Sonntag, 20. September 2015

Letër e hapur nga Burhan Klaiqi Pajaziti

Ka disa kohë që në vendin tonë ka filluar fushata nga partitë tona që të fshihet realiteti i dhimbshëm dhe qytetarëve t’u ofrohet premtimi i gënjeshtrës së bukur.
 

Politikanë të nderuar, shpesh po e pyes veten, se për çfarë jeni duke folur ju? Jeni duke testuar forcën tuaj, apo po përgaisni një kurth të ri për qytetarët!? Gjatë gjithë kohës flisni për gënjeshtren e bukur, zhvillim ekonomik, mirëqënien ndaj qytetarit, arsim cilësor dhe shëndetsi efikase. Për çfarë arritjesh flisni? deri kur do të vazhdoj kështu, dhe, në çfarë stadi na keni katandisur?.

Jemi lodhur prej mjegullnajës që keni krijuar, e cila ende po e tërheq masën e popullit. Sikur të ishit i vetmi por fatëkeqësisht nuk jeni, sepse njësoj si ju, janë edhe të gjithë ata të tjerët që bashkëpunojnë me ju. Kjo ngjan sikur të gjithë së bashku keni studiuar marketingun politik dhe e keni nuhatur se cilët njerëz duhet t’i peshkoni gjatë fushatës tuaj zgjedhore. Por mos harroni, se kurrë nuk do t’i takojnë asaj mase të gjithë njerëzit që ju dëshironi. Ata që mendojnë ndryshe nga ju sot janë të shumtë, sepse kemi filluar të mendojmë me arsyen e shëndosh. Kështu ne kurrë nuk do të pranojmë që ju të na shkatërroni ardhmërinë në emër të demokracisë, sepse ardhmëria është e jona.

Gjithashtu ne nuk mund të lejojmë duke parë se si ardhmëria e popullit shkatërrohet vetëm për qëllimin që ju të keni për ‘’ardhmërinë e ndritur’’. Është e pa mundur që në shekullin XXI-të, të durojmë që të jetojmë nën këtë regjim.
 

A jeni të vetëdijshëm se në çfarë situate janë qytetarët tuaj? Në vend që ju të jeni shembull për ne, që të mësojmë nga ju, të jemi krenar për përfaqësuesit tanë, të mburremi me ju, ne, për fatin tonë të keq jemi të detyruar t’a fikim edhe televizorin kur paraqiteni ju, të ndjehemi të turpëruar prej jush.

Ndërkoqë që personalisht ndjehem i turpëruar që jam qytetar i këtij vendi. Ndjehem i turpëruar kur dëgjoj se çfare flisni ju dhe me të drejtë më lindin pyetjet. Po ju zoti Kryeministër, a ndiheni i turpëruar?! Ju të nderuar politikanë apo kryetarë, a ndiheni të turpëruar për veprimet tuaja, që qytetarëve u’a shkatërruat rininë, fatin, dashurinë, ardhmërinë, me një fjale jetën?!

Populli im i dashur!- a e keni kuptuar se sa kanë manipuluar me ju? A e keni kuptuar se prapa premtimeve të tyre fshihet interesi i tyre personal dhe jo i juaji?! Këta njerëz shtiren kinse se njëri punon për mirëqenien e qytetarit, kurse tjetri (bashkëpunëtorët e tij) për rritjen ekonomike . Ndërsa në të vërtetë punojnë për t’i krijuar favore vetes, për të përfituar në kohë dhe për të prekur ndjenjat e tua, për të pasqyruar pamje të rrejshme nga e cila do ta arrijnë që të dalin sa më të pasur dhe të fuqishëm, kurse ti popull i dashur, i infektuar me urrejtjen, largohesh nga gara i varfëruar financiarisht dhe shpirtërisht. Duhët theksuar se një vend i vogël si ky i yni, që në glob është shënuar si një pikë e vogël që nuk shihet asgjëkundi, vijon të jetë i izoluar, sikur ne të ishim jashtëtokësorë. Kështu neve na i kanë mbyllur kufinjtë, derisa të tjerët u’a hapin rrugën popujve të tyre drejt një Evrope të bashkuar.

Ju na flisni për një zhvillim ekonomik kurse shoqëria vazhdon të shkoj drejt shkatërrimit. A mendoni se ka ardhur koha që të ndaleni tashmë? Populli kërkon vepra dhe jo fjalë boshe, jo premtime e përralla, jo gënjeshtra të bukura për t’i krijuar vetes hapësirën, për veprimet tuaja elektorale.

Të ndëruar politikanë!-duhet të ndaloni që qytetarët ti trajtoni si një artikull për manipulim politik e partiak. Është e pafalshme që mungesa e mbështetjes ndaj gjithë kësaj rinie, që me gëzimin më të madh ka mbaruar studimet duke menduar që një ditë do ti kontribojë popullit dhe vendit të vet, e që sot ka ngelur në mëshirën e fatit  dhe në lutje për të gjetur një vend pune për të siguruar kafshatën e gojës.

Të nderuar politikanë!-a ju vret ndërgjegjja ndonjëherë se në vendin tuaj keni mbi 40% të rinisë të papunë, kurse pjesa tjetër kërkojne mundësinë që të ikin nga vendi i tyre për të mos u kthyer kurrë më. Ndërsa ju dukeni sikur ju ngritet morali kur i shihni ata të vuajnë apo të largohen?

Na tregoni se çfarë keni bërë për këtë popull që të mos ik nga vendi i tij, na tregoni se cilat janë  arritjet tuaja që po mburreni sot. Ato arritje që nuk po i shohim , të cilat duket që janë vetëm imagjinatë dhe të prekshme vetëm nga ju.
 

Populli im i dashur, dua ta përshkruaj vendin tim në mënyrën më origjinale të mundshme.

Në këtë vend të drejtën e jetës nuk e kanë ata që quhen qytetarë por vetëm ata që quhen politikanë. Jetën në vendin tim e dikton politika ku emri qytetar është i papërfillshëm.

Tek politika rëndësi ka vetëm se cilës ngjyrë i takon dhe pak rëndësi ka se cilat janë nevojat e qytetarit. Në vendin tonë vuajtjet janë të pafunda sepse interesi i pushtetarëve tanë nuk është që të ndalin ato. Në shtetin tim i sëmuari duhet t’i paguaj edhe ato shërbime mjekësore të cilat pushteti thotë se janë falas. Në shtetin tim për tu arsimuar duhet të paguash edhe pse pushteti thotë se arsimi publik është cilësorë dhe falas. Në shtetin tim për të fituar drejtësinë duhet të paguash edhe pse pushteti thotë se të gjithë janë të barabart para ligjit. Në shtetin tim aktuale dhe me vlerë është vetëm skena politike, në të cilët veprohet me stilin, që sa më shumë të vjedhësh e të shkatërrosh aq më shumë të vlerësojne. Këtu qytetarët nuk kanë me ç’ka të ushqehen dhe jeta e tyre është vjedhur që në lindje duke u varrosur për së gjalli. Dhe keshtu do të vazhdohet deri në një pafundësi të shkatërruar, duke u tharë me shpresën e heshtjes për një ditë më të mirë. Andaj ka ardhur koha e ndryshimit dhe ndryshimi është në dorën tone, të qytetarëve dhe jo në mendjen tuaj, në mendjen e politikës.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen