Donnerstag, 18. Februar 2016

Mimoza Rexhvelaj - Cikël poetik

Ka lindur në Fier më 21.01.1981 dhe është rritur mes Durrësit dhe Malësisë së Madhe. Ka studiuar për Gjuhë-Letërsi, me profesion mësuese. Diplomuar per Gjuhë-letërsin dhe Mastër ne Universitetin e Shkodrës për "Etnokulturë"; vazhdon në vitin e tretë të Fakultetit të Drejtësisë. Është autore e tre librave me poezi dhe një studimi letrarë përkatësisht: "Dashuri ti je mëkati im", "Fshima lotin", "Jepi fjalës kohë", autore e studimit "Vështrim mbi poezinë e Diasporës". Në vitet e fundit ka botuar herëpashere në shtypin letrar të kohës dhe është përfshirë në disa antologji poetike si në atë me titull "Korsi i hapur" 1,2,3 - botim i Pegas-it, "100 poetë për dashurinë", "Struga 2012". Antrologji " Sabbat" , si edhe tek "Fluturim Pulëbardhash " ku u vlersua me mirënjohje . Vlersuar ndër vite me cmimet : " Penda e Artë e Migjenit' , " Ibrahim Rugova " në Istog, "Mirënjohje" Takimi i Poeteshave , "Mirënjohje' Takimet letrare në Ulqin , titulli " Poete e talentuar" nga revista "Fjala" , "Poete e psikologjisë dhe përformamcës poetike " Pegas Albania .



NJË GOTË DASHURIE

 Myshqet veshën lëkurën memece,
Të pemëve vjeshtuke ...
 Dielli nuk dëpërton në palcën
 E etur për jetë
 Në tokë shterpuqe
 Ku thuren legjenda mitike .

 Apokalips ndjenjash
Të mbytura me aromen "Stinë Marrie"
 Diku një kangë e mekun ,
Shkëmbore ,
Tundet në djep Zani ,
 shpon malin Heshturazi ...
 E shkel mbi puthje të shqyera.

 Struken parazitët shkurresh
 Lumenj fjalësh mërmërisin gjethet...
 A thua se mali qënkëshka dehur me një gotë dashurie ?!
 Në sytë e engjëllit
Thyhen të gjitha mitet e kohës
 Buzët celin trëndafila ... 



ODISEJADA

Duart vendos mbi pllakat homerike,
Të zbritura nga lart, urdhëresat pa urdhër,
 njeriun e lëshuar si pré në arenën e luanëve,
 në arenën e shumë zotave .

 Është jeta . Odisejada ime .
Duhet t'i bindem.
Nuk pres shumë nga zhurma e dallgës që përplaset mbi rërë,
As nga pulëbardha që lajmëron tokë,
 e as nga lajmi i fundit i gjetur në shishe dy mijë vjet më vonë...

 Tani lëri retët të vazhdojnë rrugëtimin qiejsh,
ngrij velat e tua në direk.
 Mbushe me ajër kraharorin dhe ec, ec,ec ...
Vetëm ec ... S'duhet ta dëgjosh thirrjen e sirenave ...
Lëre pas krahëve, mos i ndaj sytë nga lind dielli mbi kreshtë.

Nganjëherë
 Nganjëherë jeta ngec pas teje
 Si ferra, pas flokëve
Dhe nuk të shqitet.



HYRE ATJE KU S’DUHEJ

 Nuk e di se si
 Dhe as se pse
 Ajo të ngre kurthe,
 Kurthe asgjëje.
 Muskujt pasivë të trupit
 Papritur, gjallërohen
 Duke zbuluar një tjetër ego,
 Një ngjyrë të verdhë
 Që stina e ngrohtë e mban latente.

Muskujt e qafës tendosen,
 Këtë herë jo për të mbajtur peshë,
 Por,për të parë qartë.
Prespektiva është një iluzion,
Ajo pemë e zvogëluar dhjetëra herë,
Është një iluzion , po kështu rruga, mulliri,
 një konstelacion botësh që presin të zbulohen ...
I tillë është edhe gishti që i tregon .

 Frika të pushton,fundi i egëzistencës.
 Me një kërcitje dhëmbësh zgjohesh.
 Dielli rezaton mbi fytyrën e zhubrosur si mësalla pas feste.
Por, neser do të kthehet sërish në vend.

 Jeta vazhdon në lojen e saj Ditë-natë,
 natë-ditë, me dublime të njëpasnjëshme,
 të rregullta mbi parket duke na përgatitur për momentin e gjuajtjes,
nëse ai moment vjen ndonjëherë ....

Sokrat Habilaj - Cikël poetik


1 - NËSE TË MËRZITA

Të mërzita? Ik nga unë për pak kohë.
Mbase diku tjetër do të gjesh qetësi.
Po unë, s'mund të isha ndryshe, apo jo,
Në këtë botë të mbushur gjithë mërzi.

Megjithatë, ik, madje më merr inat.
Dhe në ndjehesh mirë, këtu më mos  u kthe.
Harromë fytyrën si një degë të thatë,
Në pllajën e vetmisë të mbështjell me re.

Larg meje, ti kryeneçe le të më rrish,
pa më shtrirë dorën nëse gjendesh ngushtë.
Po unë, që vij nga bota e mërzisë,
Do ta kuptoj në çast kur ke rënë në kurth.

Dhe do të vij pranë, me pamje krejt ndryshe,
Të mos më njohësh që jam ai i pari.
E dashur, kjo botë, është e mërzitshme,
Nëse të thash ik, s’ta prisha thjesht nga malli.

Kur të ndjesh të  ftohtë, të dridhesh në acar,
Do të vij ngrohtësi në vatër të të ndez.
Dhe ti, duke afruar duart në zjarr,
Do të shohësh pranë teje një eskimez.

Kur nga  zhegu, të përvëlohet kurmi yt,
Një grusht uji burimi, do të sjell s'largu.
E ti do të qeshësh, duke larë sytë,
Se do të shfaqet një fytyrë zezaku.

Unë nuk e di, kur të më shohësh ndryshe,
Nëse do ta  shtysh tutje, ujin a zjarrin.
Kjo botë që gjithçka bëri të mërzitshme,
Nuk di a mundi ta mërzis edhe mallin?

...Po kur buzët të të tundohen për  puthje,
Kë do të kërkosh ti në dallgë dashurish?
Buzët e mia, do t’i gjakos me ndukje,
Veç me fytyrë tjetër, s'të shfaqem ta dish!


2 - DY GJYSMA DASHURISH

Asgjë s’mund të jetë siç ishte më parë,
Sepse kemi brenda vetes diçka tepër.
Një gjysmë dashurie nga ty e vrarë,
Dhe atë që ruaj unë, gjysma tjetër.

Por sot të ndara janë ato, veç e veç,
Ashtu siç jemi të ndarë unë dhe ti.
Tek njeri rri ajo që nuk di të vdesë,
Dhe e vdekura pa një varr tek tjetri rri.

Ndodh rrallë të shihemi në sy të heshtur,
Mbështjellë me urrejtje, mbështjellë me mall.
Unë që s’vrava kam pjesën tënde të vdekur,
Ti që vrave ke pjesën time të gjallë.


3 - RRI DHE PAK ME MUA

Në qiell ndrinë ende e bukur, hëna,
Po ti, rri dhe pak me mua, rri dhe pak.
Nis më çuçuritë ca fjalë të ëmbla,
Do të ikësh? Ikë kur të iki kjo natë!

Unë zgjat dorën e yjet derdh përmbi ty,
Por ditën mbrapsht nuk mundem ta kthej.
Ti më thua, shikomë veç mua në sy,
Ikë prej meje, kur nata të iki andej.

Ikë kur sytë e mi, të mos kenë më terr,
Dhe gjithë yjet, atje të jenë fikur.
Në shtratin e syve, ti në gji më merr,
Ndërsa lë pas, një natë duke ikur.

Ma puth natën, më lutesh si e marrë,
Dhe si kurmin tënd, më hedh natë mbi krye.
Zhvishma natën i dashur, të digjesh ti zjarr,
Hyrë në natën time, të më ndezësh yje.

Pi tek nata ime, të mbytemi bashkë,
Rri brenda natës dhe vdis vetë i dytë,
Mos kërko të ikësh nëse ditë është jashtë,
Ikë kur nata ime, të më ikë nga sytë.


4 - MALLI IM

Ti duhet të më lije diçka, në ikje,
Një grimcë malli, inat, a lot të trishtë.
Se shpirti nuk është thjesht degë pishe,
Ku dashuria rri ca çaste rastësisht.

Nuk ikën dashuria, nuk ikën kështu,
Por kur vdesë, në shpirt mbulohet me dhè.
Tani nëse të kujtohem unë diku,
Bëjë ç’të duash me mallin që lash atje.

Po deshe lere në harresë, tej në skaj,
Dhe kalo pranë tij, thjesht si një e huaj.
Po deshe qeshë me të, a me të qajë
Po deshe, pafajësisht, ti me të luaj.

Po deshe shkele mallin, të mos bëjë zë,
Si hiri i cigareje që sapo u shua.
A në buzët e një tjetri, tallu me të,
Duke i treguar si puthet një grua.

E në ndodhtë të ankohet, mos u trishto!
Unë vet të thash, atë mall e kam tepër.
I thuaj...po s’mund t’i thuash gjë apo jo?
Se ti s’di që unë veç tij, s’kam mall tjetër.



5 - KUR TË IKËSH NGA UNE

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që unë të mësohem me ikjen tënde.
A thjesht të mendoj se do kthehesh prapë,
Muzgjeve të vjeshtës si vegim hëne.

Ti do të ikësh, por mos ikë e gjitha,
Që unë mos ta ndjej se të kam humbur.
A thjesht të më lesh pas ikjes si grimca,
Çdo pore të lëkurës që të kam puthur.

Ti do të ikësh nga unë pak nga pak,
Që të besoj se pendohet dhe vdekja.
A thjesht të gjej shpesh vetëm një shkak,
Për të të thënë sa shumë të desha...!



6 - PËR ATË QË SE MERR GJUMI

Kur thash lamtumirë, se dija natyrisht,
Se unë do të rrija larg jush kaq pak.
Njeriu ka arsye, botës t’i bëjë bisht,
Por për t’u kthyer, nuk gjen asnjë shkak.

Nuk gënjeva kur ju fola fare hapur,
As u tremba të ndjek ata që s’kthehen më.
Ai që kthehet, është vërtet i çartur,
Kush ikën tek të shumtët, nuk bënë asgjë.

Si të tjerët, lash pas dashuri e lutje,
Lash lot që më përgjëroheshin, ktheu!
Po si të kthehesha, qoftë për një puthje,
Kur buzët e mia kishin grimca dheu!?

S’vija, as për ty që lexon këto rreshta,
Ndërsa belbëzon-Erdhi vetëm për mua!
Mos m’u mërzitë se nuk të pyet vdekja,
Dhe kur i lutesh se të pretë një grua.

Nga kjo udhë nuk më kthente as plumbi,
Dhe asnjë dashuri, s’më tundonte në faj.
Erdha se thjesht dikë, netëve se merr gjumi,  
Pa ndjerë frymën time në flokët e saj.



7 - HESHTJA JOTE

Unë mburrem se thur vargje me zjarr,
Ti hesht, por ti dashuron më bukur.
Të matesh me mua, nuk është garë,
Gara me ty është garë e humbur.

Unë shkruaj germa pa fund në letër,
Ti më rimon shenja dhëmbësh në mish.
Unë them, sa ty nuk dua asnjë tjetër,
Ti qeshë a tallesh me mua, ku ta dish!

Unë llafazan si të gjithë poetët,
Ti e kthyer në heshtje, si vetëm ti.
Unë rrëmbej yje të të ndrijë netët,
Ti bëhesh hënë e më merr në gji.

Unë flas kaq shumë, se nuk hesht dot,
Ti hesht, se ti di të flasësh më bukur.
Të matesh me mua, garë e kotë,
Gara me ty, më shumë se e puthur.



8 - ATDHEU S'JU DO VETËM  NËN DHE!

Kujt ia latë Atdheun ju që ikët larg,
Ndërsa luteni:-Veç të vdesim atje!
Po Atdheu nuk është thjesht një shtrat,
Ku mund të prehesh, para ikjes nën dhè!

Kujt ia latë Atdheun, mallin e vjetër,
Kur thoni:-Ikëm, ikëm! Aty jeni ju!
Po Atdheu nuk ka as dhe një tepër,
Të vdekur a të gjallë të enden kuturu!

Kujt ia latë Atdheun, ashtu të vetmuar,
Dhe lotoni:-Atje të prehemi për jetë!
Po Atdheu s'është varrezë e harruar,
Me gurë të bardhë, pllajës së zbehtë!

Kujt ia latë Atdheun, ju që thoni nga larg:
-Na ruani një shtrat, a varrin e heshtur!
Po Atdheu juaj, e mira ju marrtë,
Nuk pretë t'u mbajë vetëm të vdekur!



9 - EJA EDHE SI DHIMBJE!

Ti mos u trishto që unë jam kështu,
S’mund të jem ndryshe dhe po të dua.
Kur dhimbjet e mia, i harroj diku,
Dhimbjet e botës strehohen tek mua.

Ti mos u trishto, kur të shikosh lot,
A nëse dhimbjet më kanë lodhur mjaft.
Mos më merr inat që nuk i ndala dot,
Kur me dhimbjen më hodhën dhe baltë.

Ti mos u trishto për buzëqeshjen tënde,
Se ndoshta mes lotëve, gjendet në pusi.
Po në shpirt për ty, i ruaj ca vende,
Ku askush troket, as nuk hynë njeri.

Ti mos u trishto, eja dhe si dhimbje,
Si do që të vish, unë të pres tek dera.
Nëse nuk sjellë gaz në zemrën time,
Eja zbukuromë gjithë dhimbjet e tjera.



10 - FRYMO DHE PËR MUA!

Kjo që do të them është madhështore,
Ti mos u mërzit pse e mbajta brenda.
Fjalët e mëdha nuk janë flokë bore,
Që të rrëzohen, kur u mbushet mendja.

Ndoshta duhej pritur një tjetër kohë,
Kur ne të dy të mos ishim më të rinj.
Ndoshta duhej pritur që tek ty të shoh,
Puthjet e mia, kthyer në një thinjë.

Ndoshta duhej pritur, të tjera çudi,
Që dhe unë si ti, të flisja me heshtje,
Kur të të shihja sytë, dikur pus i zi,
Si të mitë të dukeshin, në gri vjeshte.

Ndoshta duhej pritur më shumë mall,
Sa asgjë pa ty, mos më hynte në punë.
Ndërsa të shikoja që zbrisje në shkallë,
Të thosha me vete:-Shihni po zbres unë!

Ndoshta duhej pritur, duhej pritur ca,
Që ëndrrat t’i gdhendja me germat e tua.
S’thuhen në çdo kohë, gjërat e mëdha,
Thuhet veç një herë:-Frymo dhe për mua!

Antologji e mirë dhe e kompletuar

Nga Sinan SADIKU

Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko, Sali Bashota: Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX “Zemra e qiellit”- botoi “PEN Qendra e Kosovës”, Prishtinë, 2015.

          Muajve të fundit të vitit 2015 doli nga shtypi libri Antologji e poezisë shqipe të shekullit XX e titulluar “Zemra e qiellit”. Botuese e antologjisë është PEN Qendra e Kosovës, ndërsa hartues të saj janë Bashkim Kuçuku, Basri Çapriqi, Sadik Bejko dhe Sali Bashota. Për mendimin tim kjo është antologjia më e kompletuar dhe më e mirë e publikuar deri më tani, veçmas sa i përket poezisë shqipe të shkruar dhe të publikuar pas Luftës së Dytë Botërore. Hartuesit e saj: dy nga Shqipëria (Bashkim Kuçuku dhe Sadik Bejko), e dy nga Kosova (Basri Çapriqi dhe Sali Bashota), që të katërtit profesorë universitarë, tre prej të cilëve (Bejko, Çapriqi dhe Bashota) edhe poetë të shquar, pas analizave, studimeve dhe matjeve të gjata, kanë bërë një përzgjedhje duke u mbështetur në kritere estetike, gjegjësisht në vlera letrare. Lexuesi i poezisë shqipe ka pasur nevojë ta ketë në dorë një antologji të tillë, aq më tepër në këtë kohë, kur është i bombarduar me lloj-lloj librash që emërtohen antologji, shumica e të cilave janë larg të qenit të tilla. Veçmas e kam fjalën për atë lexues i cili e do poezinë, e lexon atë, por nuk ka kohë dhe kushte t`i përkushtohet asaj aq shumë sa të mos mashtrohet nga kritika afirmative, miqësore, diplomatike... e cila shpesh i ngrit në qiell jovlerat... Ose të mos mashtrohet nga të ashtuquajturat antologji, disa nga të cilat botohen edhe në gjuhë të huaja, në të cilat “antologji” përfshihen edhe poezi të cilat nuk kanë kurrfarë niveli artistik dhe të cilat një botues serioz nuk do t`i botonte edhe po të ishte në pyetje libri i parë i një krijuesi fillestar. Kjo antologji është e mirëseardhur dhe do t`u shërbej shumë edhe studiuesve të poezisë shqipe, kritikëve letrarë, historianëve të letërsisë dhe të gjithë krijuesve të poezisë – poetëve qofshin ata fillestarë apo me përvojë. Si e tillë ajo kontribuon, ndihmon në afirmimin e vlerave dhe në ngritjen e shijes estetike të lexuesit.
          Në debatet dhe dilemat e sotme për poezinë shqipe, rreth rendit të vlerave në këtë poezi, vendit e peshës që kanë poetët e ndryshëm falë krijimtarisë së tyre, kontributit të tyre në zhvillimin dhe begatimin e poezisë shqipe etj., kjo antologji ka ofruar një zgjidhje. Po që se i lexojmë me përkushtim, i analizojmë dhe studiojmë shkrimet, librat, monografitë e personaliteteve më të përgatitura që kanë shkruar për poezinë shqipe do të shohim se shumica prej tyre lëngojnë ose nga ndikimet dhe imponimet e ideologjisë, ose nga kufizimet subjektive, animet, simpatitë, antipatitë, inatet, pozicionimet me këtë ose atë krah, përmes të cilit shpesh e kanë mbrojtur dhe afirmuar vetveten. Kjo ka sjellë deri te ajo, që nganjëherë me vetëdije, është vlerësuar më lartë krijimtaria e këtij ose atij poeti, e këtij ose atij grupi dhe është nënvlerësuar krijimtaria e poetit ose grupit tjetër. Të shumtën e rasteve vlerësuesit kanë qenë poetë, pra në njëfarë forme edhe vetë kanë qenë në garë, dhe kjo e ka stimuluar subjektivizmin. Thuajse të gjithë hartuesit e antologjive të deritashme të poezisë bashkëkohore, në një mënyrë ose në mënyrën tjetër, janë ndikuar në aspektin negativ nga vlerësimet e tilla, herë duke ia mbajtur krahun njërit grup, herë duke u përpjekur të qëndrojnë në mes ose afër mesit, e herë duke vepruar nën njëfarë presioni, me njëfarë ngurrimi dhe autocensure, si rezultat i të cilave është dëmtuar cilësia e antologjive. Më duket se hartuesit e antologjisë “Zemra e qiellit” kanë vepruar në përputhje me njohuritë dhe shijet e veta, duke manifestuar guxim intelektual dhe ndershmëri.
          Hartuesi ose hartuesit e antologjive, përzgjedhjen e bëjnë në përputhje me njohuritë dhe me formimin e tyre profesional, në përputhje me shijet e tyre dhe sado që t`i jenë përkushtuar punës, sado që të jenë përpjekur për të qenë objektiv, për tu mbështet vetëm në kritere estetike, madje sado që ta kenë arrit këtë, përsëri mbeten dilema, përsëri mbetet vend për vërejtje.
          Tri çështjet kryesore me të cilat përballen hartuesit e antologjive janë: përzgjedhja e poetëve, poezitë e të cilëve përfshihen në antologji, numri i poezive me të cilat përfaqësohet secili poet dhe përzgjedhja e poezive më të bukura nga poetët e prezantuar.
Poetët e përfaqësuar
          Në këtë antologji janë përfshi poezitë e 70 poetëve shqiptarë të shekullit njëzet; duke filluar nga më i vjetri Çajupi (1866-1930) e deri te më e reja Ledia Dushi (1978). Prej 70 poetëve, poezitë e të cilëve janë prezantuar në antologji, 8 janë poetë që veprat në përgjithësi ose veprat kryesore i kanë shkruar dhe publikuar para Luftës së Dytë Botërore, ndërsa 62 poetë poezitë i kanë krijuar dhe botuar pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë libër poetët janë prezantuar me më së paku 3 poezi dhe më së shumti 7 poezi. Me nga 7 poezi janë prezantuar poetët: Fan S. Noli, Lasgush Poradeci, Migjeni, Martin Camaj, Fatos Arapi, Dritëro Agolli, Ismail Kadare, Azem Shkreli, Rrahman Dedaj, Frederik Rreshpja, Ali Podrimja dhe Sabri Hamiti. Me nga 5 poezi janë prezantuar poetët: Asdreni, Ali Asllani, Esad Mekuli, Vorea Ujko, Lluka Perone, Zef Zorba, Enver Gjerqeku, Mihal Hanxhari, Din Mehmeti, Dhori Qiriazi, Fahredin Gunga, Musa Ramadani, Teki Dervishi, Sadik Bejko, Ndoc Gjetja, Zef Skiro Di Maxho, Xhevahir Spahiu, Beqir Musliu, Anton Papleka, Primo Shllaku, Natasha Lako, Eqrem Basha, Moikom Zeqo, Visar Zhiti, Ibrahim Berisha, Milazim Krasniqi, Mario Bellizi, Abdullah Konushevci, Sali Bashota, Basri Çapriq, Mimoza Ahmeti, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Ilir Belliu, Lindita Ahmeti dhe Ervin Hatibi. Me nga 4 poezi janë prezantuar poetët: Gjergj Fishta dhe Bilal Xhaferi. Me nga 3 poezi janë prezantuar poetët: Andon Zako Çajupi, Ndre Mjeda, Muhamed Kërveshi, Koçi Petriti, Resul Shabani, Agim Vinca, Bardhyl Londo, Nexhat Halimi, Flora Brovina, Edi Shukriu, Skënder Rusi, Rudolf Marku, Adem Gashi, Shaip Beqiri, Ramadan Musliu, Halil Matoshi, Arian Leka, Salajdin Salihu, Gentian Çoçolli dhe Ledia Dushi. Pra, me nga 7 poezi janë përfaqësuar 12 poetë, me nga 5 poezi, 36 poetë, me nga 4 poezi, 2 poetë, dhe me nga 3 poezi janë përfaqësuar 20 poetë.
          Sa u përket poetëve, poezitë e të cilëve janë përfaqësuar në antologji, mund të them se nuk di cilin prej tyre do ta largoja, po të më ngarkohej një detyrë e tillë. I lexova dhe rilexova poezitë e disa poetëve të cilët në disa nga antologjitë e mëparshme janë përfaqësuar e në disa të tjera nuk janë përfaqësuar, apo më mirë të them i lexova dhe rilexova poezitë e atyre poetëve për të cilët kisha mëdyshje nëse e meritojnë të përfaqësohen në një antologji të poezisë shqipe të shekullit njëzet, ku janë përfaqësuar 70 poetë. Këtu bëjnë pjesë disa nga poetët e përfaqësuar me nga 3 poezi. Më doli përfundimi se poezitë janë të bukura, kanë vlera antologjike dhe e meritojnë të jenë aty ku janë.
          Siç e shënova edhe më lartë, nga 70 poetë, poezitë e të cilëve kanë zënë vend në antologji, 62 janë poetë bashkëkohorë shqiptarë. Andaj, mund të them, se sa i përket poezisë bashkëkohore, kjo është antologjia më e kompletuar gjer më tani, antologji në të cilën janë prezantuar poezitë e poetëve pa marrë parasysh cilit drejtim letrar, cilit stil, cilit krah, cilit regjion apo cilit orientim i kanë takuar ose i takojnë. Tashmë kanë kaluar 25 vite prej kur ka rënë diktatura komuniste në Shqipëri, prej kur ka rënë kufizimi i lirisë së krijimtarisë në hapësirat tjera shqiptare. Kjo periudhë kohore është e mjaftueshme, që profesionistët me gjakftohtësi dhe objektivitet ta analizojnë, studiojnë dhe vlerësojnë krijimtarinë poetike, duke i evituar pasojat që i ka sjellë njëherë ndalimi dhe anatema e krijimtarisë poetike të disa poetëve, pastaj gjatë viteve të nëntëdhjeta glorifikimi jo objektiv i asaj krijimtarie. Në të dy rastet, për shkaqe jashtë letrare dhe pa mbështetje në kritere estetike. Andaj, më duket se në këtë libër u është dhënë vendi i merituar poetëve: Gjergj Fishta, Zef Zorba, Martin Camaj, Mihal Hanxhari, Bilal Xhaferi, Frederik Rreshpja, Sadik Bejko, Primo Shllaku dhe Visar Zhiti. Po ashtu mund të them se përherë të parë, me ndonjë përjashtim të vogël, në këtë antologji u është dhënë vendi i merituar edhe poetëve: Musa Ramadani, Teki Dervishi, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Shaip Beqiri dhe Ramadan Musliu.
          Në këtë antologji, sikurse edhe në disa të tjera, janë përfshirë poezitë e disa poetëve nga Shqipëria, që librat e parë i kanë publikuar gjatë viteve të nëntëdhjeta, ndërsa nga Kosova nuk janë përfshirë poezitë e asnjë poeti, që librin e parë e ka botuar gjatë asaj dekade. Njësoj pati vepruar poeti Ali Podrimja, në librin “E frikshme dhe e bukur”, me shtesën “Sprovë për një antologji” (2003). Në këtë “Sprovë për një antologji”, Podrimja i pati prezantuar poezitë e 6 poetëve të Kosovës, të cilët librat e parë me poezi i kanë publikuar gjatë viteve të tetëdhjeta, dhe të 7 poetëve nga Shqipëria, 6 nga të cilët librat e parë me poezi i kanë publikuar gjatë viteve të nëntëdhjeta. Në antologjinë “Zemra e qiellit”, numri i poetëve dhe poeteshave nga Shqipëria, që i përkasin brezit të viteve të nëntëdhjeta është shtuar në 7, ndërsa nga Kosova ka mbet ashtu si ishte, asnjë! Poeti më i ri nga Kosova është Halil Matoshi, i lindur në vitin 1961, i cili librin e parë me poezi e ka publikuar në vitin 1988, ndërsa poetja më e re nga Shqipëria Ledia Dushi, është e lindur më 1978, ndërsa veprën e parë me poezi e ka publikuar në vitin 1997. Dallimi në moshë është 17 vite.
          Njëri ndër hartuesit e antologjisë, Basri Çapriqi, në intervistën dhënë “Radio Kosovës”, të cilën më 02.11.2015 e publikoi edhe portali “Koha.net”, me titull “Leximi në krizë”, duke u përgjigjur në pyetjen e intervistueses për kriteret e përzgjedhjes, për autorët e përfaqësuar etj.; ka treguar disa nga vështirësitë dhe dilemat, që e kanë përcjell punën e përpiluesve: “Është punë e vështirë sepse gjithmonë e ke atë merakun që të mbesin jashtë shtatë ose tetë poetë dhe e ke vesin gjithmonë se pse nuk ke mundur t’i fusësh brenda dhe janë poashtu pesë ose gjashtë që mund të dalin çdo moment. Kështuqë, kjo është një punë që gjithmonë mbetesh me atë merak, por dikush duhet ta bëjë dhe këtë punë”. Dilemat, brengat se mos kanë lëshuar ndonjë gabim, se mos i kanë hyrë në hak këtij ose atij autori, ose e kanë favorizuar ndonjë tjetër, i përcjellin të gjithë përpiluesit e antologjive, për faktin se nuk ka ndonjë njësi precize me të cilën do të mateshin vlerat artistike. Andaj, është plotësisht normale që lexuesit, ata që e analizojnë, ata që e studiojnë antologjinë të bëjnë vërejtje, të shprehin dilema, të parashtrojnë pyetje dhe të mos pajtohen në disa pika me autorët e antologjisë. Unë do t`i shprehi pa hezitim disa nga vërejtjet, disa nga mospajtimet e mia dhe do t`i parashtrojë disa pyetje.
          Siç e shënova edhe më lartë në libër janë prezantuar poezitë e 8 poetëve të cilët krijimtarinë poetike e kanë realizuar para Luftës së Dytë Botërore. Shtrohet pyetja: në mesin e 332 poezive më të bukura të prezantuara në antologji, a e kanë merituar të zënë vend edhe nga 3 poezi të katër a pesë poetëve të tjerë, që kanë krijuar në atë kohë? Kuptohet ndonjë poet në vend se me tri poezi do të mund të përfaqësohej me një poemë. Është fjala për poetë që kanë shkruar më shumë poezi, por vetëm një numër i vogël i tyre janë vërtet të bukura dhe e meritojnë të zënë vend nëpër antologji.
Po ashtu, më duket se falë vlerave që kanë, e kanë merituar të jenë në këtë antologji edhe poezitë e poetëve: Besim Bokshi dhe Mirko Gashi, si dhe poezitë e disa poetëve nga Kosova, të cilët librat e parë poetik i kanë botuar gjatë viteve të nëntëdhjeta.
          Besim Bokshi (1930-2014), në fund të viteve të pesëdhjeta dhe në gjysmën e parë të viteve të gjashtëdhjeta, i ka publikuar disa poezi vërtet të bukura, të cilat i ka sistemuar në librin “Në pritje” (1966). Ky libër me poezi, shënoi nivel më të lartë artistik se sa librat e tjerë, të botuar gjatë atyre viteve. Bokshi edhe më vonë, ç`është e vërteta rrallë, ka publikuar poezi me vlera të njëmendta artistike. Pak, por të mira. Këtë autor do ta prezantoja në antologji me 3 poezi.
          Mirko Gashi është një poet i veçantë dhe origjinal. I vetmi poet bohem i Kosovës, në kuptimin e plotë të fjalës. Ka shkruar poezi të bukura dhe interesante sa i përket gjuhës poetike, shprehjes figurative, sa i përket ndërtimit të vargut, ritmit, rimës, sa i përket ndjeshmërisë dhe pasurisë semantike. Pa asnjë hezitim do t`i përfshija poezitë e tij, por do të hamendesha rreth numrit të tyre. Do të mendoja pak më gjatë rreth përfaqësimit me 3 apo me 5 poezi.
          Sa ju përket poetëve të viteve të nëntëdhjeta, siç e shënova më lartë në këtë antologji janë prezantuar poezitë e 7 poetëve nga Shqipëria dhe të asnjë poeti nga Kosova! Edhe pse një numër mjaft i madh i poetëve nga Kosova, që librat e parë me poezi i kanë publikuar gjatë viteve të nëntëdhjeta, nuk kanë dhënë diçka të veçantë, sa i përket aspektit artistik... Një numër i vogël i tyre, në raport me numrin e madh të atyre që kanë botuar, kanë publikuar edhe libra dhe vepra që si tërësi janë të realizuara, të veçanta dhe përmbajnë poezi me vlera antologjike. Andaj, po të hulumtoheshin pak më gjatë nuk ka qenë e pamundur që të gjendeshin tre - katër poetë, ose edhe më shumë, poezitë e të cilëve do ta pasuronin antologjinë, madje edhe me kushtin që nga krijimtaria e tyre të merreshin vetëm poezitë e publikuara para vitit 2000.


Rreth numrit të poezive me të cilat janë përfaqësuar poetët

          Le të dalim te numri i poezive me të cilat janë përfaqësuar poetët në antologji. Më duket që Mjeda është dashur të përfaqësohet me 7 poezi dhe jo me 3 me sa është përfaqësuar. Nuk kam asnjë dilemë, se Mjeda hynë në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë shqiptarë. Edhe po të zgjidheshin 10 poetët më të mirë shqiptarë të të gjitha kohërave, Mjeda do të duhej të ishte aty. Rëndom rëndësia e një poeti, vendi që zë poezia e tij në kuadër të një antologjie, caktohet në bazë të numrit të poezive me të cilat është përfaqësuar ai. Kështu kanë vepruar edhe hartuesit e antologjisë në fjalë. Poetët janë përfaqësuar me nga 7, 5, 4 dhe 3 poezi. Po të mbështetemi ekskluzivisht në këtë kriter, Mjeda nuk do të hynte as në mesin e 50 poetëve më të mirë shqiptarë të shekullit njëzet?! Megjithatë përpos numrit të poezive, me të cilat është përfaqësuar një poet, shihet që hartuesit e antologjisë ia kanë dhënë njëfarë rëndësie edhe hapësirës, faqeve të librit, që zënë poezitë e secilit prej tyre. Prandaj, po i shënoj 10 poetë poezitë e të cilëve zënë më së shumti hapësirë. Më së shumti hapësirë zënë poezitë e poetëve: Kadare, 7 poezi, 14 faqe; Fishta, 4 poezi, 12 faqe; Noli, 7 poezi, 12 faqe; Asdreni, 5 poezi, 10 faqe; Mjeda, 3 poezi, 9 faqe; Poradeci, 7 poezi, 9 faqe; Zorba, 5 poezi, 8 faqe; Podrimja, 7 poezi, 8 faqe; Mimoza Ahmeti, 5 poezi, 8 faqe dhe Esad Mekuli, 5 poezi, 7 faqe. Po t`i kombinojmë numrin e poezive me numrin e faqeve, poeti më i mirë shqiptar i shekullit njëzet del të jetë Kadare. Pas tij vijnë: Noli, Poradeci, Podrimja... Mjeda për nga numri i poezive del të jetë pas të pesëdhjetit, ndërsa për nga hapësira që zënë poezitë e tij i pesti. Ai në këtë antologji është përfaqësuar me pjesët “Trina” dhe “Lokja”, të poemës “Andrra e jetës” dhe me 5 pjesët e para, përkatësisht me 5 tingëllimat e para të poemës tingëllimore “Lissus”. Vërtet pak e komplikuar gjendja! Mund të themi se Mjeda është përfaqësuar me dy punime e ato janë: “Andrra e jetës” dhe “Lisuss”; me tri: “Trina, “Lokja” dhe “ Lissus”; me shtatë: “Trina”, “Lokja” dhe pesë tingëllimat e poemës “Lissus”, por kemi njëfarë baze të themi se ai është prezantuar me 10 punime, sepse aq pjesë të dy poemave i gjejmë në libër. Për mendimin tim, këtyre punimeve me të cilat është prezantuar Mjeda, do të duhej t`u shtoheshin edhe disa të tjera, në mënyrë që ai të përfaqësohej qartësisht me 7 poezi, edhe nëse hapësira që do të zinin ato do të arrinte në 12 apo në 14 faqe. Edhe kur është në pyetje Fishta, ka paqartësi. Ai është i përfaqësuar me 4 punime mjaft të gjata të cilat i zënë 12 faqe të librit. Për nga numri i faqeve që zënë poezitë e tij në libër, vjen i dyti, menjëherë pas Kadaresë, ndërsa për nga numri i punimeve, gjegjësisht titujve vjen i dyzet e nënti! Faktikisht te Fishta numrin e vogël të titujve thuajse e mbulon numri i madh i faqeve.
          Kur jemi te numri i poezive me të cilat janë përfaqësuar poetët, mendoj që Eqrem Basha do të duhej të përfaqësohej me 7 e jo me 5 poezi. Edhe Shaip Beqiri do të duhej të përfaqësohej me 5 poezi e jo me 3 me sa është përfaqësuar. Pastaj nuk më duket që ky poet është përfaqësuar me poezitë e tij më të bukura. Në librin e tij të dytë “Flatat e gjymta” (1983), gjenden me dhjetëra poezi më të bukura, se ato me të cilat është prezantuar.
          Meraku ose brenga e sinqertë e njërit prej hartuesve të antologjisë, Basri Çapriqit, se mos kanë mbet jashtë saj, shtatë ose tetë poetë, që nuk do të duhej të mbeteshin, do ta shoqëronte secilin, i cili do t`i hynte dhe do ta realizonte këtë projekt të ndërlikuar, aspak të lehtë, secilin që do ta kryente këtë punë me shumë përgjegjësi.
          Besoj, disa prej dilemave që i ngrita, disa prej pyetjeve që i parashtrova, disa prej zgjidhjeve që i propozova, disa prej vërejtjeve që i bëra i kanë shoqëruar, i kanë preokupuar edhe hartuesit e kësaj antologjie. Po ashtu, besoj që dilema, vërejtje, mospajtime kanë dhe shumë njerëz të tjerë, që i janë përkushtuar letërsisë, artit, poezisë, dhe nuk e di pse heshtin, pse flasin në rrethe të ngushta e nuk shkruajnë? Debatet e argumentuara janë të dobishme e të domosdoshme. Krijuesit duhet të dëshmojnë guxim intelektual...Atyre nuk u bën nderë përgojimi dhe monologu pa jehonë, heshtja ose pëshpëritjet në rrethe të ngushta ose ndejave duke pirë kafe.
         Mbase e zgjata pak tepër me vërejtje! U mora më gjatë me këtë libër, iu përkushtova më shumë, pikërisht për faktin se për bindjen time është antologjia më e mirë, më e kompletuar e publikuar gjer më tani, veçmas sa i përket poezisë shqipe të shkruar pas Luftës së Dytë Botërore, apo gjatë gjysmës së dytë të shekullit njëzet, një antologji e hartuar me përkushtim të veçantë, me profesionalizëm, me përgjegjësi, pa anime. Për ta realizuar një vepër të tillë, pos tjerash kërkohet guxim krijues, vendosmëri dhe njëlloj sakrifice. Shihet se këto cilësi i kanë përpiluesit e saj, me siguri të nxitur nga dashuria e madhe për poezinë shqipe, për shpërfaqjen dhe afirmimin e vlerave më të spikatura të saj. Në këtë antologji janë sistemuar dhe janë shpërfaq vlerat, në kohën kur kriza e sistemit të vlerave i ka përfshi të gjitha fushat e jetës sonë, edhe artin, edhe letërsinë, edhe poezinë. Kuptohet, duke i shpërfaq dhe afirmuar vlerat më të realizuara, ka ndikuar ose do të ndikoj që të zmbrapsen jo vlerat. Shpresoj që ky publikim, së paku deri diku, t`i ndihmoj të zbresin në tokë disa nga poetët me nivel mesatar ose nën të, të cilët falë mjeteve financiare të investuara në afirmimin e vet si poet (që është aftësi për biznes e jo për krijimtari poetike) dhe aftësisë për të krijuar rrethe, klane, miq; aftësisë për ta reklamuar vetveten, e kanë bind veten se vendi i tyre është në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë shqiptarë, ose edhe në rrethin e ngushtë të poetëve më të mirë botërorë!

Dardanë, 8 shkurt 2016

Faktet historike po iu a çjerrin maskën

/ Kushtuar historianit dibran Rakip Sinani /

Rakip Sinani është një hitorian ushtarak. Ai,në fillim punoi si mësues, pastaj vazhdoi stidimet e larta në Akademinë ushtarake. Si ushtatrak profesionist ka bërë hulumtime shkencore në fushën e historisë në këndvështrimin ushtarak. Ai ka botuar disa libra. Më të përmendurat janë:
  • Betejat e Skëndërbeut,
  • Kujtime historike,
  • Dibra dhe dibranët në faqen e historisë,
  • Kështjellat në vitet 1443-1468,
  • Kryengritja e armatosur e dhjetorit 1924 (Lufta në kalanë e Dodës dhe Peshkopi)
  • Lufta e Penestëve me Maqedonët 169 p.e.s
  • Lufta e Penestëve me romakët
  • Kryengritja e Dibrës në shkurt të vitit 1714
  • Nëntë Malete e Dibrës gjatë sundimit osman
  • Një vështrim gjeografik: Treva e Dibrës
  • Kështjellat e Dibrës: fortifikatat mbrojtëse
  • Beteja e Pollogut 22 prill 1453
  • Beteja e Ursarës në Itali, tetor 1461
  • Beteja e grykës së Radikës
  • Kryengritja e Dibrës në gjysmën e shek XVI
  • Tri betejat e Skëndërbeut në Dibër
  • Ata ishin nga Dibra
  • Zeja e armëtarisë gjatë shekujve XV-XIX
  • Shfaqje të diglosisë dhe bilinguizmit në Maqedoni.

Gjithashtu autori ka lënë në dorëshkrim një vepër mjaft të vyer që së shpejti do të shohë dritën e botimit, e cila titullohet njëzetëepesë betejat e Skëndërbeut.
Një sërë dorshkrimesh të tjera të karakterit historik si, toponimet vendase dhe shkrime të tjera. Autorit shumë herë i patën ofruar që studimet e tij t’i paraqiste se kishin prejardhje sllave. Por mençuria e burrit të Dibrës nuk ra në rrejetën e njerëzve të shitur politikës sllave. Vepra e tij dëshmon dhe vërteton katërcipërisht origjinën autoktone të popullit tonë dhe, atyre u çjerrë maskën. Një lukuni sllavo-filësh është vënë në kërkim të shkrimeve të pabotuara të historianit që t’i fusin në dorë. Por e kanë kot. Ata së shpejti do të botohen dhe do të flasin me faktet historike që ka hulumtuar autori. Edhe pas vdekjes së tij ai me veprën e shkruar me shumë mundim do t’i shfaqë ata lakuriq me gjithë shëmtinë dhe dyfytyrsinë e tyre para opinionit.

Ju paskeni qenë të paturpshëm,
Gjithmonë ecni dorëpërdore me natën,
kjo errësirë e rehatshme për mendjen dhe veprimtarinë tuaj,
Faktet historike pamëshirë po iu a çjerrin maskën.
Faktet e historisë sonë shkëlqejnë si dielli,
Kjo dritë prej shekujsh vazhdon të rrezatojë,
E vërteta historike vazhdon të ndriçojë,
kjo dritë e madhe shkëlqen prej eshtrash dhe gjakut të bërë plojë,
ju të verbuar, prej saj llomotisni më kot.
Këtë histori që me gjak është larë,
Dhe ju o hijena s’mund ta fshini dot.
Sa lehtë e shitët veten duke vlersuar vetëm paranë,
Faktet historike gjithnjë ju verbojnë.
Rrënjët tona janë shumë të lashta,
E këta rrënjë ju s’mund t’i fshini për jetë e mot.
Kështjellat janë një dëshmi e qartë,
Doket dhe zakonet e këtij populli flasin edhe sot,
Ne ishim dhe jemi këtu qyshse njeriu u krijua për herë të parë,
Oshëtimë nëpër shekujt e zymtë, skuqur me gjak e larë me lot.
E,tashmë papritmas shohim,
Shpërfytyrimin tuaj duke derdhur helmin e gjarpërit,
Ne s’çuditemi se pse këta ndodhin,
Duke mohuar rrënjët historike të shqiptarit.
Unë lexoj në shpirtrat tuaj të ligë,
Makutërinë për të fituar,edhe nderin për ta shitur në pazar,
Por çfarëdo që të thoni,
Ju jeni ajo farë e keqe që përdhos kombin shqiptar.
Qëllimet dhe mendimet tuaja unë i kam lexuar shumë mirë,
Në kurthet tuaja ju s’mundët të më futnit dot,
Faktet historike që unë shkrova fytyrën iua kanë nxirë,
Këngë korbash që mua më vjen ndot.
Ju s’mund të shfajsoheni se iu kemi lexuar keq,
Fjalët tuaja dëshmojnë se jeni të shitur,
E kush e dinte se ju mendonit për atë dreq,
Gënjeshtrat sipas porositësit, krejt pelin të hidhur.
Ju jeni fajtorë dhe keni më të madhin mallkim,
Historisë sonë këta nuk i kanë munguar,
Flasifikime të paskrupëllt që na i shesin si më i madhi zbulim.
Ju deri dje ishit nga më të përkdhelurit,
Për partinë nënë betoheshit se ishit gati për me vdekë,
E, sot bashkoheni me gjuhën e litarit dhe të hurit,
Mitra që pjellën gjarpërinj,ooh vaj medet.
Ju sot shikoni interesin e xhepit tuaj,
Faktet historike iu kanë shpërfytyruar për ibret,
Ju shohim të përpëliteni sa me këmbë dhe duar,
Nëpër vorbullat historike që klithin gjithë tmerr.
Ju iu përgjunjët xhelatëve të historisë,
Me neveri iu shohim sesi u shpurdhët,
Duke përdhosur altarin tonë të lavdisë,
Më kot mundoheni të na ngatërroni udhën.
E kush e dinte se ju ishit njësoj si ata,
Duke u zvarritur si gjarpëri gati të na pickojë,
Historia po iu shkërrmoq me veprat e saj hata,
E fytyra juaj është e nxirë,e bërë krejt blozë.
Ju në jetë të jetëve do të mbeteni të turpëruar,
Si çdo tradhëtar ajo do t’iu hedhë në kosh të plehrve,
Me vigmat e saj historike vazhdon duke ushtuar,
Nuk fal askënd, si armiq të saj do t’u kujtojë,
Si pre shiponjash mbërthyer në të sajat kthetra...

                                                                               Kujtim Stojku

Sonntag, 10. Januar 2016

Poezi e dhimbjes dhe e shpresës

Nga dr. prof. Bashkim Musliu

Sheremet Prokshi: "Gjyshja nga Presheva", poezi.

Sheremet Prokshi, tanimë autor i disa vëllimeve poetike, po dëshmon se poezia është përkushtimi i tij jetësor. Fryt i këtij përkushtimi është edhe libri i tij i fundit me poezi “Gjyshja nga Presheva”. Edhe në librin e fundit lajtmotiv i autorit është etnia, historia dhe bashkëkohësia, të cilat gjithnjë i sheh të gërshetuara dhe të lidhura ngushtë mes vete.
Autori përmbledhjen poetike Gjyshja nga Presheva e strukturon në katër cikle: I Gjyshja nga Presheva, II Toplica dardane (poemë), III Është e jona Çamëria dhe IV Kërkoje.
Përveç cikleve autori fut edhe disa poezi, të cilat natyrshëm lidhen me lajtmotivin e veprës. Cikli i dytë zë vendin qendror në përmbledhjen poetike Gjyshja nga Presheva.
Poemat dhe poezitë autori i organizon në strofa. Strofat në të shumtën e herëve janë katrona, por ka edhe strofa pesëvargëshe, gjashtëvargëshe, shtatëvargëshe dhe tetëvargëshe. Jo rrallë strofat kanë edhe më shumë se sa tetë vargje. Numrin e vargjeve nga të cilat përbëhen strofat autori e përcakton duke u nisur nga përmbajtja që trajton. Pjesët ku epizmi është më i theksuar se sa lirizmi, në përgjithësi, përbëhen nga strofa me numër më të madh të vargjeve.
Në përmbledhjen... ashtu siç ka strofa nga më të ndryshmet, ka edhe vargje të gjatësive të ndryshme rrokjesore. Gjatësia e vargut, në të shumtën e herëve, është në përputhje me ritmin që kërkon trajtimi i një përmbajtje të caktuar, por ndonjëherë ndikohet edhe nga synimi i autorit që vargu të jetë sa më bukurtingëllues, domethënë ndikohet nga rima. Kur autori shpërthen dhe është më i” papërmbajtur” shpërthimin e tij e shpërfaq përmes vargjeve më të shkurta, ndërsa kur rrëfimi ngre krye, vargu shtrohet dhe përbëhet nga një numër më i madh i rrokjeve. Kështu gjatësia e vargut dhe ritmi i tij varen nga përmbajtja e poezive.
Rima. Sheremet Prokshi është autor që i kushton rëndësi muzikalitetit të vargut. Rima është e theksuar pothuajse në të gjitha vargjet e tij, prandaj, ndonjëherë, autori e “sakrifikon” fuqinë e vargut për shkak të rimës. Rimari i autorit është i pasur: rima të kryqëzuara, të alternuara, rima të pasura, të varfra, por, jo rrallë hasim edhe rima të brendshme. Po theksojë se autori jo gjithmonë rimën e shfrytëzon për të krijuar muzikalitetin e vargut, prandaj rima në poezinë e tij mund të ketë edhe rol semantik.
Sheremet Prokshi shkruan kryesisht poezi për fëmijë, por jo rrallë figurshmëria e vargut, aludimet, alegoria, po edhe simboli, bëjnë të mundur që poezia e tij të lexohet, të përjetohet dhe të kuptohet ndryshe nga lexuesit e vegjël e ndryshe nga të rriturit. Elementet e sipërtheksuara bëjnë që poezia e tij në dukje të parë për fëmijë, të jetë poezi edhe për të rritur.
Gjyshja me të cilën autori sikur dialogon pothuaj gjatë gjithë përmbledhjes, mund të shihet edhe si simbol. Ajo simbolizon rrënjët, traditën, përvojën jetësore, ndërkaq për lexuesit e vegjël ajo thjesht është një gjyshe që vuan kur migrojnë të rinjtë; që vuan kur kujton humbjen e më të dashurve në luftë; që këshillon dhe u bën thirrje të rinjve që të qëndrojnë në vendlindjen e tyre, në atdheun e tyre. Përmes vallëzimit të gjyshes në një dasmë, jep traditën e Preshevës, traditë kjo që nuk është thjesht traditë e vallëzimit, por lashtësi dhe themel i së ardhmes së këtyre trojeve. Gjyshja është nga Presheva, por ajo mund të jetë nga cilido territor i atdheut tonë që rrezikohet t’i tretet përgjithmonë.
Në përmbledhjen e tij Sheremet Prokshi trajton edhe kurbetin ( ai sikur e ndien me intuitën e poetit largimin e të rinjve që është çështje aktuale këto ditë). Dramën e kurbetit e jep, jo përmes mallit të atyre që janë larguar nga vendi, por përmes dhimbjes së nënave, gjysheve që i djeg malli për djemtë dhe nipat. Malli i madh bën që ato, si thuhet me një këmbë në varr, të marrin rrugën e gjatë për ta shuar mallin për bijtë e tyre. Ato në ninullat e tyre shfaqin dëshirën e madhe që vajzat e tyre të bëhen nuse në vendin e tyre e jo të ikin nga atdheu:

Nina-nina Shotë
Antigonë moj Xhevë
Të bëhëni nuse 
Këtu në Preshevë.

Autori, me dhimbje, na e sjellë në kujtesë fatin e Toplicës e të Çamërisë, të cilat i ndjen si pjesë të atdheut, në mënyrë që fatin e tyre të mos e kenë pjesët ku shqiptarët ende janë shumicë. Thirrja e poetit, përmes Gjyshes, është thirrje që synon rizgjimin në mënyrë që të mos përsëritet fati tragjik që na ka shoqëruar gjatë historisë kur “ Lumi mbushej me trupa / Të prerë copë më copë” . Për të shmangur këtë fat tragjik, nga varri, flasin trimat e dikurshëm.
Temë tjetër që e shqetëson poetin është edhe rreziku i humbjes së identitetit, theksimi i tepërt i vetëdijes fetare që, viteve të fundit, po e karakterizon shoqërinë tonë:

Thoshte, çdo arab 
E kemi vëlla
Kryeqendra i kemi
Mekë e Ankara.

Në përmbledhjen Gjyshja nga Presheva autori, kur flet për të kaluarën, por edhe kur flet për të tashmen, synon të ndikojë në vetëdijen e lexuesve të tij. Ky ndikim është në funksion të ardhmërisë më të mirë.
Sheremet Prokshi me profesion është mësues. Ai në poezinë e tij flet si poet, por, jo rrallë, në vargjet e tij garojnë, se cili do të ketë fjalën kryesore: mësuesi apo poeti.