Hajdin Morina |
PSALM HYJNOR
Mund t'ua imponosh njerëzve
edhe frikën, edhe robërinë e lirisë,
por jo, kurrë, dashurinë.
Dashuria edhe sot është psalm hyjnor,
me banim vetëm në shpirt.
E paprekshme
nga pushtuesit e kësaj jete.
AKUSTIKA E DHIMBJES
Mbyll veshët
të mos e dëgjoj këngën
kur dehen aedët
e s'ndalen as në Gur t'Shpumë.
Je holluar unazave përbiruar
dhe rrathëve të bajraqeve.
Të dhimbjeve të kam kambanë.
TRINOMI I SHENJTËRISË SË ARBËRISË
Të tretë s'kanë varr,
Gjergj Kastrioti, Gjergji,
Pjetër Bogdani, Pjetri,
Gjergj Fishta, Gjergji.
M'i lanë pa varr,
që unë të falem
e të bie më gjunjë
para tjetërkujt.
E syve të mi drita,
posa shkëputet nga orbita,
para të treve ndalet
dhe merr uratën.
Janë të tretë Arbëria ku është.
CILA JE TI
Je kjo,
thonë je dhe ajo,
jo deri këtu,
jo deri atje,
shumë e vjetër,
tepër e re.
Sepse s'kanë sesi
brenda syve të tu
me matë
krejt çka kam.
As e hollë, as e vogël,
as aq, as kaq,
sepse t'matin pa dashuri,
Arbëri.
PRES
Kam shpresë tash vjen
fjala jote, zëri yt, nëpër eter,
qiellit, mbi Pegasin e kthimit.
Si flutur hrahashkruar
e Naimit,
si dallëndyshe
e Filip Shirokës n'Shkodër.
Më dridh ky tërmet i qetësisë,
ti tashmë ke hipur
mbi fjalën tënde,
mbi zërin tënd,
nëpër eter.
Qiellit tim ti shkruan
hieroglife të çuditshme
me shkronjat që i bart era,
të emrit tim, të emrit tënd.
Tek unë tek vjen nëpër eter.
NUK TË MARRIN PA TË ZHVESHUR
Nuk të marrin me vete
pa të marrë shumëçka ata.
Pak nga fytyra, pak nga emri,
shumëçka nga e ardhmja.
Ata nuk të marrin afër vetes
pa t'i prerë flatrat,
zogu im i ëndrrës.
KAM ME T'VESHË
Kostumin e partishëm
dhe lëkurët e partisë
kam me t'i zhveshë
thellë deri n'ty,
kemi me u dashtë,
si njëherë motit,
unë e ti.
Deri n'mue kam me t'zhveshë,
me bukuri t'moçme me t'veshë.
EKUILIBËR
Ritualit tënd të urrejtjes,
të lutem urremë sa më shumë.
Ritualit tënd të dashurisë,
të lutem më duaj pa fund.
Sepse ky është ritmi, ekuilibri
që e mban gjallë dashurinë
të vallëzojë nëpër orbitë.
POLICËT E REGJIMIT TË VDEKUR
Na torturonin tepër, mbaj mend,
që Republikën e ngjizur n'shpirt
ta abortonim sa më shpejt.
Si sot mbaj mend
sesi torturoheshin prej tyre
vajzat e konviktit numër 5.
Ndonjëra prej tyre
s'u bë nënë kurrë,
nga pasojat e dhunës,
nga ajo torturë.
Ndodh shpesh që nga paslufta
policëve të atyre ditëve
t'u shkojë më shpejt te dera
elektriku, kanalizimi dhe rruga
nga Republika e tyre
dhe nga kjo imja.
VEÇ DHIMBJA E TIJ MË DHEMB
Nuk ma përcaktojnë dot diagnozën
spitalet tona, assesi,
kur më dhemb dhimbja e tij.
Kur mudohet
e nuk mund të zgjohet
t'u japë ilaçe
fëmijëve të Kosovës
që vdesin nga sëmundjet
e pasluftës.
Në fund të fjalimeve të stisura
në përvjetorët e dëshmorëve,
ai hesht ndryshe,
më shumë se çdo gjëmim i kësaj toke.
KA QIELL EDHE DHIMBJA
Ka një qiell edhe dhimbja
larg ndër kujtime,
thellë ndër zemra.
Njeriu ka një qiell
nga i cili bien lot,
siç bien mbi bar e gjethe
bulëza vese
kur avujt e ajrit ftohen
në buzëmbrëmje.
Bulëza loti syve vesojnë,
sepse dikush larg po largohet,
po shkon...
TË JETOSH PA SOKRAT
Fryu në det një erë plot këngë
dhe magjistrica Circe
i joshi shokët e Odisesë.
Vajza e ishullit
mbante brerore diellore
rreth flokëve.
U dha ushqime e pije deliri,
pastaj me shkopin magjik
në derra i shndërroi të gjithë,
pos Odisesë.
Pas një kohe të gjatë
kur magjistrica mori shkopin
t'i kthente sërish në njerëz,
disa prej tyre Circen e lutën
t'i linte ashtu derra,
në ishull të kënaqen.
Në ishull rron ende
magjistrica Circe
me brerore diellore rreth flokëve.
PAS TË VJELAVE
Marshojnë sot kot
nën gjëmimin
e flakëve të celularëve,
sepse fotografitë
nesër n'arkiva bëhen
burime të rëndësishme
bashkë me shkrimet shkencore
të karagjozëve.
S'kanë ku ta marrin
një kokërr t'hardhisë
për kofinin n'shpinë,
marshimeve shterpë,
pas të vjelave, nëpër vresht.
Pas të vjelave
zgjuar janë somnambulët
mes krismave e flakëve
të celularëve.
KËMBËSOREVE TË HIRIT
1.
Në amfiteatër, në arenë
e faqes detit
sesi s'u ndal ky shi, sesi.
Ranë lot të ngrohtë
mos me prishë era
këmbësoren e hirit të vatrës
që shtroi nëpër mal
djali i mërzitur i përrallës.
2.
Tre mijë vjet njëjtë,
vite të duhen detit edhe tash,
me gjetë vendlindjen,
vendlindjen me pasë.
3.
S'jemi larg,
të dyve na përkund,
pa gjumë në sy,
e njëjta natë,
të dyve na zgjon,
pa fjetur fare,
i njëjti ag.
S'jemi larg.
(Dyrrah, 27.4.2019)
FRAGMENT NGA DHOMA 11
Lulet e kajsisë
përtej grilave
të dritares së vogël
na jepnin shpresë
neve të ngujuarve
në burgun e Prishtinës,
më 1982, në dhomën 11.
Lulet e kajsisë
që harliseshin
pa pyetur hetuesinë.
Aroma e prillit të ringjallur
na zvogëlonte në dhomë
kundërmimin e kovës plastike
të mbushur me urinë
dhe me jashtëqitje tjetër shpesh,
të cilën e zbraznim në banjo
kur gardianët na nxirrnin
në xhiron e shkurtër
me sy poshtë
rreth orës dhjetë.
Udhës sonë të Arbrit
edhe ne të dhomës 11
lamë ca pika gjaku
zyrave të hetuesisë
për shkak të torturave mizore,
për shkak të dashurisë.
Hetuesit, gardianët,
shqiptarë ishin
nga trojet tona etnike,
nga harta jonë e etnisë
dhe më shumë se hetuesit serbë
na torturonin
e nënën na e shanin,
më shumë se ata,
shumëfish.
Sepse në flagrancë
na patën zënë,
në dashuri me Atdheun.
MË THUAJ TI QYSH ME T'THANË LIRI
Në pikë dite
hiqet nga rruga
tabela me emrin e atij
që torturohej
për vdekje
dje në hetuesi,
për ty.
E ti m'i gëzon policët e djeshëm,
udbashët e tmerrshëm.
Më thuaj ti
qysh me t'thanë liri
kur s'është e para Arbëria,
as Naimi, as Ademi.
Partia!
KUR LEXOJ TË SHTUNËN
E shtuna,
si çdo e shtunë,
të zgjon dëshira shumë...
...ta bësh poezi, për shembull,
ëndrrën që pe të premten,
ndezur me ndjenja që s'i ka jeta.
...ose me dalë te lumi, te mali yt,
fëmijërinë me kujtue.
E shtuna ta ndezë dëshirën
me lexue çka ke harrue.
Dhe i hyra stivës së librave.
Në të dy krahët
hoqa e palosa derisa u lodha,
deri te Xha Gorioi,
të cilit stva e librave
frymën ia kish zënë,
si bijat e veta kur e braktisën,
si qiraxhinjtë
në pensionin e vejushës Voker,
në Paris,
në rrugën Nëvë-Sentë-Zhënëvievë.
Xha Gorioi
më shumë se kur isha n'gjimnaz
nisi të më flasë
për Sizifin e jetës
jo vetëm në qytetin e Senës,
por në gjithë planetin
që ka vetëm një kod:
mashtrues ose i mashtruar
do të jesh në këtë botë.
S'ka rrugë tjetër,
as mes, as shteg.
(E shtunë, Rixhevë,13.4.2019)
NËN HIJEN E PIRGJEVE TË BEJTEVE
Biçim poetësh
bëjnë pirgje
me biçim bejtesh.
Nuk është në dymbëdhjetë,
por kurtizanet i ranë kambanës.
Pa vargje poezia,
pa poezi vargjet.
Ulpiana me zjarrminë e trupit
zhvarrimin e Pjetër Bogdanit
e pjek në një tullë prej dheut.
MËKAT ËSHTË TË MOS MËKATOSH
Ti mëkatove
territ të asaj nate
kur të ngresh krye
thanë është mëkat.
Por të mos mëkatosh,
është të mos jetosh.
S'të duhet liria,
s'i duhesh gjë lirisë,
në mos mëkatofsh
në këtë stinë.
JAM
Jam
sepse kam det,
një varkë mbi dallgë
dhe ty në jetë.
Jam
sepse lart mbi mua kam
një qiell të lirë
për të gjithë zogjtë e vendit tim.
Jam
sepse gjoli im
nuk mbetet pa Nosit.
Jam
sepse det kam,
ty
dhe thellësitë
e virgjëra të tij.
JE
Tërmet ish
që më dridhi sot
një kujtim
dhe pantomima jote
e fotografisë.
Dua t'i besoj legjendës,
ti je gjallë
pas shtatëdhjetë
e shtatë bjeshkësh.
Hipa mbi pegasin tim,
po nisem.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen