Sonntag, 8. September 2019

Nga kryesia e LKSHM-së, jep dorëheqje edhe znj. Shenida Bilalli.

Shenida Bilalli
Pas dorëheqjeve të mëparshme të gjashtë anëtarëve të kryesisë së LKSHM, vjen edhe dorëheqja e shtatë. Kësaj radhe, nga kryesia e Lidhjës së Krijesve Shqiptarë, jep dorëheqje znj. Shenida Billalli, kryeredaktore e revistës "Iliria" në Kroaci.

Në tekstin e dorëheqjes, ajo ndër të tjera thotë:

Nuk e kam ditur që jam anëtare e kryesisë në LKSHM, nuk më ka pyetur dhe njoftuar askush, përderisa rastësisht e kam marrur vesh nga disa miq!

Pasi Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë është larguar nga misioni që kishte, kërkoj që sa më parë të ma hiqni emrin nga lista e kryesisë së LKSHM-së


Teksti i plotë i dorëheqjes:

Ju informoj se unë Shenida Bilalli, anëtare e kryesisë së Lidhjës së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, jap:

D O R Ë H E Q J E

Prej shumë vitesh nuk jam e kyqur në aktivitetet e kësaj shoqate - LKSHM-së dhe nuk e kam ditur fare që jam në kryesinë e këtij institucioni.

Me këtë rast, e lus kryetarin e shoqatës z. H. Qyqalla qe të ma heq emrin nga lista e antarësisë dhe e kryesisë së LKSHM-se, sepse asnjëherë nuk kam qenë e ftuar për të marrur pjesë në shqyrtimin e planprogramit dhe realizimit të ideave të përbashkëta.

Në mbledhjen e parë kam takuar krijus të mrekullushem dhe kam prutur që do jemi unik dhe do te perkrahim njëri tjetrin, por tash në shoqatë nuk po i shoh më emrat që figuronin kur ishim të gjithë së bashku.

Me duket se shoqata është larguar nga misioni që kishte, për të bashkuar artistet e mërgatës dhe për të përkrahur veprimtarinë e tyre krijuese.

Ndaj, kërkoj që sa më parë të ma hiqni emrin nga lista kryesisë në LKSHM.

Miqësisht e me respekt,
Shenida Bilalli, regjisore skenariste dhe kryeredaktore revistës "Iliria" në Kroaci.

Samstag, 7. September 2019

Edhe znj. Miradie Z. Avdullahi, jep dorëheqje nga kryesia e LKSHM-së

Miradie Z. Avdullahi
Pa dorëheqjeve të njëpasnjëshme të pesë anëtarëve të kryesisë së Lidhës së Krijuesve Shqiptarë të Mërgatës, dorëheqje nga kryesia e LKSHM-së jep edhe letrarja dhe veprimtarja e njohur znj. Miradie Z. Avdullahi. 

Ajo në tekstin e saj të dorëheqjes, thotë:

Jam e shokuar. Më kanë emëruar si anëtare e kryesisë pa më pyetur fare! Prandaj, kërkoj që emri im të hiqet urgjentisht nga çdo dokument zyrtare e publik i shoqatës...


Teksti i plotë i dorëheqjes:

LIDHJES SË KRIJUESVE SHQIPTARË NË MËRGATË / LKSHM

Unë Miradije Z. Avdullahi, antare e Kryesisë së LKSHM, jap:

D O R Ë H E Q J E

Duke i parë skandalet e fundit në këtë shoqatë, në të cilën unë jamë emëruar si anëtare e kryesisë pa më pyetur asnjëri, e që këtë e kam kuptuar nga miq të mi krijues, si dhe mosreagimi i kryesisë pas etiketimit të njerëzve me të kaluar të dyshimtë dhe si pjesë e UDB-së; vendosa të jap dorëheqje.

Pa u thelluar në parregullësitë e përfolura kohët e fundit brenda LKSHM-së, kërkoj nga kjo kryesia qe të fshij emrin tim nga çdo dokument publik e zyrtar i shoqatës.

Miradie Z. Avdullahi
Krijuese / Itali



Edhe krijuesja e njohur letrare Fakete Rexha, heq dorë nga LKSHM.

Fakete Rexha
Pas katër dorëheqjeve të njëpasnjëshme të anëtarëve të kryesisë nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgtë, përmes një letre publike drejtuar kryesisë së këtij institucioni; nga kryesia dhe anëtarësia e LKSHM-së heq dorë edhe krijuesja e njohur letrare, znj. Fakete Rexha. Ajo në letrën e saj, mes tjerash thotë:

Misioni i artit është pjesëmarrja më e ndjeshme, më superiore, më sublime, më ekstravagante e një populli dhe kulturës së tij. E, kurrsesi mision rehabilitimi, e resocializimi i "krimbave e barit t'keq"!

Jam e prekur shpirtërisht! ...nuk e shoh vetveten në të njejtën strehë, bashkë me këta "elementë", që gjejnë vend këtu, para se atje, ku duhet të japin llogari për të kaluarën e tyre, jo fort të largët.



Teksti i plote:

LIDHJES SË SHKRIMTARËVE, KRIJUESVE DHE ARTISTËVE TË MËRGATËS

Letër e hapur.

Fusha krijuese artistike e shkrimtarit, piktorit, muzikologut, fotografit, është letërsia, piktura, muzika, dokumentari, reportazhi fotografik e gazetaresk. Jo, të gjithë intelektualët janë shkrimtarë, krijues e artistë. Kurse, krijuesit e këtyre zhanreve artistike gati të gjithë janë intelektualë. 

Prej kur mbahet në mend, u pa e domosdoshme nevoja e krijimit të Shaqatave, Institucioneve, Lidhjeve..., siq është kjo e jona,
pra LSHKAM, për tu strehuar, por edhe mbrojtur shpirti artistik. Këto Shoqata (thën figurativisht), u përngjajnë një shtëpie të madhe, ose një katundi të vogël; në barkun e të cilit lind, jeton, andrron dhe vdes krijuesi modern. Asht bota përtej botës, sidomos për krijuesit që jetojnë e veprojnë në mërgatë. 

Shtëpia - katundi i vogël, ku fushat artistike i hapen historisë krijuese përmes lojës së fjalës, brushës, instrumenteve, e aparatit fotografik kësaj kutie të zezë magjike; ku luhet e ardhmja artistike njerëzore, që kërkon një minimum lirie, mirënjohje, konsiderate, për tu realizuar. Mirëpo, kur hapësira politizon fushat artistike, atëherë shndërrohet në teatër, cirk, gjykatë. 

Mjafton, nganjëherë veç një Odë e vogël, një tavolinë restorani, për tu mbledhë një pari e caktuar që përfundon në favorin e vet, duke shndërruar kështu palën disfavorizuese në përgjegjëse të veprimeve dhe opinioneve të saja. Kur them kështu, kam parasysh karakterin
e higjienës morale e politike, të "elementëve" - anëtarë të Shoqatës -Lidhjes, që d.m.th. rrugëtimi krijues që bën dallimin mes krijuesve, artistëve të afirmuar, dhe këtyre "elementëve" që s'janë përveqëse të "shpifur" të artit, ose as të "shpifur" hiq, por, "krimb që kalbin frytin përmbrenda. Ose, "bar i keq që mbinë në zemër të barit shërues".


Misioni i artit është pjesëmarrja më e ndjeshme, më superiore, më sublime, më ekstravagante e një populli dhe kulturës së tij. E, kurrsesi mision rehabilitimi, e resocializimi i "krimbave e barit t'keq"!

Përndryshe, misioni i artit shndërrohet në një folklor të mjerë, e art të vajtueshëm bukolik. Duhet të mësojmë nji gja: se "elementët " e tillë gjithmonë, herët a vonë, kanë denjuar Shoqatat, Lidhjet të shpërbëhen, përçahen e përfundojnë në ndasi.

Më vie keq! Jam e prekur shpirtërisht! Por, më duhet tua pranoj, se nuk e shoh vetveten në të njejtën strehë, bashkë me këta "elementë", që gjejnë vend këtu, para se atje, ku duhet të japin llogari për të kaluarën e tyre, jo fort të largët.
_______

Fakete Rexha u lind më 7 qershor 1958 në Gjakovë. Studioi Gazetarinë dhe Letërsinë në Universitetin e Prishtinës. Deri në vitin 1994 punoi në OPGB "Rilindja" - Prishtinë. Është laureate e trefisht (1986,1994,1996) në "Takimet e poeteshave shqiptare të Kosovës" në Vushtrri.
Në nëntor 2001 fitoi çmimin e tretë në Festivalin e Poezisë dhe Muzikës në Malme - Suedi.
Është anëtare e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës. Prej vitit 1999 jeton dhe vepron në Paris - Francë.

Veprat:
  1. "Mal me fryme" ( poezi) - Rilindja - Prishtinë, 1990
  2. "Kthimi i motres" (proza poetike) - Renesansa, Prishtinë,1993
  3. "Malli i trupit" (proza poetike) - Renesansa, Prishtinë, 1994
  4. "Vallja e fundit ne Akeron" (tregime te shkurtera) - Rilindja, Prishtinë, 1997
  5. "Gjëmimi i ures" (drame). Festivali i Dramës. - Bolognes, 1999.
  6. "Shtepia pa numer" (proza poetike) - Renesansa, Prishtinë, 2000
  7. "Monografia Salih Lutolli - AGI" - Renesansa, Prishtinë, 2001
  8. “Bota e vogël Beri Lu”, proza poetike, Prishtinë - 2013

Mittwoch, 4. September 2019

Jep dorëheqje nga LKSHM edhe anëtari i kryesisë, z. Driton Smakaj

Shkrimtari Driton Smakaj

Pas dorëheqjeve të njëpasnjëshme të tre themeluesve dhe anëtarëve të kryesisë, z. Dan Kosumi, znj. Sevëme Fetiqi dhe z. Muhamet Luma; vjen menjëherë edhe dorëheqja e katërt nga ky institucion. 

Kësisoj, sot nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë jep dorëheqje edhe veterani UÇK-së, poeti dhe prozatori i njohur z. Driton Smakaj.

Në tekstin e tij të dorëheqjës, shkrimtari Driton Smakaj shkruan:


LIDHJES SË KRIJUESVE SHQIPTARË NË MËRGATË 
Unë, Driton Smakaj antar i Kryesisë në LKSHM jap 
D O R Ë H E Q J E 
Arsyet kryesore për të mos qenë më pjesë e LKSHM-së, janë skandalet e fundit në këtë shoqatë, ku edhe pse disa antarë të kryesisë kanë kërkuar sqarime nga Kryetari i kësaj shoqate rreth mbajtjes mbrenda shoqatës një ish-spiun të UDB-së...këto kërkesa janë injoruar. 
Pa dashur të hulumtoj detaje tjera, si shkrimtar dhe si veteran i UÇK-së, nuk më lejon karakteri im që të jem pjesë e një shoqate të tillë, e cila në vend të fokusimit të ngritjes së vlerave të letërsisë shqiptare në mërgatë, bëhet një 'Lavatriçe' e të kaluarës së ndytë të individëve të caktuar. 
I lutëm Kryetarit të LKSHM-së, të fshij emrin tim nga çdo dokument publik zyrtar të shoqatës. 
Njikohësisht, i bëj thirrje Zyrës së Auditorit Gjeneral të Kosovës, të caktojë një auditim të veçantë për Ministrinë e Diasporës ku të kontrollohen të gjitha financimet që janë bërë për aktivitetet kulturore në bashkëpunim me LKSHM-në. 
Me respekt, Driton Smakaj




Dienstag, 3. September 2019

Poezi nga Mehmetali Rexhepi (1)

Mehmetali Rexhepi


DITËLINDJA IME E GJASHTËDHJETË E TETË

nëna  Z  më lindi kur drapri korrte grurë dhe njerëz
rrodhi shumëçka mbi mua e harkun tim tash e gjashtëdhjetë e tetë vjet
ishin shkrirë plazma të gjakut nën Urën e Maskatarit
mandej kundërmuan jashtëqitjet dhe mbetjet e “pazarit”
kosëtari im Prijatari i afshit të barit 
më dëftonte“ bir nuk e kemi ditë  çka asht e keshmja
mas djegies në Kaushë të Mulla Idriz Gjilanit”
e thoshte afër stufës së zjarrit

*
shumëçka rrodhi e u fërkua rreth kreshtës sime
kronikat kishin ngelur si ara shterpa pa koka pa duar jetime
lumenjtë e vegjël rrallë e mburrnin rrjedhën
nuk e dija 
në cilin det kishin derdhjen
gurgullima u kishte pushuar
shtojca përroskash bënin edhe djersët e tim et
një diell me kryq ortodoksie më nxinte verën
një kambanë zgjonte dremitjen e mesditës
si një çekan vigan buallit të bërrakës i binte
ezani orë e mesjetës në pesë fragmente të arabishtes
ia dëftonte Zotin e lyer me fonema të bezdisshme shqipes

*
akëcili prej nesh i vinte dheut vesh
sekush ajrit tjetri timpanin erës
vapën me fllade e shtronte një zë Hyjnor
                            ai i Vaçe Zelës

*
mbi mua kishin vërshëllyer boria dhe breshëri përvëlues 
çohej  dhe  rrëzohej brishtësia ato të mbjella fryti dëshpërues
parcelat e mia shtriheshin mbi ca koka të buta
deviza “shpina ma but se barku” në biruca
mars-prillit të djalërisë ua shporrte aromën lot-sjellësi
medieve të Qytetit të Bardhë të gërryente shpirtin më i ziu acar
sadisti i Shumadisë më kot hipte në shkallë
nuk i mbërrinte caku i shurrës as në mjekër as në ballë 
të  përmjerrë të Përndritshmin Ipeshkv të Bibliotekës 
                                      Pjetër Bogdanin e Prish-Stinës
ky soj xhindosej si t`i shkërmoqej hija e (n)gurtë e Hasan Prishtinës

*      
mbi mua rrodhi Oda Universiteti Urtësia Akademia
Vatra e një galerie fytyrash dritë-praruara
iu shtruan hullive t`i mbillnin t`iu çelnin mbi akuj pemët drunjtë e jetës
ngjyrën më të bollshme e kishin të kuqen lule-gjakun mbëltuar
hija e shqiponjës dykrerëshe krah-hapur i varej çerdhes për të mos ia përvëluar
mbi mua ranë pika rrjedhke edhe gurra e gjakut të Jasharajve
një gjëmë pa lot
që të madhërishmen e flijimit e ngjiti në Pirgun më të lartë në botë

*
rrjedhat në mua i dhanë trajtë një liqeni
ku  laheshim me Epin  për t`ia freskuar temperaturat brengës
enigmat e pikëshikimeve të Tija nuk i zbërtheje dot
se ia ndije erën plisit e flokët  të  kalleshin majës kokës
Ai kishte mësyrë të përpinte detin me not
tej shikimeve të Epit zhbirohej kaltërsia e qiellit detit tokës
trungut  të  ditëlindjeve  të  mia degë  të  këputura  gjakimesh
prej pengut në pengun e Tij në çaste kthjellimesh

*
frymë e Epit nuk treti në gjithësi ndonëse liqeni u avullua
me nga një copëz dielli në gji gjithandej u “Shenjtërua”
ditëlindja ime
lirisë ia prekja prerjet e thella bashkë me Mikun nga Euro-Atlantiku
ishte një Nënë e lidhur me fëmijë gji-shtjerë
me ca sy-petritë  gurin nga zemra ia shkulte Agimi 
ditëlindja më ishte ngjizur sprovave të një kronike pa kopertina
prisnim të  na bëhej gjaku ujë
gracka e mprehur e shkjaut mu në mes të rrafshit
metastaza e kancerit të urrejtjes në koret cirilike të popëve trashet

*
hyra në verën e Beqës këmbë zbathur në  pyllin “Bukuria e Zezë”  
trotuarit assesi të  notoja thellësive të metaforës
kundroja nga jashtë atë det të qetë të fshehtësive
atë univers koke i vendosur mes dy krahëve në dy boshte  truri prej syve  
dikush i sferës tjetër diku i diktonte dhe Ai shtjellonte si prej një pasqyre 

*
miq të dashur 
rradakes sime i hynin e dilnin  sinjalet e tej-botës
nuk di pse Beqa s`ma thoshte se sintaksa e shqipes kishte aq labirinte

aq lakore reliev simbolesh sinonimesh sa mazë e qepës 
i ndante e bashkonte botët e së vërtetës dhe të gënjeshtrës

*
ditëlindja ime e gjashtëdhjetë e tetë
Lirinë nuk e paskemi dashur të veshur
kot i kërkuake lumenjtë e fëmijërisë
janë arratisur e fshihen tek retë
rrjedhin qiellit vetëm nga mëshirë e Shën Terezës
për botën langore pa sherre të bebes

Gjilan, 4 korrik 2019
____
Epi - Rexhep Mala
Beqa - Beqir Musliu




SHPIRTI I DJERRINËS
     
askujt nuk i takoja
pezull si krejt gjithësia

*
le të rrotullohem si globi
të më fërkojnë stinët e përziera
veçse më mungoi boshti
dhe shkrihem si kripa
e dheut i shtohet njelmësia 

*
askujt si takoja
një torzoje e sfondit të hirtë
në mua hyri djerrina
koka ime mes qindra e mijëra

*
në trastën pa adresë  në vete të  harruar
e më flisnin për vetën e tretë
së cilës iu kishin kalbur dërrasat e çatisë
dhe i rridhte kulmi prej majës në palcë të shtëpisë

*
rrëqeth dëftorja e asaj mynxyre
e shkrepura e një rebeli flaku heshtjen
betohej një tjetër
për ndjeshmërinë
assesi të mos hysh e të lagësh sedrën

*
hyj dhe dal  kur nuk bie shi
po si dikur kisha ndjesi 

*
autorët anonimë që dhimbjen e mbollën
hoqën maskat vetëm kur e korrën

*
ju lutem ma gjeni trastën me kokën time
atëbotë vërtet do të marr e jap dhimbje
nuk dua të më lagë llullën dhimbja juaj

kështu thërriste shpirti i një djerrine


Gjilan, më 12 mars 2019




MOTIVE SHKODRANE

ulur me ju e i munguar
gjithnjë mes nesh
një gardh i pa rrënuar
      
*
doja t`u dëftoja çfarë kurore përjetësie
t`i bëja zonjushës Marie të Shllakut
ndoshta shkëlqimin mund t`ia vijëzoja së pakut

*
por Maria ishte një peng dafine
ngjyrën e flakës ia mbante ndezur çdo stine

*
testamentin e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë
t`i varej degës pemës Saj në qiell

*
më thanë kurrfarë
bëmat tua arkiv për zjarr
me frymën mërgimtare 
ikën dhe ato pamje 

*
heronjtë tuaj bëjnë vetëvrasje
gjeja kodin asaj gjëme

*
vetës i thash
kjo mandatë si ka të ngjarë
pengu i Asaj të jetë tharë

*
thanë
nga mësymja e Drinit mund të vish
në vrima fyelli të hysh
këmbët e mpira Rozafës t`ia shpish
gjiri i saj pa ndalë  rrjedh 
gurrat e përrenjtë i merr
dhe bëhet më i madhi sy
e më i gjëri gji 
i Shqipnisë  tamblin që i pinë
Filipët Ndretë Gurakuqët Migjenët
me lot e kthyen në jare
çdo kënge që i pikoi loti është burrërore
nga sfondi vjen plaga princore
e Milosaos 
ai peng vegullie për Shkodrën  


Mirko Gashi më ftonte të pi raki të fortë rrushi
e  të dehem në jaret shkodrane
ison nuk ia mbaja dot lakadredhave të zërit Frederikut
mes kokave e qeshjesh rridhte Buna në det
e fare lehtë deti Bunës përpjetë
as numërohet burrnia
përpihej liqeni nga makutëria
peshqit më kot lakmonin flatra 
fulterja u digjej mbi vatra

*
lirikave të Rreshpjes filozofinë e bardhë 
ku brumëzohej dhimbja piqej mallëngjimi prarohej një tipar 

*
se dashuria në verbëri të shpika
përpjetë-tatëpjetave baladës tundimi iu ndieka 
“O, se dy sytë m`i kanë verbue,
m`i kanë verbue  moj, kaçurrelat, kaçurrelat e tu!”

*
në Shkodër u matka me gram krenaria
e Rozafës i ngelë pa tambël fëmija

*
Shkodrës i bëjnë hije mitet e malet

*
sa lehtë jetën e marrkan
por dhe ditkan ta falkan


Gjilan, më 26 mars 2019

Montag, 2. September 2019

Pas D. Kosumit dhe S. Fetiqit, dorëheqje jep edhe Muhamet Luma.

Muhamet Luma

Pas dorëheqjeve të z. Dan Kosumi dhe znj. Sevëme Fetiqi,  ish-themelues dhe anëtarë të kryesisë; nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, jep dorëheje të parevokueshme edhe anëtari tjetër i kryesisë, z. Muhamet Luma.

Njëherit, z. M. Luma jep dorëheqje pëfundimisht edhe nga anëtarësia e këtij institucioni.


Teksti i dorëheqjes:



E nderuara Kryesi e Lidhjes se Krijusve Shqiptare ne Mergate-LKSHM.

Të nderuar miq,

edhe pse ka kohë që nga paknaqësitë me punën organizative udhëheqëse, jam larguar dhe nuk jam aktiv në LKSHM, dhe ka kohë që dorëheqjen time ja kam paraqitur edhe kryetarit, deri më sot nuk kam asnjë përgjigje nga kryesia. Duke i parë zhvillimet që nga themelimi e deri me tani, sidomos pas skandaleve që e kanë përcjellur shoqatën kohët e fundit, unë jap

DORËHEQJE TË PAREVOKUESHME

nga Anëtari i kryesisë dhe anëtarësia e LKSHM.

Speyer, Gjermani - 02.09.2019
Muhamet Luma




Rezonanca sociologjike e shoqërisë në poezinë e Anton Markut


Shkruan: Emrije Krosi

Të kapërcesh vetveten, nëpërmjet poezisë, nuk është risi, por tharmi lirik i poetit Anton Marku, në librin më të fundëm “Në secilën hije pak dritë”, ka ngjizur një bukë të ardhur mirë, duke e kundruar atë, që në titull: pak dritë! Duket si një refren migjenian në vargjet: pak dritë, pak dritë o shok , o vlla...!, por dokudo, shtresë mbi shtresë, pekt mbi pekt, rrathë- rrathë, hijet përmhumben nëpër qeniet njerëzore, (përtej)vetes, (jashtë)vetes, (brenda)vetes, (kundër)vetes. Përqasja, ftillimi dhe përimtësimi, me sintagmën e konceptiti të simbolikave jetësore të lirikës së Markut, është opusi i kapërcimit të sprovave të vizioneve jetësore të çdo lloj shoqërie në kohësi e më(për)tej.

Përjetimet jetësore shoqërore dhe njerëzore, herë stuken herë duken diku, herë  tëkuptueshëm herë të pakuptueshëm, herë të admirueshëm herë tunduese, nxitin vetëdijësimin e fenomeneve shoqërore, në formë vargjesh të thukëta, (pak fjalë por poetika filozofike me kontekste të thella herëherë “të errëta”), duke tëhuajzuar ngacmime, përjetime, dilema, eksplorime, procedime “trokasin” jo në “dyer të zbrazuar” mendimi, por shpirtëzohen në hapsirën eternike si Alfa e Diogjenit.

Shpalimi i parë: (virtyti, jeta dhe vdekja janë gjeneza biblike  e jetëvdekjes),kryehapja  e librit  me poezinë (“Gjeneza”), nis fillmjeta dhe fundjeta, Gjeneza e Botës, Fryma e Krijimit, Supremja e Gjithësisë, Arti i Krijimit të Universit  Unik Perfekt: ditën që u zu dielli/për të parën herë/jeta u fërkuar me vdekje, f.11, “Gjeneza” kap. i Fillesës së Botës, nga (Bibla), kur në shtatë ditë, u krijuar Bota, Jeta, Vdekja, Fjala, Njeriu. Fjala, jetës gji i dha, forca lëvizëse e levës së Arkimedit, ka një pikëqendër. Gjenezën e thotë me fjalë. Kumti gjenezian vazhdon me poezitë; “E hëna”, “Mollët e Evës”, “Portret”, “Fjala”, “Udhëkryqi”, “Qiriu i bardhë”, “i penduari”, “Fundi”, “Përtejurës ” etj. Në këto poezi, imazhet e virtyteve, veseve, të shtresëzuara, sepse njeriu sa është një mëkatar aq edhe vdekatar. Ati vigjëlojnë si“gungaçë” në trupin tonë, duke mos kapur “vizualisht” në tejpamjen tonë, (ngjyrat përthyhen nga rrezet e dritës) ama imazhet sociologjike përshkallëzohen, sepse: Vdes/ njëqinherë në ditë/ e prapë ringjallet f,20, (“Fjala”),sespe nuk mbajmë përgjegjësi për atë që themi. Jemi fatkeqë, për veprimet tona, por aspak edhe besatarë të fjalës, se kur vdekja/ nuk ka pse të ngutet/ dhe ashtu/do na zë/rrugës/për tek ajo, f.25,  (“Vdekja”), ashtu e paqtë “vdekja” zbret nëpër shkallët e poezisë dyvargore, si një fjalë që tingëllin e qullët, por ulërima e vdekjes “këmbëkryqet” brenda nesh. Fundja poetët, nuk e kanë krijuar vdekjen, por e “shpërfillin” nëpërmjet poezisë, ama edhe ato vetë janë vdekatarë, por të lavdishëm. Fundja, çduhet lavdia postmortum! Poeti nuk “shet moral”, por rilexon Biblën pa intertekst dhe tregon, se  viytyti është mburojë e pandëshkueshmërisë të së keqes, është fjala për diçka të  pranishme tek vetë njeriu, “…fizionominë e paqtë të atyre që janë të dënuar të shpresojnë gjithë jetën”, sipas Bodlerit.

Shpalimi i dytë: (skicim portretesh nëpërkohë), në udhëtimin poetik, “thyhen” kohët në portrete njerëzish. Risjell pak lavdi nga Skënderbeu… pak fjalëguri nga Shkreli…pak timëringa dëshmorët, me poezi më të gjata por brenda vargimimit [4-rrokësh, 6-rrokësh dhe 7-rrokësh]. Kohës i plasi buza,/ liria u zu peng/ mes shkëmbinjve, f .35, në poezinë (“Vitet e dritës”) një stil tipik të Shkrelit. Liria dhe guri, dikotomia qëndrestare e univerit të shqiptari, janë si buka dhe gjaku, si fjala dhe besa, si nëna dhe fëmija, jemi qëndrestarë të përbetuar të lirisë, së munguar prej shekujsh, andaj edhe aradhët tona të lirisë shtresëzohen nëpër histori. Radhitja poetike e poezive “Vitet e dritës”, “Bacaloku,”, “Fjalëgur”, “Dëshmori”, “Maestro”, “Dëshmori i pafat”etj, “pragohen” tek koha hipotetike letrare dhe koha njerëzore (e (tej)çuar kot për kotësinë tonë egoiste), në triptikun vargor: pak kohë për vete/ pak/ kohë f.44, me shprehësi të anaforës dhe asonacës.

Shpalimii tretë: (esenca e dashurisë është edhe puhizë edhe ëndërr/zhgjëndërr), është kaplimi i dashurisë, që mëton  ta çojë atë në botën e ndjenjave. Një oqean ku “mbytet” çdo poet, por në lëngun e saj jetësor, një purpuri zjarrmuese do çohet dhe do gëlojë, udhëve të botës. Ishte Psika dhe Erosi, Romeo e Zhuljeta, Desdemona e Otello, Tristani e Izota,  Sulamina e Solomoni etj. Në këtë shpërfaqje poetike, poezitë janë të shkurtra, kanë një mbartje metaforash të thukëta madje metaforë fantazmagorike, si të Reshpes: hëna u përvodh tinës/ zjarrit të fshehur/fjetur ndër vite, f.53 (“Prapë dashuria”)  duke kurthëruar lexuesin me procedime leximesh (arrin në përfundimin se një tekst ideal është ai që është i kthyeshëm, ose i hapur për shumëllojshmërinë më të madhe të interpretimeve të pavarura dhe jo kufizuese në kuptim), nuk ka gjetje të reja elementesh poetike, sepse kodet poetike të dashurisë janë Universale, por tharmi dhe thurja estetike janë vetanake tek Anton Marku. Fjalëpak, titujt shpalues dashuror si: “Dashuria”, “Aromë gruajë”, “Degët e qershisë”, “Prapë dashuria ”, “Puhizë”, “Dialekti i dahurisë”, “Imazh”, “Guacë”, “Ti”, “Mos”, “Kopsat”, “Bredharake”, “Brenda meje”, “Po u ktheve”, “Humbje”, “Kthimi”, “Nesër”, “Ndarje”, “Gri”, “Ofshamë”, “Atje”, “Fushat pa flutura”etj. Poezia (“Aromë gruaje”) një pamje filmike të Al Paçinos, që “nuhat parfumin” e një gruaje përtej verbërisë, sepse dashuria “shihet” me zemër jo me sy.

Vargjet dhe u fungosëm/ në valët/ e thellësive tona, f 51, (“Degët e qershisë”), në vargjet dyvargore, thuret dëshira e ngjizjes, është si (“Qershia”) e Migjenit, në tokën ku lëngu i kuq, purifikon epshin dhe “lëngun” femëror të gjakderdhjes, nga derdhet përroi i mitrës që pret ngjizjen. Epshi mashkullor,  shkërmoqet në thellësitë femërore deri në pafundësi, kur kurmi është njësia unike e vlimit. Qershia,  fruti lëngëpupurt i “mëkatit” të seksualitetit, (të qeltë dhe paqtë) ndjell fundosjen e fundit, brenda hirit të gruas, që pret të ringjallë jetën, me ngjizjen nga fara mashkullore. Vargjet; nga këmisha/zhveshe më shumë/ se vetëm veten/…hienë f.81, poezia (“Gri”), ku  poeti, dëshmon një erotikë të ëmbël, simboli i trupit dhe hiret e gruas brenda dhe jashtë këmishës. Ajo duket “cullake” sipiktura “Lindja e Venusit” e (Sandro Botiçel-it), duke vazhduar një dashuri-lojë, me ishe/(s’)ishe;ti nuk ishe/e do duhet të ishe/atje ku nuk ishe f.83 në (“Atje”).  Poezia (“Brenda meje”), edhe pse/gjunjë tanë/ nuk u prekën asnjëherë/ti fle çdo natë/ në ëndërrën time f. 67, femra-origjinë Eva lakuriqe. Kur (Gustave Courbet-i), me pikturën e tij nudo  “Qendra e botës” bëri shumë zhurmë, saqë edhe u censurua, për imazhin e saj erotik. Tabloja pa duar e kokë, vetëm me seksin e femrës shalëhapur, me barkun dhe gjosksin (frymëzim nga e dashura irlandeze e Courbet), tregon se nga vijnë. Të gjithë vijmë nga seksi i femrës, të gjithë jemi bijë dhe bija të Evës. Pranda quhet “origjina e botës”.

Shpalim i katërt: (pabesia është “toka e djegur” e marrëzisë ) vijon me poezitë: “Udhëve të botës”, “Porosia”, “Flakëhedhësit”, “Sabotuesit elirisë”, “Borë mbi Ballkan”, “Tokë e djegur”, “Monolog i fqiut”, “In memorian për atdheun”, “Andej lumit”, “Lëndiane dhembje së madhe”, “Malësorët”, poeti është “introvers” ndaj temës “së kalbur” të emigracionit. Madje ai e “përbuz” atdhetarinë e shtirur, apo kurbetin (aq vulgare sot në modermitet),  sepse: kundër fatit u ngritën/ eëcn më shpejt se hija/pelerinat e huaj i shtrinë përdhe, f.94 , koha ka zvetënuar jo qëllimisht, por bashkëjetesa e papërlyer (duke u ngritur lart kultit të pranimit imja/jotja/jona/e huaj), në rrjedhat e reja të kohës, gjeneratat kanë tjetër gjuhë: gjahtarët kishin vënë në thumb/farat e hedhura/stinëve të gabuara f. 97, nga (“Borë mbi Ballkan”), duke shpalosur haptazi në triptikun tij Dantesk, se Ballkni nuk është “fuçi baroti”, por është esenca e bashkëjtesës shekullore me fqinj miq,gjakpërzier e gjuhëpjekur në një sofër dhe nën një çati deri tek “Monologu i fqinjit”, për kohën e vonë, se stinëve të gabuara, janë urrejtjet etnike, që “përçarësit” brenda nesh, të veshur me diplomaci, na kanë ripushtuar përsëri, por me gjuhën dhe armët tona. Antoni,  nuk është plangprishës, por as patriot demedo (çdo kush kërkon më të mirën për veten dhe familjen) që të “tredhë” atdheun,  se harresa ska zë, por ka fjalë: në dritaren e historisë/ varur mbetën/legjendat për ujkun ebardhë/dhe zogun e zi/që kurrë miq nuk u bënë, f.98 nga (“Tokë e djegur”).

Shpalim i pestë: (në kërkim të vetvetes, para njeriut), kapërcen humnerat dhe na duke ndërtuar “ura” fjalë që poetët, do shkoqnin nga kalliri i “grurit dashuror”, por kujtesa njerëzore herëherë shkurtohet, herëherë zgjatohet, rrokulliset në rrokullimën e vetes, për të gjetur shtigjet e mendimit, e ndienjave, vizione ku çdo kush ka jetën e tij, të ndërtruar përtej caqeve ose brenda caqeve të (pa)mundësisë materiale dhe Hyjnore. Lutjet, blatimet, thyerjet, kurthërimet, rrëzimet, ngritjet dhe ringritjet në serinë e fundit të librit; “Estetikë”, “Degët ethyera”, “Fal”, “Pyetje”, “Liria”, “E diela”, “Emri yt”, “Nxirë”, “Gurëzuar”, “Ndryshe”, “Gurët përgjatë Danupit”, “Ikja”, “Testameti”, Pasqyra” etj, janë vijimësa e poezive të shkurtra , ku gëlon në “zbërbojën” e fjalës  mizëria e jetës njërëzore. Vëzhgues i hollë , Marku në topikën e fjalës së tij, gdhend edhe detaje, edhe çaste të vogla, por thotë shumë për njeriun dhe poetin fjalëpak. Vargjet: dheut tënd/ mëri mos i mbaj/dhe po të baltosi ndonjëherë f. 112 (“Fal”),  falja nuk është mëshirë për atdheun por katarsis, për mëkatet e “mënjanimit”, “frikës”, “përdhosjes”, kur tek (“Pyetje”); nga erdhën/gjithë këto njolla/ në fytyrën time? f.113, sepse njollat e turpit janë gjarpërinjtë e zinj që futen rrëshqanjazi nën lëkurën tonë të babëzitur për pushtet, famë e pasuri, kur o NJERËZ, jemi vdekatarë: në varreza/shpirti që nuk enjohu mëkatin/i bëri strehë/gurishteve f. 124, tek (“Gurëzuar”). Për të kuptuar drejpërdrejt kumtin poetik të poetit, ndryshe të jetojmë, ndryshe të  të falim, ndryshe të dashurojmë, ndryshe të luftojmë , ndryshe …ndryshe…ndyshe të mendojmë:

të gjitha fijet e dritës
u këputën

në anën tjetër të erës
shëtitën fjolla bore

gurë të bardhë
nën ujë

marrin frymë, 125, “Ndryshe”.

Si përfundim: Anton Marku, ka skalitur një simbolikë lirike sociale, jo tipike klasike, por moderne, radhitur ndër ata poetë që flasin pak, (me vargje) por topika gjuhësore figurative është thellësisht metaforike, të josh ta njohësh dhe ta lexosh për të kumtuar të tjerëve, se poezia nuk është mirazh, por mesazh: për jetën, dashurinë dhe NJERIUN!