Freitag, 20. September 2019

Buqetë me poezi nga Ahmet Selmani

Ahmet Selmani


QENI QË E HËNGRI KUFOMËN E PJETËR BOGDANIT
(ose të gjallët që flasin për diellin e shpirtit të arbnit)

Në Prishtinë
për dreq e shoh një qen me mjekër
njeriu
që përjarget gjersa e krijon një lumë
të frikshëm
s’di pse më shëmbëllen krejt si ai
që dikur
e hëngri kufomën e Pjetër Bogdanit
dhe sërish
po rishfaqet pas qindra vjetësh me turinj
të njëjtë
betohem në tokë e qiell se nuk është qen
i zakonshëm
që leh e nuk kafshon as edhe një mizë
ky është qen
me uri të moçme aq sa urrejtja e armikut
porse tani
s’ka më kush t’i hedhë ndonjë kufomë
për të ngrënë
prandaj ëndërron si t’i hajë të gjallët
që këndojnë
për klerikun e zhdukur me varr e asht
dhe që flasin
për “Çetën e profetëve” si diell të shpirtit
të arbnit.



MOS KËRKO NGA UNË TË BËHEM TURMË
(ose jam Krishti që qesh kur më gozhdojnë)

Mos
kërko nga unë të bëhem
turmë
që vrapon si një kalë i pafre
duke valëvitur
portretin tënd me turinj Jude
unë jam
Krishti që qesh edhe kur më
gozhdojnë
që notoj në lumin e gjakut tim
dhe dal
në brigjet e shpresës si peshk
fluturues.



GURI S’PESHON NË VEND TË VET
(ose fluturimi i zogut të dëshpëruar)

Guri
nuk peshon në vendin
e vet
çdo ditë po bëhet zog
i dëshpëruar
e futuron në dhé të huaj
me ëndrrën
që kullon lot prej vreri
si liria.


DHEMBJE PËR NJË DASHURI
(ose ngjashmëria me gjethin)

Një dashuri
zverdhet si gjeth vjeshtak
ndonëse
rrëngjen në sytë e diellit
në çdo çast
pret që të bjerë për toke
e të kalbet
nga shirat pak nga pak
e të mbetet
në kujtesë veç si trishtim
ah dashuri
pse i shëmbëllen gjethit
vjeshtak
e nuk rri e gjelbërt në çdo
stinë.



SHPEJTËSIA IME
(ose zemra prej zjarri)

Unë
kam krahë prej drite
që rend
përmes qiellit e tokës
por shpejtësia ime
ia kalon edhe asaj të dritës
hyj nëpër
tunelet e gjata të ëndrrave
dhe dal
në rrafshin e zhgjëndrrave
jam zot
i udhës sime që shpie nga ti
dhe s'dua
ta dijë askush si përbirohem
e si kridhem
nëpër lakadredhat e saj
herë
shfaqem si mjegull e bardhë
e herë
si yll që vezullon çmendurisht
mjafton
që nga shpejtësia të shpërgjumesh
vetëm ti
e të dëgjosh kur ndaloj me këmbë
prej ere
por me zemër prej zjarri që s'djeg
veç ngjall.



LIRIKË TROJANE
(ose shembja për ty)

Për ty
çdo ditë mund
ta shemb nga një Trojë.



TRINIA E ZEZË
(ose shitja e atdheut)

Në emër
të djallit birit e shpirtit
të shitur
për ta shpëtuar lëkurën
nga rreziku
po e shes një copë
të atdheut.



HËNA NA VODHI ME SY
(ose letra e kujtesës)

Atë natë
s’na pikati askush
tek u krodhëm nëpër shtëllungat e territ
si gjarpërinj të përmalluar
që na rridhte mjaltë nga goja
në vend të helmit
veç hëna na vodhi me njërin sy
nga cepi i mjegullës
dhe unë nuk e mallkova
as e urreva
thjesht veç e palosa
si letër në kujtesë
pa i treguar askujt
dhe tani
sa herë më merr malli për atë çast
e lexoj e rilexoj
dhe nuk mërzitem
kurrë.



BURRAT QË FRIKËSOHEN NGA DASHURIA
(ose vdekja me një copë krenarie prej bajge)

Burrat e dheut
që jetojnë me çmenduri epike
nuk frikësohen prej askujt
as prej plumbit
as prej vdekjes
madje as prej zotit
veç prej dashurisë

eh burrat e dheut
për ta dëshmuar frikën kronike
herë pas herë e vrasin nga një grua
si Ifigjeni të pambrojtur
vetëm sa për ta zbuar dashurinë
të mos afrohet pranë zemrave të tyre
se pastaj ajo futet brenda
dhe krenarinë e sëmurë
ua bën gërmadhë prej hiri

eh burra e dheut
kanë trup prej kreshniku
e mendje prej liliputi
para këmbëve të dashurisë
apo hijes së gruas
bëhen brumbuj që kridhen
në jashtëqitjen e tyre

eh burrat e dheut
gjithë jetën e çojnë pa dashuri
duke vdekur me një copë krenarie
prej bajge.



KAFAZI I PADUKSHËM
(ose mjaftojnë veç fluturat)

Unë jam
kafaz i padukshëm
brenda të cilit
jetojnë edhe bishat edhe fluturat
pa e sulmuar
njëri-tjetrin në asnjë stinë
por dyert
i hap veç për fluturat e larme
e bishat
i lë të ngordhin duke ulëritur
brenda meje
paçka se shndërrohem në varrezë
të tyre
fundja mjaftojnë vetëm fluturat
të dalin nga unë
dhe ta rrëmbushin qiellin
si yje të trazuar
që derdhin shi prej shkëlqimi
ku pastaj
shikimin do ta zgjasin të gjithë
dhe do të harrojnë
të qajnë.



ÇELËSI PREJ DRITE
(ose muret pa kuptim)

Unë jam
çelës prej drite
që futem
nëpër vrimën e ngushtë
të bravës
dhe vij te ti që lufton
në vetmi
me terrinën dhe ëndrrat
e këqija
nuk ka dorë që mund
të më zmbrapsë
dhe kur unë ia beh
para teje
muret e humbin kuptimin
dhe vdesin
nga dëshpërimi i madh
mbetemi
vetëm unë e ti duke krijuar
dritë
e cila i ngjan vetëm
dashurisë..

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen