Montag, 11. November 2019

Buqetë poetike nga Vasil Tabaku

Vasil Tabaku

SHQIPERIA IME

Zemrën
Mbaj në dorë
Veshur
me puthjet plotë dritë
Dhe qiellin e lart
Ber prej ëndërrave të tua
Shqipëriia ime…
Rend
Përms shpresave të ndezura
Nëpër shpirtin e bukur
dhe rrebel
Ku shpresat
Mbjelle si pemë
Çelin lulet
Dhe zgjasin përqafimet
Nga deget e brishta
Ku unë përherë
Jam ndjerë yti…
Unë biri
dhe bija
Ati
dhe nëna
Unë madhështori
Dhe I fuqishmi...
Unë zëri yt
Thirrja jote
Kënga e bukur e dashurisë
Dhe britma e rrevoltës
Zëri I fiteorës
Gjaku i luftrave
Me diejt
Brenda kraharorit
Dhe brohorimen magjike
Të yjeve…
Shqipëria ime
Fisnikja ime
E mira ime
Dashuria dhe dhimbja ime
Puthja prej zjarri
Malli prej nëne..
Enderra prej fëmije
Dhe perqafimi prej grujeje
Shqipëria ime,
Dheu im shekullor
Guret e thinjur
Rrugët plot jetë
Jetojnë brenda meje
Marrin dritë
dhe forcë
Behen e sotmja
Dhe e nesërmja…
Buzeqesha prej hënë
Dhe krahet e përqafimit
Hapur madhështor
Si një horizont…
Shqipëria ime…
E dua rendjen tënde
Nëpër shekujt e përgjakur
Plaget e tua,
burrat e mdhenjë
njerzor dhe heronjë
jeten e tyre
ta bënë dhuratë
ndërsa shkonin
krahpër krah me vdekjen
të matroheshin me Lirinë…
Shqipëria ime,
Dashuria dhe drita ime
Zemra dhe ëndërra ime
Nder duar,
Kam plaget e qindra viteve
Një gjerdan trimërie
Qëndisur me të kuqe…
Shqipëria ime…
Me flamurin
Bërë
prej buzeqeshjes sonë
Rend nëpër shekuj
Kalorse e lirisë
Përmes qiejve
Mbi rrufetë dhe vetetimat
Mbi të gjithë zjarret e yjeve
Me një diell të madh
Mbi supet e brishte…
Se une pa ty
Shqipëria ime
Nuk jam ky që jam
Se ne pa ty
Shqipëria jonë
Nuk mund të jemi
kurrë shqiptarë …
Se ne me ty
Shqipëria ime
Përjetësisht
Fitojmë mbi shekuj
Dhe njëqindvjeçarë…




SHQIPËRI NËNË PERËNDISH

Shi dhe përsëri shi
Qiejt
Derdhen
Mbi ty SHQIPËRI
e përmbytur,
e braktisur,
e lënë në mëshirë
në vetmi
me dhimbjen tënde prej nëne,
për bijtë që vuajnë…
Rënkonë,Shqipëria ime
dhëmb dhe hesht,
Hesht Shqipëri
përpar trishtimit
nën pikat e ftohta të shiut
dhe shëndrrohesh e tëra
në një britmë ...
Ta dëgjoj rënkimin Nënë
ndjej drithërimat e tua prej gruaje
me duart e rreshkura
zgjatur pa shpresë
drejt qiejëve
bijtë e tu moj NËNË
janë endur rrugëve të Botës
si një dhimbje që derdhet
e lumëshme
me dallgë trishtimi…
ta dëgjoj zërin
drithërimat e tua
kapur nëpër retë e përlotura
ku qiejt
humbasin shpresën
nën dritën e klithmave
Të ndjej Shqipëri
Brenda meje
Si një det gjaku dhe zjarri
Jam yti
Edhe I vdekur
Biri yt
Rrugëvë tragjike të mërgimit
Ku drama jonë
Nuk paska asnjëherë fund…
Jam yti Shqipëri…
Je imja moj NËNË PERËNDISH.





KOSOVË

Dashurisht Kosovë
Të bie në gjunjë
Prej dhimbjeve të thella
Sepse…kam parë
si përgjakeshin
trendafilat e tu
dhe qiejtë
mbusheshin
me petale të kuqe
jetët e bijëve të tu
derdheshin si uji
në zemrën e LIRISË
nënat që puthnin dhimbjen
vajzat e pamartuara
me puthjen të mbetur peng
mbi buzët e virgjëra
ku vdekja derdhte pakursim
ngjyrën e zezë…
sa shumë dhimbje
sa shumë dashuri
të mbetura pezull
mbi pragje ëndërrash…
Sa shumë KOSOVË,
ah sa shumë…
Ndaj askush të mos guxoj
Të luaj me lirinë
Me dhimbjen tënde
Të bërë bjeshkë
e lart gjer në qiell
Unë dua të shoh në duart e tua
Monumentin e dashurisë
Zjarrin e dridhshëm të puthjeve
Mbi Prizëren,
Pejë, Gajkovë dhe Prishtinë
Ndaj të them KOSOVA ime dashurisht
Je zemra ime e dashurisë…




KOSOVA IME

Është ngjyra
e gjakut shqiptar,
KOSOVA,
Klithma jonë e lirisë
Dhe njgyrat
e ëndërrës së madhe….
KOSOVA nuk preket
KOSOVA
është toka e shënjtë
Ku liria e vërtetë ka ndërtuar
Qytetet e magjishëm të gurit
Me malet
Prej shpirti tonë të dlirë
Nën retë e vuajtjeve tronditëse
Ku tragjeditë
Rendin
Mbi shpinën
e murrëtyer të rrufeve
Nuk preket KOSOVA
Ndryshe
Përvëlohesh
Prej flakës së shenjtë
të zemrimit tonë
Dhe DASHURISË së pamat
Asaj DASHURIE madhështore
Që përmes jetëve tona
Rilind shpresën dhe dritën
Mes horizonteve pa kufij
KOSËOVA është SHQIPËRI.
Është fjala ime e pathënë
Dhe betimi I kombit të shenjtë
Ndërtuar
mbi bjeshkët e betimit shqiptar
KOSOVA
Dashuria jonë prej kënge dhe drite
Prej puthjeje dhe përqafimi hyjnor,
Një uragan shprese dhe dashurie
Mbi krahët e shqiponjës që nuk ndalet…
KOSOVA
Dashuria ime e pajetuar
Dhimbja ime prej ajri dhe qielli
Zjarri I një malli që digjet
Mbi Botën e trazuar
KOSOVA
Puthja ime prej gjaku
Dhe përqafimi im prej mali
Mbi supet I mi
Pikojnë lotët e tu
prej ZONJE madhështore
Nëpër eterin e kesaj dite pa emër…
KOSOVË
Lokja ime e mirë,
e urtë dhe fisnike
Jam yti
Ashtu si dielli
zgjohet në gjirin e qiellit…
Jam yti
Dhe përjetë të jetëve
Do të jem yti KOSOVË…





ASKUSH TË MOS GUXOJ TË TË PREK KOSOVË

Dashurisht Kosovë
Të bie në gjunjë
Prej dhimbjeve të thella
Sepse…kam parë
si përgjakeshin
trendafilat e tu
dhe qiejtë
mbusheshin
me petale të kuqe
jetët e bijëve të tu
derdheshin si uji
në zemrën e LIRISË
nënat që puthnin dhimbjen
vajzat e pamartuara
me puthjen të mbetur peng
mbi buzët e virgjëra
ku vdekja derdhte pakursim
ngjyrën e zezë…
sa shumë dhimbje
sa shumë dashuri
të mbetura pezull
mbi pragje ëndërrash…
Sa shumë KOSOVË,
ah sa shumë…
Ndaj askush të mos guxoj
Të luaj me lirinë
Me dhimbjen tënde
Të bërë bjeshkë
e lart gjer në qiell
Unë dua të shoh në duart e tua
Monumentin e dashurisë
Zjarrin e dridhshëm të puthjeve
Mbi Prizëren,
Pejë, Gajkovë dhe Prishtinë
Ndaj të them KOSOVA ime dashurisht
Je zemra ime e dashurisë…





ÇAMËRIA

Ti je tek unë
Je Brenda meje
Je dashuria
dhe shpresa ime
Je toka
dhe qielli I bekuar Çamëri
Je emir im I kryqezuar
Mbi ballin e shekullit të ri
Dhimbja e madhe prej dielli
Psherëtime e përgjakur
Zëri I prangosur
Dhe heshtja
madhështore e triumfit
Mbi zgjimin e ujit,
reve, shiut dhe rrufeve…
Të kam pritur Çamëri
Në rrugën e gjat
të mundimeve
Me Hënën e bukur
të mbrëmjes
Me puthjen e purpurt
të agimit
Por ti
Çamëria ime martire
Je ende peng I dhimbjes
Ndërsa buzëqeshjen
Hedh mbi tokën e fyer
Si një dritë endërrash…
Mbuluar
Me pelerinën e kësaj drite
Jeta rilindi
Dashuritë
Shpërthyen
Një kopesht madheshtor
Puthjesh dhe përqafimesh
Mbi tiraninë e vdekjes…
Çamëri
Dashuridhimbja ime madhështore
Kajrafili I përgjakur
Rritur
mbi kraharorin e Shqipërisë
Por gjersa LIRIA
Të jetë dashuria jote Çamëri
Shpirti im
Nuk është ende shpirt
Zemra ime
Nuk është ende zemër
Kenga ime
Nuk është ende këngë
Zeri im
Nuk është ende zë
Fjala ime
Nuk është ende fjalë
Puthja ime
Nuk është ende puthje
Dashuria ime
Nuk është ende dashuri
Por zemrimi im I permbajtur
Zjarre të mdhenjë ka ndezur
Ka përflakur qijet
Detet ka shëndruar në thirrje
Dallgët
ka kthyer në zëra të fuqishëm
Horizontet
Tashmë janë zgjuar
Bota ka ndalur rrotullimin
Dhe dëgjon zërin tënd Çamëria ime





SHQIPTARISHT

Fjala ime
Është zëri I vendit tim
Shqip shqiptarisht
Me tingull të ëmbël njerzor
Me frymë Lirie dhe shprese…
Jam shqiptar
Lindur nga dielli,
Nga malet
dhe qiejt
E vendit tim
Jam njeriu që flas shqip
Shqip janë këngët e mia
Qaj dhe qesh shqip
Shqiptarisht
Ndërtoj jetën dhe ëndërrën
Dashuroj shqiptarisht
Dhe shqiptarisht vdes
Ashtu
sic dinë të vdesin shqiptarët
Burrërisht…
Jam ëndërra e përgjakur e Kosovës
Dhë zëmra e plagosur e Camërisë
Jam shqiptari I Maqedonisë
Dhe djali tufan I Kalabrisë
Jam shqipëtar shqiptarisht…
Më jepni pakë dritë
Pakë shpresë
dhe gjithë dashuritë
Të ringrihem fuqishëm
Dhe të jetoj shqiptarisht
Përmes puthjes sime
Të cel trendafilat e mirësisë
Bukuritë e fshehta të lirisë…
Do të rrëmbej flakën e qiejve
Do të përqafoj horizontet
Dhe të bekoj
tokën e shenjtë të SHQIPËRISË…





TIRANA

Oqean drite,
Zëra
Gjithë dashuri
Dhe shprese
Të ftojnë
Në bulevardin e madh
Mespërmes
Sheshit “Skënderbej”
Tirana
Një univers dashurie
Me ënderra të bukura
Një zgjim shpresash
Mbi rrugët prej qielli…
Tirana
Vajzë capkëne
Me bicikletë
Veshur me buzëqeshje
Të ofron një puthje…
Flokët e saj
Jane mimozat bjonde
Ngatrruar
Nëpër gishta djemësh…
Tirana
Magjistarja e heshtjes
Perëndeshë
E muzgjeve
Dhe pshëretimave të fshehta,
Me Hënën
Si dajre e dridhëshme
Dhe stuhi vallesh
Nëpër kalldremin e yjeve.
Tirana
Me zenka politikanësh
Vetura luksoze
Dhe lypsa
Në skaj…
Tirana
E Dajtit të thinjur
Dhe pranverës marramëndëse
Lozanjare
Mahnitëse
Tirana
E monumenteve
ABC-në e historisë shfleton
Dhe madhështine e së sotmes
Tirana ime
Mikja ime prej drite
Shpirti im prej qiejesh
Me duart e blireve të gjelbër
Dhe buzët
E dhimbjes së ëmbël
Dhimbjes
Dritës
Heshtjes
Zhurmës
Dashurisë
Shpresës
Tirana ime
Zemra ime prej tingulli
Dashuria ime
Prej ajri
Prej gjinjësh mahnitës
Perqafime horizontesh
Dhe puthjesh
Të shpërnadara
Nëpër pemët e celura…
Tiranë
E munguara ime e madhe
Fryma ime
Dhe loti im
Malli që kurr nuk shuhet
Zjarri që më djeg së brendëshmi
Dhe më benë të rilind…





PRISHTINA

Kosovës së shtrenjtë dhe martire

Një tokë
E berë prej shpirtit tim
Prej dhimbjes
dhe krenarisë
Prej dritës
dhe zjarrit të zemrës sonë…
Prishtinë.
Emri I identitetit tim shqiptar
Fjala e dashurisë sime të madhe
Dhe puthja prej qielli
Ku përqafohen horizontet…
Kam rënë
në gjunjë para teje
Qytet I lirisë.
Nëpër gurët e rrugës
Lëmoj hapat e heronjëve
Jeta e tyre
Është shëndruar
në buzëqeshen tënde
Në mallin tënd,
Në përqafimputhjen
Dhe
lotëdritëzimin tnd Prishtinë…
Jam dashuria jote
Jam zeri yt prej pike loti
Dhe grimca lumturie pa kufij
Jam zambaku I celur
në kraharorin tënd
Prishtinë,
Frymemarrja jote
Mbush qiejt
I jepë jetë
gjithë bijeve të KOSOVËS
Nëpër krahët e plagosur
të rruzullit
Ata si zogjtë
Presin tu forcohen krahët
Për të rendur
në një fluturim pakthim
Drejt teje Prishtinë…
Epokat
Shfletojnë horizontet
Si fletë të historisë
Përms gjëmimeve të viteve
Gishtat e mi të drojtur
Shkruajnë kryeemrin e paqes
Prishtinë…





VLORA

Një frymëmarrje e kaltër,
këngë pulbardhash
mbi qiejtë e lartë
VLORA e isos magjike
dhe zërin e këngës Labërishte…
Kënga Labe,
zemra e vërtetë e VLORËS,
dashuria e saj,
malli,
brenga,
tirishtimi
dhe gëzimi…
VLORA,
kjo vjazë lozanjare mbi valë,
e dashuruar
nga të gjithë…
VLORA,
një klithmë gëzimi
një psherëtimë e gjatë …
E dua VLORËN,
pjesë e identitetit tim,
E dua VLORËN
pjesë e shpirti dhe ëndërrës,
dashurisë sime të madhe…
VLORA,
në thellësi të zemrës
mbanë fëmijërinë time
naïve e të bukur,
mbanë dashurinë time të parë,
shtojzavallen magjike mbi dallgë
dhe zhgënjimet e para….
Poezitë e pafajshme,
Puthjen e parë
mbi buzët e kuqe të zambakut…
VLORA
kjo magji që na shtang
dhe na bënë të ëndërrojmë
Ky qytet
me frymëmarrje njerzore,
me zërat kumbues të maleve
dhe vetëtimat
si brerore të zjarrta…
Vlora
dashuria ime
dhe malli im i pashuar…
E dua VLORËN …

Donnerstag, 7. November 2019

Driton Smakaj: KAM DYSHIME TË MËDHA NË SËCILIN POLITIKAN


  • Përderisa LDK-në e ka themeluar UDB-a, në partitë e dalura nga lufta janë rehatuar ish bashkëpunëtorët e UDB-ës. Këta udbashë janë sot mbrenda institucioneve të Shtetit, falë liderëve të partive të dala nga lufta. 
  • Dyshohet se edhe brenda UÇK-së ka pasur rreth 130 spiunë të Serbisë.
  • Nuk ekzaltohem nga premtimet e Albinit, sepse nuk më pëlqen vardisja e tij me islamistet dhe loja me mosrespektimin e simboleve të shtetit.
  • Kam dhënë dorëheqje nga Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë - LKSHM, pikërisht për faktin se një udbash ishte ngulur në Kryesinë e kësaj shoqate dhe Kryetari i Shoqatës nuk bënte asgjë për ta larguar shkrimatrin udbash që shkruante libra me përmbajtje patriotike.


Ne jemi një shoqëri e rritur me dekada në një konfuzion total sa i përket organizimit politiko-shoqëror.

       Në kohën e Jugosllavisë, gjeneratat e fëmijëve janë rritur nëpër shkolla duke ua mësuar atyre historinë se Shaban Polluzha ishte një armik, një ballist i tmerrshëm, ndërsa Fadil Hoxha ishte një hero i vërtetë që Kosovën e bëri Krahinë serbe mbrenda Jugosllavisë. Edhe sot një përqindje e madhe e shoqërisë sonë e beson këtë MARRI të zbukuruar, bile duan t'i ndërtojnë shtatore në bronz në mes të qytetit 'heroit' Fadil Hoxha. 

       Kur vëllëzërit Gërvalla punonin për të drejta më të avancuara të shqiptarëve për të ngritur statusin tonë si një Republikë në Jugosllavi, lëpirësit e Pushtetit të atëhershëm i quanin LPK-istët si plehë i Kosovës.Edhe sot ka një numër të madh të shqiptarëve që urrejnë LPK-në. Ndërsa nga LPK-ja ka buruar UÇK-ja, pa të cilën PAVARËSIA e Kosovës do të ishte vetëm një ëndërr për ta ëndërruar ndër shekuj. Por, edhe UÇK-ja ka plotë kundërshtarë mbrenda shoqërisë sonë. Polarizimi i shoqërisë në Kosovë është në proporcion të drejtë me aftësinë e lëpirësve të Pushtetit sundues, ku një numër i madh intelektualësh ose bashkëpunonin drejtëpërdrejtë me armikun, ose heshtnin për të jetuar një jetë komode pa dinjitet në një hapësirë gjeografike pa liri. 

       Duke qenë të okupuar me shekuj, armiku natyrisht që ka infiltruar njerëzit e vet shqipfolës pothuajse në çdo grup shoqëror që ka pasur ndonjë plan kundër Serbisë. Kjo gjë është edhe krejtësisht e natyrshme, sepse armiku nuk flenë. Budallenjtë flejnë. 


LDK-në e ka themeluar UDB-a.

       Për themelimin e LDK-së, ka fakte konkrete, tashmë të debatuara gjatë, nëpër mediat ditore, që UDB-a e ka themeluar dhe ia ka caktuar vijat kah me ba politikë. Edhe sot në zgjedhjet e fundit të 6 Tetorit, kjo Parti doli e dyta si më e votuara. Ky fakt e dëshmon se sa pak vetëdije ka ende shoqëria jonë rreth kuptimit të organizimeve politike. Kjo nuk do të thotë që mbrenda LDK-së nuk ka njerëz të mirë e intelektualë të devotshëm, por ata janë thjeshtë pjesë e kurthit të Partisë. Kot ka njerëz të mirë mbrenda, kur Shefi vëndos edhe kullet aty. 
       Nëjse, meqë jam një fanatik i papërmirësueshëm i demokracisë liberale, i uroj fansat e LDK-së për rezultatin dhe do e mbroj çdoherë të drejtën për të zgjedhur prijësit tuaj me votën tuaj. 


Në partitë e dalura nga lufta,
janë rehatuar bashkëpunëtorët e UDB-ës.

       Në anën tjetër, në Partitë e dala nga lufta, këtu hyn edhe VV sepse në Kryesinë e saj ka luftetarë e komandantë. Në të gjitha këto Parti janë rehatuar ish bashkëpunëtorë të udbës, si edhe djemtë e tyre me arsyetimin se ata dijnë, janë të mençur. Ndërsa djemtë e heronjve të luftës janë lënë papunë, me arsyetimin se ata nuk kanë përvojë pune, nuk dijnë, janë bijtë e ballistëve e arsyetime banale. Janë emra konkret udbashësh, që janë thënë publikisht nga ish të burgosurit politik se po të njëjtit udbashë që i kanë torturuar ata në burgun e Serbisë, po ata torturues sot janë në Institucionet e Shtetit të ri të Kosovës. Këta udbashë janë sot mbrenda institucioneve të Shtetit falë liderëve të Partive të dala nga lufta. Kjo është një maskaradë shoqërore nga çdo kënd i vështrimit. 

      Sipas informacioneve që janë debatuar në Kuvendin e Kosovës, nga vet deputetët e atij Kuvendi, dyshohet që edhe mbrenda UÇK-së ka pasur rreth 130 shpijuna të Serbisë. Imagjinoni, kur mes pushkëve e flakëve të rrezikut, ata shpijuna kanë hyrë mes UÇK-së, se sa e lehtë është të futesh mes Partive Politike. Bile nëpër Parti Politike, këta të shitur e të mjerë, e kanë edhe mundësinë me dalë para kamerave e ma na shitë patriotizëm. Masat shoqërore hanë çka të iu sërvohet. Morali ynë si shoqëri është nën dhé. Ne nuk shohim as hijen e të vërtetave, lëre më diçka nga e vërteta. 

       Për çmimin nobel për letërsi, u bëmë copash duke reagua e shkruajtur çdo ofendim kundër një shkrimtari austriak, vetëm pse ai kishte glorifikuar Millosevicin. Krejt në rregull ky reagim.
       Por, askush nuk kishte reaguar që Kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës është zgjedhur një ish bashkëpunëtor i denjë i sistemit të Jugosllavisë, rrjedhimisht Serbisë edhe kur Milloseviqi ishte në Krye të atij sistemi. Për ironinë e kohës, tash ky Kryetari ia kishte nisur një notë proteste Komisionit të Nobelit. Kur ata do e analizojnë se kush ua ka dërguar notën e protestës, besoni do të plasin së qeshuri. 
Pra kjo është shoqëria jonë sot. Jetojnë në një mjegull totale sa i përket organizimit politiko-shoqëror. 


Pse nuk ekzaltohem nga VV dhe Albini?


       Disa miq intelektualë, më kanë shkruajtur që do të duhej ta përkrahja Albinin në zgjedhjet e 6 Tetorit nëse unë e dua ndryshimin. Absolutisht i kuptoja për qëllimin e mirë që ata kishin për ndryshime pozitive. Por, në mes të analizave të mia, nuk arrita të ekzaltohem për një ndryshim siç premtohej. Nuk arrij ta shoh ende një mundësi të ndryshimeve radikale në horizont. Sepse, karta e vetme që Albinin e ka bërë një fitues në këto zgjedhje, është karta kundër korrupcionit. Edhe atë një fitues me pak vota plus. Që natyrisht karta kundër korrupcionit është një diçka e mirë, sepse hajnia i irriton qytetarët. Por, korrupcioni është aq megaloman në shoqërinë tonë, saqë kërkohet një reformë e thellë e sistemit për ta zvogëluar atë. Do të duhen të paktën dy mandate QEVERISJE TË PASTËR, për të shënuar rezultate të kënaqshme. 

Ndërsa, pikat kryesore që mua nuk më ekzaltuan në përkrahje të Albinit, është vardisja i tij me islamistët. Ka dhjetëra njerëz mbrenda vëvësë, që vdesin për Erdoganin dhe punojnë pa ndalë që Shtetin e Kosovës ta kthejnë në një Shtet Islamik. Për mua kjo është një pikë e rrezikshme. 
Duke qenë nën ndikim të erdoganistëve, Albini pa pikë hezitimi e vuri Sami Frashërin si figurë kombëtare para Skënderbeut. Bile Skënderbeun as që e përmendi. Jam i sigurtë që Albini e din mirë se Skënderbeu është ADN-ja e qënësisë sonë shqiptare dhe nuk ka ndonjë figurë tjetër më madhore në historinë tonë shekullore. Por, ai e madhëroi Samiun, një kontribues i madh i Perandorisë Osmane. Sami Frashëri 80% i ka kontribua Perandorisë e vetëm 20% Shqipërisë, andaj edhe eshtrat e tij rrijnë sot në Turqi e jo në Shqipëri. Nuk po dua ta nënvleftësoj Samiun, por me këtë qëndrim të Albinit për të, u nënvleftësua Albini para njohësve të vërtetë të historisë sonë.

Pika e dytë, është loja e tij me mos respektimin e Kushtetutës së Kosovës si të tillë dhe simbolet e Shtetit. Kjo pikë për fansat e VV-së nuk duket problematike aspak, sepse ata ashtu janë edukuar, por në rrafshin ndërkombëtar, kur i pari i vendit nuk i respekton simbolet e Shtetit dhe Kushtetutën e atij Shteti, atëherë është një thikë mbas shpine vet Shtetit që ende nuk e ka një ulëse në OKB. Në këtë pikë Albini mbetet një naiv i skenës politike dhe sinqerisht i turbullt politikisht. Shqiptarët kanë një KOMB, por për rrethanat aktuale politike në rajon dhe botë, nuk përbën kurfarë problemi politik e as organizitivo-shoqëror ekzistenca e dy Shteteve shqiptare në Ballkan. 


Kam dyshime të mëdha në sëcilin politikan të Kosovës.

Esenca e qënësisë sonë nuk ndryshon kur LIRIA është mes nesh dhe vazhdojmë të zhvillohemi. Si konkludim, është e drejta ime legjitime që të kem DYSHIME! Edhe atë të kem dyshime të mëdha në sëcilin politikan të Republikës së Kosovës. Këtë dyshim ma dëshmon edhe pa-aftësia e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për të votuar Ligjin e Lustrimit. Mos votimi i këtij ligji, sëcilin politikan e bën të dyshimtë për të kaluarën e tij. Një Shtet që nuk ka një FILTËR institucional, ku çdo individ që kërkon votën e qytetarit të dëshmohet se është i pastërt, i pakorruptuar dhe i denjë për instucionin më të lartë të Vendit, atëherë ai Shtet është sikur një KAZAN i çorbave tyrlifarësh. Në një Shtet të tillë, Partitë Politike dhe liderët e atyre Partive veç na flasin fjalë të ëmbla kot, sepse asgjë e mirë dhe e mbarë nuk ndodhë. 
Nëse duam Shtet të së drejtës, atëherë secila Parti Politike duhet sëpari të bëjë filtrin e saj, në mënyrë që para qytetarëve të kërkojnë votën njerëz të denjë të dijes dhe me taban kombëtar. Pastaj të gjithë këta, të hyjnë edhe nëpër filtrin e sigurisë nacionale që do të duhej të ishte detyrë e Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës. Vetëm ata njerëz që kalojnë filtrin e sigurisë nacionale do të mund të garonin për të qenë pjesë e Kuvendit të Kosovës. Me njerëz të tillë, bëhet Shteti e jo duke kërkuar besimin e popullit të bazuar në një indvidid, një emër i përveqëm që kërkon të sillet e tërë bota rreth tij. 
Kjo rrëmujë e mashtrimit të masave me idenë e përcaktimit të BABËS së Kombit, duke lënë nën hije Institucionin e Shtetit dhe duke madhëruar individin, na bënë të dukemi para botës sa primitivë aq edhe injorantë total të shekullit të ri. 


Udbashi në Kryesinë e LKSHM-së!

Para ca muajve, kam dhënë dorëheqje nga Kryesia e Lidhjes së Shkrimtarëve në Mërgatë - LKSHM, pikërisht për faktin se një udbash ishte ngulur në Kryesinë e kësaj shoqate dhe Kryetari i Shoqatës nuk bënte asgjë për ta larguar shkrimatrin udbash që shkruante libra patriotike. Pra, pa një filtër të mirë, nuk funksionon as edhe një shoqatë kulturore, e lëre më një Shtet.


P.S.

Për qëndrimet e mia radikale të pastrimit të skenës politike në Kosovë, mediat e Kosovës ka vite që injorojnë opinionet e mia rreth problemeve politiko-shoqërore të Kosovës. Mu për këtë shkak edhe kanë injoruar komplet edhe përurimin e librit tim të fundit. 

Gjithashtu sa për ilustrim, romani im i mëhershëm "D11" është eleminuar nga gara për një çmim letrarë në Prishtinë, veç për faktin që në një kapitull mbrenda romanit nuk ka fjalë të mira për Fadil Hoxhën. 


Kaq i kontrolluar e censuruar është mendimi i lirë në Kosovë, kur flitet për ndryshime konkrete të bërjes së Shtetit. 


Realisht nuk më bën aspak përshtypje që mediat e Kosovës injorojnë mendimet e mia. Sikur të mos ekzistonte kjo hapësirë këtu në facebook, as që do të dërgoja ndonjë artikull në ndonjë gazetë të Kosovës. Pra, të gjitha shkrimet e mia janë publike, andaj të gjitha mediat janë të lira të publikojnë më tutje shkrimet e mia, nëse ua lejon shefi.


Autori është veteran i UÇK-së, ekonomist dhe shkrimtar.

Samstag, 2. November 2019

Bajram Sefaj: ME TANGO, KRYHET "LOJA" !

Skenë nga shfaqja Tango, në regji të Sylvanin Ferron, në skenën e “Théâtre du Loup” të Gjenevës 

Nga pikën “Emigrantët”, përsëri në Prishtinë. Koferi i tyre, më së miri e dëshmon këtë supozim!
          Sławomir Mrożек


Me tango, kryhet “loja” !

( Drama, “Tango”, para disa ditësh, në Gjenevë, drama, “Emigrantët”, para shumë vjetësh, në Prishtinë. Dramaturgu i njohur polak, Slawomir Mrożek, mahnitës si këtu, si atje, çdoherë!)

Shkruan: Bajram SEFAJ

Kësaj radhe “raporti” teatror nga Gjeneva e Zvicrës, fillon me një prelud të vocërr. Me një kujtim të paharruar nostalgjik, që më kthe mbrapshtë e më shpien në të shtatëdhjetat vjet, të shekullit të kaluar. Ishim të ri e naivë atëherë, më 1977, para plotë dyzet e dy vjetësh, kur Teatri Popullor Krahinor i Prishtinës, bënte përpjekje gjigante të mos mbetët mbrapa, përkundrazi, me tërë forcat e veta krijuese, gati-gati me rebelim rinor, përpiqej të rrokte majat e aktualitetit dhe të ishte në hap me kohën, epokën plotë velim teatror. Pikërisht, në njërin nga sezonet e vitit teatror 1977, në Teatrin tonë, vjen vepra e njohur e dramaturgut në zë polak, Slawomir Mrożek, “Emigrantët”. Sa me kujtohet, në rolet e dy emigrantëve, ishin angazhuar, dy aktorët tonë (atëbotë) të ri: Dibran Tahiri, Hamleti ynë i përjetshëm (gjithnjë beqar!) dhe Hazir Myfttari, tashmë i ndjerë. Këtë vepër  të Slawomir Mrożek,  në dërrasat e TPK, të Prishtinës e ngjiti më 1977,  regjisori mysafir polak, Meçesllav Gorkijeviç, me angazhim të përhershëm në Teatrin e njohur të Polonisë “Bagatella”, të Kraków-it. (Si sot me kujtohet, jo pa nostalgji, kur e “gjeta” në Teatrin e tij, në këtë qytet të lashtë e traditë shekullore teatrore. Edhe pse paksa i rrënuar nga puna, aq sa edhe nga Wotka Wiborovna, regjisori i mirënjohur polak, me njohu dhe priti mirë e me korrektësi. Me gëzim pranoi të falat nga dy aktorët shqiptarë dhe të gjithë të tjerët me të cilët punoi e bashkëpunoi, sa ishte në Prishtinë.
Me këtë prelud (që doli më gjatë se që parandjeva) nuk desha, as tjetër synim nuk pata, pos të vë në pah se më këtë dramaturg të njohur polak, me veprën e tij madhore artistike, teatrore, në këtë rast, sikur jemi takuar, shumë herët. Me vakt! Dhe, tani, pas shumë vjetësh, kur ndeshëm me të, këtu në “Teatri i Ujkut” (Théâtre du Loup (!), çka nuk dëgjon insani!), të tërheq një paralele midis Mrożek -ut, të para dyzet e dy vjetësh kur bashkë me Emigrantët e tij  “ishte” atje, në Prishtinën tonë dhe tash, kur shumë vjet pas vdekjes (2008), “erdhi” në Gjenevë!  Erdha në përfundim se sikur asgjë nuk ka ndryshuar ndërkohë. Shkrimtari i madh, gjithkund, flet bukur: në Prishtinë, shqip. Në Gjenevë, frëngjisht. Në Kinë, kinezisht e kështu më radhë, në krejt botën. I vetmi ndryshim midis  Mrożek-ut, të Prishtinës dhe atij të Gjenevës, fshihej në numrin e bartësve të roleve. Derisa në skenën e Teatrit të Prishtinës ishin dy, vetë dy aktorë (Hazir Myftari i ndjerë dhe, në mos qofsha i gabuar, Dibran Tahiri?. Në shfaqjen Tango të Gjenevës ishte angazhuar ekipi (skuadra) prej shtatë lojtarësh: David Gabet, Yasmina Remil, François Nadin, Dominique Gubser, Nathalie Cuenet, Mthieu Delmontè dhe  Matteo Zimmermann, kur secili ishtë më i mirë se shoqi. Ishte në krye detyre, duke arsyetuar, maksimalisht besimin.Në krye te kësaj trupe, kësaj skuadre, ishte “dirigjenti”, regjisori i njohur Sylvain Ferron. “Mbi një ton burlesk, kjo farsë dehëse dhe karnevaleske – shkruar nga dramaturgu polonez Slawomir Mrożek,  mbret i teatrit absurd bashkëkohor, trajton çështjet esenciale dhe universale...”, thotë, nder të tjera, regjisori Sylvain. Do të shtoja se, shfaqja e radhës në Gjenevë, kur drama kryhet (përfundon), me vallëzimin e tangos, del si ironi gjeniale, që nuk vjetrohet asnjëherë, në çfarëdo epoke të shfaqjes. Një komunikim mbresëlënës me kohën e sotme, të plasaritur.

***

Dramaturg, shkrimtar dhe karikaturist polak  Sławomir Mrożек, u lind më 29 qershor 1930 në Borzęcin , në Poloni. Më 1963 Mrożek emigroi në Itali dhe Francë. Më tej në Meksikë. Në vitin 1996, jeta e thërret dhe vendoset në Kraków-in vendlindjes. Në vitin 2008, kësaj radhe, vdekja e fton e, serishmi, kthehet në Francë, në Nice (lexo: Nisë), ndërroi jetë më 15 gusht 2013, në moshën  83 vjeç.  Veprat e tij dramaturgjike, ndër të tjera, janë: Tango, Policia, Emigrantët... Në fund të viteve ’50 shkruante drama që i përkasin zhanrit të trillimeve absurde, që synonin të tronditjen e audiencën me elemente jo realiste, referenca politike dhe historike, shtrembërime dhe parodi .

Biser Mehmeti: MALLKIMET E SHKRIMTARIT

Biser Mehmeti
(Tregim)

Derisa i vështroja kupolat e shumta të Bibliotekës Kombëtare, një zë i panjohur më thoshte të largohesha nga tempulli i dijes, në të cilin nuk më kujtohej kur kisha shkelur për herë të fundit. Disa herë u nisa të kthehesha mbrapa nga kisha ardhur. Mirëpo, një mendje e marrë më thoshte të mos e lëshoja rastin që të njihesha me disa shkrimtarë të rinj, për të cilët isha i bindur se do t’i takoja brenda tempullit të diturisë... Kur u afrova ngadalë, sikur të kisha frikë nga diçka që nuk e kuptoja, me sytë e vagëlluar zura të vështroj nëpër murin e Bibliotekës Kombëtare, i cili ishte i ndotur nga insektet e ndryshme, të cilat sikur edhe më tutje lëshonin do zukama të neveritshme. Disa metra afër derës, sytë më zunë një afishe jo edhe aq të madhe, të cilën kisha bindje sikur e kisha parë edhe para tri e ndoshta më shumë vitesh. Në hapësirën e afishes i pashë disa shkronja të çorditura, të cilat u ngjanin hieroglifeve, disa me ngjyrë të kuqe e disa me ngjyrë të zezë. Derisa i vështroja i shtangur ato shkronja të shkruara në mënyrë të çrregullt, me vështirësi të madhe arrita t’i krijoja dy e ndoshta më shumë fjalë, të cilat qëndronin të shtrira si kufoma: përurimi i romanit “Populli im” të shkrimtarit A. B... Ha-ha, zura të qeshi me vete si i marrë. Edhe ky tipi na u bë shkrimtar!... E tmerrshme!... Derisa qeshja me vetvete, një zë i largët më tha: ç’dreqin kërkoj unë në përurimin e një vepre të një sharlatani, të cilit i është mbushur mendja se është shkrimtar, madje ndër shkrimtarët më të njohur të vendit! Ajo që ai ka shkruar nuk i përmbush kriteret elemtnatare për të qenë roman! Megjithatë, miqtë e tij veprën e tij po e çmojnë jashtëzakonisht tepër!... Sapo desha të kthehem mbrapa, një forcë e panjohur zuri të m’i paralizonte të gjitha gjymtyrët... Kur u bëra gati të hyj brenda, afër derës së ndotur nga mizat, të cilat në nëndijen time krijonin një zukatje që m’i brente trutë, përtej mosqenies u shfaqën dy djem të veshur me rroba të zeza, me syze të zeza dielli. Derisa i vështroja i habitur, m’u bë sikur para meje gjendeshin dy majmunë, të cilët ishin arratisur nga kopshti zoologjik...
          - Nuk lejohet hyrja pa ftesa! - më tha ai që qëndronte në anën e majtë të derës. Zëri i tij më ngjau në hingëllimën e një kali të uritur, i cili nuk ka ngrënë asgjë shtatë e ndoshta më shumë ditë... Përsëri desha të kthehem nga kam ardhur i dëshpëruar. Megjithatë, një zë i panjohur më tha: është rast i mirë të argëtohesh gjatë kohës sa bëhet përurimi i romanit të një shkrimtari që pretendon se ka arritur majat e letërsisë postmoderne!... Me dorën që më dridhej ia zgjata ftesën antropomorfit, të cilën para katër e ndoshta më shumë ditësh ma dha një mik imi, i cili është një i afërm i shkrimtarit, romani i të cilit përurohej pas disa minutash... Roja me pamjen e antropomorfi e rrëmebu ftesën me shpejtësi të madhe sikur të kishte frikë se do të pendohesha e pastaj do të kthehesha mbrapa. E vështroi ftesën përtej xhamave të syzave të errëta... Pas pak ma zgjati ngadalë duke më dhuruar një buzëqeshje të vdekur...
      Kur ngadalë hyra brenda, m’u bë sikur u gjenda në një varr të ngushtë, në të cilin ajrit i vinte era e rëndë e kufomave. Derisa qëndroja i hutuar në holin e bibliotekës sikur të gjendesha në një skaj të ferrit, dëgjova një zë me tinguj të kumbueshëm, të cilët më godasnin në kokë si me çekan: këndej është salla e kuqe!... Me hapa të ngadalshëm fillova të ngjitem nëpër do shkallë të mbushur me pluhur, të cilat sikur silleshin në rreth. Pas pak çastesh, nga një largësi që nuk arrija ta përcaktoja, zunë të jehojnë do zëra të çakorduar, të cilët u shëmbëllenin vringëllimave të shpatave. Më kaploi dyshimi sikur së shpejti do të gjendesha në një arenë të mbushur me shikues, në të cilën luftonin dy gladiatorë për jetë a vdekje... Në një çast më ngjau sikur nëpër veshët e mi zunë të depërtojnë me vështirësi të madhe do klithje, të cilat herë më dukeshin të lumtura, herë të pikëlluara... Derisa grindesha me mendimet e mia, m’u bë sikur nga një skaj i hapësirës zunë të jehojnë do krrokama të thekshme të korbave të uritura. M’u bë sikur tash e shtatë ditë sorollatesha nëpër një mal të mbushur me korba, të cilat ushqeheshin me mishin e një kalorësi të vrarë në luftë për liri... Ç’dreqin më shtyri që erdha në kopshtin zoologjik, e qortova vetveten... U gëzova kur u gjenda afër sallës, e cila ishte mbuluar me ngjyrë të kuqe. Edhe në derën e saj të mbushur me njolla të shumta të insekteve, e njëjta afishe me ato shkronja të shkruara me shpejtësi të rrufeshme nga një dorë e pakujdesshme... Sa hyra brenda mendtë filluan të më merreshin sa për pak nuk u alivanosa. Me sytë e vagëlluar m’u bë sikur pashë një grumbull ujqish që lëshonin ulërima të thekshme. O Zot, i thashë vetes, a është e mundur ujku të ketë ardhur në sallë për ta hëngër autorin e romanit!... Me hapa të ndrojtur, sikur të ecja përmes do kafshëve të egëra, mezi arrita në rendin e fundit të sallës ku gjendej një karrige e zbrazët. Hapësira gjysmë e errët mezi ndriçohej nga disa llampa të vogla, të cilat sikur nxirrnin grahmën e fundit. Me sytë e vagëlluar zura t’i vështroj do hije njerëzish që vështirë dalloheshin nëse ishin të vërtetë ose nëse kishin dalë nga një roman që e kisha lexuar para disa orësh. Nuk e kuptoja pse disa qëndronin në këmbë e disa ulur. Disa i njihja, ngase fytyrat e tyre i shihja shpesh në televizor. Në një skaj e pashë një plak të matufosur, me fytytë të zhaposur, me sy gati të fikur... Aha, është kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, i thashë vetes. Bashkë me të qëndronte shkrimtari, i cili mund ta kishte emrin Stas, të cilin e shihja për herë të parë. Kishte flokë të gjata e të pakrehura, mjekër të parregulluar, fytyrë të mërdhezur, sy të errët... Dukej i gëzuar tepër, po gëzimin e tij e fshihte para miqve që i kishte ftuar me ftesa.
      Derisa vështroja i humbur, m’u bë sikur gjendesha në një anije të vjetër romake, e cila ishte mbushur me luftëtarë, të cilët çlodheshin pas një beteje të përgjak- shme. Shikimin po ma rëndonte ngjyra e kuqe. Rreshti i parë u takonte njerëzve të pushtetit, me të cilët shkri- mtari kishte raporte miqësore. Rreshti i dytë ishte rezervuar për miqtë e shkrimtarit. Rreshti i tretë... s’e di për kë ishte i rezervuar... Në një skaj të sallës gjendej ekipi i televizionit publik. Kameramani, një djalë i ri, tërë kohën vështronte i hutuar. Ndoshta nuk e dinte pse gjendej aty. Gazetarja e ngarkuar për të përcjellur këtë manifestim kulturor, një vajzë e re me flokë të gjata e me fytyrë që vezullonte nga pudra e tepërt, qëndronte e shtangur si statujë duke përtypur pa pra një çamçakëz... Në podium, mbi një tavolinë të mbështjellur me një pëlhurë të bardhë, ishin vendosur disa kopje të romanit që do të përurohej. Derisa i vështroja ato libra me ngjyrë të zezë e me shkronja të kuqe, m’u bë sikur i shihja do varre të zbrazta, në të cilat për shumë vite kishin qëndruar disa heronj, të cilët tash gjendeshin në sallën me ngjyrë të kuqe... Në karrigat afër tavolinës u ulën katër njerëz: kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, autori i romanit, një vajzë e re dhe reda- ktori i romanit, i cili mund ta kishte emrin Sadri ose Sami... Në sallë u lëshua një heshtje e çuditshme, nga e cila fillova të frikësohem. Diçka më thoshte sikur edhe pjesëmarrësit në sallën e kuqe frikësoheshin nga diçka e mistershme... Më kaploi dyshimi sikur gjendesha në teatrin e një qyteze, në të cilin aktori kryesor kishte bërë vetëvrasje dy herë... Mbi kokat e tyre në mur ishte vendosur një afishe e madhe, në të cilën shkruante me shkronja të mëdha: Lidhja e Shkrimtarëve... Akademia e Shkencave dhe e Arteve... Fakulteti i Filologjisë... Insitituti Albanologjik... Nga karrigia u ngrit vajza e bukur me fytytë të qeshur. U afrua te mikrofoni që gjendej disa metra larg tavolinës. Me një zë që i shëmbëllente zërit të laraskës zuri të fliste diçka. Fjalët e saja zhdukeshin ngadalë në hapësirë, në të cilën nuk e dija nëse bënte nxehtë apo ftohtë...
          - Më falni, - u dëgjua dikur zëri i laraskës, - harrova ta ftoj kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve...
      Plaku i matufosur u ngrit me vështirësi nga vendi. Kishte trup të hajthëm e fytyrë të zbehtë si të hënës pas perëndimit. Kishte veshur një konstum të zi, i cili i binte i madh dhe në të cilin ndihej tepër keq... Para mikrofonit qëndroi i shtangur. Me sytë e buhavitur e të skuqur, sikur gjatë gjithë natës të kishte qëndruar zgjuar, zuri ta vështronte publikun në sallë. Njerëzit që e vështronin të shtangur i shëmbëllenin në kalorës mesjetarë, të cilët qëndronin të kredhur në një gjumë të rëndë pas një beteje të përgjakshme. Disa herë i fërkoi sytë me gishtat tërë asht e lëkurë. Nga xhepi i pantallonave nxori një letër të zhubravitur. Derisa e mbante letrën duart po i dridheshin. Nga fundi i sallës u dëgju- an do duartrokitje frenetike. Dikush e thirri me zë të lartë emrin e plakut të matufosur...
          - Zonja dhe zotërinj... të ndëruar kolegë shkrim- tarë... akademikë... dashamirë të letërsisë... Aha, më falni... harrova kryetarin e komunës... si e pati emrin... nejse... pak ka rëndësi emri... Jam i kënaqur shumë... përuruar romanin “Populli... populli... më falni... nejse... nuk ka rëndësi as kjo... po, po... autori i romanit... profesori i nderuar i Fakultetit të Filologjisë... para tri ditësh u bë anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve...
      Nga duartrokitjet frenetike emrin e shkrimtarit nuk arrita ta dëgjoj mirë... Ndoshta e kishte emrin Hasan... I entuziazmuar me atmosferën e krijuar edhe unë zura të durtrokas me sa fuqi që kisha sa një i ri që gjendej afër meje mbeti i habitur nga sjellja ime prej budallai. Salla për një kohë të gjatë buçiti nga duartokitjet e ova- cionet e shfrenuara...
          - E ftoj autorin... shkrimtarin që ka arritur famë të madhe... - u dëgjua zëri i laraskës...
Shkrimtari me trup të vogël u ngrit tepër ngadalë hijerëndë në këmbë. Derisa e vështronte krenar publikun, lëshoi një qeshje të shkurtër. Përsëri salla gjëmoi nga duartrokitjet e ovacionet frenetike... Kur autori u ul ngadalë në vendin e vet, përsëri zëri i larakës e mbushi hapësirën e sallës cep me cep... - E ftoj redaktorin e romanit...
      Ai që qëndronte në skaj të tavolinës ngadalë iu afrua mikrofonit... A e njeh këtë shkrimtar, më pyeti i riu që qëndronte afër meje... Po, i thashë, është vjehrri i autorit të romanit që po përurohet...
      Redaktori i romanit me një shikim të rëndë e përsh- ëndeti publikun e shfrenuar nga lumturia... Përsëri duartrokitje frenetike... Redaktori i romanit zuri të fliste sikur të ishte zgjuar somnambul nga një gjumë i prishur në gjysmë... - Jam shumë i ngazëllyer... i privilegjuar... i nderuar... ndër romanet më të mirë të letërsisë sonë bashkëkohore... natyrisht, ky roman meriton epitetin e romanit më të mirë të këtij shekullit... edhe të shekullit që vjen... ia ka kaluar edhe Migjenit... edhe Naim Frashërit... po, po, edhe Fan Nolit... Jam krenar që është dhëndri im... Zëri i çjerrë i redaktorit u ndërpre nga duartrokitjet frenetike... Frazat që do t’ua lexoj nga ky roman janë një xhevahir i vërtetë, që do të hyjnë në të gjitha antologjitë e letësisë sonë kombëtare... Redaktori zuri të merrte frymë thellë sikur të bëhej gati të fluturonte nëpër hapësirën e vogël. Në sallë mbizotëroi heshtje varri... Kameramani mundohej të fokusonte sa më mirë fytyrën e mërdhezur të redaktorit dhe të autorit... Redaktori ngadalë e hapi romanin me kopërtina të forta. Disa çaste e kërkoi faqen në të cilën dëshironte ta lexonte një fragment... Publiku në sallë çdo lëvizje të tij e përcillte me kureshtje të madhe... Në një çast redaktori e ndërpreu shfletimin e romanit. U ndje i shpenguar sikur të kishte hapur derën në të cilën ajri mungonte. Edhe shikuesit u ndjenë të shpenguar... Redaktori e ngriti kokën e dërrmuar e pastaj zuri ta vështronte publikun në sallë... Me zërin e mbushur emocione zuri të lexonte ngadalë dhe gjatë asaj kohe duket sikur fjalët shndërroheshin në flutura e pastaj fluturonin nëpër hapësirën gjysmë të errët të sallës...
          - Ne jemi... popull bastard!... popull psikopat!... popull me histori... të rrejshme... pthu... është fatkeqësi të jesh... pjesëtar i këtij popull!... Sa do të dëshiroja... të mos i takoja... këtij populli... as këtij vendi... ky vend është i mirë... vetëm për qen!... Këtu njerëzit jetojnë më keq se qentë!... Populli ynë... ka heronj të trilluar!... edhe historinë... po, po... edhe atë e ka të trilluar!...
      Zëri i çjerrë i vjehrrit të shkrimtarit më godaste në kokë si me çekan edhe gjatë kohës sa u ngrita ngadalë nga vendi ku qëndroja sikur të gjendesha i ulur mbi një grumbull me ferra. Zëri i çjerrë i atij që ishte redaktor i romanit që sapo ishte përuruar, vazhdoi të më godaste në kokë edhe pasi dola nga salla e kuqe dhe me shpejtësi të madhe zbrisja shkallët e papastra. Ai zë i neveritshëm vazhdoi të më godaste në kokë edhe gjatë kohës sa ecja nëpër një rrugë, të cilën nuk arrija ta shihja nëse ishte e mbushur me njerëz apo me kafshë të egëra. Ai zë i vrazhë vazhdoi të më godaste edhe kur shkova në shtëpi dhe u shtrina për të fjetur e gjumë nuk arrija të bëja...

Samstag, 5. Oktober 2019

Fadil L. Curri: AI DO TË VDESË ME "POEZINË" E TIJ

Fadil L. Curri

Skica letrare

Na fliste për të me konsiderata e bindje pozitive, se ishte shkrimtar i madh me disa libra të botuar, se kohët e fundit kishte formuar edhe klubin letrar dhe se organizonte takime të ndryshme poetike, bënte promovime librash, sa e shihnin sa këtu e sa e shihnin atje si i ftuar i klubeve e shoqatave të ndryshme shkrimtarësh. Në tavolinë nisi një debat goxha i nxehtë, sa edhe fjalë përbuzëse për njëri-tjetrin nuk mungonin. Por që më tërhoqi vëmendjen, ishte dialogu ndërmjet lëvduesit të shkrimarit dhe tjetrit që e ndiqte letërsinë gati katër decenie.

“Ti the se është shkrimtar i madh ai dhe se paska disa libra të botuar?”, e pyeti disi kotnasikoti që të futet në rrjedhën e shpjegimit.
“Po”, ia ktheu lëvduesi i shkrimtarit të njohur, sipas tij.

“Ti duhet t’i kesh të qarta disa segmente letrare. Shkrimtari nuk është i madh, sidomos sot, nëse ka shumë libra të publikuara, por sipas asaj që prodhon vlera letrare. Miku juaj mund të jetë autor edhe i njëzet librave, por që nuk kanë cilësi as sa një e shkrimtarit të mirëfilltë. Është miku juaj më shkrimtar, bie fjala, se Poradeci e Migjeni?”
“Nuk e di”.

“Po nuk e dite, ja unë po ta rrëfej. Tipi i mikut tuaj shkrimtar është autor i disa librave, më shumë se që ka Lasgushi e Migjeni bashkë edhe me ndonjë tjetër, por do të vdesë bashkë me shkrimet e tij, ndryshe nga dy të parët që i përmenda, që sot e kësaj dite sikur janë gjallë e kuvendojnë me ne, si lexues të tyre. Te miku yt e ke nosititn, liqenin, Lulin e Vocër, “Poemën e mjerimit”? Jo. Migjeni, Lasgushi e skrimtarë të llojit të tyre i dhanë letërsisë tema, protagonistë, stile e porosi që edhe sot janë frymëzime artistike e ndërgjegjësimi për lexuesit. Miku yt shkrimtar i mori letërsisë dhe asgjë nuk i dha asaj. Me çfarë do të mbahet mend ai te lexuesit letrarë pas vdekjes së tij? As edhe me një libër të shtjelluar mirë, as me një poezi mbresëlënëse. Me të do të vdesë edhe poezia e tij. Ky është fati shkrimtarit tënd të joshur. Edhe ai vetë e di këtë, por hiqet para jush si shkrimtar për qëllime joletrare. Ai është përbindësh letrar. E kuptove tani?”.
“Përbindësh i the?!”

“Po. Gjoja shkrimtari mikut yt shpenzon lekë të shumtë për botimin e librave të autorëve tjerë në emër të klubit, pa recensione e redaktime librore, pa gjuhë të gdhendur, pa stil e porosi që do të ngacmonte kërshërinë e lexuesit. Jepen financa edhe për disa përkthime, të mos them turpërime, në tregun libror botëror, në të cilat botime nuk ka art e letërsi, por deklarativizma politikaneske me eufori populiste patriotike, të thëna nga politikanë, historianë e opinionistë klishetistë. Oponentët letrarë janë mjekë, kamerierë, “patriotë” e profile të ngjashme. Në vend që këto mjete financiare t’u jepeshin festivaleve e konkurseve letrare me vlera të arsyetuara nga juritë oponente, jepen për hiçgjë. Shpresoj ta kesh kuptuar krahasimin me përbindëshin”.

Tjetri nuk foli më. E kapi kokën me duar dhe i kishte lëshuar mendjet diku të kullotnin. Dukej disi i shkundur nga bindjet e pakmëparshme me disa risi të papritura, mbase të panjohura të deritashme për të.