 |
| Adem Gashi |
SHPJEGIM TË HUAJVE PËR DRININ E BARDHË
është një lumë në Kosovë
që buron nga guri i Bjeshkëve të Nemuna
një lumë shkumëbardhë
që shtegton në takim me vëllanë
Drinin e Zi
ndryshe nga ç’e shihni në hartë
më njëmijenëntëqindetetëdhjetenjë
u bë postier
e mori në gjirin e valëve
letrat e bardha me shkronja të zeza e gjak të kuq
mesazhe të studentëve demonstrues
për matanë
në Shqipëri
i vetmi shteg i kalimit të kufirit
që s’njihte postbllok tela me gjemba polici
ME T’MBARUE SHEKULLI XX
m’u arratis me ik me shkue n’Shypni
kish andrrue njimij e nji herë
nepër tela me gjemba nji gardh me korrent
nepër plumba qorr
ma mirë i vramun a dekun se gjallë n’vorr
kufi vend i premë
shtatë pash nder tokë
shtatë pash nalt n'qjell
me t’mbarue shekulli XX
nepër ‘i derë trishtimi kambë e krye ra n’ferr
e nuk pushoi me e dashtë
të tjerat veç mundeni me i marrë me mend
MEDITIM PËR PRANGAT
i plakur shekulli XX me plot tetëdhjetedy
unë pothuajse i ri
pa i mbushur tridhjetë
prangat në duar
në makinë
anash dy policë me uniforma fringo
u dashka provuar dhe këto gjëra në jetë
matanë xhamave me tela
liria e ajrit dhe e rrezeve
dhe një dallëndyshe
nga ç’legurë qenkan bërë këto pranga
dy gjysmëharqe që mbyllin një rreth
për të menduarit ndryshe
RRËFIMI I GRUAS SË SHEFIT TË UDB-së
NË PROVINCË
edhe atë trohë burrëri që pati
im shoq
e la korridoreve të pista të hetuesisë
e kthinave me klithma e lagështirë
dhe nuk e pati vështirë
të bëhej urë
ama hoqi shumë derisa më bëri kurvë
tashti në demokraci
jetojmë në kryeqytet
dhe jemi qytetarë të respektuar
SAGË PËR BATOT*
midis përrallës dhe historisë së perandorisë
po zgjedh variantin e shembjes
kur ra si një dinozaur
ngrehina e Ilirisë
sepse në fushëbetejat gri
griheshin e priteshin desidiatët e breukët*
dehur me sabai*
po qe për të pirë pinin batot
tashti Bato-ja shkrirë në një si një eunuk
tjerr lesh tërkuzë
këmbëkryq në studio të tv-së
bato të tjerë të majtë e të djathtë,
zhvishen deri në palcë në qendër reflektorësh
derisa nga dhembjet i merren mendtë e këmbët
Kosovës
__________
*Çuditërisht, prijësit e të dy fiseve ilire kishin të
njëjtin emër: Bato!
*Fise ilire
*Lloj pije ilire
P I K A
e thamë ç’kishim për të thënë
domethënë rrëfyem
për gjëra të çuditshme të rëndomta fantastike
dhe i lamë vendin në fund një shenje
një pike
një pikë na la në mendje në zemër
në kujtime
një pikë peng ajo që iku
i rëntë pika pikës
që s’u mjaftua me vënien mbi i-në e vogël
NJË MILION VJET
kjo është parahistoria:
një fshatar goditi një gur me qysqi dhe çekan
dhe guri pa qenë sezam u hap
si gojë së pari pastaj si derë
mrekulli e GADIMES shpellë e mermertë
ky është çasti:
jashtë po bie shi i pranvertë
në labirintet e shpellës shiu i përjetshëm
derdh pikëllimin e pritjes së gurit
në LIQENIN E LOTËVE
kjo është ardhmëria:
speleologët thonë
(dhe ky nuk është mit)
duhet një milion vjet atje
për t’u bashkuar stalagmiti me një stalaktit
e ç’është një milion për një bashkim
dashurie
pos sa çasti i këtij shiu për takimin me ty
I K J E
po fluturoj me një avion ëndrrash
s’e di se kah s’e di për ku
e di se pa rrënjë
s’ka pemë s’ka lis s’ka dru
e di se ti je diku
me një tren-kalë gjok a dori
po rend horizonteve pafund
më tund po s’më mund
një shpirt i humbur i zi
monstrum
e bardhë një velore më përkund
valëve të qilimit oqean
jam unë a deti kaq babaxhan
edhe në stuhi e erë
lëmë timonin pa timonier
kaq qe
një ikje-fluturim larg realitetit
mos më kërkoni tani
në tri përmasat e planetit
jam me flatër në një të katërt
PËR SYRIN TËND E TË TJERA
mos fol mos shkruaj mos u duk për të gjallë
unë e di ti e di
të tjerët mund ta marrin me mend
rri aty ku je rri
mjaft më trazove më tundove
më ngjethe mishtë
me atë sy’në e fshehur pas perdes
në kullën e fildishtë
rri pra rri botërisht sa s’e kam shpallur
mos u duk mos shkruaj mos fol
po të panë rastësisht
do t’u them: shenjtërisht është ngjallur
në trupin e një gruaje një shtojzovalle
GISHTËRINJTË
i pashë duart e tua të bardha të buta të pastra
dhe m’u vjetruan figurat në çast
qenë duar të qelibarta
kur u përshëndetem
vura re se epitetet megjithatë çalojnë
janë të pasakta
m’u dridh ethshëm truri mishi skeleti
s’qenë gishtërinjtë e tu ah gishtërinjtë
po të tmerrshmit dridhmuesit tela korrenti
SEÇ KISHA NDËRMEND T’JU THOSHA
e mendoj detin me yje e qiellin me lule
dhe shiun e florinjtë të rrezeve si ndërmjetës
hapësirë e duhur
për t’u ngjizur dashuria
kur them dashuria kam parasysh njeriun
domethënë ndjenjën në të tashmen
as e shkuar as e ardhme
as e falur si lëmosha
tjetër është tjetër ajo që doja t’ju thosha
mendoj gjëra të ndryshme po ç’rëndësi ka
se ç’them e ç’mendoj unë
lodhur nga mosgjëja
nga shkronjat flutura që mbyten në një lumë
seç kisha ndërmend t’ju thosha
ndoshta asgjë më shumë
veçse t’ju dhuroja diçka që t’ju bëja të lumtur
KALENDAR I HUMBUR
e gjetëm me gruan si krejt rastësisht
brenda ditëve tona të zhurmshme
e netëve të pagjumit
pak fletë të zverdhura pak fletë të grisura
të muajit të mjaltit të muajve të burgut
e pandehnim të humbur
më 4 korrik të tetëdhjetenjëtës
atë e zunë të prerat e para të lindjes
të lindjes së parë
u nisëm tek stacioni i autobusit të linjës
pranë shkollës ku dikur qeshë arsimtar
nxënësit e fshatit si një kor zogjsh
nisën pëshpërimën:
po vjen Ademi me Dritën
të djegur e pandehnim padyshim
arkivin e ndjenjave të vuajtjes të pasionit
ja që ndijat nuk na paskan lënë
shpërthejnë së thelli nga fundi i honit
veçse nxënësit e fshatit e fëmijët tanë
madje edhe ne
tashti kemi të tjerë kalendarë
PËR RESHPJEN
Fredi
baj be se ti je gjallë
e po pi sonte me mue fernet
si në t'nandëdhetën
Asht tjetër punë qi tjerët përreth
nuk kanë sy me t'pamë
qysh me heshtje bërtet:
erdhi koha të vdes përsëri
Be po t'baj
jemi vetëm na të dy
as krejt gjallë as krejt dekun
gand përpjekun
PROFILI TJETËR I NJË GRUAJE TË AZDISUR
(pos trillit mos ia kërkoni shëmbëllimin)
më ka rënë ta shoh ju ka rënë ta shihni
shpesh
gjithandej hapësirash sallonesh shfaqjesh
herë fshehur herë në shesh
njëmend e çuditshme sa e vetëkënaqur
me pamjen shëndetin sukseset
me të veshurat mbathjet
krejt si një vepër arti në vargje ngjeshur
veç kur nata nxin me vetminë
në labirintin e saj tragjik
shpërthen një magmë me gjëmë e dhimbtë
prej zgërbonjës së shpirtit cinik
më ka rënë ta shoh ta shihni ju ka rënë
me profil të gënjeshtërt një grua të azdisur
është koha për ta lënë
në vetëkënaqësinë e lustërt të ditës
VËLLAMIRI
fjalëmbajtës mund të ketë pasur
njëqind e një njëmijë e një
njerëzimi
në kujtesën e popujve megjithatë
hyri e mbeti vetëm një
Konstandini
prandaj motrat tona
derdhin lot të kristaltë në shami jasemini
për vëllamirin
KARTË E DJEGUR
unë s’kam stoli floriri e smeralde për ty
krejt çka mund të bëj
janë ca rima varur në kangjele malli
goja nuk më bën të them se iku dhe një ditë tjetër
si një kartë e djegur
derisa hiri nuk është ftohur ende
them se unakët thellë tij
rrinë edhe natën ndezur
REGJISTROJE KËTË
po e nisim kështu:
je më e bukura me gjithë ç'vetëkupton bukuria
dhe e mençur domosdo
po unë s'të desha për të parën
as për të dytën jo se jo
eh, po ta dija...
dhe është kaq vonë ta marrë e mira
regjistroje këtë megjithatë
për çastet kur të të trokasë vetmia
NDJEKËSI DHE KËNAQËSIA E TË NDJEKURIT
nuk ndjek po jam i ndjekur
ah ç’kënaqësi
duhet të m’i ndjekë hapat gjurmët Ai Tjetri
edhe hijen dhe të më bëhet Hije e dytë
Ai s’ka orar itinerar
nuk e njeh hapësirën kohën
nuk i shikon të dhënat sinoptike të motit
është Ndjekësi Ai
dhe të vetmen busull ka të ndjekurin
nga pas
(domethënë mua)
me dhuntinë e nuhatjes prej kafshe Qeni
më në fund e kuptova
unë jam dirigjenti për të e për shefin
e Tij
orkestër e simfonisë së turpit e ligësisë
tani po fle pa kënaqësi
për sa më zgjat gjumi Ai është i lirë
QIELLI U MBUSH ME RE 1.
mund të rrinim gjithë ditën tek asnatasdita
po ja, u ndezën dritat
gjithë natën mund të rrinim tek asditasnata
por u zhbë hëna, ja
e ndezi zjarret inkandeshentë dielli
ditët javët muajt stinët
ngarendin e ndjekin ciklin
atë të përjetshmin
ku rrojmë ne të përkohshmit me grimca imitimi
mund të rrinim... e pe ç’thashë e dëgjova ç’the
mjaft tani se qielli u mbush me re
QIELLI U MBUSH ME RE 2.
mjaft tani
mund të iki unë mund të ikësh ti
pa ditur ku qemë e ku do të vemi
u lëmë radhë
gjërave të paqena, fjalëve
(ishin a s’ishin këtu këputësit e luleve)
mund të ikësh ti mund të iki unë
flurudhës së një plumbi
para se qiejt të shembin furtunë
QIELLI U MBUSH ME RE 3.
me re mllefi e mërzie të ndarjes
qiejt edhe mund t’i shembin furtunat
se ne qemë ardhës
që nuk njiheshim më parë
dhe ditëve ua thithem nektarin
ndoshta kështu qenka struktura e dashurisë
një amalgamë hyjnore
e prerë të rritet
midis toke e qiejsh
VAJI I NJË FËMIJE
gëzimet harbuese të ditës
mënjanë
a nuk e dëgjoni një fëmijë që qan
një zë që vjen fundbotshëm
e t'i këput gjymtyrët
një lot faqes së lëmuar uragan fytyrës
mund të jetë dhe vetëm për një lodër
fare të vockël
e ç'rëndësi ka ç'rëndësi
oh sesi prishet ritmi i botës
kur qan një fëmijë
PËR KORBIN, KORBZINË
ç’ngulni e ngulmoni tek ai i poemës së Poe-s
një sendërgji e skëterrshme nate
një sajesë
korb është ky i natyrshmi
përtej të shkretëtirtës të bardhë e të verdhë
i bukuri me të vezullimtën e zezë
me kostumin e përjetshëm e solemn
të vdekjes
...dhe përse u dashka
ligjësi e natyrës të shembet të humbë
për shijen tonë uniforme e meskine
korb i lavdishëm të bëhet pëllumb
Puna si gazetar më jep mundësinë të realizoj intervista me njerëz të fushave të ndryshme.
Por kur është fjala të realizosh intervista me temë mbi sex-in vështirësohet biseda, diskutimi.
Unë i mirëkuptoj të intervistuarit, sepse fjala intimitet është e para që respektohet. Por duhet edhe të jemi të lirë, të hapur të këmbejmë mendimet. Jemi në shekullin ku teknologjia i përket fizikës kuantike dhe për sex-in flasim si të jemi në epokën e gurit. Aman po ta marrësh hollë - hollë ata kanë qënë më të lirë se ne. Por nuk dua të dal nga tema.
Ka intervista që të mbeten në memorje, sepse thënia e personazhit, të ftuarës më futi në mendime.
Dikush do më thotë se nga kjo besedë mbi sex - in me të ftuarit edhe unë marr leksione, përparoj.
Natyrisht, është e vërtetë.
Sex-i është eksperimenti i dashurisë. Sex-i është burimi që të çon tek dashuria.
Por kur e ftuara ime pohoj që është fizika pika nevralgjike e sex-it, shtanga, e kundërshtova menjëherë.
Unë nuk e pranova, edhe ju si unë nuk e pranoni këtë thënie.
Megjithatë, fizikantëve iu lejohet pak çmënduri, ndryshe do ishim pa ligje sot.
Këmbëngulja e të intervistuarës, fizikantes më la pa fjalë.
Pse?
Sepse kanë argumente si gjithmonë.
Çfarë më tha: Nuk ka rëndësi në shtrat nëse udhëheq burri apo gruaja lojën e dashurisë, rëndësi ka sa të dy e njohin fizikën.
Po unë që nuk e njoh, tjetri, tjetri....e të tjerë si unë tregon se nuk jemi të aftë të bëjmë sex, domethënë dashuri?
Sa përqind e njerëzve e njohin fizikën, ligjet?
Drejt me thënë kur ne meshkujt prekemi tek pika e dobët tona, burrëria edhe nxehemi pak, se e fundit prandaj jemi burra.
Fizikantja me qetësinë e saj foli:
Ligjet e fizikës janë brenda trupit tonë, ne jemi të ndërtuar prej tyre, nuk ka rëndësi nëse di fizikë, askush nuk lind i ditur, mëson.
Prandaj jemi ne të shpjegojmë rëndësinë që ka fizika mbi sex-in.
Zhvillimi i kësaj lënde, shkence, sidomos në këtë drejtim, ndikimi i saj do sjell më shumë ndikim tek trupi i njeriut dhe si ta shfrytëzojë energjinë, sienergjinë e tij.
Pyetjet e mia të përgatitura në skaletën time, dolën jashtë loje.
Biseda mori tjetër rrjedhë.
Më duhej të ndërroja taktikë, të tregohesha më i mençur.
Kjo ndodh kur fton fizikanë në intervista, dalin të papritura.
Më falni, ju drejtova që po ju pyes hapur: Ju i njihni mirë ligjet e fizikës. E quani veten, grua sex-i, ju ngacmojnë meshkujt e tjerë dhe sa eksperiencë keni ju me meshkujt?
Prisja të skuqej në fytyrë. Desha të " hakmerresha" për ne që nuk dimë fizikë, domethënë nuk dimë të bëjmë sex.
Prapë qetësisht u përgjigj: Nëse do përjashtoja veten nga ky përkufizim, do privoja veten nga të qënit grua. Meshkujt tek çdo grua shohin ose kërkojnë të zbulojnë si janë në shtrat, sa mirë dinë të bëjnë sex. Nuk ka rëndësi sa është numëri i meshkujve dhe kjo të jep eksperiencë. Eksperiencën në sex e merr edhe me vetëm një mashkull, rëndësi ka sa ai të dashuron dhe ti atë.
U bëra tym. E kundërshtova prerë. Nuk është e vërtetë i thashë. Aventurat, çasti, momenti, këto të gjitha të japin përvojat e sex-it.
Por edhe ajo u tregua e prerë, ma ktheu: Janë përalla.
Nuk janë përalla i thashë.
Me seriozitet më shpjegoi: Sytë nëse shohin me sytë e dashurisë, flirti, aventurat, eksperiencat mbi sex-in realizohen, i dashuri dhe e dashura mësojnë njëri - tjetrin. Gjithëçka tjetër është teori e servirur, është biznes.
Nuk jam aspak dakort me ju, u shpreha dhe jam i bindur se edhe ju kështu do pohoni.
Vendosa ta zija mat me pyetjen e rradhës: Do guxonte i dashuri tuaj t' ju lidhte dhe të provonte si është kjo ndjesi e të bërit dashuri?
Buzëqeshi dhe u përgjigj direkt:
Nuk lidhet dashuria, nuk lidhet një grua.
Dashuria është liri, gruaja zotron lirinë, ajo ta dhuron lirinë e saj.
Kam gjithë këto ditë duke lexuar në internet, dua ta kuptoj pse fizika është pika nevralgjike
e sex-it.
Recension nga Pal SOKOLI
Ibrahim Kadriu: "Të vdekurit e gjallë", roman, Koha, Prishtinë 2017
Romani i shkrimtarit Ibrahim Kadriu, “Të vdekurit e gjallë” përfshinë një periudhë të caktuar kohore, një klasë politike të caktuar dhe gjithë krajatat e popullit në këtë rast të shqiptarëve të Kosovës gjithashtu në një hapësirë të caktuar. Prandaj edhe citatit, “Luftën e bëjnë heronjtë, qeverisin maskarenjtë dhe fitojnë horrat” te Viktor Hygojt, Ibrahim Kadriu ja ka gjetur fushat e shtrirjes ne Romanit e tij, i ka shtrirë personazhet sikur peshkatari i mirë rrjetën e peshkimit dhe i tërheqë rrëfimet e personazheve duke i lidhur mirë si një tërësi letrare. Ky roman përfshin një periudhe gati njëshekullore dhe karakterizohet me studim historik ne kohe dhe hapësire të njohur gjeografike si dhe përfshinë njohuritë teorike, tematike te historiografisë përkatëse nga autori Ibrahim Kadriu.
Fabula e këtij romani fillon me personazhin e parë David Petriçin i cili i ofenduar nga një nofkë ofenduese “Derr shqiptari” nga i ashtuquajturi baba i tij Radomir Petriçi fillon dyshimi për identitetin e tij të vërtetë. Në fillim ja pashë për të madhe se përse autori deshifron aq herët përkatësinë e mundshme të tij nacionale, por pastaj pashë se ajo nofkë ishte një cytës dhe nxitës i ngjarjeve dhe e vetmi rast për ta kapërcyer depresionin qe kishte kapluar Davidin pasi i ashtuquajturi baba i tij ja përsëriste sa herë qe kthehej nga Cafe “Carica” në shtëpi të ai dhe e shoqja e tij Viktoria. Edhe pse kishte raporte te tilla me te ashtuquajturin baba, një ditë duke kaluar përskaj Cafe “Carica” sheh të ashtuquajturin baba qe kishte acaruar marrëdhëniet me miqtë e tij. Davidi i ndihmon babait te tij për te dalë fitimtar dhe dëgjon edhe nofkën tjetër” Kopil Shqiptar” për te dhe për Radomirin si baba i kopilit shqiptarë.
Edhe pse nga ai moment Radomiri bëri kthesë në qëndrimin e tij ndaj Davidit, ky i fundit nuk ju nda kërkimit të identitetit të tij. Ne Spitalin e Paliqit, Davidi i gjënë të gjitha të dhënat për të dhe prindërit e vërtetë të tij. Agon dhe Blerina Dreni nga Prishtina ishin prindërit e tij. Shkrimtari ynë Ibrahim Kadriu këtë ngjarje e bazon në fakte historike dhe se ngjarja nuk është shumë larg nga rrethi shoqëror i shkrimtarit. Fati i rikthimit te Davidit është i përcjell me përjetime dramatike në jetën e tij. Për çudi si model të një shqiptari qe ai nuk i njihte më parë në Novi Sad, e qe përmes Mirelës një studente nga Rumania njohu Bledar Prushin që është si protagonisti i dytë i këtij romani.
Bledar Prushi- (para se të burgosët quhej Safet Proja) duke qenë dëshmitar i një ngjarje qe kishte ndodhur në magjistralen Deçan-Gjakovë kur në një postbllok të policisë serbe nen komandën e policëve u ndal një makinë me targa nga Peja-Pe dhe ju kërkuan dokumentet, vozitësi në vend të dokumenteve i tregoi tytën e një revoleje dhe vrau policin në vend. Edhe pse nuk kishte të bëj me rastin, u kap nga policia dhe u dënua me 4 vite burg. Safet Proja dy vite i mbajt në Dubravë dhe ishte dëshmitar i masakrës se Dubravës ku u vranë 170 dhe u plagosen 300 të burgosur. Safet Proja edhe dy vite të tjera i kaloj në burgun e Mitrovicës se Sremit dhe nga aty doli me identitetin e ri Bledar Prushi e jo me emrin e vërtetë Safet Proja. Derisa personazhi i parë Davidi( Diellori)kërkonte identitetin e tij, personazhi i dytë Safet Proja ikë nga identiteti i tij dhe vazhdon jetën me emrin e ri Bledar Prushi. Safet Proja gjoja ishte vrarë në mbrojtje të familjes se tij dhe si ushtarë i UÇK-së ju kishte ngritur një përmendore në oborrin e Shtëpisë se tij. Derisa ai me emrin Bledar Prushi jetonte në një podrum të një avokati qe Bledari e kishte shpëtuar nga një mbytje në lumin Danub e qe quhej Desimir Ristiç. Ky pas denoncimit te Radimir Petriçit ne gjykatë kundër tre paramilitarëve serb qe kishin vrarë dhe masakruar shqiptarë në Kosovë merr anën e Bledarit dhe Davidit dhe këmbëngulë ne dënimin me burg të kriminelëve të luftës; Zoran Mariç, Gojko Bazhdareviç dhe Nikolla Gavella. Rreth emrit te Safet Projes si ushtarë ishin krijuar mite te ndryshme trimërie nga një grup njerëzish të cilët kurrë nuk kishin kontribuar për bashkëkombësit e vet por kishin krijuar gjithashtu një identitet te rremë dhe përfitonin dhe qeverisnin.
Bledari vendosë të braktisë vendlindjen dhe ti kthehet protagonistes tjetër të këtij romani Mirelës. Mirela ishte ajo qe i njohu në mes veti Davidin dhe Bledarin, lidhje kjo qe doli se Mirela ishte trashëgimtare e një shqiptari tjetër Adem Vrajolli nga Braina e Karadakut i cili kishte ikur në prag të luftës se dytë botërorë në Rumani dhe ishte shpallur si i vdekur pasi nuk dihej për 50 vite për të. Pas 50 vitesh shkruan një letër dhe lajmërohet si i gjallë dhe kthehet motrës se tij te vetme të gjallë. Autori luan me personazhet, identitetin e tyre, duke u dhënë atyre role historike dhe realiste të përfaqësimit të se shkuarës, të sotmes dhe perspektivës. Kthimi i Ademit në familje pas 50 vitesh sikur në legjenda Konstantini Doruntinës ose në një të kaluar kthimi nga asqeri turk në familje, përfundon me lumturi ashtu siç përfundon edhe Davidi- Diellori i cili e gjënë identitetin e tij si shqiptar dhe i kthehet jetës i lumtur të prindërit e vërtetë të tij Agoni dhe Blerina dhe të vëllai Diellori dhe Dafina. I vetmi qe vazhdoi aty ku e kishte lënë Ademi ishte Bledari qe kthehet të Mirela ne Rumani. Përgjatë gjithë romanit zhvillohet një dramacitet në kërkim të identitetit. Për masakrat, dhunimet dhe plaçkitjet gjatë luftës se fundit në Kosovë autori i nxjerrë në pah nëpërmes personazheve autor të krimeve. Bledari na mbetet borxh shumë në këtë roman se nuk u kthye në Kosovë identitetit të tij dhe ta rrënoj përmendoren e rrejshme dhe se bashku me të edhe gjithë përfituesit e rrejshëm rreth asaj përmendoreje. Davidi përmbysi vdekjen e vet si shqiptarë, përmbytë edhe jetesën e vet 23 vjeçare si serb dhe i kthehet jetës normale si shqiptar ne Kosovë.
Romani ka një sfond të besueshëm historik, ndërthurjet e pik vështrimit kundrejt një paanshmërie apo rindërtimi historik. Autori i ndërlidhë nëpërmes rrëfyesve një proces të përvetësimit selektiv të së shkuarës dhe në përfaqësimin e një të tashmeje, cilësisht të dallueshme nga e dëshirueshmja.
Romani “ Të vdekurit e gjallë” na paraqitet si një rilexim kohe, si shtrat i kohës rrëfimtare, kohës si kujtesë shpirtërore, të kohës se sotme ku prapë ka ikje nga identiteti edhe pas 20 viteve liri dhe pavarësi, i kohës se Faruk Nezave dhe kohës se konfliktualitetit të brendshëm me dallime ideologjike. Romani ka njëzet kapituj dhe 285 faqe me një dramacitet qe lexuesin e mban pezull deri në përfundimin e leximit.
Unë jam seksi i dytë?
Ti që je seksi i parë
më lakmon, sa më admiron.
Në çdo petal të luleve
Mbi trupin tim kërkon
Të prekësh, të marrësh aromë.
Në enigmë, në fshehtësi,
Gjithë gjithëçka kërkon
Lojën time të trupit e fjalës
Misteri i lozonjares të frymëzon.
Ti që je seksi i parë
më dëshiron, sa më adhuron.
Në çdo kurrorë dafine, ulliri
Mbi kokën time kërkon
Të ndjesh, në paqe të jesh.
Në magnetizëm, në busull
Gjithë gjithëçka do
Tërheqjen time të orientuar
si Toka rreth Diellit e ëndërron.
Unë jam seksi i dytë?!!
 |
| Fran Tanushi |
Nga libri "Shkalla e Diellit"
SHKALLA E DIELLIT
në një vend
atje diku mes bjeshkëve
ku dielli lind vonë
e herët perëndon
është dhe një shkëmb
në formë të germës „V“
shkalla e diellit i thonë
në kohët e lashta
kur nuk kishte kalendar
malësorët matnin motin
me diellin në shkallë
dhe kur ajo „V“ binte
te shkëmbi i rrëzuar
aty
kur dielli puthte atë rrëzimë
vendësit thonin
erdh dita e ver‘s
është e shtata ditë
pas të shtatit mars
dita kur verë markja
nëna ime
u bë Nënë
DY DASHURI
Në një tavernë në qytetin e lindjes
të një buzëmbrëmje të qetë verore
poeti me të birin kuvendon
Kush të pëlqen më shumë Jozef
Gjakova a Augsburgu
Gjakova qytet mbi Krenë
me Dri dhe Erenik përbri
fusha e kodra përreth
Augsburgu i lashtë
me lumenjtë Leh e Vertah
në një fushë të rrafshët
Në të parin lindi nëna e Nënës Tërezë
në të dytin baba i të madhit Moxart
Të dyja janë të bukura babi
dhe për të dyja ndjej dashuri
Në Augsburg lindi Bert Brehti
në Gjakovë i podrimesi - xhaxhi Ali
Në njërin kam lindur dhe unë
e në tjetrin ke dhe lindur ti
SHTEGTAR
ti që shkele shumë rrugë të botës
por malli të ktheu atje ku u linde
e sheh atë Shtëpi atje
në atë oborr të gjerë
me dyer nga lind dielli
e me dritare që vrasin terrin
nga lindja në perëndim
mes atyre pemëve të llojllojshme
ca të prera ca të rrëzuara
si piktura në kornizën e thyer
mbështjellur me hardhi
si me vargje poetike
në të dikur jo shumë moti
kanë jetuar shumë njerëz
dhe një poet i bjerrë fatit
që maceja e zezë udhën ia preu
sot zërat në të janë rralluar
barin oborrit hëna po ia djeg
e dielli ka nisur të soset
TITULLI JE VETË TI
e di se Ti ke diell mbi krye
e prush votre për brinjë
e kam ditur qëmoti
se ti i pjek bukët më të shijshme
për gjithë të shkapërderdhurit
që iu dhe
dhe i do në gji
e shoh
me sytë e zemrës së përvëluar
oh
me sa dhembje e shoh
se si
ti
kërrusesh përditë
me pritjen e plumbtë në shpirt
KU MBET DASHURIA
kot e kërkoni dashurinë
ajo ka ikur
labirinteve të jetës
dikush ia dha e tha
e rrëmbyen poetët
e futën në vargje
e kthyen në këngë
e gjëmën ia bënë
e fshehën
mes kopertinave të librave të trashë
prej të zezave ta shpëtojnë
PRITJA E VONUAR
edhe sonte
ashtu si mbrëmë
tërë kohën nuk u bëra rehat
ndjeva se pritja u vonua
dënesja zvarritjes trasenë ia shtroi
pashë
tej dritares xhamthyer
kur diçka
drejt qiellit u ngrit
e pasi shkundi retë e rënduara
tek unë Ra
TI QË MË VJEN E IKËN ME NATËN
shfaqesh si një vetëtimë
rrufe në qiell pa re
yll i shkëputur në mesnatë
mbrëmë m'u diftove në ëndërr
mendova se të kam pranë
e mua më doli gjumi
të kërkova gjithë ku munda
t’i mbaja në mend vetëm sytë
humbe si një pikë uji në det
ëndrrat i more me vete
brenda qiellit të syve tu
edhe sonte mbeta vetëm
jeta s'qenka ëndërr
ëndrra një oqean i pafund
çelësin e portës dëshirave ua fsheh
EKZODI
sa çuna qe ikën edhe këtë vit
pa bujë e pa zhurmë
prej qytetit tim të rralluar
e harruan nëpër bulevarde
njomakët e rrugëve të kalldrëmta
fëmijërinë e tyre plot gjallëri
vrapuan strehëve të metropoleve
për një jetë me vasha veshur allafrënga
e minifunde të hapura në mes
në kërkim të mollës së artë
prej kopshtit të fshehur nga dielli
të një vjeshte të ardhur vonë
vajzat belholla përkundin ëndrrat
me mërzinë e pritjes së gjatë
të një kohe që nuk duket kund
PSHERËTIMË NË ERRËSIRË
në thellësinë e një nate të errët
yjet u tretën në lartësi
për çudi dhe hëna ra të fle
kohë e mbytur në mërzi
shpirti i parehatuar rrotullohet
sipër një dysheku të ri
pabesisë iu vranë epshet
ëndrrat u zhveshën një nga një
psherëtimat e dhembjes rriten
natës duke ia vrarë qetësinë
RRUGA E GRAFITEVE TË GRISURA
ëndrra të këputura në mes
enigmë e fshehur në pagjumësi
me petka të leckosura veshur
shtatit ia mbështjellin pafajësinë
në shoqërim të gjykuesve të mëkatit
tatëpjetës numërojnë shkallët e fatit
rrugëve me grafite të grisura
jetës nën këmbë ia grithën tokën
s‘e di se cili tha për ta diçka
e flijuan veten për të sotmen
RITI I FLIJIMIT
rrugëve plot me gjemba mbushur
nën këmbë të zbathura gjakosur
pluhurin moteve ua kam shkundur
në uratim të fatit të (pa)shkruar
himnin e vdekjes mortit ia këndova
si të ishte këngë e fisit tim të lashtë
s'jam mësuar me ligjin e nënshtrimit
nga erdh ai që mbolli këtë farë
trishtueshëm në vete e ndiej kujtimin
koha e mbushur me përjetime
edhe lisat i plaku i bëri të brishtë
përballë motit t'sertë fatit iu përkulën
kurrë s'do t'ia mësoj ritin flijimit
atë rit të lidhur me mëkatin jetim
ku jeta vdes e vdekja lind
TITULLI I HUMBUR
Gjithnjë e më shumë po ngushtohesh
për masën e kostumit të ri
të janë tkurrur dhe telat e zemrës
a të mbeti kund vend për dashuri
Nëse ndonjëherë edhe do të vdesësh
kjo nuk do të vijë nga shëmtimi
ty do të të vrasë bukuria jote
mohi i dashurisë – mallkimi
Ti je shumë e bukur për t'u dashur
madje dhe ty ajo të tremb
ruaje vetë dashurinë sa jetën
mos të ta vrasë bukuria - dhëmbë
 |
| Nga Gani MEHMETAJ |
Letër Kuvendit e Kryeministrit të Republikës së Kosovës
Kosova është i vetmi vend në Evropë ku varret e të krishterëve e myslimanëve janë të ndara, ku të krishterin me asnjë çmim zyrtarët komunalë nuk lejojnë ta varrosin në varret komunale.
Bashkësia Islame e Kosovës me ndihmën e zyrtarëve komunalë ua ka ndaluar shqiptarëve katolikë e protestantë t’i varrosin të vdekurit aty ku varrosen myslimanët. Sipas arsyetimeve të zyrtarëve komunalë nuk mund të përzihen varret, sepse, thonë ata, u fyekan myslimanët!
Ndarjen e varreve të shqiptarëve sipas fesë e ka bërë pushtuesi turk, e ka thelluar pushtuesi serb dhe po e vazhdon përçarjen pushtuesi i ri- Bashkësia Islame e Kosovës që e bënë ligjin të ne, i terrorizon shqiptarët e fesë tjetër dhe ata që nuk janë besimtarë.
Zyrtarët komunalë, të ndërsyer nga BIK-u e forcat më antikombëtare i nëpërkëmbin shqiptarët e krishterë, i terrorizojnë e i fyejnë me të nisur procedurat e varrimit. Në Gjakovë kur qeveriste M. Kusari një shqiptari ia shkulen kryqin nga varri, në Prishtinë para dhe pas luftës ua kanë përdhosur varret, në qytetet tjera, "shumica myslimane" i terrorizon shqiptarët e krishterë, por gjërat heshtën për hir të “tolerancës fetare!”
Kur priftërinjtë e pastorët ankohen në instancat më të lata, zyrtarët tonë u thonë: "Nuk mund ta lejojmë varrimin e të shqiptarëve të krishterë me myslimanë, sepse nuk do ta lejojnë myslimanët, nuk e lejon as Bashkësia Islame e Kosovës. Po ua dhamë lejen, natën do t'ua rrënojnë ekstremistët islamikë, ashtu sikurse po ua rrënojnë, ndërsa jemi të pafuqishëm t'u dalim në mbrojtje!"
Ç'do të thotë kjo? Se myslimanët e BIK-ut e paskan të drejtën absolute të varrimit në varrezat e caktuara nga shteti? Se myslimanët u lënduakan nëse hapet një varr i të krishterëve pranë varrit të myslimanit? Se shteti qenka vetëm i myslimanëve? Apo se shteti u dorëzua para kriminelëve që përdhosin e rrënojnë varre?
Ku jetojmë zotëri të nderuar deputetë e kryeministër? Në Evropë, ku varret e të krishterëve, myslimanëve, hebrenjve e budistëve nuk ndahen, apo në shtetet islamike, ku i krishteri nuk guxon të varroset pranë myslimanit? Si është e mundur që edhe pas 18 vjet çlirimi shqiptarët e krishterë diskriminohen, kurse myslimanët privilegjohen, ashtu si i privilegjoi dikur Serbia. E lejoni ju edhe më tutje këtë diskriminim të pafalshëm e kriminal? Pajtoheni ju që shqiptarëve të krishterë t'u ndalohet varrimi në varret e komunës që pa të drejtë i ka pronësuar Bashkësia Islame? Jemi shtet laik apo islamik? Duam të vazhdojmë me modelin e Bangladeshit, Arabisë Saudite e Iranit, apo duhet të marrim modelet e shteteve evropiane, SHBA-ve e Kanadasë?
Patëm mundësinë ta merrnim traditën e mirë të Shqipërisë, ku bashkëkombësit tonë (ortodoksë, katolikë, myslimanë e ungjillor) i varrosin në një vend. Por nuk e bëmë, e morëm traditën arabe e anadollake.
Ju e dini se koalicioni i krishterë euro- amerikanë e bombardoi Serbinë dhe e çliroi Kosovën. Ju e dini se duke i diskriminuar shqiptarët e krishterë, zyrtarët tuaj po i fyejnë e diskriminojnë gjyshërit tuaj që ishin të krishterë para se t'i bënin turqit me dhunë e me përdhunime grash myslimanë. Ju e dini se BIK-u është bërë fabrikë e vdekjes, sepse për secilën kufomë myslimane që e varros marrin nga shteti mbi 250 euro, në Prishtinë tarifa e vdekjes është 290 euro. Ju e dini se Stejt Departamenti Amerikanë e akuzoi shtetin tonë se e financon BIK-un e islamizmin.
Në Kosovën tonë e tuajën janë përdhosur e dëmtuar qindra varre të shqiptarëve të krishterë, por nuk është kapur e nuk është dënuar asnjë kriminel për këto përdhosje. I shikon nëpër gishtërinj policia e prokuroria këto akte të shëmtuara të prishjes së varreve, apo solidarizohet me keqbërësit?
Është urgjente që të ndërpritet praktika e dënueshme e diskriminimit të shqiptarëve të krishterë; të përcaktohet me ligj se në varret komunale do të varrosen të vdekurit e të gjitha besimeve, ashtu si në tërë botën e qytetëruar; të zbatohet ligji e të dënohen zyrtarë që bëjnë diskriminime fetare, në emër të shtetit apo në emër të fesë tjetër; të dënohen zyrtarët që pengojnë varrimin në varre të përbashkëta.
Shqiptarët katolikë janë mësuar me diskriminim e përbuzje, i diskriminoi pushtuesi mizor turk, i diskriminoi pushtuesi i egër serb, po i diskriminon shteti ynë me BIK-un që është mbi shtetin. Ata po e përballojnë në heshtje e durim diskriminimin. Por a duhet ta durojnë shqiptarët diskriminimin e bashkëkombësve nga mendësia anadollake shkretinore në shtetin e dytë të Arbrit?
Intelektualët shqiptarë, opinioni publik, i pa ndotur nga fryma shkretinore dhe i pa korruptuar e i pa fëlliqur nga Turqia, duhet të reagojnë, duke iu drejtuara instancave perëndimore e SHBA-ve për ndihmë kundër diskriminimit fetar.
Ndërpriteni arrogancën e mendësinë mesjetare të diskriminimit që e la Turqia e Serbia, ndërsa vegla e tyre BIK-u po e zbaton me ndihmën e zyrtarët të korruptuar.
Zbatojeni traditën e mirë të Shqipërisë, ku të krishterë e myslimanë nuk diskriminohen, por janë të barabartë në varreza.