Freitag, 20. September 2019

Buqetë me poezi nga Ahmet Selmani

Ahmet Selmani


QENI QË E HËNGRI KUFOMËN E PJETËR BOGDANIT
(ose të gjallët që flasin për diellin e shpirtit të arbnit)

Në Prishtinë
për dreq e shoh një qen me mjekër
njeriu
që përjarget gjersa e krijon një lumë
të frikshëm
s’di pse më shëmbëllen krejt si ai
që dikur
e hëngri kufomën e Pjetër Bogdanit
dhe sërish
po rishfaqet pas qindra vjetësh me turinj
të njëjtë
betohem në tokë e qiell se nuk është qen
i zakonshëm
që leh e nuk kafshon as edhe një mizë
ky është qen
me uri të moçme aq sa urrejtja e armikut
porse tani
s’ka më kush t’i hedhë ndonjë kufomë
për të ngrënë
prandaj ëndërron si t’i hajë të gjallët
që këndojnë
për klerikun e zhdukur me varr e asht
dhe që flasin
për “Çetën e profetëve” si diell të shpirtit
të arbnit.



MOS KËRKO NGA UNË TË BËHEM TURMË
(ose jam Krishti që qesh kur më gozhdojnë)

Mos
kërko nga unë të bëhem
turmë
që vrapon si një kalë i pafre
duke valëvitur
portretin tënd me turinj Jude
unë jam
Krishti që qesh edhe kur më
gozhdojnë
që notoj në lumin e gjakut tim
dhe dal
në brigjet e shpresës si peshk
fluturues.



GURI S’PESHON NË VEND TË VET
(ose fluturimi i zogut të dëshpëruar)

Guri
nuk peshon në vendin
e vet
çdo ditë po bëhet zog
i dëshpëruar
e futuron në dhé të huaj
me ëndrrën
që kullon lot prej vreri
si liria.


DHEMBJE PËR NJË DASHURI
(ose ngjashmëria me gjethin)

Një dashuri
zverdhet si gjeth vjeshtak
ndonëse
rrëngjen në sytë e diellit
në çdo çast
pret që të bjerë për toke
e të kalbet
nga shirat pak nga pak
e të mbetet
në kujtesë veç si trishtim
ah dashuri
pse i shëmbëllen gjethit
vjeshtak
e nuk rri e gjelbërt në çdo
stinë.



SHPEJTËSIA IME
(ose zemra prej zjarri)

Unë
kam krahë prej drite
që rend
përmes qiellit e tokës
por shpejtësia ime
ia kalon edhe asaj të dritës
hyj nëpër
tunelet e gjata të ëndrrave
dhe dal
në rrafshin e zhgjëndrrave
jam zot
i udhës sime që shpie nga ti
dhe s'dua
ta dijë askush si përbirohem
e si kridhem
nëpër lakadredhat e saj
herë
shfaqem si mjegull e bardhë
e herë
si yll që vezullon çmendurisht
mjafton
që nga shpejtësia të shpërgjumesh
vetëm ti
e të dëgjosh kur ndaloj me këmbë
prej ere
por me zemër prej zjarri që s'djeg
veç ngjall.



LIRIKË TROJANE
(ose shembja për ty)

Për ty
çdo ditë mund
ta shemb nga një Trojë.



TRINIA E ZEZË
(ose shitja e atdheut)

Në emër
të djallit birit e shpirtit
të shitur
për ta shpëtuar lëkurën
nga rreziku
po e shes një copë
të atdheut.



HËNA NA VODHI ME SY
(ose letra e kujtesës)

Atë natë
s’na pikati askush
tek u krodhëm nëpër shtëllungat e territ
si gjarpërinj të përmalluar
që na rridhte mjaltë nga goja
në vend të helmit
veç hëna na vodhi me njërin sy
nga cepi i mjegullës
dhe unë nuk e mallkova
as e urreva
thjesht veç e palosa
si letër në kujtesë
pa i treguar askujt
dhe tani
sa herë më merr malli për atë çast
e lexoj e rilexoj
dhe nuk mërzitem
kurrë.



BURRAT QË FRIKËSOHEN NGA DASHURIA
(ose vdekja me një copë krenarie prej bajge)

Burrat e dheut
që jetojnë me çmenduri epike
nuk frikësohen prej askujt
as prej plumbit
as prej vdekjes
madje as prej zotit
veç prej dashurisë

eh burrat e dheut
për ta dëshmuar frikën kronike
herë pas herë e vrasin nga një grua
si Ifigjeni të pambrojtur
vetëm sa për ta zbuar dashurinë
të mos afrohet pranë zemrave të tyre
se pastaj ajo futet brenda
dhe krenarinë e sëmurë
ua bën gërmadhë prej hiri

eh burra e dheut
kanë trup prej kreshniku
e mendje prej liliputi
para këmbëve të dashurisë
apo hijes së gruas
bëhen brumbuj që kridhen
në jashtëqitjen e tyre

eh burrat e dheut
gjithë jetën e çojnë pa dashuri
duke vdekur me një copë krenarie
prej bajge.



KAFAZI I PADUKSHËM
(ose mjaftojnë veç fluturat)

Unë jam
kafaz i padukshëm
brenda të cilit
jetojnë edhe bishat edhe fluturat
pa e sulmuar
njëri-tjetrin në asnjë stinë
por dyert
i hap veç për fluturat e larme
e bishat
i lë të ngordhin duke ulëritur
brenda meje
paçka se shndërrohem në varrezë
të tyre
fundja mjaftojnë vetëm fluturat
të dalin nga unë
dhe ta rrëmbushin qiellin
si yje të trazuar
që derdhin shi prej shkëlqimi
ku pastaj
shikimin do ta zgjasin të gjithë
dhe do të harrojnë
të qajnë.



ÇELËSI PREJ DRITE
(ose muret pa kuptim)

Unë jam
çelës prej drite
që futem
nëpër vrimën e ngushtë
të bravës
dhe vij te ti që lufton
në vetmi
me terrinën dhe ëndrrat
e këqija
nuk ka dorë që mund
të më zmbrapsë
dhe kur unë ia beh
para teje
muret e humbin kuptimin
dhe vdesin
nga dëshpërimi i madh
mbetemi
vetëm unë e ti duke krijuar
dritë
e cila i ngjan vetëm
dashurisë..

Fjala, mendimi dhe ngjarja në letërsinë kadarejane.

Ismail Kadare

Nga: Myzaljen HOXHA, Eseist dhe poet

Korifeu i letërsisë sonë Ismail Kadare fitoj çmimin ndërkombëtar vjetor për letërsi "Pak Kyongni", që jepet nga Fondacioni "Toji" në Korenë e Jugut midis 350 konkurrentëve nga e gjithë bota.

E uroj përzemërsisht shkrimtarin Ismail Kadare për këtë çmim prestigjioz të fituar prej tij, dhe me këtë rast fatlum për letërsinë shqipe, po u postoj një ese letrare për letërsinë kadarejane të shkruar në marsin e këtij viti, por të pabotuar.


FJALA, MENDIMI DHE NGJARJA NË LETËRSINË KADAREJANE.

( Ese )

“ Me njërën këmbë në Shqipërinë e moçme, gojore dhe legjendare, ende në rrëqethjen homerike, dhe me këmbën tjetër në modernitetin më të spikatur dhe më finok, Kadareja gjendet në kapërcyell të të dy botëve dhe nga kjo rrethanë e jashtëzakonshme vepra e tij krijon akorde të fuqishme dhe të goditura.” / Dominique FERNANDEZ
Shkrimtar francez

Në një mbrëmje të bukur marsi të sapo rënë muzgu, e mbushur me aromë lulesh gjithfarë, të harlisura qysh prej agimit të ditës, që hynte nga dritarja e hapur njëkanatëshe e dhomës së leximit, zbrita nga kolonada librore kadarejane e bibliotekës sime, për të lexuar : “ Mëngjeset në kafe Rostand - Motive të Parisit “. E fillova leximin dhe e mbarova me një frymë, dhe në finish të tij më kalonte dhe më ngacmonte tërë letërsia e Kadaresë, i rritur me të qysh prej së vogli, që të shkruaja përjetimin tim letrar për të. Dhe fillova të shkruaj...

Letërsia kadarejane gjithmonë kërkon një gjëndje shpirtërore të ngarkuar me emocione, ku drita e arsyes zbardh rrugën drejt sekreteve të labirinthit letrar të tij. Edhe pse e njeh që nga koha e rinisë së herëshme, ai përherë të shfaqet si një agnostik i tipit të Niçes. Leximi i prozës dhe poezisë së tij është një përsiatje që kërkon të vihet në punë shpirti, me shumë përqëndrim dhe mundim që të shijohet në kohë. Kadareja të fton kah letërsisë së tij sublimuese duke ta bërë të lehtë të të marrurit me të në çdo kohë, pa e lëshuar librin nga dora.

Dëshira për tu futur në universin letrar të Kadaresë, është e fuqishme, dhe kjo pasi bënë pyetjet : ç‘pasion, ç‘trillim, ç‘ imagjinatë, ç‘harmoni dhe ç‘larmi ka letërsia e tij ?!- nëpërmjet jo leximit dhe rileximit, por përsiatjes letrare dhe filozofike, si një ëndërr e bukur ku gjithçka bëhet e qënë dhe e afërtë.

Një përsiatje që lexon horizontalisht brendinë e pasur të krijimit, dhe vertikalisht, larminë e harmoninë semantike të ligjërimit, dhe natyrisht, logjikën e thellë të zbulimit të metatekstit letrar. Kadareja nuk i ka mbyllur dritaret e stinës së ftohtë, “dimri i madh” i epokës socrealiste. “Në një letër të lyer me vaj” si te “Eskili ky humbës i madh”, ai me ndriçim paksa të mjegulltë “si prej ëndërre”, na çon drejtë bashkimit dhe jo ndarjes nga bota e letërsisë së vërtetë. Ai ndriçim ka lëshuar në rrjedhën e viteve një dritë të plotë mbi letërsinë bashkëkohore shqiptare, por edhe më gjerë ku vazhdon të frymojë letërsia europiane, e tashme dhe e ardhme.¨shtë një dritë që e bënë letërsinë tonë më të kthijelltë në mendim, më të bukur në ngjyrë dhe më të ëmbël në shije. Në këtë hapësirë shqiptare për gati gjysëm shekulli, të zbrazët nga ideologjia letrare e sociorealizmit, do të frynte cikloni i mendimit dhe fantazisë kadarejane, për të fshirë andrallat e letërsisë së vërtetë. Kjo hapësirë e zbrazët, vërtetë dukej e madhe, sepse thjeshtë kishte më pak njerëz të letrave të mirëfilltë.

Një Kadare, Agolli, e ndonjë tjetër, edhe pse letërsia e tyre ishte e vërtetë, ajo hapësirë me “ vrimën e zezë “ të saj, përthithte krijimet më të mira letrare, qysh nga Rilindja Kombëtare dhe në vazhdim. Pamja që kishte përpara Kadareja ishte krejt e ndryshme se ç‘e përfytyronte dhe krijonte e modelonte në brendi. Çdo mjet, fotografi a identikit i nguroste ngjarjet që kishin ndodhur dhe ndodhnin çdo ditë. Fantazia dhe interpretimi i tyre përshëndërroheshin jo larg kufirit të pamjeve që na jep gjumi. Gjithsesi, Kadareja është një makinë që prodhon valë dhe dallgë mendimi e delir krijues, që kanë përshkuar tejembanë për dhjetra vjet këtë Shqipëri. Përmasat e vërteta të tij nuk mund të parashikoheshin “ përpiktaz “ në atë kohë dhe hapësirë me pak dritë dhe liri mendimi e ndërgjegjeje letrare.

Ç‘vinte nga poezia dhe proza e Rilindjes Kombëtare dhe ajo pak letërsi e huaj, që si shigjeta e lëshuar nga harku i vështirë i Odisesë do të kalonte në njëzet kamat, në pallatin e Penelopës së Itakës, që thurrte pëlhurën e gënjeshtërt ditën, dhe e ç‘thurrte natën.

Letërsia ishte para dhe poshtë tij, me themele të hapura, dhe me skela të stivosura, që pritej të ngriheshin për ndërtimin e ndërtesës së letërsisë së re shqipe.

Bashkëkohësit e kanë përjetuar vazhdimisht dhe krenarisht letërsinë kadarejane. Etja e tyre për letërsi e gjente shuarjen e saj tek letërsia e Kadaresë, që për asnjëherë nuk e kanë paragjykuar, sepse ajo as ka patur dhe as ka brendi dhe formë paragjykimi.

Të gjithë ne filoletrarët kadarejanë kemi qënë dhe jemi shtysa frymëzuese dhe motivuese e letërsisë së tij, ndërkohë zallamahia e largët e “Dimrit të Vetmisë së Madhe” e mërziste dhe e ligështonte, tek shprehej duke thënë : “Bjerrakohës, mëndjelehtë, mosmirënjohës, plangprishës e tj”., ndërsa Orfeu Kadare me shpirtin e zëshëm të tij, të dalë prej trupit - burg të tij, përgjigjej : “ Kam faj unë që merrem me Ju “. Ndërkohë e ndjente thellë në ndërgjegjen letrare të tij, se nuk bënte dot pa atë zhurmëri, zjarrmi dhe trishtim, pra pa trutë e tyre, me të cilët truri i tij i fuqishëm ishte në rezonancë të kumbimit të vazhdueshëm.

Ky eshtë kalimi i mundimshëm i Kadaresë prej ferrit dantesk shqiptar në jetën e gjallë dhe të kuptimtë. Njerëzit e letrave që janë letrarë nga koka gjer tek këmbët, e ndjejnë brënda vetes kompleksin e inferioritetit përballë historisë, prandaj ata të bindur ushqejnë dhe begatojnë historinë me fantazinë dhe kulturën e tyre. Prandaj në letërsinë e tij, Kadareja i jep shqiptarët realisht ashtu siç janë në të vërtetë, dhe për t‘i çuar atje ku duhet të jenë. Natyrisht atje, ku ata padyshim meritisht duhet të shkojnë, për ato shumë gjëra që u ka falur Zoti.

Shqiptarët kanë një vend të bukur dhe të begatë, klimë të mirë, ullinjë, gjuhë të mrekullueshme, muzikë dhe polifoni virtuoze.

Kadareja i jep shqiptarët në letërsinë e tij, njerëz të zgjuar dhe luftëtarë, të etur për dije dhe kulturë, por edhe dembelë e fudullë, që këto vese e kanë zanafillën në mungesën e arsimimit dhe kulturimit të tyre, çuditërisht në këtë bollëk natyror ku jeton raca jonë. Ata kanë shijen e së bukurës dhe filozofisë në jetë, instiktivisht dhe të kultivuar, pedant të kodit moral, të ndjenjës së masës dhe të sensit të gjërave. E gjithë kjo bashkësi virtytesh dhe vesesh me të drejtë i bënë sot, ata krenarë.
Kadareja ka pendimin dritë – hije për letërsinë e tij sociorealiste, zgjohet befas nga ajo kohë e gjatë dhe gri, me vrarje ndërgjegjeje, për atë dhunë të kryer në rininë e tij.Brerja e ndërgjegjes natyrshëm e bënë të besoj fortë në pendimin e tij, që u bë më mbas ushqimi kryesor i letërsisë së mrekullueshme në stil, përmbajtje dhe formë, ku ne të gjithë besojmë që Kadareja ka qënë dhe është i vërtetë. Kësaj letërsie është pamundur t‘i heqësh diçka, pasi ajo në çdo kohë është letërsi e frymës së qënies njerëzore, dhe e natyrës shqiptare. Provo t‘i heqësh diçka, dhe në dukje e parëndësishme, dhe ajo vdes, pasi ajo është e unifikuar estetikisht si art letrar.

Kadareja e ka patur qysh në fillimet e shkrimit të letërsisë së tij si mision : “ Të nxjerrjes nga ndërgjegja e shqiptarëve “krimin” e injorancës ”, ashtu sikurse thotë ai, “grekët vepruan me krimin trojan “. Kadareja, injorancën, këtë gjëndje latente të nxjerrë nga mugëtira dhe errësira e kohërave, e shkund baltën, dhe me paanësi dhe dhëmshuri e lufton atë, pasi aty ai gjen rrënjët e së keqes së madhe të shqiptarëve. Letërsia shqiptare e gjen dhe e ruan drejtpeshimin e saj në mënyrë të ndjeshme me letërsinë e Ismail Kadaresë.

Letërsia e tij është tre dimensionale dhe në dritë, dhe në hije si bija e saj.

Tre dimensionet e saj janë: Fjala, ngjarja dhe mendimi.

Fjala në letërsinë kadarejane është bartësja dhe shprehësja e pasurisë dhe e virtuozitetit të gjuhës shqipe. Me të ndodh, ashtu sikurse endet një pëlhurë, dhe fjala e tij letrare është lënda me të cilën ka endur tërë veprën letrare artistike të tij. Madje në letërsinë e tij në çdo rresht të saj fjala, fraza dhe figura janë “të skalitura” mjeshtërisht duke ndërvepruar si linearitet semantik të ligjërimit të tyre. Ky ligjërim ka tipare të larmishme dhe të harmonizuara në shprehjen e mendimit letrar. Ёshtë fjala, ajo që vendoset njëkohësisht dhe në ligjërimin e personazheve, por edhe në rrefimin e rrëfimtarit, duke u bërë endësja e rrëfimit letrar.

Fjala letrare kadarejane është filozofike, semantike, psikologjike, përshkuese, vlerësuese, përcaktuese dhe rrëfimtare, pra letrare si një e tërë.

Ngjarja, si objekt letrar – rrëfimor është një qëndrim i Kadaresë ndaj dukurive që ai krijon artistikisht. Një rrëfim narrative, si kuptim tradicional i ngjarjes në lëvizje kohore, dhe deskriptiv, si përshkrim i trillimit të ngjarjes të ndalur në kohë. Në letërsinë e Kadaresë rikrijohen kohë dhe hapësira të reja, ku përparësi ka ideja, mendimi dhe veprimi i brëndshëm i personazheve letrare të tij.

Mendimi kadarejan është mënyra si realizohet rrëfimi, si gjykim dhe arsyetim të mbrujtura në mëndjen e personazheve të tij, që gjenden në çdo narracion, frazë dhe ligjërim që kushdo që e mbartë atë. Tek Kadareja mendimet dhe gjykimet e tij janë thellësisht filozofike, gjë që bënë të mundur t‘i ftoj lexuesit si njerëz të lirë në mendime dhe veprime. E gjithë letërsia e Kadaresë u ushqye nga motivet natyrore, sociale, politike, kulturore dhe historike të rrjedhës së qytetrimit shqiptar, i lidhur ngushtë me atë ballkanik dhe europian. I etur për dritën e dijes dhe kulturës, populli ynë ka lindur mëndje të ndritura në fushë të letërsisë si Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Migjeni, Ismail Kadare, Fan Noli dhe Dritëro Agolli, por letërsia shqipe më e përfaqësuar në stil, përmbajtje, formë dhe kolorit letrar është ajo kadarejane. Ky popull personazhesh e ka furnizuar letërsinë e Kadaresë, që nga Korabi dhe Tomorri me dëborë gjer në thellësitë e detit Adriatik dhe Jon, nga “ Pallati i ëndrrave “ gjer në odat e mikpritjes e sokakët e mallit të pritjes njerëzore, që nga nëntokat e vuajtjes gjer në bllokun grotesk e vilat e Lalëzit. I gjithë ajri letrar i Kadaresë është i mbushur me dramë. Dramë që ka ndodhur, ndodh përditësisht dhe që mund të ndodh nesër, si më e dhimshmja në kokat e shqiptarëve.

Dy “ritet” e motivimit të krijimit letrar tek Kadareja kanë qënë dhe janë : - Lufta si koncept dhe realitet për të fituar jetën, dhe Paqja si koncept e realitet për të ushqyer me dashuri dhe mbrojtur jetën.

Si lufta dhe paqja e kanë ngjizur dhe bërë letërsinë e Kadaresë sublime, ashtu sikurse dy ritet shqiptare, ai mortor dhe i dasmës krijuan gjëninë më sublime të artit, tragjedinë. Pikërisht ky raport i trajtuar nga shkenca letrare e tij e bëri Kadarenë të sfidonte dhe vetë filozofin e tragjedisë Friedrih Niçen, në shpjegimin e lindjes së tragjedisë me Eskilin, ku Niçja thotë është “dhimbja”, ndërsa Kadareja thotë, dhe e drejta është me të, që është “morti dhe dasma”, pra “dhimbja e gëzimi “. Ai thotë : “ Mendoj se pikërisht dy ritet, ai i mortorit në radhë të parë, dhe ai i dasmës si ndihmës i tij, kanë qënë pikërisht prindërit e tragjedisë, prindër të mohuar padrejtësisht”. Ёshtë pikërisht ky koncept : “Ky ritual mortor i shqiptarëve nuk është veçëse një dasëm e kthyer kokëposhtë, që ka qënë për mijëvjeçarë të tërë institucioni kryesor i popujve ballkanas”, pra dhe i popullit shqiptar ku është frymëzuar dhe motivuar për dhjetra vjet letërsia e Kadaresë. Këto “ritualet” e luftës dhe paqes kanë qënë dhe shkallët e edukimit estetik të letërsisë kadarejane, qysh me “Gjeneralin e Ushtrisë së Vdekur”, “Kështjella”, “Dimri i Madh”, “Përbindëshi”, “ Pallati i Ёndrrave”, “Kush e solli Dorontinën”, “Piramida”, “Dosja H”, “Darka e gabuar” e tjerë. Nga ky raport jetësor i dhimbjes e gëzimit, i luftës për jetën dhe i paqes për gëzimin e saj ka lindur dhe njëri prej ligjeve më universal të artit, distancimi nga jeta, nga vetvetja, heqja dorë nga e vërteta e pranguar, nga një liri e rrokshme në emër të një lirie më të vështirë, i asaj të krijimit. Këtu e kanë fillimin të gjitha problemet e marrëdhënies së jetës me artin letrar të Kadaresë, ku zgjidhja është prishja e murit mbajtës rreth artit letrar të tij, për ta lënë të lirë lexuesin të rendi me dëshirë drejtë letërsisë së tij.

Në të njëjtin piedestal të letërsisë kadarejane, ashtu sikurse qëndron proza, qëndron dhe poezia e tij.

Poezia, aq sa ka dashurinë si një forcë të brëndshme të njeriut, që e gjallëron, zbukuron dhe fisnikëron atë, aq ka dhe ndjenjën e mbijetesës së shqiptarit dhe mbytjes së të vertetës që lindin nga thellësia e shpirtit të njeriut.

Poezitë lirike me motiv të dashurisë janë më të bukurat, pasi lindin nga ndjenja të pastra të Kadaresë. Ato janë dhunti të shpirtit të madh të tij. Poezi si “Malli” dhe “Ca pika shiu ranë mbi qelq” e tj., rrjedhin lotët e mallit dhe keqardhjes për dashurinë e fituar dhe atë të humbur, që vijnë nga gjallëria dhe monotonia e jetës.

Poezia e Kadaresë është moderne, simbolike, kritike dhe shumëkuptimëshe, me tipare të humanizmit, neologjizmave dhe universalitetit, të nxjerra nga kultura, filozofia dhe psikologjia e popullit. Poezia simboliste e tij, me një gamë të gjerë metaforash dhe simbolesh është e madhërishme. Ёshtë kjo poezi që ka emancipuar vargun poetik, dhe ka pasuruar leksikun e gjuhësh shqipe, që e ka bërë atë orgjinale, të fuqishme, dhe me frymë e koncept novator. Në poezinë e tij simbolike: “Përse mendohen këto male” me metaforat, kontrastet dhe personifikimet e gjetura mjeshtërisht, ngrihet simboli i malit si personifikim i Shqipërisë.

Epizmi trimëror i shqiptarit njëjtësohet me malin e lartë e të ngritur në hapësirën e qiellit të pakufi.

Poezia kadarejane rrok tiparet thelbësore të etnitetit shqiptar, si lashtësinë, krenarinë, heroizmin dhe atdhedashurinë. Në poezinë e Kadaresë, himnizimi i etnitetit të shqiptarit është i sublimuar, i madhërishëm dhe evokativ. Kjo takohet dhe ndihet tek poezitë : “Nisja e shqiptarëve në luftë” dhe “Kthimi i shqiptarëve nga lufta”, ku bëhet e gjithfuqishme sublimja, që vjen nga “riti” i luftës për një jetë më të mirë. Ky element qënësor i poezisë së tij bashkohet me “ritin” e paqes, dhe ashtu sikurse veprojnë në gjithë linearitetin dhe thellësinë e prozës së tij, veprojnë mbi njeriun, i cili ndihet i lirë shoqërisht, shpirtërisht, moralisht, psikologjikisht, duke e bërë atë zot të vetvetes.

Poezia e Kadaresë është poezi e përgjithësimeve universale, ku mbytja e së vërtetës barazohet me mbytjen e vetë njeriut dhe qytetrimit shqiptar. Shqipëria gri është e tëra në fokusin e poezisë së tij. Për ta kuptuar dhe prekur këtë “Shqipëri gri” le të ndalemi tek ikona e poezisë së tij “Laookonti”, ku Kadareja vetidentifikohet me “Laokontin Trojan” si njeri kampion i luftës kundër së keqes, totalitarizmit shqiptar dhe demagogjisë së mashtrimit politik. ”Laokonti” është symbol i mbytjes së së vërtetës, që e thotë të vërtetën në një kohë paradoksale, kur askush nuk e dëgjon, dhe se beson duke u kthyer në një viktimë të indiferencës. Të asaj indiference, që Dante Aligieri shumë më herët do ta sentenconte : “Vëndet më të errta në ferr ruhen për ata, që bëjnë sehirxhiun në kohën e krizave morale”.

Me një ekzorcizëm të paparë, me një akt tronditës çlirues dhe emancipues, me ndërgjegje të tensionuar, Kadareja, ashtu sikurse vepron në prozë, vepron dhe në poezi, ku na jep “Laokontin” si kurë qetësuese të shpirtit tonë.


LAOKONTI

Si çdo gjë e tmerrshme është i thjeshtë sekreti,
Që brenda boshllëku i gjoksit tim mban.
Afroni, pra, kokat të dëgjoni të vërtetën,
Mua s’më mbytën gjarpërinjtë, por trojanët më vranë.

«Ju e dini se përpara Trojës aherë
Kali i Drunjtë, dhuratë e grekëve u shfaq.
Ky kalë në dy grupe i ndau trojanët:
Ta pranonin ose ta flaknin sakaq.

Pajtim me armikun, ulërinin tradhtarët,
Mjaft më me luftë, zjarre dhe helm.
Erdh koha që shpatat t’i kthejmë në parmenda,
Armiqtë në miq erdh koha t’i kthejmë
Në mbledhjen e gjatë ‘pro’ dhe ‘kundra’ kalit,
Unë ‘kundrat’ kryesova me tërbim.
Dhe juve ju kanë thënë se aherë hyjnitë
Gjarpërinjtë më dërguan si ndëshkim».

«Ç’përralla kalamajsh, ç’trillim për budallenjtë.
Unë gjarpërinjtë do t’i mbrapsja me një shkelm.
Po ç’t’i bëja fushatës së tradhtarëve kundër meje,
Shantazheve, letrave anonime plot helm.

«Ditë e natë e me javë polemika vazhdonte
Nga shtresat e mesme gjer lart në qeveri.
Ishte vjeshtë.
Nën qiellin e hirnosur me erë
Kali i drunjtë përjashta priste në shi».

«Në burg, me gotën e ujit, në mesnatë
Helmin më dhanë ata të pi,
Ata që ulërinin kundër dhunës dhe shpatës,
Që dinin të kafshonin tamam si gjarpërinj.
Në mëngjes që pa gdhirë në breg të detit
Ma hodhën kufomën drejt mbi zhavorr.
Rapsodët aherë anembanë përhapën
Versionin fals të gjarpërinjve hyjnorë.
«Ky ishte mbarimi i polemikës për kalin,
Ju e dini me Trojën ç’ndodhi pastaj.

Tre mijë vjet rresht,
nga muzeu në muzera,
Unë hamalli i mermertë gënjeshtrën mbaj
«Vërtiteni,
Flisni për teatrin, për plazhet,
Për gjithfarë motorësh e gjithfarë qeverish,
Pa ju shkuar mendja se ai mund të shfaqet
Në një ditë të rëndomtë, një mëngjes me shi
…
Në pafshi ndonjë ditë të bëhem copëra;
Nga marazi, siç thonë, të plas, t’ia bëj ‘krak’,
Jo kujtimet e Trojës, as gjarpërinjtë monstra,
Por indiferenca juaj
Do të bëhet shkak».

«Laokoonti» është një nga ato poezi të Kada­resë që përbën kodin e zbërthimit të qëndrimit të Kadaresë ndaj letërsisë sociorealiste. Në poezinë «Laokoonti» Ismail Kadare e rimerr temën e tregimit «Përbindëshi», për të cilin ai ishte anatemuar nga regjimi diktatorial, për herë të parë si shkrimtar. Ekzorcizmi është njëherazi, vizion ironik i dhimbjes dhe i talljes me vetveten, dhe veprim i dëbimit të neveritjes, përbuzjes dhe dyfytyrësisë së të tjerëve.

Është e vertetë, që letërsia është vendi ku ne shkojmë për të zbuluar drite - hijet e shoqërisë njerëzore, dhe vetë shpirtin njerëzor.
Natyrisht, që Ne shpresojmë që të gjejmë jo të vërtetën absolute, por të vërtetën relative jetësore, nëpërmjet imagjinatës së trurit dhe ngrohtësisë së zëmrës.

Dhe letërsia e Kadaresë e ka këtë mision :

- Të ndryshoj njeriun nga ai që është, në atë që duhet të jetë.
Letërsia kadarejane zgjeron flatrat e dijes, ridimensionon kuptimin i jetës, maturon shpresën, përmbush dëshirën dhe gjeneron forcën për të jetuar këtë botë, si në formën, përmbajtjen, ngjyrën dhe shijen e saj, që drejtpërdrejtë është punë dhe produkt i vetë njeriut të kohës sonë. Po, të atij njeriu që ka brënda vetes gjurmët e thella të letërsisë.
Me një krenari të vërtetë për letërsinë e Ismail Kadaresë, e lexuar në rrjedhën e viteve me ndjenjën e thellë të shqiptarisë, sa letrare aq dhe kulturore, pse jo dhe patriotike, nuk kish se si të ndodhte që të mos shkruaja venerativisht, një poezi për letër-sinë si një e tërë, dhe letërsinë e tij të vlerave të jashtëzakonshme letrare, filozofike dhe kulturore, si epilog i kësaj eseje letrare.


LETËRSIA

Të keqformuar do të ishim,
E keqja do t‘na kishte zili.
Do të ishim më konformist,
Më nervoz,
Më shumë të bindur,
Pa letërsinë e lexuar pafundësisht.

Shpirti kritik si motor i progresit,
Nuk do të ekzistonte pa trillim.
Dhe nëse çfaqej si kusht i suksesit,
Përsëri do të ishte një përjashtim.

Ne trillojmë,
Që të jetojmë disa jetë.
Dhe harrojmë,
Që kemi vetëm një jetë të vërtetë.

Trillimi nuk është vetëm krijim,
Ai është një frymëzim, një aset.
Realiteti që na rrethon merr frymë për ditë,
Nga letërsia, pa të cilën nuk do të kishte jetë.

Jetën e gënjeshtërt,
Ja shtojmë asaj që jetojmë,
Dhe ajo merr vlerë.
Ajo na ndihmon për t‘ia mbathur
Nga realiteti mediokër, i zbrazët, humnerë.

Trillimi letrar,
Mënyra më e thjeshtë për të lehtësuar,
Qënien tonë vdekatare.
Për të mundur erozionin e kohës,
Për të bërë të pamundurën të mundur,
Ashtu siç ngjizi jetë në Ararat, varka e Noes.

Dhe jeta ndërtoi shtatë e të tjera mrekulli të botës.

Akdemia Mbretërore e Suedisë, në Stokholm jep përvitshëm Çmimin Nobël në letërsi. Si i dashuruari i kahershëm i letërsisë shqipe dhe botërore kam studiuar motivimet e Akademisë Mbretërore të Suedisë për Çmimin “Nobël”, qysh nga viti i largët dhe i parë 1901, i akordimit të tij, shkrimtarit francez Sully Prudhomme, dhe deri tek i fundit 2017, japonezit Kasuo Ishiguro.

Kjo më ka mundësuar të bëjë pjesë të bibliotekës sime, një, dy dhe më shumë vepra letrare të të gjithë nobelistëve të letërsisë botërore, dhe ti lexoj me sytë e mëndjes, pasi ata janë vetë jeta e mëndjes njerëzore, duke konstatuar vërtetësinë e vlerësimit.

Duke filluar nga viti 2010 Isamail Kadare ka qënë kandidati i propozuar për laureimin me çmimin “Nobël” në letërsi.

Një event i gëzueshëm i nderimit kulmor të letërsisë bashkëkohore. Një kënaqësi e veçantë për tërë komunitetin e njerëzve të letrave në Shqipëri, Kosovë, dhe kudo në botë.

Fjala “Bashkëkohore” është vetë fryma, objekti dhe targeti i letërsisë. Prandaj dhe në motivacionet për Laureatët e Çmimeve “Nobël” në letërsi, fjala “bashkëkohore” është jo e munguar, por e shpeshtuar.
Ja, motivacioni për Nobelistin rus BORIS PASTERNAK : “Për arritjet e tij të rëndësishme, njëherazi si në poezinë lirike bashkëkohore, dhe në fushë të traditës epike shumë të pasur ruse “.

Vazhdojmë me shkrimtarin kinez MO YAN: “I cili me realizëm vegimtar bashkon rrëfenjën popullore me historinë bashkëkohore”.
Vazhdojmë me HERTA MYLLERIN: “ E cila me përqëndrimin e poezisë dhe sinqeritetin e prozës, na paraqet pamjen e realitetit jetësor bashkëkohor”.

Me MARIO VARGAS LLOSA: “ Për kartografinë e tij të strukturave të pushtetit dhe imazheve të tij të mprehta të rezistencës, revoltës, humbjes dhe fitores së individit në botën bashkëkohore”.

Vazhdojmë me Nobelistin, Poetin norvegjez TOMAS TRANSTROMER: “Sepse, me anën e përshkrimeve të kondensuara dhe imazheve të tejdukshme të tij, ai na jep aksesin e freskët ndaj realitetit bashkëkohor”.

Më tej me Nobelistin francez në letërsi, JEAN – MARIE GUSTAVE LE GLEZOS : “Autor i nisjeve të reja, i aventurës poetike dhe ekstazës sensuale. Eksplorues i njeriut përtej qytetrimit sundues bashkëkohor”. E kështu me radhë….…..

Për letërsinë nuk ka “Nacionalitet”. Ajo është qytetare e gjithë botës. Dhe letërsia ka historinë e saj, por vlerat e saj janë gjithmonë “bashkëkohore”. Letërsia shqipe e përfaqësuar denjësisht nga letersia bashkëkohore e Kadaresë, dhe që ka çekur apogjeun e letërsisë botërore e meriton këtë vlerësim sublim.

ISMAIL KADARE, ky Pastërnak, Le Glezos, Llosa, Mo Yan, Myller, Munro, Ishiguro e tj., shqiptar, e ka të shkruar në pavdekësinë e letërsisë së tij motivacionin: “Për virtuozitetin dhe muzikalitetin kumbues të fjalës, ngjarjes si objekt i rrëfimit kuptimor dhe përshkrimit tradicional, mendimit e gjykimit thellësisht filozofik të jetës shqiptare bashkëkohore”, e ka për të fituar domosdoshmërisht dhe meritisht çmimin “Nobël” në Letërsi, në bashkëkohësinë tonë europiane dhe botërore.

Koha punon për të.

Nderim për letërsinë shqipe !

Buqetë poetike nga Ermira R. Jusufi

Ermira R. Jusufi

SI DALLGË DETI JETA

Shpirti im i trazuar 
Si dallgë deti
Përplaset shkëmbinjëve të zemrës
Dhe thyen shpresat e fundit
Si fluska uji
Kur era shtyn përpara valet

Hëna vrojton e vërenjtur
Netëve të gjata skëterrë 
Akull në shpirt e mendje 
Deri në çelje të ditëve të reja
Plot mall e pritje 

Si anija që i afrohet molit 
Pres me padurim ardhjen 
Kthimin tënd pres çdo çast 
Si syrin e pranverës
E ti askund nuk je
Largësia jote sa shekujt

E ndaloj kohën për pikë qejfi
Që agimet mos të harlisen fushave
Rrugëve, shesheve, fushave… 
Kah prek rrezja e diellit
Dhe përpëlitem me pritjen 
Me dyshimin e kthimit tënd
Si dallgë deti më bart jeta

Shpirti im i trazuar 
Vërtetë dallgë deti 
Jeta



NDOSHTA AGON NJË DITË

Ndoshta  një ditë tjetër
Mbyllet një ëndërr e keqe
Nga shkëndi e re mendimi
Që nxjerr njëmijë e një fjalë
Me psehe e mohe të pafund
Deri në zbardhjen e fatit 
Për një fytyrë njeriu
Për një kohë jete

Ndoshta një ditë tjetër
Gjithçka mund të ndodh
Edhe nxjerrja e kuptimit të plotë
Mbi ngritjen e vlerave të jetës

Një ditë tjetër
Agon e bardhë si fati
Ndoshta



MOS MA FUNDOS ËNDRRËN

Të përgjëroj në kupë të qiellit:
Mos ma fundos ëndrrën!
Tashmë kam prekur hapin e rrugës pa fré.

Derisa bota sillet në rrethin e vet,
E jeta kalëron tekave të saja gjithandej,
Mos më trazo ëndërrat e jetës së re!

Mos ma fundos ëndrrën time,
Tashmë kur nisa hapërimin e ri,
Ndonëse e përshkojnë qindra befasi.

Shkrep majë malesh si vetëtimë,
Shtigjeve të reja në adhurim,
Sonte do ta takoj në ëndërr, princin tim! 

Të përgjëroj pandal në qiell e diell:
Mos ma fundos ëndrrën e filluar kaherë,
Në shtegtim të jetës sime të dlirë!



SYRI MË SHKREP PRANVERË

Prushi i shpirtit ma ndez ballin plot zjarrmi,
Derisa ëndrra të pafund më shpiejnë rrugëve të reja,
Çurg djersësh ma përshkojnë krahërorin e dhimbjeve
Në pritjen e çastit kur do të kthehesh ti, 
Dhe syri më shkrep pranverë,
Në përmallim.

Buzëqeshjeve ua fal tërë fuqinë e zemrës,
Zbraz mllefin që më ngulfat në krahëror,
E hedh tutje si një gllënjkë vere që djeg,  
Për hir të dashurisë, syri më shkrep pranverë,
Në pafundësi…

Dhimbjet do t’i ndryjë në Kutinë  e Pandorës,
Që  askush mos t’ua gjej rrugën e fillimit,
Do t’i shkund shqetësimet e ikjes pa gjurmë, 
Derisa hija jote përfundimisht të rrëshqas
Në hijen e shpirtit tim.

Shëndritë si nur buzëmbrëmjeve të lakmisë,
Dhe përhap aromë lulëkuqesh deri në qiell,
Për hir të dashurisë, si në kllapi ta përmend emrin 
Dhe syri më shkrep pranverë,
Në galdim.

Përfundimisht syri më shkrep pranverë,
Në pranverën tënde të dashurisë,
Fati i fatit tim!



LYRA E SHPIRTIT TIM

Lyra e shpirtit tim
Ia shtrydh fjalës frymën e fundit,
E gurmazit ia çel kavermat deri në pambarim,
Se këngës i duhet rrugëtim besimplotë, 
Andej kah dëgjohen zërat e lashtësisë,
Rrjedhës së  gjakut tim.

Nuk ka digë që ia ndalon rrjedhën fjalës!
Vullkan shpërthen nga afshi i mallit 
Deri në çmallje të prekjes në kujtesë,
Atje ku priten ecjet zikzake të ditës
Dhe shemben iluzionet e fjetura,
Shtigjeve të ardhmërisë.

Deri në çmallje frymoj me lyrën e shpirtit,
Kavermat më mbushen plot shpresë,
Sa të pëlcas dëshirave të jetës
Dhe të prek ëndrrat e fatit me dorë,
Në Olimpin e synimeve të mia.

Kjo lyrë pellazge,
M’i numron shekujt në ballë
Dhe pafundësisht ia nxjerr fjalëve 
Frymën e fundit, 
Rrjedhës së  gjakut tim.



BALSAM I FJALËS SIME

Do kthehem në balsam 
Gjithë trupin ta përshkoj,
Thellë në shpirt do të futem 
Zemrën të ta pushtoj!

Do të shëndrrohem në gjak, 
Të lundroj venave tua,
Si e marrosur të të pushtoj,
Vallë e kupton sa të dua?

Balsam i fjalës sime
Parreshtur në adhurim,
Shtegtar që pushton ndjeshëm,
Vërtetë, je shpirti im!



ZEMRA IME OQEAN

Përballem gjatë kohë
Me dhimbjet që më prekin në jetë,
Kjo lëngatë më pushton çdo qelizë 
Dhe tundimin e shpirtit të përvuajtur, 
Si kontinentet që lagen parreshtur 
Nga stërkalat e oqeaneve të trazuar.

Zihem me dhimbjen aq gjatë,
Si purtekë e shkëputur prej trungut,
Notoj në valëzimin e pafund tejoqeanik,
(Zeje që patjetër duhej mësuar),
Deri në mposhtjen e thyerjeve shpirtërore,
E zemra më gjason në oqean,
Parreshtur në përballje furtunash.

Zemra ime oqean dallgësh,
Ku fundosen të gjitha dhimbjet e shpirtit
Deri në pikën e bardhë të shpresës. 



KAPËRCEJ  SHTEGUN  E HARRESËS

Kush nuk e dëgjon këngën time,
Nuk i ka dëgjuar kujtimet plot mallëngjim,
As është ndier frymëzues i jetës ndonjëherë.

Mos ia hapni shtegun harresës!
Druaj se ia mbyllni të gjitha rrugët 
Fjalëve plot frymëzim.

Pak këndellje pas ëndrrave të trishta
Në kapërcimin e shtegut të harresës,
Njeriu im.



FRYMËMARRJE 

Pse gjithë kjo angështi kohe?
Si mbarsje e natës pa dëshmitar,
Ku edhe hëna shpërfaq dyshimin 
Me ferkun e ditës së re,
Kohë e përdalë.

Horizonteve të kaltëra,
Po rilind edhe një tjetër ditë,
Plot ndjenja të reja adhurimi
Bulevardeve të reja plot dritë,
E ne ecim kurreshtar vrojtimi,  
Shtigjeve të hapura të ditës së re 
Dhe mbushim kavermat pastërti,
Nga frymëmarrja e këtij agimi, 
Plot madhështi!

Pse kjo angështi kohe sërish,
Mëton t’ia zë frymën ditës së re?
Që nis fillimin e epokës në ardhmëri,
Veç edhe pak frymëmarrje na duhet,
Të ecim ballëlartë rrugës nismëtare,
Deri në dashuri!



DASHURIA NUK KA TITULL

Sot të gjitha rrugët më janë ngatërruar,
Krejtësisht e humbur në mendime, 
E vetmuar si heshtja jam, 
Derisa zemrën tënde se kam pranë,
Mes dëshirave dhe ëndërrave të pafund,
Fuqishëm shpirtin tënd 
Në jetën time e mbaj.

Dua si gjithnjë afër të të kam,
Ngrohtësia e shpirtit që më mungon,
Eja në përqafimin e ri!
Deri në çmalljen e përhershme
Fuqishëm më mbaj në gji!

Eja edhe sot e mot, 
Si çdoherë, eja me puthje e miklime! 
Ma mbush mungesën e ditës, 
Ti - dashuria ime!




SHËNIME PËR AUTOREN


       Ermira R. Jusufi u lind më 08.03.1983, në Vushtrri. Pas kryerjes së shkollimit të mesëm në Gjimnazin “Eqrem Cabej”, në vendlindje, ka vazhduar studimet për histori, në Universitetin e Prishtinës.

      Me krijimtari letrare dhe aktivitete kulturore ka filluar që nga vitet sa ishte nxënëse, duke shkruar e paraqitur shkrimet e saja në klube të shumta letrare të shkollave të rrethit, në emisione të ndryshme kulturore të radiove të atëhershme lokale dhe shquhej me pjesëmarrjen e saj aktive  në organizime të jetës letrare.
      Veprimtaria e saj krijuese, është publikuar nëpër faqe gazetash e revistash, në rrjete sociale, etj. Ndër të cilat veçojmë: “Nacional”, “Metafora”, “Muzg”, “Bota Press”, e “Dituria”, që botohet në Suedi, etj. Pastaj në Web-faqe të shumta, si: “Metafora”, “Ora shqiptare”, “Klubi i Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, “Pelegrin”, në “Poezia ime”, “Zemra shqiptare” e shumë të tjera.
      Në bashkautorësi është e prezantuar në mbi njëzetë përmbledhje poezishë e libra tjerë publicistik dhe antologji, ndër të cilët po përmendim disa prej atyre titujve, si: “Mall poetik -3.4,5”, “Fjala e dhimbjes”, “Lartësia e një jete”, “Mars i përflakur”, “Me shpirt atdhedashurie”, “Ju dua më shumë se veten”, “Vjeshta dhe vargjet-I, II, III, IV, V-2014-2018”, “Trojet e Arbrit”, sesioni XII. Poashtu është prezantuar edhe në gjashtë “Antologjitë “Muzgu” - 7, 8, 9, 10, 11, 12”, prej gjithsej dymbëdhjetë sa janë botuar në komplet, pastaj në dy librat e Prof. Dr. Murat Gecajt “Për ju, krijuese” dhe “Kur flasin zemrat”, në Antologjinë “Nënës”, etj. 
      Përveç poezisë, ajo merret edhe me shkrime e komente tjera puublicistike. 
Për punën e palodhshme dhe sukseset e arritura është shpërblyer me Çmime letrare e Mirënjohje të shumta, ndër të cilat veçohen Çmimi për motivim krijues “Iljaz Prokshi”, në Takimet poetike “Vjeshta dhe vargjet-2014” dhe Çmimi i dytë për poezi në Festivalin e poezisë “Guri i Plakës- 2017”, në Drenas. Edhe çmimet e tjera letrare që pasojnë, si: Çmimi i dytë nga TPSH (2016) në Vushtrri dhe Çmimi i tretë në “Flaka e janarit 2017” në Gjilan, dëshmojnë bindshëm se lexuesit po i vjen një emër që premton.
     Aktualisht është Kryetare e Klubit letrar “Latif Berisha” në Vushtrri dhe anëtare e Art Klubit “Rifat Kukaj”, që nga themelimi i këtij Asociacioni të krijuesve dhe artistëve të Drenasit. Poashtu është edhe anëtare e Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Drita”, me seli në Athinë.
     Jeton dhe vepron në Vushtrri të Kosovës.


Botime të autores:
  • “Sonte zemra ime frymon”, ( poezi) 2015
  • “Mos ma fundos ëndrrën”, (poezi) 2017
  • “Eklipsi i dritës”, (poezi) 2019

Mittwoch, 18. September 2019

Një reagim i znj. Brikena Qama dhe përgjigja e z. Dan Kosumi


Brikena QAMA: Postin e nënkryetares nuk e kam ushtruar asnjëherë!... Dani ka të drejtë në shumicën e atyre që thotë për mosfunksionimin korrekt të kryesisë. Kam qenë dhe unë në Koblenz në 2017 dhe e pashë shmangien e Kuvendit dhe të zgjedhjeve për arsye idiote e të paqarta... Mos më diktoni se ç'duhet të bëj! Gjithkush ka të drejtën të ikë, ashtu siç e ka gjithkush të drejtën të rrijë.
Dan KOSUMI: Ç'mund të bëni ju per te miren e Lidhjes, znj. nenkryetare Brikena Qama, kur dihet se deri me tash askush nuk ju ka pyetur dhe vazhdojne te mos ju pyesin per asgje?! Kur asnjehere nuk keni arritur qe ta ushtroni detyren apo funksionin tuaj si nenkryetare?! Kur prap lejoni qe emri juaj te neperkembet duke qendruar vetem si dekor ne listen e Kryesise se Lidhjes?!... Me thuaj, si mund te rezistosh? Apo, mbase besoni qe zeri juaj mund te jete me i fuqishem se zeri i dhjetra kolegeve tuaj per te cilet ju mendoni se kane ikur?!!! 


Postin e nënkryetares nuk e kam ushtruar asnjëherë!

Shkruan: Brikena QAMA

Udhëtimi im drejt Kosovës ishte ëndërr. Vite të tëra pritje pas përfundimit të luftës dhe pas gjithë mundit të derdhur në rininë time të hershme nëpër rrugët e Athinës duke qenë në ballë të demonstratave mbështetëse të gjithë emigrantëve shqiptarë në Greqi.

Ky udhëtim u mundësua vetëm në viti 2014 pas një ftese të marrë nga LKSHM për të marrë pjesë në një nga aktivitetet letrare të saj, organizuar në Prishtinë.

Ky ishte dhe prezantimi im i parë me Kosovën, Prishtinën, shumë të dashur që prej atij udhëtimi, dhe me Lidhjen e Krijuesve Shqiptarë në Mergatë.

Prej atij viti kam udhëtuar çdo Gusht drejt Prishtinës, për të njëjtën arsye. Njoha miq të mirë e shumë të dashur, njoha njerëz të rinj e mentalitetin patriotik të shqiptarëve të Kosovës.

Gjithçka deri sa u propozova nga shoqata letrare në të cilën aderoja në atë kohë në Athinë, si përfaqësuese e saj në LKSHM.

Postin e nënkryetares nuk e kam ushtruar asnjëherë! Asnjëherë nuk m'u kërkua mendim, ndihmë, ide por gjithsesi në takimet që kam marrë pjesë jam mjaftuar me atmosferën e krijuar mes miqsh me të përbashkëtën tonë, artin e të shkruarit.

Ka kaq muaj që ndjek zhvillimet në këtë shoqatë dhe ndjehem keq! Kam menduar disa herë të reagoj e të jap mendimin tim por kam patur dyshimin të vetja nëse kam apo jo diçka për të thënë, pasi kur flet e nuk dëgjohesh, je i tepërt. Këtë dyshim e pata derisa pashë listën e publikuar nga miku im Dan Kosumi në fb, listë në të cilën figuron dhe emri im si një nga nënkryetarët, listë e shoqëruar ngo lloj lloj epiteti që nuk shkon për emra të veçantë por për gjithë të permendurit në atë listë.

Miku im Dan, a me pyete nëse doja të bëhet publik aderimi im në atë shoqatë? A e mendove mirë se ndoshta ndjehem e fyer kur më quan edhe mua ashtu si ti quan ata që sipas teje janë të padenjë për postet që kanë?

E vërteta është se Dani ka të drejtë në shumicën e atyre që thotë për mosfunksionimin korrekt të kryesisë. Kam qenë dhe unë në Koblenz në 2017 dhe e pashë shmangien e Kuvendit dhe të zgjedhjeve për arsye idiote e të paqarta. Madje u ndjeva e fyer pasi udhëtova nga Greqia për atje dhe në ditën e largimit për një çast mendova se isha e tepërt aty. Askush nga kryesia nuk ishte aty për të më përshëndetur e përcjellë (nëse jo si kryesi, të paktën si zakon shqiptari).

Për gjithë temat e tjera, financa, ryshfetet, anëtarësimet me apo pa vend, nuk kam mendim pasi kam qenë larg gjithë këtyre temave. 

Unë nuk jam peng i asgjëje në LKSHM! As i çmimeve pasi nuk kam marrë asnjë të tillë në sa vite jam aty, por as dhe e ndonjë lidhjeje dashurore pasi asnjëherë nuk më është bërë ndonjë propozim i tillë.

Çmime nuk kam marrë sepse e quaj të mirëqenë nivelin e dobët të poezisë sime, as lidhje erotike nuk kam sepse po ashtu e quaj të mirëqenë se nuk jam aq e bukur e tërheqëse për të tërhequr vështrime e epshe mashkullore.

Pra, duke mos qenë peng i asgjëje shumë mirë unë mund të jap dorëheqje ashtu si miqtë e mi, por... jam mësuar që diçka që shkon gabim, përpiqem ta ndreq deri sa, ose ta ndreq, ose të më mbarojë durimi.

A ka gabime LKSHM? Plot! 
A duhen ndrequr? Patjetër! 
Si ndreqen? Duke ikur? Unë them, jo! 

Një pyetje për të dorëhequrit, pasi të zgjidhet tjetër kryetar e kryesi, a do ktheheni në LKSHM të cilën ju vetë e keni krijuar e mbështetur? 

Fund, mos m'u impononi! Mos më diktoni se ç'duhet të bëj! Gjithkush ka të drejtën të ikë ashtu siç ka gjithkush të drejtën të rrijë. Nuk gjykoj, mos më gjykoni! Gjithë miqtë e mi do të mbeten miqtë e mi edhe nëse kemi mendime të kundërta. 

Më respekt e dashuri për përkushtimin e secilit! 
Brikena Qama, Athine - Greqi





Disa fjalë rreth reagimit të mikes, Brikena Qama.

Shkruan: Dan KOSUMI

E nderuara Brikenë, e lexova letren apo shqetesimin tuaj dhe, te them te drejten, mendova nje here te mos pergjigjem fare. Por, papritmas me erdhen ne kujtese ardhjet tuaja te disahershme ne takimet e LKSHM-se, qe nga themelimi (Nentor 2013) e deri ne kuvendin e paralajmeruar dhe te deshtuar të vitit 2017 në Koblenc.

Mike e dashur, ju jeni nenkryetare e Lidhjes. Lista e Kryesise bashke me emrin tuaj, eshte publike. Ajo figuron tek faqja virtuale  e Lidhjes ne internet! Pra, nuk jam une ai qe kam publikuar lista dhe emrin tuaj. Eshte pune te cilen e kane bere kreret e Lidhjes. Une vetem jam sherbyer nga publikimet qe ata kane bere.

Sekendejmi, me shkrimet e mija te postuara se fundmi, une u drejtohem atyre qe udheheqin shkel e shko me shoqaten dhe jo dikuj qe e pranon edhe vet publikisht se eshte nenkryetare e zgjedhur sa per sy e faqe, duke thëne se nuk e ka pyetur kurre kush për asgje dhe se asnjehere nuk e ka ushtruar detyren qe ia ngarkon statuti si nenkryetare!

Ke pare ti e nderuar se asnjeri nga emrat qe i kam qortuar une publikisht, nuk pergjigjet;  perveq disa zerave te larget, disa zerave qe gjithmone jane injoruar, emrat e te cilve ua kane sherbyer vetem per dekor.  Dhe sefundmi, degjova edhe zerin tend!

Nese mendon se une u merzita dje dhe po ike sot, e ke gabim! Une kam punuar dhe vepruar me dinjitet, duke ngritur tema te ndyeshme dhe duke propozuar qe te shqyrtoheshin probleme te shumta qe ia zinin frymen shoqates. Por, për më shumë se një vit, zeri im i arsyes nuk eshte perfillur nga bosset e LKSHM-se. Per kete, kam deshmi dhe fakte. Madje, deri para pak ditesh, eshe une kam qene nenkryetare i Lidhjes,  ashtu si ju jeni akoma! Por tash po e shoh, po bindem e po befasohem, se vertete paskemi qene te ndryshem!

E them se paskemi qene te ndryeshem, sepse une nuk mund t'ja lejoja vetes per te qendruar me gjate aty ku nuk degjohet zeri im i arsyeshem. Nuk mund te qendroja i heshtur perballe keqperdorimeve te tmerrshme qe ndodhnin. Nuk mund te heshtja dhe te qendroja krahperkrah me njerez qe ne te kaluaren i kishin sherbyer pushtuesit, sepse ne ate menyre do te kisha mohur perpjekjet shekullore qe jane bere per çlirimin e atdheut, do te kisha mohuar gjakun e derdhur te deshmoreve, do te kisha mohuar krenarine e te qenurit shqiptar. Kurse ju... Ju perkunder faktit se gjate gjithe kohes jeni injoruar, perkunder faktit se kurre nuk jeni pyetur per asgje, perkunder faktit qe edhe vet e pranoni se postin e nenkryetares nuk e keni ushtuar asnjehere; ju prape vazhdoni te qendroni e heshtur dhe formalisht ne ate post, ju prape vazhdoni te qendroni vetem si dekor i asaj kryesie!

Kur dhjetra ish themelues, anetare kryesie e nenkryetar u detyruan te jepnin doreheqje vetem per shkakun e parregullesive te shumta, per shkakun se nuk u degjua zeri i tyre, per shkakun se u injoruan, per shkakun se ata vendosen te mbrojne dinjitetin e tyre dhe nuk u pajtuan te qendrojne perkrah njerezve te perfolur si kolaboracionist; athere vetvetiu shtrohen disa pyetje:
Ç'mund të bëni ju per te miren e Lidhjes, znj. nenkryetare Brikena Qama, kur dihet se deri me tash askush nuk ju ka pyetur dhe vazhdojne te mos ju pyesin per asgje?! Kur asnjehere nuk keni arritur qe ta ushtroni detyren apo funksionin tuaj si nenkryetare?! Kur prap lejoni qe emri juaj te neperkembet duke qendruar vetem si dekor ne listen e Kryesise se Lidhjes?!... Me thuaj, si mund te rezistosh? Apo, mbase besoni qe zeri juaj mund te jete me i fuqishem se zeri i dhjetra kolegeve tuaj per te cilet ju mendoni se kane ikur?!!! 

Miqesisht e me respekt, Dan Kosumi