Montag, 31. August 2015
Lili Gogu, mjeku shkrimtar që krijon në laboratorin e tij.
Emër i njohur në letërsinë për fëmijë.
Nga Ilirjan Gjika
1
Atë e gjen çdo mëngjes në tavolinën e punës duke shfletuar gazetën. Kështu e nis doktor Lili rutinën e punës në klinikën e tij, ku përveç mjeteve laboratorike dhe preparateve të shumtë, gjen edhe një bibliotekë të pasur ku nuk mungojnë edhe librat artistikë. Ky është mjedisi krijues i Lili Gogut, ku bashkë me analizat dhe eksperimentet që zhvillon çdo ditë, përpiqet dhe gjen edhe kohën për të shkruar. Por nuk bëhet flalë për rekomandime dhe receta. Fjala është për një vepër të plotë letrare, e cila nuk është e paktë, por përbëhet nga gjashtë romane për fëmijë dhe një cikël me përralla, të cilat janë produkt i punës plot pasion të këtij mjek-shkrimtar.
Kështu punon ai çdo ditë, atje në klinikën e tij, duke mos e ndarë punën nga arti dhe ‘’detyrimin’’ nga pasioni, duke u shërbyer si mjek të rriturve dhe si shkrimtar fëmijëve.
2
Por cili është Lili U. Gogu, shkrimtarit që tashmë është prezantuar denjësisht tek lexuesit e vegjël? Për ti dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, ne shkuam dhe kontaktuam me të në klinikën e tij, një laborator i vogël pranë Poliklinës Fier. Pasi u përshëndetëm dhe prezantuam qëllimin tone, vumë re se mjeku-shkrimtar ishte një njeri i thjeshtë, modest dhe që nuk i pëlqente shumë publiciteti. Këtë gjë na e tha që në fillim me shumë mirsjellje por duke u gjendur përpara këmbënguljes sonë pranoi të bisedonim. Dhe atje në tavolinën e tij të punës na tregoi jetëshkrimin dhe zhvillimet e punës së tij, të dyzuar tanimë midis dy disiplinave krejt të kundërta, mikrobiologjisë dhe letërsisë.
I lindur në 10 janar 1942 në qytetin e Lushnjes, Lili Gogu u zhvendos herët së bashku me familjen në Fier, duke mos u shkëputur asnjëherë nga ky qytet. Këtu ai kaloi fëmijërinë, ku kreu arsimin e atëhershëm 7 vjeçar. Ndërsa shkollën e mesme e bëri në Tiranë, në Politeknikumin Mjekësor gjatë viteve 1958-1962. Më pas punoi për një periudhë pesë vjeçare në Qendrën Sanitare në Fier, për të vijuar më pas Fakultetin e Mjekësisë, të cilin e kreu në vitet 1967-1972. Menjëherë pas tij bëri edhe specializimin për Mikrobiologji në vitet 1973-1975.
Nga kjo kohë dhe deri në vitin 1999,kohë kur doli në pension, Lili Gogu, punoi si mjek në Laboratorin Mikrobiologjik të Higjenës në Fier. Edhe pse pensionist, ai vijon të punojë akoma duke ushtruar aktivitetin privat dhe duke ju kushtuar edhe mësimdhënies. Në vitet 2011-2014 ai punoi si pedagog i jashtëm në filialin e Fierit të Universitetit Kristal.
Pavarësisht angazhimeve profesionale, por edhe atyre dhoqërore dhe familjare, Lili Gogu nuk është shkëputur për asnjë moment edhe nga pasioni i tij, letërsia, fillesat e së cilës i ka që nga mosha e fëmijërisë.
- Poezinë e parë e kam shkruar në klasën e pestë të shkollës fillore, tregon për ne mjeku i njohur. Titullohej ‘’Në stinën e pranverës’’ dhe me të nis edhe aktiviteti im letrar, vijon ai.
Por nxitës në këtë drejtim ka qenë mësuesi im në shkollën 7 vjeçare ‘’Andon Xoxa’’, Rauf Zijai. I diplomuar në Francë, ai kishtë aftësinë për të zbuluar dhe klasifikuar talented e reja, duke vijuar më pas me kultivimin dhe nxitjen e tyre. Kështu veproi profesori edhe me mua, kur me rastin e vitit të ri 1956, na dha në klasë një temë të lirë hartimi. Unë e shkrova me ndjenjë dhe passion dhe për çudinë time, ai e lexoi si krijimin më të mirë përpara klasës. Ky ishte edhe stimuli im i parë në këtë drejtim, tregon Lili Gogu. Por, në këtë periudhë jam marrë edhe me publicistikë, flet përsëri ai. Kanë qenë artikuj të ndryshëm në revistën Pionieri, ku kam marrë edhe honorarin e parë. Shpërblimi ishte një pako me dhjetë libra. Kjo gjë bëri bujë atëhere në shkollë pasi të gjithë, mësues dhe nxënës, u çuditën që për mua erdhi një pako e veçantë. Vetë drejtori i shkollës më thirri në zyrë dhe pasi më përgëzoi më dorëzoi ‘’shpërblimin’’.
Ndoshta është e çuditshme por në këtë pikë dëshiroj të ndalem, e ndërpret përsëri bisedën Lili Gogu. Në atë kohë pavarësisht se ishim nxënës të shtatëvjeçares dhe në moshë relativisht të re, ne kishim të tjera raporte me librin, krahasuar me të fëmijët dhe të rinjtë e sotëm. Ishim shumë të apasionuar ndaj saj. Qysh kur isha në bankat e shkollës 7 vjeçare unë kam lexuar ‘’David Koperfildin’’ e Dikensit, apo ‘’Një tragjedi amerikane’’ të Teodor Drajzerit.
Ndërkohë dëshiroj të theksoj se brezi im ka qenë edhe me shumë fat. Kjo gjë për arësye se ne kemi kaluar një fëmijëri aktive, ku nuk mungonin ambjentet e natyrës, të cilat na ofronin gjithçka. Veçanërisht argëtuese për ne ishte stina e verës, ku rrethinat dhe qyteti i Fierit me pyjet, blloqet me pemë frutore, lumin Seman, na i mundësonte një gjë të tillë. Mund të sjell në kujtesë me dhjetra aventura të moshës fëminore, sikur do të konkuronim Tom Sojerit, personazhin çapkën të Mark Tuenit, thekson me buzëqeshje shkrimtari. Të gjitha këto përjetime më kanë ndihmuar më vonë për të shkruar lëtërsi për fëmijë dhe një pjesë të madhe të tyre i gjen në romanin tim ‘’Vera e fundit e fëmijërisë’’, e përfundon ligjëratën e tij Lili Gogu.
3
Romani i parë i shkrimtarit Lili Gogu botohet në vitin 1995 nga Shtëpia Botuese Toena. I titulluar ‘’Tronditjet e para të zemrës’’ ai kishte për redaktor një emër të njohur të letrave shqipe, shkrimtrain Nasi Lera. I pritur mirë nga kritika dhe lexuesi, libri, do ta bënte të njohur emrin e Lili Gogut në fushën e letërsisë për fëmijë.
Ndërkohë që një vit më vonë, do të vinte libri i i tij i dytë, i titulluar ‘’Arratisja’’. Edhe ai njëlloj si edhe romanet ‘’Strehëza e ngrohtë’’, botim i vitit 2004 dhe ‘’Vera e fundit e Fëmijërisë’’, botim i vitit 2005, do të ishin të gjithë bashkëpunime të shkrimtarit me të njëjtën shtëpi botuese, me Toenën.
Romani ‘’Strehëza e ngrohtë’’ do të ishte një nga 191 veprat letrare që konkuruan në konkursin mbarëkombëtar të letërsisë ‘’Penda e Artë’’, të organizuar nga Ministria e Kulturës Turizmit Rinisë dhe Sporteve në vitin 2005. Ndërsa Lili Gogu do të ishte një nga 18 shkrimtarët pjesmarrës të letërsisë për fëmijë në të, ku emri i tij renditej midis autorëve të njohur të këtij zhanri si Bedri Dedja, Dionis Bubani, Astrit Bishqemi, Sokol Jakova, etj ( Fjala e Lirë, suplement i Shkodra.net).
Ndërsa në vitin 2008, Lili Gogu, provon një tjetër gjini të letërsisë për fëmijë. Ai shkruan dhe përrallën “Nëna rosë, Filipushka dhe Rika e Bardhë’’. Këtë radhë librit të botuar në Fier, në shtypshkronjën Ymeraj do ti shtoheshin edhe ilustrimet plot finesë të piktorit Dilaver Muka. Gjithsesi shkrimtari nuk e ndërpreu bashkëpunimin me Shtëpinë Botuese Toena, në të cilën gjatë po të njëjtit vit boton edhe romanin ‘’Stina e artë’’.
‘’Një roman për fëmijë, i ndërtuar me një gjuhë sa të thjeshtë dhe të bukur. Libri ka në qendër dy shoqet e ngushta, Violën dhe Gentën, së bashku me shokët dhe shoqet e tyre të klasës. Në të trajtohen tema që lidhet me jetën e përditshme të fëmijëve. Probleme të veçanta edukative për ta dhe botën e tyre’’. Kështu thuhet në përshkrimin që i bëhet librit ‘’Stina e Artë’’në faqen elekronike Botime Shqip (ëëë.botime shqip.com).
Ndërkohë që një nga librat e fundit të këtij autori është edhe ‘’Fati i Xhyzepes’’ botuar në shtypshkronjën Ymeraj Print, në Fier gjatë vitit 2013. Ndërsa në pjesë e krijimtarisë së Lili Gogut janë edhe përrallat për fëmijë ‘’Lotët e mama gazelës’’ dhe ‘’Pylli i artë’’.
Duhet theksuar se një pjesë të madhe të librave të autorit Lili Gogu i gjen sot në raftet e shumë bibliotekave, përfshirë Bibliotekën Kombëtare në Tiranë, bibliotekat e qyteteve të ndryshme të Shqipërisë, bibliotekat e shumë shkollave ‘’9 vjeçare’’ dhe të atyre personale. Ndërkohë dy romanet e tij ‘’Arratisja’’ dhe ‘’Vera e fundit e fëmijërisë’’ kanë edhe një gjeografi të veçantë shpërndarjeje. Ato i gjen edhe në biblioteka të huaja, siç është rasti i Bibliotekës së Qytetit të Stokholmit në Suedi (Stockholms Stadsbibliotek). Në faqen elektronike të saj lexon se librat ndodhen në fondin e saj që nga viti 1996 dhe mbajnë përshkrimin ‘’av lili gogu ( bok) albanska, for barn och ungo’’ ( Autori Lili Gogu, libër në gjuhën shqipe për fëmijë dhe të rinj).
Ndërkohë që në saj të kësaj veprimtarie letrare, emri i Lili Gogut përmendet tashmë edhe në studime të ndryshme mbi këtë fushë. Kështu autori Astrit Bishqemi në librin e tij ‘’Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj 1886-2009’’, të botuar në vitin 2009, midis emrave të shumtë të shkrimtarëve shqiptarë të kësaj gjinije, bën edhe një jetëshkrim të shkurtër të shkrimtarit Lili Gogu dhe një skedë të veprave të botuara prej tij (Astrit Bishqemi, Autorë të letërsisë shqiptare për fëmijë dhe të rinj 1886-2009, Universiteti Aleksandër Xhuvani Elbasan, 2009, f. 112).
Por përveç letërsisë për fëmijë edhe në fushën e botimeve mjeksore, Lili Gogu, nuk ka mbetur i papërfaqësuar. Ai është autor i librit ‘’Infeksionet salmoneloze’’, një studim shkencor prej 120 faqesh, i cili në bibliografinë e tij numëron emrat e 136 autorë të ndryshëm. Redaktor shkencor i tij është Prof. dr. Minella Papajorgji i cili ka bërë edhe parathënien, në të cilin shpjegohet edhe brendia e librit. ‘’Infeksionet salmoneloze’’ i botuar në Tiranë në vitin 2003 nga Toena, është një libër që i kushtohet infeksioneve salmoneloze tek fëmijët dhe të rriturit, të cilat shkaktojnë një numër të madh helmimesh ushqimore sidomos gjatë stinës së verës. Këto infeksione kurohen me shumë vështirësi por që përhapen në formë epidemike në institucionet spitalore dhe repartet pediatrike, thekson për ne mjeku Lili Gogu.
4
Kushdo që e lexon të gjithë këtë krijimtari letrare të shkruar në këto 20 vite të fundit nga Lili Gogu, vëren se ka të bëjë me një korpus letrar që veçohet për romantizmin e theksuar të tij. Evokimi i ngjarjeve të së kaluarës është një tipar që të bie në sy menjëhrë sapo prezantohesh me të. Po kështu shikon se autori është mjeshtër në skalitjen e personazheve të tij, të cilët dallojnë për emrat e veçantë të tyre. Heronjtë e librave të Lili Gogut janë njerëz të thjeshtë të cilët priren nga pozitivizmi. E gjithë letërsia e shkruar prej tij përshkohet nga një lirizëm i thellë, ku mbizotëron ndjenja e të bukurës dhe optimizmi, gjë që e bën atë një letërsi jo vetëm të pëlqyshme nga fëmijët dhe të rinjtë por njëhkohësisht edhe shlodhëse dhe argëtuese. Një vend të veçantë në të autori i ka rezervuar edhe figurës femërore, e cila përbën pothuajse gjysmën e personazheve të romane të tij. Kjo është edhe një arësye më tepër që e bën atë një letërsi të karakterit tejet emancipues.
Këtë gjë e thekson edhe autori ku, në fund të bisedës thotë se ‘’Kjo është letërsia që më ka pëlqyer, ajo për fëmijë. Me të e kam nisur rrugën e krijimit dhe prej saj nuk do të ndahem asnjëherë. Por ajo ka edhe specifikat e veta sepse shfaqet e thjeshtë në dukje por është më e vështirë se gjinitë e tjera për tu lëvruar’’.
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen