(Prend Buzhala, Psherëtima pergamene, poezi- zgjedhjen dhe parathënien Anton Nikë Berisha- SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2017)
Emri i Prend Buzhalës tashmë qëndron në mesin e poetëve dhe shkrimtarëve më të mirë të letërsisë së sotme shqiptare, ashtu siç qëndrojnë veprat e tij artistike në mesin e krijimeve dhe realizimeve më të mira, sidomos në fushën e poezisë, të kritikës dhe të studimeve letrare që trajtojnë dhe hedhin dritë mbi çështje të ndryshme që kanë të bëjnë me fenomenet letrare, prirjet e sotme të letërsisë, të zhanreve letrare, të prurjeve krijuese nëpër periudha të ndryshme, por edhe të aspekteve të veçanta të stilit të individualiteteve letrare dhe të përqasjeve estetike ose të shfrytëzimit të metodës krahasimtare për të ndriçuar dhe vlerësuar autorë dhe vepra të periudhave dhe të drejtimeve të ndryshme letrare.
Kontributi i shkrimtarit dhe kritikut letrar Prend Buzhala po ashtu duhet të kundrohet edhe në aspektin e ndihmesës që u jep lexuesve për të ngritur shkallën e edukimit të tyre artistik e estetik përmes studimit, analizës dhe vlerësimit që u bën ky autor veprave dhe shkrimtarëve të shumtë sidomos të kësaj kohe me prurje të mëdha letrare të cilave u qaset me erudicionin e tij duke klasifikuar dhe vlerësuar vlerat dhe duke hapur perspektiva të leximit të atyre veprave dhe autorëve, por edhe duke i ndihmuar autorët e rinj dhe të tjerë që të kenë një qasje dhe përkushtim tjetër në aspektin e krijimit dhe të kundrimit të realizimeve artistike. Po ashtu ky autor ka dhënë dhe po jep kontribut të veçantë për daljen në dritë të shumë realizimeve letrare, duke ndihmuar dhe përkrahur autorët në fushën e botimit dhe të avancimit të vlerave, pra duke qenë redaktor, recensent dhe lektor i sa e sa botimeve jo vetëm në Kosovë, por edhe në mbarë hapësirën kulturore shqiptare.
Të shumta janë botimet e Buzhalës në fusha të ndryshme të letërsisë, të kritikës letrare, të historisë së letërsisë, të publicistikës, fejtonistikës, studimeve monografike dhe në aspekte të shumta të përkrahjes, promovimit dhe realizimet të ngjarjeve të shumta kulturore jo vetëm në Klinë e në Kosovë, por edhe në shumë pika të gjeografisë sonë kulturore.
Duhet theksuar po ashtu se nuk është punë e lehtë të lexosh, të komentosh, të analizosh dhe të kuptosh domethënien dhe mesazhin e të gjitha krijimeve dhe realizimeve poetike e letrare të Buzhalës. Në këtë drejtim duhet të jesh lexues me përvojë dhe shije të mirë letrare, duhet të njohësh historinë dhe kontekste të caktuara shoqërore të cilat reflektohen në krijimtarinë e këtij autori dhe e veçanta e çështjes është fakti se realitetet historike dhe jetësore reflektohen në këto vepra pavarësisht zhanrit letrar, qëllimeve dhe qëndrimeve të autorit ndaj subjektit të këtyre veprave.
Para një dileme të tillë lexuesi dhe njohësi i zhvillimeve letrare ndodhet edhe kur merr në dorë vëllimin poetik “Psherëtima pergamene”, botuar më 1917, një vëllim i vlerave të larta estetike ideore, përgatitur me krijime të Buzhalës të shkruara dhe të botuara në kohë të ndryshme, më shumë të viteve të fundit, përzgjedhur nga shkrimtari, studiuesi dhe kritiku i mirënjohur letrar profesor Anton Nikë Berisha. Qysh në fillim të tekstit të parathënies së tij Anton Berisha ka theksuar për lexuesin: “Në letërsinë tonë Prend Buzhala ka bërë emër në dy fusha të veprimtarisë letrare: si studiues dhe si poet dhe prozator. Pra, nga një anë ai u mor me studimin e dukurive të artit të fjalës: të veprimtarive të autorëve ose të veprave të tyre të veçanta, nga ana tjetër, përftoi një varg veprash, duke mbërritur një rrafsh të lartë artistik, sidomos në poezi” (Anton Nikë Berisha, parathënie e veprës “Psherëtima pergamene”, SHB “Rozafa”, Prishtinë, 2017, faqe 7). Në poshtëshënimin (fusnotën) në fund të kësaj pjese të tekstit të parathënies Berisha po ashtu i tregon lexuesit se poezitë dhe krijimet e tjera artistike të këtij vëllimi i ka marrë nga këto përmbledhje letrare të Buzhalës: “O Amë, o Amë” (1995), “Shtatë seanca pranë Akokalipsit” (1998), “Këpucët e rënda të lirisë” (2012), “Çaste lirike I” (2014), “Çaste lirike II” (2015), “Tregime të shenjta” (2015).
Ndërtimi artistik i vëllimit poetik “Psherëtima pergamene” përbëhet nga këto pjesë ose cikle të cilat ndërlidhen me njëra tjetrën duke ruajtur koherencën dhe kohezionin artistik përmes ministrukturave të tekstit, nivelit të sintagmave stilistike, figuracionit poetik dhe reflektimeve të tjera të idesë e të qëndrimeve të autorit ndaj organizimit kompozicional, ndaj subjektit lirik dhe qasjes ndaj komunikimit letrar me lexuesin: Reshje bukurie, Pagjumësia e pikëllimit, Diellësi e heshtjes, Drithërima malli, Etjet e prushta, Ringjallja e dritës, Pagjumësi muzgu, Pëshpëritje të dremitura, Gërmime rrënjësh.
Me nocionin logjik dhe konceptin artistik “pergamenë” lexuesi takohet qysh në poezinë e parë “Shkëlqimi që më përcjell në gjumë e ëndërr” (faqe 37) që hap këtë përmbledhje poetike me poezi të zgjedhura. Koncepti “pergamenë” këtu dhe sintagma poetike e titullit “Psherëtima pergamene” plotësojnë njëra-tjetrën me refleksionet e tyre, por edhe me leximin e deshifrimin që u bën lexuesi këtyre koncepteve poetike dhe estetike. Fjala “pergamenë” për lexuesin bëhet çelës i rëndësishëm për të dekoduar tekstin dhe shtresat stilistike të tij, për të marrë mesazhin dhe preokupimet e poetit rreth materialit gjuhësor e letrar si dhe qëndrimin e tij ndaj subjektit lirik i cili, dihet, nuk e përfaqëson çdoherë autorin. Disa shenja të poezisë që zumë ngoje si: urna, hiri, hiri vullkanik, flaka, pergamena, Shkronjë Dëshmie etj. kanë lidhshmëri logjike dhe konceptuale me tregimin “Dera e yjeve” (faqe 178) ku hasim shenja si: vendbanime të moçme, lotore ilire, copë pergamene, qytete ilire, fise barbare, palimpsest, arkeolog i ri etj., të cilat së bashku i japin lexuesit informacion dhe ndihmesë për ta kuptuar, analizuar e përdorur për ndërtime të reja nëntekstesh shenjën “pergamenë” si dhe për të vendosur lidhshmëri ndërmjet poezive të këtij vëllimi ose ndërmjet poezive të këtij vëllimi dhe teksteve të tjera të autorit, por edhe për të bërë përqasje artistike e ideoartistike ndërmjet kësaj vepre letrare dhe veprave e teksteve të tjera letrare të letërsisë sonë. Lexuesi duke lexuar e deshifruar këto shenja arrin ta ketë në dorë çelësin e dekodimit të strukturave tekstore letrare të këtij vëllimi poetik dhe duke përsiatur rreth pergamenës dhe “psherëtimave të pergamenës” e ka më të lehtë konceptimin e nocionit dhe të shenjës së pergamenës e cila këtu na del herë si simbol i vështirësive të të jetuarit mijëvjeçar në këto troje, herë si gjakim i autorit për të depërtuar tejpërtej historisë dhe për ta kapur fillin e vërtetë të zanafillës, ritmin e jetës dhe të vdekjes, herë si dëshpërim i autorit për fatin e artit dhe shkrimit tonë të ndërtuar herët, por të dokumentuar vonë për shkak të trysnive dhe shkatërrimeve barbare, herë si kujtesë ose si “hi i dëshirave të zjarrta” nëpër të cilat autori shprush mirazhet e vlerave tona gjuhësore e letrare të shkatërruara aq shpesh, por të ndërtuara sërish si rezultat i ringjalljes së vitalitetit krijues e historik të gjuhës shqipe. Pergamena, pra, vishet edhe me domethënien e autorit dhe me kuptimet që nxjerr prej saj lexuesi duke e konceptuar këtë shenjë si simbol të gjakimit të shkrimit, por edhe si simbol të asaj që nuk është shkruar, por është përjetuar në pergamenë-lëkurën e popullit tonë gjatë shekujve. Kjo shenjë, tekefundit nga ana e lexuesit, lexohet dhe kuptohet si mëtim i autorit për të mos u harruar historia, shkatërrimi i vlerave tona kulturore nga hordhitë barbare dhe për të pasur kujdes në ruajtjen e ekuilibrit të mbamendjes e vetëdijes kombëtare dhe të sistemit të vlerave qoftë në rrafshin shoqëror, qoftë në rrafshin kulturor. Po jap më poshtë pjesën e parë të tekstit nga tregimi që mbrun komponentë të lirizmit, meditimit dhe të një dramatizmi me masën e duhur të shprehjes për të arritur efekte stilistike në tekst dhe efekte emocionale tek lexuesi:
“Në shumë vendvarrime të moçme dihet që janë gjetur lotoret ilire. Në njërën lotore është gjetur një copë pergamene, në të cilën gjendet emri i Isterit, Yllit, dëshmitar i djegieve të qyteteve ilire nga fiset barbare. Titulli i kësaj dëshmie (dëshmia thotë se për këtë është shkruar një libër që nuk u gjet kurrë) quhet “Vrasja e priftërinjve në Malin e Shenjtë”. Në fakt, aty ekziston vetëm dëshmia për flijimet që bëheshin për Derën e Yjeve”, që bëhej në Dy Pikat e Prerjes së Dritës me Terrin: ose në Buzëmuzg, ose në Buzagim.” (Nga tregimi “Dera e yjeve”, faqe 178).
Mendoj se një lexuesi aktiv, një teoricieni dhe një studiuesi të letërsisë shenjat gjuhësore, shtresat kompozicionale të tekstit, shtresat figurative të poezisë “Shkëlqimi që më përcjell në gjumë e ëndërr” dhe të tregimit “Dera e yjeve”, qasja dhe ndërtimi i nënteksteve përmes imazheve që reflektojnë emocione e qëndrime të caktuara ndaj subjektit të tekstit dhe ndaj kontekstit shoqëror i mjaftojnë për të konceptuar e reflektuar jo vetëm për vëllimin “Psherëtimë pergamene”, por edhe për realizime të tjera dhe përgjithësisht për individualitetin krijues të Prend Buzhalës dhe për vendin e tij në letërsinë tonë bashkëkohore. Përdorimi i shkronjës së madhe te fjalët që paraqesin emra të përgjithshëm jo vetëm në këto tekste letrare është edhe një veçori e stilit të autorit për ta orientuar lexuesin nga shenjat e tij të preferuara që bartin ngarkesat kryesore të preokupimeve të tij letrare dhe të gjakimit krijues e qytetar. Fjala “dritë” dhe fjalë të tjera të fushës së njëjtë leksikore që japin imazhe dhe sinonime të dritës janë përmendur disa herë në tekstet që u analizuan më lart, por kjo fjalë, pra drita, gjendet aq shpesh e shtrirë, duke reflektuar mesazhe dhe vlera artistike të poezisë, në shumë realizime artistike, qoftë në poezi, qoftë në prozë, të autorit Buzhala. Tri herë është përmendur fjala “dritë” në poezinë që ka për titull sintagmën stilistike “Nëpër shi lulesh” (faqe 38). Këtu vërejmë edhe shenja të tjera që bartin ngarkesa stilistike dhe emocionale si “rrethi i fatit”, “kullë prej guri”, “kohë moshe”, “shi lulesh”, “dhurata dashurie” etj. Mund të thuhet se përmes fjalës ose shenjës “dritë” autori ka reflektuar gjakimin poetik e qytetar në kohën kur, thënë në mënyrë metaforike, mungon drita, ose në kohën kur bijtë e errësirës luajnë me dritën dhe e poshtërojnë atë në mënyrë të paskrupull. Kurse në poezinë “Zbulimi i fshehtësisë së pafund të fjalës” hasim një rrëfim të lartë poetik për historinë ose për historinë e lartësuar në vargje: “Mileniumet kalojnë si një funeral historie e aty kryqëzohet qenia jonë.” (Nga poezia “Zbulimi i fshehtësisë së pafund të fjalës”, faqe 39). Pra, lexuesi i vëmendshëm ndien se poezia e Buzhalës vazhdon të reflektojë dhimbjen individuale dhe shoqërore, kataklizmat kombëtare e njerëzore, por edhe shpresën e pafikur kurrë. Në poezi të tilla lexuesi heton edhe qasjen dhe preokupimet krijuese të autorit për të trajtuar shtresa të ndryshme nga shfaqjet shoqërore të zvetënimit ballkanik dhe shqiptar si urrejtja, krekosja dhe poshtërimi.
Ajo që bie në sy në vëllimin “Psherëtima pergamene” është edhe zhanri letrar i haikut, i kësaj forme të vjetër të poezisë kultivuar në poezinë japoneze në shekullin 17, por me zanafillë qysh nga shekulli 4 dhe me origjinë nga forma poetike e quajtur “tanka” që ndërtohej vetëm me pesë vargje dhe kërkonte nga poeti që të respektonte metrikën e vargut dhe të rrokjeve (vargu i parë 5 rrokje, i dyti 7, i treti 5, i katërti 7 dhe i pesti 7). Sot haiku përbëhet vetëm prej tri vargjeve dhe është një zhanër poetik që kërkon shkurtimin minimal të tekstit letrar dhe aftësinë, përkushtimin dhe erudicionin e kulturës letrare dhe forcën e mendimit e të meditimit të autorit që brenda tri vargjeve ta thotë të tërën duke arritur efekte stilistike dhe emocionale. Haiku kultivohet edhe sot në disa vende të botës, përpos Japonisë, vendit të traditës dhe të lulëzimit të tij. Haiku kështu vazhdon të jetë një zhanër elitar i poezisë dhe një formë që bashkon poetë nga letërsi të ndryshme të botës, prandaj duhet vlerësuar edhe metodën e ndërtimit dhe të përzgjedhjes nga ana e Anton Nikë Berishës të teksteve të haikut që ka kultivuar Prend Buzhala me mjaft pedantëri dhe densitet stilistik e meditativ, duke qenë kështu njëri nga poetët që e kultivojnë me përkushtim këtë zhanër të vjetër e sfidues në poezinë tonë të sotme. Në ciklin poetik “Drithërima malli” Berisha ka përzgjedhur të përfshijë gjashtëmbëdhjetë krijime ose tituj të haikëve të cilët në ndërtimin e tyre kanë numër të caktuar haikësh të tematikave dhe të preokupimeve të ndryshme të autorit të tyre. Lexuesi dhe studiuesi edhe në këtë lloj të shprehjes artistike gjen pika që këtë zhanër e mbajnë të lidhur nyjë me tematikën e llojeve të tjera që ka kultivuar autori, por këtu leximi kërkon një qasje dhe një edukim tjetër kulturor e letrar për të kuptuar domethënien me të cilën poeti i ka veshur shenjat e veta poetike dhe stilistike dhe për të krijuar nëntekste e imazhe që ndërlidhen me krijime të tilla.
Edhe në ndërtimin e haikut, sikur në krijime të zhanreve të tjera të poetit, spikat stili i lartë i autorit, jehona ideoartistike dhe figuracioni i skalitur me kujdes që mbështetet në përmbysjen e veshjeve dhe kuptimeve të para të fjalës duke krijuar figura të efektshme të llojit të ironisë, paradoksit dhe të parabolave të veçanta artistike: “Shtëpi e rrënuar/ç’harmoni tronditëse/hijeshi me vaj.” (Nga haiku numër 5 nën titullin “Haiku për çlirimin e shpirtit”, faqe149). Ose: “Ende jam këtu/ta bëj betejën time/për humbjet e mia.” (Po aty, haiku 7). Pastaj: “Yll i djegur je/ti as unë më s’jemi/çast i përjetshëm.” (Haiku numër 4 i titullit “Haiku për zërin që jetoi këndej dikur”, faqe 150).
Po e përfundoj këtë analizë për vëllimin poetik “Psherëtima pergamene” me pjesën e fundit të poezisë “Paralojë për herezi” të ciklit “Pagjumësi muzgu”:
“...përndiqen bibliotekat, shkollat, arkivat,
kishat e lashta e shkrimet e moçme,
përndiqen monumentet e heronjve,
traditat e kanunet e besës,
përndiqet guximi për liri
e zemërimi për drejtësi,
përndiqen synimet e shpresat
për qëllimet e larta, përndiqet
e vërteta që iu bë varr të pavërtetës”. (Nga poezia “Paralojë për herezi, shkurt 1991, dhjetor 1998, faqe 232).
Si përfundim, secila kohë e rrjedhave të zhvillimeve tona emancipuese, kulturore, sociale, politike e ekonomike ka reflektuar gjendje të tilla, kur më shumë e kur më pak, në kontekste të caktuara kohore, të cilat janë mbrujtur aq mirë me brumin e artit poetik sikur në vargjet e cituara më lart, por edhe në krijime dhe realizime të tjera poetike të Buzhalës. Vepra poetike “Psherëtima pergamene” për lexuesin dhe studiuesin është një çelës që hap porta të linjave tematike, estetike e stilistike të krijimtarisë së shumëllojshme letrare të Prend Buzhalës dhe përbën një model të vargut elitar estetik.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen