Samstag, 1. August 2015

Kur librin e shkruan zemra...

Nga: Bashkim Saliasi

(Duke lexuar: “Ju dua më shumë se veten”,  liber i autorit Viron Kona)

Kur mbarova së lexuari librin më të ri të shkrimtarit Viron Kona  “Ju dua më shumë se veten!”, instinktivisht kalova dorën mbi sy, si të doja të largoja një ëndërr. Ishte një ëndërr e bukur, si ato që sheh Vironi,  në një ag maji. Në atë mëngjes të qelqtë, natyra konkurron me bukurinë, teksa Viron Kona me shpirtin e tij sikur konkurron vetë natyrën, me shkrimet e tij...

“Ju dua më shumë se veten!”, është një libër me një subjekt të gjerë dhe jetësor, me një dialog ngacmues dhe rrëfenja të mbushura me jetë dhe imagjinatë, të cilat fiksojnë në mendjen dhe kujtesën e lexuesit respekt dhe admirim për rilindësin e kohës sonë, Sadulla Zendeli-Dajën, shqiptarin nga Sërmnova e Maqedonisë, me banim prej 50 vjetësh në ujdhesën Ëland të Suedisë.

Vepra e re e Viron Konës, kushtuar Sadulla Zendelit, të cilin të gjithë e njohin me emrin “Dajë”, të bën të zhytesh në detin e pafund të emocioneve, që vërshojnë varg njëra pas tjetrës, si dashuritë e bukura, që vijnë krejt papritur për mëmëdheun, prindërit, shokët e miqtë e shumtë, që Sadulla Zendeli-Daja u detyrua t`i braktisë për shkak të përndjekjes nga regjimi i egër serb.

Përshkrimi i jetës së tij, ajo e një burri të vërtetë, është si ajo rruga, që hap akullthyesja në një det të ngrirë, kur poshtë saj gëlon jeta; si një lumë, që rrjedh pambarimisht dhe nuk ndalet në kohë...

“Vepra është një monografi kushtuar atdhetarit, mësuesit, publicistit, gjuhëtarit, poetit, dijetarit dhe shkencëtarit Sadulla Zendelli-Daja”, -shkruan në hyrje të librit, publicisti Kadri Tarelli.


 
E kam njohur edhe unë, nga afër, Dajën. Kam patur rastin të qëndroj disa herë në shoqërinë e miqëve të tij, Viron Kona, Murat Gecaj, Bardhyl Xhama, Kadri Tarelli, Sejdo Harka, Sokol Demaku, Abdyl Bucpapaj, Bujar Poçari...Në mendjen time, pas çdo ndarjeje të përkohshme me të, më ka mbetur në përfytyrim:  burri fisnik e fjalëpak, që di të të dëgjojë me kujdes, por dhe të lë radhë të tregosh edhe ti. Siç del nga libri, Daja është një Promete, një atdhetar i zjarrtë, i cili  gjithë jetën e vetë ia ka kushtuar Kombit shqiptar: edhe atëherë kur hapte shkollën e parë shqipe në Suedi; kur me bashkatdhetarë krijoi shoqatën “Ilirida”; kur restorantit të tij i vuri emrin “Shqiponja” dhe në ballë i vuri Flamurin Kombëtar, më pas edhe atë të Kosovës; edhe kur hartoi fjalorët: suedisht – shqip e shqip - suedisht, vepra këto monumentale; ashtu dhe kur krijoi një sërë veprash me karakter atdhetar, publicistik dhe poetik, të gjitha me një kushtim: MËMËDHEUT.

Ai gjendet kudo, ku është djepi i dijeve: në panaire, përurime librash, konferenca shkencore, gjithnjë ndërmjet njerëzve të dijes dhe të librave.

Më ka mbetur në mendje një bisedë e zhvilluar në takimin ndërmjet miqësh e Dajës, në hhotel-restorantin  “Livia”, ku ai ka rezidencën e tij të përhershme, sa herë që vjen në Shqipëri, midis tij dhe prof. Murat Gecajt.

Murati po i tregonte Dajës për nipin e tij, se si shkonte në shkollë dhe se si sillej në shoqëri. Të gjithë po e dëgjonim me qetësi. Kur Murati mbaroi së treguari për nipin e tij,Daja  e pyeti qetësisht:

-Sa vjet ka nipi, që qendron me ju, Prof. Murat?

-21 vjet...

Atëherë, Daja tha:

-Unë, fëmijët i rrita vetë dhe fëmijët e mi duhet t`i rritin vetë fëmijët e tyre. Kur ata vijnë për vizitë, i kam edukuar që të më lajmërojnë për kohën, që do qendrojnë dhe unë të jem në dispozicion të tyre.

E dëgjova Dajën dhe nuk e kundërshtova, por në mendjen  time edhe sot e kësaj dite e pyes veten:-Përse ne shqiptarët nuk duam të mësojmë nga bota e qytetëruar që, kur fëmijët mbushin 18 vjeç, të dalin të lirë dhe ta ndërtojnë vetë jetën, ashtu sikundër tregon në tregimin  e tij Viron Kona, mbështetur te biseda e zhvilluar me heroin e  veprës.

Nga njëri tregim në tjetrin, lexuesit kanë mundësinë të njihen  me jetën e përditshme të Dajës, që nga fëmijëria, shkollimi, punësimi në vendlindje dhe deri te marrja e vendimit dhe largimin nga Sërmnova, vend i argjendtë, që Dajës nuk i  shqitet nga mendja për asnjë çast.

Sa interesante është ngjarja, që na përshkruan Vironi, kur vajza suedeze, me të cilën punonte Daja, gaboi në llogaritë. Por ajo nuk dinte se në atë lokal punonte edhe  djaloshi i mençur nga Shqipëria, që tregonte me vepra jo vetëm vlerat e tij, por të mbarë Kombit Shqiptar.

Skena të tilla, që ta lehtësojnë shpirtin dhe t’i rrisin vlerat e krenarisë kombëtare, lexuesi do t`i gjejë në veprën e re të Konës, kushtuar Sandulla Zendelit. Kjo gjë arrihet  përmes një rrëfimi artistik, të ndërthurur bukur me gjininë e skicës dhe tregimit, të gërshetuara njëherazi me historinë e dy popujve, atij suedez dhe shqiptar, të cilët kanë pika të përbashkëta, duke  respektuar dijen dhe kulturën e njëri-tjetrit. Gërshetimi i kulturave të dy popujve, që rrëfen Viron Kona, tregon për rritjet artistike të të dy personazheve, të Dajës, si mëmëdhetar dhe leksikograf, por dhe Vironit si prozator, tregimtar dhe romancier, që di t`i hedh në letër bukur dhe pastër  vlerat, që shprehin pasuri dhe mbeten të skalitura në jetë.

Nuk kam në mendje të sjell pjesë ose fragmente nga libri, por do t`ia lë lexuesit, sidomos atij emigrant, që do ketë mirësinë, kur ta lexojë, të këshillohet me veten dhe të thotë :  “Vallë, i ngjaj sadopak edhe unë,  Dajës?!”

Libri lexohet shpejt, i shtyrë nga kureshtja se çfarë tregon Daja për jetën e tij dhe si ka arritur Vironi t`i skalitë me penën e tij tregimet, që e portretizojnë këtë personalitet të letrave shqipe.

Meritë e shkrimtarit është se nuk prek vetëm një temë. Por ai, tashmë, me penën e tij të artë, nga dita në ditë, po u dhuron shqiptarëve e, pse jo, edhe suedezëve, vepra me vlera historike, që  krijojnë ura miqësie midis dy popujve. (Lexo vlerësimet, që bën për këtë autor, albanologu i madh suedez Ullmar Qvick).

Është kënaqësi të qëndrosh me këtë njeri dhe shkrimtar, i cili e dëgjon me respekt dhe përqendrim bashkëbiseduesin, flet pak, por, ato që thotë, të mbeten në mendje.

Këto ditë Vironi doli në pension. E takova rastësisht më 24 qershor, ditën në të cilën kishte bërë dorëzimet dhe kishte pirë një kafe me kolegët dhe miqtë e tij të punës, në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, ku ai punoi gazetar i “Mësuesit” dhe specialist, në disa sektorë, në këta 10 vjetët e fundit, deri  ditën e daljes në pension. Ishte gjithë emocion. E urova për mbylljen e suksesshme të punës dhe, duke i shtrënguar dorën, i thashë buzagas:

-Tani, do kesh mundësi të realizosh objektivin, që i ke vënë vetes, pra të botosh 100 libra! Na i trego gjerë e gjatë të gjitha ato, që ke akumuluar gjatë këtyre 49 viteve pune(Gjysmë shekulli në detyra të ndryshme, pa e ndërprerë punën asnjëherë).

Qeshi dhe, duke më shtrënguar dorën, më tha:

-Doemos që do ta realizoj objektivin, që i kam vënë vetes... 100 libra? Mbase, por më shumë se 100 libra. Janë  liria dhe energjitë, që më vlojnë brenda vetes, që të  them gjithçka ndiej, gjithçka mundem, nga ato që kam në shpirt...Veçse, kam merak nëse do të arrijë t`i them dot aq mirë, sa ç `i ndjej ose ashtu siç duhet...Ti, Bashkim, më kupton çfarë dua të them, sepse ti je edhe vetë krijues...

Dola pak nga tema, sepse, si autori i veprës, ashtu edhe personazhi i tij janë shkrimtarë, artistë dhe engjëj të kësaj bote, midis mijëra ose miliona njerëzve të tjerë. Pra, edhe këta shpërndajnë mirësi, dritë,  dashuri ... E dini se ç`bëri Vironi, gjatë muajit qershor 2015? Pasi botoi librin, për të cilin po flasim, kishte merak të madh që t`ia dërgonte 10 kopjet e para Dajës, atje në ishullin e Ëland të Suedisë, pikërisht më  3 qershor, ditën që ai mbushte 80 vjeç. 

-Arrita, - më tha me gëzim, teksa pinim kafe, - ia dërgova. Kur Daja të mblidhet me familjen, shokët dhe miqtë suedezë e shqiptarë, librin do ta ketë në tavolinë, dhuratë nga unë, për 80-vjetorin.....Më pas? Më 29 qershor 2015, kur Gostivari e nderoi birin e  tij, Sadulla Zendeli-Dajën me titullin e lartë “Qytetar nderi” dhe, simbolikisht, i dha Çelësin e qytetit, Vironi shkoi atje, në Gostivar, foli edhe ai për mikun e tij të madh dhe të të gjithë shqiptarëve, dhuroi edhe atje librin, “Ju dua më shumë se veten”, ashtu edhe një dhuratë - portret të Dajës- në një kornizë të punuar bukur. E nderoi, pra, edhe në vendlindje, rilindësin Sadulla Zendeli-Daja, personazhin e madh të librit të tij, ashtu siç ai e meritonte

Lexuesi do gjejë në faqet e këtij libri: kujtime, dëshmi e fakte të shumta të jetës së heroit, Sadulla Zendeli-Daja, të cilat të mbushin me emocione dhe të prekin gjer thellë në shpirt, të frymëzojnë për gjëra të bukura në jetë. Kush e ka provuar jetën e kurbetit, për një çast, ndalon së lexuari dhe thotë: “Mos jam edhe unë, në këtë libër?”

Duke i uruar jetë të gjatë Heroit të librit,Dajës, si dhe urime për 65 - vjetorin e  lindjes dhe pension të mbarë, mikut tonë Viron Kona, dëshiroj t`ju them juve, miq të librave: “Lutem, merreni, hidhni sytë dhe lexoni veprën monumentale të Konës, kushtuar rilindësit Sedulla Zendel-Daja dhe... do të më besoni! 

Faleminderit!

Tiranë, më 23 korrik  2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen