Sonntag, 14. Mai 2017

Kujtim Stojku: Cikël poetik

HIJA E PERSONALITETIT

Veten time e gjej n’mes ngjyrës qiellore të ndritshme,
Por ajo akoma nuk është një ngjyrë e bruzët,
Por s’mund ta gjej veten në një ngjyrë të murrët,
E cila është një hije që gjithmonë vjen e përdridhet.

Edhe pse në varësi të rrethanve,
 Unë shndërrohem në një hije shumë ngjyrësh,
Ku të tjerët pushojnë në një park me pemë artificial,
Një ngjyrë duket e tmerrshme në horizont,
E unë shaloj nëpër re kuajt e bardhë.

Hija ime e preferueshme është ajo e gurit të rubinit,
E cila shkëlqen fort me ngjyrën e saj,
E cila ndryshon si e pa besë nën hijen e vërrinit,
Ku të gjitha ngjyrat përzihen,
Kalben e unë hundën më dorë zë pastaj.

E zeza e kalbur kthehet në një bijë të kuqe t’ përhimtë,
Por në pikëllim ajo s’mund të ndryshojë me pahir,
Nëpër vena vërshon gjaku me tërbim të zjarrtë,
Gurgullon nëpër lëkurë duke na skuqur flakë.

Në vend që të bëhet një perlë trëndafile e qetë,
Që ta plotësojë rubinin e ta ngazëllejë zemrën e shkretë,
Unë qetësohem në trumzën e butë duke thithur luleshtrydhe,
Dhe atëherë më qetsojnë të gjithë duke kënduar,

Ca re ngjyrë qershie n’hapsirën qiellore dolën vetë… 

LULE NË MUR

Në murin e shtëpisë vjetër ndërtuar prej guri,
Ku gjyshi kishte derdhur gjithë mjeshtrinë e tij,
Gurët e gdhendur mjeshtrisht nga një dorë burri,
Peshuar me plumbçe hynë në shekullin e ri.

Shakullinat dhe tërmetet e kohës se shembën asnjëherë,
Por vetëm u plasarit nga tronditjet e mëdha,
Në plasat e tij mbinë lulë përhapin erë,
E unë sot me thinja i këpus nga këto të çara.

I mbaj në duart e mia gjithë rrënjë,
Lulet e vogla drejt në sy më shikojnë,
Me gjuhën e tyre të heshtur n’mendime më kanë vënë,
Lulet e vogla u mundova t’i kuptoj.

Pyetjeve të mia krye ylur iu përgjigjën
Duke përhapur përreth një të këndshme aromë,
-Ja - më thanë - ne edhe në gurë lëshojmë rrënjë,
E shpirtin tim m’a bënë që të këndojë…

CJAPI

Sa herë vjen pranvera dhe lulet lulzojnë,
Zogjtë këndojnë si të dehur këngët e tyre si nga hera,
Yjet e rastit në kupën qiellore xixëllojnë,
Cjapi hutohet kur sheh gjethet e gjelbra.

Ai bredh nëpër vragat e tij në shtigjet shkëmbore,
Mundohet të ngjitet nëpër frashra dhe lisa,
Në majë të kresë i zgjaten dy brirë në formë kurore,
Pas kurorës mbretrore e gjithë tufa e dhive nga pas e ndiqka.

Rrëketë për çudi të gjithë rridhnin qumësht,
Cjapi si kokoroç kalonte tutje me këmborë në qafë,
Kodrave dhe luginave bërtiste meee,që oshtinin kudo,
Përtyp gethe të njoma,pas ferrash fërkon mjekrën e gjatë.

Duke u endur nëpër pyje ai pa nimfat,
Që bashkë me lulet zbukuronin livadhet,
Atherë ai bërtiti meee me të madhe,kjo ishte gjuha e tij,
Rapsodinë  e tij t’gjitha nimfat e pranuan edhe kësaj radhe.

Kështu që ne dëgjojmë sot një muzikë me kompozim të ri,
Shohim nimfat nëpër pyje vardallë duke u sjellë,
E,më pas ky cjap i gjorë iu dorzua një kasapi shpirt zi,
Pasi e vari në çengela,pa mëshirë filloi me e rrjepë…


PSE OSHËTIN KJO KËNGË

Të shtirem e të gënjej nuk dua asnjëherë,
Kur shpirti rënkon në delir flet përçart,
Si i dehur këngës ia marr pandërprerë,
Prej ngricës së acartë gati sa nuk plas…

Ashtu siç linda e kam thurur melodinë,
Me zogjtë nëpër degë në zabele kemi kënduar bashkë,
Këto vargje prej të çmenduri ndosha ta shtojnë mërzinë,
Si i dehur prej rakisë,nga fillimi ia nisja prapë.

Me veten time unë flas vazhdimisht,
Si gënjështar kur kaloj unë s’të shoh në sy,
Deri tani u jam shitur si hipokrit me madhështi,
Por ju betohem or miq,unë nuk jam hënë bri kau,
Si vetull e zjarrtë mbi sy u jam kthy.

Fjala ime e shkruar shpesh më ka vënë në mendime,
S’i mashtroja njerzit me gënjeshtra pa u skuqur në fytyrë,
Me fjalë të mëdha  dukej se mburrja veten time,
Për  ta isha si dhelpra,në gjoks më përkundej mendimi i ligë…

Por vetvetja ime është tjetër nga ajo që ju thoni,
Si analfabetë s’kërkoj të më thoni çfarë them unë,aspak,
Janë tingujt e një shpirti krijues që ju tashmë e dëgjoni,
Por ngandonjëherë jam i rezervuar,dorëthatë.

Fjala nga pena ime fluturon si shigjetë,
Për  çfarë kam thënë janë rënkime që rënkojnë,
Do të isha i shpërfytyruar nga ai që jam në të vërtetë,
Klithmat e ëngjëjve qiellorë më shoqërojnë.

Për çfarë kam thënë,
Pena ime asnjëherë s’u thye,
Kryq e tërthor qiellin  i kam rënë,
Duke sjellë mesazh prej perëndie…
I dehur nga muza e qiellit,
Prandaj oshëtin kjo këngë…


JA ÇFARË DUA UNË…

Atë që dua unë si çmendur,
Ta thashë vetëm ty,
Besoj askujt s’do t’ia thuash,
Kockat dua të t’i bluaj deri në fund,
E,kjo është nga dashuria  madhe,
O Zot sa të ty dua unë.

Eshtrat e tua i dua deri në fund,
Sëbashku me dhëmbët dhe ato të çmendurat eshtra,
Si njeri i krisur që eci mbi bërryla dhe gjunjë,
Parakrahët si kurva në dolën shumë të pabesa.

Sot në modë është shumë leshi,
Disave u ka dalë,ca të tjerë e kanë vënë vetë,
Për syrin tim ngjajnë me kafshët,duken prej së vërteti,
Shpesh iu shoh shpinë kërrusur por jeni shumë të vegjël,
Më pas për çudi zgjateni dhe qëndroni drejt.

Sipërfaqen e ujit gjithmonë e ngatrroni me pasqyrën,
Sepse trupin e shihni të zhubrosur krejt rrudha – rrudha,
Në pasqyrën e krisur se njihni dot fytyrën,
Në mes këtyre labirintheve udhën e humba.

Duke vëshguar vorbullat e ujit ju shtypeni në çdo anë për çudi,
Unë dëgjoj thyerjet e kockave që aq shumë të gjithë vuajnë,
E paparë,mundoheni të mbuloni hënën me dhjetë gishtrinjtë,
Fluturoi një tufë korbash,krokamat pas janë duke ushtuar.

Sa herë vishni këpucë ju duket vetja se jeni rritur,
Edhe sot me hijen e mëngjesit mateni mjerisht,
Eshtrat tuaja therin,dhimbjet e tyre i dëgjoj i çuditur,
Viruse të ardhur nga vendet e huaja,e shpirti yt vetëm klith…

GURËT E RRUGËS

Gurët e vegjël nëpër rrugë dukeshin të gëzuar,
Lodronin me njëri tjetrin herë bashkë e herë vetëm,
Ata nuk e dinë se ç’është një shoqëri mendje turbulluar,
Nuk dinë ç’është ankthi dhe shqetsimi për ditën tjetër.

Rruga e veshur me një xhaketë ngjyrë kafe lecka-lecka,
Universi në heshtje mbi të kalon,
Dielli krejt i pavarur me shkëlqimin e tij pjesë merrka,
Në dekretin absolut të rastit,me naivitet firmos…..

ZEMRA E GRUAS

Zemra e gruas rreh bashkë me agimin,
Bashkë me zogjtë ia merr këngës anembanë,
Fluturon bashkë me ta,
Mundohet të coptojë litarët e shqetësimit,
Prej lotëve që i rrjedhin nga sytë, mbijnë lule,
Në gjoksin e saj e ardhmja ëndrra është duke parë.

Në sharapollin e jetës luginave bredh,
Nga jehonat e shpirtit buron një e ëmbël melodi,
Zgjohet prej tyre,
Një ëngjëll mbi buzët ngjyrë alle valle hedh,
Nektarin e jetës ajo sjell në shtëpi.

Pas natës kthehet dhe zemra e saj,
Në një kafaz të huaj tik- tak fillon e rreh,
Gjendja e vështirë asnjë hap s’i është ndarë,
Perëndeshë e botës, botën përkund në djep.

Ëndrrat për yjet janë ninullat e saj,
Kur nata copëzohet sytë i ndrisin bashkë me diellin,
Buzqeshja në horizont ia admiron fytyrën ,
Si mjellma, këngët e saj shpirtin ta ndezin…

DELIRUM

Arti i zbehtë është i mërzitshëm,
Hija zgjatet, matet me rrokaqejtë,
Me mendjen tënde ndërton një palë shkallë,
Që janë krejt të çuditshëm
E gjithë natën e gjatë hyp e zdryp në qiell…

Retë duket se po i mbledh vetë me dorë,
Bashkudhëtar përçartjesh është vetëm shkalla
që vjen e zgjatet vetë,
Por sytë i ke të ngulur këtu në tokë
Yjet kanë një tjetër lindje
Si sy të trishtuar ndryshojnë.

Akoma pa çelur lulet petalet vyshken,
Dikush mundohet hapat e diellit të numërojë,
Të lodhur nga koha degët e pemëve përkulen,
Në çdo britmë njeriu jehojnë
Dëgjoj të farktohen zinxhirët e mendjes…

DYFYTYRSI

Diku thellë nga brenda,
Një betejë që rezulton si askund,
Kontrolli është i humbur në këto beteja,
Midis këtyre fytyrave ka vetëm një monedhë,
Unë tërhiqen në skalionin e pasëm,
Mendja ime gdhend fytyrat mitologjike,
Nga bota fëminore tashmë kuçedrat janë harruar,
Por shihen të përgjunjur,
E ajo bredh akoma në mendjet tona,
 Si e vërtetë,por e gënjeshtërt,në personazhet mitike.

Copëza ëndrrash të thyera pamëshirë,
Përmes reumatizmës dhimbjet i ndjej thellë,
Kockat më therin,moti përherë është i ligë,
Fjala ime gdhendet nga fytyrat me vështrim të rreptë.
Shuplakat në fytyrë
Klasifikojnë pushtetin e dhunës,
Për këtë veprim s’kam guxim që të shoh qiellin,
Kur dashuria shprehet përmes kafshimeve të kurvës,
Pas buzqeshejes së shtirë dashuria ime është zhdukur,
Kulpëra pështillet pas trupit duke buzqeshur si debil,
Pemët kanë ditën e tyre për t’u lutur…

Tmerret që kemi kaluar akoma na vështrojnë si kandrrat,
Në mendimet e së kaluarës jemi gremisur,
Nëpër gremina gjithmonë si barbarë,
Turrem të mbledh copëzat e lotëve të tharë,
E,për këtë më quajnë se jam njeri i krisur.
Si hajdut nga sytë e skifteri vodha flakën e verdhë,
Shqiponjën e shoh kur Prometeut mëlçinë ia han,
Ndëshkim se për zjarrin e perëndive që ka vjedhë.

Jmi munduar të jetojmë si njerëz normal,
Natyrisht që edhe vdekjet i kemi dashur në këtë mënyrë,
E kemi ditur që në labirinthe ka nevojë të veçantë,
Çuditërisht iamgjinata më shtyn të mendoj larg.
Koha po skalit një fytyrë tjetër,
Neni ligjor i parë është gjymtimi i lirisë,
Na e tundin para syve si një paçavure të vjetër,
Astarët e xhakatevate janë mushur me argjend dh ar.

Një shtëllungë resh rend nëpër qiell e më tregon rrugën,
Na mëson të mos ia kemi frikën bubëllimës,
Vetëtima më shumë se kjo është e ligë,
Rrezet qiellore zhbllokojnë fuqinë e mendjes sime,
Duke notuar në një det të paqarë lotësh,
Pa vaj e pa klithmë.

Një rreze drite të re e kemi kërkuar vazhdimisht,
Për aluzionet e fatit,
Rrahjet e zemrës më duken se rrokullisen,
Fytyrat si kuptoj pse ndërrojnë shpesh,
Brenda njeriut shpirti dekompozohet,
Përpjekjet e xhindosura ta heqin atë vel,
Se çfarë duhet të bëhet mbetet akoma një mister,
Pabesia e qiellit,praverën e bën të ankohet.

Në betejat e pafund kemi parë shumë dyfytërsi,
Humbja e vetme o Zot është e imja,
Pasojat në çengela të varura rrinë,
Nxisin mendimet papushim që me mundim i lidhja.
Lahutës i këputet teli,
E varur në mur rri e vrenjtur,
Tingujt e saj të mprehtë shpirtin ta therin,
Ajri dridhet
Oshëtimat në ndryshkun e kohës varë kanë mbetur...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen