Mittwoch, 20. Dezember 2017

Muharrem Blakaj: MËNDESHA

Shkrimtari Muharrem Blakaj


MËNDESHA

Tregim nga Muharrem BLAKAJ

       Hapat e rëndë të kalorësve dhe hingëllimat e kuajve me zgjuan nga gjumi. U vesha me ngutë. Me vrap i zbrita shkallët e kalasë. Në sallonin e pritjes ishte tollovi. Dallova disa priftërinj, me këmishët e lutjeve, të shtrënguara në bel me rripat e gjerë dhe me kryqe të varura në qafë. Pranë tyre, murgjit e orakullit të Kalasë, të veshur me guna zhguni të murrmë, thërrisnin me zë të lartë duke parashikuar ardhmërinë. Ç’po ndodhë kështu? Ç’janë gjithë këta priftërinj? Kë po e përhirojnë?!
       Në shkallen e parë të fronit, pashë tim gjysh. Ishte i kthyer drejt ushtarëve dhe fliste diçka. Kishte veshur këmishën e kollarisur e të zbukuruar me dantellë. Mbi supe kishte hedhur gabardinën festive. Në dorën e majtë mbante mallotën e rëndë prej shajaku, kurse në dorën e djathtë, shpatën e madhe të betejave. Derisa po kaloja pranë altarit të bazilikës së moçme dhe po dëgjoja këmborët e kishave me tingujt e rënduar të kushtrimit, pashë disa oficerë që e përhironin Zonjën Hyjnore, që thuhej se dikur motit, kishte ardhur në trojet tona, andej nga Deti Jonë. Kur po kaloja pranë kishës, pashë tim zot që po bekohej para kryqit, derisa priftërinjtë po e përhironin hirësinë e tij. Ndërkohë, u hapën portat e rënda të kalasë. Nën tingujt e borive, pashë tim gjysh, të printe kaluar, i rrethuar nga priftërinj, murgj e oficer dhe i përcjellë nga ushtëtarë, shigjetar, shpatarë e kalorës që dolën nga kalaja. Im at, me pjesën tjetër të ushtrisë u ngjitën në bedena, për ta mbrojtur kalanë nga sulmet e tmerrshme të Sulltanit ezhdërha.
       Lajmëtarët arritën në bodrumet e kalasë. Ishin të sfilitur, të rreckosur, të pluhurosur e të plagosur. Kalaja ra, thanë me pezëm. Dolëm jashtë. Pashë ushtrinë armike të rrethuar nga një turmë ekzotike. Në ballë ishte prijësi i tyre. Tundej e përkundej lehtë mbi kalin e mbuluar me gunë saftjani, të stolisur me sumbulla tunxhi, rruaza qelibari e flokëse ngjyra-ngjyra. Kokën e kishte të mbështjellë me çallmë të stolisur me një xhufkë të kuqe e thekore në maje. Mbi shpatulla kishte hedhur një kaftan ngjyrë argjendi të qëndisur me finesë e me sumbulla fildishi, që i lëshohej lehtë mbi shallvaret bojëgjak. Në shokë i dalloheshin armët e brezit të praruara në filigran dhe të derdhura në ar. Përkrah tij, vinin orta jeniçerësh, kalorës, myfti e shehlerë të rrethuar nga oficer të lartë, oborrtar, shërbëtor eunuk, çuna dylberë e hyri. Më tutje, si të dehur vinin dervish e fakir brekëgrisur me këngë e orgji. Në gjalmat e shtrënguar rreth brezit ju vareshin thika, biza, gjilpëra, çanakë e lugë druri. Rreth e qark kalasë, me shpejtësi të rrufeshme, jeniçerët sllav i vunë nën vargonj, zinxhir e pranga, pleq, burra e djem. Ata që rezistuan, i vranë. Të grumbulluar në sheshin e kalasë, në emër të Allahut, ndanë plaçkën dhe robëreshat e luftës. Jashtë mureve të kalasë, me zjarr e hekur i shkatërruan fshatrat, i dogjën kasollet, shtëpitë, kullat e arat me grurë... në fund u grumbulluan të gjithë të froni i kalasë derisa ne na mbanin të lidhur me vargonj.
       Në gjithë kalanë mbretëroj qetësia. Rreth e qark, hordhitë osmane, u përulën për tokë duke u kthyer nga poltrona ku ishte kapardisur Sulltani Padishah. Pranë tij, e heshtur qëndronte një grua beronjë, fytyrë pushe, sy buçe e hithëth zezë. Dukej e stolisur me naze, ojna e ëndrra. Flitej se ishte mëndeshë, që me qumështin e saj do ti qetësonte kokat e turbulluara kaurë.
       Fillimi i mehtermarshit  nuk me la të çuditesha nga kjo e padëgjuar. Në arenë u panë disa vasha, të lidhura dora dorës me njëra tjetrën, që në pamje të parë dukeshin si vejusha ezmere që lulëzonin në kopshtin harem te Sulltanit. Ashtu të lehta si flutura, marshuan me vallen e tyre rituale duke e shoqëruar me këngë e lëvizje erotike. E para, hidhej e përdridhej duke tundur gjoksin e stolisur me rruaza, sedefe e perishane dhe herë pas here, me shikimin drejt qiellit dhe me gishtin tregues lart thërriste; Allah-Allah, pastaj e ulte gishtin tregues drejt Sulltanit duke vazhduar ritmin e thirrjeve; Padishah-Padishah. Pasonin thirrje në kor nga të gjithë sa ishin, ushtarë, oficer, hoxhallarë, shehlerë, dervish, dylber e hyri. Duke hedhur hapat e valles, e para u largua tutje duke zënë vendin e saj valltarja e dytë. Me kokën e zbukuruar me bilan dhe fytyrën e mbuluar me rizë të zezë, hidhej krah hapur, duke thurur gazele; Ha-ne-Hanefi, Allah-Allah, Padishah-Padishah. Gazelet e saj u pasuan nga turma. Valltarja e tretë e përcolli hapin valltares së dytë duke tundur barkun e stolisur me armaç ari dhe duke klithur me zë melodik; ma-li, Maliki, Allah-Allah, Padishah-Padishah. E katërta, me duar lartë e me hap të matur e përdridhte belin e mbuluar me një pelerinë të hollë dhe gji stolisur me dantelle ngjyra-ngjyra, duke drejtuar shikimin drejt qiellit dhe duke thurur melodi harmonike; sha-fi, sha-fi, Allah-Allah, Padishah-Padishah dhe e pesta, me flokë të stolisura me fjongo e kordele, hidhej e përdridhej duke i luajtur vithet gjysmë të zbuluara nën petkun e hollë të shallvareve dhe duke kënduar vajtueshëm; ha-mbe ha-mbeli, Allah-Allah, Padishah-Padishah.
       Porsa u krijua përshtypja se vallja e shfrenuar e tyre kishte përfunduar, nën tingujt e mehterhanës, në arenë u panë dervishë e fakir shallvare-grisur, me gozhup dhie të hedhur pa stil mbi kraharor dhe me fytyra të zbehta e sy gjysmë të fjetur nga dehja, që herë kërruseshin mbi gjunjë e herë ngreheshin në këmbë duke thirrur me zë të lartë; Allah-Allah-Allah, Hai, Hubal-Hubal-Hubal, Hai,... dhe me biza, gjilpëra e hanxhar i shponin barqet, buzët e faqet.
       Sulltani Padishah, ngriti dorën. E gjithë turma pushoj. Vendin e mbuloj një qetësi e thellë si vdekja. Me vrap po vinin disa jeniçer duke tërhequr zvarrë një njeri, i cili tundej e shkundej si të ishte brenda shkërdhecit. Herë pas here e shanin në gjuhën e tyre të pakuptimtë; jyrymy, jyrymy... shejtan, lanet, pis milet! Sa nuk me lëshuan këmbët kur pashë se në duart e tyre të pamëshirshme ishte im zot. Nuk e duroja dot ta shikoja krenarinë e tij të nëpërkëmbur e të gjunjëzuar dhunshëm nga hordhitë osmane. Brofa në këmbë dhe bëra të sulesha drejt tij për ti ardhur në ndihmë por, hovin ma ndaluan vargonjtë... isha i lidhur. Ashtu kruspull, e hodhën para Sulltanit. Përbri, ju afrua mëndesha. I thekshëm u dëgjua zëri i myezinit. Njëri nga shehlerët ju afrua pranë. Pasi ia hoqi plisin e bardhë duke e hedhur me përbuzje mbi tokën e zhyer, në kokë ia vuri çallmën e madhe osmane, duke i thënë:
       – Thuaj: La ilahe il Allah. Kërrusu mbi gju andej nga Meka dhe...
       – Merre! – urdhëroj Sulltani, duke e shtyrë mëndeshën drejt tij.
       – Jo, nuk e dua... e kam timen... nuk e marr kurrë! – ia kthej im zot
       Sulltani dha urdhër ta torturonin. Një turmë e leckosur dervishësh ju sulën sipëri duke e  goditur me gurë, shkopinj e kamxhik. Derisa po zgjaste tortura, ushtarët sollën robërit e luftës... pleq, plaka, gra, nuse, çuna, vasha e foshnje. I rreshtuan pranë tim zot.
       – Merre! – urdhëroj Sulltani duke shikuar me përçmim herë atë e herë të robëruarit.
Im zot, i sfilitur nga tortura barbare, i çnderuar dhe i ç‘burrëruar, vështrimin e hodhi andej nga populli i tij i gjunjëzuar para xhelatëve shpatëzhveshur. Heshti.
       – Merre se përndryshe, gjithë popullin tuaj do ta vras... ata që do të shpëtojnë do ti degdis në shkretëtirat e Anadollit, kurse vendin tuaj, do t’ia dhuroj popullit të lartësuar të Allahut dhe jeniçerëve të uritur sllav. – tha Sulltani Padishah duke kthyer dorën e djathtë drejt hordhive te tij, të cilët brohoriten të entuziazmuar duke thirrur me sa fuqi që kishin; Allah-Allah, Padishah-Padishah... kurse të robëruarit, me sy të përlotur shikonin tim zot të lidhur, të poshtëruar, të rraskapitur... ata e donin jetën, tokën, dheun e trojet e tyre.
       Derisa im zot, po shikonte andej nga fushnaja e robërisë, nga goja ju shkëput një psherëtimë. Ishte ahti i nënshtrimit. Me zë të përvajshëm e plot ngashërim, bërbëliti:
       – O populli im... duhet ta doni atdheun edhe kur është i nëpërkëmbur, i çnderuar, i dhunuar dhe i përbuzur nga hordhitë e huaja gjakatare... për ju, e për atdheun tim, sot, në këmbim të jetës tuaj, në këmbim të mbijetesës tuaj, po e pranoj mëndeshën që e solli me vete Sulltani ezhdërha... pranojeni edhe ju, në këmbim të zotërimit të trojeve tuaja, por... kurrë mos e harroni dhe dashurojeni me përgjëratë, në jetë të jetëve, nënën tonë hyjnore...– ndërkohë mëndesha e zemëruar e shtrëngoj fort nga supi. Im zot heshti.
      – Të lumtë biri im. Kështu të dua: Të zbutur, të gjunjëzuar, të përulur... – tha Sulltani dhe e lëvizi dorën drejt shehlerëve. Kryeshehu, u përul me nderime para këmbëve të Sulltanit. Pasi mori urdhrin, duke ecur prapthi u ngrit ngadalë më këmbë. Disa herë, me lëvizje dore nga gjoksi, para fytyrës e deri në ballë, bëri temena para madhërisë së tij. Me një qëndrim zotërues, ju dha urdhër dervishëve që të fillonin ceremoninë e gjunjëzimit të miletit te pistë, kurse vet me zë të çjerrë tha:
       – O pis milet. Pas gjunjëzimit tuaj para Sulltanit, dritës së Allahut në tokë, për pastrimin e shpirtrave tuaj të mbushur haram, lartmadhëria e Tij, për ju zgjodhi letargjinë tuaj dhe vecit hali-në  islame. Flini të qetë dhe ëndërrojeni të mirën, të bukurën, të dashurën... lirinë. Ne, për ju do rrimë zgjuar. Do ndërtojmë saraje gjumi, pallate vegimi, kulla shajnish e faltore ëndrrash. Zëri i myezinit, pesë herë në ditë, si aromë hashashi, do ti dehë zemrat tuaja gjynahqarë, do t’ua qetësoj shpirtrat tuaj të pështirë dhe do t’ua shëroj mendjen tuaj të krisur. Çallmat islame, nga sot i bartshi me shëndet, do tua shpërlajnë trurin tuaj kaur dhe do t’ua zbusin kryeneçësinë krishtere duke ju kthyer në vathën e besimtarëve islam.
       Derisa kryeshehu po fliste, në luzmën e robërisë u pa të futej mëndesha ezmere e përcjellë nga im zot, hoxhallarë e dervish. Ata ecnin ngadalë duke kënduar me shestim sure nga kurani dhe ilahi dervishësh që përhapnin anë e kënd fushës së robërisë shafranin e gjumit. Mëndesha, me hapin e saj të matur ju afrua një grupi robërish shpresëhumbur. Filloj tu jepte qumësht nga gjiri i saj zhangël. Rreth tyre u mblodhën imam, shehlerë e dervish duke kënduar sure e ilahi dehëse. Robërit filluan të dremisnin sikur të ishin në djepat e rritës e jo nën prangat e robërisë. Tundjet dhe lëkundjet, me tamtam, britma e ulërima të dervishëve, dukej se ju vinin si ninullat e gjysheve atje pranë ngrohtësisë së zjarrit në oxhakun e kasolleve e kullave të tyre. Derisa përkundeshin si në flatrat e ëndrrave, njëri prej shpresëhumburve ngriti pak kokën dhe filloj të fliste jerm duke përsëritur ezanin e myezinit.
       Pas tij, gjysmëfjetur e gjysmëzgjuar, tundej e lëkundej një flok-perçe duke emituar dervishët, kurse një tjetër, me sy gjysmë të mbyllur e me zë të çjerrë, i ftonte të tjerët ta ndiqnin pas ne farsën e tij gjysmë hënore. Ndërsa mëndesha, nën përcjelljen e lodrave dhe orgjisë kishte ngelur e rrethuar nga disa robër kryengritës, të cilët nuk i bindeshin vullnetit të saj. Nga krahu lindorë i fushës së robërisë u panë kalorës spahinj që shkonin trangelang drejtë tyre. Nga krahu verilindor prej majave të thepisura rrungajë po zbrisnin rrëpirave zallore çetat e jeniçerëve të prirë nga vojvodët e Kraleviq Markut. Ndërkohë, luzma kryengritëse u gjend e rrethuar nga të katër anët. Me egërsi të shfrenuar rrethuesit filluan ti godasin kryengritësit me vare, xhore e topuzë mbi kokat e tyre përçore. Të trullosur, pas vigmave tmerruese, rrotulloheshin në anën tjetër dhe nën zukatjen e njëtrajtshme të myezinëve dhe jahu-ve të dervishëve, treteshin si në boten e fluturave, luleve dhe ëndrrave të gjumit të madh hyjnor.
       Acari pushtues me erë, borë e ngrica sa vinte e shtohej. Nata e zezë, e ardhur andaj nga lindja, me batanijen e saj të rëndë e të katranosur, kishte mbuluar mbarë fushën e robërisë. Herë-herë, si një prushanë yjesh, deri të perdja e zezë në kufijtë perëndimor të fushës së robërisë, vëreheshin zjarre. Ashtu siç ndizeshin ngadalë dhe merrnin hovin e parë të dritës hyjnore, ashtu edhe zhdukeshin njëri pas tjetrit duke u thërrmuar në errësirën e pafund të natës anadollake. Pa ndërprerë, nga fusha e errët e robërisë dëgjoja thirrje kushtrimi, lutje priftërinjsh, përsiatje fëmijësh, mallkime nënash, vringëllima vargonjsh, jermi farsash, trokëllima kuajsh, vërvitje shpatash, hapa çizmesh... të gjitha së bashku me vinin si ngjirje drithëruese të dala nga skëterra... dhe ashtu, lehtë-lehtë, i mbulonte si me plaf zëri i çjerrë i myezinit. Vetëm ashku i ngrohtë i tokës mëmë, të robëruarit i mbronte nga shtrëngata, shiu dhe era që vërshëllente pa pushim mbi kokat e tyre të fjetura dhe trupat e tyre të rrëgjuar.
       Derisa po e kërkoja në kupën e zezë të errësirës vezullimën e shumëpritur të yllit të dritës, andej nga perëndimi, ku ndodhej fusha e fjetur e robërisë, sikur feksi shkëlqimi i një shkëndije të venitur. Kur, me ankth po prisja shuarjen dhe thërrmimin e shkëndijës shpresëdhënëse, pashë se drita po rritej prore. Filluan të ndizen flakadanë e zjarre tjera. Nga mbarë fusha e robërisë po shikoja lëvizjet e ngathëta të jeniçerëve, kalorësve, myftinjve e dervishëve që po ktheheshin andej nga kishin ardhur. Dukeshin të thyer, të zbutur e të mundur. Pas tyre, në mesin e disa hoxhallarëve dëgjova zërin e tim zot. Sa u mrekullova. Derisa po prisja të mi hiqte prangat e robërisë, ai mu afrua pranë dhe po me shikonte me sy të çakërdisur. Pasi lëvizi kokën e madhe me çallmën osmane sipëri, mu drejtua;
       – Ende e mbanë vështrimin andej nga perëndimi?... këtej, këtej nga lindja, këtej është shpëtimi i njerëzimit, o pjellë haram. Jazëk... – dhe ngriti dorën të më godiste. Sa nuk klitha nga zhgënjimi. Im zot ishte tjetërsuar. I shtyrë nga turma u largua tutje. Herë pas here dëgjoja klithmat e tij të përvajshme:
       – Dua sulltanin... dua babën sulltan!... Nënshtrohuni, flini e përuluni para dritës së Allahut mbi dhe, o pis milet!
       Duke vajtuar e gjëmuar u gjend para Sulltanit. Me zë të përvajshëm e fytyrë të përqurrtë, duke u zhyer e zhgërryer para tij, i lutej të kthehej në Fushën e robërisë për ti shuar zjarret, për ta kthyer errësirën dhe për ta vënë në gjumë pis miletin. Kur e pa se nuk po shqitej, Sulltani tha:
       – Mos ke frikë biri im. Nuk jeni zgjuar nga gjumi i ëmbël i gjysmëhënës islame. Jeni në jermi të përkohshme. Me ndihmën e mëndeshës, që po ua lë çiban në trojet tuaja haram, andralla e zgjimit do të jetë e shkurtër. Do vij koha e gjumit të njëmendtë. Shfrytëzojeni. Flini. Në jetë të jetëve mos u zgjoni... bota i do, i çmon dhe i përkrahë ëndrrat e gjumit islame.
       ...dhe hija e Sulltanit, sa vinte e tretej në horizontin e zymtë të lindjes. Mëngjesi, si me shpatë, çau perden e zezë të natës. Yjtë, njëri pas tjetrit u arratisen në kaltërsinë e shndritshme qiellore, kurse gjysmëhëna, me pamjen e saj të qelqtë dhe shkëlqimin e ftohët atje në kupë të qiellit, bënte sikur po i sfidonte rrezet e diellit të përflakur të agut pranverorë, që për çudinë time, kësaj radhe, po lindte nga perëndimi.

Mars 2014

Montag, 18. Dezember 2017

Letërsia s’është thjesht dëshire, as biznes, Ajo është përgjegjës.

Zyba Hyen Hysa

Që të dallojë një vepër nëse i përket letërsisë shqipe, s'mjafton vetëm të shkruhet në gjuhën shqipe, por ajo që e dallon është tematika e marrë nga jeta shqiptare duke e veshur me figurat stilistike gjetur nga thesari i kulturës së popullit ndër shekuj, ndërthurur e pasuruar edhe me esencën e kulturës së autorit, duke pasur si far, idenë që kërkon të përcojë me këtë vepër.
Po t'i marrësh veç e veç këto elementë, do të shikojmë rëndësisnë e secilës, për të kontribuar në plotësimin e njëra - tjetrës, nëse njëra nga këto të mos jetë në akord me tjerat, libri s'mund të quhet vepër e pse mund të ketë qindra faqe.
Shkrimtari, poeti, gjithë krijuesit janë vëzhguesit e përhershëm të ecurisë së zhvillimit të shoqërisë njerzore, kjo jo se e kanë marrë si detyrë, por se vetë natyra i ka përzgjedhur ata duke u falur talent e përmes aftësisë së tyre krijuese, janë përherë të gatshëm për të mjekuar plagët e shoqërisë përmes letërsisë dhe arteve si i vetmi ilaç kurativ për shpirtin e një populli.
Asnjëherë njeriu s'e mendon se do të bëhet shkrimtar, çdo gjë vjen kaq natyrshëm, saqë një ditë kur veprat e tij pëlqehen e kërkohen, nuk i besohet që është ai autori.
Krijuesi i mirëfilltë kurrë nuk shqetësohet të bëhet dikushi, por të bëjë atë që vjen nga shkëndija intuitive dërguar nga Universi. Ai nuk zë vend derisa ta arrijë atë. Për një krijues ka rëndësi të gjejë mundësi për të realizuar idenë në vepër, se çdo vepër vjen si ide dhe çdo gjë tjetër i shërben asaj e jo të zgjedhim tematikën për të sajuar ide. Kurrë s'më kishte shkuar në mend se një ditë do të shkruaja një libër për Skënderbeun, por ardhja e idesë më nxiti të shkruaj, ide që ngacmohet nga nyjet e kohës për të bërë një përpjekje për ta zgjidhur atë.
Çdo vepër arti, siç e thashë edhe më lart, vjen më parë si Ide përmes intuitës, e kur vjen, krijuesi s'gjen prehje gjer ta realizojë në vepër për të shpalosur atë para lexuesin, shikuesin, apo dëgjuesin. Intuita s'është gjë tjetër, përveç se sinjal i Zotit, apo të thënë në gjuhën e shkencës, sinjal i misterit, ajo të pickon trurin dhe të ndez shpirtin, të merr gjumin dhe të fut në kërkim të përhershëm për të realizuar atë në vepër dhe një krijues i mirfilltë këtë gjë e ka të qartë, mjerë ata që pretendojnë se janë krijues kur marrin punë me porosi të dikujt, apo të shtetit dhe ajo që e degradon krijuesin, është shabllonizmi, pa art, thjesht t'i përshtatet porositësit, ata që punojnë me "porosi" quhen punëmarrës, jo, më krijues.
Duke menduar kështu, kam arritur në përfundim, se Letërsia e Realizmit Socialist i shndërroi krijuesit në punëmarrës dhe letërsinë dhe artet në shërbim të propagandës e jo në shërbim të shoqërisë, unë as e ngre, as e zhduk këtë lloj "letërsie" por thjesht s'besoj se është letërsi, se ajo s'ka individualitetin e krijuesit, ndaj mendoj që ne nuk përfaqësohemi në thesarin e madh të letërsisë botërore, se s'ka letërsi të virgjër, ajo është e përçkunduar nga politika.
Lind pyetja: Si ka mundësi që një popull të mos ketë letërsi, kaq përbindësh qënka?
Për të përdorur një stil të qartë e të kuptueshëm për lexuesin, është pikërisht origjinaliteti i letërsisë së një kombi që e bën atë pjesë të letërsisë Botërore, nëse letërsia s'mban aromën e kulturës së popullit të saj, ajo kurrë s'mund të bëhet pjesë e asaj universale.
Ne s'kemi një letërsi të bëhet pjesë e asaj botërore e pse shpesh themi se ky, apo ai autor u përkthye në kaq, apo aq gjuhë të botës, por deri më sot asnjë shkrimtar nuk është me nivelin e kësaj letërsie, po të lexosh librat e autorëve të letërsisë botrore, biles qysh të klasikëve janë të lexueshëm, të pëlqyeshëm dhe magjikë dhe e dini pse ndodh kjo, se janë origjinalë, mbështetur fuqimisht në kulturën dhe jetën e popullit.
Jeta e njeriut, dëshirat, pasionet, dashuria... çdo gjë jetësore, ka qënë, është e do të jetë në jetë të jetëve për njerinë, ndaj ai auror që futet në indet e kësaj jete, bën kryevepra e atëherë vepra e tij i kapërcen përmasat e kombit të tij e bëhet pjesë e thesarit të kulturës botërore. Një letërsi me tematika të komanduara s'mund të japë kurrë mesazhe largpamëse shoqërië, përkundrazi do e çorodisë, do e qorrollisë dhe dashje pa dashje ajo (shoqëria) kërkon dikë ta marrë për krahu e duke mos e gjetur këtë mbështetje tek letërsia dhe arti, tek njerzit e kulturës, zgjat dorën tek shteti, por shteti u jep një dorë e me tjetrën u vjedh edhe qindarkat e fundit… shkurt; i skallavëron.
Për skllavërinë e një kombi, s’është përgjegjëse politika, por inteligjenca, njerzit e artit dhe të kulturës, krijuesit…

E bëra këtë parantezë, për të thënë se letërsia jonë është mbarsur me tematika të komanduara, shpesh me figuracione të pakuptimta për lexuesin dhe si e tillë, ajo nuk është e lakmueshme dhe më vjen keq ta them, por ajo krijimtari që nuk lexohet, s'quhet letërsi e për fatin e keq tonin, ne akoma nuk kemi një letërsi të mirfilltë, letërsia e Realizmit Socialist, thjesht merrte tematika të ditës, por nuk trajtonte, thjesht konstatonte dhe e lyente me bojra, thjesht për të kënaqur syrin pa e futur mendjen dhe shpirtin në punë fare, apo tema historike që e ngritën armikun tonë shekullor, në pjedestal, duke shfryrë kundër Turqisë, Italisë dhe Gjermanisë, që ishin pushtuesit tanë, ndërsa sllavët, ishin miqtë tanë të mëdhenj e ndërsa letërsia e para 1944 u ndalua, pikërisht se kishte tematika origjinale shqiptare dhe ajo që duhet thënë, se në atë letërsi kishte mendim të lirë, kishte trajtim të mirfilltë të tematikave dhe figuracioni ishte kryesisht shqiptar, pa lënë mënjanë dhe nga kultura botrore. Kjo bënte që në rininë time, për një libër të ndaluar prisnim në radhë për ta lexuar...
Shpesh më kundërshtojnë për mendimet që them për letërsinë dhe thonë: "Më mirë letërsinë e Realizmit Socialist se pa letërsi" dhe unë po u them: ne s'jemi pa letërsi, por ajo qëndron e varrosur në dorëshkrime, apo botohen dhe zhduken, ku janë botuar dhe tregut asnjë libër nuk qarkullon e pse thuhet se tirazhi ka qënë i madh. Porosia është; ashtu siç u dënuan autorët, tani të burgoset krijimtaria e tyre, se po të ishte vërtet dëshira e mirë, tregu i librit nuk do ishte rënduar nga librat e politikanëve dhe biografive të tradhëtarëve të kombit.
Shkrimtari në radhë të parë duhet të njohë veten, që të njohë veten, duhet të njohë prejardhjen, historinë e kombit, ngjarjet, ndodhitë, jo me sekuenca, por në kronologji, të gjejë shkakun që të dalë e qartë pasoja, shkrimtarët duhet të njohin librat e shenjtë, të njohin filozofinë, të njohin letërsinë, sigurisht edhe gjuhën të dinë ta përdorin ashtu me thjeshtësinë e saj për të dhënë mesazhe për të gjithë, pra të jetë e kuptueshme për lexues të niveleve të ndryshme e kjo arrihet kur kemi parasyshë ato që thashë më lart, por ç’po ndodh tek ne? Për fat të keq botohen e stimulohen “shkrimtarë” pa nivel kulturor dhe artistik e nxirren libra dhe mblidhen “kokat” e shoqatave dhe i krahasojne me Eseninin, Kafkën… deri tek Shekspiri i madh. Kjo lloj letërsie e degradon letërsinë, e lë shpirtin e popullit pa ushqim, ndërsa autorët e mirfilltë, edhe kur botojnë, mbeten në hije, apo nuk përfillen nga “tribunarët” e shoqatave, apo kjo kategori nuk duron fjalët boshe, pa asnjë bazë kritike të mirfilltë letrare…
Kam disa vite që po studioj për kënaqësinë time dhe për ndriçimin e mendjes një pjesë të veprës së Prof. Dr. Isuf Luzaj dhe ato që shkrova më sipër i kam gjetur në krijimtarinë e këtij gjigandi, i cili shkruan thjeshtë e jep mendime të mëdha, të kuptueshme për të gjithë, tematikat e tij në letërsi janë krejtësisht shqiptare. Kështu në tragjedinë "Princesha Rugina" e cila është botuar, trajton luftën heroike të Gjergj Aranitit dhe nxjerr shkakun e humbjes së tij nga ndërhyrjet e venecianëve, duke i vënë përballë me njëri - tjetrin princat shqiptarë, deri dhe brenda familjes, gjë që asnjë shkrimtarë nuk i jep aq vërtetësisht, kjo se nuk e njohin historinë dhe se ata që e njohin, e manipulojnë atë që të gjejnë mbështetjen e politikës.
Nuk kemi tragjedian shqiptar dhe me dëshirën e mirë për ta vënë në skenat tona, trokas në teatrin e Vlorës, por më largoheshin sikur të shihnin kolerën e ajo që më habiti më shumë, kur i dhashë një aktori skenarin e dokumentarit të nisur për jetën dhe veprën e Isufit, ju drodh letra në dorë dhe e ktheu rrëmbimthi e tha: "Ky ka qënë Ballist!" po kështu m'u dha rasti të takoj një aktor të Prishtinës dhe u luta ta vinin në skenë, por ai më tha: "Zonjë, teatri ka mbaruar... Na thotë drejtori: "Shkoni bëni ndonjë punë tek shtëpia, rrogën do t'a merrni..." e si të them se kjo realizohet, kur teatri egziston formalisht..." Më në fund takoj një të teatrit kombëtar dhe gjëja e parë që më tha ishte: "Sa personazhe ka tragjedia?" Mund të ketë rreth 15, i them me shpresë se meqë më pyeti për personaxhet do kishte ndonjë mundësi, por ai nënqeshi dhe tha: "Ti e shikon që në skena vihen monodrama, se projekti bëhet për dramë e hahen paratë, jo të ketë kaq personazhe e të pretendosh se do vihet në skenë..." Mbeta e befasuar dhe pësova goditjen e radhës duke m'u shtuar edhe një plagë tjetër mbrenda plagës së madhe të coptimit të kombit, ajo e shuarjes sonë përmes fikjes së kulturës dhe ndezjes së epsheve të korrupsionit.
Tani kam në dorë poemën e gjatë "Myneveri" e cila ndryshe nga tragjedia "Princesha Rugina", që është shkruar me stil Shekspirian, do të thosha se shkon më shumë me stilin Dantesk, me një gjuhë të pastër shqipe, ku gërshetohen ëmbël dy dialektet e gjuhës sonë, që për fat të keq në 1972 të ashtuquajturit akademikë shqiptarë dhe kosovarë, ia prenë njërin krah, gegërishten, duke e lënë përjetësisht invalide…
Shkrimtarit, që në fillim të një libri, intuita i ndez llampën e idesë së veprës që do të lindë, ndaj me mendjen e tij ai përcakton pikat ku do kalojë për të mbërritur atje ku ai dëshiron të shkojë, ndaj një shkrimtar që s'udhëhiqet nga intuita ndriçuese, por nga porositë, apo tregu, ecën pa orjentim, pa stacione, thjesht hyn në shina e të dalë ku të dalë...
Letërsia s'është thjesht dëshirë, as biznes, ajo është përgjegjësi… ai që luan me penën, ka luajtur me shpirtin e popullit, pa llogaritur shpirtin e tij që e ka shkelur, apo shitur para veprës së tij…

Sonntag, 17. Dezember 2017

Haxhi Muhaxheri: PESHA E KRYQIT

Haxhi Muhaxheri

PESHA E KRYQIT

Sonte
Dua të jem
Sy më sy me veten
Vetminë ta puthë në ball
Se kam ca llogari të hapura
Që më duhet ti mbyll
Përdhunshëm
I gjori unë
Oh...

Sonte
Deri në palcë
Kam për ta shijuar
Mungesën e Lirisë
Se shpirtin
Keq robëruar ma ke moj
He plastë kjo zemërmjera

Sonte
Në derën time
Mund të trokasin
Veç frymëzimet e çmendura
Që të shkruhet
Një këngë e re vajtimi
Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiii... Oiiiiiiiiih

Sonte
Oh... sonte e dashur
Veç një dëshirë e kam
Të vijsh lehtë - lehtë... ashtu porsi era
E të futesh thellë shpirtit tim
Zjarrin të ma shuash
E plagët n'shpirt të mi shërosh

Sonte o miq
Më leni të qetë
Se dua të pi
Te pi
Të pi
E të pi
Dhe vetës
Luftë ti shpall bre

Oh sonte
Në sy më ështe fikur drita
Qiellit flut'ron kaherë një shpend i zi
Dhe këngët keq më janë dehur
Medet...

Ku je Kosova ime
Dielli im
Ku je bre
Ku je o nënë
Bri zemre - loti po e shpon një gurë

Sonte
Eu sonte
U harroft kjo natë
Bashkë më emrin tim
O Zot...
Po e rëndë qënka pesha e kryqit

15 dhjetor 2017 / 02:22 h

Freitag, 15. Dezember 2017

Meraku i Kolit

Alketa Maksuti Beqari
Alketa Maksuti Beqari

Bisedat tona ishin të gjata, me orë të tëra. Flisnim për gjithëçka dhe ishim aq të lirë me njëri - tjetrin. Më mungon, më mungon shumë. Ishte pa komplekse. Temat vinin aq natyrshëm dhe përfundonin me energji të lartë kur preknim tek tema më e nxehtë e njerëzimit, seksi. Ajo po merrej me një studim mbi këtë temë, madje shkruante edhe tregime të tilla. Isha lexuesi i parë i saj. Mbaja qëndrim kritik shpesh dhe në një fjalë të vetme. Më dëgjonte me vëmendje. Ishim shok prej vitesh, e lexonim mendimin e njëri - tjetrit, unë guxoja gjithmonë duke ja shprehur dëshirën të bëja dashuri - seks me të, sikur një natë të vetme të ndodhte. Gjithmonë merrja të njëjtën përgjigje: Të kam shok. Shokë jemi prapë ia ktheja, më lejo vetëm një natë, e adhuroj trupin tënd, të prek lëkurën, të ndjej aromën tënde, por përgjigjia ishte jo. Kjo më tundonte më shumë, dreqi ta hajë ego mashkulli, doja të dija si bënte dashuri, imagjinata më pushtonte më tepër kur i lexoja shkrimet. Herë pas here e pyesja: Si personazhi i tregimit je ti? Qeshte më të madhe. Unë jam si personazhi, sepse e krijoj unë më shtonte nga pas. E dija që dinte të bënte bukur dashuri, trupi i saj ishte, o Zot si ishte. Sa mirë që keni vendosur të shkruani për të dhe krijimet e saj. Kur më telefonuat ngurrova, sepse na mbyt gjykimi. Por tashmë kanë kaluar vite dhe njerëzit duhet ta dinë që Ajo grua ishte reale, prekte ku na dhembte të dyja gjinive. Dua të kujtoj, dua të kujtoj se që ditët e para të njohjes tonë, madje që në takimin e parë unë e doja ta kisha në krah, nën trupin tim. Kur i hynim letërsisë, jetës sociale, profesionit harroheshim, ikte koha, fluturonte, ama kur ndizej biseda për seksin unë humbisja fare. Ishte ekstremiste, sa nganjëherë nuk e kuptoja si arrinte të ishte aq rezistente ndaj meje. Edhe kur mund të kishte lëkundshmëri, nxitje neuronesh dhe ne të shkonim në kulminacionin që unë doja, ajo dinte të kalonte situatën. E admiroja. Një natë ndodhi. Kërkoj foto nudo ti realizoja. Por i vendosa kusht që do jemi të dy nudo dhe do rrimë bashkë. Nuk do të prek pa dëshirën tënde u shpreha, nëse do më ndjesh, atëhere nuk di çfarë mund të ndodhë. Ramë dakort. Zgjodha qytetin më të dashur për të Parisin. Preva biletat. Dhe u nisëm. Të kërkoj ndjesë se as për kafe nuk iu pyeta, më rrëmbeu ngjarja.

U ngrit. Më përgatiti kafen.
Sa sheqer doni? - më pyeti.
Dy kuba.
Po përgatit edhe për vete. Dua t' ju shoqëroj.
Vendosi pas pak kafet në tabaka dhe i serviri.
Biskotat janë franceze. Pak ditë kam që u ktheva nga Parisi. Sa herë jam atje shëtis mbi Senë dhe anash saj. Si harroj dy ditët që ne qëndruam aty. Gjithë vitet tona përmblidhen në ato dy ditë. Kur arritëm në Paris më kërkoj së pari ta çoja tek Mulin Ruzhë. Atje ku Arti shkrihej me botën e erosit, atje ku kurtizanet ishin edhe kërcimtare, atje ku qartësisht u tregua se njerzimi vuan nga sëmundja më e madhe, hipokrizia, e aty maska çirrej. Shpërrthimi vullkanik ishte tek ai vend. Adhurimi i sensualitetit zaptonte meshkujt, i linte pa frymë. Sytë e lumtur e të shëndritshëm të saj i kam të paharruara, i shoh edhe tani. Shëtitëm gjatë. Në mbrëmje shkuam në hotel. Hyri e para në dush. Doli e mbështjellë nga peshqiri pas pak minutash. Mora aparatin dhe nisa setin e fotove. U shtri mbi krevat. Nisa shkrepjet e njëpasnjëshme. Ajo ishte fushë magnetike.
Ndali tregimin dhe piu ngadalë kafen. Mori një biskotë e ngjeu tek kafja.
Buzëqesha.
Veprova kështu për ta ndjerë më pranë qënien e saj. I pëlqente kafen ta shoqëronte me biskota. I hante shumë ëmbëlsirat. Ndoshta prandaj ishte aq e ëmbël. Por kthehemi tek ajo natë. Sa të çlodhesh pak i thashë po bëj edhe unë dush. Pas minutash në dush dola. I mbështjellë nga peshqiri normalisht. Ajo kishte fjetur. Gjumi i kishte dhënë nur bukurie. U shtriva pranë saj. Nga lodhja më zuri gjumi shpejt. Mëngjesi na gjeti ngjitur trupash si gjumi është. Ajo hapi sytë dhe tek më pa që e vështroja fytyrën e saj të dlirë më tha mirëmëngjes dhe qeshi lehtas. Nuk të preka si ta premtova i thashë, qeshi edhe më. U ngrita dhe nisa ta fotografoja. Nudot dolën të bukura, njëra është në kopertinë libri që ajo botoi si u kthyem nga Parisi.
Heshti. Ngadalë ngriti filxhanin e kafes dhe e gjerbi.
Prita.

Donnerstag, 14. Dezember 2017

Zija Çela: HARROVE KEPUCET, NJERI!

Kur u ndamë, më porositi të merrja taksi. Për tri arsye, tha: e para, ora vajti vonë; e dyta, bie shi dhe, e treta, shtëpinë e ke larg. Unë kisha një arsye të vetme që atij nuk ia thashë: pasi kisha paguar kamerierin, nuk më kishte mbetur asnjë kacidhe në xhep.
Ndihesha aq mirë, sa po mendoja se kujt t’ia dija për nder qetësinë e ëmbël që kishte zbritur tek unë: Florian Stafës që u ul rastësisht në tavolinën time, apo Kurtali Begut që hante darkë me të shoqen në krahun tjetër të sallës. Restoranti ishte plot dhe, sapo hyri, Floriani vërejti se isha vetëm.
- Ke dëgjuar gjë, - pyeti, - i ka vdekur babai Kurtali Begut?
- Ku di unë, - thashë.
- Maskarai, - murmuriti ndërkohë që buzëqeshte, duke ia kthyer përshëndetjen një çifti në tavolinat matanë.
- Kush është maskara? - pyeta.
- Ja, ai zotëria i rëndë që sapo përshëndeta. Koqe kandari është!
- Po pse e ndyn gojën dhe kush është zotëria që përshendete? - pyeta prapë.
- Kurtali Begu pra, - tha ai, duke u thartuar në fytyrë. - Pardje më tha se e kishte të atin duke vdekur dhe se i duheshin disa të holla borxh. Kush ia diskutoi! Sa të donte, pesëqind, një mijë euro. Mirëpo ka tri net radhazi që e gjej këtu bashkë me të shoqen. Monika e tij, ajo pipiruqja me frizurë luaneshe, nuk na paska zemër të shohë dikë që heq shpirt. Por edhe në shtëpi s’kanë tjetër njeri dhe e lënë plakun që të vdesë vetëm. Ja, - turfulloi duke u zgjeruar me bërryla në tryezë, - këtë nuk mund ta duroj.
- Çfarë nuk mund të durosh? - pyeta.
- Nuk mund të duroj që me paratë e mia, domethënë me paratë e mortit, të na kapardisen këtu me fileto peshku dhe verë Kianti. Dhe e di përse e bën këtë ai dudumi? Për t’ia shmangur, siç më tha mbrëmë, emocionet negative së shoqes. E marrtë lumi e marrtë, me gjithë atë shushkën e tij, madamë Monikën! - Në çast u kthye nga kamerieri dhe i tha të sillte Kianti edhe për ne. Mua do të më mbetej të paguaja ushqimin që kisha ngrënë. - Të tjerat i kam unë, - tha.
Pasi pimë verën, porosita edhe unë një Reisling për llogarinë time.
- E paguaj unë edhe këtë shishe, - tha ai, - ti meriton më tepër. Sa shumë ke bërë ti për babain tënd!
- Vërtet? - pyeta.
- Shumë, - përsëriti ai, - shumë ke bërë. Dhe ke mbetur shembull i paharrueshëm.
- Po çfarë kam bërë? - m’u zgjua dëshira që ta dëgjoja nga goja e tij.
- Kush e diskuton, këtë e di e gjithë Tirana, - dëshmoi ai. - Yt atë vdiq pak ditë para asaj të diele, kur ishte caktuar dasma jote. Atëherë ti e shtyve dasmën dhe të vdekurin e veshe me rrobat e tua të dhëndërisë, me kostumin, me këmishën, me këpucët.
- Kostumin jo, - thashë, - kostumi iu ndodh. Vërtet, të mbajtur e kishte, por nuk ishte aq i rënë. Unë i dhashë këpucët e mia, i kisha bërë me porosi, një palë këpucë bezhë, me lëkurë boksi, me thurje e me tokëza në rripin e siprinave. Edhe sot e kësaj dite s’kam më rast të kem këpucë të atilla me shollë!
- Do t’i kesh, - më paralajmëroi ai. - Madje shumë shpejt.
- Ç’thua?! - u rrëqetha.
- Do t’i dhuroj unë, - sqaroi ai, - ti meriton më tepër. Rrobat e dhëndërisë... këpucët! Nuk është e lehtë, ke lënë nam me tët atë!
- Po ty kush ta ka thënë? - m’u nxit kërshëria më tej.
- Ben Tufina ose Genc Mema, - tha ai. - Por ndoshta as njëri, as tjetri. E dinë këta të dy?
- E dinë, besoj.
- Duhet t’ua kesh thënë ti apo jo?
- E mësuan atëherë, kur më ftuan për konferencë në Shoqatën e Humanistëve të Rinj.
- Po Vera Shkalla nga e di? - pyeti ai.
- Vera është kunata e Vilma Bonatës, - thashë. - Unë punoj me Vilmën.
- Dhe asaj ia ka treguar Vilma? - ngulmoi.
- Jo, - thashë, - Vilma më ka njohur me Vera Shkallën dhe një mbrëmje, kur ra fjala për të vdekurit, asaj ia thashë unë.
- E po, Vilma duhet të ma ketë thënë, - u kujtua ai. Pastaj ndërroi mendje: - Apo mos ma ke treguar ti vetë?
- Edhe mundet, - thashë, - nëse më ke pyetur ndonjëherë. Kur njerëzit më pyesin, sado të dua, unë nuk kam si ta fsheh të vërtetën. Veçse dëshiroj që e vërteta të mos zmadhohet.
- Kostumin jo, këmishën jo, - i përshjashtoi ai. - Këpucët po, ë?
- Është e vërtetë, këpucët ia dhashë.
- Këtë ma ka thënë edhe Basri Alla, - pranoi ai. - E njeh Basriun, vëllain e Olsi Allës?
- E njoh, - thashë, - janë vëllezër binjakë. Binjakët më pyetën njëherë për tim atë, sepse diç u kishte përmendur kumbari i tyre, Sokol Kasmi. Pohova para binjakëve atë që i kisha pohuar Sokol Kasmit, me një fjalë, këpucët me thurje.
- Do t’i kesh, - më siguroi prapë.- Vetëm kam një lutje.
- Ç’lutje? - pyeta.
- Ta lëmë këtë bisedë tani, se nuk duroj dot më, dhe të pimë një Kianti tjetër.
- Paguaj unë, - më shkau goja.
Dhe kështu, përveç ushqimit, pagova edhe Kiantin e mbeta pa një kacidhe në xhep.
- Ç’maskara! - murmuriti Florian Stafa kur po ngriheshim.
U rrëqetha përsëri, sepse e kisha fare pranë dhe ai foli me sytë nga unë.
- Kush është maskara? - u befasova.
- Kurtali Begu, - tha ai. - Ia paska mbathur, trapi. Hajde merre vesh se në ç’lokal e ka çuar të shoqen për ndonjë akullore me kapuç. E njeh këtë njeri? - pyeti kamerierin për mua.
- E kush nuk e njeh robin e mirë, - ia priti kamerieri. Më hodhi një vështrim plot respekt dhe vazhdoi: - Në këtë botë janë të rrallë bijtë që bëjnë për baballarët atë, që ky njeri e bëri.
- Po ty si të paska rënë në vesh, - u pataks Florian Stafa, - ta ka thënë Ben Tufina, Genc Mema, Vera Shkalla apo Vilma Bonata? Ta kanë thënë vëllezërit Alla, Sokol Kasmi, Loro Çuni, Fredi Lika, Skifter... Apo e ke dëgjuar në Shoqatën e Humanistëve të Rinj?
- Jo, jo, - sikur u tremb nga ai regjistër kamerieri, - ma ka thënë vetë zotëria. Një mbrëmje, këtu në restorant. Dhe unë jam përlotur duke e dëgjuar, ishte me të vërtetë mallëngjyese.
- Po bisedonim për modelet e këpucëve, - sqarova Florianin, - u përmend modeli me thurje dhe...
- Këpucët do t’i kesh patjetër, - e përmbylli bisedën ai. Pagoi pjesën e tij dhe jashtë më porositi: - Bën mirë të marrësh një taksi. Për tri arsye. E para...
Pa shqiptuar mirë të tretën, unë isha nisur më këmbë për atë arsyen e vetme. Megjithatë, duke u ndier thuajse i lumtur, çalltisa pa përtesë. Binte një shi i pistë, si për të na kujtuar se balta që shkelim këtu poshtë, ngjitet edhe atje lart. Nuk kisha bërë as njëqind hapa, kur dikush më thirri në emër.
Ktheva kokën vrikthi. Retë kishin zbritur deri poshtë dhe unë pashë një njeri të zhytur në mjegull nga kërcinjtë e këmbëve deri në qafë.
- Përse stepesh, - pyeti, - nuk po më njeh?
- Po, - fola i llahtarisur, - më dukesh si im atë.
- Më njohe nga këpucët, - tha ai.
Mbante pikërisht këpucët e mia me thurje. Ngjyrën bezhë e kishin ende të freskët, sikur sapo kishin dalë nga kallëpi i këpucarit dhe tokëzat e nikeluara ruanin një shkëlqim të pacënuar në rripa.
- Më duket se xhepin e ke bosh, prandaj po ec më këmbë? - pyeti.
- Prandaj, - thashë, por gjithnjë i lemerisur nga pamja e tij prej të matanshmi.
- Kot trembesh, - u përpoq të më qetësonte. - Unë e di se fantazma e të atit pak fjalë i thotë Hamletit, por aq mjafton për t’u derdhur tërë ai gjak. Po të flisnin të vdekurit, ndoshta mbarë bota do të shembej, prandaj nuk është mirë që ata të flasin... Por ti mos u tremb, unë ende nuk jam tamam një i vdekur dhe nuk kam as ndonjë gjë të madhe për të të thënë. Ecim?
- Ecim, - thashë.
Dhe lëviza i pari, duke ngjeshur krahët pas ijeve, nga frika se mos e cikja me bërryla.
Edhe ai lëvizi, por kollitej herë pas here dhe nga krikëllimat që dëgjoheshin, e merrja me mend se gjithë trupi i shkundullohej.
- Po të përcjell deri te Rrapi i Trishit, - tha, - aty ku ndahen rrugët. Pastaj unë marr për në varreza, ti drejt shtëpisë. Ke bërë shumë për mua, mor bir!
Kafshova gjuhën. A thua shiu më kishte depërtuar në kocka, sepse më dridhej dhëmbi për dhëmb. Një copë udhë s’e hapa më gojën, edhe ai më shoqëronte në heshtje.
- Të ndaloj një taksi? - tha pastaj. - Paguan Florian Stafa. Unë për vete nuk lagem, por ti je bërë qull nga këmbët. Këpucët s’i paske gjë, - i pikasi të miat.
M’u duk se nxori trupin edhe pakëz nga mjegulla që e rrethonte dhe, duke e ngulur vështrimin në këpucët e mia prej igeliti, koka i mbeti e rënduar poshtë, si të mos i bindeshin plotësisht vertebrat e qafës. Sipër mbulesat e këpucëve më ishin plasaritur, duke krijuar hapësira për ujin.
- S’ka veçse katër a pesë muaj që i kam blerë, - fola si i zënë në faj.
- Kurse këto, - tha ai dhe ngriti njërën këmbë për të treguar shuallin e këpucës, - kanë pesë vjet e s’duan t’ia dinë. Dhe të mendosh se sa baltë ka atje ku jam unë, mor bir! Nuk presim pak nën strehë, është më mirë për ty, - propozoi im atë.
Më tërhoqi në trotuar nën një ballkon të katit të dytë, ku kishte ca rrangulla të stivosura, që i ndriçonte një llambë neoni. Megjithëse avujt, tymi dhe mjegulla që e rrethonin nuk iu ndanë, m’u duk se aty arrita ta shihja disi fytyrën e tij, por shenjat e veçanta kishin humbur: gropëzën e mjekrës dhe vranjat e rralla në faqe ia mbulonte një push i rimtë, i dendur dhe i rrasur; përmbi sytë me atë të bardhën e sedefit, i bënin hije ca qime të forta vetullash, të mprehta e të ngritura përpjetë si çufra bari të thatë; ndërsa krifa e flokëve, e ajrosur mirë prej rrallimit dhe shkëlqyese prej thinjave, i taftonte para e prapa, sepse i qe rritur shumë.
- Baba! - më vloi zëri në grykë.
- Mos u nxito, mor bir, - ma ktheu ai, - unë prandaj kam ardhur. Të lashë në një moshë, kur njeriut nuk i rritet më as trupi e as këmba. Kështu që, besoj, këpucët prapë do të të rrinë mirë.
Ai u përkul, koka iu krodh në mjegull, ndërsa poshtë u shfaq një dorë që doli nga avujt dhe e mbërtheu me gishtërinj njërën këpucë te thembra.
- Çfarë bën, baba?! - e ndalova gjithë siklet, por pa guxuar ta prekja.
- Asgjë, mor bir, veçse po t’i kthej, - tha ai.
- E nga e di ti se ato këpucë kanë qenë të miat? - pyeta.
M’u bë se dëgjova një psherëtimë. Nxori kokën nga mjegulla dhe m’u gjegj:
- E di, bile qysh ditën e parë në varreza. Edhe jeta e ruan inercinë e vet për pak kohë dhe atje, në varr, unë të dëgjova kur po mbaje fjalën e Lamtumirës. Sa u ngashëryen njerëzit me fjalët e tua: “Baba, për ty nuk më është dhimbsur as shpirti, jo më të më dhimbsen këpucët e martesës!” Por edhe kur u bëre me djalë, unë nga këpucët e mora vesh sihariqin. Duhet të ketë qenë hera e parë që e merrje në krahë kërthinin, se i the: “Ti s’mund ta kuptosh tani, more pëllumb, se çfarë jam unë për ty, por prindërit janë të shenjtë për fëmijën. Unë as këpucët e dhëndërisë nuk i kurseva për tim atë!” Pastaj ato këpucë u përmendën shumë herë, shumëkund dhe nga shumëkush. Ato prandaj kanë mbetur kaq të reja.
Fjalët e fundit i shoqëroi me lëvizjen e këmbëve. Pashë se këpucët i kishte hequr dhe se shputat e tij të zbathura lëshonin një verdhimë të fortë damarësh në çimenton e lagur.
- Po ç’ke me të tjerët, baba, njerëzia le t’i përmendë këpucët, ç’punë të prishet ty!
- Njerëzia?! - thuajse e rrokëzoi fjalën ai. Ishte i detyruar ta ngrinte zërin, sepse shiu binte me rrëshekë dhe në rrugë kishin vërshuar ujërat. - Njerëzia asnjë punë nuk më prish. Por ndoshta, ngaqë ishin taksur për dasmë, këto këpucë janë të magjepsura pas teje: ato nuk i binden asnjë zëri tjetër, veç zërit tënd. Merri, mor bir!
I shtyu me gishtërinjtë e zbathur, duke i afruar ndanë këmbëve të mia. I kisha aq pranë, sa më dukej sikur do të më kafshonin. Ç’i doja unë këpucët e të vdekurit, ku t’i çoja? Tani që hodhe lumin, vjen të më thuash të dhjefsha kalin, më erdhi t’i kujtoja. Por më kishte rrëmbyer lajmi i tij i fundit dhe fola ndryshe:
- Ç’është kjo magjepsje e kjo magji, unë nuk jam magjistar, baba. Mos je gabuar?
- Të vdekurit nuk gabojnë, mor bir, - tha ai. - Ata vetëm pendohen për gabimet që kanë bërë dhe, pas pendesës, kërkojnë prehje. Këto këpucë nuk po më lënë të prehem. Sapo nis të më zërë gjumi i përjetshëm, ti dikund i përmend, ato e njohin zërin tënd dhe më japin shtrëngime në këmbë. Këpucëve vazhdimisht u shkundet pluhuri e s’kalben asnjëherë, kurse mua vazhdimisht më del gjumi i dheut dhe nuk arrij të prehem... Boll pra, boll! Më lër të vdes, o bir, më lër të vdes!
Një furgon i zi e ndali vrullin ndanë trotuarit, duke na ndërprerë me gërvimën fishkëllyese të frenave. Pasi shoi fenerët, dikush uli xhamin e derës dhe m’u drejtua:
- Kam porosi nga zoti Florian që t’ju përcjell me makinë deri te Rrapi i Trishit. Ti je vetëm a me kënd?
- Jam me tim atë, - ia ktheva.
Por në të njëtën kohë që tjetri po qeshte në makinë (të paktën ashtu m’u duk), babain nuk e pashë më gjëkundi, sikur ta kishte përpirë toka. Kishin mbetur aty vetëm këpucët bezhë, fringo të reja, me thurje e me tokëza te rripat. Uji po hipte mbi trotuar dhe unë isha në hall se ç’të bëja me to. Nuk isha i sigurt nëse Floriani më kishte punuar ndonjë reng, nëpërmjet një njeriu të veshur tebdil, për të më thënë se edhe mua më përbuzte njëlloj si Kurtali Begun, apo kisha takuar me të vërtetë fantazmën e tim eti. Rrebeshi s’kishte të pushuar dhe ajo qetësia e mëparshme, që kishte zbritur tek unë, tashmë ishte tretur.
Pas pak, furgoni i zi ndaloi përsëri dhe kur unë po zbrisja, ai që rrinte në timon më foli:
- Harrove këpucët, or njeri. Mua nuk më bëjnë, po si zor t’i bëjnë dhe kujt tjetër... Do t’i marrësh apo t’i çoj prapë në varreza?
Kishim arritur atje ku rrugët ndahen.

Samstag, 9. Dezember 2017

Viron Kona dhe vëllimi “Thashë, të bëhem edhe unë poet!”

Ibrahim Hajdarmataj
Nga Ibrahim Hajdarmataj
Kryetar i OJF “Mësuesi”, Publicist, Tropojë

Dallgë poetike

(Duke lexuar vëllimin “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit Viron Kona).

       Këto ditë lexuesit dhe kritika u njohën me vëllimin poetik  “Thashë, të bëhem edhe unë poet!” të shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë shqipe Viron Kona. Libri ka redaktor Zeqir Lushaj, recensentë Sadulla Zendeli-Daja dhe Kadri Tarelli, konsulent Dr. Bajram Mejdiaj dhe Sejdo Harka. Libri fillon me shënimin e autorit: “Ja kushtoj këtë vëllim me poezi Liljanës sime të shtrenjtë, që më ka qëndruar pranë për 40 vjet të jetës sonë bashkëshortore, duke ndarë me mua vështirësi dhe gëzime, por edhe duke më mbështetur me përkushtim të plotë në rrugën e krijimtarisë  letrare”. Pas leximit të këtij përkushtimi të sinqertë, që njëherazi na bënë të mendojmë për jetën e qëndrueshme bashkëshortore dhe shenjtërinë e saj, para syve të mi kush e di pse shfaqet edhe një pamje tjetër, një realitet negativ, që e gjejmë me bollëk në kohët e sotme dhe që na trondit: Si në ekranet e televizorit, më dalin përpara skena gjyqesh pa fund në Tiranë dhe në rrethe, gjyqe të ndarjes së çifteve burrë-grua, që për nga shumica dhe motivet e ndarjes, përbëjnë një shqetësim mbarëshoqëror si dhe prishje të atyre ekuilibrave të jetës bashkëshortore. Një çift, që kishte vetëm 4 muaj martesë, ndahet me vendim gjyqi, se nuk ju “puqën” karakteret?! Nuk ju “puqën” karakteret, apo martesat nuk janë të sinqerta që në zanafillë? Sepse, siç del, në mjaft raste martesat nuk kanë bazë dashurinë e sinqertë dhe mirëkuptimin, por teka dhe interesa meskine, marrëdhënie të kushtëzuara dhe që ndërvaren nga përfitimet e pasurisë apo për shkak të modaliteteve të shfrenuara. Sikurse, disa lidhje bashkëshortore, shkojnë në ndarje edhe për shkak të dhunës barbare të burrave patriarkalë ndaj grave të pambrojtura, që u mohohen të drejtat më elementare. Si pasojë vjen prishja, tronditja dhe shkatërrimi i familjes, lënia në mëshirën e fatit të jetës së fëmijëve, që përbëjnë në thelb edhe të ardhmen e kombit.

       Pikërisht, me anë të këtij vëllimi të shkëlqyer poetik, Viron Kona, me fjalën e mençur dhe artistike të shkrimtarit bashkëkohor, jep dhe shpërndan në hapësirën mbarëshqiptare ndër të tjera edhe mesazhin e shenjtërisë së jetës bashkëshortore, të marrëdhënieve të pastra dhe të shëndosha mes burrit dhe gruas. Më kujtohen vitet kur kam punuar mësues e drejtor shkolle në Malësinë e Gjakovës, veçanërisht në Gjimnazin  e Zogajve. Kur dilja nëpër fshatra dhe i këshilloja bashkëfshatarët e mi “Mos i poshtëroni vajzat e vogla duke u vënë emrat: Çbane (Ç`bëre që nuk linde djalë, por linde vajzë!);Pulë (qëndrim përçmues, që vajza të jetë e bindur, kokulur, e urtë dhe pa fjalë); Bubë (femra të jetë e vockël si insekt); Shkurtë (të jetë e fundit që lind femër, pas saj të lindin vetëm djem). Gjithashtu i këshilloja: Bashkëshorteve tuaja, u thërrisni me emër dhe jo:  “A ndjeve?” (domethënë “A më dëgjove?”),  “Ku je?” (pa i përmendur emrin); apo, i thërrisnin bashkëshortes me emrin e fshatit nga vinin nuse dhe asnjëherë në emrin e tyre: “Oj e Kolgecaj!”, “Oj e Zogajve?”,   “Oj e Lekbibajve!” Kështu ishte zakoni, kanuni në Malësi, flasë për vitin 1964.

      Në vazhdim të këtij artikulli dëshiroj të nënvizoj bukurinë erotike të poezisë “Mos më thuaj s`të thashë!” Vajza sheh nga Hëna,/e sheh, s`ia heq sytë,/pret me padurim,/t`i japë porositë. T`u bëfsha moj hënë,/ndalu dhe më prit,/dashurinë time,/bëje tufë me dritë! Pastaj, vajza e dashuruar bashkëbisedon me hënën për marrëdhënien e saj me djalin që dashuron. Me një gjuhë të bukur ndjenjash autori shprehë përfytyrimet e vajzës se si do t`i shkojë takimi me të dashurin e saj: Siç e sheh moj hënë,/po më digjet xhani,/do t`i shkojë vetë,/le të bëhet nami!/Në gji do ta marrë,/do ta puth me mall,/nuk dua t`ia di,/çdo të thonë n`mëhallë./Më tej e kupton,/ si do shkoj kjo punë,/atë që do nisim,/do ta çojmë në fund./Si drerë e sorkadhe,/do rrokemi, do qeshim,/s`do lëmë gjë pa bërë,/sa të vijë mëngjesi.

      Nuk e di pse më bëri krejt për vete poezia “Mos u dorëzo!”, e cila tingëllon si një thirrje optimiste: Mos u dorëzo!/Më përsëriste babai,/këshillën e vyer,/të jetës./ Kështu,/ gjyshi atij,/unë birit, bijës,/nipit dhe mbesës... Interesante janë poezitë që marrin në mbrojtje fëmijët dhe rrëfejnë aspekte nga jeta e tyre e pafajshme fëmijërore, ndërkohë që kujdesi dhe edukata e tyre duhet të rritet dhe të zhvillohet në forma sa më të zhdërvjellëta, duke shmangur gjithnjë rastet e  keqtrajtimit dhe të dhunës. Në këtë kuadër, ka bukuri dhe vlera poezia: “Në parkun  lodrave”, një poezi e thjeshtë por e natyrshme: Në parkun e lodrave, luajnë fëmijët,/hidhen, kërcejnë, zhurmojnë me gaz,/njëri i hipën kalit, tjetri makinës,/i treti imiton gjeneralin në paradë....Dhe pasi përshkruan llojshmërinë e lodrave, ku theksohen zgjedhjet dhe dëshirat që kanë fëmijët e që janë të shumta, autori përfundon me vargjet me kuptim mjaft domethënës: Sytë u ndritin, u zgjohen pasionet,/në startin e jetës hareshëm zhurmojnë, /botën e tyre, botën e së ardhmes/me imagjinatë e fantazi  e projektojnë. Po aq  interesante është poezia “Gjyshi kokëfortë”, ku rrëfehen me humor dhe satirë dobësitë e gjyshërve në rritjen e fëmijëve. Ata, ngaqë i duan shumë nipërit dhe mbesat e vogla, i falin për gjithçka dhe i përkëdhelin me tepri`, duke nënvleftësuar veprimet dhe sjelljet negative të tyre, që duhen kritikuar me takt dhe kujdes, që fëmija të mos i përsërit gabimet herë tjetër: Fqinji i një kati më poshtë,/Banushi që mbante bastun kur ecte,/gjyshin e Valbonës ndali në shkallë,/me kujdes e takt i bëri një vërejtje:/“Nuk e di, o fqinj ç` ndodh lart te ju,/por bam-bum, dëgjojmë kur vjen mbrëmja,/mos vallë ajo mbesa, çamarrokja  e vogël,/zhurmon duke luajtur me lodra?”/Gjyshi, që s`pranon asnjë vërejtje për mbesën,/e kapi inati dhe i a ktheu me qesëndi:/“Përpara se për mbesën time të bësh vërejtje,/shko te doktori i veshëve, vizitohu, or zotëri!” Ai mendon se për përgjigjen e rreptë që i dha fqinjit, në familje do t`i jepnin të drejtë, por, ata, nuk ishin në një mendje me të, sepse vërtetë vogëlushja i kishte bërë ca zhurma dhe i kishte shqetësuar fqinjët e një kati poshtë. Kur kritika ndaj gjyshit arriti kulmin, madje ai vihet në loja nga gjyshja: Mbase, o plak, t`i vërtet s`ke faj, /zhurmat mund të mos i kesh dëgjuar,/se, pambukun që vë në vesh  herë pas herë,/ duket që brenda veshëve e ke harruar./Gjyshi vuri gishtat tek të dy  veshët,/vërtet me pambuk i kishte të zënë,/e, ndërsa ata në shtëpi vunë buzët në gaz,/ai gjithë zemërim u mbyll në dhomë. Poezia është mbajtur në tone humori dhe dashamirësie, si të thuash “qesh e ngjesh”. Pas kritikave, gjyshi me sedër të lënduar mbyllet i zemëruar në dhomën e tij dhe mbron ende me kokëfortësi të dukshme mendimin e tij: Nga dhoma dëgjohej zëri i gjyshit kokëfortë,/që vente e vinte dhe thoshte i zemëruar:/“Sa herë që dikush, vërejtje për mbesën do t`më bëjë,/ unë veshët me pambuk do t`i kem të bllokuar!”

      Kanë origjinalitet, art dhe vlera të natyrshme edukative poezitë: “Pulëbardha”, “Zogjtë e pyllit me mua uji pinin”, “Përfitim nga mirësia”, “Për një fjalë e për një thumb”, “Ajri është plot nerv e gaz”, “Nuk e gjen në çdo udhëkryq”, “Ruaju nga qeni i tërbuar”, “Pendimi i vonë”, kjo e fundit tregon se njeriu duhet të sillet mirë dhe t`i dëgjoj e respektojë prindërit, pasi, kur vjen koha që ata nuk janë më, pendesa e vonuar nuk ka më asnjë vlerë: Sa do të doja që dy prindërve,/t`mos ua thyeja zemrën kurrë,/por ç`e do se koha s`kthehet,/pendimi s`më bënë më punë!

      Është mjaft e ngrohtë poezia “Baulja e nënës sime”. Nëna mbante atje sendet e saj më të çmuara, ato nuk ishin xhevahire, flori apo sende të arta, siç mund të mendohej, por, sende të vyera, që familjet shqiptare i kanë ruajtur e trashëguar si kujtime të shenjta nëpër vite, dekada dhe shekuj. Të tilla si flamuri, veshjet e lashta me qëndis-ma dhe filigran, vizatime kalash, vizatime me motive popullore floreale, unaza, piktura kalorësish dhe trimash fisnikë: Nëna u përkul në baule,/nxori prej andej një flamur  me shqiponjë,/Ky, tha, është flamuri  i dasmës sime,/kur nga Berati erdha nuse me kalë në Vlorë. Dhe në vazhdim: E shikon, o bir, këtë unazë të florinjtë?/ Është nga kohë të vjetra që s`mbahen mend,/nusen kur ta marrësh do t`ia vësh në gisht,/kurse ajo, nuses së birit tuaj të shtrenjtë. Poezia mbyllet me vargjet kuptimplote:Siç e sheh, o bir, baulja nuk ka flori,/as argjend dhe kartëmonedha me vlera,/veç këto  vogëlima që më ngjallin dashuri,/trashëgim nga koha jonë, për kohët e reja...

      Ngjall interes të veçantë poezia  “Vallja e ujqërve”, ku autori godet rreptë luftën e klaneve mafioze që likuidojnë dhunshëm njëri - tjetrin, për pasuri dhe pushtet, por edhe për t`u lartësuar padrejtësisht, duke shtypur më të dobëtit. Me një gjuhë të lakonike, poeti krijon vargjet: N`pikë të dimrit të uritur,/kur bora gjithçka mbulon,/ia nisin valles së njohur:/“Më i forti mbijeton!”./Rreth rrotullohen në vallen e egër,/skërmitin dhëmbët, ulërijnë,/ai që në valle përdhe rrëzohet,/qoftë i bekuar, ushqimi ynë! Njëri ra,/ “oh, ç`fatkeqësi”!/S`kemi ç`bëjmë, /c`est la vie!/ Vaktet vijnë njëri pas tjetrit,/me potere vallja vazhdon,/në këtë botë kafshësh të egra,/“Më i forti mbijeton”!

      Poezia që mbyll vëllimin titullohet “Një çift mështeknash të bardha”, të cilën autori ia kushton bashkëshortes së tij të shtrenjtë, Liljanës me 55 pranvera të lumtura, një poezi kjo plot dashuri dhe ndjenjë: Sot në 55 - vjetorin e lindjes, /unë dhe e tërë familja t`urojmë, /qofsh e lumtur përgjithmonë,/u  bëfsh dhe 100 vjeçe Liljana jonë!/S`këmbyem xhevahire për dashurinë,/veç zemrat si harta gjeografie i hapëm,/u betuam sinqerisht për besnikërinë,/ rrëfyem ndjenjat dhe shpirtin e pastër. Dhe në vazhdim: Shtëpinë e kemi një tempull të shenjtë,/zjarrin në vatër  kurrë s`e kemi shuar,/në zemrat e njëri-tjetrit ngrohtë jetojmë,/me mirëkuptim dhe duar shtrënguar./Kur ka ndodhur që n`dimrat e jetës,/befas  është shfaqur ndonjë ngricë,/përpara se dielli ta shkrijë me rreze,/e ka shkrirë zjarri i fortë i dashurisë.... Dhe, në përfundim autori shkruan: Bashkë me mua t`urojnë,/Amantja, Anisa, Tolini, /vogëlushja Diorë bën një urim të veçantë:/Jetë të gjatë sa qielli nona Lili!”

       Si çdo libër i shkruar me ndjenjë, zemër të pastër e talent, edhe këtë libër nuk e lëshon nga dora, madje, gjatë leximit, të lind dëshira të bësh edhe nënvizime për gjëra që nuk dëshiron t`i harrosh, herë -herë edhe i kthehesh faqeve që ke lexuar. Nuk është një libër që rrëshqet qetë dhe pa u ndjerë, si të kënaqesh me shijen e një limonade dhe aq, por, leximi i librit më krijoi idenë e lëvizjes së gjërave, ndjeva në poezitë e tij nevojën për ndryshim e zhvillim, ndaj duke u shprehur në mënyrë figurative, them se libri vrullon në faqet e tij dallgë poetike, që vënë në lëvizje mendimin, ashtu si dallga ndihmon lëvizjen e anijes në det. Si mësues dhe drejtues në shkolla, shpreh mendimin se libra poetikë, si ky i Viron Konës, janë nga ato lloj librash, që duhen rekomanduar për lexim edhe nëpër shkolla, në orë letrare, pasi edukojnë të rinjtë me norma dhe koncepte të natyrshme të jetës, veçanërisht të dashurisë dhe jetës bashkëshortore. Libri bën “thirrje” për të ruajtur traditat më të mira të popullit tonë, lidhur me qëndrueshmërinë dhe bazën e fortë sociale të familjeve shqiptare. Sot, kur shohim disa aspekte ligjore apo sociale të rritjes së vigjilencës për mbrojtjen e grave dhe të vajzave nga dhuna, nga paragjykimet apo nga qëndrimet kryeneçe dhe abuzuese dhe absurde të disa burrave, ky libër merr një rëndësi edhe më të madhe, ai ndihmon me gjuhën e artit poetik, zgjimin e mëtejshëm të shoqërisë për të mbrojtur liritë dhe të drejtat e femrave shqiptare.

Çfarë duhet të ndjejmë kur lexojmë Medean?

Alketa Maksuti Beqari
      Kjo ishte pyetja e parë që më pushtoj teksa e mbarova së lexuari. Medea është një grua që shkon përtej të qënit nënë Apo është nëna që duke parashikuar pasojat e veprimit të saj kryen aktin më të tmerrshëm ndaj fëmijëve të saj, kthehet në vrasëse?
      Pse ndodh kjo me një grua, me një nënë?
      Përballja me rrethanat që jeta i krijon dhe dashuria për burrin e detyrojnë të çvishet nga shpirti i butë e delikat si shpirti i një vajze është dhe të kthehet në vrasëse më parë me anëtarët e familjes së vet tek dera e babës e më pas tek shkatërrimi i jetës së saj deri aty ku thika prek gjakun e saj, dhimbjen më therrëse.
     Dashuria verbon dhe nuk lë të shohësh qartë rrugën ku ecën.
     Lëndimet e kësaj lloj dashurie detyrimisht çojnë vetëm në fatkeqësi, sepse lindin në rrugë të tilla si është etja për pushtet dhe para.
     Duhet ta fajësosh dhe varësh këtë grua apo ta quash të marrë dhe ta lësh në fatin e vet deri sa Zoti ta marrë duke e lënë në lëngimet dhe vuajtjet e tmerrshme deri sa shpirti t'i dalë.
     Po kush është Medea?
     Pse pikërisht u krijua ajo nga Euripidi me këto dimensione?
     Pikërisht një njeri që u ndje i përbuzur nga shoqëria e atëhershme dhe kur nuk u përkrah? Pikërisht Ai që vdiq në tjetër Tokë, i dëbuar?
     Janë këto rrethanat që ky stoik parashikoj jo vetëm që do godiste shoqërinë e atëhershme, por çdo shoqëri të çdo shekulli e viti që do jetonte njerëzimi.
Sado ta përbuzësh mençurinë e dijen e një njeriu që ka ardhur në Tokë me misionin për të qënë Gjeni, asgjë dhe askush nuk mund ta përulë e përçmojë.
     Vet kryeveprat e Tij flasin. Edhe pse në të gjallë të Tij mbeti i pavlerësuar, mijëvjeçarët i referohen.
     Për këtë qëllim Ai krijoj Medean, sepse kur ngrihet dora e një gruaje, nëne pushteti, shoqëria, njerzimi tronditen nga themelet dhe goditen më fort, më ashpër. Pushteti dhe paraja nuk janë asnjëherë gjithçka sa është Dashuria mes njerëzve. Dashuria mban gjallë, dashuria frymon, bën që njerzit të ecin dhe zhvillohen. Dashuria ngre shpirtin të ndjehet i lirë dhe i paqtë, largon ligësinë, cmirë, urrejtjen.
     Ajo është triumfi i jetës jo vetëm tek njeriu në Tokë, por edhe tek Zotat në Qiell, të cilët e krijuan njeriun për këtë qëllim.
Euripidi krijoj një Medea duke e lënë çdo lexues që e lexon veprën në mëdyshje, ta dojë apo urrejë këtë grua, ta mbrojë apo dënojë, të ndjejë keqardhje, mëshirë apo neveri?
     E tmerrshme! Makabër!
     Është aktuale Medea sot.
     Është, jam e detyruar ta pohoj.
     Sepse shpesh herë lexoj tituj lajmesh të një nëne si Medea.
     Akte që të lenë pa fjalë dhe të futin në mendime.
     Arsyet sado kokëforta të jenë nuk ka fjalë që t'i justifikojë.
     Truri i njeriut është një mister. Misteri, i cili e shtyn një nënë të shkojë deri në këtë pikë, e di vetëm ajo.
     Unë them, pohoj se rastet ngjajnë me njëra- tjetrën.
     Nëse shoqëria do të ishte një perfeksion( kushte ideale të jetesës së njeriut, familjes, komunitetit, fshatit, qytetit, shtetit, shteteve) a do të ekzistonte Medea?
     Po një Euripid?