Mittwoch, 13. Februar 2019

Poezi nga Vaid Hyzoti (1)

Vaid Hyzoti



















NATA

Kush tha se nata eshte e verber,
Se driten e syrit na vesh me erresire?

Naten, oh naten, ne shihemi me mire!



MOS IK SONTE...

Mos ik sonte, nuk dua te fle!
Rri me mua ta zbardhim kete nate...
Te ma njihnin deshiren, autobuset do prishen,
Ne bie ne gjume,
Nata do me zbardhe!



TAKIMI

Ne takim
me fton çdo ditë nje vajze,
Dhe gjithnjë ftesa më vjen me vonese...
Gezoj se ndihem i dashuruar,
Ndonëse asnjëra s’ka durim te me prese...



IKEN ORA...

Ikën ora, bëhet një minut,
Kur jemi bashkë, e dashur!
Kush e shpiku orën,
Eremit a murg?
Që dashuri
Kurrë s’paska patur!



BINTE SHI...

Vetem une i ndjeva thjerzat e rrufeve,
Kur ike. Hape ombrellen. Binte shi
ate dite...
Sa mire, qe koken s’e ktheve,
se do kuptoje, se as qepallat,
as qerpiket
Nuk janë çader per syte!



E PERNATSHME

Çdo natë mbyll derēn, fik dritën, të mendoj ty
Dhe shtrihem për të fjetur...
Vonë nē ëndërr më shfaqet që derën kam lënë hapur.
I kënaqur zgjas dorën... sa e tmerrshme!
Ti s’paske ardhur!



KU JE...

Imja s’je më.
S’të shoh askund
Prape të kërkoj:
Druaj se mē humb...



PA LOTE

... ja mire tani. Iku gripi, me thua
Dhe syri s’ka lote e eshte plot drite...
Gezoj qe nuk e sheh syrin tim,
Si e rrembush malli per ty çdo dite...



KOHE MODERNE

...dhe puthemi pa u prekur,
lexojme filxhanin e syrit-
pa u pare...
A kane endrra njerezit e vdekur?
Ndahemi duke qeshur,
Fshihemi per te qare...



TI PRET

Ti pret nje peshperime, një ofshame,
Mjafton që unë të flas i pari...
Ç’të të them?
Veç lutje bëlbëzon i varuri...



FEMER FATLUME

Je fatlume qe u dashurove me mua,
Me fat dhe me te madh qe nuk jemi bashke.
Nje jete qe vuaj...por vuajtje e nje burri
Te ruan te bukur,
Siç ishe vajze!



AKOMA JE...

Ç’m’u desh tē zhytesha nē kujtime:
Harruar në cep shpirti, të shoh që ende je!
Më kanë humbur ca mollëza pērkëdhelēse nga gishtat,
Mund të shohësh:
I kam lënë atje?



MERRI

Nga kujdesi i madh, mbaj me sy doren tende te brishte:
Thiken e pirunin kam vene ne qerpike.
Ti çanë guacka
E midhjet percjellë me verë...
E ç’te duhen midhjet?
Ngule pirunin e merr sytë e mi!
Se kurre me nuk do shohin
Bukuri më me vlerë!



...SE ISHA I RI

...Se isha i ri, pa bere njezete
Edhe me vajzat e kisha me lehte
Te merrnim e te jepnim pervelueset puthje...
...Se isha i ri. E tani s'jam me.
Veçse ne mendje s'ka nderruar asgje,

Mallin e puthjeve e ripertyp rrugeve...




HARMONI

Dy dritezat e syrit shohin ne nje pike,
Pa xhelozi per njeratjetren, pa grindje...
Veçse ngahere (sa ngjajne me ne te dy),
Kujtohen se kane hunden
Ne mes te tyre!



SYTE

Lodha syte e mi
Me pune te renda:
Ç'mbledhin diten jashte
I qajne naten brenda!




BIBLA MODERNE

Ne pershtatje te kohes moderne,
Ndryshime po ben dhe Bibla...
Nuk do te jete me e para Fjala...

E para eshte Ulerima!




BOJA

Me magjepsi ngjyre e zerit tend
Dhe shpejt u ndjeva i dashuruar...
Por...pas çdo takimi shihja rrenjet e fjales edhe te renkimeve!

Valle, pse përdor bojē të skaduar?



SA HERE...

Sa here jam i merzitur
Pi duhan;
Kur jam i gezuar,
Pi vere
...s'di pse cigaren
s'e lashe asnjehere!

2013



PO SHTOHEN...

Po shtohen ne bote
Njerezit obeze.
Te uritur per buke,
Te ngopur me shprese...

____
Këto lule i mblodhem në kopshtin e poetit në Facebook

Montag, 4. Februar 2019

Buqetë poetike nga Biser Mehmeti

Biser Mehmeti

VERBËSI


Nuk e sheh kohën 
Si i zverdh lulet e pranverës

Këndon pa zë
Derisa loti ta djeg fytyrën

Nuk e dëgjon rrufenë
Si e vret shpresën e fundit

Këndon me zërin e korbit
Derisa acari ta ngrin gjuhën

E dashur
Je e verbër
Si nata e parë në varr




KONTRAST

Në ëndërr flasim
Në zgjëndërr heshtim

Ditën duhemi
Natën urrehemi

Verës mbjellim lule
Dimrit i shembim urat

Në fund të fjalës 
Pikën e gëlltisim

Qeshim me vetveten
Në vend se të qajmë

Kurrë nuk të kam dashur
Kurrë nuk të kam urryer



PRITJA

Shiu djeg fjalën e fundit
Që çelin në lulen e posambjellë

Rruga deri te kënga
Tri herë ndërrohet

Zëri bredh nëpër botë
Bota zgërdhihet si bishë e plagosur

Shamia u dogj
Duke e trembur ujkun

Kujtimet e lajnë fytyrën
Nga shpresat e rreme

Edhe ky shiu nuk do të ndalet
As kur pritja të bënë vetëvrasje




DO TË VDESËSH

E dashur
Do të vdesësh 
Larg vetvetes
Në pyllin e vetmisë

E nuk do të dish
Kush të vrau
Para se të fillosh
Lojën e marrëzisë

E nuk do të lësh
Asnjë gjurmë të vetme
Në rrugën e pakthim
Të cilën kurrë s’e deshe

E nuk do të pendohesh
Që linde gabimisht
Që jetove gabimisht
Që më dashurove gabimisht

E do të gëzohesh
Që vdiqe rastësisht
Nga gabimet e botës
Që u tall me ty

E do të ngopesh
Me dheun e vendlindjes
Që gjithnjë të mungoi




TË VERBOHEN SYTË

Iki nga ti
Ty të verbohen sytë

Më nuk e sheh detin
Kur vdes në qeshjen tënde

Era luan me ardhmërinë tënde
Që mbështillet me qefin të zi

Iki nga ti
Ti hap varrin në liqe

E kërkon diçka
Nëpër kohën e vdekur

Kur kthehem te ti
Mbi varr kanë mbirë ferrat




NESËR

Nesër do ta urrej
Edhe qeshjen tënde
Që e vret zogun

Kur luaj me heshtjen
Gjuha e krimbur
Then eshtrat e fjalës

Sytë t’i vodhi deti
Kur hyre në të gabimisht
E më kurrë nuk dole

Do t’i varrosi fjalët e pathëna
Me qefinin e leckosur t’i mbështjell
Derisa urrejtja të bëjë vetëvrasje

Nesër do të jetë vonë
T’ia fillojmë dashurisë

Samstag, 2. Februar 2019

Tregime nga Shkëlzen Halimi (2)

Shkëlzen Halimi


RRUGËTIMI

          Përmbajtja e harruar më kthehet nga rrugëtimi nëpër labirintin e kujtesës. Është një përmbajtje e ngurosur dhe e futur në një arkë pa kapak të ngjashëm me qivurin. Gratë e këqija shkojnë e pështyjnë në atë qivur, duke e mbajtur në jetë me lagështinë e pështymës, ashtu siç policia sekrete ua kthen shpirtin me një kovë ujë atyre që e mbrojnë të vërtetën. Në atë përmbajtje kam parë të skicuar edhe portretin tim.
          I zënë në zgrip për shkak të fjalës së dhënë, vendosa të udhëtoj me anijen e dehur nëpër detin e lafitur, duke huazuar fatin e Udhësit, sepse mendoja se një ditë do të arrij në bregun e duhur dhe se dënimi i Zotit do të marrë fund. Larg pragut të shtëpisë, i rrahur nga erërat dhe valët e çmendura, luftoja vetëm për një dëshirë: ta sjell gëzimin në shtëpi, të prehem qetë në atdhe dhe të mos përfundoj diku në katakombet e detit. Nëntë vjet udhëtim, nëntë vjet nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes për të arritur te motra Doruntinë, sepse i kisha dhënë fjalën Lokes se Doruntinën, sa herë të dojë ajo, do ta sjell në shtëpi, sepse e patëm martuar përtej nëntë maleve e nëntë deteve.
          Dhe kur më në fund arrita, Doruntinës sime të dashur i thashë shkurtë: bëhu gati se na pret rrugë e gjatë. Pas nëntë ditë e nëntë netëve, pa i thënë gjë asaj për vëllezërit tjerë dhe për Loken, arritëm në fshatin tonë të vetmuar. Nga hungërima e rëndë e kalit që ndërroi jetë në mes të fshatit, u zgjuan gratë e këqija dhe filluan ta vajtojnë Doruntinën. Kush të solli moj e mjerë, i thanë ato, duke shkulur flokët. Vëllai im i vogël, ua ktheu ajo. Vllaznit të kanë vdek, e Lokja të asht verbue, i thanë ato.
          Aty për aty Doruntina u zhduk, duke lëshuar një zë qyqe. Pastaj zuri vend nata dhe dëgjova pëshpëritjen e Lokes: nuk e mbajte fjalën, nuk ma solle Doruntinën.
          Kur dola në anën tjetër të lumit, pashë se më nuk kundërmoja erë dheu dhe ndjeja se isha rilindur. Ndërkaq në atë Qivur pa kapak mbeti vetëm një iluzion, të cilin vazhdojnë ta mbajnë në jetë me lagështinë e pështymës pikërisht gratë e këqija që dikur moti thurën përmbajtje me gjuhën e helmit. Shpesh përmbajtja e harruar më kthehet nga rrugëtimi nëpër labirintin e kujtesës, të cilën sërish ma merr harresa. Tash jam i çliruar nga ndjenja e mëkatit, sepse legjenda thotë se Lokja ia dëgjoi zërin Doruntinës dhe arriti t'ia miklojë flokët.
          Kur të dal nga oda e vetmisë, do të vazhdoj të jem Udhës në anijen e dehur që lundron nëpër detin e lafitur...



PENGU

          Te stacioni i pritjes ku malli digjet ditë e natë në flakën e qiririt, nënës i thashë se do ta marr rrugën që ndoshta është pa kthim. Ajo psherëtiu rëndë. Do të shkoj, por një copë të jetës do ta lë si peng. Ajo sërish nuk foli, edhe pse pata bindjen se nga zbehja që i ra fytyrës, do ta lëshojnë këmbët. Unë ika, kurse ajo mbeti aty te qershia që ishte në fillim të fshatit. Vite të tëra e kam ndjerë mungesën e asaj cope të jetës që e lash si peng. Ishte njësoj sikur të të mungojë njëra gjymtyrë. Shihja se valët e jetës më përplasnin skëterrave të ndryshme. Ishte një përplasje e rëndë dhe mezi e përballoja ekuilibrin shpirtëror. Do të kthehem një ditë, i thash infermieres plakë që ma shëronte plagën në klinikën e të gjymtëve. Po, duhet të kthehesh, së paku të qetësohesh, më tha ajo. Kam frikë, fola unë. S'ke pse të frikohesh, është pjesë e jetës sate. Nëntë muaj rresht qëndrova në atë klinikë, duke u shëruar me seanca agjërimi. Vetëm kur mbeta kockë e lëkurë, atëherë më thanë se erdhi koha të marr rrugën e kthimit.
          Kur sërish u gjeta në hyrje të fshatit, pashë se nga qershia e dikurshme kishte mbetur vetëm një pjesë e trungut të thatë. U ula mbi një rrasë guri, duke shikuar fshatin e rrënuar ku jeta kishte marrë fund. Ishte një pamje sa e frikshme, aq edhe e dhembshme. Terri ishte lëshuar kur vendosa të largohem. Sakaq, përballë më doli një fëmijë me një gotë uji. E ujis qershinë, më tha ai. Nënë më ka thënë që çdo ditë ta bëj këtë punë. Nëna, fola habitshëm. Po, ajo ka shkuar në qiell dhe më ka thënë se që andej do t' më shikojë se si unë e mbaj në jetë qershinë. Po fshati, ç' ka ndodhur me fshatin, e pyeta. Nuk e di. Kam dëgjuar se dikur atje kanë jetuar njerëz të lumtur. Askush s' di të tregojë se çfarë ndodhi. Fshati ka vdekur, më tha ai dhe shkoi drejt qershisë. Pastaj fëmija u zhduk, ndërkaq unë kuptova se më kishte vdekur edhe ajo pjesë e jetës që e kisha lënë peng...



NJË VDEKJE E ÇUDITSHME

          Një ditë para se ta humbte vetëdijen, ajo më tha: nëse vdes, mos më varrosni pa qenë prezent (Kostan)DINI dhe (Dorun)TINA. I thash se do ta mbaj fjalën. Të nesërmen mora lajmin e keq: ajo humbi vetëdijen. Po të njëjtën ditë mori një mot i lig, me borë e acar të trishtueshëm. Mora Dinin në telefon dhe ia tregova lajmin e rëndë. Do të vij, ndonëse të gjitha rrugët janë të pakalueshme, tha ai. Gjallë a vdekur do të jemi aty, bashkë me Tinën.
          Po e mbajmë në jetë, më tha mjeku kujdestar, por sa do të zgjasë kjo gjendje nuk e di.
          Pas shtatë ditë udhëtimi, të rraskapitur sa s' mund të përshkruhet, Dini dhe Tina mbërritën në shtëpi. Pikë gjaku s' kishte mbetur në fytyrat e tyre. As folën e as futën gjë në gojë. Lajmet edhe më tej njoftonin për rrugët e pakalueshme.
          Si arritët deri këtu, i pyeta rrugës drejt klinikës. Nuk mora përgjigje.
          Bashkë me mjekun u futëm në dhomën e vogël. Pashë se Tinës i rrëshqiti në faqe një pikë loti, kurse Dini ia përkëdheli ballin. Ata dolën, ndërkaq unë mbeta me mjekun.
          Gjendja e saj nuk premton shumë, më tha ai.
          Mendova se Dini e Tina po më pritnin jashtë, por nuk ishin. Pastaj shkova në shtëpi, i bindur se do t'i takoj aty. Nuk i gjeta. Nuk erdhën as në mbrëmje, as të nesërmen kur në mesditë mjeku më njoftoi se jeta e saj ishte shuar. E varrosëm, por mendjen e kisha te zhdukja e papritur e Dinit dhe Tinës. Çuditërisht askush nga të pranishmit, ndonëse të gjithë i kishin parë, nuk e zunë në gojë mungesën e tyre. Diçka kishte ndodhur, por ja që s' mundesha ta gjej fillin.
          Në mbrëmjen e të njëjtës ditë, pak para mesit të natës, cingëroi telefoni. Dëgjova zërin e Dinit. Po dëneste. Ishte e pamundur të vijmë, më tha ai dhe e uli receptorin.
          Kurrë më nuk u paraqitën, as Dini e as Tina. I kam kërkuar gjithandej. U zhdukën pa lënë gjurmë.
          Ishte një vdekje e çuditshme, më tha mjeku ditën kur ma kumtoi lajmin e kobshme. Pak para se gjithçka të merrte fund, ajo i kishte thënë mjekut: po shkoj me Dinin dhe Tinën. I kishte mbyllur sytë, duke buzëqeshur...
          Nuk e di...ndoshta kishin qenë aty...nuk e di…



TUNELI

          U shkreha në vaj nga ajo pamje ngjethëse. Arkivoli hermetikisht i mbyllur qëndronte në mes të dhomës. Mbi të kishin lënë një xham në formë katrori, sa për t'ia parë fytyrën. Më thanë se është ai, kurse mua fare nuk më ngjau. Zëshëm bërtita: mos jeni çmendur, nuk është ai.
          Habitshëm më shikonin fytyra të panjohur, që kishin ardhur për të shprehur ngushëllime dhe për ta përcjellë të ndjerin deri në shtëpinë e fundit. Pastaj e morën arkivolin dhe e lëshuan nën ftoin e vjetër të kopshtit tonë.
          Duhet ta nxjerrim nga ai arkivol e t'ia pastrojmë plagët, kishte thënë dikush. Kur në mesditë kortezhi lëshoi shtëpinë, tinëzisht u përvodha deri te arkivoli i thyer që e kishin lënë pikërisht nën ftoin e vjetër. Në fund të tij pashë vetëm një copë pambuku të përgjakur. E mora dhe e fsheha nën hambar, aty ku zakonisht i ruaja gjërat për të cilat nuk kisha dëshirë të dijë askush. Kur në krye të shtatë ditëve ikën të gjithë ata që asnjëherë më parë nuk i kisha takuar dhe kur mbi shtëpinë tonë pllakosi heshtja mortore, mora pambukun që e kisha lënë nën hambar dhe shkova e u fsheha në mes të vreshtave, që gjendeshin sipër shtëpisë sonë. Pambuku edhe më tej kishte erën e jodit, ndërkaq njollat e gjakut pothuaj ishin tharë. Nuk është ky gjaku ynë, pata thënë atëbotë derisa qëndroja në mes të vreshtave.
          Në atë moshë të re mendoja se e gjithë bota që më rrethonte është çmendur, prandaj edhe nuk ndjeja ndonjë pikëllim të veçantë, sepse isha i bindur se në shtëpinë tonë kishte ardhur një kufomë e panjohur, mbi të cilën ishte lëshuar gjëma e dhembjes.
          Ditët e fundit të asaj vjeshte i kalova duke pritur në fillim të fshatit, sepse pikërisht atëherë ai kthehej nga largësitë ku shkonte për t'u prehur në qetësinë, siç thoshte, magjike. Doja që t'i hidhem në krahë dhe t'i them se të gjithë janë çmendur dhe se të kanë varrosur. Kur ra bora e parë, atëherë u binda se ai megjithatë nuk do të kthehet dhe se kisha bërë hapin e parë në rrugën që çon drejt tunelit të çmendurisë. Po mos të ishte ajo copë pambuku, që vazhdon t' ma përkujtojë aromën e klinikave, ndoshta një ditë do të kisha arritur në fund të atij tuneli. Sa herë që i afrohem fundit, shoh një dritë të dobët që vije po nga ai pambuk që e mbaj në xhepin e brendshëm të palltos. Atëherë zmbrapsem...



SHTËPIA

          Ishte shtëpi e mërzitshme, neveritëse. Një herë në vit, zakonisht në pranverë, shkoja dhe trokitja në derën e saj, e cila hapej rëndë. Gjithnjë në mes të korridorit të gjatë më priste një mace e zezë, e cila, sapo më shihte, ndalej para dhomës ku kishte ndërruar jetë babai. Ndërkaq, dhoma kishte pamjen e njëjtë: një krevat dhe një karrige në të cilën ulesha sa herë që shkoja për ta vizituar babain, derisa ai dergjej nga një sëmundje që asnjëherë s'e kuptuam çfarë ishte. Babai në të vërtetë nuk kishte dhembje. I mungonte vetëm fuqia. U dërmua aq shumë sa që nuk mundej t'i lëvizte as gjymtyrët.
          E dua qetësinë, më thoshte sa herë që shkoja për t'i dhënë një pikë ujë.
          Një ditë teksa më shikonte përvajshëm, i mbylli sytë dhe nuk u zgjua asnjëherë. Shkoi qetë. Nuk lëshova asnjë zë, asnjë klithmë, sepse ndjeja se do t'ia tradhtoja qetësinë që aq shumë e dëshironte. Derisa qëndroja në karrige, duke ndjerë aromën e babait, pikëllimin tim e skërmiste kureshtja për ta kuptuar të vërtetën se pse babai e adhuronte aq shumë qetësinë, të cilën e kishte ndjerë si nevojë deri në frymëmarrjen e fundit.
          Shtëpia e mërzitshme më nuk është aty. Që moti mbi themelet e saj është ngritur një teatër, në të cilin kam shikuar vetëm një shfaqje me dy aktorë: njëri (i çmendur) që ishte i lidhur në krevat dhe tjetri pranë tij, në karrige, duke qeshur në mënyrë ironike. E di se pas asaj pamje, duke dënesur, kam lëshuar shfaqjen, kam ikur dhe kam vrapuar rrugëve të qytetit për të gjetur ndonjë strehë ku s' vritet qetësia. Edhe shtëpinë e mërzitshme e kam vizatuar në murin e odës së vetmisë. Sa herë që e shikoj zhytem në qetësinë e dëshiruar të babait, të cilën pak para mëngjesit ma prish një mjaullimë maceje, që fshikullon bashkë me erën e acartë, duke paralajmëruar se po fillon edhe një ditë e rëndë...



MONA LIZA

          Sa herë që shkoja në stacionin e pritjes, në atë stacion ku më vinte vetëm pikëllimi, i shihja të njëjtit zogj me të cilët Loni im, krejt rastësisht, dikur moti, pati krijuar miqësi të çuditshme. Ishin po ata zogj, të cilët në një mëngjes me shi iu afruan te këmbët, ndërkaq Loni, oh, me atë dashuri të fëmijës, pa u hamendur fare filloi t’i ushqejë. Asnjëherë nuk më shlyhet ajo pamje, ai gëzim që ia përshkoi fytyrën bashkë me sytë e përlotur. Babi, më tha ai, unë nuk kthehem më në shtëpi, do të fluturoj me zogjtë nëpër qiell. Do t’i ushqej, do të kujdesem sa të mundem, sepse shiko, shiko se si i lëvizin këmbët, shiko se me çfarë urie i marrin copëzat e bukës. Ne nuk mund të fluturojmë, i pata thënë. Unë do të fluturoj, do të fluturoj, do të iki larg, më tha Loni. Kur për herë të fundit shkova në stacionin e pritjes me Lonin tim, befas, para meje u paraqit një plakë e lodhur dhe në dorë më lëshoi një zarf të verdhë. E dëgjova tek më tha shkurt: të pret dhe aty për aty u zhduk tej tymit që vinte nga helli i një shitësi të gështenjave. Më kishte shkruar dikush me emrin Mona Liza. Në letër shkruante: “në ora njëmbëdhjetë më prit pranë telefonit”. Pastaj, kur erdha në vete pas habisë që ma shkaktoi plaka, pashë se pranë nuk e kisha Lonin. U tmerrova. Thjeshtë më lëshuan këmbët. Rashë në gjunjë duke dënesur. E di se më vonë, si i marrë kam vrapuar nëpër rrugë me shpresë se do ta gjej diku Lonin. Pak para orës njëmbëdhjetë u gjeta përballë ndërtesës ku ishte banesa ime njëdhomëshe. I lodhur pa fund, u ula të pushoj një çikëz pranë ashensorit të vjetër që me vite të tëra nuk punonte, sepse më priste rruga e gjatë për t’u ngjitur nëpër shkallë deri në katin e trembëdhjetë. Sapo u futa në dhomë, zogu i orës së vjetër cicëroi njëmbëdhjetë herë dhe po në atë çast kumboi cingërima e telefonit. Unë jam, Mona Liza, dëgjova një zë femre në kufjen e telefonit. Mona Liza, thashë habitshëm, nuk e di, ndoshta... Natyrisht, foli sërish ajo, nuk të kujtohem se ka kaluar kohë e gjatë. Me vite të tëra nuk jemi takuar. Nuk e di, i thashë, ndoshta... Po mirë, e pyeta, çka ndodhi pas takimit tonë të fundit? Kam qenë e burgosur në një skëterrë dhe po mos të ishte një zog, gjuhën e të cilit e mësova, me siguri se do të isha e vdekur. Pikërisht ai zog më ka mbajtur në jetë. Por, fatkeqësisht zogu iku, ndaj dhe kërkoj ndihmë prej teje. Dëshiroj që sërish t’ ma pikturosh atë zog, më tha ajo dhe sakaq u ndërpre lidhja. Shumë herë pata shkuar në stacionin e pritjes, me shpresën se Loni do t’ më kthehet. I vëreja të njëjtët zogj, të cilët më afroheshin pasi e dinin se u çoja ushqim. Dhe gjithnjë një zog me krahë të bardhë më ngjitej në sup dhe më pëshpëriste diçka që nuk e kuptoja. Kur në orët e mbrëmjes kthehesha në dhomën time të vogël, në katin e trembëdhjetë, vazhdimisht, pak para mesnatës, cingëronte telefoni. Por, askush nuk lajmërohej. Ndërkaq unë gjithnjë mendoja se ishte Mona Liza, zëri i së cilës nuk depërtonte deri tek unë, për shkak se pikërisht në atë moment, zogu i orës cicëronte dymbëdhjetë herë. Ishte një cicërimë e përvajshme, një cicërimë prekëse, të cilën e dëgjoja vetëm unë dhe Mona Liza e humbur dikur në sferat e pakapshme, ku qëndronte e mbyllur duke e pritur zogun e saj, pikërisht siç e prisja unë Lonin tim, që një herë moti më pati thënë se nuk kthehem më në shtëpi, se do të fluturojë bashkë me zogjtë...



GUACAT

          Qëndrova para pasqyrës dhe thash: po shuhem...
          Nuk je në varr, por i mbyllur në guacën e vetmisë, më tha një zë nga ana tjetër e pasqyrës.
          Jam në odën e vetmisë, iu përgjigja me një zë të ngjirur.
          A të kujtohet kur të pata thënë se më shumë guaca ka jashtë ujërave? Më shikove habitshëm, duke thënë: ke filluar të çmendesh.
          Unë vetëm qesha dhe asgjë nuk të thashë, sepse pata menduar se vërtet do t' më marrish për të çmendur. Sa e sa të fshehta përfundojnë pa u treguar asnjëherë. Janë të panumërta. Të gjitha ato i përpin vdekja. Në fëmijëri, netëve të verës shtrihesha në kopshtin tonë të blertë dhe me mallëngjim sodisja yjet që shpërndaheshin gjithandej nëpër qiell. Një natë vendosa të qëndroj deri në agshol për të parë se si ato zhdukeshin. Në të vërtetë nuk zhdukeshin, por fikeshin, ngadalë, ashtu siç jep shpirt njeriu. Edhe atëherë më mundonte e njëjta dilemë: vallë, janë po të njëjtat yje që paraqiten sërish kur bie terri? Nëse fiken, atëherë pse sërish ndriçojnë? Kush ua jep atë dritë? Atëbotë unë mendoja se yjet në qiell në të vërtetë janë shpirtrat e njerëzve që pandërprerë, ditë e natë, ngjiten lartë dhe gjatë natës e luajnë vallen e fundit që zgjat deri në agsholin e parë, sepse pastaj mbyllen në guacën e tyre dhe përfundojnë diku në zonat e errëta të kozmosit, të vetmuara përjetësisht.
          Në jetën e përditshme guacat tona të vetmisë herë hapen - herë mbyllen. Nuk dalin nga gëzhojat e tyre, ku mbeten të mbyllura edhe shumë fshehtësi, të cilat s'rrëfehen asnjëherë. Beso se ato fshehtësi, në të shumtën e rasteve janë fshehtësi dashurie, që albumit tonë të kujtesës i japin një përmbajtje magjike, e që shndrijnë vetëm një herë, vetëm atëherë kur luhet vallja e shkurtër e yjeve...



MURI

          Nga të lehurat e tmerrshme mëngjeset s’duken askund. E dashur, jam lodhur shumë duke pritur fundin. Cilin fund, do të pyesësh. Sa herë që në horizont shoh fundin, shembet muri i shpresës. Pastaj, si zakonisht, sërish i mbledh gurët, një nga një. Zbres poshtë në përrua, marr një gur, e vë në supe dhe ngjitem lartë. Sërish zbres, sërish ngjitem...Kur filloj të përgjakem dhe kur ndjej dhembje të tmerrshme në nyje, atëherë bindem se më ka mbetur vetëm guri i fundit. Prapë e ndërtoj murin e shpresës, prapë shembet dhe prapë dhembja përsëritet.
          Një natë, tek sa frynte një puhizë, shpërtheva dhe u shkreha në vaj. Më shkoi mendja të kërcej nga ai mur ende i papërfunduar dhe të bie atje poshtë mbi gurët e thepisur të lumit të shterur. Por, mblodha veten, sepse mendja më ishte bërë top se muri i shpresës do të na duhej për ditët e vështira. Kur të marrë fund puna, do të shkojmë pranë murit dhe do ta shërojmë shpirtin, duke u lehtësuar nga lotët e dhembjes. Me qeshje do ta pikturojmë lindjen dhe vdekjen e lehtë. Me ngjyra shëruese do ta mbushim zbrazëtirën e madhe midis lindjes dhe vdekjes, që do të jetë një urë e lartë. Do të flijohemi që kjo urë të mos tkurret. Do të ulemi mbi atë mur dhe me shikimin tonë të mprehtë do ta ruajmë ekuilibrin e urës, ndërkaq lumin që ndan dy brigjet, do ta mbushim me lotët e dhembjes për të dashurit tanë, që vijnë e shkojnë sa çel e mbyll sytë. Dashuri të vetme do ta kemi këtë urë.
          Do ta bëjmë këtë kur të dal nga oda e vetmisë, ku akoma në pasqyrë s' më paraqitet portreti im i vërtetë, por dikush tjetër, me një fytyrë të mjegulluar, që vazhdimisht gdhend një kryq. Unë do ta pres fundin, kurse ti, megjithatë, më prit aty në vendin ku duhet të ndërtohet muri i shpresës. Tinëzisht do të ngjitem atje në maje, kurse në odë peng do ta lë vetminë dhe heshtjen. Asgjë s'do të marr pos ëndrrës për lulen e çuditshme me ngjyrë purpur, me gjethe të çuditshme dhe pa rrënjë. Do ta mbjellim në themelin e murit të shpresës. Pastaj do të fshihemi aty pranë dhe do të presim atë, foshnjën, që do ta rinjohë veten në mëngjesin e parë. Rëndë do ta kemi... Se ndoshta nga të lehurat e tmerrshme mëngjesi nuk do t'i ikë errësirës...



GROPËZAT

          Nuk e di se a të kujtohet kur një natë dimri më pyete se përse unë kisha aq shumë dëshirë të mbyllem në vetvete. Nuk t'u përgjigja, sepse gropëzat e syve i kishe të irnosura. Kur të pash në atë gjendje zëri më shteri, kurse ti mendove se më kishte zënë gjumi. Ndonëse nuk e shihje veten, ishe transformuar në një portret të deformuar dhe nuk i ngjaje krijesës që unë e ruaja për t'u frymëzuar në deshifrimin e të panjohurave të jetës. Asaj nate u bëre e panjohura e re, që mori trajtën e brengës së madhe. Kur u binda se të kaploi gjumi i vdekjes, mora valixhen e vogël dhe ika, sepse nuk doja të jem prezent ditën kur do të çonin në banesën e fundit. Beso së të vinte erë dheu. Isha i tmerruar... Ndjeva se në derë po trokiste kobi.
          Kujtimi për gropëzat e irnosura të syve nuk më është zbehura fare, përkundrazi ato, sytë, vazhdimisht më përcjellin në çdo lëvizje. Një ditë, i lodhur nga pagjumësia, pa ndonjë qëllim të caktuar, fillova të vrapoj rrugëve të labirintit. Vrapoja dhe përjargesha, duke e humbur herë - herë edhe frymëmarrjen. E di se në një çast më mbuloi errësira dhe, nuk e di pas sa kohe, jam zgjuar i lidhur për një krevat. Një infermiere më tha se kisha fjetur trembëdhjetë ditë dhe se isha në klinikën e shërimit të pagjumësisë. Unë nuk jam i sëmurë, i thash asaj, kurse ajo m'u përgjigj shkurtë: trembëdhjetë ditë përgjumësh ke shqiptuar vetëm një fjali - po më ndjekin gropëzat e irnosura të syve. Infermierja më tha se do t' më pastrojnë nga të gjitha dhembjet. Më morën dhe më çuan në një dhomë të mbushur me akull. Vetëm kur u bindën se e kisha harruar edhe emrin, hapën portën e klinikës dhe më thënë: je shëruar. Nuk e di a më kanë gënjyer ata apo unë i kam gënjyer. Vërtet nuk e di. Por, kujtimi i gropëzave të irnosura të syve vazhdon të më ndjekë edhe më tej dhe sa herë që shikohem në pasqyrën e odës së vetmisë, në anën tjetër i shoh të njëjtat gropëza të irnosura që pëshpëritin rrëfimin për një varr të pambuluar...



LULJA

          Në këtë odë të vetmisë, vetëm dhembja s’më ndahet. Shpesh përvidhem përtej dritares së pikturuar në mur dhe ujis lulen e melankolisë. Është një lule ngjyrë purpur, me gjethe të çuditshme dhe pa rrënjë. Kurdo që i afrohem, ndjej se gjethet lëshojnë një ngrohtësi magjike. Dhe, kur më kaplon gjumi, e kjo ndodh shumë rrallë, çuditërisht shoh të njëjtën ëndërr. Mbi arkivolin tim qëndron po ajo lule, gjethet e së cilës lëshojnë pika loti, sa herë që dëgjohet muzika e përmortshme. Më paraqiten edhe një palë duar që ty, e dashur, ta zgjasin një flamur të leckosur, të cilën ti e ndrydh tinëzisht. Kur zgjohem ndjej se trupi më bëhet akull dhe se djersët nga ankthi njomin gjethet e lules. Atëherë më lind dëshira që ta marr atë lule dhe t'ia bëj një vend në odën e vetmisë. Por, nuk mundem. Nuk mundem, se i tërë trupi më shtanget, frymëmarrja më rëndohet, syve u bie një tis i zi dhe alivanosem. Sapo përmendem nga kjo katrahurë, shoh veten tek qëndroj në mes të odës, i mbledhur galuc dhe me një gjeth në dorë, i cili sakaq shndërrohet në një materie të lëngshme me ngjyrë të bardhë. Pastaj, me këtë ngjyrë, para se ta mbylli dritaren, lules ia vizatoj një gjeth të ri. Të thash se shpesh përvidhem përtej dritares së pikturuar në mur dhe shkoj te ajo lule. Shkoj me shpresën se në atë ëndërr do të ta shoh fytyrën, që e mban të mbuluar me një vel të zi. Por, t'i shoh vetëm duart duke e marrë atë flamur të leckosur, të cilin tinëzisht e ndrydh. E di se këtë e bën nga urrejtja ndaj atyre, të cilët mundohen të të bindin se brenda arkivolit gjendem unë. Kur të pushojë muzika e përmortshme dhe kur gjethet e lules të mos lëshojnë pika loti, atëherë dije se lagështia e mureve do ta ketë shlyer dritaren e pikturuar. Më prit me dhembjen e Doruntinës, se unë, me besën e Kostandinit, sërish do ta pikturoj dritaren dhe lulen, dhe do të qëndroj pranë saj, dhe do ta shoh të njëjtën ëndërr, kurse ti, të lutem, mënjanoje vellon e zi të ta shoh fytyrën, duke e ndrydhur atë flamur të leckosur, tek qëndron ulur përballë arkivolit të zbrazët. Se dhembja, beso, nuk varroset...

Tregime nga Shkëlzen Halimi (1)

Shkëlzem Halimi

NDARJA

          Lutjet e mbrëmjes zakonisht përshkoheshin me të lehurat që vinin nga larg e që në muret e kasolles i përplaste furtuna e egër. Edhe ajo natë qe bërë futë e zezë, kurse heshtjes sonë përmbajtje të zymtë i jepte flaka e qiriut, që lëkundej sa herë që lokja psherëtinte. Ishte natë e një dimri kërcënues. I shtrirë në një dyshek leckash dhe i mbuluar me shtresën e acarit, për herë të parë ndjeva pamundësinë e babait, ndjeva dhembjen e nënës dhe pikëllimin e lokes. Tentova të dal nga terri i imagjinatës dhe heshtjen e pllakosur ta shprishi me një buzëqeshje, por ndjeva se pamundësia e babait, dhembja e nënës dhe pikëllimi i lokes u bënë bashkë dhe përfunduan diku thellë në brendinë time. Më erdhi të qaj, por u përmbajta, duke u kthyer në krahun tjetër, në drejtim të murit. Kisha humbur edhe shpresën më të vogël për fundin e asaj nate që dukej si e shtangur. Lokja thyente gishtat, babai shikonte përtej dritares, kurse nëna dukej e humbur në kujtime. Të nesërmen herët në mëngjes, sapo më doli gjumi, nga dritarja e vogël pashë loken tek u përqafua me babin, kurse nëna e përcolli deri në fund të oborrit. Asnjëherë nuk u kthye. Gjithë fëmijëria më kaloi në pritje.
          Pastaj erdhën luftërat dhe në ikje e sipër ne u shpërndamë gjithandej. Lokja në një anën, nëna në anën tjetër, kurse unë përfundova diku në mes. E lamë shkretë fshatin. Kurrë më nuk i pash as ato, sepse mes nesh ishin ngritur kufij. Një ditë para se të futesha në odën e vetmisë, më ndali një plak mjekërgjatë dhe më tha: rojtari i varreve të fshatit tuaj më ka lutur që të shkosh atje, se varrin e babait tënd e ka mbuluar bari, kurse shkronjat e pllakës së mermertë pothuaj janë zhdukur.
          Nuk shkova, sepse mendova se do ta tradhtoja fëmijërinë time që e kalova në pritje të babait. Nuk shkova, sepse mendova se do t' më vdiste edhe ajo pritje plot ankth, se përfundimisht do t'më zhdukeshin edhe ëndrrat e fëmijërisë tek qëndroja nën qershinë dhe sodisja rrugën që lëshohej luginës si një gjarpër i llastuar, prej nga ktheheshin mërgimtarët me pamje të ngrysura dhe me valixhe krahëve. Përtej dritares së pikturuar në murin e odës shoh veten fëmijë. Ai ende rri atje, nën qershinë e vjetër dhe është zhytur në mendime...




QERSHIA

          Në oborrin e kasolles sonë kishim një qershi që lulëzonte në çdo të tretën pranverë. Lokja thoshte se vetëm qershia jonë e di kur vjen pranvera. Dhe kur lulet e saja përhapeshin nëpër degët e bollshme, atëherë lumnajë njerëzish kalonin pranë oborrit tonë për ta parë atë mrekulli që ndodhte një herë në tre vjet.
          Një herë në tre vjet me lulet e saja të hedhura në ujë, ne laheshim në vaskën e drurit. Atëbotë lokja na zgjonte herët në mëngjes dhe na fuste në ujin që e ngrohte tërë natës. Pëshpëriste diçka që ne nuk e kuptonim. E di që ajo është lutur për shëndetin tonë, sepse kishte frikë nga sëmundjet e pashërueshme që të mbërthenin në shtrat për vite të tëra.
          Një ditë mbi qiell u paraqitën re të zeza dhe fshikulloi një erë e fuqishme, të cilën qershia jonë nuk pati fuqi ta përballojë. Ajo u shkul me gjithë rrënjë dhe u përplas në mes të oborrit. Në kasollen tonë pllakosi një heshtje varri. Nga habia dhe lemeria njëkohësisht, ndjeva se pikëllimi po ma ndrydhte fuqinë dhe rashë në shtrat për t'u ngritur pas shtatë ditëve. Shtatë ditë e shtatë net më kishte nënshtruar agonia. U zgjova në një mëngjes të zymtë, me sy të buhavitur, duke nxjerrë klithje të mbytura.
          Dashurinë për qershinë e kam konservuar në arkën e kujtesës dhe është pema e vetme, frytin e të cilës nuk mund ta gëlltis. Në xhepin tim të fshehtë mbaj edhe një copë letre, ku e kam shkruar një vjershë (japoneze) që bën fjalë për qershinë. Një luftëtar që përgatitet të shkojë në beteja të reja, para se të largohet nga oborri i kasolles së vet, ndalet pranë qershisë dhe me një buzëqeshje mahnitëse, bën këtë lutje: “o qershi e dashur/ unë po shkoj./ Nëse nuk kthehem/ ti lulëzo”.
          I rrëmbyer nga dashuria për qershinë tonë të dikurshme, shikoj flakën e zbehtë mbi shandanin prej ari, shikoj ngjyrën e flakës që është e njëjtë me ngjyrën e luleve të qershisë, që në arkën time të kujtimeve vazhdon të lulëzojë në çdo të tretën pranverë, duke u larë me djersën e ftohtë që shpërthen në trupin tim nga sëmundja e pashërueshme, që më shtangu edhe në odën e vetmisë...




DRITARJA

          Kur u zgjova i trembur, pashë se kishte kaluar mesi i natës. Shpejt e shpejt u ngrita nga shtrati dhe qëndrova pranë dritares së pikturuar në mur. Përtej xhamit vërejta një hije njeriu, duke nxituar drejt kopshtit të blertë. Të pashë tek freskoje fytyrën me ujin e kroit. Ishe fëmijë i njëjtë, ashtu siç të lash vite më parë, kur ika nga vendlindja. I njëjtë, me atë fytyrë të njomë që ndriçonte përreth, thuajse mbi të derdhej drita e hënës. Por, sakaq u zhduke, u trete, duke lënë në mua një humbellë të pafund. U mundova së paku t'i ruaj fragmentet e kujtesës që mjegulloheshin, që mbuloheshin me ngjyrën e zezë. Sërish më mbërtheu një ankth, kurse frika nga çmenduria ma hapi shtegun për t'u dorëzuar përfundimisht. Pastaj tentova ta bindi veten se megjithatë ajo qe vetëm një ëndërr si pasojë e lodhjes nga vetmia, nga etja dhe nostalgjia. U mundova të këndellem duke qëndruar para pasqyrës. Nuk e dalloja dot fytyrën e ngrysur, nuk i dalloja sytë e lodhur nga pagjumësia. Nuk i ngjaja njeriut, por një qenie të frikshme, e cila zvarritej pa ndjenja. U përplasa mbi kashtën e vjetër, duke dënesur dhe duke e lutur Zotin që t'i japë fund kësaj katrahure. Aq më tepër kur ndjeva se kambanat e katedrales shënonin fillimin e një dite të re, e cila zgjonte përbindëshin e humnerave të kohës acar. Më ka lënë edhe shikimi dhe më nuk mund ta dalloj as kroin në kopshtin e blertë sa herë që qëndroj pranë dritares së pikturuar në mur. Ndoshta sërish je përvjedhur deri në kopshtin e blertë për t'u freskuar me ujin e kroit. Nuk kam dëgjuar asnjë lëvizje të më ketë ardhur nga jashtë pos rropamës së derës, të cilën unë e kuptoj si sinjal se është koha që shikimin ta drejtoj kah muri i harresës, pikërisht kah ai mur, mbi sipërfaqen e të cilit kisha pikturuar dritaren që s'hapej asnjëherë...




DËNIMI

          Sa herë që qëndroj para pasqyrës shoh se nga ana tjetër më shikon me pamjen e përvajshëm. Ndonëse nuk ta dalloj fytyrën, sytë që të janë skuqur flasin vetvetiu se koha e mbrapsht nuk ka marrë fund. A po i dëgjon qentë e rojës që shqetësojnë kalimtarët e vonshëm, të cilët bashkë me pastruesit e rrugëve përgjojnë zërin e skëterrës. Lehin, pastaj heshtin, sërish lehin dhe sërish i vë në gjumë heshtja. Po më vjen një e vjellë, por s'kam ç'të nxjerr nga zorrët e tkurrur. Nuk duhet të mallkojmë, por ta dish se jemi të dënuar me vetmi të përjetshme.
          Në agimet e hershme të jetës sonë na ishte përcaktuar fati, kurse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. A jemi ne ata që dikur, me ngjyrat e ylberit, vizatonim lule për mërgimtarët dhe shpresonim se do të na sjellin sheqerka. Kurrë s' e kishim vrarë mendjen se një ditë tinëz do t'ia vjedhim errësirën natës për t'u fshehur nga koha e mbrapshtë, e cila na i tradhtoi ëndrrat. U bëmë edhe hajna, por asnjëherë nuk u ankuam për faktin se kjo kohë na la vetëm frymëmarrjen dhe asgjë më tepër.
          Kemi ikur duke zbritur tatëpjetës së fatit tonë, kemi zbritur deri aty ku përtej ka qenë ambisi i vdekjes. Po qëndrojmë buzë saj dhe mendojmë se si njëri të shpëtojë. S'mundemi, sepse jemi të lidhur si thoi me mishin. Ndaj bëmë paqe dhe herë - herë e shikojmë njëri tjetrin në pasqyrë, ti në anën tjetër me sy të skuqur e të përlotur, e unë në këtë anën duke i fshehur lotët. Kemi bërë paqe me veten dhe presim kasnecin të na sjellë lajme për shërimin e kohës vrastare...




AKULLNAJË

          Pas ndarjes sonë atje në udhëkryqin e sheshit, ku skamnorët na kërkonin copëza dashurie, mora trenin që çonte drejt akullnajave të veriut. Ishte një tren thua i çmendur, sepse nuk u ndal askund. Kur zbrita në stacionin e fundit, pashë se isha udhëtari i vetëm. Në hyrje të një shtëpize të vogël, që me gjasë shërbente për udhëtarët që pritnin nisjen e trenit, në një mur lexova mbishkrimin: "Askush s'ju pret". Dhe, sakaq më kaploi një lemeri dhe shpejtova për t'u kthyer sërish. Por, pashë se treni po ikte po me atë shpejtësi, më të cilin më çoi atje. Midis një acari që më ndrydhi pothuaj deri në vdekje, e kalova një natë të rëndë. Mendova se aty do të jetë fundi im... Po ç'ndodhi pastaj, do të thuash.
          Më mbajti gjallë dëshira e zjarrtë, e cila më shtriu mbi një copë akulli dhe më tërhoqi derisa një rreze dielli ma ngacmoi bebëzën e syrit. Në të vërtetë, nuk jam i sigurt të kem shkuar pranë akullnajave të veriut. Mund të ketë qenë ndonjë ëndërr apo edhe ndonjë fanitje gjatë kllapisë që ma shkaktoi shërimi me helmin e barishteve të shkretëtirës. Ndonjëherë kur kam të ftohtë, e ndjej atë ndrydhje vrasëse dhe mendja më thotë se kam qenë atje. Por, çuditërisht, në këso raste s' më paraqitet asnjë dëshirë e zjarrtë, së paku për të ikur. Rri diku në ndonjë skutë të errët dhe ndjej se si një akullnajë zvarritet nëpër trupin tim, që nga këmbët e deri në maje të kokës, duke e shuar zjarrin e dëshirës që ngulmon për të dalë nga oda e vetmisë dhe për të shkuar në banesën time, atje në katin e trembëdhjetë, ku ndjehen përplasjet e zhurmshme të erërave, bashkë me klithmat e skamnorëve, të cilët edhe këtu kërkojnë copëza dashurie. Klithmat e tyre i dëgjoj vetëm unë, sepse u ngjajnë rënkimeve të mija sa herë që mjekët më preferojnë shërimin me helmin e barishteve të shkretëtirës, rrënjët e të cilave depërtojnë thellë - thellë në nëntokë, deri aty ku ka jetë. Në udhëkryqin e sheshit nuk kam shkuar më asnjë herë, sepse më mban frika se treni i çmendur do t' më çojë sërish drejt akullnajave të veriut, ku acari dhe ethet ngrijnë edhe dëshirën e fundit...




DJEPI

          Po kthehesha nga largësitë ku më kishin degdisur përfytyrimet se ekziston një lum ku njerëzit pastrohen nga mëkatet e tyre. Kur u gjeta përballë rrënojave të shtëpisë së vjetër, ndjeva se po më hapej një boshllëk pa fund. Pashë se pranë lisit plak dikush kishte lënë djepin ku unë, siç tregonte lokja, kisha fjetur si engjëll. Ninullat më të bukura ishin kënduar mbi atë djep, të cilin një kohë të gjatë e pata ruajtur si kujtim fëmijërie. Nuk e di se sa kohë kam qëndruar i mbështetur në lisin plak, duke e luhatur djepin e fëmijërisë së hershme. Por, e di se në një çast përballë syve të lodhur m'u fanit një perde dëshpërimi. Vetvetiu koka m'u lëshua mbi djep dhe ndjeva se vërdallë po më sillej gjumi i përjetshëm. Kur dëgjova një zë të mekur shpejt e shpejt u ngrita dhe pashë se gjithandej nata kishte filluar të plandoset. Pasi u binda se nuk ishte askush, hetova se pranë nuk e kisha djepin. U tmerrova pa masë. Natyrisht, nuk ishte shenjë e mirë, përkundrazi... Sapo u gjeta në maje të bregut të dhembjes, venerova se shtëpinë e vjetër e kishte mbështjellë errësira dhe se atë e përshkonin kukamat e qyqes që, sa herë lëshohej nata, ndaleshin te degët e lisit plak dhe e tmerronin loken, e cila këto kukama i zëvendësonte me ninullat që i këndonte mbi kokën time, duke e përkundër lehtësisht djepin.
          Po largohesha që andej me përfytyrimet se do ta gjej lumin ku pastrohen mëkatet, sepse para se të ndërronte jetë lokja, i premtova se djepin do ta ruaj si sytë e ballit. Por, premtimin nuk e mbajta. Ndjeja se ky ishte një mëkat i pafalshëm, ndaj se herë që e shikoj portretin e saj, më duket se më shikon me një vështrim mallëngjyes, që vjen nga një botë e largët, që ngulmon ta gjej djepin e fëmijërisë së humbur...





FIJA E JETËS

          Kur e ndeza fijen e shkrepsës, hija ime u reflektua mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Ishte po ajo hije që pas një nate të rëndë, në mëngjes kishte vendosur t'i gjente ndjenjat e mpira që ishin tretur në mjegull. A ishte veç një makth apo frika e kafshonte përbrenda, këtë nuk e kuptoi, por thoshte se kërkimi i ndjenjave të mpira kishte ndodhur vetëm brenda një nate.
          Kishte qenë një natë nëntë-fish e gjatë, duke kaluar nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes. Në atë mjegull e kishte orientuar një zë, që i ngjante kuisjes së derës. Rrinte kruspull në një kënd dhe kishte vendosur që qetësia ta mbyste. Sa herë që hapej dera e shtëpisë së vjetër, në faqe i rrëshqiste një pikë loti. Ishte i përhumbur nëpër ëndrra të zhubravitura dhe kisha bindjen se mundohej ta gjente fijen e jetës ose fillin e gjatë që lë tymi i zi kur digjet diçka.
          Ditën e fundit kur hetova se shpresa e tij do të fiket, iu afrova pranë dhe tinëzisht, duke i pëshpëritur në vesh, e pyeta: a e gjete fijen e jetës? Sa është e gjatë?
          E pashë tek picërroi sytë drejt meje. Më shikoi mallëngjyeshëm dhe i shkoi buza në gaz. Nga xhepi i këmishës së bardhë nxori një fije shkrepse, ma la ndezur midis gishtave dhe mbylli sytë. Pashë se si i fikej ngadalë edhe ndriçimi i bebëzave të tij, ashtu siç u fik edhe fija e shkrepsës, që u bë blozë në gishtërinjtë e mi.
          Kur sërish pllakosi terri dëgjova kuisjen e derës dhe, nën dritën e hënës që depërtoi për një çast, vërejta tek doli ajo hije, që qëndronte mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Më kaploi një përkushtim që një ditë ta marr rrugën për t'i gjetur ndjenjat e mpira që ishin tretur diku në mjegull...




FRIKA

          Mësoje harresën, më tha ai nga ana tjetër e pasqyrës. Mësoje, se më lehtë do ta gjesh rrugën kur do të dalësh nga oda e vetmisë. Ndonëse pamja e tij ishte e mjegulluar, shihja se i kishte ikur gjaku nga fytyra. Nuk jam fletë e shkëputur nga libri, i thash derisa më buçisnin veshët pas asaj që dëgjova. Ishte shëmbëlltyrë e vdekjes. E si ta harroj rrugëtimin nën diellin që kishte dalë nga ferri i Dantes? Pastaj gjitha ato krajate dhe lotët që më shkonin çurg. Dhembjen që e kisha bashkudhëtare, atë kutërbim, mungesën e ajrit, pamjet ngjethëse, që ma bënin shpirtin copë, ankthin që pothuaj m'u shndërrua në çmenduri, mundin duke e çarë errësirën netëve pa gjumë. Si ta harroj albumin e fotografive që ma shuan mallin për më të dashurit, të cilët asnjëherë nuk u kthyen. E dashur, të harrosh nuk do të thotë të falësh. Mëkatet falen, por nuk harrohen, sepse nuk i bren as dhëmbi i kohës. Tingëllon vrazhdë, por me këtë duhet të pajtohemi.
          Tek qëndroj i mbërthyer pranë dritares së pikturuar në mur, valët e kujtesë më përplasin nëpër të kaluarën, e cila herë - herë më bëhet sikur mblidhet si top, duke më goditur në parzëm. Pastaj shndërrohet në korniza të panumërta që varen në horizontin pa fund. Rrëshqasin një nga një para syve të mi të përlotur dhe zhduken në sferat e pakapshme të kohës që i shëron plagët, duke i lënë vragat. Ndodh që shpesh të mos i besoj edhe vetes, sepse ndjej që ajo më tradhton me dëshira ngushëlluese. Lufta me vetveten është luftë e rëndë. Frikohem të them se jam luftëtar. Më shumë jam lojtar, sepse luaj me fatin dhe nuk mund ta sfidoj vdekjen në vijat e para të frontit. Lojtari ka frikë, siç kam unë, kurse luftëtari kur vesh uniformën, frikën e lë në arkën e kujtimeve. Dhe, një ditë kur do të dal nga oda e vetmisë, me vete do ta marr kujtesën që do t'ma tregojë rrugën drejt dëshirës për të jetuar...



QYQJA

          Në fëmijëri shpesh rrija pranë murit të mbuluar me gjethet e rrushit dhe shikoja oborrin tek lahej nga shiu i vrullshëm. Dhe, kur perëndonte dielli, nata zhvishej lakuriq duke u mbytur në kukamën e qyqes. Është një kukamë e kobshme, thoshte lokja derisa mbyllte portën në fund të oborrit.
          Edhe sot, sa herë që e dëgjoj kukamën e qyqes, diçka brenda meje fillon të qajë. Diçka gulçon. E njëjta më përsëritet edhe në këtë udhëtim shpirtëror. Ndjej se po më mundon një shpresë e kotë, e cila herë ndizet e herë fiket. Por, e di se kjo rrugë një ditë sërish do t’më çojë te ai mur, që dikur ishte i mbuluar me gjethet e rrushit. E di se loken nuk do ta takoj aty. Do t'më mbysin kujtimet që do të shfaqen si fantazma, të cilat do të vallëzojnë nën korin e kobshëm të qyqeve. Skaj rrënojave të shtëpisë së vjetër ndoshta do t'i shoh hijet e më të dashurve që do të zhduken pa zhurmë. Do të jem fillikat vetëm, i rrethuar me ca ndjenja që do të përkapen në fytin tim. Do t'më shtrëngojnë aq shumë sa që një klithmë e përçartë do ta çajë ajrin dhe do të bërtas: dua të jetoj, dua të jetoj me kujtimet e hershme, që jetën ma bëjnë nostalgjike.
          Asnjëherë nuk e kuptova se përse lokja thoshte se kukama e qyqes është kobshme. Mos dhashë Zoti e të këndojnë mbi kulmin e shtëpisë sonë, shprehej ajo sa herë që unë e pyesja për qyqet. Edhe sot, kur dëgjoj kukamën e qyqes, diçka brenda meje fillon të qajë. Diçka gulçon... Ndërkaq, mua më duket se është frika e lokes, e cila gjithnjë hidhte shikimin mbi kulmin e shtëpisë sonë...



KUJTIMI

          Po më kullojnë plagët e vetmisë. E ndjej aromën e çajit që dikur netëve të gjata të dimrit vlonte mbi koftorin e skuqur. Po i ndjej edhe hapat e nënës që atëbotë na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Mbi odën e vetmisë është lëshuar poli verior, që më ka pështjellur me një cipë akulli. Heshtjes superiore më nuk u bëjnë balla as të rrahurat e zemrës. Ka pllakosur një natyrë e vdekur, të cilën e prish vetëm aroma e çajit që sado pak ma ngroh fytin për t'i mbushur mushkëritë me ajrin e jetës. Përtej cipës së akullt shoh pasqyrën që ka marrë një shtresë avulli. Do të jetë dikush që më sfidon përderisa qëndroj në vijën që ndan jetën dhe vdekjen. Që të dyja më ftojnë t'u bashkëngjitëm. Po si të ngrihem e të ngrohem me avullin e pasqyrës? Gjymtyrët po më tradhtojnë, ndërkaq vetëm sytë i rrotulloj për të gjetur ndonjë shtegdalje. Megjithatë bindem se ka jetë në odën e vetmisë, ka shpresë për ta përballuar polin verior, ndonëse gjithnjë mendja më rri te tradhtia e pasqyrës. Ndoshta jam në kthetrat e ndonjë ankthi që s' më lë të zgjohem nga gjumi i rëndë, që më mbyt me ëndrra të llahtarshme. Ndoshta edhe më ka kapluar ndonjë kllapi, që përcillet me ethe që thyejnë edhe nofullën. Diçka e padefinuar po ndodh në këtë odë. 
          Dikush troket në derë dhe ajo hapet vetvetiu. Ndërkohë shoh se avulli në pasqyrë zhduket. Syve më bie një terr. Ndjej se një dorë ma prek ballin, duke rënkuar rëndë. Sakaq një forcë më kthen në pozitën vertikale. Lëvizi një hap, pastaj edhe një, duke i folur vetes: sërish fillojmë, sërish fillojmë...Kur bindem se dera është e mbyllur, se në pasqyrë nuk ka avull e as acar polar, i rraskapitur shtrihem në shtratin prej kashte dhe pëshpëriti lutjen e mbrëmjes. Për çudi nuk i ndjej vetëm gishtërinjtë e këmbëve, të cilat i mbuloj me kashtën e mykur sa për t'i ngrohur një çikëz, sepse mbaj mend se dikur nëna na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Nëna asnjëherë nuk më tregoi se cila sëmundje i shkakton plagë vetmisë. Ma ha mendja se ajo e ka njohur këtë sëmundje, sepse e pat sprovuar veten duke pritur që babai të kthehet nga kurbeti. Ai asnjëherë nuk u kthye, kurse nëna netëve të gjata të dimrit na tubonte rreth koftorit ku vlonte çaji. E, gjatë verës uleshim te bregu i thatë dhe shikonim se kush kthehej nga largësitë. Që atëherë vetmia kurrë nuk m'u nda...