Nebih Bunjaku |
MILLI IM ËSHTË SHQIPËRIA
Shpatës së Skënderbeut në Vjenë
Jam e vjetër me shumë vlerë
emrin tash e kam Pranverë
n’luft’ra t’ashp’ra ndër beteja
ndriçoj natën si rrufeja
kurrë s’luftova për muze
veç për diell e Mëmëdhe
në baltë kurrë s’e lashë Hirësinë
Flamuri ilir t’valojë n’çdo stinë
mua s’më ha asnjë limë
jam relikt për historinë
kur Naimi më puthi në Vjenë
në sy i pashë Skënderbenë
më ndryshk malli në mërgim
n’Bulevarde s’gjej ngushëllim
tash pesë shekuj n’dhe të huaj
të gjitha ëndrrat i shoh n’Krujë
kur Mëmëdheu t’ketë nevojë
jam e gatshme t’i bëj rojë
ëndrra ime është Iliria
milli im është Shpipëria
SHTËPIA E LIDHJES
N’Prizren n’zemër Shqipërie
Besa dha Besën n’Kuvend
në Sofër t’madhe historie
do të vdesim për këtë vend
në Prizren u lidhën Zemarat
u mboll fara e Pavarësisë
në Histori u gdhendën Emrat
në ngjizje gjaku të Lirisë
Sylejman Vokshi Ymer Prizreni
Abdyl Frashëri e Mic Sokoli
Krenaria e mbarë këtij populli
në Kuvend me Një Gojë foli
ligjërojnë fjalë Perëndie
ky Atdhe gjithmonë ka Zot
Besa e Besës lidhet nyje
n’vend të bukës hamë barot
në gurë themeli u vu besa
armaturë e ardhmërisë
n’Shtëpi t’Lidhjes u shpall Fejesa
midis vdekjes dhe Lirisë
n’Prizren perëndoi hëna
lindi Dielli në Prizren
n’kaptyll djepi bekoi Nëna
me gjak mbrone Ju këtë vend
LOTI I SHPIRTIT, ÇAMËRI
Loti i shpirtit, Çamëri
Lumë i dëbuar nga shtrati
kush t’i ngatërroi ëndrrat
djalli a lugati
Çamëri, Ti Lot i lotit
kur do më shërohesh
Perlë n’kujtimet tona
kurrë nuk do harrohesh
Çamëri, Ti Lot i lotit
mërguar në Atdhe
n’Mallin tënd do kthehesh
-në Çamërinë e Re
TRENI I DHIMBJES
Një tren më i zi se futa
binarëve jashtë kohës
kudo barte dhimbje
netëve me plot stuhi
sa i përgjakur ky tren
me pleq gra e fëmijë
nxitonte drejt Bllacës
nga ferri në ferr
nëpër ëndrra mesjete
pa shofer pa kondukter
ngarkuar me dhimbje
i verbër dhe pa orar
netëve nxinte natën
pa itinerar
TESTAMENTI I LOTIT
Në natën bizantine pa hënë
Ne jemi plaga më e re
e Gjergj Elez Alisë
se hijet korb të zeza
na rrëmbyen
në prag të Shtëpisë
na ka mbetur vetëm shpirti
midis robërisë dhe Lirisë
midis Jetës dhe vdekjes
sot imazhi ynë
varur grilave të Kuvendit
është odisejada jonë!
Testamenti i Lotit
në Flakën e qiririt jeton
lagur nga shiu ngrirë
nga acari i dimirt
lëbyrur nga dielli
le të ndizen Qirinjtë
që të ngrohet shpirti ynë
në Dritën e Lirisë
në Pentagramin e Mallit
edhe zemra ka dhimbje
nga ëndrrat e trishta
për eshtrat e humbur
në Ritualin e Pritjes
nuk duam të jemi
mjet kusuritjes
në sofrën e djallit
Liria nuk bën tregti
as me hijen tonë
as me vetveten
as me robërinë
Ne nuk jemi arna leckash
për thasë lypësarësh
tryezave bixhozxhinjsh
Ne jemi Ajka e kombit
bazamant në Flakën e Lirisë
të humbur janë ata
që ende kusuriten me djallin
për tokat tona të shenjta
PORT DASHURIE
Unë jam port i çdo dashurie
ku mund të ndalet çdo anije
e ngarkuar me intimitete
n’ujëra t’ëmbla dhe në dete
për ty jam shumë kureshtar
mezi pres të ankorohesh
n’shpirtin tim lësho spirancën
të pushosh të relaksohesh
valët e zemrës m ‘i trazon
në çdo stinë unë ty të pres
nëse s’ndalesh më kalon
për një puthje do të vdes
mos e ngit flamurin e bardhë
oqeaneve me shumë stuhi
ditë e natë jam sogjetar
do t’shpëtoj me dashuri
PËR DASHNI S’KA SEMAFOR
Për dashni s’ka semafor
mall që vjen si meteor
n’dritë në tërr nuk njeh ngjyra
më e bujshme se vetë natyra
nuk njeh moshë as entitet
çdo harlisje i ka lezet
është ilaç melhem për plagë
midis zemre vulë e vragë
flet pa tinguj flet pa fjalë
gjuha e saj sublime e rrallë
herë si rreze herë si hije
ndjenjë hyjnore – perëndie
NË TAKIM TË PARË
Në takim të parë
lirshëm flet belbëzimi
fjalëve u dridhen buzët
buzëve vetë guximi
syve plot kureshtje
u dridhet shikimi
nga buzëqeshja e parë
me lule gjelbërimi
duart e flakëruara
kudo hulumtojnë
gishtat ndezur flakë
ëmbël ledhatojnë
femrave buzëqeshjet
këmbëve u drimen leqet
gjatë puthjeve të zjarrta
edhe burrave musteqet
PLAZHIT TË ZEMRËS
Plazhit të zemrës sime
shtrihu gjer e gjatë
çokollatë e thekur
hahesh ditë e natë
nëpër viset e tua
kur shtruhesh në plazh
notoj pa pushuar
nëpër çdo masazh
sapo del nga deti
gjelbëron në sytë e mi
peng ëndrrat e tua
mbushur dashuri
me buzëqeshje në buzë
shpirtin plot magji
më shpërfaqesh zemër
thellë nëpër vetmi
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen