Freitag, 20. September 2019

Buqetë poetike nga Ermira R. Jusufi

Ermira R. Jusufi

SI DALLGË DETI JETA

Shpirti im i trazuar 
Si dallgë deti
Përplaset shkëmbinjëve të zemrës
Dhe thyen shpresat e fundit
Si fluska uji
Kur era shtyn përpara valet

Hëna vrojton e vërenjtur
Netëve të gjata skëterrë 
Akull në shpirt e mendje 
Deri në çelje të ditëve të reja
Plot mall e pritje 

Si anija që i afrohet molit 
Pres me padurim ardhjen 
Kthimin tënd pres çdo çast 
Si syrin e pranverës
E ti askund nuk je
Largësia jote sa shekujt

E ndaloj kohën për pikë qejfi
Që agimet mos të harlisen fushave
Rrugëve, shesheve, fushave… 
Kah prek rrezja e diellit
Dhe përpëlitem me pritjen 
Me dyshimin e kthimit tënd
Si dallgë deti më bart jeta

Shpirti im i trazuar 
Vërtetë dallgë deti 
Jeta



NDOSHTA AGON NJË DITË

Ndoshta  një ditë tjetër
Mbyllet një ëndërr e keqe
Nga shkëndi e re mendimi
Që nxjerr njëmijë e një fjalë
Me psehe e mohe të pafund
Deri në zbardhjen e fatit 
Për një fytyrë njeriu
Për një kohë jete

Ndoshta një ditë tjetër
Gjithçka mund të ndodh
Edhe nxjerrja e kuptimit të plotë
Mbi ngritjen e vlerave të jetës

Një ditë tjetër
Agon e bardhë si fati
Ndoshta



MOS MA FUNDOS ËNDRRËN

Të përgjëroj në kupë të qiellit:
Mos ma fundos ëndrrën!
Tashmë kam prekur hapin e rrugës pa fré.

Derisa bota sillet në rrethin e vet,
E jeta kalëron tekave të saja gjithandej,
Mos më trazo ëndërrat e jetës së re!

Mos ma fundos ëndrrën time,
Tashmë kur nisa hapërimin e ri,
Ndonëse e përshkojnë qindra befasi.

Shkrep majë malesh si vetëtimë,
Shtigjeve të reja në adhurim,
Sonte do ta takoj në ëndërr, princin tim! 

Të përgjëroj pandal në qiell e diell:
Mos ma fundos ëndrrën e filluar kaherë,
Në shtegtim të jetës sime të dlirë!



SYRI MË SHKREP PRANVERË

Prushi i shpirtit ma ndez ballin plot zjarrmi,
Derisa ëndrra të pafund më shpiejnë rrugëve të reja,
Çurg djersësh ma përshkojnë krahërorin e dhimbjeve
Në pritjen e çastit kur do të kthehesh ti, 
Dhe syri më shkrep pranverë,
Në përmallim.

Buzëqeshjeve ua fal tërë fuqinë e zemrës,
Zbraz mllefin që më ngulfat në krahëror,
E hedh tutje si një gllënjkë vere që djeg,  
Për hir të dashurisë, syri më shkrep pranverë,
Në pafundësi…

Dhimbjet do t’i ndryjë në Kutinë  e Pandorës,
Që  askush mos t’ua gjej rrugën e fillimit,
Do t’i shkund shqetësimet e ikjes pa gjurmë, 
Derisa hija jote përfundimisht të rrëshqas
Në hijen e shpirtit tim.

Shëndritë si nur buzëmbrëmjeve të lakmisë,
Dhe përhap aromë lulëkuqesh deri në qiell,
Për hir të dashurisë, si në kllapi ta përmend emrin 
Dhe syri më shkrep pranverë,
Në galdim.

Përfundimisht syri më shkrep pranverë,
Në pranverën tënde të dashurisë,
Fati i fatit tim!



LYRA E SHPIRTIT TIM

Lyra e shpirtit tim
Ia shtrydh fjalës frymën e fundit,
E gurmazit ia çel kavermat deri në pambarim,
Se këngës i duhet rrugëtim besimplotë, 
Andej kah dëgjohen zërat e lashtësisë,
Rrjedhës së  gjakut tim.

Nuk ka digë që ia ndalon rrjedhën fjalës!
Vullkan shpërthen nga afshi i mallit 
Deri në çmallje të prekjes në kujtesë,
Atje ku priten ecjet zikzake të ditës
Dhe shemben iluzionet e fjetura,
Shtigjeve të ardhmërisë.

Deri në çmallje frymoj me lyrën e shpirtit,
Kavermat më mbushen plot shpresë,
Sa të pëlcas dëshirave të jetës
Dhe të prek ëndrrat e fatit me dorë,
Në Olimpin e synimeve të mia.

Kjo lyrë pellazge,
M’i numron shekujt në ballë
Dhe pafundësisht ia nxjerr fjalëve 
Frymën e fundit, 
Rrjedhës së  gjakut tim.



BALSAM I FJALËS SIME

Do kthehem në balsam 
Gjithë trupin ta përshkoj,
Thellë në shpirt do të futem 
Zemrën të ta pushtoj!

Do të shëndrrohem në gjak, 
Të lundroj venave tua,
Si e marrosur të të pushtoj,
Vallë e kupton sa të dua?

Balsam i fjalës sime
Parreshtur në adhurim,
Shtegtar që pushton ndjeshëm,
Vërtetë, je shpirti im!



ZEMRA IME OQEAN

Përballem gjatë kohë
Me dhimbjet që më prekin në jetë,
Kjo lëngatë më pushton çdo qelizë 
Dhe tundimin e shpirtit të përvuajtur, 
Si kontinentet që lagen parreshtur 
Nga stërkalat e oqeaneve të trazuar.

Zihem me dhimbjen aq gjatë,
Si purtekë e shkëputur prej trungut,
Notoj në valëzimin e pafund tejoqeanik,
(Zeje që patjetër duhej mësuar),
Deri në mposhtjen e thyerjeve shpirtërore,
E zemra më gjason në oqean,
Parreshtur në përballje furtunash.

Zemra ime oqean dallgësh,
Ku fundosen të gjitha dhimbjet e shpirtit
Deri në pikën e bardhë të shpresës. 



KAPËRCEJ  SHTEGUN  E HARRESËS

Kush nuk e dëgjon këngën time,
Nuk i ka dëgjuar kujtimet plot mallëngjim,
As është ndier frymëzues i jetës ndonjëherë.

Mos ia hapni shtegun harresës!
Druaj se ia mbyllni të gjitha rrugët 
Fjalëve plot frymëzim.

Pak këndellje pas ëndrrave të trishta
Në kapërcimin e shtegut të harresës,
Njeriu im.



FRYMËMARRJE 

Pse gjithë kjo angështi kohe?
Si mbarsje e natës pa dëshmitar,
Ku edhe hëna shpërfaq dyshimin 
Me ferkun e ditës së re,
Kohë e përdalë.

Horizonteve të kaltëra,
Po rilind edhe një tjetër ditë,
Plot ndjenja të reja adhurimi
Bulevardeve të reja plot dritë,
E ne ecim kurreshtar vrojtimi,  
Shtigjeve të hapura të ditës së re 
Dhe mbushim kavermat pastërti,
Nga frymëmarrja e këtij agimi, 
Plot madhështi!

Pse kjo angështi kohe sërish,
Mëton t’ia zë frymën ditës së re?
Që nis fillimin e epokës në ardhmëri,
Veç edhe pak frymëmarrje na duhet,
Të ecim ballëlartë rrugës nismëtare,
Deri në dashuri!



DASHURIA NUK KA TITULL

Sot të gjitha rrugët më janë ngatërruar,
Krejtësisht e humbur në mendime, 
E vetmuar si heshtja jam, 
Derisa zemrën tënde se kam pranë,
Mes dëshirave dhe ëndërrave të pafund,
Fuqishëm shpirtin tënd 
Në jetën time e mbaj.

Dua si gjithnjë afër të të kam,
Ngrohtësia e shpirtit që më mungon,
Eja në përqafimin e ri!
Deri në çmalljen e përhershme
Fuqishëm më mbaj në gji!

Eja edhe sot e mot, 
Si çdoherë, eja me puthje e miklime! 
Ma mbush mungesën e ditës, 
Ti - dashuria ime!




SHËNIME PËR AUTOREN


       Ermira R. Jusufi u lind më 08.03.1983, në Vushtrri. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm në Gjimnazin “Eqrem Cabej”, në vendlindje, ka vazhduar studimet për histori, në Universitetin e Prishtinës.

      Me krijimtari letrare dhe aktivitete kulturore ka filluar që nga vitet sa ishte nxënëse, duke shkruar e paraqitur shkrimet e saja në klube të shumta letrare të shkollave të rrethit, në emisione të ndryshme kulturore të radiove të atëhershme lokale dhe shquhej me pjesëmarrjen e saj aktive  në organizime të jetës letrare.
      Veprimtaria e saj krijuese, është publikuar nëpër faqe gazetash e revistash, në rrjete sociale, etj. Ndër të cilat veçojmë: “Nacional”, “Metafora”, “Muzg”, “Bota Press”, e “Dituria”, që botohet në Suedi, etj. Pastaj në Web-faqe të shumta, si: “Metafora”, “Ora shqiptare”, “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, “Pelegrin”, në “Poezia ime”, “Zemra shqiptare” e shumë të tjera.
      Në bashkautorësi është e prezantuar në mbi njëzetë përmbledhje poezishë e libra tjerë publicistik dhe antologji, ndër të cilët po përmendim disa prej atyre titujve, si: “Mall poetik -3.4,5”, “Fjala e dhimbjes”, “Lartësia e një jete”, “Mars i përflakur”, “Me shpirt atdhedashurie”, “Ju dua më shumë se veten”, “Vjeshta dhe vargjet-I, II, III, IV, V-2014-2018”, “Trojet e Arbrit”, sesioni XII. Poashtu është prezantuar edhe në gjashtë “Antologjitë “Muzgu” - 7, 8, 9, 10, 11, 12”, prej gjithsej dymbëdhjetë sa janë botuar në komplet, pastaj në dy librat e Prof. Dr. Murat Gecajt “Për ju, krijuese” dhe “Kur flasin zemrat”, në Antologjinë “Nënës”, etj. 
      Përveç poezisë, ajo merret edhe me shkrime e komente tjera puublicistike. 
Për punën e palodhshme dhe sukseset e arritura është shpërblyer me Çmime letrare e Mirënjohje të shumta, ndër të cilat veçohen Çmimi për motivim krijues “Iljaz Prokshi”, në Takimet poetike “Vjeshta dhe vargjet-2014” dhe Çmimi i dytë për poezi në Festivalin e poezisë “Guri i Plakës- 2017”, në Drenas. Edhe çmimet e tjera letrare që pasojnë, si: Çmimi i dytë nga TPSH (2016) në Vushtrri dhe Çmimi i tretë në “Flaka e janarit 2017” në Gjilan, dëshmojnë bindshëm se lexuesit po i vjen një emër që premton.
     Aktualisht është Kryetare e Klubit letrar “Latif Berisha” në Vushtrri dhe anëtare e Art Klubit “Rifat Kukaj”, që nga themelimi i këtij Asociacioni të krijuesve dhe artistëve të Drenasit. Poashtu është edhe anëtare e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, me seli në Athinë.
     Jeton dhe vepron në Vushtrri të Kosovës.


Botime të autores:
  • “Sonte zemra ime frymon”, ( poezi) 2015
  • “Mos ma fundos ëndrrën”, (poezi) 2017
  • “Eklipsi i dritës”, (poezi) 2019

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen