra pas tjetrës
zbrazeshin rrufetë
nëna vraponte 
të mbyllte dritarët e shtëpisë
që e keqja t’mos hynte brenda

- Luftë e madhe bahet biro
thoshte ajo

Dhe lutej e lutej e lutej
që dragonjtë
të vrisnin kuçedrën

Pastaj 
degjoheshin kambanat
dhe dielli befas çelte sytë

23 Maj 2022




HEROI IM

Ai dukej bash si një vigan
dalur prej legjendave

Kishte sall nje plis 
nje flamur e një atdhe 
dhe s’i duhej asgjë tjetër

Mark Avdyli i Ndreajve
trup me trup
ndeshej me bajlozët
dhe më sy shuante rrufetë

25 Maj 2022




GRUAJA DHE DETI

Sa herë që vë kokën
mbi gjoksin e një gruaje
më hapet vetëtimthi
portë e qiellit
dhe para më shfaqet 
derë e parajsës

Sa herë që puth valet e detit
befas më del para sysh
imazhi lakuriq i një perëndeshe

Dhe sulem e sulem e sulem
dhe zhytem e zhytem e zhytem
dhe çartem e çartem e çartem
por fundin deitit kurrë s‘ja gjeta  

Sa i vockël më duket vetja o Zot

Qershor 2022




TË MALI TOMORR

Aty 
natë për natë
zbresin perënditë
për të bekuar priftërinjtë
që fshehurazi vranë veten
porsa groposen
(thellë - thellë
tej zemrës së tokës)
arkën e besëlidhjes

26 Korrik 2022





DËSHIRË

Tri ditë jetë
kisha me i dashtë bre
sall edhe tri ditë
me t‘pa 
Ty
o Rezelindë
si zgjoheshe
mëngjeseve

(atje 
në Dibër të Madhe)

përderisa dielli
prajshëm 
shihte ëndrra
mbi liqe

19 Nëntor 2022





AJO DHE MEDVEGJA

Më shfaqen ëndrrave
duke shpëla plagët
në Lumin e Lotëve

Dridhem
ethet më zën
humb dhe shikimin

Pastaj
si krismë qielli
më vjen zëri i Minës
dhe papritmas
para më del i madhi Zot
duke vizatuar
faqës së dielltë
harten e atdheut

19 Nëntor 2022




VEZËT E DJALLIT

Ka vite e vite
që kërkojmë
vezet e djallit
(gjithandej)
rreth e rreth 
shtëpisë

(ti thyejmė
një herë 
e përgjithmonë)

por fshehur keq i ka
qerratai
si gjën dot njeriu

Shpėtoje o Zot Arbërinë

23. 11. 2022




BIJA E MEDVEGJËS

Lidhur i ka 
rreth qafe
perënditė

Errë e ndritë
kurdo

Thonë dhe Zeusit
vjedhur ia ka magjitë

Hëna do lind hero

23.11.2022




ZERO

Një zero e madhe
po sillet universit

Dreqi e marrte

Shumëzoje
si të duash

Zero prapë mbetet

23.11.2022




JEMI NJË

Po po - një jemi 
përbesë - jemi një
sa herë qëllojmë
që të jemi dy

Zero e madhe
thyhet syve të gocës
që mė fije floku
qëndisi flamurin

E diku përtej hënës
bëjnë gjumë të rehatshëm
kujtimet e diellta për Atlantidėn
dhe plisin e bardhë të Zeusit

28 Nëntor 2022




LULE ME AROMË MEDVEGJE

Sa herë që ëndrrave 
më shfaqesh Ti moj
në sytë e zemrës 
mbin një tjetër lule
dhe dielli ulet prajshëm 
mbi çatitë e parahënorëve

Mbijnë e mbijnë lule
lule me aromë Medvegje
dhe në galerinë harresës
(diku të Mali i Tomorrit)
zë e flet arkë e besëlidhjes

14. 12. 2020




HYJNESHË Ë MEDVEGJËS

Ti moj
ke lëshuar rrënjë
thellë brenda meje
bash si një lule parajse

Bën jetë të rehatshme
hapsirës së shpirtit tim

(në çdo frymëmarrje
në çdo rrahje zemre
në çdo pikë gjaku)

Hyjneshë e Medvegjës

22. 12. 2022

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen