Freitag, 31. Mai 2019

Agim Shehu: Mirupafshim, Shqipëri!


Agim SHEHU

MIRUPAFSHIM, SHQIPËRI!...

Mirupafshim, Shqipëri!
Ika se të dua shumë,
se desha të jem gjallë
dhe ca kohë për ty!

Motorin e avionit
që më largoi Shqipërinë
e vunë në lëvizje 
plumbat që më shtinë.

te helika e tij
dridheshin në ndjekje
rrotat e motorit
që më shtypën për vdekje.

Natën e mirë, tokë Shqipërie!
Sot jam një meteor i djegur
që këputet, e s'di ku bie...

Një zog fluturonte pas avionit.
Në cicërimat e tij me zëra Atdheu
dëgjova emrin tim që thëriste -
"Kthehu!''

S'më arriti dot.
U drodh nëpër erë
e ra mbi një luleshqerë.

Zëri i të mbytyrve në Otranto
zgjatej nën avion nga fundi i deteve -
Atdheu na la këtu të harruar...
merrnai shpèirtrat me vete!..-

"Ku t'ju shpie?
Si ta ngrë kujen tuaj
që as varr nuk ka!.."
Pulëbardhat vinin rrotull mbi ujra
me shpirtrat e tyre në krah.

Fluturoj në veriperëndim
me sy nga hapsirat e Ilirisë.
Në vesh më trokasin gozhdët e arkivolit
që Athina i bën Shqipërisë.

Mbi qiejt e Europës, -
vetëtima me përskuqje
si me gjak Shqipërie.
Një rrufe Kosove
mbante në krah një rënkim Camërie.

Mbi malin e Bardhë m'u zgjat Tomori.
Një ylber i vëndlindjes buzë një shkrepi
më përsëriste legjendat pelazge
që nëna m'i thoshte te djepi.

Nga pas, - vështrimet e njerëzve të mi
më përcillnin në heshtje,
pa folë.
Në sytë e tyre drejtuar nga Europa
zbardhnin arkivolë:

Na mashtruan në "sekondë të bukur" -
'...diktaturës i shkoqëm dhëmbët...'
(i krasitën gjethet,
i shëndoshën rrënjët...)

Natën e mirë, Shqipëri!
Pakëz terr mesnate
me vete ta kam marrë.
(ndoshta, mëngjezi që pret,
më shpejt të të zbardhë!..

S'vdiqa nga goditja...
S'di ç'ëngjëll erdhi
e më pëshpëriti nën zë -
kur Shqipërinë e kanë nisur të vdesë,
është pak të vdesësh për të.

Më pe shtrirë të pëtrgjakur
me sy tërë dhimbje Shqipërie
që birit, të varfër si ti,
në ndihmë dot s'i vije.

Shamia me të cilën do t'i fshije
plagën e prerë,
qe e njomë
me gjakun e bijve të tjerë.

Ika, Shqipëri...
Që të nxirja mallin tënd,
zgjodha një vënd të vogël
e të bukur si ti.

Në dyert e Zvicrës
me plagët e mia në shpinë,
trokita ngadalë me patericë
mos t'i prishja qetsinë...

Hapi derën. Më pa...
Nuk fola...më dëgjoi.
Nuk sillja asnjë gjë të bujëshme,
asnjë shenjë heroi.

Vilhelm Teli doli nga legjenda.
Sa më pa, më njohu që rini
kur te libri i Kë4ndimit
e mbaja në gji.

Gjithëçka m'u lexua te heshtja,
në vështrimet e mia.
Në fytyrë kisha tkurjen e Atdheut
të gjymtuar nga historia.

...Paterica rënkonte.
Filizën ia mbolla me 'punë vullnetare'
të mbushnim blerrim Shqipërinë...
M'u kthye këmbë druri,
të ngarkoj mbi të pleqërinë!

Ecij mbi të
nën pikat e shiut e nën dritën e hënës.
Në fundin e saj
më rri një lule nga varri i nënës.

Kaloj nëpër Zvicër.
I flas botës me dhimbje njeriu.
Me fëshfërimë bari,
mbi gjumin e tij në Lugano
më përkthen Aleksandër Moisiu.

Takoj Ismail Qemalin
tek troket vigan nëpër shtete
e i them -
Flamuri Kombëtar
ka mina sllavo-greke nën vete!

Takoj Nolin në Lidhjen e Kombeve
me shtetin Sovran në dorë,..
e i them - Shqipërisë
i rikthyen 'protektorë'.

Takoj Mid'had Frashërin
te një 'Mbledhje Ballkani'
në Lozanë,
e i them - Venizellos i ri
rri këmbëkryq në Tiranë!

Takoj Konicën
tek vazhdon artikujt rubinë,
e i them - partirat
po e varrosin Shqipërinë.

Takoj Bedri Pejanin,
me Kosovën në krah drejt Atdheut,
e i them - në Prishtinë
po të pret 'Skënderbeu'!

Në Lucernë, Mbretit Zog
i them - këto kohë dimërore
qielli 'Shqipëri'
ka dhe formën e kurorës mbretërore.

Presidenti Uilson...
i përulem me lutje nderimi:
fjalët për kombin tim
t'ia kujtojë njerëzimit!

...Hyj me bastun në klubin zviceran.
Diku në një skaj
më del kafja e thjeshtë në Tiranë...
shokët te dera e saj...

I thërras çdo mbrëmje,
i pres me mëngjezin.
Tek vesh këpucët e mia,
lidh këpucët e tyre
që më presin.

...Mirupafshim, Atdhe!
Me retë e bardha të Alpeve
të dërgoj përqafimet e mia.
Aty brënda kam fëmininë
që ma mban Shqipëria.

Kam lodrat në lëndinat e tua,
vitet me vaj e me këngë.
komentet e nxënësve në maturë
e trishtime spërkatur me hënë.

Aty lashë të parin takim
të dashurisë me gruan
që ecën nëpër kohra
me bukën e fëmijve në duar.

Lashë lopatën time të puntorit
në vitet me dënim të zi,
lashë pa bërë vizitën e fundit
në varret e prindërve të mi...

Kam lënë hapur dhe një Dosje Sigurimi
me emrin tim në çdo resht
që të ndjek pas
ku të jesh...

...Sipër gjumit vinë nga larg
zëra të ëmbël gjitoni.
Kam mallin e të ikurit
dhe për ata që s'e donin.

Për zogun që largohej nga ballkoni
se s'gjente thërime,
për mimozën në obor
që ma sillte pranverën
në janarin me thëllime;

për rrugicën time tërë turp,
tkurur nga meraku i vetëm,
që buzë Bulevardit
mbeti e shtrembër tërë jetën...

...Gëlqerja tharë në mur
e ngrirë si muranë
me ankthe pa fund të familjes
që kurrë s'iu ndanë...

Llamba e shuar prerë nga shteti
sheh mbi fëmijët e i kthen në hije,
nëpër raftet e librave, shkrimtarët
pëshpërijnë në terr
drama historie.

...Diç pëshpëriti matanë...
kolltukët bosh rënkonin...
fryma e tim ati, vertëm
pinte duhan te ballkoni...

Një shishe, mbetur përgjysëm
siç e lashë në ikje,
pret të pihet kur të kthehem, 
a të thahet në pritje...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen