Freitag, 16. September 2016

"Abetarja e përbashkët" dhe dashuria për Kosovën

Albin Mehmeti
Shkruan Albin Mehmeti

Viti 2012, përveç që shënoi njëqind vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, gjithashtu solli edhe unifikimin/bashkimin e Abetares mes dy shteteve, Kosovës dhe Shqipërisë. Fjala bashkim, nënkupton kur dy pjesë bashkohen për ta formësuar tërësinë, ku, asnjëra pjesë nuk tjetërsohet, pra nuk pëson as njëra e as tjetra.

Por, sa ishte unifikuese kjo Abetare? Sa u ruajtën elementet e njërit apo tjetrit shtet?

Nëse do hapësh Abetaren, do ta shohësh poezi për flamurin shqiptar, do të shohësh logon "Njëqind vjet shtet", do të shohësh heronj (edhe pse të pranuar në dy shtetet), kontributi i të cilëve ishte në territoret e Shqipërisë së sotme. Në anën tjetër, mungon lartësimi i flamurit shtetëror/kombëtar të Kosovës, mungon logo që përfaqëson shtetin e Kosovës, dhe mbi të gjitha mungojnë heronjtë që u lindën dhe kontribuuan për Kosovën.

Sa i përket çështjes së heroit, nuk është detyrimisht që ai të jetë i luftës së fundit të Kosovës (edhe pse kjo do ishte më e mira), por, pse mos të jetë hero i lindur në Kosovë, që është i pranuar si i tillë në të dy shtetet, shembulli konkret mund të jetë Hasan Prishtina, i cili para se gjithash ishte intelektual dhe kontribuoi për zhvillimin e arsimit shqip.


Nëse “Abetarja e përbashkët” është rezultat i marrëveshjes mes dy shteteve, atëherë pse duhet njëri shtet të dominojë mbi tjetrin? Nuk duhet të harrojmë një gjë, se atëherë kur shfaqet ideja e dominimit të njërit shtet mbi tjetrit, atëherë krijohet jo barazia, kur shfaqet jo barazia lindin konfliktet e luftërat (duke përfshirë edhe Luftën e Kosovës 1998-99).

Nëse në këtë marrëveshje do të shkruhej “…kjo është Abetarja gjithë etnike”, atëherë s’do të kishte asgjë të keqenëse do të kishte dominim të simboleve të shtetit shqiptar, pasi qenia etnike shqiptare historikisht është ndërlidhur me Shqipërinë. “Abetarja e përbashkët”, është marrëveshje mes dy shteteve, konkretisht dy Ministrive të Arsimit, dhe si e tillë brenda saj duhet të ketë barazi, ku asnjëri flamur, himn apo hero i njërit shtet nuk duhet të jetë më i rëndësishëm se flamuri, himni, heroi i shtetit tjetër.

Dominimi i simboleve të Shqipërisë ndikojnë (vetëdijshëm a pavetëdijshëm) tek nxënësit që mësojnë brenda Republikës së Kosovës, që shteti e flamuri i tyre, të jetë disi më i largët, gjë që detyrimisht ndikon edhe në dashurinë ndaj tyre, dashuri që është determinuese për të ardhmen si shtet, komb e shoqëri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen