Shkruan: Haxhi MUHAXHERI
Dashuria e shqiptarëve për shtazët e shpendët dhe pagëzimi me emrat e tyre
Vërtete, ne si popull jemi treguar kurdoherë human dhe kemi dhuruar vetëm dashuri. Shqiptaret nje dashuri te madhe e kanë shfaqur gjithmonë edhe ndaj shtazëve dhe shpendëve. E ti dush kafshët dhe shpendët, është përnjëmend fisnikëri. Populli ynë jo vetem qe i ka dashur, ushqyer dhe mbajtur ne shtëpi ato, por edhe i kanë adhuruar dhe kanë marrë emrat e tyre për vete.
Kësisoj, shumë prinder pas sjelljes se fëmijeve të tyre në jetë, kanë vendosur qe ata ti pagezojnë me emrat e shtazëve dhe shpezëve qe më së shumti i kanë adhuruar dhe dashur! Prandaj sot të shqiptaret janë shumë të përhapur emrat, si:
01. Luan - i
02. Pëllumb - i
03. Sokol - i
04. Sokoleshë
05. Bilbil - i
06. Shqiponjë
07. Skifter - i
08. Shpend - i
09. Dallëndyshe
10. Dren - i
11. Drenushë - a
12. Shotë
13. Gjeraqinë
14. Zog - u
15. Zogë
16. Zogëz
17. Fellëzë - Thëllëzë
18. Laureshe
19. Bletë
20. Flutur - a
21. Dem - i
22. Dash - i
23. Sutë - a
24. Hut - i
25. Ujkan
26. Sorkadhe
27. Petrit - i
28. Astrit - i
29. Delfina
30. Kanarinë
31. Asllan (Luan)
32. Rudina
33. Gusë - a
34. Bibë - a
35. Bibaj (mbiemer)
36. Taraku (mbiemer)
37. Knusi (mbiemer)
38. Pula (mbiemer)
39. Bufi (mbiemer)
40. Sykë
41. Uk -a -u
42. Bal - i
43. Mul - a
44. Daci (mbiemer)
45. Gjeli (mbiemer)
46. Galë
Ja si i shpjegon fjalori i shqipes disa nga këta emra:
L U A N: ( m. sh.)
•1. zool. Kafshë e egër gjitare, e madhe e mishngrënëse, me lesh të shkurtër e të verdhemë, me një tufë qimesh në fund të bishtit (dhe te mashkulli me një kreshtë a kurorë qimesh të gjata në qafë e rreth kokës), që ndodhet në disa vise të Afrikës, të Azisë etj. dhe që mbahet si kafsha më e fortë në përleshje me të tjerat. Gjuetia e luanëve. I fortë si luan. Luftoi si luan.
• 2. fig. Njeri trim, guximtar e i fortë. Luanët trima (partizanë).
• 3. fig. Përd. mb. m. sipas kuptimit 2 të emrit Djalë luan. * Pjesa e luanit libr. iron. pjesa më e madhe e më e mirë e diçkaje, që e merr më i forti për vete pa përfillur të tjerët LUANI I DETIT zool. Lloj foke e madhe e me veshë, që jeton zakonisht në oqeane.
P Ë LL U M B: ( m.sh. zool.)
•1. Shpend i butë a i egër me krahë të shkurtër, me pendë të bardha ose ngjyrë hiri në të kaltër, me gushë pak të dalë dhe me pupla në këmbë, që mund të bëjë fluturime të gjata dhe që mbahet si simbol i butësisë, i pastërtisë, i bukurisë dhe i paqes. Pëllumb i butë. Pëllumb i egër. Pëllumb poste. Çift pëllumbash. Gugatje pëllumbash. Kafaz pëllumbash. Mish pëllumbi. Vezë pëllumbi. Gjuetia e pëllumbave. I butë (i bukur, i urtë) si pëllumb. Si pëllumb i shkruar shumë i bukur.
• 2. fig. përk. Fëmijë a djalë i vogël, i bukur dhe i dashur. Pëllumbi i nënës! Fli, mor pëllumb!
• 3. fig. iron., shaka. Përdoret kur i drejtohemi dikujt me një qortim të lehtë etj. Ku ishe, mor pëllumb? Na erdhi ky pëllumbi. *
S O K O L: ( m. sh.)
•1. zool. Shpend grabitqar me sqep të kthyer dhe me krahë e thonj të fuqishëm; petrit. Sokoli kthetrazi. Hidhet si sokol.
• 2. fig. Djalë a burrë, zakonisht shtathedhur, trim e i zoti, petrit. Sokol mali. Sokol me fletë. Sokolat e brigadës (e batalionit). Sokoli i nënës! përk.
S O K OL E SH Ë: ( f. sh.)
•Vajzë a grua zakonisht shtathedhur, që shquhet për trimëri e për shkathtësi në punë; gjeraqinë. Sokoleshë mali. Sokoleshat e Malësisë. Sokoleshat e brigadës. Grua sokoleshë. Luftuan si sokolesha.
B I L B I L: ( m. sh.)
•1. zool. Zog i vogël shtegtar; me pupla të përhime në bark dhe te murrme në krahët, që njihet si këngëtari më i mirë ndër gjithë zogjtë. Bilbil pylli. Bilbil uji. Zë bilbili. Kënga e bilbilit. Këndon si bilbil. Fëmija është bilbili i shtëpisë.
• 2. Mjet i vogël me një pip, te cilit i fryjmë për të nxjerrë fërshëllimë. Bilbil druri. Bilbil i gjyqtarit të lojës (i policit, i rojës). Bilbil fëmijësh. Fërshëllima e bilbilit. Lugë me bilbil. I ra (i fryu) bilbilit.
• 3. Reze për të mbyllur dritaret, me një thith me sustë i cili hyn në një unazë. Bilbila për dritare.
• 4. përd. mb. Që këndon shumë bukur; që flet shpejt e bukur; që është i mprehtë, që e kap shpejt diçka. E ka gjuhën bilbil. Është bilbil nga goja. I ka veshët bilbil. * Bilbil gjyzari figurë e përrallave popullore: bilbil me zë shumë të bukur, që paraqitet sikur bën çudira. U bë bilbil u ndreq, u bë lule (për njerëz qe nuk kanë qenë të rregullt). Mbeti bilbil mbeti fare pa gjë ose pa njeri. Ishte si bilbili në kafaz ishte i mirë e i zoti dhe i kishte të gjitha për të jetuar por nuk kishte liri; ishte pa liri e pa shpresë.
SH Q I P O NJ Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Shpend i madh grabitqar, me sqep të kthyer, me kthetra të gjata e të forta dhe me sy të mprehtë, që rron në male e në stepa dhe mbahet nga shqiptarët si simbol i lirisë e i trimërisë; shqipe, shkabë. Shqiponjat e maleve tona. Krahët (kthetrat) e shqiponjës. Sy shqiponje. Fole shqiponje. Sulet si shqiponjë. Më mirë shqiponjë një ditë, se sorrë një vit. fj. u.
• 2. fig. Njeri trim, i guximshëm, sypatrembur e krenar; njeri shumë i zoti e i shkathët. Shqiponjat partizane. E ka shqiponjë këtë djalë (këtë vajzë).
• 3. bot. Bimë shumëvjeçare zbukurimi, përherë e gjelbër, me gjethe të mëdha e të prera thellë, që u përngjajnë krahëve të shqiponjës, luleshqiponjë. * Shqiponja dykrenore vizatim i një shqiponje me dy krerë në stemën dhe në flamurin e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë. Shqiponja nuk ha miza fj. u. njerëzit e shquar nuk merren me çikërrima e me gjëra të ulëta.
S K I F T E R: ( m. sh.)
•1. zool. Shpend grabitqar me sqep të kthyer e me kthetra të fuqishme, që rron nëpër shkëmbinj; fajkua. Skifteri kthetrazi. Krahët e skifterit. Ra në thonjtë e skifterit. E rrëmbeu skifteri. Hidhet (sulet) si skifter.
• 2. fig. Njeri trim e i vrullshëm në sulm.
SH P E N D: ( m. sh. zool.)
•1. Kafshë kurrizore me trup të mbuluar me pendë e me pupla, me dy krahë, me dy këmbë e me sqep, që bën vezë dhe që në përgjithësi mund të fluturojë; klasa e këtyre kafshëve. Shpendët shtëpiakë. Shpendët e egër. Shpendë shtegtarë (të përhershëm, endacakë). Shpendë ujës (uji). Shpend i balsamosur. Shpend deti. Shpend gjahu. Mish shpendësh. Plehu i shpendëve. Shtimi i shpendëve. Rritësit e shpendëve. Thertore shpendësh. Sëmundjet e shpendëve.
• 2. krahin. Kafshë a zogj që jetojnë në natyrë në gjendje të egër. Shpendë gëzofi kafshë si dhelpra, kunadhja e lepuri. Shpendë puplash zogj si pata, rosa, thëllëza, shaptorja etj.
• 3. euf. Ujk; kafshë grabitqare. Ia hëngri shpendi dhinë. Ruanin natën mos vinte shpendi. * Ha qen e shpend shih te QEN,~I. Kolera e shpendëve veter. shih te KOLER/Ë,~A.
D A LL Ë N D Y SH E: ( f. sh.)
•1. Zog shtegtar i vogël sa trumcaku, me krahë të mprehtë, me bisht të bigëzuar si gërshërë e me sqep të hollë, që fluturon shpejt e me zhdërvjelltësi të madhe dhe e bën folenë zakonisht nën strehët e ndërtesave. Foleja e dallëndyshes. Erdhën dallëndyshet. Dallëndyshet janë lajmëtaret e pranverës.
• 2. Pjesë e avlëmendit, e ndarë si bigë, që shërben për të mbajtur varur lisat e pëlhurës.
• 3. Kunj i vogël druri që lidh dorezën e parmendës me shtizën.
• 4. Pjesa e butë e thundrës së kalit. * Dallëndyshja e parë shenja e parë e diçkaje që do të vijë me shumicë; ai që çan i pari drejt diçkaje të re e pak të njohur. Qumësht dallëndysheje shih te QUMËSHT,~I. Janë si zogjtë e dallëndyshes janë fare të brishtë e të pafuqishëm dhe kanë nevojë për ndihmë, përkrahje e kujdes të drejtpërdrejtë. Me një dallëndyshe (me një lule) s'vjen pranvera (behari) fj.u. shih te LUL/E,~JA. Bar dallëndysheje bot. shih te BAR,~I I.
D R E N U SH Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Femra e drerit, sutë.
• 2. përd. mb. fig. E urtë dhe e butë (për një vajzë a nuse).
SH O T Ë: f. sh. zool., krahin.
•Një lloj rose e madhe; rosë. Shota të egra.
GJ E R A Q I N Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Shpend i madh grabitqar, me pendë të larme, me krahë të gjatë dhe me kthetra; petrit.
• 2. fig. Grua e shpejtë dhe e shkathët.
• 3. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. E ka nusen gjeraqinë.
Z O G: ( m. sh.)
•1. zool. Kafshë e vogël kërbishtore, me trupin të mbuluar me pupla, me sqep të brirtë, me dy këmbë dhe me krahë për fluturim, që shumëzohet me anë të vezëve; emër i përgjithshëm për shpendët e vegjël si trumcaku, dallëndyshja, bilbili etj. Zog i bukur. Zogjtë shtegtarë. Zog këngëtar. Vezë zogu. Fole zogjsh. Tufë zogjsh. Cicërima e zogjve. Zë zogj. Vrau një zog.
• 2. I vogli i një shpendi. Zog pule (pate, shqiponje, petriti). Zogu i dallëndyshes (i korbit). Zogj inkubatori. Rritja e zogjve. Klloçka me zogjtë. Çel zogj.
• 3. krahin. I vogli i një kafshe, pjella. Zog maceje. Zog gomari. Zogjtë e arushës.
• 4. krahin. Bir. Zog malësori. Zogu i shqiptarit.
• 5. anat. Muskuli i gjymtyrëve, zogthi. Zogu i krahut muskuli i llërës. Zogu i këmbës pulpa. * Nxjerr (çel) zogj iron. a) dergjet në shtrat, lëngon për një kohë të gjatë; b) rri për një kohë të gjatë në një vend pa bërë asnjë punë, rri kot. Me pula e me zogj shih te PUL/Ë,~A. Si zog pa pupla shih te PUP/ËL, ~LA. Është bërë me rrashta zogjsh është bërë pa një mbështetje të sigurt, qëndron fare në ajër; nuk e ka të gjatë, do të prishet shpejt. Nuk guduliset me pupël zogu shih te PUP/ËL,~LA. I iku (i shpëtoi) zogu nga dora nuk arriti ta shfrytëzonte rastin si duhej, nuk qe në gjendje të bënte diçka kur iu dha mundësia. Është si zogu mbi cipal shih te CIPAL,~I. Janë si zogjtë e dallëndyshes shih te DALLËNDYSH/E,~JA. Janë si zogjtë e klloçkës shih te KLLOÇK/Ë,~A. S'ka zog (bir) nëne thjeshtligj. shih te BIR,~I. Mbetën si zogjtë pa klloçkë shih te KLLOÇK/Ë,~A. Mbetën si zogjtë e korbit shih te KORB,~I. U shpërndanë si zogjtë e korbit shih te KORB,~I. Vë pulën në zogj i vë punët në vijë, i rregulloj punët. Bufi mburr zogjtë e tij iron. shih te BUF,~I. E mban si zogun majë gjembit dikë shih te GJEMB,~I. Me një gur (me një të shtënë) vret dy zogj shih te GUR,~I. Mbaje (ruaje) zogun sa e ke në dorë! fj.u. shfrytëzoji të gjitha mundësitë që të jepen për të arritur diçka, mos e humb rastin kur të vjen. Lule zogu bot. shih te LUL/E, ~JA. Zog bari zool. lloj shpendi i vogël, i egër, në ngjyrë të barit. Zog blete zool. bregca. Zog bore (zog dimri) zool. bores, zborak. Zog çaush zool. zog arash me sqep të kthyer, me pendë në ngjyra të ndryshme dhe me kaçul mbi kokë. Zogu dervish zool. laureshë me kaçirubë, çafkëlore. Zogu i dhenve zool. bishtatundësi. Zog miu (zog ferre, zog shtrige) zool. ferrës, cinxami. Zogu mizë zool. kolibri. Zogu i natës zool. lakuriqësi i natës. Zog nuseje (zog rrëfeshku) zool. kryeartëza.
Z O G Ë: ( f. sh.)
•1. Pulë e re, që nuk ka filluar ende të bëjë vezë. Rritja e zogave. Theri një zogë.
• 2. Bletë e re. Mjaltë zogash.
• 3. përk. Vajzë a grua e re dhe e bukur.
Z O G Ë Z: ( f. sh.)
•1. Zvog. e ZOG/Ë, ~A. I mblodhi zogëzat.
• 2. kryes. sh. Vrangullat. Zogëzat e avlëmendit
F Ë LL Ë Z Ë - TH Ë LL Ë Z Ë: ( f. sh. zool.)
•1. Zog i madh sa një pëllumb, zakonisht me ngjyrë të murrme në të përhime me sqep të kuq, që jeton në tufa fushave e maleve dhe që këndon bukur. Thëllëzë mali (fushe). Mish thëllëze. Tufë thëllëzash. E bukur si thëllëzë. Këndojnë thëllëzat. Doli për thëllëza. Ecën si thëllëzë.
• 2. fig. përk. Vajzë a nuse e bukur. Mori një thëllëzë. * Gjeti vezët e thëllëzës a) arriti a bëri diçka thuajse të pamundur; b) iron. e pa mirë se ç’mund të bënte; e pa sa pisk e kishte. Kusia mbi prush, thëllëza fushë fj.u. shih te KUSI, ~A. Bar thëllëze bot. shih te BAR,~I. Rrush thëllëze bot. shih te RRUSH,~I.
L A U R E SH Ë: (f.sh. zool.)
•1. Çafkëlore. Lauresha e malit. Kënga e laureshës.
• 2. Zog këngëtar, pak më i madh se harabeli, me ngjyrë të përhime e me pika të errëta, që rri arave; çerdhukël.
B L E T Ë: (f.sh.)
•1. zool. Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin e polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bletë mjaltëse. Bletë e egër. Bletë punëtore. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Rritja e bletëve. Zukasin bletët.
• 2. përmb. Tërësia e këtyre mizave, që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
• 3. përd. mb. fig. I shpejtë, i shkathët në punë. * Bletë e vulosur shih te VULOSUR (i, e). Si bletë shkëmbi i padobishëm, që nuk jep fryte (për njerëzit). Ia bëri bletë ia mori mendtë, e trullosi; e ngatërroi keq. Mbledh me bar blete shih te BAR,~I I. Bar blete bot. shih te BAR,~I I. Lule blete bot. shih te LUL/E,~JA. Zog blete zool. shih te ZOG,~U.
F L U T U R: (f. sh.)
•1. zool. Emërtim i përgjithshëm për disa lloje kandrrash fluturuese, me katër krahë të mbuluar me luspa të imëta si pluhur, me ngjyra të ndryshme, me feçkë e brirthë për të thithur dhe për të ndier, disa prej të cilave dëmtojnë bimët. Flutur shumëngjyrëshe. Flutur bishtartë. Flutur mashkull (femër). Flutura e bardhë e pemëve. Flutura e verdhë e jonxhës. Flutur nate. Flutura e mëndafshit. Flutura e lakrës. Flutura e duhanit. Flutura e misrit. Flutura e orizit. Flutura e hambarëve. Flutura e gjembave. Krahët e fluturës. Brirthët e fluturës. Vezë fluturash. Ndjek fluturat. Kap (zë) flutura.
• 2. zool. Krimb i shtypur si gjethe e vogël që rron në gypat e mëlçisë së zezë zakonisht te dhentë dhe shkakton sëmundjen e këlbazës. Flutura e këlbazës.
• 3. Diçka që ka trajtën e një kandrre të tillë ose që lëviz si ajo. Flutur metalike. Flutura e rregullatorit. tek. Flutur për peshkim paftë metalike e ndritshme, me fletë të lëvizshme, që përdoret për të peshkuar. Fluturat e dëborës.
• 4. kryes. sh. Vizatim, qëndismë ose palë, në trajtën e krahëve të kësaj kandrre, që bëhet në një petk për zbukurim. Fustan me flutura.
• 5. përd. mb. Që ka pamjen a trajtën e një kandrre të tillë ose që lëviz si ajo. Kollare (kravatë) flutur. Stil flutur. sport, mënyrë notimi me trup të shtrirë, me kokë të zhytur në ujë e me të dy krahët të hapur, që lëvizen në të njëjtën kohë.
• 6. përd. mb. Shumë i shpejtë e i shkathët; shumë i lehtë. Grua (nuse, vajzë) flutur. Është flutur.
• 7. përd. ndajf. Me shpejtësi, shpejt. Të shkosh e të vish flutur.
• 8. përd. ndajf. Shumë (zakonisht me mbiemrat i lehtë, i shpejtë). Flutur i lehtë. Flutur e shpejtë. * Pesha e fluturës sport, vjet. kategori e boksierëve, e ngritësve të peshave dhe e mundësve me peshë trupore nga 47-52 kg
D E M - I: (m. sh.)
•1. Viç dy-tre vjeç; ka i ri dhe i patredhur, që mbahet për ndërzim. Dem i fortë. Dem race (damazi). Demat e ndërzimit. Kokë demi. Ndeshje me dema. I fortë si dem. E ka qafën si të demit.
• 2. Trari më i trashë që vendoset në dyshemenë e një shtëpie. U thye demi. Demi zgjidhet i trashë.
• 3. fig. bised. Djalë i shëndoshë e i fortë. Është bërë dem. * Dem me brirë shih te BRI,~RI. Mori dem lopa shih te MARR 33. E kap (e zë) demin (kaun) për brirësh (nga brirët) shih te BRI,~RI. Demin e shtron zgjedha fj.u. shih te ZGJEDH/Ë,~A.
D A SH: (m. sh.)
•1. Mashkulli i deles. Dash i bardhë (i zi). Dash i egër dash me brirë të përkulur që rron zakonisht në pllajat e maleve të larta. Dash shyt. Dash i tredhur (tredhak). Dash vargër. Dash race. Dashi i këmborës. Mish dashi. Kokë dashi. Brirët e dashit. Zihen si deshtë. Avash, avash bëhet shelegu dash. fj.u. Dashit të rritur nuk i dridhet briri. fj.u.
• 2. kryes. sh. Pjesët e dala prej guri në të dy anët e vatrës. Deshtë e oxhakut. Deshtë e zjarrit.
• 3. hist. Tra i madh me majë prej metali, që përdorej si mjet për të shpuar muret e kështjellave a për të shpërthyer portat e tyre. E goditnin portën me dash. I shembën muret me dash.
• 4. astr. Yjësia e parë e zodiakut.
• 5. fig. Njeri i shëndoshë, i bukur dhe i hijshëm (sidomos për fëmijët). * Dash me flokë shih te FLOK,~U. Dash me këmborë shih te KËMBOR/Ë,~A. Si dashi me këmborë shih te KËMBOR/Ë,~A. Dashi i kurbanit shih te KURBAN,~I. Shkoi si dash kurbani shih te KURBAN, ~I. Si dashi me rrurëzën shumë mirë, në pajtim të plotë. Kërkon shtjerrat e deshve kërkon diçka të pamundur. Mori dash delja shih te MARR 33. Vajti si lëkurë dashi shih te LËKUR/Ë,~A. Dash hidraulik tek. mekanizëm që shërben për ngritjen e ujit.
H U T: ( m. sh.)
•1. zool. Një lloj bufi, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron nëpër pyje dhe këndon natën sikur vajton. Huti me veshë buf me veshë. Zog huti. Kënga e hutit.
• 2. fig. shar. Njeri i trashë nga mendja; njeri i shushatur, matuf. * U bë hut iku me vrap, iku me të katra (për meshkujt). I ka kënduar huti dikujt i shkojnë punët mirë, i ecën fati.
S O R K A DH E: ( f. sh.)
•1. zool. Femra e kaprollit, kaprolle. Sorkadhe mali. E lehtë si sorkadhe. Ngjitet si sorkadhe.
• 2. fig. Vajzë me trup të hajthëm e të derdhur, e lehtë dhe e shkathët
P E T R I T: ( m. sh. zool.)
•1. zool. Shpend grabitqar i ngjashëm me skifterin, me kurrizin të murrmë a të hirtë, me barkun të bardhë e me këmbët të verdha, që ka sqep të kthyer dhe thonj e krahë të fuqishëm; sokol. I shpejtë si petrit.
• 2. fig. Djalë a burrë i ri, trim, i fuqishëm, i shkathët e guximtar. Petritët e nënave. Ishte petrit (petrit me fletë). Ra dëshmor një petrit.
• 3. fig. Përd. mb. sipas kuptimit 2 të emrit. Djem (burra) petritë.
A S T R I T: ( m. sh.)
•1. zool. Gjarpër i madh me ngjyrë të verdhë e shpesh i shkruar me pika, që është shumë i shpejtë e i shkathët. Astrit me pika. Hidhet si astrit.
• 2. fig. Njeri shumë i shkathët, trime sypatrembur.
DELFIN - A: ( m. sh. )
•Gjitar deti i fuqishëm e i shpejtë, me trup të gjatë deri në tre metra, me kurriz të zi e me bark të bardhë, me turi të zgjatur e me dhëmbë të mprehtë, që jeton në tufë e ushqehet me peshk dhe që shpesh u vihet pas anijeve. * Stil delfin sport. shih te STIL,~I
K A N A R I N Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Zog këngëtar sa trumcaku, me trup të bukur e të shkathët, me pupla në ngjyrë të verdhë të hapur, që mbahet në kafaz për zërin e tij të këndshëm.
• 2. fig. përk. Vajzë e hijshme, që ka zë të bukur.
B I B Ë: ( f. sh.)
•1. Zogu i vogël i patës ose i rosës. Bibë pate (rose).
• 2. Pulë deti; zogu i pulës së detit.
• 3. fig. keq. Grua ose vajzë e trashë nga mendja. budallaqe. * I shtypur me këmbë bibash i trashë nga mendja, i shushatur. Bar bibe bot. shih te BAR,~I.
G A L Ë: ( f. sh.)
•1. zool. Stërqokë. Tufë galash. Fluturojnë galat.
•2. Dele e zezë; lopë e zezë.
•3. përd. mb. Që i ka qimet të zeza (për lopën a delen). Dele (lopë) gale.
Veç meje, në gjetjen e këtyre emrave kontribuan edhe Dan Kosumi, Rrahim Sadiku, Halil Xani, Agim Metbala, Fehmi Spahiu, Nexhmi Graca, Rexhep Dedushaj, Sadik Përvetica, Ramiz Selimi, Gjon Rroku, Halit Methasani etj.
Këtë shënim e bëra vetëm nga kurreshtja dhe emrat nuk janë radhitur ne bazë të alfabetit.
Recension nga Bedri TAHIRI
(Sheremet Prokshi, FORTESA E FUNDPRILLIT ’99, Prishtinë, 2015)
Populli ynë përvojëhidhur qysh moti ka thënë: Kush bie në luftë për atdhe, nuk ka vdekur por ka le! Këtë urti më mirë së të tjerët e kuptuan krijuesit. Ata, me vargje e me vepra artistike, i thurën lavde pavdekësisë së atyre që me gjak mbëltuan LIRINË.
Mirëpo, edhe për ata që lartësojnë heroizmin dhe sakrificën e liribërësve ka vlerësime të mira. Me gjakun e dëshmorëve mund të krahasohet vetëm ngjyra e penës së shkrimtarëve që ndriçon shëmbëlltyrën e të rënëve për liri,- shkruan në një urtësi kuanore.
Për në këtë panteon të lakmueshëm ka mësyrë edhe poeti e mësuesi i palodhur Sheremet Prokshi nga Fortesa (Vërbofci) e Drenicës. Ai ka kohë që merret me shkrime poetike, kryesisht për fëmijë e të rinj, por me librin “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”, mbështetur kryesisht në tabanin e atdhetarizmit, ka bërë hapa të sigurt në arritjet e vlerave artistike. Pena e tij, e ngjyrë në gjakun e lirisë, merr forcën e Feniksit dhe na fanitet si një pararojë shpirtërore, duke na shpjerë shtigjeve e labirinteve ku jeta e vdekja rrinin përqafuar...
Të shkruash për dëshmorët është krenari, por edhe përgjegjësi. Ata nuk duan fjalë të mëdha, ngase vetë janë të mëdhenj. Ata nuk duan lëvdata, ngase janë lavdia vetë. Ata duan të vërtetën, duan drejtësinë, duan thjeshtësinë, duan paanësinë. Dhe, kush nderon historinë, krijon ardhmërinë. Këto premisa i pati parasysh edhe krijuesi Sheremet Prokshi kur i vuri vetes atë barrë të rëndë që vendlindjes së tij dhe gjithë atyre dëshmorëve e martirëve të lirisë tu ngre këtë Lapidar pavdekësie me vargjet përkushtuese që burojnë nga gjirmë i shpirtit e nga thellësia e zemrës.
Akceptimi strukturor e përmbajtjesor i veprës “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” synon të rrumbullakësojë një nga dramat e shumta të Drenicës heroike e të Kosovës në përgjithësi, atë të Fortesës, e cila u zhvillua në fundin e muajit prill 1999 e në të cilën ranë për të mos vdekur kurrë 85 veta (14 dëshmorë, 14 fëmijë e 56 të tjerë). Ajo është ngjizur e brumosur me ndjenja të përziera; tragjike e krenare njëherësh.
Libri qëndron mbi një trini shenjtërore, që në fakt mplekset natyrshëm, si gërshetë nimfash, në një tërësi tematike e motivore:
1. “85 martirë dhe dëshmorë”,
2. “A këputën lulet ende pa u rritur” dhe
3. Poezitë kushtuar Ilaz Kodrës, Antigonë Fazliut, Haki Prokshit, Sejdi Krelanit etj.
E para, një poemth përmbledhës për të gjithë të rënët e asaj dite kobtare, hapet me vargjet emblematike, të cilat përmbyllen duke reflektuar vizion të qartë të ripërtëritjes:
Tetëdhjetë e pesë
Martirë e dëshmorë
Me tetëdhjetë e pesë flamuj
Afër meje rrijnë
Flasim bashkë qa
Qajmë hallet me njëri-tjetrin
Arave, lëndinave
Jetën përtërijmë.
E dyta, poema kushtuar të rënëve të lagjes Gllareva të Fortesës, jep një vlerësim sublim për të gjithë ata që ranë për liri:
Lakmi ju kemi
O bijtë e shqipes
Jeni t’pavdekshëm
Gjak arbëror,
Një ideal
Ju rriti shtatin
Lavdi ju qoftë
Martirë, dëshmorë!
Ndërkaq, përkushtimet për dëshmorë e martirë, janë realizime të bukura artistike, me vlera mbi mesataren, që karakterizohen me variacione e gradacione shpërthimesh emocionale...
Kredoja e Sheremet Prokshit dhe vokacioni i tij poetik, padyshim është epizmi heroik, i përshkuar edhe nga lirizmi, që, si fije e hollë mëndafshi, na i gudulisë zemrat kur përflakën e zhuritën nga zjarrmia e përcëllimit të barbarisë. Ai, nuk i përfill fare rregullat e ngurta të kodifikimeve teorike të vargëzimit tradicional. Stili i tij është i lirë, i qartë, i lehtë, i thjeshtë, i kapshëm. Organizimi i lëndës nëpër strofa të larmishme e vargje të lira, me një rimë brendapërbrenda, arrin ta mbajë gjallë kureshtjen e lexuesve për të mësuar për fatin e personazheve e për fundin e ngjarjeve që trajtohen.
Prologu i veprës nis me një fragment nga poema kushtuar Adem Jasharit. Një veprim i qëlluar, ngase Komandanti legjendar, Adem Jashari, përherë do të qëndrojë në ballë të krenarisë sonë kombëtare si një frymëzues i brezave të ardhmërisë.
Fushë-Molla simbol i mirësisë, bujarisë, mikpritjes, strehë e të pastrehëve. Simbol i vuajtjeve, i mjerimit, i sakrificës. Simbol i qëndresës, i besës, i heroizmit. Aty poshtë, tek këmbët e Kalasë dardane, heroi ynë kombëtar-Skënderbeu, kishte lënë gjurmë: patkoin e atit të tij historik. Dhe, mu aty, bulbëruan edhe shumë lulëkuqe lirie, në mesin e tyre edhe komandant Ilaz Kodra e luftëtarët sypatrembur Ajet Prokshi, Antigonë Fazliu, Sejdi Kralani...Aty ngjau një hata, sepse siç shkruan poeti:
Nuk ndalej turri i djajve
Po nuk ndalej
As pushka e trimave çlirimtarë...
.
Libri “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99” është një simbiozë e shkëlqyer, ku rrezatojnë atdhedashuri: vargjet brilante, prozat poetike dhe ilustrimet që flasin shumë. Ky harmonizim e gërshetim ngjyrash ylberore, i ka mundësuar autorit për të na dhënë tablo realiste të një heroizmi e të një tragjizmi kombëtar me përmasa biblike.
Heronjtë e veprës janë prototipa realë që përfaqësojnë të gjitha shtresat e shoqërisë: janë fëmijë të pafajshëm, gra e pleq të mbetur, nxënës përplot ëndrra për ardhmërinë, luftëtarë e komandantë që vdekjen e shikonin drejt në sy e i thoshin plaç! Skalitja dhe portretizimi i tyre, është bërë në mënyrë individuale, e herë- herë edhe kolektive, ashtu siç edhe e patën fatin në aktin e fundit të asaj drame të përgjakshme kombëtare.
Tashmë s’ka dilema: Epoka ademjashariane kurorëzoi synimet tona shekullore, solli Lirinë e Pavarësinë dhe i hapi rrugë ribashkimit tonë kombëtar. Me këto ideale ranë në fushën e nderit të gjithë protagonistët e librit “FORTESA E FUNDPRILLIT ’99”.
Rikujtimi dhe nderimi i dëshmorëve është një obligim moral, kombëtar e atdhetar. Të gjitha këto, ka mëtuar dhe i ka përmbushur autori Sheremet Prokshi dhe, besoj do të ndjehet më i lehtësuar, andaj edhe e përgëzoj dhe i uroj suksese e prurje të reja artistike.
Galicë, 24 tetor 2015
Rrëfime polivalente të një niveli tejet të arrirë ideo-estetik
Shkruan: Hasan Bunjaku
- Muhamet Halili: “Djersa e Gurit”, Përmbledhje tregimesh, Shtëpia botuese “Beqir Musliu”, dhjetor 2015
Muhamet Halili, i cili tashmë i është i njohur dashamirësve të prozës së shkurtë, që me postime të herëpashershme në rrjetet sociale, sikundër edhe me Përmbledhjen e parë “Fundi i heshtjes”, edituar nga Ars Klubi “Beqir Musliu”, në fundvitin 2014, ja, si një sihariq, nga i njëjti botues tashmë serioz, na vjen edhe me përmbledhjen e re “Djersa e gurit”, me të cilën, tashti, me një akribi edhe më të spikatur, me motive e preokupime kaq të larmishme tematike, na sjell edhe 22 tregime, rrëfime këtonpolivalente të një niveli tejet të arrirë ideo-estetik, të ndara në tri përmbajtje ciklike, rrëfime këto me të cilat, autori shpërfaq një gamë të gjerë të çështjeve dhe problematikave, pak a shumë, të përditshmërisë sonë me të gjitha nuancimet polivalente të jetës në kohën dhe hapësirën aktuale, përplot katrahura e travaje, nëpër të cilat po kalon njeriu ynë sot e këtu.
Me një stil tejet të kapshëm, sa për shijen, të thuash, të cilitdo recipient shtresash: që më nga mesatarët të lexuesve të rëndomtë (të cilëve, zaten, në radhë të parë, edhe u dedikohet kryesisht çdo vepër letrare), po kaq edhe për shijen më të stërholluar të njohësve të kësaj problematike, pa “make up”; rrëfime rrënqethëse të një niveli mjaft të lartë ideo-estetik; me një gamë çështjesh tematike-motivuese tejet të gjerë, që nga ato të natyrës sociale, siç janë tetë tregimet e Ciklit të parë, në disa nga to, mbretëron një atmosferë ngjethëse e stilit dhe kohës migjeniane: me veprimin e një finalizimi tragjik të një gruaje, ndaj të cilës i shoqi pareshtur ushtron dhunë (“Tehu i sëpatës”); ngjarja rrëqethëse deri në rezignatë të thellë të një nëne dhe vogëlushes së saj, që për shkak të varfërisë së skajshme, mjaftohen vetëm me të shikuarit e përditshëm nga dritarja e dyqanit, në vitrinën e së cilës, gjendet një kukull, që i është bërë fiksim, por që nuk kanë mundësi ta blejnë (“Kokashta”); për të vijuar tek babai, i cili, për t’ia blerë çantën e librave shkollore të birit, i duhet të punojë një ditë të tërë duke formësuar gurë me mundin dhe djersën që i rrjedh çurg (“Djersa e Gurit”, prej nga e merr edhe titullin i tërë vëllimi i tregimeve);
Tregim tjetër vërtetë ngjethës është edhe ai i radhës (“I njëzetetreti”), ditë kjo kur ka fonde, rëndomë jipen ato pensione kaq të mjera, dhe Gjyshja, që duke pritur në radhën në vapën kërcëlluese të gushtit, për t’i marrë ato pak metelikë e që ta gëzojë me ndonjë dhuratë nipin e saj që po atë ditë e kishte ditëlindjen, jep shpirt mes turmës së njerëzve hallexhinj; Një femreje të cilës natyra ia kishte falë një bukuri të rrallë e veçmas ca gjinj kaq joshës, që në vend se t’i ketë si përparësi në aspektet estetike-sensuale e njerëzore, në fakt i bëhen një mallkim, sepse e vë moralin e saj në sprovë për t’u punësuar për mbijetesë (“Gjoksi i mallkuar”), për të vazhduar në këtë Cikël me tregimin “Për faj të një reklame”, në të cilin, intelektuali i sprovuar, e që, në cilësinë e gjoja “tepricës së kuadrove”, që kaherë sistemet diskriminuese e përdorin si term të gabuar fare - “tepricë teknologjike”, madje edhe në sferat e veprimtarive shoqërore, ku edhe s’ka teknologji, pra, ishte në listën e atyre që do ta humbisnin vendin e punës, dhe të një Firme private, e cila, bënë një burbujë reklame se do t’i ndihmojë të tillët, gjë këtë që ai s’e “gëlltit” dot, dhe bën vetëvrasje; ndërkaq që në tregimin e radhës “Mos e le postierin t’i bijë ziles në ditëlindjen time”, fëmija që në çdo ditëlindje të tij, e pret babain që t’i vijë vetë, por që gjithherë, në vend të tij, zilës, që ky e pret të jetë e babait të tij, është e postierit që i sjellë një urim-kartëpostale, që kjo që e bën kaq të pikëlluar atë sa do ta merr inat postierin, për ta përmbyllur këtë cikël me një zakon tonin të kahershëm të pritjes për kryeshëndosh, ngushëllime (“E pamja”), për të dëshmuar me fakte se kjo traditë, edhe tek ne do ndryshuar, siç veprohet, zatën kaherë në disa rajone të Rrafshit të Dukagjinit;
Ciklin i tregimeve me preokupim ideo-tematik të dashurisë (kryesisht të parealizuar), të cilat karakterizohen me një lirizëm të hollë të një niveli kaq të kënaqshëm ideo-estetik, në shtatë rrëfime, në të cilat ve në spikamë: voajerizmin në një vendbanim piktoresk rural, në breglumin bilur të të cilit, një vashë e bëshme moderne, me bikini, vapën kërcëlluese të korrik-gushtit, sikundër edhe flakën e brendshme ndjesore, e mposhtë me stërkalat që me dorë ia hedh atij trupi gjysmënude, ndërkaq që të rinjtë, të përndezur, fshehurazi, si spektatorë klandestinë, që nga prapa e në shkurrishtet përskaj, e shuajnë kërshërinë e tyre. (“Mëkatarët”); dashuria, pak a shumë platonike, në një kohë lufte në Lindjen e Mesme, që aksidentalisht përmbyllet tragjikisht (“Vajza siriane”), i cili, për nga gjitha elementet ideo-estetike, padyshim paraqet njërin ndër tregimet kulmore të Përmbledhjes; simpatia ndaj një vajze flautiste, e pashpallur nga djaloshi pak a shumën i ngurtë e i turpshëm, nga hezitimi që dashurinë të cilën e kultivon ndaj saj t’ia bëjë me dije, e humbë atë fare (“Flautistja dhe fylli”); sikundër edhe që tentativa e pasuksesshme e lindjes së një dashurie të re midis djalit kosovar dhe gocës sarandjote, e cila ngel vetëm si një kujtim i pashuar për këtë të parin (“Vajza e kullave të rërës”); Situatat halucinante të djalit me temperaturë të lartë e në ankthin rrëqethës të etheve dhe kllapisë, në formë pak a shumë të një ëndrre të një “romance idilike” derisa trajtohet nga personeli mjekësor në klinikën gjegjëse në spital (“Zjarrmia”); rrëfim i një ngjarje dublete komparative në një periudhë kohore në mes të “marifeteve” të dashurisë dikur, dhe atyre aktuale, dhe malli e nostalgjia për atë të vjetrën (“I përmalluar për klasikën”). Në tregimin përmbyllës të këtij cikli “Puthja skenike”, autori, me një njohuri tejet të lakmueshme të procesit të inskenimit të një teksti dramaturgjik sipas “dorëshkrimit” të konceptit regjisorial, dhe situatës së dhënë, e hyrja deri në detaje në punën me aktorët, në mënyrë që projekti i Perëndeshës Talia, ti del sa më bindës, që këtu kemi të bëjmë me një sekuencë të një puthjeje teatrore të kryepersonazheve gjegjës, me të cilin si është më së miri i ve “kapakun” tërë ciklit.
Në shtatë rrëfimet tjera të Ciklit të tretë, me të cilat shënjestrohen e stigmatizohen thuaja shumica e të metave, matrapazllëqeve, hajnia, sjellja burokratike dhe autokratike e lidershipit kosovar, zhvatja, korrupsioni, dhe e të ligave të tjera, të cilat, në këto gjashtëmbëdhjetë vitet e fundit, nuk po na lejojnë që të haprojmë si shtet shumë më shpejtë në të gjitha sferat dhe hallkat tona ekonomiko-shoqërore – tregimtari, përtej publicistikës artistike, merret kryesisht me hallet e njeriut tonë të të gjitha shtresave e statuseve shoqërore. Në tregimin “Dashnorja e Presidentit”, pasqyrohet i tërë arsenali abuzues i një Presidenti ndaj metresës së tij, deri në momentin kur ai, kur e nuhatë se do ta humb postin nga smira, e vret atë që për “post” ka të dashurën e Presidentit, cilido qoftë ai, ndërkaq që në atë “Thirrje për ndalesë të sportit “Not në ujë të pistë”, me një do të thoja, pledoaje, sikur, në mënyrë, thuaja transparente fare, s’e ka për gjë që të bëjë apel për zbutjen dhe eliminimin fare të të gjitha veprimeve të pista në çdo pore të jetës sonë shtetërore-shoqërore. Në tregimin tjetër “Soliteri”, autori ve në spikamë dhe i fshikullon të gjitha pisllëqet që mund dhe ndodhin në fakt, mungesa e kulturës elementare të të banuarit e të banuesve, deri vonë në të vetmin rrokaqiell që e kishte Gjilani, me të cilin madje na venin në bisht të lahutës qytetarët tjerë kosovarë, sepse kushdo që kapardisej e rrahagjoksej, iu drejtonin me thënien: “Hajt, more - çka po “fryhesh” si Soliteri i Gjilanit...?!”, ndërsa në tregimin “Kafeja e mëngjesit”, autori ve në spikamë një ekzemplar tipik të atyre që notojnë në të turbulltë, një dallkauk, që pret të kandidohet e të votohet madje edhe për të tretën herë në Parlament, pokaq sa e ve në pah korrupsionin dhe zinxhirin e tij magjik, që në fakt na solli në një kësi situate, “të na shkojë mundi përfundi”, siç do ta thoshte populli në rrëfimin me titull kaq indikativ “Zarfi”, kurse, në “trininë” - “Miza, Kosovarja dhe Kravata”, Muhameti sikur e gjen një lidhje të përbashkët të jetës në provincë, midis mizës së mërzitshme, një fqinjeje që e simpatizon një djalosh, por që ajo nuk dënjon për të, si dhe kandidatëve për t’u zgjedhur për këshilltarë apo edhe deputetë, të cilët premtojnë “Qumësht e mjalt”, e sapo kryhen zgjedhjet për katër vite nuk ua sheh kush sytë.
Ky cikël, por edhe i tërë libri, përmbyllet me një rrëfim kaq sinjifikativ, kur babai që lëngon në shtratin e vdekjes, ndonëse që të gjithë kaq përkujdesen për te, andaj, edhe kërkojnë thuaja me ngulm nga ai që t’iua le, një testament, një fjalë të fundit të jetës së tij goxha të shtyrë, por që këtë në grahmat e fundit, në vesh ia thotë njërit nga djemëve gurbetçarë, pikërisht në momentet kur njëri po jepte shpirt e tjetri me valixhe gati, po ikte jashtë shtetit, dhe enigma që ngel si kërshëria e anëtarëve të tjerë mbërrinë kulminacionin për ta ditur atë Amanet të fundit të kryeshtëpiakut.
Muhamet Halili, në tregimet e tij, nuk ka për preokupim tema të mëdha, as personazhe grandioze, por pikërisht bashkëqytetarin, dhe karakteristikat tipike të tyre; të njerëzve të rëndomtë, të thuash, pa ndonjë biografi të madhe; me një gjuhë të rrjedhshme, duke ndjekur stilin e të rrëfimit fabulativ pakashumë tradicional, por që, në fakt, ka një sens të posaçëm të një një mëvetësie dhe origjinaliteti të veçantë; me gjetje shumë të bukura shtrirjesh kompozicionale dhe zgjidhjesh të bukura finalizuese; duke i ikur, me goxha shkathtësi, vajeve e kujës, edhe në subjektet tejet dramatike, tragjike, të dhembshme e tejet melankolike, si në tregimet: “Kokashta”, “I njëzetetreshi”, “Djersa e Gurit”, “Fjala e fundit” e të ndonjë tjetre, si në rastin: “...E, një loke trupshkurtër, thatanike dhe paksa e kërrusur, që dukej se pritja me orë të tëra, në një mot të tillë, e kishte mposhtur, ishte ulur galuc mes turmës. Me bërryla në gjunjë, e me duar që kishin përthekuar kokën, mundohej t’i jepte vetes gajret. Herë-herë, nxirrte një leckë nga xhepi e i fshinte djersët, derisa nga xhepi tjetër nxirrte një shishe xhami ‘coca cola’, të mbushur me ujë, për të çuar ndonjë gllënjkë, sa për të mos ju tharë fyti! ( ... ) Për një çast, masa u trazua! Nuk kishte të bënte me respektim radhësh, apo ndonjë pakënaqësi në raport me bankën. Dikush ishte alivanosur. U dëgjuan thirrjet për ndihmë. Dikush kërkoi sa më shumë hapësirë për të alivanosurën, e dikush lypi edhe ujë për ta këndellë atë. Ishte kjo lokja thatanike, që nuk qëndronte më galuc! Kishte rënë përtokë. Shihej se ishte plakë e pastër, një zonjë e kujdesshme, pasi edhe pozitën e trupit, në tokën e pluhurosur, e kishte në atë mënyrë sikur kur shtrihej kujdesshëm në shtrat, pa dashtë të rrudhoste jorganin, mbulesën a jastëkun! Tanimë, në mesin e turmës u panë edhe të tjerë që nuk ishin pensionistë, në përpjekje për të ndihmuar, e dikush e ndali edhe një veturë civile, e cila e mori loken për t’u nisur me të shpejtë në drejtim të emergjencës. Radha para bankës u krijua sërish. Përveç që pritnin lejen e rojës për të hyrë brenda, nga dy e tre, pritnin edhe ndonjë lajm nga spitali. Sakaq, njëri nga ata që kishte shkuar me loken në emergjencë erdhi sërish para bankës. Porsa e panë, të gjithë përmes shikimit sikur shprehën interesimin për të mësuar për gjendjen e saj, pa pas nevojë t’ia parashtronin pyetjen. Edhe përgjigjja u erdhi me mimikë. Fatkeqësisht mohimi përmes kokës, e pastaj edhe ulja e shikimit përdhe, ishin tregues të qartë se lokja nuk ia doli! E, nga goja e atij që kishte qenë me të, dolën si puhizë e lehtë fjalët: “Lokja foli pak. Krejt çfarë tha ishin fjalët se i duhej ai dreq pensioni, pasi nipi i saj e kishte datëlindjen sot!”. Shumica u mallëngjyen! Dikujt i piku dhe loti, pavarësisht se nuk njiheshin me loken. Tërë kjo vapë paralajmëronte se edhe qielli do të pikonte lot! Pasdite mund të pritej shi. Natyrisht, një shi veror, që pastaj për pak kohë, nuk do të merrej fare vesh që kishte rënë. Jeta rutinë do të vazhdonte tutje, e i njëzetetreti i muajit të ardhshëm do të vinte edhe pa loken!...” (Tregimi “I njëzetetreshi”).
E këso momentesh e sekuencash, madje edhe tregime të tëra të plota, ka kaq shumë në këtë Përmbledhje të Halilit, e që lexohen me një frymë e që të lenë një shije kaq të mirë, këto të librit “Djersa e Gurit”.
Autori, pos në një rast, në fakt, i pasqyron gjërat e fenomenet dhe i portretizon personazhet kaq besnikërisht, por pa u futur më thellë në “investigimin” dhe eventualisht, ofrim direkt të zgjidhjeve të duhura të tyre, duke mbajtur kështu një qëndrim pak a shumë të vrojtuesit e sogjetarit duke i piketuar ato, gjë këtë që ua len vetë recipientëve, apo edhe atyre që “kanë veshë për tupan”, që, vet të nxjerrin porosinë e mesazhin e tyre. Duke e pasur për profesion gazetarinë, ai i ve në spikamë çdo gjë që i kap syri e lapsi, dhe, ndonëse ndonjëherë vjen deri në zgrip, narracioni nuk bie në honin e reportazhit, duke i ikur me mjeshtri ndikimit të këtij “deformimi profesional”.
Halili, siç u tha, përdorë një gjuhë pa shumë stilema e filozofema, por kaq të afërt me lexuesin, duke mos u ikur leksemave, tog-fjalëve e frazeologjive thjesht vendore e gege, në shikim të parë, duke i lënë me qëllim kështu rrëfimet e papërmbyllura, për t’ia mundësuar e lejuar kështu imagjinatës së vetë lexuesit që t’ përmbyllë ato, ndonëse në të shumtën e rasteve, tashmë ato, si të tilla, goxha lehtë edhe nënkuptohen, si në rastin: “...Por, burri refuzues vazhdonte të kërkonte llogari se çfarë donte gruaja e tij prapa shtëpisë në dy pas mesnate. Ai vazhdonte me të tijen. Nuk ndalej as kënga e pakuptimtë, me tingujt neveritës, që herë pas here ndërpritej nga gogësimat kutërbuese që dilnin nga goja e burrit “qykë”.
Pas pak, gruaja hoqi dorë krejtësisht nga lutjet që të futeshin brenda. Shikoi edhe njëherë kah qielli. Por, këtë herë vështrimi i saj dalloi nga ai i mëparshmi. E, në drejtim të qiellit, tani u ngrit edhe tehu i sëpatës, ashtu xixëllimë e i cokatur mirë siç ishte. Por, vetëm për pak e zuri hënën, pasi menjëherë u lëshua vrullshëm teposhtë. Qetësia pushtoi hapësirën prapa shtëpisë. U ndalën madje edhe fërfëllimat e erës, dhe as qeni më nuk lehu.” (Tregimi “Tehu i sëpatës” ). Sepse, tregimtari, recipientin nuk e do vetëm si shijues pasiv, por si subjekt aktiv, si personazh apo edhe si “autor” të vetë rrëfimeve në këtë vepër që i bën nder autorit, editorit, lexuesit e edhe tregimit të shkurtë, si një zhanër akoma mjaft deficitar në letërsinë tonë.
Muhamet Halilin e përgëzojmë dhe i dëshirojmë suksese të mëtejshme, mbase edhe me zhanre edhe të tjera prozaike; veprës jetë sa më të gjatë në duart e recipientit, të cilin, që tash e garantoj se nuk do të pendohet nëse do ta lexojë me vëmendje Përmbledhjen e tregimeve “Djersa e Gurit”.
Tregim nga Arif Molliqi
Rrjedhën e jetës së tyre nuk mundi ta ndali asgjë. As kur aq herë kishin pyetur: në ç´provë të vështirë paskemi ra? Dhe vazhduan të ecnin në heshtje nëpër atë grykën që formohej nga dy brigjet e një lumi të lazdruar që ma shumë ngjante si një përrua. Në shtratin e tij dukeshin gurët që ishin rrokullisur nga bjeshka, gurët e të gjitha ngjyrave, të renditur si eshtrat e brinjëve të krijesave të vdekura shumë kohë më parë.
“Të pushojmë këtu”, i tha Dashi, dhe pa pritur përgjigjen, u ulë. Dy tjerët e shikuan më një mëdyshje të dyshimtë, pastaj u ulën. Bënte freskët dhe prej grykës pa hënë vinte një frymë e ftohtë. Gjithsecili kishte zënë një guri, ishin mbështetur thua se po i mbanin të mos rrokulliseshin, dhe vetëm një guri ishte pa njeri. Aty kishin mbështetur mauzerin.
Katër burra me një mauzerë.
“Po, a nuk ka këmbësore tjetër pos kësaj?”, pyeti përsëri Dashi. “Prapë do të kalojmë nëpër këtë hyrje të zymtë shkëmbore, të ecim nëpër këtë përrua të ftohtë, duhet të ngjitemi në errësirën e kësaj gryke të llomitur?!... Shteg i tmerrshëm ky. A nuk ishte një mijë herë më i bukur vendi që lamë ?” Ai ua kishte hapur zemrën i dëshpëruar. I dëshpëruar se n´atë natë mos e humbte edhe varrin që e kishte menduar aq herë aty diku afër babait. Se mos gruas i prishej mendja dhe merr kojshin, se mos do t´i shtynte ditët dhe netët pa ia dëgjua më zërin saj, pa i marrë erë kurmit dhe aromës së saj...
“Jo, unë doja të rrija aty ku isha. Në fakt, mos ma merrni për të keq, por, që të mund të ketë njeriu një shok të vërtetë, duhet ta kishe ngrenë një thes krip. Unë aq krip kam ngrenë me ju, andaj, nuk kam dëshirë që as sonte ta krijoja heroin.” foli Dema që kishte ngritur kokën dhe shikonte gryken ku nuk dukej qielli. Në ato çaste të gjithë kishin filluar ta ndjenin të ftohtit dhe mendonin se nuk ishte e mundur të kalonin natën aty. As ata vetë nuk e kishin menduar se egërsira e natës do të shkonte aq larg. Asnjëri nuk e mblidhte trurin të thoshte se gjithçka i përngjante natës se dimrit ku bora arrin trashësinë mbi një metër, dhe kur era e fortë i shkoq lisat më rrënjë.
“Po ju me gjithë mend e thoni ketë?” - u tha Ademi dhe i dha shenjë Isakut që të vazhdonin udhëtimin. Sa e tha këtë, Isaku u ngrit në këmbë dhe në çast u zgjat me tërë gjatësinë e vet duke i shikuar dy të tjerët që akoma rrinin ulur. Nuk ishte përbuzje e as simpati shikimi i tij i zgjatur, me plotë ashpërsi. Nuk u tha asgjë përveç shikimit, asgjë përveç hamendjes për atë që thanë pak më parë. Sikur deshi t´u thoshte: “Ju njoh. E di që keni frikë të vazhdojmë edhe një hap të vetëm. E di si ndjeheni. Në asnjë mënyrë nuk mund ta heq nga mendja kryelartësinë e juaj të djeshme e të pardjeshme dhe frikën e kësaj nate.”
Me këto mendime u nisen drejt grykës së errët pa i parë as këmbët e tyre nga errësirë e zezë. Edhe Ademi e urrente natën të cilës në asnjë çast nuk ia kishte besën. Mbi të gjitha, ia kishte frikë edhe nga qetësia dhe hamendësim i tyre. Kishte frikë edhe kur për çdo gjë të tij ata pajtoheshin, i jepnin të drejtë, gjë që nuk i pëlqente. Kishte dëshirë që ai të shkonte pas hapave të tyre.
Kishin kaluar një copë rrugë, ishin gati të kalonim përroin duke shkelur mbi gurë dhe ishin mu në pikën ku do të zhdukej nga shikimet e tyre gryka, Dashi përsëri bërtiti:
“Ndaluni! Unë nuk mund ta bëj këtë, nuk jam gati”.
Thirrja e tij aq e papritur për t´u ndalur, përveç që tregonte se ndjente lodhje, tregonte edhe për një frikë të pa thënë. Në këtë çast nervozizmi i Ademit do ta shprishte qetësinë duke u egërsuar sikur Isaku të mos ndërhynte. Ai e ndaloi, mjaftoj vetëm shikimi për ta qetësuar nervozizmin e tij të tmerrshëm, me dijen dhe parandjenjën e padurueshme qe ja kishte tërhequr vërejtjen më herët se duhej të ishte i kujdesshëm. Duhet ta kishim kuptuar çdo gjë më herët.
“Mos keni dëshirë të ktheheni?” pyeti Isaku, dhe nuk e kishte përfunduar fjalën e fundit kur në mendjen e Dashit trokiti përgjigjja plot mllef, që të bërtiste po, se duhej të thoshte po. Dhe, njëkohësisht, sikur ua lexonte mendjen të tjerëve, derisa njëri prej atyre donte ti thotë: “Thuaj po, thuaj po!” dhe pas kësaj ju parafytyrua vetja i lidhur me një gjyle prangash në këmbe. Zëri që i vinte si jehonë mundohej ta mashtronte duke e lutur të thoshte edhe ky “po”, edhe pse e dinte shumë mirë se ketë nuk mund ta bënte. Mirëpo gjithë ketë llahtari mes ëndrrës dhe realitetit ia ndërpreu Isaku, i cili me dorën e zgjatur, ua bëri më dorë të ecnin pas tij.
Mes asaj lugine ku bora e bardhë dhe hëna që posa doli, i paraqiste si në shuplakë të dorës, të gjithë, krejt pa dashur i kthyen kokat edhe njëherë nga ato vise të dashura. Ajo që panë nga prapa ishte më e dhembshmja nga ç’kishin mundur të shihnin. Një pamje e pafund që dukej e zbehta dhe me një bardhësi të dobësuar nga bora, me ato ngjyrat falëse të natës që u përziheshin në pamjet që kishin përpara. Hijet që ecnin krahas tyre kishin një të zezë të ndryshkur me një magji të frikshëm të natës. Këtë degradim të natës më hënë që dikur kishte qenë e dashur dhe e këndshme për ta, tani po u shfaqej e shtrydhur brenda shpirtit, diçka që e falsifikonte fshehurazi ngjyrat e bjeshkës!
2.
Përsëri rruga kalonte përroit. Gurët ishin shumë të rrëshqitshëm. Ishte e lodhshme dhe marramendëse të ecje nëpër ata gurë natën. Në të njëjtën kohë shtegu i përroit filloi të thepisej dhe muret e shkëmbinjve të errët nisën t’i afroheshin njëri tjetrit, fryheshin dhe secili prej skajeve shfaqte një tentim keqdashës për t’u shembur pas shpine, për ti ndarë përjetë nga bota. Mbi shkëmbinjtë e verdhë të mbuluar me myshk rridhte një litar uji.
Ata po ecnin pas Isakut dhe shpesh më sytë e mbyllur nga frika e rrëshqitjes. Prijësi i kolonës po ecte edhe më shpejtë dhe çdonjëri ndiente se po të qëndronin një çast prapa, nata bashkë më përroin do ta përpinte. Të gjithë zvarriteshin të lagur, derisa muret e shkëmbinjve i afroheshin njëri-tjetrit mbi ta. Vetëm Dashi, çuditërisht më një zë që mezi e dëgjonte edhe vet, filloi të këndonte një këngë të vjetër që aq pak e kishte kënduar gjerë atë natë. Ishte këngë ngushëllimi. Me zërin e tij të frikësuar sikur mundohej ti jap vetes forcë. Ndoshta donte t´iu jepte edhe të tjerëve zemër, t´ua kthente mendimet andej nga akoma s´ishte vonë. Të hiqni dorë nga kjo rrugë e pashpresë. Ai kishte pritur që edhe Dema t’i bashkëngjitej këngës së tij. Por ai s´ishte i disponuar për të kënduar. E ky, s’pushonte të këndonte. Derisa ai nuk i ndihmonte në këngë, më siguri po ngatërrohej me mendimin, se në atë çast kënga do të kishte vetëm një kuptim: nesër s´do të kthehem në shtëpi. S´do të kthehemi mbrapa! Ishte e pamundur të mos e vrisje mendjen për atë që kishte lënë pas.
Por gjithçka ishte vonë. Isaku lajmëroj se po i kapërcenin hapat e fundit të përroit, pas të cilit nuk kishte më kthim. Lotët u shfaqen në faqet e gjithsecilit. Pas kaq kohe kishin marrë guximin të qanin. Shikuan njëri tjetrin, dhe të gjithë shpërfillshëm më një zë që humbiste diku përroit kënduan. “Kur ta ndiejmë zanin tand/ dek me kon qohna në kamb... ” Tani ngjitja ishte më e lehtë, nuk ndiheshin të detyruar të shkonit pas Isakut, e nga lodhja sikur nuk mbeti asnjë gjurmë. Gjithnjë e më shumë po hapej qielli i kaltër mbi borën e bardhë kur Isaku u tha:
“Kaluam përtej...Nuk ka ma ndjekje... Do ti biem asaj lugine, mes atyre dy kodrave, malit, përroit derisa të takojmë dike.” Dhe priste që të gjithë ta përqafonin vullnetin e tij më fuqishëm e më thekshëm, derisa shikonin atë rrugën imagjinare që ua tregoj.
Qielli vazhdoi të hapej e shtegu të shfaqej asaj ngushticë të gjata.
“Gjithçka e njëjte; bora, përroi, nata, rruga, ngushticat e bjeshkës... Andej borë, e këndej dimër.” tha Dashi.
Askush nuk foli.
Jo larg, më poshtë majës, ata dolën nga pylli ku reflektimi i diellit mbi borën ua mbylli sytë, dhe kur i hapen prapë, e panë veten tek qëndronin të lirë në shpatin e zbardhur, me një hapësirë të pafund dhe mbi kokë po u rrinte bjeshka e kërrusur. Dielli dhe qielli ishin prapë aty, kur ndaluan në anën e epërme të një katundi. Po qëndronin mbi një kodër si figura që ngjanin në njerëz të zbritur nga një botë tjetër.
Ishte një katund i çuditshëm. Dukej si një peizazh i përrallave, por s´po duroheshin deri sa të takonin dike. Ishte vështirë t’i qëndroje atij shikimi, vështirë ishte ta dëgjoje se si u vërsulen qentë, dhe, mbi të gjitha, ishte e frikshme qëndrimi aty. Të vdisje ishte lumturi e pabesueshme, të rrije aty, mes atyre qenve dhe tytave të pushkëve që ua kishin drejtuar, ishte dhimbje e paemër. Diçka duhej të ndodhte tash, menjëherë; ndryshe, ata dhe bota që po i rrethonte do të ngurtësohej nga lemeria e kafshimit të qenve. Po ndjenin tek vdekja po drithëronte në trupin dhe shpirtin e tyre si zjarrmi. Por burrat me pushkë që i vështronin me kureshtje pamjen e tyre, i ndaluan qentë. Derisa ata i pyesnin, në i kishin parë diku rojet e kufirit, gratë i largonin fëmijët që po afroheshin.
Pasi ua morën mauzerin, i shpunë përpara prijësit të katundit.
Ishte fillimi i rrëfimit të historisë se atij udhëtimi në natën e vështirë të dimrit me dy shok borë...
Lexim letrar nga Arif Molliqi
- Drita Fejza, “Triumf dashurie”, roman, botoi, SHB “Beqir Musliu”, Prishtinë, 2015.
Tema e dashurisë brenda dhe jashtë tragjedisë familjare dhe kolektive, përballja e femrës më frikën nga humbja e virgjërisë dhe triumfi ndaj të gjitha atyre që e rrethojnë e ka provokuar si shkrimtare Drita Fejzën qe brenda një pylli të pafund të ngjarjeve, dramave e tragjedive të ndryshme të shkruaj romanin “Triumf dashurie”. Mbi këto tri shtylla kryesore: dashurinë, tragjedinë dhe triumfin, është i ndërtuar gjithë rrëfimin romanes.
Autorja është e frymëzuar nga ngjarje reale, pse jo, të ndodhura në Kosovën e pasluftës dhe në mentalitetin shqiptar. Kjo jetë e ka formësuar realitetin artistik duke aplikuar realisten dhe modernen në një integrim mjeshtëror ku ato shkrihen në njëra-tjetrën. Romani sjell trajtimin e temës për dy botë të ndryshme që gërshetohen edhe me tema të tjera e sidomos nga realiteti i sotëm. Ajo që pëlqehet është se autorja ka realizuar integrimin e temave në funksion të njëra-tjetrës ku përparësi i jepet dashurisë në kuptimin universal, ndërsa linjat e tjera janë vizatime episodike të shkrira në temën kryesore.
Subjekti i romanit “Triumf dashurie”, është realist dhe i kapshëm për çdo lexues. Një mërgimtar (kyrbetçar) kthehet në Atdhe në Kosovë bashkë me gruan e tij dhe vajzën Ana, shkrimtare, pasi ka përfundua lufta. Kthimi është i dhimbshëm pasi aty ka ndodhur një tragjedi familjare, babait të Anës ia kanë vrarë shtatë anëtarë të familjes, e pas kësaj ata vazhdojnë ta jetojnë jetën.
Rrëfimtari që është vetë autorja, e fillon përshkrimin më kthimin në vendlindje dhe njohja e saj me realitetin ekzistues. Pastaj, gjatë kërkimeve të saja ajo njoftohet me Sajmin, punëtorë i një enti social, që më vonë kuptohet se ai ishte një fëmijë i lindur dhe i rritur brenda një kohe tragjike. Afria e Anës dhe Sajmirit e lind dashurinë mes tyre, një dashuri që i përball me plotë sakrifica dhe përplasje. Ana në vendlindjen e saj shoqërohet ose njoftohet edhe me të tjerë si me Kozetën, Baxhiun, Ylljetin, Lumjen, Qëndrimin, Emën, djemtë e axhës Nel: Beratin, Burimin. Pastaj me axhën Sokol që kthehet nga Australia me fëmijët Sarën dhe Benin. Në jetën e Anës janë edhe Vali, Astriti, Elka e tjerë.
Ky realitet artistik, kjo jetë e Anës krejt ndryshe nga ajo që e kishte kaluar në Berlin, në roman ka një reflektim të realitetit jetësor, dhe është i pasur me tema me personazhe reale. Dhe si i tillë rrëfimi është formësuar si një poemë prozaike, e strukturuar pa ndonjë rregull të domosdoshme. Ngjarjet, situatat, rrethanat, konfliktet dhe dramat e personazheve në raport me veten dhe me njeri-tjetrin janë sa të veçanta aq dramatike dhe enigmatike. Autori ka depërtuar në botën psikologjike të personazheve duke u munduar të futet në shpirtin e tyre psikofizik.
Personazhet si elemente që e vënë në lëvizje jetën e romanit, janë integruar dhe harmonizuar sipas vizionit të autores, peshës së ideve dhe logjikës artistike, çka na jep me kuptua se Drita është një prozatore që premton. Kjo padyshim kuptohet si të përshkrimi artistik i ngjarjeve që e përshkojnë romanin në bashkëveprim me mjete të tjera si: dialogu, monologu i brendshëm i aplikuar me sukses pothuajse në të gjitha ngjarjet, situatat enigmatike në rrethanat e caktuara e tjera. Te personazhet në përgjithësi, mbizotëron ana dramatike dhe ndjenja e tyre e fuqishme me plot emocione, por brenda kornizave të rrëfimi racional. Gjithsesi mendojmë se portretet psikofizike të personazheve, pa teprime anë të realizuara.
Autorja ka arritur të zbulojë dhe japë artistikisht atë të veçantën e femrës, emocionin dhe kuptimin e virgjërisë. Del në mbrojtje të ashpër të femrës që pa fajin e saj është dhunuar dhe poshtëruar. Te kjo temë, duke filluar që nga dhunimi si shprehje e thelbit të karakterit interpretues, e gjer te mënyra si flasim dhe i perceptojmë femrat e tilla, autorja e akuzon shoqërinë tonë që nuk del në mbrojtje të këtyre viktimave.
Atmosfera intriguese dhe shtyse që më padurim ti zbulosh ngjarjet që i ndodhin Anës dhe Sajmirit, por edhe të tjerëve, është e pranishme në tërë romanin. Mirëpo pas çdo episodi në roman, në ndërgjegjen tonë trokasin pikëpyetjet: pse tek ne ndodhin gjëra të tilla? Lufta mes të resë me të vjetrën që vazhdon të zhvillohet, sikur na torturon. Janë marrëdhëniet e botëkuptimit trashëgimore në linjën e vajzës-djalë. Është dhimbja e nënës që braktis fëmijën, jo me fajin e saj, është frika që ti dhurosh “dashuri” të dashurit nga se e humb diçka të shenjtë, atë që quhet – virgjëri.
Këto kontradikta të shoqërisë sonë, në roman janë përshkruar artistikisht mirë, dhe si të tilla edhe pse dramatike janë mjaft realiste.
Dhe në fund mund të themi se autorja në luftën ekzistenciale për të mbijetuar në situata dhe kushte të vështira, mes gërmadhave të një paslufte, mes plagëve ende të pa shëruara të luftës, mes tragjedive familjare qoftë të vrasjeve, dhunimeve të nënave, motrave dhe grave tona, gjen një mjet që ti kapërcej këto goditje të rënda. Mjeti i kuptimit të jetës për ti mundur të gjitha këto, duke bërë edhe të pamundshmen të mundshme në çdo situatë a rrethanë është dashuria. Ajo triumfon. Dashuria për të jetua dhe dashuria si mesazh që mos të braktisim as vendlindjen.
Si përfundim mund të themi se romani “Triumf dashurie” e Drita Fejzës, është një roman me vlera artistike, estetike. Është roman provokues në tema, në mendime dhe në zgjedhjet që i gjen për ta zbërthye të panjohurën.
E PA EMËR...
I dehur në pikë të ditës
Nuk e gjeja dot emrin e rrugës time
Tabelen e kishin marrë në rishqyrtim
Të nesërmen shkova ta kuptoj meselenë
Emrin e rrugës duhet ndërruar thanë
Ata që shfletonin regjistrin e emrave
Tundnin kokat, nga mosnjohja e emrit
Kush mund të jetë ky njeri
E njehni ju më thanë ekspertat
Jo, unë nuk e njoh
Ua thash me rrudhje krahu
Epo, ky emër është i panjohur për ne
Nuk është fare në regjistrin e të ramëve
Thanë ata të njëfarë komisioni shqyrtues
Mund të jetë gjallë tha tjetri
Epo, ne s'mirremi me të gjallët
Tha tjetri dhe ngrehi një tym duhani
Kjo tabelë duhet të konfiskohet
Ky emër nuk është ndër të vdekurit
Tha tjetri që rrinte mbi regjistrin e emrave
Në këtë tabelë duhet shkruar një emër tjetër
Thanë ekspertet e emrave të panjohur
Unë u ktheva tek lagjja ime pa tabelë
Akoma të pagëzuar me ndonjë emër
NJË TREN PËR PERZEREN
Një pasditeje vjeshte i ndaluan rrotat
I shtrirë mbi binarë i lodhur si një plak
Një tren vajguri me numra të shlyer
E zuri kokëdhembje në kafkën e shpuar
Nga barku i plasur rri e s'flet me zjarrin
Tymin e mbanë në fytin e ndryshkur
Fishkëllimat e dhembjes i nxjerrë pa fjalë
Tymi vajgurit i jep të vjellura
Nga veshët e leshtë nxjerrë dyllin e kohës
Një trenë për Perzeren
Mbetur kohësh pa sy n'terrinë
Nga inati i kohës së panjohur
Akoma mbanë prushin në bark
Me numra të shlyer nga stinët
Nuk mund ta bëj asnjë qark
Nuk e njeh kush të shkretin
Nuk i jep asnjë hak
KRROKAMĒ MËNGJESI
Një lëmsh zërash veshur qiellit
Korbat mishngrënës dëgjohen
Krrokamat e tyre shkyhen qiellit të lotit
Frikshëm derdhen mbi Bregun e Diellit
Nuk e di prej nga kjo uritje krrokamash
Prej nga kjo futë korbash veshur qielli tim
Si duket paralajmërojnë nxjerrjen e syve
Apo vdekjen e syrit të vjeshtës mbi Dardani
Ndaj, vërtet nuk e di
Ç'u bë me lirinë dhe duvakun e përgjakur
Korbat më ngjajnë në kambana kishash
Gjithë rrumbat tundin kubesë së qellit të pfund
Në rastet e fatkeqësive të mëdha
Të gjitha kambanat rrahin përnjëhershëm
Ama, krrokamat në sqep korbash të zi
Nuk durohen dot në veshin e mëngjesit
Zërat e çjerrë të ngjitut qiellit
Pa asnjë borxh
Pa asnjë të bëme asnjëherë
Hallakatin mendjen e pafajësisë time
Qiellin e veshin me të zezën mortore
Të pangopur asnjëherë me sy njeriu
Përshesh krrokamash derdhen gjithandej
Ndaj, pa asnjë dyzim mendjeje
Fluturimin e korbave mbi Bregun e Diellit
Patjetër duhet shlyer nga qielli im
NËN DIELLIN E SHQYER
Ky vend i matur me lëkurën e djallit
Rrëshqet nëpër kurrizin e thyer kohësh
Edhe sot nuk u ngop me gjakun e vet
Me shtërzime shtrydh ullukët e shiut të kuq
Sot, kur piku pak diell në trinë dore
Vërbërisht kërkojmë djellin e shqyer
Të mallkuarën e ruajmë nën sqetullë djalli
Nuk e di, cilat udhë do t`i rrahim të nesermën
Sa pash tokë do të mihet e sotmja e gjakosur
Kush do t`ia shtojë himnit fjalët shqip
Vërtet nuk e di, ku mrizon shita e Zanës
Ku vajton gjëma e Nanës
Përse këto krrokama mortore mbi këtë qiell
Ku mbeti kjo tokë, që kishte mjaft kokë
Ku mbeti Gjaku i Lisit
Ku mbeti Tambli i Nanës
Përse thyhen xhamat e dritës
Përse luhet ruleti Rus
Kush na futi në këtë pus
A po e sheh kush, a po e dëgjon kush
Ku mbeti Gjaku i Lisit
Ku mbeti Lulja e Fisit ???...
E KUJT ?
Mjegulla shtrohet në prag të syrit
Nga Kodra e Diellit shoh një vijë tymi
I kujt është ky zjarrë që prek qiellin
Këmisha e kujt po kallet?
Nëntor, 2015
NËN HIJEN E MOLLËS
Nata shtrohej mbi rrema molle të thyer
Të një molle lënë pasdore qëmoti
Në kërkim të etjes së kallur në sy
Gjumi rrokulliset teposhtë brigjeve
Mbi krojet e thara lëshon lotin e vakët
Krojet e vetmuara mbi trojet e shqyera
Të shteruara shtrydhin lotin dhe mallin
Këngën shqipe të fyelltarit plak
E tjerrin në furkat e thyera kohësh
Nëpër kohë të vrara lidhin plagët
Dhembjet i mbulojnë me plisa dheu
Mullarët e mbetur lakuriq pa fije floku
I dogjën në dravanikun e zjarrit të djallit
Sinorët i shkulën sikur dhëmballa plaku
Emrat e vrarë të pagdhendur në asnjë gur
Mbetën të shtrirë nën hijen e mollës
L I R I A N A
/ Tregim/
Nuk kishte shumë kohë qëkur seria e marrdhënieve dashurore dhe takimeve të fshehta në shtëpinë bosh të Gentit kishte mbaruar. Ata kishin filluar t’i tregonin hapur personelit të spitalit se një lidhje e re kishte filluar mes tyre. Pas atyre mëdyshjeve të gjata dhe qartësimit të plotë të mardhënieve, Genti dhe Liriana, natyrisht duhej të ishin më të afërt. Me gjithë edukatën dogmatike për moralin, që kishte marrë në shkollë dhe pedantizmit në familjen e një funksionari shtetëror, siç ishte babai i saj, Liriana nuk mund të luftonte me pasionet e saj të moshës. Pikëpamjet e përgjithshme dhe konceptet patriarkale të të atit dhe gjyshes për martesën dhe familjen nuk mund të ishin shkaqe frenuese ndaj furisë erotike. I vetmi shqetësim i Lirianës ishte si mund t’i rezistonte kërkesës së Gentit të ndarë me bashkëshorten para një viti, që ajo t’i jepej plotësisht. Por edhe vetë Liriana, ndonëse kishte njohur lidhje dashurore kalimtare me mjekë të tjerë pa u frikuar, në lidhjen e re me Gentin dukej se e kishte të pamundur t’i qëndronte më epshit të egër e të stuhishëm. Bile ajo habitej edhe vetë se si ishte e mundur që t’i dukej se tani për të nuk kishte tjetër njeri në botë veç të dashurit, të cilit i përkisnin të gjitha mendimet, ndjesitë, gjithçka e saj. Tabloja e së ardhmes i paraqitej në mënyrë të tillë, që tregonte se ata do të kishin një jetë të pandarë. Sikur ua kumtonte këtë gjë ndonjë orakull. Liriana mund të vdiste vetë ose Gentit mund t’i mbushej mendja të shkonte tek bashkëshortja e parë apo te bukuroshja Vera, e cila e lakmonte, por gjithësesi, besonte se do të sendërtohej ëndërra e saj për të qënë gjithnjë me Gentin. Vetë natyra, me sa dukej, duke larguar prej saj mjaft pretendentë dhe ndarja e Gentit me bashkëshorten, ia kishte paracaktuar asaj atë burrë. Ajo e ndiente dhe pothuajse ishte e qartë se, përveç dashurisë, asgjë nuk mund ta bëj një njeri aq të nevojshëm për një tjetër.
Pikërisht kur ata ishin në kulmin e lumturisë, ndodhi një ngjarje, në dukje fare e thjeshtë, që për Lirianën nuk mund të mos e trondiste kështjellën e tyre të lumturisë. Thjesht një pyetje pa takt e pa sens logjik e Gentit. Kirurg Genti kurrësesi nuk mund ta kuptonte dramën që kishte shkaktuar tek e dashura e tij me atë pyetje të nxituar.
Qëkur kishte filluar punën në spitalin e qytetit, në fillim si ndihmësmjeke dhe pastaj si infermiere, jeta e Lirianës, ishte vërtitur midis dy pacientëve, të cilët e kishin bërë spitalin si shtëpinë e tyre. Njëri ishte një fëmijë nëntëvjeçar, i dëlirë e i plogët, me një shëndet të mbufatur, që fliste ngadalë edhe nga zhvillimi i vonuar mendor, për të cilin Liriana tregonte përkushtim maksimal. Ajo alarmohej për çdo shqetësim të tij, i qëndronte te koka, i blente dhurata për çdo rast. Në spital personeli e quanin idhulli i Lirianës. Edhe vetë pacienti nuk njihte njeri më të afërt në këtë botë se Lirianën. Ky ishte Besi i Shtëpisë së Fëmijës, për të cilin Liriana thoshte se ai ishte gjithçka për të. Për mjaft nga personeli i spitalit kjo lidhje midis tyre dukej misterioze dhe sikur i kapërcente marrdhëniet humanitare midis punonjësit të shëndetësisë dhe pacientit.
Tjetri ishte një plak i sëmurë në grahmat e fundit, një trazovaç, egoist e sedërli, i cili merrte me vete shumë mëkate e linte pas vetes shumë brenga. Kur e ndjeu se ditët i kishte të numëruara, i ishte qepur infermiere Lirianës, duke i kërkuar me insistim të ulej në cepin e shtratit të tij, pasi dëshironte të fliste hapur me të. Kërkesën ia bënte herë me lutje zëbuta, herë me hakërrime, për ta injoruar e për t’ia zgjatur tmerrin infermieres, deri sa ajo të pranonte ta dëgjonte. Kishte infermiere që paragjykonin dhe pëshpërisnin, duke buzëqeshur me njëra-tjetrën për ndonjë trill të çmendur plaku, i cili donte t’i shprehte dashurinë e tij të përbuzur prej saj. Po Liriana vazhdonte të mos dëgjonte nga ai vesh, as ndaj thashethemeve e as ndaj kërkesës së pacientit, duke mos i dhënë asnjë shans për rrëfimin e tij. Kjo sjellje e Lirianës e tiranizonte dhe e nervozonte plakun, sa vinte ulërimat, duke shqetësuar gjithë spitalin. Ishte një lloj presioni ky, që drejtori dhe mjekët e tjerë ta impononin infermieren për ta dëgjuar. Liriana sillej me të si një profesioniste korrekte gjakftohtë, që bën ç’është e mundur për t’ia zgjatur jetën pacientit të vet, por jo të ulej në cepin e shtratit të tij. Por nuk mundi t’i rezistonte deri në fund këmbënguljes së tij. Kjo edhe me këshillimet e herëpashershme të drajtorit e Nerminit, mjekja më e vjetër e spitalit, e cila e donte si vajzën e vet. Një ditë mori vendimin për ta dëgjuar. Pikërisht atë ditë, ndodhi ajo ngjarja e papritur, ajo pyetja e Gentit, që e trazoi shumë shpirtin e Lirianës. Në vend që të ulej në cepin e shtratit dhe të dëgjonte pacientin, ajo hodhi çantën krahëve dhe u nis për në shtëpi, ku nuk e priste askush. Kështu dukej se plaku do ta merrte me vete brengën në jetën e amëshuar.
Në shtëpi përgatiti me ngut një kafe dhe u ul në shezlongun e vjetër të verandës. Me sy të fiksuar në një pikë gjerbte e menduar kafen, duke e mbajtur gjatë filxhanin te buzët, si shenjë afiniteti me të. Si shumë njerëz, që kanë përballuar vështirësi të mëdha në jetë dhe kapen fort pas cigares, alkolit, bixhozit apo drogës, Liriana kishte vendosur mardhënie intime me kafen. Në shoqëri me të ajo kujtonte, meditonte, arsyetonte, imagjinonte dhe ëndërronte. Siç rrinte këmbë mbi këmbë, u ngrit me vrull, sikur të kishte ndier aromën e gjellës së djegur. Kur drejtoi trupin, iu bë sikur një rrymë helmi po i rridhte në stomak dhe një grimëherë ndjeu një zbrazëti në gjithë qënien e vet, sikur të mos i punonte sistemi nervor emocional. Piu një gotë ujë me filxhanin e kafes në dorë dhe filloi sërish të gjerbte lëngun e errët, pa ndier asnjë lloj shije prej tij. Duke u menduar thellë, i bëri pyeyje vetes: Pse pikërisht në çastin kur ajo po ndahej me një përzemërsi e dhemshuri të pazakontë nga Besi? Dhe vazhdoi të bënte ecejake me filxhanin në dorë në verandë. Mendimet e hidhura, ku ishte zhytur, ia ndërpreu vetëm dalja në horizont e hënës me një aurolë të argjendtë nga pluhuri, që rrinte pezull mbi qytet.
Sa u shfaq hëna, asaj iu fanit nëna. Gjëja e parë që iu kujtua ishin mbrëmjet me hënë të plotë, kur ajo e merrte për dore në kopshtin e vogë të mbushur me trëndafilë të kuq e zambakë të bardhë. Një çurg lotësh i rrodhën nëpër faqe. Nuk gjente njeri apo perëndi në botë më të mirë se nëna për t’iu rrëfyer. Dhe menjëherë fytyra melankolike e saj u çel nga kujtimet e bukura e të pastra fëminore, që nuk donte t’i përlyente kurrësesi me mendimet e zymta dhe veset e të gjallëve.
Jo më larg se para një muaji në spital kishte mbritur papritur një bukuroshe, me emrin Vera, të cilës natyra i kishte dhuruar të gjitha hiret femërore. Një vajzë shumë e ëmbël, tërheqëse, me dy vrimëza në faqe kur qeshte, e gëzuar dhe e lazdruar. Ajo ishte e mbesa e bashkëshortes së drejtorit të spitalit, një studente dështake e Fakultetit të Mjekësisë, që filloi punë si infermiere në atë spital. Pak ditë nga fillimi i punës kaloi në dhomën e vizitave të Gentit, një nga kirurgët e rinj më të mirë të vendit. Këtëfillim Vera e mori me shumë entusiazëm. Edhe Genti e priti mirë praninë e kësaj bukurosheje të ëmbël në vendin e punës së tij. Kur pa se shumica e personelit të spitalit, vetë drejtori dhe pacientët kishin një adhurim të veçantë për Lirianën, Verës iu duk se ajo ishte në qendër të vëmëndjes. Ajo ishte nga ato femra sqimatare që duan t’u kushtojnë vëmëndje, të ndihen të pranishme, të pëlqyera dhe të vlerësuara. Kjo e bëri ta xhelozonte kolegen e vet, sa një ditë i ishte shprehur tërë djallëzi se Liriana dashurohej me veten si Narcisi. Por e ndjeu se të pranishmit nuk e pritën mirë.
Sidoqoftë, nën ndikimin e Verës, rrotull Lirianës u krijua një rreth ziliqaresh. Sidomos kur u bë e dukshme edhe dashuria mes saj dhe Gentit. Me gjithë përkushtimin tërësor ndaj pacentëve, Liriana nuk ishte aq e pandjeshme ndaj angështisë së disa ziliqareve më të ekspozuara ndaj saj. Këtë e kishte ndier edhe Genti. Ai e shikonte para syve të tij se si ajo po e humbte atë finesën magjepsëse, për shkaqe, që ai nuk i dinte.
Dashakeqësinë e Verës ndaj Lirianës e vinin re edhe mjekët e infermirët, që punonin afër saj. Fjala shkoi deri te bashkëshortja e drejtorit, e cila i kërkoi arsyet pse e urrente aq shumë infermieren shembullore. Mbesa u shkreh në lotë dhe i tha hapur hallës së vet se e kishte zili: “Në spitalin tonë të gjithë vetëm Lirianën kanë në gojë. Liriana e respektuar, Liriana e vlerësuar, liriana e dashuruar. Duket sikur këtu edhe mjekët edhe pacientët edhe zogjtë rreth spitalit këndojnë: Liriana, Liriana, Liriana! Mua as më përfillin, as më vlerësojnë e as më dashurojnë. Më rroftë bukuria, që ma përmendin të gjithë. Ajo më rrëmbeu edhe Gentin të cilin e simpatizoj deri në adhurim”.
Zilinë e Verës e kishte pikasur edhe vetë Liriana apo se dikush përpiqej t’i bënte keq, qoftë edhe në gërvishjen sadopak të imazhit të saj. Por atë mbrëmje, atje në verandën e freskët, bota vërtitej rreth asaj pyetjes së Gentit, e cila herë i dukej dyshuese, herë provokative dhe herë poshtëruese. Mos vallë Genti kishte rënë në dashuri me Verën dhe kërkonte pretekste për ta prishur lidhjen me të? Sa më shumë donte t’i largonte ato mendime të padëshiruara, aq më tepër ia zhbironte trurin ai vështrimi i pazakonshëm e dyshues i Gentit pas vizitës që i bëri pacientit jetim. Kjo bëri që ta humbiste qetësinë, kokën e kishte të turbullt, sa i dukej se do të humbte ekuilibrin. Atëherë u përqëndrua te thashethemet dhe opinionet, të cilët sa i shpërfillte aq edhe e bezdisnin. Në atë moment ato i dukeshin si ata kërmijtë pa guackë, që lënë një vazhdë të pështirë në trungun e pemës ku lëvrijnë poshtë e lart. FIlloi të dyshonte tek ajo që mendonte se nuk do të dyshonte kurrë: besimi i Gentit tek ajo.
Në të vërtetë, jo më shumë se para një ore, kur Genti i bëri atë pyetjen tronditëse, Vera i kishte thënë në intimitet se Besi ishte fëmija i pa regjistruar i Lirianës. Kjo ishte një goditje rrufeje në zemrën e Gentit, të cilin më shumë e tronditi mungesa e sinqeritetit se sa fakti që ajo kishte një fëmijë. Duke ruajtur një pamje gati mospërfillëse ndaj informacionit, ai u përpoq të zbulonte prej Verës në se njihej babai i djalit. Shkurt , donte të dinte në se ajo ishte e divorcuar apo kishte patur ndonjë dashnor. Dhe infernierja sajoi një histori pa emra, për ta larguar të adhuruarin e saj nga Liriana.
Melankolia dhe ankthi ishin bashkudhëtarë të përhershëm të Lirianës. Këto ndjesi dhe përkushtimi prekës ndaj të sëmurëve, e bënin atë të dukej shumë e hajthme. Mjaft nga personeli habiteshin ku e gjente kjo vajzë e hajthme, aq e përkushtuar ndaj punës, atë patos e furi erotike për Gentin. Por nuk e dinin se puna e pëlqyer dhe pasionante i jep akses organizmit në të gjithë komponentët fizikë e shpirtërorë. Disa infermiere mëndjelehta mendonin se personeli dhe pacientët e spitalit ndjenin më shumë dhembshuri se sa simpati e respekt për personalitetin e përkushtimin e saj. Genti shpesh i thoshte me zë të ulët: Nënë Tereza. Kurajo e tepruar kjo, emri i Nënë Terezës është herezi tek ne, e këshillonte Liriana. Vetë ajo dukej pothuajse indiferente dhe e pandjeshme ndaj këtyre opinioneve. Por pyetja e papritur e Gentit e kishte bërë të kuptonte se as ndershmëria, as pasioni për punën e as përkushtimi ndaj njerëzve në nevojë, nuk mund të shërbente si koracë mbrojtëse ndaj opinioneve.
Pas pyetjes intriguese të Gentit të dashur, melankolisësë organike të Lirianës i ishte shtuar edhe vetmia, produkt i dramës shpirtërore të dashurisë. Dukej se ishte kthyer në një automat në shërbim të të sëmurëve dhe përkujdesjen e shumëfishuar për Besin. Gentit nuk i rrëshqiste asgjë pa vënë re. Ai ishte përpjekur gjithnjë t’ia lehtësonte punën dhe vetminë e saj, duke e qortuar ndonjë herë për përkushtimin e dhembshurinë e tejskajshme deri në vetëflijim. Ai orvatej ta bindëte se asgjë nuk kishte ndryshuar në marëdhëniet dashurore midis tyre, duke tentuar vazhdimisht ta përkëdhelte e ndonjë herë ta puthte si gjithnjë me të njëjtin zjarr, por pavarësisht se Lriana i largohej si dhi e egër, prapë edhe ai nuk i fshihte dot stonaturat. Duke zotëruar mjaft njohuri mjekësore, një mëndje utilitare dhe praktike, Genti nuk mund të mos kuptonte se, po të vazhdonte ajo gjëndje midis tyre, herët apo vonë në duart e tij do të kishte një grua të sëmurë. Ai e dinte se simpatia dhe dashuria, janë gjëra madhështore, por duhej ruajtur pasioni dhe ngashënjimi. Humbja e tyre do të ishte tejet e hidhur. Atij nuk iu durua më dhe një ditë e kapi për krahu, kur po dilte nga dhoma e vogëlushit të saj.
-Pse po më largohej dhe i bishton vëmëndjes sime? –e pyeti ai.
-Unë jam infermiere dhe vëmendja ime është e përqënduar tek të sëmurët, jo tek personeli.
-Pse, unë jam për ty një nga të zakonshmit e personelit?
-Jo. Ju nuk jeni njëri nga punonjësit e zakonshëm të spitalit, por edhe Besi nuk është një nga pacientët e zakonshëm për mua. Ai është gjithçka që kam pasur në jetë, -i shpjegoi Liriana.
Atëherë Genti filloi të mendojë për moshën kur e kishte lindur Liriana Besin. Ai dëshironte t'i dilte një moshë miturake, kur amësia e saj ndaj Besit të dukej absurde. Dhe ajo nuk duhej të kishte patur ndonjë zhvillim fizik kushedi...
-Kush është babai i tij? –pyeti ai pas një pause, pasi edhe llogaria nuk i doli siç e dëshironte ai, ndërkohë që Liriana i kishte kthyer shpinën.
Pyetjes edhe më e papritur për të, Liriana nuk i dha përgjigje. Mori ca sende të pacientit dhe iku me nxitim. Sa u nda prej Gentit, i vërshuan lotët, që i rrodhën mbi bluzën e bardhë. Shkoi te dhoma e infermiereve dhe qante me ngashërim. Por, i pushtuar nga egoizmi dhe dhimbja për të dashurën e vet, Genti e ndoqi prapa, e kapi për dore dhe e çoi në dhomën e vizitave, gati me dhunë. Ai bëri përpjekje ta përqafonte, t’i shfaqte ndjenjat e zjarrta të dashurisë dhe të dhimbjes, por ajo u largua fare nga spitali e zemëruar dhe e ofenduar. Kjo nuk kaloi pa rënë në sy të personelit, sa vajti fjala deri te drejtori. Në spital të gjithë flisnin të shqetësuar për ndonjë prishje të Lirianës me Gentin, sikur të kishte ndodhur një tragjedi.
Kishte kaluar më shumë se një muaj kur një urgjencë i bashkoi Gentin dhe Lirianën në sallën e operimit. Meraku dhe përkushtimi ndaj të sëmurit bëri të harroheshin mëritë dhe ndjesitë inatçore ndaj njëri-tjetrit, të cilat dukeshin si çikërrima të papërfillshme para përgjegjësisë profesionale në shërbim të pacientit. Por edhe ndjesitë intime nga prekjet e lehta, fryma dhe aromat e njohura, vështrimet tinzare ndikuan në amortizimin dëshpërimit. Me mbarimin e operacionit përgëzuan njëri-tjetrin për suksesin në operim dhe u vështruan fytyrëçelur drejt në sy. Pasi hoqën rrobat e rastit dhe morën frymë të kënaqur, Genti e kapi për krahu dhe e çoi në kafe.
-Erdhi koha të rrëfehemi para njëri-tjetrit, Liriana.
-Unë s’kam të fshehta për të rrëfyer. Në se ti ke të fshehta, rrëfehu diku gjetkë. Unë s’jam altar i përshtatshëm për ty.
-E vetmja gjë që turbullon jetën time, është fakti se kam qënë i martuar dhe jam i devorcuar, ti e di mirë.
-Por di edhe që duheni akoma.
-Edhe këtë nuk mund ta mohoj fare. Ish-gruaja ime vazhdon të më dojë dhe bën përpjekje për t’u ribashkuar. Por zemrën time e ka pushtuar Liriana dhe nuk ka anjë grimë vend për ish-bashkëshorten, -iu përgjigj tepër çiltërisht Genti, sa e bëri Lirianën t’i vërshojnë emocionet e dikurshme.
-Atëherë mbeti të shuash çdo lloj misteri për Besin, të cilin ti ke filluar ta mendosh e trajtosh si fëmijën tim.
-Fillo sa më parë, -iu përgjërua Genti.
-Historia e tij është e dhimbshme dhe do kohë. Pasdite takohemi tek lokali i zakonshëm, ku do ta kuptosh sa i shtrenjtë është Besi për mua, -e mbylli bisedën Liriana dhe u ngrit.
Në orën shtatë të mbrëmjes Liriana i zbuloi Gentit tërë historinë jetësore të saj. Por më tepër përshtypje kirurgut i bëri krenaria me të cilën ajo fliste për vështirësitë e jetës së vet.
-Nuk më kujtohet dhe ende nuk jam qartësuar në se nëna ime ka vdekur apo është zhdukur. Atëherë kam qënë tetë vjeç. Ama njërkën, me të cilën kurrë nuk u miqësova, e mbaj mend mirë. Ajo ishte një grua shtatëlartë, si statujë, e heshtur, me lëvizje të matura dhe me flokë gështenjë të mrekullueshëm. Por ishte mjaft fodulle dhe, kur debatonte me babanë, bëhej e ashpër dhe ia hidhte gjithmonë në fytyrë se ishte gruaja e dytë e tij. Domethënë, po ta braktiste edhe ajo, do të mbetej i ve për pjesën e jetës që i kishte mbetur. Bile ajo parashikonte një jetë të shkurtër të tij. Mirëpo babai nuk ia mbante shumë kapistrën kalit dhe i dha munxët. Kështu vendosi ta kalonte jetën vetëm me mua, vajzën jetime.
Liriana mori frymë thellë, pasi iu duk se i ishte ngushtuar kraharori nga emocionet dhe vazhdoi:
-Babai, sa vinte nga puna, dilte me shokët. Të dielat kujdesej për veten. Ishte manjak për estetikën dhe qëndronte para pasqyrës më shumë se gratë. Ai nuk kishte ndonjë arsim kushedi, por gjithmonë ka qënë me detyra shtetërore. Diplomën ia kishte zëvendësuar Dëshmia e partizanllëkut. Shpesh mungesa e dijes e bënte nervoz në komunikimin me njerëzit dhe i shkarkonte nervat në shtëpi mbi bashkëshorten, sa e kishte dhe, pas ikjes së saj, mbi mua. Kur e la dhe gruaja e dytë, më shumë kthehej i dehur në shtëpi. Ai kurrë nuk ekzaltohej me mua. As kur merrja rezultate maksimale në shkollë. Mendoj se unë nuk i frymëzoja fare dashuri…
Genti nuk e duroi dot më dhembshurinë që ndiente për të dashurën e vet. Ai e kapi për krahu, e afroi, ia mbështeti kokën në supin e tij dhe Liriana u ndie mirë. Mjeku e ndjeu se ai rrëfim ishte shumë i vështirë dhe u përpoq ta qetësonte. Ajo dukej se lirohej nga një ngarkesë e madhe prej shpirtit të saj, por e dinte mirë se atë ngarkesë e hidhte mbi dikë tjetër, po aq e rëndë dhe e padurueshme edhe për vete. E ngriti kokën nga supi i Gentit dhe e vështroi drejt në sy.
-Kur isha në shkollën e mesme, kisha një shoqe, që më vizitonte pothuajse çdo ditë. Ajo më ishte bërë motër. Bashkë bënim mësimet, pastaj më ndihmonte të kryeja detyrimet e shumta, që kisha në shtëpi. Kishte një familje të varfër dhe unë shpesh i jepja ndonjë rrobë apo ndonjë ushqim ia fusja në çantë. Ishte vajzë shumë e bukur dhe gazmore, por varfëria e bënte të ndrojtur e të rezervuar në mardhënie me djemtë e shkollës. Sa fillonin grindjet në shtëpinë e vet, për shkak të fukarallëkut, ajo vraponte tek unë dhe, kur mbyllja derën pas shpinës së saj, i dukej vetja e lirë.
Një ditë, papritur, shoqja ime erdhi shumë e mërzitur tek unë dhe dukej aq e turbulluar, sa nuk dija çfarë t’i bëja e çfarë t’i jepja. E pyeta mos i kishte ndodhur ndonjë fatkeqësi në familje. Ajo mohoi me kokë. Ngulmova shumë të më tregonte se çfarë i dhimbte apo ç’problem kishte. Pas ngurimit dhe lotëve pa fund, më vështroi drejt në sy me sytë e çakërruar të saj. Jam shtatëzënë, më tha më në fund. Brofa përpjetë, u tërhoqa prapa në panik, por u kujtova se shoqes i duhej kurajo dhe jo panik. E përqafova, për t’i dhënë kurajo, që të mendonim se çfarë mund të bënim. I kërkova të më tregonte si kishte ndodhur, por, sa më shumë ngulmoja, aq më e heshtur dhe më e mbyllur bëhej ajo.
E kishte të pamundur ta ndante mëkatin me prindërit e vet. Të shkonte në maternitet për abort, kishte frikë mos merrej vesh dhe do të përfundonte si një vajzë e degjeneruar. Të abortonte me metoda primitive, kishim frikën e jetës dhe unë nuk e lejova kurrësesi. Bile unë fillova të ngulmoja që ta donte beben që mbante në trupin e saj.
Atë vit ne ishim paramaturante. Sekreti i vet e kishte lidhur tërësisht me mua. Në shtëpinë e saj kishte frikë, por edhe në shtëpinë time kishte ndroje nga babai. Një copë herë shkonte te vajza e tezes, por, kur filloi t’i shfaqej barku, nxitonte të vinte tek unë. Në të vërtetë kishte shumë turp nga babai im, gati si frikë dhe ne mblidheshim në dhomën time. Kur filloi t’i shfaqej dukshëm barku, të dyja bashkë bënim kujdes të vishej me rroba të përshtatshme, që nuk binte në sy. Ditët e fundit të shtatëzanisë, babai u shtrua në spital dhe kurimi i tij zgjati gjithë verën. Kështu që shoqja rrinte pa frikë në shtëpinë time, deri sa lindi. Duke mos patur përvojë nuk e kuptoi lindjen e parakohshme. Pati lindje të vështirë. I qëndrova te koka, bashkë me një kushërirën time nga fshati i nënës, e cila kishte bërë ca kurse për mami. Bebin e shpëtuam, por shoqen time nuk mundëm. Në çastet e fundit të jetës shumë të shkurtër ajo më tregoi atësinë e fëmijës dhe ma la amanet djalin e vet. I premtova para vdekjes dhe iu betova te varri i saj se Besit do t’ia kushtoja gjithçka në jetën time.
Këtu ia plasi të qarit dhe Gerti ia mori kokën në gjoksin e vet. Lotët e saj i dukeshin si një zjarr i lëngshëm e i ëmbël, që lëvrinte në tërë trupin e tij. Pas ngashërimit dhe frymëmarrjeve të thella në gjoksin e Gentit, vijoi tregimin:
-Bashkë me vajzën e tezes së shoqes sime nuk gjetëm rrugë tjetër veçse ta çonim bebin në jetimore. Drejtoresha dhe edukatoret e asaj shtëpie të madhe më konsideronin mua si nënën e tij. Po aq të përkushtuara janë edhe ca kushërira e teze të shoqes sime, por ai gjithmonë më ka dashur më shumë mua. Besi ka qënë gjithçka për mua. Duke qënë edhe shëndetlig, vitet e fundit pothuajse i kemi kaluar sëbashku në këtë spital. Ai është e do të mbetet vëllai im, ëngjëlli im…
Këtu Liriana heshti. Ajo u përlot sërish. Dukej se përbrenda e gërryente diçka, që e kishte të vështirë ta tregonte.
-Domethënë Besi është djali i babait tënd? –tha Genti pas një pauze të tensionuar.
Ajo pohoi me kokë pa e vështruar në sy. Turpin që ia kishin lënë ziliqaret përsipër, e hodhi pa dëshirë në vendin e duhur, mbi kryet e babait të vet.
-Po babai ç’qëndrim ka mbajtur ndaj Besit? –e pyeti Genti, duke ia marrë kokën përsëri në gjoksin e vet.
-Babai nuk e di fare, por kam vendosur t’ia tregoj, -e mbylli bisedën Liriana. Ajo, nuk ia kishte falur kurrë të atit turpin e tij. Ishte gati t’i falte gjithçka që kishte bërë në jetë, qoftë edhe me vetë Lirianën dhe nënën e saj, por jo përdhunimin e shoqes. Gentit, jo vetëm që nuk ia kishte prezantuar, por as nuk i kishte folur për babanë e saj.
Të nesërmen Liriana, pas mbarimit të turnit, e mori për dore Gentin dhe e çoi në dhomën e pacientit grinjar, që ishte dukshëm në grahmat e fundit.Ai pacient ishte babai i saj, i cili, me bëmat dhe të fshehtat e tij, ia kishte bërë jetën katran e vrer. Veç drejtorit të spitalit, askush nga personeli nuk e dinte se pacienti grindavec ishte babai i Lirianës. Kjo ishte një surprizë e pakëndshme për Gentin. Por ai e kapi nga krahu, e shtrëngoi fort pas trupit të tij dhe e këshilloi ta dëgjonte me vëmëndje babanë e saj dhe ta falte. S'duhej shumë mend për kirurgun ta kuptonte se ai ishte në grahmat e fundit.
Liriana u ul në cepin e shtratit të babait të vet. Babai sa e ndjeu uljen e saj, bëri ç’është e mundur të çohej në të ndënjura. Infermierja u vërsul drejt tij dhe e shtriu në qëndrimin e duhur. Brenga e fundit e tij ishte dëshira për t’i rrëfyer të bijës të fshehtat e meraqet e veta, të cilat s’donte t’i merrte në varr.
-Më në fund erdhe, -i tha ai. Ajo nuk i ktheu përgjigje. U ul sërish në cep të krevatit dhe i kapi dorën. Genti nuk e pa të udhës të dëgjonte bisedën e tyre. Babai filloi t’i hakërrehej Lirianës, por ajo e dëgjoi me durim.
Pasi e mbaroi rrëfimin tronditës, babai i tha tërë ngashërim:
-Ti je e vetmja gjë e mirë që kam patur dhe lë pas në këtë jetë.
-Nuk jam e vetmja, ke dhe një djalë, -iu përgjigj Liriana.
- Kam një djalë dhe s’më keni treguar, -bërtiti ai dhe gati këputi tubot me të cilat merrte serumin, për t’u ngritur. Por Liriana e mbajti dhe kur e shtriu, iu përgjigj:
-Të të tregonim për Besin, që ta torturoje dhe atë si mua.
-Pse Besi është djali im? Prandaj ti e do e kujdesej aq shumë për të…
Ai vari kokën dhe u duk se, për herë të parë në jetë, u ndesh me dukurinë origjinale dhe aq delikate, të quajtur ndjenjë prindërore. Dorën s’ia lëshonte Lirianës dhe pas disa minutash mbylli sytë përgjithmonë.
Ndërkohë Genti kishte mbritur te Vera dhe e kishte lënduar keq nga zemërimi për mërinë që kishte ndaj Lirianës. Atë ditë edhe Vera e ndjeu të nevojshme t’u kërkonte falje dy të dashuruarve.