Donnerstag, 17. September 2015

Poezi nga Naxhije Doçi (1)


UDHA E KOMBIT

Udha e Kombit “Dr.Ibrahim Rugova” 
ëndërr e dehur e rrënjës,
përfytyrim i pamposhtur bujshmërie
me madhështinë e hovit triumfues
për njëjtësi peizazhesh të etura etnike 
në shekullin e ri XXI
shkëputur gjenezës së vet të frymimit  
nga shkafnjimi ogurzi i hartave
dhe provokimi i kufijve me plagoma.
“Vija Ignatia” antike e përtrirë
që lidh Kosovë e Shqipëri
dhe tërë Shqiptarinë  
e Njerëzinë. 
Lidhja tokë-tokë
e tërësisë sime krahështrirë
rrënjë-dëlirë pellazdo-ilir 
harkut flakërues për diellin 
e gjuhës shqipe të shenjtë 
komunikim nga perënditë,
lidhja e çdo gjëje të njëjtë 
që nga parahistoritë.

Puhi e mëngjes-korrikut 2012 
lirshëm shtrin valëzimin magjik 
me dalldisje të hedhura shëmbëllimi 
nëpër trasenë e përmallimit të djegur
me shtresa betejash të thepisura 
larë me rrëke gjaku 
e gurgullimë lotësh në qepallë, 
miklueshëm ma freskon ballin 
për ninullën gjurmë-ruajtur 
shtigjeve të frymëmarrjes 
brezave të trungut tim.

Udha e Kombit
mëtim kohësh të braktisura 
nga myku i përdaltë i errësirës,
i të palarave të shkaktuara
nga xhelozitë e hipokrizuara 
të fqinjëve syshkyerë e kobzi
për shkëlqimin tim si margaritar,
filozofinë e thellësishme të gjyshit
dhe trimëritë e dëshmuara
heshtur e nëpërkëmbur me lëndime
me rituale të vjetra e të reja 
të tragjedive të projektuara
me kërshërinë e zhdukjes sime.

Hapërimi nëpër Udhën e Kombit 
pranverë e dehur me vrulle zgjimi 
shkrirë në ujëvarë lumi 
me jehun e buzëqeshur melodik. 

Kujtimet e hidhura
dhe përsiatjet e thinjura 
që ma sëmbonin trurin deri në gërryerje
me vite e dekada
në arkiv i sistemova 
me maturi
që të ruhen për histori.

Udha e Kombit
lidhja tokë-tokë
e tërësisë sime krahështrirë
harkut flakërues për diellin 
e gjuhës shqipe të shenjtë 
komunikim nga perënditë,
lidhja e çdo gjëje të njëjtë 
që nga parahistoritë.



LIRIA IME E HIPOKRIZUAR
             (Mitrovicës)

Një ditë gushti të Jubilarit 2012
dehur vrullesh të pamposhtura 
pash më pash Kosovës i rashë 
shoqëruar me rrebeshe kujtimesh
që nuk më linin asnjëherë të qetë.
Nëpër tërë zemrën e saj hapërova
legjendën për ta shfletuar 
që ruan me xhelozi të kallura
gjurmë-stuhitë me mëkate kohësh
damarëve të trungut tim të dëlirë.

Në Mitrovicë monolog i vrarë 
plagët pa dregëza moshe,
zgavra dhembjeje në durimin tim
për një melodi të derdhur prilli
larë krejt me rreze dielli. 

Tek Ura e përmallimit të djegur 
mbi Ibrin me jeh lashtësie
liria ime e hipokrizuar. 
Edhe pas një dekadë kacafytjesh me shtiza   
koha në të dergjet e barrikaduar 
nga fantazma grilash të mykura, 
krahët rënkojnë me revoltime.
Mbretërisë së horizontit të pa skaj
fjalë-sallonet intriguese 
që ma skicojnë gardhin tim
me parametra refrenesh trishtuese 
përcëllohen nëpër kërhanë shtrigash 
si nje mëkatim i krisur.

Mbi qytetin vullkan i ndezur
shpresat vijnë me etje zgjimi
në çdo stinë frymimi,
harkimi në dalldisje koherente 
me gjuhë përkushtimesh të hapura
në të mirë të së drejtës natyrshëm.

Flakërimë rrezesh të ylberta 
me reflektime të farfurinjta 
pingul i kristalizojnë dashuritë
mbi valët e shkumbëzuara 
të Ibrit shekullor 
për shtrirje buzëqeshjesh melodike
gjithandej këndeve të atdheut.  

(Poezi që mori Mirënjohje në Festivalin: Takimi i poeteshave Shqiptare, Vushtrri -10.10.2014)



NJËQIND VJET SHTET SHQIPTAR 
                (1912-2012)

Netëve me pagjumësi të këputura
mendimet shkapërderdhen pafrenueshëm
meridianeve të pa skaje të universit
për triumfalen time të drejtë. 
Gjurmojnë me shpejtësi vetëtime 
prangimet e gjakosura 
nëpër mote me zezona trishti
në kthim të ëndërrës së rrëmbyer 
përdhunshëm e me dredhi
nga gllabërues të rinj 
dhe të hershmit bajlozë të zi.

Nëpër sirtarët e dhembjeve
me thellësi hetjesh të përlotura 
dashuritë farkohen të kalitura 
me zjarrin e zemrës së zhuritur 
në përplasje dimërash zgërdhirës
përtej gardhit tim të lashtë,
që ma ngrijnë gjakun në damarë
edhe në pikë të verës. 

Ngarendjet e gufuara
jeh kumbues i derdhur 
në zhbërje eklipsesh sterrë
ngulfatjeve lemeritëse me shumë kufij
nëpër palcën e damarët e mij 
paraantikë– Pellazgji, 
antikë e dehur - Iliri 
me histori të kallura në gji. 

Lirika apologjike si uvertyrë
uron ngrohtësinë 
e kohës së rikthyer për shqiptarët 
në këtë mijëvjeçar shpërthyes të tretë,
KOSOVA me mbi një dekadë Liri
kurorëzuar edhe me Mëvetësi,
SHQIPËRIA-Njëqind Vjet Shtet.

Vetëm bashkimi i shkëputjeve
në tërësinë e përmbushur natyrshëm
i qetëson shpirtërat e trazuar 
dhe kujtimet e lodhura 
afërsitë në përtëritje sublime 
me valëvitje flamujsh Kuq e Zi.



KULLA QË OFSHAJNË
(Shqiptarëve të migruar nëpë botë)

Përshëndetje me gjuhë zemre
ju kalorës të gjakut tim sublim 
të fisit plisbardhë pellazdo-ilir 
të moshuar e të rinj
që morët botën në sy
në sfidim mynxyrash të përdalta 
bajlozësh të pështyrë 
të hershëm e në vijimësi
që rrëkëllyen gur e dhe 
mbi lashtësinë time të thinjur.

Përmallime zemre ndjejmë për ju
ag e terr
për gjallërinë përplotë hirësi
që mungon në përditëshmëri 
hapësirave të dritës.

Nëpër poret e thellësisë së dehur.
kurrë s’ju themi lamtumirë
pos urimit të pandalur: 
Mirëseukthefshit 
në tokën e melodisë së etur,
në madhështinë e frymimit të pathyer
me krenari përmasash të dëlira!
Atdheu ju thërret
në gjuhën shqipe të shenjtë
me mbëltimin e dashurisë së virgjër,
vendlindja e vrullit të ndezur
hapakrah ju pret
në prehërin prush.

Edhe mijëvjeçari shpërthyes i tretë 
përplotë stinorë durimi
me dhembje të arkivuara
që vështirë të rangohen si të shkuara,
shumë strehë heshtin e mekur
në fshat e në qytet,
kulla që ofshajnë 
me ritme pritjesh të pathyera
për jehun kumbues 
në përtëritje.

Themele e mure 
dëshmi e ruajtur trungu
ndërtuar me djersën tuaj të përlotur
derdhur largësive të zhveshura, 
modernja e stilizuar
me traditën e trashëguar
art i përkryer,
melodi me rreze purpuri akorduar.



PËR MADHËSHTINË E RRËNJËS

Për madhështitë e rrënjës së dëlirë
me bëma të thukëta trimërie 
radhitur nëpër palëzime motesh
si perla të derdhura nusërie 
dëgjova që herët, si fëmijë 
nga gojtarë orakuj të kohës
nga ata kandila përkushtimi 
me hove të lirshme guximi.

Në rininë e agmuar mikluese 
vrullet me etje të pashuara dashurie
dhe gjuhë të gufuar hirësie
për gjurmim epokash të ndritura
në vendlindjen time strall, 
në atë cep mrekullie të Arbërisë
me rrëfime të ngjeshura si dëshmi 
dhe kujtime të arkivuara.  

Frymëzimesh të dehura purpuri 
ballëlartë e patrazuar rrija
në këndin e thelluar të odës
në kullën e gurtë të trashëgimisë 
rrëzë Gardhinës stërgjyshore
të lashtësisë
me stinë bujshmërie ag e terr.
ligjërimi në të në rrjedha krenarie 
për zanafillën e ndritur
se gjyshi im 
sfond i patrazuar trimërie 
dhe gjyshi i babait tim sublimë,
kalitur nga të parët e vet epikë
lozë pas loze, 
në ballë të luftërave përherë kishin prirë 
me valëvitje të pathyer flamuri
kur ndizej flakë edhe guri
për lirinë mall i pashuar 
mbi nënqiellin mëmë të pafajësisë.
Me jeh në përmasa zgjimi
si një magji e krisur
për të edhe kishin rënë krahëhapur 
shkrirë në madhështi.

Ata janë historia e kulluar
gjurmëruajtur deri në thellësi shpirti,
zgavruar e nëpërkëmbur me lëndime
nga armiq të shumtë kobzi
me xhelozi të sëmura 
e grykësi të shfrenuara.
Janë amaneti koherent për zbërthim
në kohën e re në vazhdim
në përtritje folesh të përmalluara 
me diell e qiell pa re
në tërë trinën e trashëguar.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen