Dije Demiri - Frangu |
GJAMA E ESHTRAVE
(kushtuar Pjetër Bogdanit)
Dihasja bashkë me muret e Rozafës
Lotët kishin rritur Drinin e Kirin e Bunën
Në heshtje qanim që t’mos vrapoje
Me duar lidhur t‘na fshije lotët gur kalaje
I lusja Kastorët të të shpëtonin
-Tërë jetën do ju shërbej me ujë të bekuar
Vetëm ta shpëtoni Pjetrin e Bogdanajve!
-Pata takuar pastaj ashtin tënd në Prishtinë
E rrëfimi i Gjonit për vdekjen tënde
Lehjet e qeneve netëve me hënë
Shuar ma patën diellin
Po të them
Hasi nga atëherë syshterrur është
Duke bërë gjamën e eshtrave tu
Pasha Tenzonë unë jam ajo Sibila Hasjane
Dhe shoh nga dritë e eshtrave tu
Që kur u mbollën në tokën e Prishtinës
EVROPA
(ngacmim nga miti për Evropën)
Bashkë me Kadmin hanim pogaçe me qumësht të nxehtë
që perenditë na e vlonin në zjarrin e hapur,
para shumë diejve si sot e grabitur isha
me flokët e mija kahjen e erës shprishja
s’kisha ku t’i shtrija këmbët e lodhura
në Kretë mes valësh si asht i legjendës
sërish notoj përpëlitem ujërave
Mua më pat marr në qafë
Qafa e Demit
Me duar mbledhja si pupla puthjet tona
E ato ujë që rrjedh bëheshin
Gjithë duart ushla i kisha
S ‘dua fashë që m’i mbulon
Vazhdoj të ngjitem drurit të vjetëve
Degëve të thara të njoma
Për hir të ditës së pagëzimit - Evropë
UNË IA PASHË MENDTË SI I DILNIN
(një nëne në Bllacë, prill 1999)
Unë ia pashë mendtë si i dilnin
I fluturonin si zogj duke lëshuar krrokama
Duke hyrë nëpër retë e zeza ato humbnin
Në formë kujtimesh me krih
Në formë dhembjesh të lëngëta
Në formë atdheu
Në formë shtëpie
Shpërndaheshin shesheve të qiellit
As Zoti nuk arrinte t’i kapte dot
Dëbohej gjithçka nga trupi nga shpirti i saj
Vetëm furtunë frike e mbështillte
Si prangë e lidhte
Unë e pash si për çast i humbën sytë
Ju zbrazen nga bukuria
Sa të lumtur jeni ju që nuk e keni parë
Mendtë si fluturojnë si humbin
Zoti e bekoftë atë NËNË !
TRENIN QË E FOTOGRAFONTE BOTA
(13 Prill,1999)
Kishte pas vdekur ajri frymë nuk jepte
Kufomë e ujit kundërmonte deri mbi re
Hija e vdekjes kishte rënë si perde syve të qytetit
Sa vështirë ishte s‘mund qeshej
S’mund vajtohej
zërat i kishin pas varrosur thellë
në mesjetë diku groposur i kishin
ooo vetëm frika rridhte si ujë shtatëzanash
para lindjes
nëpër fytyrat tona plot stërkala vdekjeje
shiheshin
e unë pata plasur atë ditë prilli
si bubullimë qielli plasa
shava
mallkova për herë të parë në jetë
e ika
me trenin që e fotografonte bota
E ENDE JAM GRUA
(monologu i një të dhunuare)
Në trupin tim kam plot gropa të thella të zeza
Mbushur helme mbushur pështymë
Vizatuar çizme fashiste
Zgjerohen si gojë çorapësh të qelbosura
Deri në zemër prekin plagët
Çdo mëngjes shembin shikimin tim e më errin ditën
Netëve si gojë të ndyra të padhëmbë
Nxjerrin zëra klithës të nëndheshëm
Unë rrotullohem viteve, rrotullohem dyshekut
Duke provuar t’mos i zgjoj kujtimet
Se ende jam grua unë
Dhe lëkura ime ka memorie të fortë
Kafshimet e marimangës së zezë
Pëlcasin turpshëm si kallo mbushur ujë fekal
Kafshimet shovene që e bën gjak gojën e dheut
Ditëve kur bombat shpërthenin lirinë
E unë ende jam grua besoni, jam nënë
Në gjirin e kafshuar nga marimanga e zezë
Thithë qumështin biri im
NDËRTESAT E VJETRA
Ndërtesat e vjetra më shtinë udhëve pa dalje
më kujtojnë Epokën e Akullnajave
mbushur tinguj të tharë muzike
si kohë luftërash si kohë të këqija më frikësojnë
si ëndrra të zhbëra shekuj të grimcuar duken
dikush vazhdimisht pështyn nga ballkonet e tyre
e një kollë ua dëgjoj nga kati i lartë vjen
frikësohem se më bie ndonjë shpirt i vjetruar fytyrës
nga ata që ende flasin për dashninë e luftën
këto ndërtesat e vjetra
Janë si librat që në pluhur u ndihet shpirti
KJO QENIE E MADHE TOKA
Si hamall i marrë bartë shekuj Toka
Heronj e matrapaz e prostituta ia shkelin fytyrën
I japin gjak të pijë e ujëra fekal e ajo ujin kërkon
Sa qenie e madhe e vjetër
Më rrëfen për dinosaurët për
Tradhtitë luftërat e ftohta luftërat e nxehta
Më rrëfen si asnjëherë nuk dyshoi në diellin
Kjo qenie e madhe e mirë edhe hapat e mi i pranon
E s’ngopet me poezitë e mia me shikimin tim
Toka vazhdon me gojën e fushave të ushqehet
Me këmbët e bjeshkëve ecën bukur
E si gota rakie ngreh jetët e të gjithëve
Bishë e madhe e bukur Toka
Guximshëm eshtrat e varrezave i përtypë
Sa qenie e madhe e tmerrshme - TOKA
ÇDO FAMILJE ËSHTË NJË YLBER
Të gjithë ulur në minder
Bluzat ngjyra - ngjyra
Them-çdo familje është një ylber
Vishen e mendojnë në shumë mënyra
Njëri vishet me të kuqe
Nga larg duket si lulkuqe
Motra e vogël fustanin pembe
Pink ajo edhe flokët i mban
Në lulëqershize ngjan
Babi nga tegeti kurrë dorë nuk heq
Nëna xheloze me fustan të verdhë
-dimër e pranverë
Ylber i bukur ky në dhomë
Por ylber jemi dhe në mendime
Njëri mendon kritikisht
Tjetri mohon pafundësisht
Nëna gjithmonë mendon pozitivisht
Kësi ylberi as qielli s’ ka
Por ne jetojmë në shtëpi,
Jo në hava
ATA JANË NJERËZ AJRI
Somnabulët përbëhen nga qielli
Ecin përmendësh si yjet
Ecin si ajri pa u ndier
Marrin errësirën për dore
Dalin të nxjerrin dhembjen
Si dhëmbin e prishur
Të lirohen nga djajtë që shpërndajnë mallkimin mbi botë
Duke ikur nga temjani
Pjatë qelqi mund të ju duket globi
Ndaj ecin rrëshqitshëm
Ferrit ia shohin fytyrën me të keqe
Se që e ka në librat e shenjtë
Ata njerëz ajri se si vinë tek unë
E kërkojnë
Ta kollofisim kafenë bashkë.
Njëri mund të jetë i dashuri im
SA MIRË QË PAT PËLCITUR LUFTA ATË PRANVERË
Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë
Nuk isha as e re as e vjetër
Dhe e shihja luftën drejtë në sy
Pata mësuar shumë përralla t’ u ju dëftoja fëmijëve
U vizatoja fytyrën e lirisë në fletoren pa vija
Ua bëja të bukur
E ata kënaqeshin
Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë e kishte lule plot
Me i mbulu fytyrat e varreve
Pata blerë 10 kilogram kripë,
10 kg patate e memzi i pata bartur deri në shtëpi
Asnjëherë s’ e pyeta veten pse mora aq shumë
E nga atëherë kam një deformim unazash
Pastaj qesh kthyer tek kisha e qytetit “Engjëlli i Rojës”
Mora qirinj
Shpresoja se terrin e dëbojnë për t’i treguar udhën lirisë
Dhe mirë bëri lufta që pëlciti bash në mars, prill, maj e qershor
Disi dielli rrinte më gjatë në qiell
Dukeshin më qartë aeroplanët bombardues
Dhe nuk arriti asnjë plumb të më zë
Sikur t’kishte pëlcitur më herët a më vonë
Mund të më kishte kapur vdekja e plumbit
Kam bindjen se do të isha vrarë
Dhe harruar deri sot
Sa mirë që pat pëlcitur lufta atë pranverë
Dhe nuk u vrava
QUMËSHTI I POEZISË
Poezi-të kapin faqesh si fëmijën
Për të nxjerr lëngun që nuk amullinë
Të shtrydhin shpirtin e bie shi i tejdukshëm dhembjesh
Ti pasqyrë e bërë nga erosi fakëtimë shekujsh
Shkëlqen nga lotët nga fluturimet
Duke ndenjur varur fytyrave që s’ju shërohen vragat
E puthjet e thara numërohen vargjeve tua
Me plot të dashuruar të vetëvrarë
Ti je si një bukë ndore për një të uritur
Si qumështi i lehonave që shëron sytë
Ngjan në vajzën e mirë
Në të cilën dashurohen të gjithë, poezi
O më dhimbsen ata që nuk dinë
Të t’i zbresin e t’i ngjisin gjithë shkallët e tua
Që nuk t’i njohin zonat erogjene
Më dhimbsesh edhe ti se t’i shkulin flokët
Duke provuar të të krehin
E unë jam e lumtur
Që më mban në buzët tua
E dashura poezi.
DO TA PADIS KOMUNËN
U ç’rrënjos ai trëndafili
Që e këpusje pranverave e ma vije mes buzëve
Në parkun ku patëm njohur dashurinë
Veçoritë e saj si të ndonjë planeti të ujët
Ku merrnim dridhjen e duarve
Si pantomimë dashurie
- Aty u bë udhë asfalti i zi
E u hoq edhe qershiza
Ku merrje dy kokrra e vath m ‘i bëje
U bë një objekt shumëkatësh i errët
Do ta padis komunën
Dhe atë arkitektin që prish arkitektura kujtimesh
Se m’u ç’ bënë kujtimet mua atij e atyre
E si fleta fishkëlluese të folklorit rugovas
Në zemër qajnë ato
As romët me dëndëne
S ‘kanë si vinë më aty
Do ta padis Komunën.
____
Poezitë janë marrur nga profili i autores në FB
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen