Dienstag, 3. September 2019

Poezi nga Mehmetali Rexhepi (1)

Mehmetali Rexhepi


DITËLINDJA IME E GJASHTËDHJETË E TETË

nëna  Z  më lindi kur drapri korrte grurë dhe njerëz
rrodhi shumëçka mbi mua e harkun tim tash e gjashtëdhjetë e tetë vjet
ishin shkrirë plazma të gjakut nën Urën e Maskatarit
mandej kundërmuan jashtëqitjet dhe mbetjet e “pazarit”
kosëtari im Prijatari i afshit të barit 
më dëftonte“ bir nuk e kemi ditë  çka asht e keshmja
mas djegies në Kaushë të Mulla Idriz Gjilanit”
e thoshte afër stufës së zjarrit

*
shumëçka rrodhi e u fërkua rreth kreshtës sime
kronikat kishin ngelur si ara shterpa pa koka pa duar jetime
lumenjtë e vegjël rrallë e mburrnin rrjedhën
nuk e dija 
në cilin det kishin derdhjen
gurgullima u kishte pushuar
shtojca përroskash bënin edhe djersët e tim et
një diell me kryq ortodoksie më nxinte verën
një kambanë zgjonte dremitjen e mesditës
si një çekan vigan buallit të bërrakës i binte
ezani orë e mesjetës në pesë fragmente të arabishtes
ia dëftonte Zotin e lyer me fonema të bezdisshme shqipes

*
akëcili prej nesh i vinte dheut vesh
sekush ajrit tjetri timpanin erës
vapën me fllade e shtronte një zë Hyjnor
                            ai i Vaçe Zelës

*
mbi mua kishin vërshëllyer boria dhe breshëri përvëlues 
çohej  dhe  rrëzohej brishtësia ato të mbjella fryti dëshpërues
parcelat e mia shtriheshin mbi ca koka të buta
deviza “shpina ma but se barku” në biruca
mars-prillit të djalërisë ua shporrte aromën lot-sjellësi
medieve të Qytetit të Bardhë të gërryente shpirtin më i ziu acar
sadisti i Shumadisë më kot hipte në shkallë
nuk i mbërrinte caku i shurrës as në mjekër as në ballë 
të  përmjerrë të Përndritshmin Ipeshkv të Bibliotekës 
                                      Pjetër Bogdanin e Prish-Stinës
ky soj xhindosej si t`i shkërmoqej hija e (n)gurtë e Hasan Prishtinës

*      
mbi mua rrodhi Oda Universiteti Urtësia Akademia
Vatra e një galerie fytyrash dritë-praruara
iu shtruan hullive t`i mbillnin t`iu çelnin mbi akuj pemët drunjtë e jetës
ngjyrën më të bollshme e kishin të kuqen lule-gjakun mbëltuar
hija e shqiponjës dykrerëshe krah-hapur i varej çerdhes për të mos ia përvëluar
mbi mua ranë pika rrjedhke edhe gurra e gjakut të Jasharajve
një gjëmë pa lot
që të madhërishmen e flijimit e ngjiti në Pirgun më të lartë në botë

*
rrjedhat në mua i dhanë trajtë një liqeni
ku  laheshim me Epin  për t`ia freskuar temperaturat brengës
enigmat e pikëshikimeve të Tija nuk i zbërtheje dot
se ia ndije erën plisit e flokët  të  kalleshin majës kokës
Ai kishte mësyrë të përpinte detin me not
tej shikimeve të Epit zhbirohej kaltërsia e qiellit detit tokës
trungut  të  ditëlindjeve  të  mia degë  të  këputura  gjakimesh
prej pengut në pengun e Tij në çaste kthjellimesh

*
frymë e Epit nuk treti në gjithësi ndonëse liqeni u avullua
me nga një copëz dielli në gji gjithandej u “Shenjtërua”
ditëlindja ime
lirisë ia prekja prerjet e thella bashkë me Mikun nga Euro-Atlantiku
ishte një Nënë e lidhur me fëmijë gji-shtjerë
me ca sy-petritë  gurin nga zemra ia shkulte Agimi 
ditëlindja më ishte ngjizur sprovave të një kronike pa kopertina
prisnim të  na bëhej gjaku ujë
gracka e mprehur e shkjaut mu në mes të rrafshit
metastaza e kancerit të urrejtjes në koret cirilike të popëve trashet

*
hyra në verën e Beqës këmbë zbathur në  pyllin “Bukuria e Zezë”  
trotuarit assesi të  notoja thellësive të metaforës
kundroja nga jashtë atë det të qetë të fshehtësive
atë univers koke i vendosur mes dy krahëve në dy boshte  truri prej syve  
dikush i sferës tjetër diku i diktonte dhe Ai shtjellonte si prej një pasqyre 

*
miq të dashur 
rradakes sime i hynin e dilnin  sinjalet e tej-botës
nuk di pse Beqa s`ma thoshte se sintaksa e shqipes kishte aq labirinte

aq lakore reliev simbolesh sinonimesh sa mazë e qepës 
i ndante e bashkonte botët e së vërtetës dhe të gënjeshtrës

*
ditëlindja ime e gjashtëdhjetë e tetë
Lirinë nuk e paskemi dashur të veshur
kot i kërkuake lumenjtë e fëmijërisë
janë arratisur e fshihen tek retë
rrjedhin qiellit vetëm nga mëshirë e Shën Terezës
për botën langore pa sherre të bebes

Gjilan, 4 korrik 2019
____
Epi - Rexhep Mala
Beqa - Beqir Musliu




SHPIRTI I DJERRINËS
     
askujt nuk i takoja
pezull si krejt gjithësia

*
le të rrotullohem si globi
të më fërkojnë stinët e përziera
veçse më mungoi boshti
dhe shkrihem si kripa
e dheut i shtohet njelmësia 

*
askujt si takoja
një torzoje e sfondit të hirtë
në mua hyri djerrina
koka ime mes qindra e mijëra

*
në trastën pa adresë  në vete të  harruar
e më flisnin për vetën e tretë
së cilës iu kishin kalbur dërrasat e çatisë
dhe i rridhte kulmi prej majës në palcë të shtëpisë

*
rrëqeth dëftorja e asaj mynxyre
e shkrepura e një rebeli flaku heshtjen
betohej një tjetër
për ndjeshmërinë
assesi të mos hysh e të lagësh sedrën

*
hyj dhe dal  kur nuk bie shi
po si dikur kisha ndjesi 

*
autorët anonimë që dhimbjen e mbollën
hoqën maskat vetëm kur e korrën

*
ju lutem ma gjeni trastën me kokën time
atëbotë vërtet do të marr e jap dhimbje
nuk dua të më lagë llullën dhimbja juaj

kështu thërriste shpirti i një djerrine


Gjilan, më 12 mars 2019




MOTIVE SHKODRANE

ulur me ju e i munguar
gjithnjë mes nesh
një gardh i pa rrënuar
      
*
doja t`u dëftoja çfarë kurore përjetësie
t`i bëja zonjushës Marie të Shllakut
ndoshta shkëlqimin mund t`ia vijëzoja së pakut

*
por Maria ishte një peng dafine
ngjyrën e flakës ia mbante ndezur çdo stine

*
testamentin e shpirtit gjakoja si borxhi më i lirë
t`i varej degës pemës Saj në qiell

*
më thanë kurrfarë
bëmat tua arkiv për zjarr
me frymën mërgimtare 
ikën dhe ato pamje 

*
heronjtë tuaj bëjnë vetëvrasje
gjeja kodin asaj gjëme

*
vetës i thash
kjo mandatë si ka të ngjarë
pengu i Asaj të jetë tharë

*
thanë
nga mësymja e Drinit mund të vish
në vrima fyelli të hysh
këmbët e mpira Rozafës t`ia shpish
gjiri i saj pa ndalë  rrjedh 
gurrat e përrenjtë i merr
dhe bëhet më i madhi sy
e më i gjëri gji 
i Shqipnisë  tamblin që i pinë
Filipët Ndretë Gurakuqët Migjenët
me lot e kthyen në jare
çdo kënge që i pikoi loti është burrërore
nga sfondi vjen plaga princore
e Milosaos 
ai peng vegullie për Shkodrën  


Mirko Gashi më ftonte të pi raki të fortë rrushi
e  të dehem në jaret shkodrane
ison nuk ia mbaja dot lakadredhave të zërit Frederikut
mes kokave e qeshjesh rridhte Buna në det
e fare lehtë deti Bunës përpjetë
as numërohet burrnia
përpihej liqeni nga makutëria
peshqit më kot lakmonin flatra 
fulterja u digjej mbi vatra

*
lirikave të Rreshpjes filozofinë e bardhë 
ku brumëzohej dhimbja piqej mallëngjimi prarohej një tipar 

*
se dashuria në verbëri të shpika
përpjetë-tatëpjetave baladës tundimi iu ndieka 
“O, se dy sytë m`i kanë verbue,
m`i kanë verbue  moj, kaçurrelat, kaçurrelat e tu!”

*
në Shkodër u matka me gram krenaria
e Rozafës i ngelë pa tambël fëmija

*
Shkodrës i bëjnë hije mitet e malet

*
sa lehtë jetën e marrkan
por dhe ditkan ta falkan


Gjilan, më 26 mars 2019

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen