Samstag, 1. August 2015

Fehmi Berisha - "Muzat mbetën kokëvarur"

Shkruan  Xheladin A. Çitaku

  • Fehmi Berisha: "Muzat mbetën kokëvarur"

81-2259, - Kodi që përmban një jetë të tërë përjetimesh, kodi që përfaqëson kohën dhe hapësirën, të dyja të ngushtuara deri në frymëzënie, të cilat i imponoheshin një populli, i dhuroheshin një grupimi, nga mbetjet e historisë që përfaqësonin ambicien e ngulitjes së përhershme.

 Autori i këtij vëllimi poetik është njëri nga sfidantët e kësaj ngushtice, e kësaj ambicjeje që po kulmonte në pikën e vlimit, sepse njeriut i duhet frymëmarrja për të jetuar, gjithsesi. Poeti ynë është personazhi i kësaj kohe që manovron në këtë hapësirë, në këtë përkufizim të padurueshëm, i cili vepron shtytur nga ndjenja, nga arsyeja, nga nevoja, nga qenia fizike, shpirtërore e kombëtare; nga domosdoshmëria e mbrojtjes së dinjitetit dhe identitetit. Prandaj 81-shi derivoi 2259-shin si përpjekje për ta shuar ndjenjën, për ta errësuar arsyen, për ta tretur nevojën, për ta tjetërsuar qenien fizike, shpirtërore e kombëtare, për ta përdhosur dinjitetin, për ta zhbërë identitetin. Brënda kësaj kornize gëlon shpirti poetik, muzat nxitëse dhurojnë, frymëzimi i motivuar shpërthen, rrjedh vargu.

– “Muzat Mbetën Kokëvarur” është libër që tabloizon kontekstin e përjetimit, ndijimit e veprimit, duke mbërthyer artistikisht protestën mllefin, revoltimin, shpërthimin për këtë kokëvarje muzash, për këtë kokëvarje idealesh, për këtë kokëvarje ëndërrash që solli koha e devijimeve të pështira, e cila fuqizoi përulësinë e paturpësinë; kokëvarje, të cilën e stisi ç`orientimi në udhëkryqin e historisë, duke katapultuar proviniencat kozmopolite të rikuperuara nën maskimet ekstravagante të civilizimeve të avancuara. Stigma poetike shenjëzon këto dukuri, shpërfytyron këto maskime, identifikon zvarritjen e shëmtisë në zënien e kuotave privilegjuese, gjithnjë në shërbim të shformimit të qëllimit bazë.

Ideja e poetit e materializuar në këtë përmbledhje vargënimi ballafaqon të kundërtat, krahason e paralelon sinonimet, aplikon figurëzimin në shkallë të gjërë, për ta dhënë plotëninë e shtjellimit, për ta shtrirë thellësisht e gjerësisht motivin. Ajo që bartë rëndesën e shpërfaqjes në këtë shtrirje është mënyra figurative e shprehjes, është metaforizimi i kuptimësive që i nënshtrohet manovrimit filozofik të ndërtimit:

“ Zhvarrosën jetën plot përmbajtje
 Inkuizitorët,
 Të gjallët e vdekur zvarriten
 Të vrasin jetën e pavdekshme…”

“Por si të bëj në këtë cirk
 Ku lexohen poezitë
 E përtypen lopët…
A ka të sosur kjo tatpjetë? “


Tingëllonë si alarm ky varg, si kambanë e shpirtit të vrarë nga zhgënjimi, duke parë rrëshqitjen, duke ndjerë mashtrimin (apo vetmashtrimin) nga postulatet e importuara si substancë virusale. “Të shartuarit degëve” s`orientohen dot në dallgëzime baticash e zbaticash dhe rrezikojnë përmbytjen e varkës duke i shkulur spirancën nga trolli. Prandaj autori thërret, “Rini jepi frymë zjarrit”, të ndizet e t`i përcëllojë këmbalecët e gënjeshtrës që kanë mbërthyer realitetin.
- Ngjitja e tërthortë në pikëvrojtimin e aspekteve politike të kohës është një formë e hapërimit të poetit në këtë fushë, një formë e deklarimit të tij për pikëpamjet ndaj përkufizimeve teorike dhe interferimi i tyre në konkretësinë përjetuese:

“Kur Turqisë i dhashë fenerë
 E gjak Italisë, Greqisë e Egjiptit,
 Londra më ngarkoi barrë të rëndë
 Më kërrusi deri në eshtrat e shpirtit.”
------------------------------------------------
“Më shtinë në një paketë
 Pastaj mish për top më bënë
 E më qitën në ankand public
 Lakuriq më lane.”
-------------------------------------------------
“Shekujve fjalën ma cunguat
 Gojëmbyllur e duarlidhur
 T`më vrisnin n`dorëzani.”


Kështu derdhet ngjyra që errëson konceptimet e produkteve mediokre, vërshuar si paragjykime të vezullimit lëbyrës, sot. Ky qëndrim e qartësonë shikimin, e kthjellonë arsyen kolektive dhe, për rrjedhojë, sjellë gjykimin konciz të përmasave, duke përmbledhur hallakatjet iluzioniste:

“Ikëm nga vetvetja
 E hymë në kornizën e bushtrave,
 Të nënshkruajmë zvarritjen,
 Të nënshkruajmë përulësinë”


S`ka si të thuhet më troç se bestytënimi i mitizuar i prospekteve të idealizuara na doli “kapuç me mëngë”, se mbllaçitja neveritëse e menysë së servuar prodhonë pasoja kanceroze. Prandaj, duhet braktisur ky kurs që shpie kanionesh të errata:

“Cili kod e bënë këtë truall të flasë
 Të këndojë këngën e djepit
 E toka të mos mbetet memece,
 Kur të dalim nga vetja mençurisht
 Prej kultit të errët
 Që kemi ngritur me patetizma.”


Dhe shtegu që piketonë poeti është fare i dukshëm, duhet ndjekur atë gjithsesi, duhet një sanim detyrimisht:

“Sot i duhet gurra e kulluar
 Të shpëlajë pisllëqet
 I duhet vala e lumit të tij
 E lahutari t`i qepë
 Këngën e grisur”


- Metoda e ndërthurjes së dimensioneve, ngërthimin e individuales me të përgjithshmen, gjeneralizimi i vesit a veseve derivonë një sajim poetik që pasqyron realitetin, të përkufizuar në përditshmëri:

“Sa herët zgjohemi
 Pasi të perëndojë dielli
 Krihemi, bëjmë manikyr
 Dhe fillojmë të matim rrugët
 Kush me kënd, cili e cila…”


Jo vetëm “binom kohe” por edhe binom kuptimi, konkret e figurative njëkohësisht; individual e kolektiv gjithashtu; e përditshmja si ves dhe e përhershmja si parim i segmenteve të aspektuara të vazhdimësisë. Kjo nxitë, jo vetëm papajtueshmëri por edhe neveri, nxitë reagim, edhe poetik:

“Por ja që s`më bëhet shpirti rehat
 Dhe nuk mund të qeshem
 Pasi sytë më janë përgjakur
 E më vjen të vjell
 Më vjen të pështyj.”


Jo vetëm kaq. Poetizimi i dukurive, reagenca ndaj tyre, kap edhe formulime akuzuese ndaj shndërrimeve në bredhje, ndaj tjetërsimeve në kohështrirje:

“U mbyll në kishë gjaku im
 Për t`u lutur,
 Këndoi greqisht e serbisht
 Dhe harroi të flasë shqip

I joshur pas syrit të marrëzisë
 E lidhi nyjë urtinë.”


- Poeti Fehmi Berisha bënë identifikimin e dukurive në përshkimin e vazhdës, ambientimin adapt të tyre në konstruksionin poetik, vlerësimin dhe gjykimin e pastajmë me ikonografinë e stilit dhe të shprehjes, brënda këtij konstrukti letrar. Mjetet e duhura letrare janë të pranishme në masën e paradozuar nga autori, duke adoptuar veçanti të caktuara gjatë ndërtimit të vargut.

- Fehmi Berisha nuk pati shumë nevojë për eksplorime përjetimesh e ndijimesh. Atë e bëri jeta për të, rruga e zgjedhur jetësore e shpie në pozicionime të tilla, të cilat lënë vrragë të pashlyeshme në botën shpirtërore të poetit, lënë gjurmë të thella në vetëdijen dhe ndërdijen e tij, duke patur parasyshë përshkallëzimet e vazhdueshme atakuese të komponentës kombëtare, brënda së cilës gërshetohen mendësia, aspirata, qëndrimi e veprimi, por edhe rezistenca e këtij autori. Si e tillë, kjo tërësi përfaqësohet (në këtë rast) nga një simbolikë e mirënjohur, 81-2259; koha simbol, vendi simbolik që shenjëzojnë trasenë nga ka kaluar poeti. Veç kësaj, në poezinë e Fehmiut nuk mungonë as subjekti-simbol, të cilit i rezervohet përkushtim i veçantë.
- Ligjërimi poetik rrjedh degëzueshëm, duke spikatur linjën e shprehjes së lirizmit përmes vargënimit refleksiv ku emocioni, ndjenja e imagjinata konstruktojnë imazhin e këtij degëzimi, ngjyrojnë nuancimet përkatëse, të cilat e karakterizojnë shfaqjen e pikturimit të tillë, si reflektim shpirtëror, si ravijëzim ndjesor:

“Syhapur bredhin ëndrrat
 Akrepave të ores.
 Ti nuk vjen
 Fshihesh hijes tënde
 Vetull e qerpik lidhur harrimit...”


Megjithkëtë as ky element nuk i shpëton petkut të aktualitetit, qepur enkas për këtë formësi, i cili ka përmasën e kohës, dizajnin e imponuar të rrethanave që përfaqësojnë të përgjithshmen, tërësinë tonë gjithpërfshirëse. Edhe poeti u përmbahet skicimeve të këtij konturimi për ta paraqitur atë në kompaktësinë ekzistuese, si transponim të tij në një realitet poetik të krijuar mjeshtërisht.
- “Muzat Mbetën Kokëvarur” vjen si përqëndrim lirik që anashkalon konvencën, mënjanon konfigurimin metrik dhe shtrihet në gjatësi të ndryshueshme intonative, duke stimuluar shprehjen poetike dhe figuracionin me të cilat ndërton kuptimësitë si mënyrë individuale e të shprehurit, si një origjinalitet i veçuar krijues, si kompozim që ndjek një vij të posaçme melodike në harmonizimin e tekstit e kontekstit. Kështu Fehmi Berisha sajon një strukturë poetike të konvertuar, sepse bagazhi patriotik, veprimet konkrete jetësore, ecja e tij në kohë përgjithësisht ravijëzohet në një ngrehinë letrare jo pompoze, të shtruar e të stërholluar në ingranazhet e përpunimit artistik, stilistik, gjuhësor, estetizimin e formateve, duke shkaktuar, kështu, përjetim tek lexuesi, duke përqëndruar vëmendjen në receptimin tërësor të lëndës. Fehmi Berisha konfirmon prezencën e tij serioze në arealin e poetikës, duke radhitur tituj përmbledhjesh, duke trajtuar motive, duke dëshmuar përkushtimin për sendërtimin konkret të ideve të tij përmes variacioneve të ngjyrimit letrar…

81-2259 simbol-totem i një rrugëtimi…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen