Mittwoch, 8. Juni 2016

Nehat Jahiu - Cikël poetik


DUARTROKITJE

Duartrokitje, piskamë…
të gjithë ngriten në këmbë,
kur në foltore del Delia
gëzohet cjapi edhe dhia.


Ngrihet pluhuri në tavan
kur diskuton Delija  i madh,
edhe maçorri e ngrit bishtin
kur ai na e lëviz gishtin.


Qetësia na e kaplon sallën
kur Delija na e merr fjalën,
kur na ha, ha mish e lakra
ec e ndalja të shkretat pallavra.


BISHTI T’U NGRI

Seç na u dogj e na u shkri
kur n`pjergull shihte rrushin e zi,
seç digjej t`ngjitet n`majë lart
rrushin donte për ta kapë.


Ah, rrush, i ëmbël, rrush i zi
seç më dogje, seç m’ke shkri
seç më fute thellë n’mulli
rrushi më doli i thartë-bishti m’u ngri.


VAJ MEDET

Vaj medet,vaj medet,
o, i shkreti, ti milet
duke pritur ditë e natë
nga, Mafuzi dioplomat.


Vaj medet, o ti  milet
prite me muaj e vjet,
politikani ishte në sëkëlldi
me ujkun kish lidhë krushqi.


Vaj, vaj medet
o, urti, ti milet,
ti Mafuzin e kishe djalë
por, ai ishte bukëshkalë.


TË VARROSËN

Ata që të ngritën n’majë mali
sot të varrosën ty për së gjalli,
deri dje ty  të kishin” perëndi”
sot ta fusin kokën thellë në hi.


Dikur  para teje jepnin, betimin
se ti ua kishe dhënë premtimin,
të prisnin gjithmonë para dere
i kishe klysh, s`bënin potere.


Ata që s`mund të pritnin ulur
sot për ty na ngritën shumë pluhur,
ngritën pluhur e na bënë zhurmë
jo si dje me lavde, por me shkumë.



PA YNDYRË

Si maçok seç të shikon në sy
në sahan diçka don për të lëpi,
herë në një vend, herë në tjetër
s,e harron  zakonin e vjeter.


Me puthadorësh futet në skuta
si qenin kur e kaplon zhuga ,
afrohet dalngadalë pranë sahanit
si nuse,përkulje i bënë të madhit.


Nuk ke në trup  një pikë yndyrë
fytyra e yte si e rrojtarit pasqyrë ,
si dhelpëra vjedh me sy prej vrimës
tek sahani na vjedh hirrën e gjizës.


Edhe në sahan ty po të pështyjnë
ti turravrap vrapon prap për të lëpijë,
turp nuk ke patur njeherë në jetë
të dekoruam sahanlëpirës me fletë.


SHET GOGLA PËR DUSHK

Në tubime na del e pëllet
dardha t`kalbura na shet,
vetëm blej e sa mund shit
vetëm për një okë drith.


Hipur lart diku në kodrinë
çirret si ndonjë shtrigë,
luftojnë me pushkë e topa
ne thonë jemi “Mic Sokola”.


Kënga e tij  na është e vjetër
shpesh përsëritet në letër,
fjalët e tij janë top e pushkë
shet vetëm gogla për dushk.


NUK FLE LUMI

Nuk fle lumi
nuk fle deti
nuk na flika deputeti
për të mirë t’elektoratit
bëke kënaqësinë e rehatit
rrogë e majme
dhe ryshfete
besa-besën
një për djalin
dy për mbesën
tre për shefin
dhjetë për vete!
tungjatjeta, zoti Mete!...


ME KREDI E PA KREDI

Me kredi e pa kredi
ngritnin vila dhe shtëpi,
se kishin hyrë në parti
ngritnin pallate me shumë kate
u pjell pula vezë flori.


Blenin takëme e vetura
blenin pata, gjela, pula,
(Deri dje me gishta i fshinin qyrrat)
po kishin miq në qeveri,
i blenin të gjitha me kredi
jo për mua e për ty
sepse s`ishin në parti,
ne rronim me gjizë e turshi.


SEÇ U ÇMENDËN

Seç u çmendën edhe breshkat
pemëve seç na u ranë gjethët,
na dridhen hardhucat në vrimë
na dalin jasht  të gjithë minjtë.


Kanë hapur veshë, dëgjojnë
sa munden, vetëm vallëzojnë,
u  çmendën nga këngë e bukur
kurrë s`kanë qenë më të lumtur.


Kur ia thonë, këngës disa këngëtarë
dredh maçoku mustaqet në një anë,
seç na çmendën burrat e gratë
kur na këndojnë hutat në fshat.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen