Sonntag, 19. August 2018

Arif Molliqi: Poezi nga libri "Si kripën të kam dashtë"


SI KRIPËN TË KAM DASHTË


kënga e qukapikut 

në ketë portë ka kohë që s´troket kush
nuk troket as qukapiku
ta bëjë një vrimë të paktën
që botën ta shoh unë

me shelgjet e lëmashkut mbarova një fyell
dua me të t´i thirri vitet e humbura të femërisë
derisa në kopshtin e kujtimeve
po piqen qershitë 

ah sa shumë më pëlqen 
të eci zbathur nëpër kalldrëmin e fshatit
t´i lëndoj gishtërinjtë e këmbëve
duke e shikuar lejlekun si ndërton çerdhen 
mbi oxhakun e braktisur



si më dashtë më përpij dynjanë

s´di ç´ndodhi atje përtej 
por e mbaj mend
një kafshim krejt ndryshe

si më dashtë më përpij dynjanë

e pastaj në mes një përroi
midis dy kodrave vërshoi diçka

në mes  të malit një rudinë
midis deti një ishull
po digjej nga llavë e vullkanit...

o sa të fuqishëm që ishim
përballë njeri tjetrit 
kur pëlcitëm nga ulërima



më thuaj a të marrë për dore

dhe pranvera erdhi
qenka bukur ta shohësh teksa lulja çel një syth 
ushqim për bletë të bëhet

në sy
në gjoks 
ka portretin që ma vodhi 
vjeshtën e kaluar

çudi si nuk pëlcet fara
kur jashtë bën ftohtë
kur brenda dikush digjet

me thuaj a të hesht
a të bërtas
a të marrë për dore
a të fshehu nga syri i keq
më thuaj 
a ta përziejmë këngën me vaj
duke lëshuar klithje



bukuri e egër

fqinja ime është zonjë e rëndë
ajo çdo ditë pi ilaçe kundër depresionit
dhe digjet nga zjarrmi e trupit  

ajo edhe sot është e bukur
ka pamje të çuditshme
vitet që s´i plaken kurrë
buzëqeshje të lezetshme ka

sa herë flet fqinja ime
sikur më thotë:
shtirem e gëzuar kur jam e trishtuar
kur me vjen një orgazme e rrejshme
shtirem se po e jetoj përsëri rininë 
bie përtokë si gjethe e vjeshtës
kur vjen një erë e nxehtë 
m´i thanë fletët
m´i ndal lojërat

kur diçka e egër ulurin në mua 
e kuptoj se janë kthyer zogjtë nga Ballkani 
janë futur brenda kurmit tim
më shpëtojnë nga zjarrmia
nga rrufetë që vijnë për së kthjelli
m´i trembin dhimbjet
që ulërijnë në shtratin tim
qëmoti të braktisur...

fqinja ime është një zonjë e rendë
ajo çdo ditë pi ilaçe kundër depresionit



si kripën të kam dashtë

diqysh m´u duk se me harroi
thash ti shkruaj letër
t´ia them të gjitha

m´ke n´xanë ngushtë 
e s´mundem me ardhë
sa fort malli m´ka marr
jam mësua me ty 
e s´mundem pa ta thanë

ato që t´i kanë thanë për mu
rrenë t´i kanë thanë
si kripën dashtë të kam

si t´rashë hise nuk e di
veç shumë kam vrapua për ty
me profilin e një çuni të ri

kjo ndodhi kur gati patëm harru
diqysh të untuem njëri-tjetrin e kemi mësy
n´pjesë të mishta gati jemi mbyt

be t´kam ba ëndërr nuk jam kanë
dashtë t´kam 
edhe hiç pa t´thanë



kam bere një kapërcim

në gjeografinë e re 
kam vizatuar një hartë 
që asgjë nuk mbetet në vendin e vet 
të tjerët i lëvizin
kam shënuar rrugën 
shtëpinë ku banoi
madhësitë e dhomave 
nuk i harroj t´i shënoj emrat e të gjallëve

të vdekurit ka kohë që vetëm i kujtojmë

nuk i harroj as dy vaze me lule 
në dritaren e shtëpisë 
as qershinë në fund të kopshtit

po e përsëris të papërsëriturën 
shumë ngjarjeve u kam bërë një kapërcim
nuk e kam harruar
luftën dhe terrorin që e jetuam
që dikush e shënoi si libër i llogarive 
si lista të inventarit shtetëror
qe njëherë shënohen

pastaj arkivohen




lojë më litar 

pashë dhe dëgjova sot në televizion
komisionin kadastral që kuiste një hartë
për tokën tonë atje lart

gjeodezistët bënin ndarje në hartën e dhimbjes
në tokën tonë të moçme vizatonin
siç vizatojnë nxënësit në blloqet e shkollës fillore
sipas pëlqimeve dhe udhëzimeve
të mësuesve

aty bashkë tërhoqën litarin ata
aty bashkë prenë tokën tonë të tjerët
bënë edhe një vrimë të madhe mes atdheut
grusht i ranë
e mbytën të gjithë
e lanë mënjanë

tash po na thonë
për hatër të lëvizjes së lirë
e hëngrëm bjeshkën tonë

pastaj kthehen e na thon 
për hatër të lëvizjes së lirë 
i ramë bjeshkës më grusht



letra e humbur

një letër e gjatë 
me pak fjalë me erdhi
e kisha menduar të humbur

kjo mund të duket si marrëzi
për mos më e harrur e kam kujtuar shpesh
derisa u rishfaq 
një të marte më datën trembëdhjetë 
(thonë se e marta 
dhe numri trembëdhjetë
ndjellin fatkeqësi)

ajo më shkruante
pa i lexuar letrat 
mos i hidh në sirtar
as në zjarr

s´është çudi
gjëra këto që thuhen
kur të vijë malli me porosi 

eh
ç’ varreza të çuditshme  u hapim kujtimeve që vdesin
mbase dashurisë kurrë nuk i dihet

në letrën e fundit më kishte dërguar një amanet.
më shkruaj edhe nën tokë
në adresën ku rri zhveshur



një ngjarje e vrugët

brenda kishte fjalë, ëndrra të paçelura
kishte plotë mendime, enigma të pazbërthyera 
ishte e mbushur si trasta e mërgimtarit

një shtresë e trashë pluhuri ia kishte mbuluar ngjyrën
bashkë me disa vargje për pranverën e gjelbëruar 
për të mos dalë nga harrimi 

brenda e kishte një mister
një alfabet të papërsëritur 
më një kaligrafi të zbehtë që jepte shpirt
duke u munduar ta kapërcej pragun e zhgënjimit
pas një ngjarje të vrugtë 

tash kur e rishikoj letrën kam tjetër dilemë;
mbase mos është skuqur bojë e zezë
nga ato mendime bosh 
që janë dërguar tmerrësisht pa gjë



vajzës  që i pëlqente shiu

ajo rrinte përballë pasqyrës
e shikonte veten lakuriq 

u mundua ta griste pjesën e errët
pjesën ku e shihte urrejtjen 
aty ku i dukej vetja krejt ndryshe 
pas asaj nate që eci nëpër shi 
duke u mundua ta shpërlaj një njollë të zezë në trup 
mbetur nga kohë e keqe
nga një njeri i panjohur 

(loja më shiun gjithmonë i kujtoi diçka)

ajo lojë 
ai shi
sikur nuk ishte vetëm lojë as vetëm shi
ishte diçka që mundohej t´i shpërlante
fërkemet nëpër rrugë 
që kishin ardhur më lista emrash 
më numra shtëpish
ishin të dehur
të shëmtuar
të rralluar nga fara njeri




fshati më një refugjat


1. kapërcimi i kufirit

në udhëtimin që e mbaj në mend
dikujt edhe mund ti kujtohet
kur dhimbja e ngrinte zërin
duke ecur tinëzisht nëpër një mal të Çekisë
sytë ndjekin çdo çap timin në heshtje
mes vetëtimës së qiellit të tërbuar
natën e mirë i them shtëpisë pa dritare
i thyer i tjetërsuar
i përplasur mbi tokën e gurtë
kur e shtrëngonim fort njëri tjetrin
më duart e dridhura
e diçka e rëndë në mushkëri ushtonte
rrahje ndjej 
rrahje të shpejt të zëmrës
kohë s´kishim të dëgjonim melodinë e natyrës
mendoja se ia di përmendsh këngët
kohë s´kisha të rri ta prisja mëngjesin që po vononte
të porta që më ka braktisur askush nuk më dëgjon
bashkudhëtaret e mi i ka molisur nata
hëna e gozhduar nga një re e dendur
është më e zymtë se buzëqeshja ime
është feneri i fundit që fiket
dhe më thërret të dal në breg
ta kaloj kufirin e dëshpërimit absolut
mbetur i tmerruar dhe s´mund të largohem
ç´është ky udhëtim i dehur
për të cilin më premtuan aq shumë
në veri atje në fund të botes
kur shtëpia më del përpara e më thërret
sa e ngushtë më bëhet këmisha në fyt
në shtigjet e panjohura të një mali
derisa ia besoj sekretet e mia
qiellit të hirtë që rrije mbi mua
afër krejt afër një grua e re
hahet me retë e stuhishme
përmes fletëve të reja të ahut
më lagështinë mëngjesore pastrojmë ballin
nga çanta që mbaj me vete
nxjerr ilaçet fshehtësish
më parë se të ndiej përqafimin e dhimbjes



2. pres radhën të fotografohem

pastaj e kam hedhur shtegun
më gjoksin që dridhej nga dihatja
në një vend të panjohur
jam një i huaj indiferent
që di vetëm të ecë përskaj rrugës
qetësinë e rrejshme mund ta rrënoj
më një këngë të heshtur:
“Dita ka dal e dielli s´ka le”
Zot ma ruaj mendjen, i pëshpërit vetes
kam frikë se ëndrra jetën ma kopjon
duke mërguar udhës së qumështit në orbitë
çfarë zbehtësie imagjinuese
nga e cila pres ardhmëri pres një botë
korridoreve shkallëve e bodrumeve
në mes shumë dhomash eci
ma bëjnë foton time
më pamje nga e para e nga anash
mëzi e njohë vetën
në një kartë që ma varin në qafë
më sytë që më verbohen nga net pa gjumë
më ca numra serik të koduar si refugjatë
poshtë fotografisë kanë vënë një adresë
mëzi e lexoj më zërin e shterur
dhe nga mungesë e dashurisë
që shpreh gjurmët e dëshpërimit
por ai regjistrim në librat e refugjatit
nuk ishte vdekja e ime
dhe as që ishte plaga e trupit tim
ishte më tepër
zjarri i verbër përbrenda shpirtit
kërkimet e mija sterile
drejtë një porte të mbyllur



3. e varur diku

letër fëmijëve u kam shkruar
edhe gruas
e di se ajo letër kurrë nuk u bie në dorë
vazhdoj zakonin të dërgoj letra sa herë gjendemi larg
e di 
posta nuk punon 
është kohë lufte atje
me sa duket asgjë nuk ka ndryshuar
por letrën e radhës e nisa
nga dhoma ku kam kollen e keqe
kam ethe e zjarrmi
por do të dal breg liqenit
është e premte 
kalon postieri andej
përgjigje do pres
ulur mbi një guri të ftohtë
duke i dëgjuar valët dhe erërat
një ditar të jetës e lexoj derisa pres
askush nuk më njeh
shoh fqinjë me hundë të madhe fshehur prapa perdeve 
më shikojnë
jam i vetmi refugjatë në fshat
mua më duket se ata
mendimet e mia dhe ëndrrat nuk m´i shohin
njohja mund të jetë e dhimbshëm
pritjet në atë vend çdo ditë u zgjojnë frikën e fjetur
për mua të vetmuarit e të panjohurit
vetëm për mua vetmitarit që lëviz më orar
nuk më njeh asnjë shtëpi në fshat
as pylli as fusha e as liqeni për rreth



4. të Liqeni

të Liqeni i Schverinit* 
rastësisht e takova një grua 
nisi të m´i tregojë kofshët 
edhe vagjinën ma tregoi
megjithatë vazhdoj të ec breg liqenit 
recituar vargje të Getës
sa budalla që s´kuptoj asgjë
prapë më vjen rrotull duke më pyetur
a jam ai refugjati i fshatit
ai i vetmi
të isha me i mençur do të ikja
sapo ajo m´i hapi sytë e ngjalës
kur shëtit lart e poshtë pa u largua nga unë
kërkon vend për t´u shtrirë
ishim vetëm ne dy
të flisnim për asgjë s´kishim qejf
prandaj rrinim të heshtur
me shikim nga kofshët e bardha
si barkat e ankoruara të peshkimit
kur ajo hidhet mbi liqen
unë e ruaj ditë e net
po të vdes si refugjat i vetëm i fshatit
kush më qanë 
kush do të mbaj zi
që atë ditë para meje shkretinë
në lagunën e liqenit asnjë pulëbardhë s´rri
__________
 * Liqe në Gjermani, ne Republikën e Meklenburg-Voperman


i rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit

i mbaj mend rrugët 
mëngjeset e stinëve që ndërroheshin
lojërat symbyllas 
ku fshihesha në kaçakun e qenit plot morra
si te tjerët dhe unë duhej të fshihesha diku 
të mos mbetesha gjithmonë i fundit 
mbaj mend kur na rrihte gjyshja 
ia trembnim pulën këlleqke në çarranikun e vogël
në arën e fqinjit vidhnim fasule 
e bënim tremb për rrush
arrat e Bregut i shkundim me gjithë dushk
mbas pëllumbave  vrapoja e në shkollë shkonim vonë

kur erdhën vitet tjera erdhën kujtime ndryshe
mbi dardhën lonçe 
mbi mollën sherbete hipnim 
ta shihnim  Rrushen me vajza tjera
kur e matnin gjoksin e fryrë
eh sa herë me shokë i ndanim dashnoret 
dhe sa herë jemi rrah mes veti për Rrushen
kjo është me e mira
kjo me takon mua 
thoshim të gjithë

te gjitha i kujtoje dhe zemra sa nuk më plas 
kujtimet kur më shfaqen e më vijnë pas

Montag, 6. August 2018

Grigor Jovani: Fragment nga "Ura e Mbretit"

Grigor Jovani
“BOTON PER HERE TE PARE”
(fragmente)

Shënimi im:
Një miku im i dashur nga Kurbini, poet sot, dikur bashkëgjimnazist me mua, mbaj mend disa vite më i vogël se unë, më dërgoi me internet një dhuratë të paçmueshme, që më mallëngjeu shumë dhe më ktheu vite pas. Botimin tim të parë letrar në moshën e adoleshencës. E kishte gjetur tek shfletonte albumin nëpër vite të gazetës lokale “Kastrioti”, të cilës më vonë iu bëra gazetar. Për t’iu treguar ç’ishte ky botim për mua, po shkëpus disa fragmente të romanit tim në dorëshkrim “URA E MBRETIT”, që flasin pikërisht për këto gjëra. Natyrisht, letërsia nuk është autobiografi, por jeta personale përfshihet pashmangshëm në ato që shkruajmë. Ndonëse neve na pëlqen ta përgënjeshtrojmë gjithmonë këtë... 
Duke shpresuar mos t’iu mërzis, iu falenderoj paraprakisht për leximin!
Me mirënjohje për Ju,
G. JOVANI

***
          “Ky djalë do të na djegë!”, i tha një ditë babai një miku të tij, që kishte ardhur për darkë në shtëpinë tonë.
Mua më ngriu gjaku. Ku më kishte parë?! Dhe përse më kishte lënë të vazhdoja kaq kohë, pa më ndëshkuar rëndë, siç e kishte zakon! Ndjeva një lehtësim të madh në shpirt, kur kuptova pak më vonë se “djegia” nuk kishte të bënte me batariet e skaduara të prozhektorit tim. Fliste në përgjithësi. Për vjershat që shkruaja dhe për librat që lexoja. Atëhere e kuptova. Prandaj ma kishte hedhur në zjarr fletoren e vjershave, siç bënte me heretikët Inkuizicioni në Mesjetë. Që t’i shpëtonte “djegies” së mëvonshme prej saj. 
Miku i tij nuk ngjante me shoferët e tjerë, që na vizitonin në shtëpi. Ishte i veshur mirë, jo me rroba tërë vajra, që mbanin erë naftë. Punonte në administratën e Parkut të Mallrave. Babai e quante “shef”. Nuk di ç’e lidhte me tim atë. Di vetëm se kishte bërë të mundur që babai të merrte saurel të ri. I kishte falur gjithë botën. Ashtu si ma kishte falur edhe mua Cubi me prozhektorin provizor, me të cilin lexoja fshehurazi netëve librat heretike. Atë ditë që kishte marrë makinën e re, falë “shefit” në administratë, im atë kishte shtruar darkë të madhe nështëpi. Për mikun e tij. 
Kishte ardhur edhe herë të tjera pastaj. Pinin raki me babain dhe miku lexonte pranë sobës sonë të madhe disa ngjarje, që i kishte të shkruara nëpër ca fletë të mëdha. Lexonte me pasion. Kishte një zë prej baritoni. Babai bënte sikur e dëgjonte. Ishte i lodhur dhe i trullosur nga zjarri dhe rakia. Por s’donte kurrsesi t’ia prishte qejfin mikut. Vetëm unë e dëgjoja gojëhapur. Kur më linin aty. Mrekullohesha nga historitë që dëgjoja. Përfytyroja ngjarjet. Si në një film. Miku i babait e kishte pikasur. 
          “Të pëlqejnë këto që dëgjon?”
          “Shumë!”
Më fërkonte kokën me dashuri. Ishte lidhur një pakt i pashpallur midis nesh. Simpatizoheshim. Unë për shkrimet e tij, ai ngaqë e dëgjoja me aq pasion dhe vëmendje, kur babain gati sa e zinte gjumi dhe mamaja nuk kuptonte shumicën e atyre që dëgjonte. 
Kur i ishte qarë im atë mysafirit për mua, se “i rrezikoja t'i digjia”, miku i tij kishte treguar interesim të menjëhershëm.
          “Pse?! - ishte habitur. - Ç’bën djali? Mua më duket i urtë. Nuk e kam dëgjuar të flasë asnjë fjalë”.
          “Lëre, mos e pyet! Më mirë të fliste gjithë ditën, se sa ato që bën… Kam frikë se do të na rrasë në burg ndonjë ditë! Merret me gjëra të rrezikshme!”
Tjetri kishte hapur sytë. Ç’gjëra të rrezikshme mund të bënte ky picirik, që e trembte kaq shumë mikun e tij! Im atë ngrihet me të shpejtë dhe hap një dollap, që e mbante të mbyllur me kyç, në bufenë e madhe. Atje kishte dokumentat dhe paratë. E njoha menjëherë. Ishte një tjetër fletore e vjershave të mia, që e kisha humbur më parë. Nuk kisha lënë vend pa e kërkuar. 
          “Bën nga këto!”, i thotë, duke ia tundur përpara syve fletoren, si provën më flagrante të faji tim të padiskutueshëm. 
Miku e kishte hapur dhe po lexonte me durim të gjitha vjershat e mia. Herë pas here buzëqeshte, duke tundur kokën. Ndërkohë më kishte tërhequr pranë vetes. Pranë gjunjëve të tij. Më fërkonte flokët me gishtërinjtë e trashë. Më ngjante kaq e ngrohtë dora e tij. Ndërkohë që dridhesha i tëri nga frika e babait. Si zog i rënë nga foleja, që e ka zënë një dëborë e madhe. Ç’do të më bënte tani! Me proven e fajita tim nëdorë. Cili do të ishte dënimi im? Më kishte kërcënuar se “do më vdiste”... nëse do të vazhdoja të shkruaja nga këto. 
Pasi mbaroi së lexuari me durim vjershat e mia, miku i babait ishte ngritur menjëherë në këmbë dhe kishte kërkuar pallton e madhe. I ngrysur, si nata që kishte rënë jashtë. Im atë nuk po kuptonte ç’po ndodhte. Miza e kishte pickuar? I kishte bërë mikut një darkë të tillë dhe ai po ikte akoma pa trokitur gotat e para?! I kishte kërkuar ndihmë për një çështje kaq të rëndësishme, që kishte të bënte me të birin, kurse tjetri po i kërkonte pallton. Po e linte në baltë. Kërkonte të ikte, nga sytë këmbët. Ishte trembur aq shumë edhe “shefi” i tij, nga ajo fletorja e mallkuar e të birit? Sikur ta dinte…
          “Këtë fletore do ta marr unë, - më tha mua miku i babait, pasi kishte veshur pallton dhe shallin. Duke mos ia varur dukshëm tim eti. - Do të ta sjell pas një jave. Të shtunën tjetër. Pres të mbushësh një fletore të re. Me vjersha më të mira se këto. Jam i sigurt se mund t’i bësh!”
Pastaj iu kthye tim eti: 
          “Paskam humbur kohën kot, gjithë këto mbrëmje, që të lexoja shkrimet e mia. Ti e paske shkrimtarin në shtëpi. Do të të rraska djali në burg! Gjynah që je jashtë! Dëgjo këtu! Po mora vesh që i bije më në qafë, qaje saurelën e re! Edhe mua bashkë, si mik! Nuk dua miq injorantë unë!”
Kishte ikur. Dukej shumë i zemëruar. Im atë ishte tronditur shumë. I kishte rënë qielli mbi kokë. Aq më shumë nga ai kërcënimi se mund t’ia merrte saurelën e re. Ç’kishte bërë! Një hall i kishte qarë!
Erdhi mamaja me mezenë në dorë. U habit që “shefi” kishte ikur kështu, pa ngrënë dhe pirë asgjë me babain, siç bënte gjithmonë. Ç’ta bënte mezenë që kishte përgatitur?
          “Këputni qafën këtej!”, na ulëriti babai. Të dyve, mamasë dhe mua. 
Vetë u shtri tek divani pranë sobës, në guzhinë. Aty ku flinte nganjëherë kur kthehej pas mesnate nga puna. U kthye nga muri dhe u mbulua me xhaketën e vet. 
Mamaja më kishte rrëmbyer dhe më kishte fshehur menjëherë brenda krevatit të saj. Në dhomën e tyre. Gjoksi i dridhej nga frika. E njihte mirë inatin e burrit të saj. 
Nuk po kuptoja asgjë. Më shumë që pse nuk kishte ndodhur dënimi im. Kur im atë kishte në duar provat e padiskutueshme të fajit tim. Vjershat e mia.

***
Të premten tjetër në mëngjes pashë një vjershën time të gjatë, nga fletorja që kishte marrë me vete shefi i babait, të botuar në gazetën lokale. Kishte zënë gjysmën e faqes së fundit. Nën okelion “Boton për herë të parë”. 
         “Nuk e dija, që kishim një poet kaq të talentuar këtu!”, tha me të hyrë në laboratorin e kimisë, prof. Samiu. 
Mbante gazetën në dorë. Ishte befasuar. Nuk mund ta besonte, që unë, nxënësi i tij, që nuk i kishte zbërthyer deri më tani asnjë formulë kimike në dërrasë, mund të mbushja me vjersha gjysmën e një faqeje gazete. Por ishin shkruar me shkronja të zeza në faqen e bardhë. Siç shkruante ai me shkronja të bardha në dërrasën e zezë. Lexoi para klasës vjershën time tëgjatë. Të gjithë kishin kthyer kokën nga unë. E dinin që më pëlqenin këto, por se do të arrija të botoja diçka time në gazetë... Mua nuk më mbante klasa. Më dukej sikur fluturoja jashtë saj. Si Aladini, mbi qylimin e tij fluturues. Më ngjante sikur shikoja një ëndërr dhe kisha frikë mos zgjohesha. Nga pas, Pashkja më ngacmonte me stilolaps në brinjë. Siç dukej, fluturonte edhe ajo. Bashkë me mua. Në të njejtin qylim. Më erdhi turp t'ia kërkoja gazetën mësuesit. Digjesha ta shikoja të botuar vjershën time. Ishte ndryshe nga botimi i parë, tek gazeta “Pionieri”. Para shumë vjetësh, kur isha në fillore. Atëhere ishte një vjershë dystrofëshe, të cilën ma kishin ndryshuar krejt. Tani e gjitha ishte e imja. Dhe në një organ për të rriturit. 
E bëra timen gazetën ditën tjetër. Në darkë. Ma solli në shtëpi vetë miku misterioz i babait. Tani ishte bërë edhe i imi. Ia la në dorë fillimisht tim eti. Babai nuk u besonte syve. Shikonte dhe rishikonte fillimin e faqes. Ishte shkruar i plotë emri im. Me shkronja të mëdha. Kishin kaq vlerë ato që shkruante i biri, sa kishin zënë kaq vënd në një gazete?! Për herë të parë nuk i kishte cilësuar “budallallëqe” në mendjen e vet. Kaq gjë e kuptonte. Nuk mund të ishin të tilla, kur i pranonte gazeta. Pastaj, nuk ishte budalla edhe ky miku i tij. E nderonin të gjithë. I kishte bërë edhe atij vetë kaq ndere. Prej tij e kishte saurelin e ri. Biles, jashtë rradhe. Makinë që fluturonte. Jo si ajo e vjetra. Një e dy në ofiçinë… 
          “Na, moj, na bëj atë peshkun, që solla mbrëmë!” i thiri mamasë.
E ruanim për të të nesërmen, tek frigoriferi i komshiut, se do të na vinte dajua nga Tirana. Nuk gjeje peshk kur të tekej në qytetin tonë. Por kishte gëzim dhe gëzim. Ky i sotmi ishte i paparashikuar. I kalonte gjithë të tjerët. Shiko këtu, ç’kishte bërë ai bimboja i tij! Kush do ta besonte! Kishte mbushur gazetën!
U ngrit të merrte shishen e rakisë. Nuk dinte ç’të bënte, si ta falenderonte mikun! Por tjetri e kishte mendjen tek unë. Befas i isha bërë njeriu më i afërt në atë shtëpi. Më dorëzoi fletoren me vjersha, siç kishte premtuar dhe më mori pranë. Nxori nga çanta një tufë me libra dhe m’i la në duar. 
          “Lexo këto! I zgjodha për ty. Do të të sjell të tjera, kur t’i mbarosh”.
          “Po mësimet? Mos harrojë mësimet!”, guxoi të ndërhynte im atë, sa për të thënë ndonjë gjë, si prind. Në fund të fundit, isha fëmija i tij.
          “Edhe unë kam përsëritur maturën dy herë. Kam mbetur në klasë, në matematikë, - qeshi miku. - Por nga librat nuk u ndava kurrë. Ato më bënë ky që jam tani”. 
Im atë nuk e ngau më tej. Nuk dinte dhe shumë nga këto! Shofer ishte. Mezi kishte bërë disa klasë të fillores. Në fshatin e tij të largët. Sa për të mësuar gërmat, për shkrim dhe këndim. Të cilat nuk i nevojiteshin tani.. Por në ishte që edhe i biri të bëhej i nderuar, si miku i tij, nuk do ta kishte problem. Le të lexonte edhe librat jashtë shkolle. Le të bënte edhe nga ato... këngët... Të mbushte fletore të tëra. Kur i quanin “të pa rezikshme” edhe gazetat...

***
Të hënën isha bërë personi i ditës në gjimnaz. Më mburën përpara gjithë shkollës së rreshtuar për gjimnastikën e mëngjesit. Vetë drejtori, vëllai i madh i Cubit. Më njihte qysh kalama! Gjithë ditën me të vëllain isha. Por qenkësha ndryshe nga harami i tij… shkruaja vjersha. Madje, m’i botonte edhe gazeta…
          “Bëjini mirë ushtrimet gjimnastikore! Nuk është angari! Fizkultura formon sportistë të ardhshëm. Siç lindin prej leximeve poetët dhe shkrimtarët. Kemi edhe ne poetë në gjimnaz. Biles shumë të mirë. Që na nderojnë!”
Tha emrin tim. Duke tundur para të gjithëve gazetën. E gjithë shkolla u kthye nga unë. Doja të hapeshe dheu e të më përpinte. Nga turpi. Për herë të parë kasha tërhequr vëmëndjen e të gjithëve. Edhe të vajzave. Që dikur as që donin të dinin për prezencën time.
Nga pas, Cubi ma futi me shqelm.
          “Idiot! Na bëre rezil! Na sheh gjithë shkolla!”
Në klasë Pashkja lexonte çdo orë vjershën time. Duhet ta kishte mësuar përmendësh. Kishte kaluar nga libraria e qytetit dhe kishte blerë gazetën e saj. I tërhoqi vëmendjen mësuesja e fizikës të fuste gazetën në çantë. Por ajo të sajën. Në pushimin e madh, kur po dilnim nga klasa, u fërkua memua dhe gjeti rastin të më përshpëriste:
“Poeti im!”
Kur u ktheva në drekë në shtëpi, pashë se im atë nuk kishte shkuar në punë. Do ta kishte makinën në ofiçinë. Me sqepar në dorë, diçka gozhdonte në një dollap të vogël me dy rafte, ku kisha rreshtuar librat e mia. Këtu e dy javë mund t’i mbaja lirshëm. 
          “Ç’bën, baba?”, e pyeta, nga një frikë e beftë, se mos m’i zhdukte librat përsëri.
          “Po të shtoj ca rafte përsipër, - m'u përgjegj i qetë. - Nuk mjaftojnë”. 
Më tregoi me kokë një thes aty pranë. E hapa dhe m’u zu fryma nga e papritura. Ishin libra. Me dhjetra libra të reja. 
          “Ku i gjete këto?”
          “Në librari, ore, ku t’i gjeja tjetër, në minierën e kromit? Bleva ç’kishte. Mbase të hyjnë në punë. Unë s’di dhe kaq për librat. Shikoji vetë... Pastaj blejmë të tjera”.
Vazhdoi të gozhdonte mbi komonë e vogël dërrasat e lëmuara në ngjyrë are. M’u mbushën sytë me lotë. Nuk e prisja kurrë që im atë të sillte libra në shtëpi. Për mua. 
          “Fffaleeeminderit, o ba!”
Kur emocionohesha shumë, nuk më dilnin fjalët. Më mbyllej brava në fyt. Ose më dilnin të stërgjatura. Për dreq! Doja ta falenderoja. Ta përqafoja, as që bëhej fjalë. Kjo nuk kishte ndodhur kurrë. Nuk ma lejonte. Edhe pse më kishte djalë të vetëm. E pra, do të jepja gjithë botën për një përqafim. Gjysmat e librave të mia. Veç të më thoshte një fjalë të mirë. Të ngrohtë. Si dora e mikut të tij shkrimtar mbi kokën time, që më kishte mbetur në kujtesë.

***
Nuk e harroj kurrë atë njeri. Mikun e babait. Dhe timin. Tani ka vdekur. Tepër vonë e mora vesh kush ishte në të vërtetë. Kur u bëra edhe unë si ai. E kuptova se ato që lexonte burri i pashëm dhe misterioz, gjatë adoleshencës sime të parë, ishin tregimet e tij. Duhej t'i kishte tani nëpër libra. I gjeta librat që kishte botuar nëpër kohë. M’u kujtuan tregimet që na lexonte pranë zjarrit. Ngjarjet që kisha dëgjuar. Nuk arrita kurrë të komunikoja më me atë njeri, tashmë unë në pozitën e gazetarit. Të botuesit më vonë. Nuk e dija ku ishte. A më mbante mend. A e dinte ç’kishte bërë për mua. Babain tim të ndjerë sigurisht që do ta kujtonte… 
Nuk di si më ndodh kjo, gjithmonë: shumë gjëra i mësoj vonë në jetë. Zbuloj papritmas se dikush, që dikur ka ndikuar ekskluzivisht të ardhmen time, është larguar nga jeta. Pastaj mendohem i trishtuar: po unë nuk kam pirë as edhe një kafe me këtë njeri! 
Nuk mund të jetë rastësi. Më ka ndodhur disa herë.

(Nga “URA E MBRETIT”)

Donnerstag, 2. August 2018

Përmbledhje me poezi të zgjedhura nga Anton Marku

Anton Marku

QIELL, ATDHEU IM

Viteve me shumë e pak zero
në dyert e njerëzve
engjujt trokasin 

para hedhin gurin
dhe nisen lartësive

kot dhomave ngujohen
zvarranikët

deshëm apo nuk deshëm
ftesës sate
nuk mund t’i thuhet jo

dje si sot
sot si nesër

tek Ti shpiejnë
të gjitha rrugët
Hyj.




GOZHDUAR NË TË DJESHMEN

Dje ishte më mirë
ai ishte aty

sot 
një grua
u zgjua e ve

e përhumbur
u mundua
tu jape jetë
çasteve të fundit me të

copëzat e mbetura
t’i mbledh

një flutur
zuri vend
mbi fustanin e saj të zisë

gjumi i zuri
pranë varrit të tij

vajtose e bënë
kokë më kokë.




KUDOQOFTË

Dritë
pa hije

fshehur
në mjegull

jetës i dhuron
lule të bardha 

një qiri
afër teje
ndriçon

vajton shpirtin

diku. 




VJESHTË NË VARREZA

një shqiponjë e zezë
dy kuaj të kuq
tri lule të bardha

pas një qerre

mbi të 
një aktivol i hapur

edhe sot
kostarët
kanë përvjelur mëngët

mes drunjëve
presin dritën

në mijëra copëza.



PËRGJITHMONË 

Edhe kur
të jem larg
mos e shuaj
dritën

lëre natën
të digjet

zemra jote
në timen rrahë

derisa
shpirti të këtë frymë.




FLOKËKALTRA

Mëngjesi hodhi
një copë drite
në det

larg nga bregu
anije e bardhë
lëkundet valëve

një zog i zi
hap krahët
mbi ujëra ecë

dritare e hapur
përplaset nga era

nata
ju dorëzua shiut

mbi mur
u shtri
hije e huaj

shpirti
në trupin e saj
u dridh.





VITET E DRITËS
(Kryetrimit-Gjergjit)

Nga lindja në perëndim
rrokullise gurin

tokës së të parëve tu
mbi zjarr ece

prushin e flakës së shuar
mblodhe atdheut

u miqësove me shiun
mur kështjelle u bëre

vetëtimave u preve rrugën
sa herë u takuan
qiellit mbi ty

me fytyrë nga deti
diellit i fole

një dimri të madh
era të zgjati dorën
të prekësh retë

kohës i plasi buza
liria u zu peng
mes shkëmbinjëve

pesë shekuj.




LIRIA

Të jesh i lirë
do të thotë
të miqësohesh me shiun
pa pasur drojë
nga vetëtimat

sot
të nesërmes
t’i japësh shpirt

të kapërcesh vetveten
e prapë të hysh
në lëkurën tënde

asnjë litar
të mos e lidh fjalën

erërave të shtëtitesh 
e të mos mjaftoj koha

me jetën
të bësh dashuri çdo ditë 

në shtratin e ëndërrave tua.





KRONISTI

Sylodhur 
tërë ditën u end
fushës së mëllenjave

era e barti
mjegullave të murme

një ujk i bardhë
i dëftoi rrugën

tek lugu i thanave
takoi lahutarët

në pesë kroje
lagu buzët

në mbrëmje
darkoi me kalorësit
e ardhur nga larg

natës i mori erë

të nesërmen
u baltos jeta
dheut të kuq

vdekja u përkund
tokës së tymnajave

vajtoset zunë
vendin e vashave

dielli
u zhvendos diku tjetër

ujërave të mëdha u arratis

ai nuk e shkroi
as dhe një fjalë

shpërlau duart dhe iku
andej nga kishte ardhur

askush nuk i besoi
gjërat që tha

pos varrëmihësve.





NDRYSHE

Kohës
i plasi buza

të gjitha fijet e dritës
u këputën

në anën tjetër të erës
shëtiten fjolla bore

gurë të bardhë
nën ujë
marrin frymë.




PUHIZË

Unë doja
më shumë nga ti

ti
gjithçka nga unë

frymë mora
nga goja jote
hukamë

brymë
e bardhë

puthjet lanë dhomën
pa e kafshuar natën

atë natë.




NESËR

në botën time
le ma shumë 
se sa more 
ma tepër
se vetëm një gjurmë

po u takuam prapë
n’përtjejetë
n’grykë kemi me u marrë
si këtyne herave

me po atë zjarr
me po at’ mallë
që shkrin.




BRENDA MEJE

Edhe pse
gjunjët tanë
nuk u prekën ndonjëherë
ti fle çdo natë
në ëndrrrën time.




Anton Marku u lind më 15 gusht 1971 në Gjakovë, ku kreu shkollën e lartë pedagogjike ‘‘Bajram Curri”-dega gjuhë dhe letërsi shqipe. Fakultetin juridik e përfundoi në Universitetin e Prishtinës, ndërsa në Universitetin e Vjenës magjistroi shkencat politike (studimet ballkanike dhe evropiane). 
Ka nëntë vite që jeton dhe punon në Austri. Shkruan kryesisht poezi për të rritur, por dhe prozë të shkurtër. Deri më tani ka botuar tetë libra me poezi. Disa nga veprat e tij janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, gjermane, rumune, ruse, arabe dhe kroate: 

1. ‘‘Cikloni i dashurisë’’, (2000)
2. ‘‘Gjurmë mbi hije’’, (2002)
3. ‘‘Dielli i mesnatës’’, (2004) 
4. ‘‘Vizioni blu’’, (2010)
5. ‘‘Në duet me vetveten’’ (2012)
6. ,,Du meine Stimme’’ (në gjuhën gjermane‘‘Ti, zëri im’’), (2018)
7. ‘‘Ishujt e Jetës’’ (2018)
8. ‘’Islands of life’ (në gjuhën angleze ‘‘Ishujt e Jetës’’), (2018)

Ai po ashtu është prezantuar edhe në disa revista dhe antologji me poezi dhe tregime të shkrimtarëve me origjinë të huaj që jetojnë në Austri, si dhe në antologji të krijuesve shqiptarë në mërgim.

Anton Marku është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, Lidhjes së Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, Lidhjes së Shkrimtarëve të Austrisë, i PEN Klubit të Austrisë, Organizatës së Autorëve të Austrisë-IG, i Klubit letrar ‘‘Gjon Nikollë Kazazi” të Gjakovës si dhe i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’.

Anton Marku, M.E.S, MA, Vjenë/Austri (anton.marku1@gmail.com)

Donnerstag, 26. Juli 2018

Ali Podrimja: OKTAPODËT

Ali Podrimja

OKTAPODËT

Përballem përditë me pushtetin e liliputëve
Or e çast që vazhdojnë të përmuten

Përulem para fotografive të miqve të zhdukur
Të cilët zbehen çdo ditë nga turpi

U lë shëndenë dhe më dalin para ish-luftëtarët
Sytë ç’m’i shpojnë me gishtërinjë të ngritur kah i Madhi

Por unë i gjori ç’të bëj kur nuk kam forcë
T’i bie tavolinës së presidentit të humbur në luks

Në Kullë të Sylejman Vokshit kyçem dhe vështroj
Përmes frëngjive

Kah lëviz paria me syze të zeza e tek pështyjnë në fytyrat 
E vegjëlisë nga autot luksoze

Tek vërtiten oktapodët gëllabërues largohem i rebeluar

Qelben të pabesët dhe vërej se dita do zbardhë 
sa të kalojë dimri i luleborëve

Të zhdukurit e mi do zbresin nga fotografitë e zverdhura 
që trishtojnë atDheun tim

(Dardani, 10 Shkurt 2010)

Sonntag, 22. Juli 2018

Agim Gashi: MËRGIMTARËVE


Agim GASHI
MIRË SE ERDHËT...

Mirë se erdhët mergimtarë
Ju o njerëz zemërbardhë,
- qe në shpirt keni shumë mall
për një gur, për një lis n'mal.

Mirë se erdhët në votrën tuaj
mallkuar qoftë kush ju thotë t'huaj,
Ju që derdhët djersë e lotë
qe ne gjallë te jemi sot.

Mirë ardhshit për jetë e mot
- zemra e sofra i paqim plot!

Donnerstag, 19. Juli 2018

Gani Mehmetaj: Kalorësit e Dardanisë

Tregim nga Gani MEHMETAJ

(1)

        Pika e imët në horizont sa vinte e rritej. Kjo na gëzonte, po aq sa na mbante pezull. Një kalorës, lajmëtar, vinte drejt nesh, ndërsa kishte ditë që s'morëm as dërguam kumte. Kështjella ishte e rrethuar nga të gjitha anët. Shtrëngimi i hekurt i ushtrisë armike e lëshoi pak, mirëpo ushtria mrizonte më tutje, duke mbledhur forcat e veta të shpërndara dhe duke lëpirë plagët mu si bisha shumëgjymtyrëshe. Edhe ne mëkonim plagët, mblidhnim forcat e fundit, të rralluara nga luftimet, ndërsa gratë kishin nisur ta kontrollonin frikën, sulmonin e mbroheshin si luftëtarët me përvojë. Shumë prej tyre sa herë hidhnin shigjeta a zjarre rrëshire qanin e klithnin të traumatizuara. Pushimi na duhej të gjithëve. Sa do të zgjaste, askush nuk e dinte. I përhumbur në mendimet e mia, majë kullës së vrojtimit, nuk e kisha ndier as kur u afrua kalorësi, as kur u fut brenda dhe lëshoi kumtin, që na tronditi më keq se sulmet e armikut. 
          - Daorsi me treqind kalorës ra te Mrizi i Zanave, - fliste i mbushur frymë lajmëtari Kestrin. Ushtarët u grumbulluan rreth tij, e shikonin me ngulm në buzët që i dridheshin. Sytë e lajmësit shihnin djathtas e majtas pa gjetur prehje.
         - Ishin të shumtë mësymësit, vinin valë-valë pa e përfillur vdekjen. Lufta e egër, e gjatë, e pamëshirshme, rraskapitëse, të rrëqethte. Kur u futa në Grykë, kalorësit e Daorsit më panë si fantazmë, nuk prisnin njeri t'u vinte nga ajo anë. Fantazma më dukeshin edhe ata: të përgjakur, të zbehtë, të sfilitur e të etur. Ecnin e silleshin si somnambul, sytë e skuqur nga pagjumësia e pluhuri nuk i mbyllnin kurrë. Ndonjëherë e vidhnin një copë gjumë majë kalit me sy hapur.
        Derisa lajmësi Kestrin rrëfente, kështjellarët e shihnin si të qe kthyer nga ajo botë. Ai nga ajo botë po kthehej, të treqind kalorësit e falangës Dardania ranë, ai u nis një herë me ta në botën e përtejshme dhe sërish u kthye i vetëm. Nuk e mbante në mend si shpëtoi, kur u vranë dhe ku mbetën hordhitë armike që vinin pa u ndalur. Mbante në mend kur një goditje e trallisi, një herë iu soll bota rreth e përqark, pastaj e zuri gjumi.
          - Unë nuk isha në treqindëshen e kalorësve, erdha më vonë, prandaj zotat nuk më morën, më kthyen. Kohë të gjatë sa nuk e mbaj në mend, nuk u bëra i gjallë. Kur u kthjellova, pashë vetëm kufoma, kalorës të shtrirë sa gjerë gjatë, pashë më tutje kuaj të masakruar nga goditjet e shpatave të armikut. Disa luftëtarë qenë kruspullosur nga plagët, ashtu të kruspullosur i zuri çasti i fundit. Të tjerët flinin të qetë gjumin e përjetshëm. Nuk e besoni çfarëdo që t'ju them po nuk e patë vetë. Ishte diçka që asnjë përrallë a legjendë nuk e përshkruan: trupa të shpërndarë të kalorësve pak hapa larg kuajve, mizëri ushtarësh të huaj të vrarë e të shpërndarë në pozita të ndryshme. Atë mëngjes qetësia të tmerronte. Mrizi i Zanave tmerr e lavdi më të madhe nuk kishte parë. Më vinte të qaja, por lotët më kishin shteruar. Provova të lëshoja një zë të thërrisja dikë në ndihmë, por asnjë tel zëri nuk më punonte. Një herë nisa t'i mblidhja të vrarët tanë, i tërhoqa zvarrë disa, por ishte e pamundur, ishin të shpërndarë në tërë Grykën, disa nuk i kishin gjymtyrët, të tjerëve nuk më bënte zemra t'ua prishja gjumin, sa të qetë më dukeshin në gjumin e tyre të përjetshëm. Komandant Daorsin e pikasa, një shigjetë ia kishte përshkuar fytin, disa goditje sëpate ia kishin çarë parzmoren. 
        Jo shumë larg tij pushonte në paqe Doriani. I zbehtë në fytyrë, pa përkrenaren që i kishte rënë pak hapa më tutje se si më dukej sikur po pushonte, sepse ditë të tëra nuk pushoi. Glauku me sy të hapur, të shtangur, sikur më pyeste me habi: Po unë ç'kërkoj këtu? Monumi ishte në krye të Mrizit të Zanave, i madh dhe i bëshëm, plagët i pati të shumta. Përkrenarja nuk i kishte rënë, shpatën e mbante me duar të shtangura. Nuk eca më tutje, sepse në atë turbullirë që më mbërtheu pata përshtypjen se pak hapa më tutje do ta shihja kufomën time. Dikur më mbërtheu ngashërimi. Nuk e kapja nga duhej të ngjitesha që të kaptoja humnerën me kalin që shihte çdo cep me instinktin a kafshës së lemerisur. Dikur e kapa fillin e dhiares së fshehtë. 
        Kalorësi i tronditur pjesën tjetër të luftimeve na e dha në zyrën e komandant Konstandinit. Ai e përshkroi rrjedhën e betejës që nga dita kur u fut në Grykë. Luftimet ishin në vlug kur ia afrua prapavijës. Kalorësit mbroheshin, bënin vrapim qarkor, tërhiqeshin e sulmonin sërish. Hordhitë armike një herë futeshin me drojë në ngushticë, pastaj merrnin zemër e nisnin sulm të verbër me klithma që të ngjethnin shtatin. Kur mendonin se e morën fushën e betejës nën kontroll, dëgjoheshin britmat e kalorësve, ushtonte troku i kuajve e vringëllima e shpatave. Hi e pluhur ngrihej mbi Mrizin e Zanave. Dielli të përcëllonte nga vapa, pluhuri ta digjte fytin.
          - Nata ishte më e trishtë, - tha ai. -Shpendkeqi nuk pushonte. 
          - Kalorësit nuk e shihnin armikun, ndërsa e ngulnin shpatën në mish, u fërgëllonte shtati, sepse nuk e dinin nga t'i prisnin goditjet. Në pushimet e shkurtra në mes të dy betejave, qetësinë e natës e thyenin ofshamat e ushtarëve të plagosur. Kur mendonin se armiku u tërhoq, ndërsa prisnin prehje, atëherë dëgjoheshin britmat. Sulmi niste nga fillimi. Pak para se të agonte, pushonin sulmet, gryka qetësohej, qetësoheshin edhe kodrinat sipër. Koteshin kalorësit mbi kuaj, sepse asnjëri nuk mund të zbriste që të mos i zinte sulmi në befasi, flinin diku në errësirë edhe ushtarët armiq.
        Të nesërmen prapë nga lugina dëgjohej ushtima në formë britme të valëzuar të ushtarëve të armikut. Retë e pluhuri i mbulonin, numri i tyre nuk shihej, nuk shquheshin as formacionet. Sipas vijave të pluhurit që shprisheshin, pas një kohe, trupat që sulmonin nga lugina, ishin të çrregullta. Sekush mbante në dorë shpatën e shtizën. Harkëtarët tanë ishin prapa nesh në një kodrinë, vështronin armikun duke pritur me tension urdhrat e gjuajtjes. 
        Dikur turmat e shthurura të armikut afroheshin, më bëhej se ua dëgjoja frymëmarrjen. Britmat e tyre ishin shurdhuese, nuk dija nga vinin. Më habiste shpejtësia e lëvizjes së tyre, me hap të shpejt ushtarak, gati në vrap, sikur donin ta zvogëlonin hapësirën mes nesh e tyre. Nuk e di si i kishin bërë llogaritë, mizërinë e ushtarëve armiq mezi e zinte gryka e ngushtë. Në fund të grykës ishin kalorësit tanë që prisnin mësymjen dhe duhej ta ndillnin sulmin. Rreshtat e tyre duhej të shpërndaheshin që të lëviznin nëpër grykë, ndërsa pikërisht këtu ishte përparësia jonë, ata do të detyroheshin të pakësonin fuqinë goditëse, kur i bllokonim në vendin më të ngushtë,
        Heshtja jonë, në pritje të sulmit, e paqësoi grykën e kreshtat sipër kokave tona. Befas kur ia bëhen në krye të kodrinës shpërthyen zërat e ushtarëve armiq.
-Mos nxitoni, mos nxitoni! - na urdhëronte me zë të qetë komandant Daorsi.
Zëri i dridhej, por e ndieja se nuk kishte frikë, kishte emocione që na barteshin edhe neve. Ajri u elektrizua, po të shkrepte një xixë stralli do të shpërthente tërë gryka. Këmbët që pak më parë më dridheshin në leqe, m’u shtangën, m’u lëvarën si cungje në ijët e kalit.
        Prapë i ndiqnim me vëmendje lëvizjet e shpejtuara të armikut. Prisnim me shqisa të tendosura urdhrin kur do të godisnim. Para se të niseshim në sulm me kuaj që mezi i frenonim, harkëtarët ngrehën harqet, prisnim afrimin e armikut në rrezen e tyre të goditjes. Gati i humba shpresat se do të godisnim harkëtarët tanë, kur shiu i shigjetave e mbuloi qiellin. Kur pushuan shigjetat nisi mësymja jonë kundër tyre dhe e tyrja kundër nesh.
        Për një të dhjetën e sekondës e pashë kështjellën tonë në largësi, m’u duk se edhe Daorsi ktheu kokën nga kështjella. Furia e tij më zgjoi nga hutimi.
Mora në shënjestër formacionin e parë të sulmuesve. Kalorësit lëshonin klithmën luftarake. Harkëtarët gjysmë të strehuar prapa shkëmbit hidhnin shigjeta dhe ruheshin nga kundërgoditjet. 
        Dielli binte pingul mbi helmeta, truri na ziente nga vapa, kuajt kishin djersirë, mezi merrnin frymë, armiqtë vinin valë- valë, sulmonin e binin, ne ishim në një pozitë të mirë, por e kishim vështirë ta mbronim për një kohë të gjatë grykën, ndërsa prapa grykës strehohej pjesa më e madhe e të ikurve nga katundet e luginës. Dhe mizëria e ushtarëve armiq synonte majat e kreshtës që të depërtonte në prapavijë, atje ku ishin të strehuar gra e fëmijë. 
        Aty pashë Glaukun, me sy të shqyer, se si luftonte duke e vringëlluar shpatën majtas e djathtas. Nuk e di kur ra, por kurmin ia pashë me një plagë të madhe në kafkë. 
        Doriani, kalorësi zbulues, vraponte si era me kalin e tij të shpejtë, e pashë kur u fut në mesin e grupit të madh të ushtarëve armiq, godiste me sa i hante shpata, nuk isha shumë larg tij, por mbeta prapa, kur më dolën para një grumbull këmbësorësh, kurse atij një grup ushtarësh me heshta ia rrëzuan kalin. Doriani ishte i lehtë dhe i shpejtë, por ata ishin të shumtë, e rrethuan nga të gjitha anët. Fundin e pati të keq, ushtarët e rrethuan, secili e godiste me zemërimin e vet, nuk e di a mbeti pjesë e trupit pa ia shpuar me heshta.


(2)

        Kalorësi lajmëtar tregoi edhe për fundin e Monumit. Ai nuk e vrau veten që të mos binte në dorë të armikut. Ai ra në fushë të betejës.
          - Kur u vërsul, godiste si i ndërkryer, e merrte veten sa herë e godisnin. Mori disa plagë, ishte i kthjellët deri në çastin e fundit. 
Daorsin nuk e pashë kur ra, e di që deri në çastin kur mua m’u errësua mendja ai u printe kalorësve, - fliste lajmëtari Kestrin, ndërsa nisi ta ulte zërin si të pëshpëriste. 
          - Aty e pashë për herë të parë kalorësen e re Ledita, që luftonte përkrah të tjerëve, flokët i dilnin nga helmeta, i shtriheshin mbi supe, trupi i zgjatur drejt dorës me shpatë të zhveshur se si e bënte të pazakonshme e të frikshme si amazonat e legjendave. Pas betejës nuk ia kërkova kurmin, doja ta mbaja kujtimin e saj ashtu si më doli në betejë. Ende e dëgjoj britmën luftarake, - rrëfente kalorësi lajmëtar.

        Me një grup ushtarësh i varrosëm të treqind kalorësit e korpusit të dytë të Dardanisë, në vendin ku ranë me nga një shenjë sipër kokës dhe me një përmendore në krye të varreve. Ishte e rëndë pamja e Grykës, nuk u afruam as Konstandini as unë, nuk donim t'i shihnin ashtu si qenë katandisur. 
        Ushtarët varrmihës punuan tërë ditën, gurgdhendësit bënë punën e tyre. Ne rrinim të mpirë duke lëvizur nga një njësit te tjetri. 
          "Kam qenë çka je, do të jesh çka jam", e gdhendëm një fjali të ushtarëve antikë në gur, ndërsa përfundi urimin: "Hyu i kalorësve kjoftë me ju!" 
        Nuk ua bëmë gjëmën, nderimet ushtarake ua bëmë sipas traditës në Grykën e Mrizit të Zanave, në buzëmbrëmje. Boria i binte një muzike të përzishme, të gjithë rrinim të shtangur para varreve të sapohapura. Era e dheut të njomë t'i guduliste hundët, armatimi i rëndë na rëndonte edhe më shumë në këtë pamje të zymtë të vdekjes. Poshtë nesh në katund, nga kisha vinte muzika e një instrumenti "Te Deum laudamus" të Niketë Dardanit.
         E pashë me bisht të syrit komandant Konstandinin se si rrinte i mpirë para ushtarëve të armatosur që rrapëllonin armatimin sipas komandës së centurionit. 
Nga Korpusi i Dytë mbetëm vetëm unë e Konstandini. Athua e dinin këta ushtarë të rinj që rrinin të shtangur para varreve këtë gjë? Nuk ma merrte mendja.
        Majën e shigjetës që e kishte goditur në qafë Daorsin ma dorëzuan ushtarët. Shpatën e mburojën me përkrenaren e gjoksoren i futën në varrin e tij, ashtu sikurse ua lamë pranë të gjithë kalorësve armatimin aty ku i varrosën. E rrotullova disa herë këtë majë të mprehtë shigjete që ia mori jetën mikut tim. Gjaku i mpiksur ende i rrinte në cepin e majës. Kur u ktheva në kështjellë e futa në mesin e pergamenave që m’i dha t'i ruaja.
          - Nuk më duhen më, - më tha, një natë para nisjes, - ruaji, është e tërë jeta jonë.

        Më kujtohen kur dolën nga dyert e mëdha të kështjellës me zhurmë. Troku i kuajve u dëgjua edhe një kohë pasi u larguan. Ushtarët e rinj i shihnim me admirim nga muret e kështjellës, i ndoqëm me sy një kohë të gjatë, gjithnjë duke bërë me gisht kur dilnin në majë të ndonjë kreshte. Një pikëllim më mbërtheu si asnjëherë më parë. Kalorësit qenë nisur edhe herë të tjera në luftë a në ekspedita, përshëndeteshim gëzueshëm me shpresën se prapë do të shiheshim, por kësaj radhe se si ishte. E ndoqa gjatë kolonën e tyre kur kaptonte qafat e malit.
        Ndërkaq, në mbrëmje, kur u ulëm në pijetore të pinim nga një gotë verë për shpirtin e kalorësve, Konstandini më tregoi bisedën e fundit me Daorsin për betejën e Panonisë:
          - Të treqind kalorësve të Dardanisë u prija me ankth, druaja se nuk do ta shpëtoja asnjërin, ndërsa përpiqesha të shpëtoja secilin. Kur i ndieja britmat e ushtarëve të kohortës sime, ndërsa e dija që e goditi shpata e armikut, më therte në zemër, gjithnjë shpresoja se goditja ishte plagë e lehtë. 
Pastaj m’u drejtua me pikëllim:
          - Mendon se kam të drejtë t' i shpie në vdekje kalorësit?
          - Jam hyu që vendos për jetën e vdekjen e tyre?
          - Ata janë kalorës dhe atë detyrë kanë, -ia ktheva që t'ia hiqja ngarkesën e përgjegjësisë.